ATV

Author: ATVLive

  • Mblidhet Grupi Koordinues, flitet për punët intensive për stadiumet e futbollit

    Mblidhet Grupi Koordinues, flitet për punët intensive për stadiumet e futbollit

    Në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, të mërkurën u mbajt një takim i rëndësishëm për të koordinuar planin 5-vjeçar të infrastrukturës së futbollit në Kosovë.

    Në fakt, Grupi Koordinues, i cili është krijuar nga MKRS, e që ka në përbërje profesionistë të fushës nga nivelet qendrore dhe lokale, si dhe përfaqësues të FFK-së dhe të nivelit profesional, ka mbajtur takimin e radhës, e ku ishin të pranishëm edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrulla Çeku dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

    Qëllimi kryesor i këtij takimi është fillimi i punës intensive në krijimin e standardeve për të gjitha stadiumet në Kosovë dhe nisja sa më e shpejtë e zbatimit të planit pesëvjeçar të infrastrukturës së futbollit, i cili është prezantuar nga ministri Çeku dhe presidenti Ademi edhe në takimet me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino dhe atë të UEFA-s, Aleksandër Çeferin në vitin e kaluar, e që ka marrë mbështetjen e tyre.

    Ministri Çeku u shpreh se plani 5-vjeçar përfshin Memorandumet e Bashkëpunimit të arritura me 16 komuna të Kosovës bashkë me FFK-në për përmirësimin e infrastrukturës së futbollit. Ai theksoi rëndësinë e koordinimit të projekteve të infrastrukturës me Grupin Koordinues, duke garantuar që të gjitha hapat do të jenë në përputhje me standardet e UEFA-s, por edhe në përputhje me nevojat dhe mundësitë reale.
    “Tani gjithçka rreth projekteve të përbashkëta të infrastrukturës që janë pjesë e planit 5-vjeçar do të bëhet në koordinim me këtë grup punues, i cili është i përbërë nga njerëzit më kompetent. Ky grup do të jetë edhe vendimmarrës, edhe strategjik edhe orientues, si për ministrinë ashtu edhe për federatën dhe për të gjithë të tjerët sa i përket projekteve të parapara. Tash e tutje gjithçka që ka të bëjë me infrastrukturën e futbollit pa u filtruar nga ky grup, ne, nuk do ta shtyjmë përpara. Kjo pasi përvoja jonë me disa komuna e klube nuk është më e mira, pasi shpesh ka kërkesa megalomane dhe në shpërputhje totale edhe me mundësitë por edhe me nevojat që i kemi. Por, ky grup do ta amortizojë këtë pjesë sepse këto diskutime dhe vendimarrje duhet të jenë profesionale. Pra, ky grup i bën analizat, i bën vlerësimet dhe na orienton edhe neve për të vepruar tutje. Nuk i kam hallet te kursimet, sepse buxheti gjithmonë gjendet disi, por të mos bëjmë investime të pamençura që më pas na kushtojnë më shumë në mirëmbajtje ose në efektivitet.

    Pra, qëllimi është që çdo cent i taksapaguesve që investohet në infrastrkuturën e futbollit të jetë investim i mençur”, ka theksuar Çeku. Ministri gjithashtu u angazhua për mobilizimin e të gjitha resurseve financiare për të krijuar një infrastrukturë sportive sa më të mirë, duke shprehur shpresën edhe për mbështetjen e komunave në këtë proces.
    E presidenti Ademi nga ana tjetër premtoi mbështetjen e plotë të Federatës së Futbollit të Kosovës për Grupin Koordinues dhe për të gjitha iniciativat për avancimin e futbollit në Kosovë.

    Ai e vlerësoi këtë takim si hap pozitiv drejt përmirësimit të infrastrukturës së futbollit në Kosovë dhe si një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm mes autoriteteve qendrore, lokale dhe sportive, teksa vuri në pah se selia e FFK-së do të jetë gjithmonë në dispozicion të këtij grupi punues.

    Grupi Koordinues përbëhet nga Florim Kryeziu, kryesues (MKRS) si dhe anëtarët: Drilon Kabashi (MKRS), Muhamet Koca (FFK), Florim Grajçevci (FFK), Gent Gërdovci (FFK), si dhe dy përfaqësues me rotacion nga kolegjiumi për Kulturë, Rini dhe Sport i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

  • Biden: Pasoja të rënda për Ukrainën, nëse Kongresi nuk e miraton ndihmën për Kievin

    Biden: Pasoja të rënda për Ukrainën, nëse Kongresi nuk e miraton ndihmën për Kievin

    Projektligji mbi ndihmat e huaja me vlerë 95 miliardë dollarë, i miratuar nga Senati këtë muaj, mbetet i bllokuar nga shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, duke rrezikuar ndihmën prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën.

