ATV

Author: ATVLive

  • Fillojnë kontrollet për punëtorët e padeklaruar

    Fillojnë kontrollet për punëtorët e padeklaruar

    Zëvendësministrat Avni Zogiani dhe Agon Dobruna, drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj dhe kryeinspektori i Inspektoratit të Punës Hekuran Nikçi, kanë vëzhguar nga afër ekipet inspektuese të ATK-së dhe IP-së teksa ato kanë bërë inspektime nëpër biznese përkatësisht në sektorët e ndërtimtarisë dhe gastronomisë në komunën e Prishtinës për të identifikuar bizneset që mbajnë punëtorë të padeklaruar.

    Në njoftim thuhet se në këto vizita të realizuara, bizneset dhe punëtorët u informuan rreth rëndësisë së deklarimit të punëtorëve dhe fillimit të kampanjës së gjithëmbarshme e cila ka për synim rritjen e zbatimit të ligjeve në fuqi përmes identifikimit dhe gjobitjes së punëdhënësve që shkelin ligjin dhe të drejtat e punëtorëve duke mos i deklaruar dhe duke mos ua paguar kontributet.

    “Ftojmë të gjithë punëtorët që ti bashkohen kampanjës në fjalë, duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat të cilët janë në dispozicion nga MFPT”, thuhet në komunikatë.

  • ​Dita e dytë, Rama mirëpret pjesëmarrësit e Samitit të Tiranës

    ​Dita e dytë, Rama mirëpret pjesëmarrësit e Samitit të Tiranës

    Liderët rajonal dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë filluar të mbërrijnë në Samitin Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili po mbahet në Tiranë të Shqipërisë.

    Nikoqiri i samitit, kryeministri Edi Rama po mirëpret të gjithë liderët, ku të pranishëm u panë, kryeministri në detyrë i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhafer, përfaqësuesja nga Bosnja Hercegovina, Borjana Kristo, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por deri më tani mungoi kryeministri Albin Kurti.

    KosovaPress konfirmon se Kurti do t’i adresohet të pranishmëve përmes një video-lidhje.

  • ​Ismaili: BQK-ja është duke ndërmarrë veprime për të plotësuar kriteret për anëtarësim në SEPA

    ​Ismaili: BQK-ja është duke ndërmarrë veprime për të plotësuar kriteret për anëtarësim në SEPA

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili mori pjesë në Ministerialin në kuadër të Procesit të Berlinit “BP6 drejt Zonës së Vetme të Pagesave të Bashkimit Evropian (SEPA)”, i cili në Tiranë mblodhi Ministrat dhe Guvernatorët e bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor.

    Në njoftim thuhet se guvernatori Ismaili gjatë këtij takimi të nivelit të lartë, ku ishin prezent përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe akterë të tjerë të institucioneve financiare ndërkombëtare, prezantoi aktivitetet e ndërmarra nga BQK-ja dhe ato në proces që mundësojnë anëtarësimin Republikës së Kosovës në skemën SEPA, duke nënvizuar përfitimet ekonomike dhe financiare.

    Sipas Guvernatorit Ismaili, BQK-ja është duke ndërmarrë veprime drejt avancimit dhe përafrimit të legjislacionit dhe infrastrukturës, për të plotësuar kriteret për anëtarësim në SEPA, në pajtim me objektivat e Planin Strategjik 2024-2028.

    “I pari i BQK-së nënvizoi se zhvillimi i sistemit kombëtar të pagesave të shpejta “instant” dhe me objektivin final lidhjen me sistemin TIPS, do të kanë ndikim të rëndësishëm në ekonominë, veçanërisht për lëvizjen e lirë të kapitalit me partnerin më të madh të Kosovës, Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë.

    Në kuadër të këtij takimi ndërkombëtar, vendet e Ballkanit Perëndimor u zotuan të ndërmarrin hapa konkret drejtë plotësimit të kritereve për anëtarësim në SEPA, i cili do të lehtësonte tregtinë në të gjithë rajonin dhe me BE-në, duke mbështetur lëvizjen e kapitalit, aktivitetin ekonomik dhe një sistem inovativ, të sigurt dhe efikas të pagesave.

