Organizata e ShBA-së USAID ka publikuar dje një raport që merret me matjen e performancës së institucioneve të shtetit në kontekst të shfrytëzimit efektiv të parasë publike dhe trasparencës në prokurim.
Ajo që thekson raporti është që në kuadër të institucioneve qendrore, përkatësisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka theksuar progresin dhe rezultatet në Ministrinë e Shëndetësisë.
Nga 25 parametra sa ka ky raport në indeksin e përformancës prin për nga progresi MSh me 36%.
‘’Nga 25 tregues që matin shpenzimet publike efektive dhe prokurimin transparent, institucionet partnere të USAID-it treguan një përmirësim prej 21% krahasuar me performancën e tyre të vitit 2022! Gjithashtu, MSh ka arritur një rritje të dukshme prej 36%’’, thuhet në njoftimin e USAID.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në emisionin CONTEXT në ATV, ka treguar se si presidentja Vjosa Osmani i ishte kwrcwnuar lidhur me dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj.
“Unë kam kuptuar nga vetë presidentja që i kanë çu fjalë si me thanë ‘o nënshkruaje Blerim Isufajn, o do të merremi me ty’. Pra forma të tilla të presioneve e kërcënimeve, por e cila nuk është shqetësuar në raport me këto kërcënime, të cilat sistemi i përdor për të ndalë dhe për të frikësuar qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.
Kujtojmë se vetë Presidentja Osmani, një konferencë për media më 17 tetor të vitit të kaluar, kishte thënë se është kërcënuar nga njerëz ‘të sistemit të drejtësisë’.
“Ka qenë presion i paligjshëm dhe jokushtetues dhe në kundërshtim me çdo praktikë të mëhershme të komunikimit ndërpresonal. Në anën tjetër, unë mund të them se ka pasur presione nga njerëz që dërgonin mesazhe: ‘do të të ngrisim aktakuzë’, ‘do të bëjmë dosje’, ‘do të t’i lidhim duart’”, kishte thënë Osmani, duke shtuar se “është shqetësuese kur zyrtarë të institucioneve tona të drejtësisë mendojnë se mund ta kërcënojnë kreun e shtetit”. /atvlive.tv
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Këshilli Prokurorial është në gjendjen më të keqe, sepse sipas saj, janë të interesuar të bëjnë pazare.
“Këshilli Prokurorial është në gjendjen më të keqe, më të rëndë ndonjëherë dhe nuk shihet një dritë, si me thënë në fund të tunelit, që do të reformohen vetë, sepse janë të interesuar me bo pazare. Për shembull, Këshilli Gjyqësor megjithatë është duke u përpjekur që të ndërmerr veprimin në përputhje me përgjegjësitë”, tha Haxhiu.
Ajo tha se, nëse nuk ndërmerren masa disiplinore ndaj prokurorëve, gjendja në sistemin e drejtësisë do të rëndohet.
“Në qoftë se Prokuroria, sistemi Prokurorial nuk është nën nivel të detyrës dhe prokurorët në Republikën e Kosovës nuk i adresojnë përgjegjësitë e tyre dhe në anën tjetër, Këshilli Prokurorial, mekanizmat e brendshëm nuk marrim masa disiplinore ndaj prokurorëve që nuk e kryejnë detyrën, atëherë gjendja do të rëndohet”, tha Haxhiu. /atvlive.tv
Në datat 28 dhe 29 shkurt, në Tiranë, do të zhvillohet Samiti për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrje të shumë delegacioneve me nivel të lartë përfaqësimi nga Europa Juglindore, Ukraina dhe vendet e rajonit.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Gardën e Republikës dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, ka hartuar një plan të detajuar masash, për garantimin e rendit publik, para, gjatë dhe pas aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre 2 ditëve.
Konkretisht në terren do të jenë të angazhuar mbi 1500 efektivë policie, ndërsa pjesë e planit të masave është dhe bllokimi i qarkullimit rrugor me fasha orare në disa akse të kryeqytetit.
Ndërkohë sa i takon rrugëve brenda perimetrit të sigurisë, bllokimi do jetë total.
“Rrugët që përfshihen në perimetrin e sigurisë së aktiviteteve dhe takimeve të pjesëmarrësve në Samit, do të kenë ndalim qarkullimi nga ora 08:00 e datës 28.02.2024 deri në orën 16:00 të datës 29.02.2024”, tha Rebani Jaupi, Drejtori për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit.