    Udhëheqësit e Kongresit amerikan u takuan me Presidentin Biden të martën në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar ngërçin mbi ndihmën për Ukrainën, ndërsa ajo vazhdon luftën kundër agresionit rus.

    Ndërsa ukrainasit varrosin viktimat dhe shënojnë përvjetorin e dytë të fillimit të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë, Presidenti amerikan Joe Biden bëri një paralajmërim për ligjvënësit amerikanë.

    “Pasojat e mosveprimit janë të rënda për Ukrainën”, tha ai. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson thotë se nuk do ta hedhë për votim projektligjin mbi ndihmat e huaja prej 95 miliardë dollarësh, i cili përfshinë 14 miliardë dollarë për Izraelin, 60 miliardë dollarë për Ukrainën dhe 4.8 miliardë për partnerët në rajonin e Indo-Paqësorit, përfshirë Tajvanin, për të luftuar agresionin kinez, para se të merren masa për përmirësimin e situatës në kufirin SHBA-Meksikë.

    “Përparësia e parë e vendit është sigurimi i kufijve tanë. Besoj se Presidenti mund ta ndryshojë këtë menjëherë përmes urdhrave ekzekutivë”, tha ai, shkruan VOA, transmeton KosovaPress.

    Një marrëveshje dypartiake për ndryshimin e ligjeve amerikane të imigracionit në këmbim të miratimit të ndihmës për Ukrainën dështoi pas negociatave disa mujore për shkak të kundërshtimeve nga ligjvënësit republikanë. Kryetari i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer tha se ai i ka bërë thirrje Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson që të marrë një vendim të drejtë për këtë çështje.

    “Pavarësisht pasojave të tanishme politike, do të pendoheni nëse nuk merrni një vendim të drejtë për këtë”, tha ai. Por shumë ligjvënës republikanë nuk mendojnë se një raund i ri ndihmash për Ukrainën do të ketë një ndikim të madh në luftën e saj me Rusinë.

    “Realiteti me të cilin po përballemi është se Vladimir Putini nuk ka për ta humbur luftën”, tha senatori republikan Ron Johnson. Demokratët kanë opsionin e përdorimit të një manovre procedurale për të anashkaluar republikanët, për ta hedhur në votë projektligjin për ndihmat e huaja. Ligjvënësi demokrat Jamie Raskin tha për Zërin e Amerikës se ka mbështetje të mjaftueshme për këtë manovër procedurale.

    “Një peticion për të hedhur në votim projektligjin për ndihmat e huaja do të merrte firmat e shumicës së anëtarëve të Kongresit. Peticioni do të kërkonte që projektligji të dilte nga komisionet dhe të hidhej për votim nga ligjvënësit”, tha ai. Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të mërkuren kthehen nga pushimi, por ata duhet menjëherë të përqendrohen në përpjekjet për miratimin e buxhetit të qeverisë amerikane para afateve të 1 dhe 8 marsit./ VOA

  • ASK është gati për procesin e regjistrimit të popullsisë, fillon më 5 prill

    ASK është gati për procesin e regjistrimit të popullsisë, fillon më 5 prill

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Agjencia e Statistikave e Kosovës është e bindur se regjistrimi i popullsisë nuk do të dështojë kësaj radhe. Pas disa përpjekjeve, procesi i regjistrimit do të fillojë më 5 prill, pasi siç njoftuan nga agjencia, tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet.

    “Janë përgatitur të gjitha instalimet e nevojshme aplikacioni për regjistrim. Të gjitha pajisjet janë bërë gati dhe jemi të gatshëm me fillu me procesin e regjistrimin, pra nuk do të ketë shtyrje”, tha Ylli Shala, menaxher i projektit.

    Për ta përmbyllur këtë proces, do të angazhohen gjithsej 3400 punonjës, prej tyre 2500, si regjistrues dhe 900 të tjerë si mbikëqyrës.

    “Janë disa persona, por ata ne i kemi kontaktuar dhe u kemi thënë se nëse nuk përzgjidheni të punoni si mbikëqyrës, a pranoni të punoni si regjistrues, disa prej tyre kanë pranuar e disa të tjerë jo”, tha Shala.