  • ​Bullizmi, fenomen në rritje te fëmijët

    ​Bullizmi, fenomen në rritje te fëmijët

    Bullizmi në shkolla dhe rrjete sociale, është një dukuri shqetësuese e cila po shfaqet te fëmijët. Kështu vlerësojnë njohës të arsimit, të cilët u bëjnë thirrje institucioneve dhe prindërve të kujdesen më shumë për sjelljen e fëmijëve, derisa thonë se në të kundërtën ky fenomen do të rritet.

    Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja vlerëson se mungon reagimi institucional për të ulur apo eliminuar këtë dukuri negative që po shkaktohet te fëmijët.

    Qehaja për KosovaPress, konsideron se për të mposhtur këtë fenomen, nevojitet një edukim më i madh i fëmijëve nga prindërit. Ai kërkon edhe nga institucionet përgjegjëse të veprojnë në këtë drejtim, qoftë me ndërgjegjësimin përmes fushatave apo ligjëratave të ndryshme në shkolla.

    “Padyshim që bullizmi prezanton rrahje të dhunës jo fizike që vazhdon të jetë prezent në shkolla tona, mirëpo shpeshherë është i paidentifikuar dhe për të cilin mungon reagimi institucional. Pra, atë që e kemi me rëndësi është një vetëdijesim i komunitetit, shkollave të vendit tonë, vetëdijesimi i nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve se çka është më së pari bullizmi dhe pastaj reagimi të jetë në proporcion…:02:27 Bullizmi, ngacmimi dhe çfarëdo tjetër që janë prezentë në rrjete sociale, për këtë padyshim që nevojitet përsëri një vetëdije më e lartë për raportim të tyre. Kjo është e ndjeshme dhe kërkon një përfshirje më të gjerë, por kjo mund të vijë vetëm kur nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit i raportojnë në mënyrë të menjëhershëm këto raste dhe reagimi është i menjëhershëm. Një vetëdije e lartë, mirëpo edhe një qasje shumë më pro-aktive karshi këtyre rasteve, qoftë në ndëshkim, rimodelim të sjelljeve të bullizuesve, në mënyrë që shkollat tona me të vërtetë të ofrojnë mirëqenie për çdo nxënës,” thotë Qehaja.

    Se kjo dukuri është në rritje dhe po ndikon keq të fëmijët e thotë edhe sekretari i Këshillit të Prindërve, Enver Balaj.

    Balaj për KosovaPress, thotë se Ministria e Arsimit, duhet të ndërmarrë hapa që të ndalohet kjo dukuri.

    “Kam informacione dhe është një gjë shumë e vërtetë se në vendet e tranzicionit është fenomen dhe dukuri në rritje bullizmi, por nuk është vetëm në shkollat tona, është nëpër gjithë shkollat e botës, njëfarë forme shfaqet bullizmi, por në forma të ndryshme. Zakonisht më shumë shfaqet nëpër vendet e varfra të cilat e kanë standardin më të ulët ekonomik, ka bullizëm më shumë. Por, ne si prind dhe shoqëri, e Ministri e Arsimit duhet ndërmarrë shumë masa që të rregullohet ky problem, të vetëdijesohen qytetarët dhe fëmijët tanë, që mos t’i nënçmojnë dhe bullizojnë fëmijët nëpër shkolla, por duhet me qenë të gjithë të vetëdijesuar, të kuptojnë edhe botën e shtresës së pasur, të mesme dhe asaj të varfër, dhe botën e nxënëseve më të mirë e më të dobët. Do të duhej të punohet shumë më shumë me fëmijët tanë dhe shkollat tona për ta rritur cilësinë në arsim dhe të zhduket ky fenomen që është tepër në rritje. Është shumë shqetësues në Kosovë”, thotë Balaj.

    Po ashtu, psikologu Rron Kastrati shprehet se duke qenë i bullizuar apo duke bullizuar, mund ta keq funksionojnë situatën shoqërore, arsimore.

    Sipas tij, zakonisht fëmijët e bullizuar mund të krijojnë komplekse nga më të ndryshmet, të cilat mund të shkaktojnë nivele të larta të çrregullimeve të personalitetit, ndjenja të pasigurisë, reagime agresive, sjellje të papërshtatshme ose ankthe dhe keqinterpretim në mësim.