Në dy ditët e bllokimit të qarkullimit, policia orienton të gjithë qytetarët të përdorin rrugët alternative që të aksesojnë me aeroportin Nënë Tereza.
“Do të ndjekin përkatësisht drejtimin Vorë – Fushë Prezë – Rinas dhe kthim; Fushë Krujë – Valias – Rinas dhe kthim; Nga Juglindja dhe Tirana, do të ndjekin Unazën lindore – Farmacia 10 – Stacioni i Trenit – Bulevardi i Ri – Paskuqan – Kamëz – Valias – aeroporti “Nënë Tereza” dhe kthim në të njëjtin itenerar”.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i tha ATV-së se marrëveshja e Brukselit, një vit më parë mes Kosovës dhe Serbisë është marrëveshje historike që e vendosë dialogun në një trajektore të qartë largpamëse.
Mirëpo, ai thotë se një vit më vonë, nuk ka progres në zbatimin e saj.
“BE-ja shpreh keqardhje për përparim të kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes, i cili mund t’u atribuohet të dyja palëve”, tha Stano për ATV-në, duke shtuar se Kosova dhe Serbia nuk mund të përparojnë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nëse nuk bëjnë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera, të arritura në kuadër të dialogut.
Ai tregoi se Komiteti i Përbashkët i Monitorimit tashmë është krijuar, i cili ende nuk është takuar për shkak të mungesës së kushteve të referencës.
“BE-ja monitoron nga afër nivelin e zbatimit dhe do të njoftojë shtetet anëtare në raportimin e saj për Kapitullin 35 për Serbinë dhe Grupin Special për Normalizim për Kosovën”, i tha Stano ATV-së.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit që rasti i vrasjes së Marigona Osmanit të kthehet në rigjykim, tha se veprime të tilla të sistemit të drejtësisë shtyjnë edhe të tjerët të kryejnë veprime të tilla.
“Nesër është paralajmëruar protesta për shkak të vendimit të Gjykatës së Apelit, që e kthen në rigjykim rastin e vrasjes mizore të Marigona Osmanit, që konsideroj se, që nga koha e pasluftës, ka pasur vrasje në Kosovë, mirëpo kjo konsiderohet që është më e rënda, për shkak të mënyrës se si është kryer vrasja e të ndjerës. Prandaj, kthimin në rigjykim i rastit tillë, sigurisht që unë do të sërish do të kritikohem që po komentoj vendime të gjykatës që po ndërhyj në drejtësi, por e kam thënë dhe e përsëris sërish, sa herë kemi vendime të tilla të gjykatave, unë do ta ngris zërin, sepse konsideroj që është tepër e rëndësishme që edhe si qytetare e këtij vendi, edhe si nënë, si grua, si ministre e Drejtësisë po ashtu, të adresoj padrejtësitë që bëhen nga vetë sistemi dhe kam përshtypjen që veprimet e tilla nga sistemi i drejtësisë konsideroj që i shtyn të tjerët që të bëjnë veprime kriminale, sepse kur të ledhaton sistemi me vendime të tilla, atëherë natyrisht që kjo është shtytje për edhe për të tjerët, por edhe për personat që për momentin mbahen në masën e paraburgimit”, tha Haxhiu.
Në anën tjetër, ajo tha se është e papranueshme se si gjykatat së pari marrin vendime në bazë të presionit.
“Pavarësisht që ka reagime qytetare, duhet të gjitha rrethanat të sqarohen dhe secili si me thënë argumentim i gjykatës pat të jetë i bazuar”, tha Haxhiu.
Ajo thotë se probleme ka shumë në sistemin e drejtësisë, por se ato duhet të adresohen dhe përgjegjësinë e bartë sistemi i drejtësisë.
“Kemi raste të shumta, por ka qenë edhe së fundi një prej rasteve kur dikush është dënu me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme e liron komplet nga përgjegjësia penale. Pra, këtu probleme ka shumë. Ky problem duhet të adresohet dhe këtu përgjegjësinë e bartë vetë sistemi i drejtësisë”, tha Haxhiu. /atvlive.tv
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në emisionin CONTEXT në ATV, Qeveria e Kosovës, për herët të parë e ka prioritetizuar adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, përfshirë këtu edhe femicidin.