    Pa treguar për shumën që do të paguhen, menaxheri i projektit thotë se punëtorët e përzgjedhur do të angazhohen me kontratë 2-mujore. Një proces i tillë konsiderohet i domosdoshëm, meqë krijon pabarazi në ndarjet buxhetore për komunat, e rrjedhimisht lë edhe pasoja të tjera.

    “Kjo krijon probleme infrastrukturore, po ashtu edhe planifikimet në investime kapitale, në shërbime komunale. Megjithatë, jo vetëm pjesa infrastrukturore, por edhe buxhetimi i pagave për mësimdhënës bëhet në bazë të numrit të nxënësve që janë në atë komunë”, tha Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë.

    Agjencia nuk tregoi se sa do të kushtojë i gjithë procesi, megjithatë si ndihmë për të, qeveria të martën ndau 120 mijë euro. Procesi i regjistrimit do të përmbyllet më 17 maj.

  • Përtej lehtësimit në dialog, BE-ja mendon për rol “detyrues” për zbatim të marrëveshjes

    Përtej lehtësimit në dialog, BE-ja mendon për rol “detyrues” për zbatim të marrëveshjes

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Moszbatimi i marrëveshjeve, krizat e shpeshta në terren dhe ulja e nivelit të përfaqësimit kanë bërë që Bashkimi Evropian të mendojë për një rol shtesë në dialogun Kosovë-Serbi, përtej lehtësimit të procesit.

    Burimet i konfirmuan ATV-së se BE-ja po e konsideron të kalojë në një rol detyrues, referuar ndërlidhjes së zbatimit me përparimin në procesin e integrimit evropian.

    Pasi konstatoi se dialogu ka degraduar, ish-ambasadori në Bruksel, Bernard Nikaj, tha se BE-ja e ka tejkaluar rolin e lehtësuesit me propozimin, në formën “merre ose lëre”, të marrëveshjes bazë, si dhe hartimin e draft-statutit të asociacionit.

    “Këto veprime tregojnë që BE-ja e ka marrë një hap para, prej rolit tradicional të facilitatorit, të cilin e ka mbajtur në vitet e hershme të dialogut. Moszbatimi i kësaj marrëveshjeje dhe degradimi i raporteve mes palëve edhe në terren, por edhe situata në terren në Kosovë dhe çështjet që ngrihen gjithë kohën, me doemos e shtyjnë BE-në që ta rimendojë strategjinë e udhëheqjes së dialogut”, tha Nikaj.

    Krahas konstatimit se ka kohë që BE-së i është sosur durimi nga temat që prodhuan kriza, Fitim Mulolli nga Polcon, në kontekst të rolit shtesë përmendi kushtëzimet dhe ashpërsimin e ndëshkimeve.

    “Ka nis një iniciativë të futet në kapitullin 35, që do të bëhet obliguese për zbatim si pjesë e procesit të anëtarësimit. pra, nëse kjo nuk zbatohet, ngec edhe procesi i anëtarësimit në BE. Çka do të thotë kjo? Politikisht do të thotë nuk ka progres, ekonomikisht nuk japin fonde, nuk ka mbështetje e kështu me radhë. Çka mund të bëjë BE-ja tjetër, janë masat më ekstreme, mos me marrë më masa por me vendosë sanksione”, tha Mulolli.

    Teksa tha se BE-ja, me ndihmën e SHBA-së, ka mundësinë e fundit që para zgjedhjeve të adoptojë një strategji të re, Nikaj përmendi mungesën e konsensusit në union.

    “Sepse ka shtete në kuadër të BE-së të cilët janë duke e penguar edhe përfshirjen e obligimeve të dialogun në kapitullin 35, posaçërisht për Serbinë. Prandaj, pyetja a duhet të rimendohet dialogu e ka një përgjigje të thjeshtë: po. Sepse, ky dialog kështu është klinikisht i vdekur, dhe nëse nuk rimendohet rrezikon të acarojë situatën mes Kosovës dhe Serbisë, dhe potencialisht të çojë edhe deri në një konflikt”, tha Nikaj.

    Përkundër ftesës në adresë dhe nivel politik në takimin e fundit në Bruksel, Kosova u përfaqësua në nivel krejt teknik, me guvernatorin e BQK-së.
    Krahas ritheksimit së shqetësimeve lidhur me situatën me dinarin, SHBA-ja përsëriti thirrjen për zgjidhje përmes dialogut.