    Sipas Kastratit, mënyrat më relevante që mund ta përmirësojnë gjendjen e përgjithshme në shkolla, janë bashkëpunimi i prindërve me psikologët, pedagogun e shkollës, menaxhmentin dhe mësimdhënësit.

    “Bullizmi në shkolla veçanërisht prej rrjeteve sociale, ndikon në keq formimin dhe keq zhvillimin e personalitetit …00:39 Duke qenë i bullizuar apo duke bullizuar, mund ta keq funksionojmë situatën shoqërore, arsimore dhe njëkohësisht fëmijët zakonisht të bullizuar mund të krijojnë komplekse nga më të ndryshmet, të cilat mund të shkaktojnë nivele të larta të çrregullimeve të personalitetit, ndjenja të pasigurisë, reagime agresive, sjellje të papërshtatshme ose ankthe, dhe bullizmi në shkolla mund të ndikojë negativisht në performancën arsimore të mësim-nxënies…02:35 Mënyrat më relevante që mund ta përmirësojnë gjendjen e përgjithshme në shkolla, janë bashkëpunimi i prindërve me psikologët, pedagogun e shkollës, menaxhmentin e shkollës dhe mësuesen…06:21 Ne psikologët jemi të fokusuar për t’i identifikuar shkaktarët dhe të gjitha pasojat që ky bullizëm është tashmë i shprehur online në botën ku fëmijët kanë një kontakt të drejtpërdrejt e të tepruar nga mbi përdorimi i telefonave të mençur dhe rrjeteve sociale,” shprehet ai.

    Lidhur me këtë çështje, KosovaPress ka pyetur edhe Ministrinë e Arsimit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

  • ​Dhunoi një vajzë shqiptare, caktohet seanca vendimtare për Robinhon

    ​Dhunoi një vajzë shqiptare, caktohet seanca vendimtare për Robinhon

    Gjykata e Lartë Federale (Stj) e Brazilit, niveli më i lartë i drejtësisë në shtetin e Amerikës së Jugut, ka caktuar seancën për 20 mars në të cilën do të vendoset nëse ish-futbollisti i kombëtares braziliane dhe Milanit, Robson de Sousa i njohur si Robinho, do të vuajë dënimin me nëntë vjet për përdhunim të vendosur nga gjykata e Milanos në vendin e tij.

    Pas rrëzimit të disa ankesave të paraqitura nga mbrojtja e sportistit, pritet përfundimi i procedimeve në vazhdim nga viti 2023 për miratimin e dënimit, përcjellë KosovaPress.

    Robinho, në disa biseda telefonike, dëgjohet duke thënë së bashku me një grup shokësh dhunoi një vajze shqiptare.

  • Për herë të parë që nga viti 2021, Bitcoin tejkalon 60.000 dollarë

    Për herë të parë që nga viti 2021, Bitcoin tejkalon 60.000 dollarë

    Vlera e Bitcoin ka tejkaluar 60.000 dollarë për herë të parë që nga nëntori 2021, pas muajve të rritjes që i atribuohen kryesisht miratimit të 11 fondeve për të investuar në kriptomonedhë, raporton Index.hr.

    Është realizimi i një qëllimi të kahershëm të shumë njerëzve në industrinë e kriptove dhe një nxitje e fortë për rritjen e çmimit të bitcoin-it dhe kriptomonedhave të tjera.

    Bitcoin ishte më i vlefshëm në vitin 2021, kur çmimi i tij ishte 68,789 dollarë, transmeton Paparaci.

    Exchange Traded Fund (ETF) janë fonde të destinuara për investitorët e vegjël dhe puna e tyre është të mbledhin investime të vogla nga një numër i madh investitorësh, me të cilët ata marrin pjesë në fond, dhe fondet e mbledhura investohen më tej nga fondi, zakonisht në aksione.

    Ato tregtohen në bursë, gjë që është një avantazh në krahasim me fondet e tjera dhe ngarkojnë tarifa shumë më të ulëta në krahasim me format e tjera të investimit. Ato janë të rregulluara me ligj dhe konsiderohen si një formë relativisht e sigurt investimi.

    Çmimi i Bitcoin-it ka tejkaluar 60.000 dollarë për herë të parë që nga 18 nëntori 2021. Kriptovaluta kryesore në botë është rritur me pothuajse 16 për qind në tre ditët e fundit.