“Në të kaluarën, nëse shohim programet e qeverive të kaluara, por jo vetëm programet, por edhe veprimet që i ka ndërmarrë në vazhdimësi, nuk është që kanë folur ndonjëherë ose kanë vepruar në raport me adresimin e dhunës në familje, por duke qenë të shqetësuar me rritjen e rasteve të dhunës në familje, sikurse edhe rastet e vrasjeve të grave, ne kemi konsideruar që është shumë e rëndësishme që Qeveria ta merr përgjegjësinë në raport me mbrojtjen dhe veprimeve konkrete për mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të grave. Në këtë drejtim, deri tani prej momentit kur ne kemi marrë detyrën, pra në mars tri vite bëhen, ne kemi adresu të gjitha përgjegjësitë në raport me çështjen e adresimit domethënë dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave”, tha Haxhiu.
Ajo tha se si Qeveri, kanë miratuar shumë dokumente, shumë strategji, të cilat kanë për qëllim që të shtyejnë institucionet për veprime konkrete në raport me përgjegjësitë që kanë.
“Kemi miratuar shumë dokumente, shumë strategji, të cilat kanë për qëllim që të shtyejnë institucionet e Republikës së Kosovës për veprime konkrete në raport me përgjegjësitë që kanë, sikurse të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë, Arsimit, po ashtu edhe Policisë, Prokurorisë, Gjykatave, qendrave për punë sociale, strehimoreve, sepse konsiderojmë që pa një bashkëshëndim të të gjitha institucioneve është pothuajse e pamundshme që të arrijmë që të mbrojmë jetën e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës. Ne kemi konsideruar si Qeveri që dhuna në familje nuk është çështje private, nuk mund të mbetet e izoluar brenda mureve të shtëpisë, prandaj duhet ta marrim përgjegjësi në raport me veprimet konkrete, siç i kemi adresuar në vazhdimësi”, tha Haxhiu.
Sipas saj, është hera e parë që Qeveria e Kosovës adreson politikat kundër dhunës në baza gjinore, të cilat nuk kanë ekzistuar më përpara.
“Është hera e parë që Qeveria e Kosovës adreson si me thënë politikat të cilat nuk kanë ekzistuar më përpara, për shembull, përveç strategjisë për mbrojtje nga dhuna në familje që parasheh rekomandime konkrete për institucionet dhe konsideroj që jemi në rrugë të mbarë për zbatimin e saj, kemi adresuar edhe ndryshime në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale që ndërlidhen me aktgjykime në rastet kur dikush pra shpallet fajtor për dhunë familje dhe dhunë seksuale, ka edhe dënime plotësuese për të njëjtit, duke i pamundësuar që të punësoheni në institucionet publike, për një kohë të caktuar varësisht si e vlerëson gjykata, sikurse edhe hetim e gjykim në kohë reale të rasteve të dhunës në familje, por edhe dhunën seksuale”, tha Haxhiu.
Ajo thotë se përkundër këtyre veprimeve, ka ende shumë punë për tu bërë në sistemin e drejtësisë.
“Kemi ofruar ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës, kompensim të viktimave të dhunës, kemi miratuar protokoll shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale, kurrikulën për rehabilitimin e dhunuesve, sepse duhet të orientohemi edhe te rehabilitimi i dhunuesve, sikurse edhe masën për punësimin e vajzave dhe grave viktima dhune, sepse konsiderohet që shumica dërmuese e atyre që raportojnë dhunën janë të papunësuara, rrjedhimisht ka mundësi që të durojnë dhunën, sepse nuk kanë kah t’ia mbajmë. Por është evidente që edhe përkundër këtyre veprimeve kemi ende shumë punë për të bërë”, shtoi Haxhiu. /atvlive.tv
Me 33 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Pëllumb Bajqinovci, është shkarkuar nga detyra e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Pak para shkarkimit, Bajqinovci lëshoi sallën. Fillimisht, shkarkimin e tij e kundërshtoi kryetari përparim Rama.
“Kjo është politika juaj me i ndalu projektet. Tani kur Rruga A po përfundon me kohë rekorde, ndërtimi i gjashtë shkollave dhe çerdheve. Tani kur unaza e qytetit është në proces. Këto po ndodhin kur ndërkombëtarët po besojnë… tani kur po kthehem nga Katari dhe kam marrë zotimin për projekte të reja”, tha Rama.
Por, sipas asamblistëve të opozitës, një gjë e tillë është dashur të bëhej prej kohësh, pasi për shtatë muaj sa ishte në detyrë, pati performancë të dobët.