  • Kundërshtohet rregullorja për klasifikimin e vendeve të punës në shërbimin civil

    Kundërshtohet rregullorja për klasifikimin e vendeve të punës në shërbimin civil

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Përjashtimi i specialistëve nga shtesat, është vetëm njëri prej neneve me të cilin shërbyesit civil nuk po pajtohen në projekt-rregulloren për klasifikimin e vendeve të punës në këtë sektor.

    Rregullorja e cila u miratua nga Qeveria, përjashton specialistët e shkencave shoqërore si dhe inxhinierët, gjeologët e gjeografët. Ndërkaq, sipas kryetarit të sindikatës së shërbyesve civilë, Ali Sefaj, në disa sektorë më shumë i është kushtuar rëndësi kualifikimit sesa përvojës.

    Sefaj thotë se kërkesat e tyre nuk u morën për bazë.

    Përpos kësaj, Qeveria miratoi edhe tri projekt-rregullore, atë për themelimin e marrëdhënies së punës me kontratë për periudhë të caktuar, rregulloren për orarin e punës, pushimet dhe vijueshmërinë e zyrtarëve publikë dhe rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për procedurën e pranimit në shërbimin civil.

    Këto rregullore nuk janë bërë ende publike.

  • I arrestuari në serbi, Hasan Dakaj, në gjendje të rëndë shëndetësore

    I arrestuari në serbi, Hasan Dakaj, në gjendje të rëndë shëndetësore

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në javën e gjashtë të qëndrimit në një burg të Serbisë, Hasan Dakaj, pranoi vizitën e parë nga familja. Gruaja, djali 13 vjeç e vëllai i tij, në një takimin fare të shkurtër, vërejtën se ish-ushtari i UÇK-së ka humbur dhjetëra kilogramë.

    “Gjendjen e kishte të rëndë. Është në vetmi tërë kohën. Duke e mbajtë shpirtin veç me bukë e ujë, i kish humbë 30 kilogramë…”, tha Gëzim Dakaj, vëlla i Hasan Dakajt.

    Megjithëse, kishin vërejtur lëndime në pjesë të dukshme të trupit, familjarët nuk kishin marrë konfirmim nga Dakaj, për shkak të mbikëqyrjes nga gardianët.

    “Ia kanë vërejtë një lëndim në ballë, ama ai s’ka folë najsen se i ka pasë gardianët afër…”, tha Dakaj.

    Përveç familjarëve, 45-vjeçarin e kishte takuar javë më parë edhe Jetish Jashari, shef i zyrës ndërlidhëse së Kosovës në Beograd. Megjithatë, njohës të çështjeve juridike dhe familjarët vlerësojnë se duhet të bëhet më shumë se kaq.

    “Institucionet duhet të përpiqen përmes aleatëve ndërkombëtarë…”, tha Ardian Bajraktari, avokat.

    “Vëllai bëri kërkesë që të bëhet gjithçka për ta liruar…”, tha Gëzim Dakaj.

    Hasan Dakaj u arrestua në pikën kufitare në Merdar, në udhëtimin e parë pa viza më 5 janar.

  • Protestë kundër kthimit në rigjykim të lëndës për vrasjen e Marigona Osmanit

    Protestë kundër kthimit në rigjykim të lëndës për vrasjen e Marigona Osmanit

    Përgatiti: Sara Shehu

    Me pankarta, “Poshtë gjykatat patriarkale”, “Femicidin ta ndëshkojmë, jo ta rigjykojmë”, “Siguri dhe drejtësi për gratë”, është protestuar të mërkurën.

    Organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, para Pallatit të Drejtësisë, mblodhi dhjetëra gra të cilat kundërshtuan vendimin e Gjykatës së Apelit për ta kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

    Njëra prej organizatoreve të protestës, Bjeshkë Guri, tha se ky vendim po e revolton gjininë femërore.