  • Liderët ballkanikë mblidhen në Tiranë për planin e rritjes ekonomike

    Liderët ballkanikë mblidhen në Tiranë për planin e rritjes ekonomike

    Në Tiranë të Shqipërisë, udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, marrin pjesë në samitin rajonal mbi planin e rritjes ekonomike të Bashkimit Evropian për rajonin.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha përmes një postimi në Facebook se ky plan do të mundësojë një “mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit tonë”. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “për shkak të angazhimeve të mëparshme”, nuk do të jetë i pranishëm fizikisht në samitin e 29 shkurtit, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

    “Megjithatë, Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, tha Kryeziu.

    Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

    Një samit i ngjashëm për këtë plan u mbajt më 22 janar në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

    Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?

    Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.

    Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”.

    Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.

    Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.

    Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.

    Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.

    Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

    Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.

    Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”. /rel

  • Kurti merr pjesë vetëm virtualisht në Samitin e Tiranës

    Kurti merr pjesë vetëm virtualisht në Samitin e Tiranës

    Në Samitin rajonal mbi Planin e Rritjes në Tiranë nuk do të merr pjesë fizikisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes një video-adresimi. Kështu ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

    Ai ka treguar arsyet përse Kurti nuk do të jetë pjesë e këtij samiti fizikisht.

    “Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri I Kosovës, Albin Kurti nuk do të jetë I pranishëm fizikisht në Samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes përmes një video-adresimi”, thuhet në përgjigjen me shkrim për KosovaPress të zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

    Të enjten në Tiranë mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar dhe do të ofrojë mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

    Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

  • Lekaj për rastin 53 milionësh: Pikë faji nuk kam, ato para s’i kam marrë për vete

    Lekaj për rastin 53 milionësh: Pikë faji nuk kam, ato para s’i kam marrë për vete

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, beson në pafajësi në rastin 53 milionësh. Ai për Ekonomia Online, tha se nuk do të vajtojë këtë rast.

    Deputeti i AAK-së, konsideron se nuk është vendimmarrës por ish-Qeveria Haradinaj, teksa shprehet optimist se Apeli do ta ndryshojë këtë vendim.

    “Më ka habit fakti deri sa u nxjerr atë vendim derisa unë nuk kam qenë vendimmarrës ka qenë qeveria Kosovës por unë nuk e kam ndërmend që tani të vajtoj është apeli do të thotë shkalla e dytë që do të vendos dhe një e di që ketë drejtim pikë faji nuk kam dhe nuk dua që ta luaj rolin e viktimës se nuk kam nevojë dhe mendoj që qytetarët fund do të binden që unë nuk kam marrë para dhe kjo më çudit fakti që ma kanë bërë gjykimin publik dhe sikur të ishte ajo sot unë nuk isha i lirë dhe nuk është dashtë të jesh i lirë, por dihet që për çka është aktakuza për çështje administrative apo për ata që unë kam tejkaluar kompetencat e mija por unë nuk kam marr vendim”, u shpreh Lekaj.

  • KFOR ka gjetur një person me lëndime në kokë në afërsi të Krushës së vogël

    KFOR ka gjetur një person me lëndime në kokë në afërsi të Krushës së vogël

    Gjatë aktiviteteve të rregullta në mbështetje të komuniteteve lokale, ekipet ndërlidhëse dhe monitoruese të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, ka gjetur një person me lëndim në kokë në afërsi të Krushës së vogël.

    Sipas njoftimit, njësia ka ofruar ndihmë të menjëhershme dhe e ka transportuar të lënduarin në qendrën shëndetësore më të afërt.

    Njoftimi i plotë:

    Sot, një nga ekipet ndërlidhëse dhe monitoruese të misionit #KFOR të udhëhequr nga #NATO, ka hasur në një person me lëndim në kokë në afërsi të Krushës së Vogël/Mala Krusha, gjatë një prej aktiviteteve të tij të rregullta në mbështetje të komuniteteve lokale. Njësia ka ofruar ndihmë të menjëhershme dhe e ka transportuar të lënduarin në qendrën shëndetësore më të afërt. Ata gjetën edhe familjen e tij dhe ia dorëzuan me sukses vëllait të tij.