“Akoma nuk kemi mbledhje të rregullta, kryesuesi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ta zhbllokojë Kuvendin. Nuk është angazhuar. Bajqinovci ka dështuar dhe nuk ka performancë të mirë”, tha Gëzim Sveçla, asamblist i LV-së.
Madje, ata thanë se shkarkimin e tij e bënë edhe më të arsyeshëm mosmbajtja e një seance për të diskutuar zhvillimet e fundit në kryeqytet.
“Kemi probleme që kanë kapluar kryeqytetin dhe nuk pati diskutime…”, tha Leutrim Retkoceri, asamblist i PDK-së.
Pëllumb Bajqinovci ishte zgjedhur kryesues i kuvendit komunal të Prishtinës më 21 korrik të vitit 2023.
Inicimi për shkarkim të kryesuesit erdhi pas prishjes së koalicionit LDK-PDK në nivelin ekzekutiv, duke e lënë në pushtet LDK-në, që tashmë është pakicë në Kuvendin komunal.
Propozimi i Qeverisë për bartje të pronësisë së aksioneve të KOSTT-it nga Kuvendi te Ministria e Financave, nga një pjesë e opozitës vlerësohet tendencë për vënien në kontroll të kësaj ndërmarrjeje publike.
Kundërshtimi i PDK-së ndërlidhet me dyshimet për mos-përputhje të Projektligjit për Energjinë Elektrike me rregullat e Komunitetit të Energjisë në Vjenë.
“Ne do ta trajtojmë nen për nen dhe do ta bëjmë publik qëndrimin tonë. Nuk mund të pajtohemi që të ndërrojë çështja e aksionarëve, siç ka qenë deri tash me KOSTT-in dhe disa institucione që i janë përgjigjur Kuvendit. Nëse e abstrahojmë me ligj çështjen e kompetencave të Kuvendit, atëherë kemi një situatë tjetër të asaj që nuk do të dëshiroja të shihja në ekonomi. Një ekonomi të centralizuar, që kontrollohet gjithçka nga ekzekutivi”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Pasi tha se rregullorja e BE-së për shthurjen është keqinterpretuar, deputeti Armend Muja kundërshtoi argumentimin se Qeveria dëshiron ta vërë në kontroll KOSTT-in.
“Nuk krijon probleme, sepse ato duhet të jenë në njësi të ndara. Ajo është kërkesa e rregullores. Në shumë vende të tjera në rajon i kanë krejt bashkë. Por e vërteta është që kalimi i KOSTT-it nga Kuvendi te ministria, unë e përkrahi këtë, sado që unë i kam të dhënat, e kam përcjellë një kohë të gjatë, mirëpo ministria i ka kapacitete me i ndihmua KOSTT-it, qoftë te aspektet e prokurimit, qoftë te aspektet e auditimit. është shumë më mirë të jetë në kuadër të Ministrisë së Financave”, tha Muja.
Në KOSTT ende nuk janë deklaruar për këtë propozim të Qeverisë.
Vetëm në tri vjetët e fundit, KOSTT-i me ndihmën direkte të Qeverisë pagoi rreth 150 milionë euro për mbulimin e devijimeve, si pasojë e mos-pagesës së rrymës në katër komunat në veri.
Në fund të muajit Janar, Rregullatori i Energjisë i hoqi KOSTT-it këtë barrë, të cilën e kishte në licencë që nga vitit 2017, kur u ndërpre praktika e faturave të fryra në 34 komuna për të mbuluar veriun.
Për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, kalimi i ndërmarrjes në përgjegjësinë e plotë të ekzekutivit vetëm sa i ndihmon zhvillimit të ndërmarrjes.
“Metoda e financimit është ajo çfarë e bën faktikisht diferencën. E dyta është mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit, prapë shumica i përzgjedhë… Fakti që KOSTT-i ka qenë nën Kuvend besoni është e çuditshme, sepse nuk mund të jetë te Kuvendi, sepse nuk kanë deputetët kapacitet për t’u marrë me mbikëqyrje. Nuk është e pazakonshme”, tha Muja.
Para miratimit të ligjit, sipas ekspertëve, kërkohet një vlerësim i përputhshmërisë me rregullativën e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, organizatë e cila ka kuadrin ligjor të BE-së në fushën e energjisë.
Komuniteti i Energjisë është organizatë ndërkombëtare, që përbëhet nga BE-ja dhe 12 shtete, shumica e të cilave synojnë anëtarësimin në bllok.