    “Jemi mbledhur sot këtu, pranë Gjykatës së Apelit për t’i kundërshtuar edhe njëherë praktikat e sistemit të drejtësisë në Kosovë, i cili shtet duke na vërtetur çdo herë e më shume se nuk funksionon për gratë, duke ua pamundësuar atyre çfarëdo lloj drejtësie. Vendimi i Gjykatës se Apelit që ta dërgojë në rigjykim lëndën e vrasjes së Marigona Osmanit na revolton tejmase, meqë përtej këtij rasti reflekton një praktikë të shpeshtë në rastet e dhunës ndaj grave dhe femicidit, e cila e kthen rastin në pikën zero, duke krijuar pasiguri për gratë në Kosovë dhe rrezikuar që Marigonës t’i bëhet padrejtësi edhe për së vdekuri”, tha Bjeshkë Guri nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

    Sipas saj, shqetësues mbetet fakti se Gjykata e Apelit nuk e adresoi qasjen problematike të Gjykatës Themelore lidhur me trajtimin dhe vlerësimin e dhunimit si vepër penale.

    “Përfshirja e motivit të vrasjes, e cila po ashtu është problematike në vetvete nuk e përjashton se vrasja është kryer në mënyrë mizore. Një sugjerim i tillë e rivendos theksin te motivet e vrasjes dhe jo akti për çka për ne është e papranueshme. Është shqetësuese se si Gjykata e Apelit asnjëherë nuk e adreson qasjen problematike të Gjykatës Themelore në trajtimin dhe vlerësimin e dhunimit si vepër penale. Dhunimi seksual është detyrimi në kryerjen e aktit seksual pa dhënien e pëlqimit. Mirëpo, Gjykata Themelore nuk e ka të qartë se çka do të thotë kjo dhe gabimisht nxjerr konkluzione, duke u mbështetur vetëm në provat e lëndimit fizik gjenital. Prezenca e lëndimeve fizike nuk është vendimtare për përcaktimin e dhunimit”, tha Guri.

    Më 23 shkurt, Gjykata e Apelit vendosi ta kthejë në rigjykim rastin e vrasjes së 18 vjeçares. Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt për vrasjen e Marigona Osmanit me burgim të përjetshëm, respektivisht 15 vjet burgim.

  • Sipas UNDP-së, varfëria është problemi kryesor me 28,6%, pasuar me papunësinë me 19,2%

    Sipas UNDP-së, varfëria është problemi kryesor me 28,6%, pasuar me papunësinë me 19,2%

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Varfëria dhe papunësia vazhdojnë të jenë ndër problemet më të mëdha që shqetësojnë kosovarët, sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë.

    Madje, sipas raportit më të ri të Pulsit Publik, varfëria tani është problemi kryesor, meqë deri në prillin e vitit të kaluar ishte papunësia.

    “Siç po e shihni në grafikë, varfëria është si problemi kryesor me 28,6%, pasuar me papunësinë me 19,2%. Çka mund të theksoj këtu është përqindja e të anketuarve që e kanë parë varfërinë si problemin kryesor, është ngritur me 7,5% në krahasim me prillin e vitit 2023, ku varfëria ka qenë problemi i dytë kryesor në Kosovë”, tha Alisa Hasani, menaxhere e projektit në UNDP.

    Këto gjetje janë shqetësuese për Nuno Queiros, përfaqësuesin e përhershëm të UNDP-së për Kosovë.

    “Nëse jeni të brengosur për varfërinë e mbi të edhe për papunësinë, atëherë keni një problem që do të ketë ndikim negativ të dyfishtë për të ardhmen”, tha Queiros.

    Teksa përqindjet i konsideroi të larta, ish-kryetari i Odës Ekonomike, fajësoi Qeverinë për, siç tha, politikat sociale të gabuara.

    “Nuk kemi pa strategji për të parandaluar efektin negativ të inflacionit. Pika tjetër ka bëjë me varfërinë që dita-ditës po shtohet dhe krejt kjo dëshmon se politikat qeveritare që me ndihma sociale të ndalohet varfëria, janë të gabuara”, tha ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

    Megjithatë, të dhënat e anketës të nëntorit të vitit 2023 tregojnë se mesatarisht 42% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore.

    “Unë besoj që zhgënjimi i qytetarëve në të kaluarën ka qenë shumë i madh që kjo që bëhet sot nga ana e Qeverisë aktuale, u duket mirë. Mirëpo e tërë kjo e dëshmon një verbëri dhe një fanatizëm politik që vërtet duhet të na shqetësojë”, tha Gërxhaliu.

    Mes tjerash, thuhet se është vërejtur ndryshim sa i përket perceptimit të korrupsionit në shkallë të gjerë, te Policia e Kosovës, nga 7,3% në 17,9%.

    Institucioni më i korruptuar është perceptuar të jetë Dogana, me 39% të të anketuarve që besojnë se ka prani të korrupsionit në shkallë të gjerë.
    Këto gjetje janë përpiluar pas anketimit të 1.306 respondentëve, mbi moshën 18-vjeçare, në periudhën 8-27 nëntor të vitit 2023.

  • Zotimet e Alban Hysenit të dhëna në vitin e fundit të mandatit, kushtojnë mbi 60 milionë euro

    Zotimet e Alban Hysenit të dhëna në vitin e fundit të mandatit, kushtojnë mbi 60 milionë euro

    Përgatiti: Armand Hoti

    Zotimet e dhëna në vitin e fundit të mandatit, kushtojnë mbi 60 milionë euro.

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se në mars potencialisht do të fillojnë punimet për ndërtimin e stadiumit të Gjilanit që financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me vlerë prej 15 milionë eurosh.

    “Në rastin ideal, më të mirë, dhe më të arsyeshëm ligjërisht, muaji mars do të nënkuptonte lidhjen e kontratës dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e stadiumit të qytetit. Mbetet të shihet nëse prapë ndonjë operator do të bëjë ankesë dhe do ta vonojë procesin”, tha Hyseni.

    Në listën e top-projekteve të Komunës, është edhe bulevardi i qytetit. Në kuadër të këtij projekti, parashihet edhe ndërtimi i parkingut nëntokësor.

    Në total, sipas kryetarit, finalizimi i këtij projekti, do të ketë kosto prej rreth 20 milionë eurosh dhe do të financohet përmes një memorandumi bashkëpunimi.

    “Ndërkohë, parkingu nëntokësor ka një të element të veçantë, që në rast të shfrytëzimit të tij prej rreth 40% të kapacitetit të plotë gjatë gjithë vitit, me pagesë për një orë, gjeneron rreth 2,1 milion euro në vit”, tha Hyseni.

    Projekti i fundit që kryetari prezantoi, por jo edhe më i liri për nga kostoja është qarkorja e re e qytetit, që ka kosto prej rreth 27 milionë eurosh.

    Ndërkaq, të dhënat e thesarit për periudhën janar-shtator të vitit të kaluar, tregojnë se komuna ka realizuar vetëm 35% të projekteve.

    Deri në fund të vitit 2023, komuna ka shpenzuar mbi 75% të buxhetit.

    Buxheti i Komunës së Gjilanit për vitin aktual është mbi 37 milionë euro.

  • Çfarë është Glokalizimi – sfidat dhe përfitimet

    Çfarë është Glokalizimi – sfidat dhe përfitimet

    Nga Adrian Civici

    Glokalizimi është një kombinim i fjalëve “globalizim” dhe “lokalizimi”. Termi përdoret për të përshkruar një produkt ose shërbim që zhvillohet dhe shpërndahet globalisht, por që është përshtatur për të akomoduar përdoruesin ose konsumatorin në një treg lokal. Glokalizimi është përshtatja e produkteve globale dhe ndërkombëtare në kontekstet lokale në të cilat ato përdoren dhe shiten. Ndërsa globalizimi është përhapja e produkteve, ideve dhe kapitalit përtej kufijve kombëtarë, një nga kritikat më të forta ndaj globalizimit është se ai mund të rezultojë në homogjenizimin e kulturave dhe konsumatorëve në mbarë botën. Pikërisht këtu shfaqet glokalizimi, i cili i kushton vëmendje praktikave, zakoneve dhe kulturës lokale për të pasur produkte që t’i përshtaten më mirë kulturës, dëshirave dhe nevojave rajonale. Në lidhje me një produkt ose shërbim të caktuar, glokalizimi nënkupton përshtatjen e produkteve dhe shërbimeve të tregtuara globalisht në tregjet lokale.

    Një produkt ose shërbim me natyrë e shtrirje globale, diçka që gjithkush ka nevojë ose e preferon me përparësi dhe mund e dëshiron ta përdorë, mund të përshtatet në përputhje me kulturën, ligjet, zakonet ose preferencat e konsumatorëve vendas. Produktet e “glokalizuara” janë me interes më të madh për përdoruesin përfundimtar, personin që përfundon duke përdorur produktin. Kjo ndodh sepse, ndërsa është diçka që të gjithë mund ta përdorin dhe e përdorin si produkt global, lokalizimi i tij e bën atë më specifik për një individ, kontekstin dhe nevojat e tij.

    Një shembull i zakonshëm i ofruar shpesh për të ilustruar glokalizimin është zinxhiri global i ushqimit të shpejtë që ofron artikuj gjeografikisht specifikë të menusë që plotësojnë shijet lokale. McDonald’s është një rrjet kryesor në mbarë botën për ushqimin e shpejtë, i cili ofrohet në më shumë se 120 vende. McDonald’s dallohet për aplikimin e një strategjie të mirë glokalizimi. Si një ndërmarrje globale, ajo ka zhvilluar strategji të ndryshme standarde dhe në këtë aspekt, përvoja lokale në kuadrin e glokalizimit është evidente. P.sh., : rasti indian – meqenëse indianët hindu nuk hanë mish viçi dhe myslimanët nuk hanë mish derri, McDonald’s e ndryshoi hamburgerin e Big Mac-it në versionin me pulë. Meqenëse shumë indianë janë vegjetarianë, u ofruan dhe disa zgjedhje të adhuruesve të perimeve, për shembull, McAloo Tikki ose Chili Paneer Pockets të cilat bëhen vetëm me djathë dhe perime; rasti gjerman – sigurimi i burgerëve gjermanë për hotdog dhe birrës gjermane që plotëson zakonet lokale të të ngrënit; rasti i Tajvanit – orizi është ushqimi kryesor tajvanez, kështu që McDonald’s zëvendëson bukën me oriz për të bërë burgerin Mcrice; rasti grek – pita është një lloj ushqimi i zakonshëm në jetën e përditshme greke, kështu që McDonald’s bëri Mac në stilin grek duke përdorur pita.

    Historia dhe aplikimet e konceptit “Glokalizim”

    Fillimisht, termi vjen nga koncepti japonez Dochakuka – teknika për kultivimin e tokës që përshtatet me kushtet lokale – më pas, në vitet 1980, u rishfaq në ndërtimin e modeleve të marketingut përpara se të prezantohej në vitet 1980-1990 në fjalorin enciklopedik britanik nga sociologu Roland Robertson, i Universitetit të Aberdeen, Skoci, që e përdori termin “glocalizim” për të karakterizuar efektin e teknologjive të informacionit në planifikimin e territorit. Ai e përkufizon atë që mund të jetë një fazë e re e evolucionit urban si: “procesi i dyfishtë me të cilin qyteti çlirohet nga funksioni i tij i prodhimit, shkëmbimit dhe përpunimit të informacionit duke e zhvendosur atë në hapësirën kibernetike, duke zhvilluar, rrjedhimisht, forma të reja të shoqërisë të cilësuara si organizatat hapësinore në nivel lokal”. Në një konferencë të vitit 1997 : “Globalizimi dhe kultura indigjene”, sociologu Roland Robertson deklaroi se glokalizimi “do të thotë njëkohshmëri e bashkëprezencë e tendencave universalizuese dhe lokale”… “si një proces që ndërthur shqetësimet lokale me forcat globale, ose si një përshtatje dhe interpretim lokal të forcave të globalizmit”. Koncepti glokalizim, që atëherë është përdorur në fushat e gjeografisë, sociologjisë, antropologjisë, muzikës, biznesit, marketingut, ekonomisë, etj.

    Sot, profesionistët e përdorin këtë term për të përshkruar dhe shpjeguar organizimin e komunitetit, edukimin dhe strategjinë e biznesit. “Glokalizimi” është një term që fjalë për fjalë nënkupton kombinimin e konsideratave globale dhe lokale. Paradoksi midis partikularizmit dhe universalizmit. Një mentalitet glokalizimi mund të shtyjë një kompani të “mendojë globalisht dhe të veprojë në nivel lokal” në mënyra që shkojnë përtej drejtësisë sociale ose ndikimit mjedisor. Glokalizimi frymëzon ndryshim në çdo fazë të ciklit jetësor të biznesit. Nga konceptimi i produktit te zhvillimi, zbatimi dhe vlerësimi, mentaliteti global na thërret të refuzojmë paradigmën standarde “një madhësi për të gjithë” të globalizimit.

    Glokalizimi versus Globalizimi

    Glokalizimi beson se themeli i shoqërisë në çdo epokë ka qenë dhe është bashkësia lokale, që nga ndërveprimi i individëve, të organizuar në grupe gjithnjë e më të mëdha, të pranishëm në një territor. Organizimi i këtyre grupeve sigurisht që përbën një grup “sistemesh” të cilat bëhen “nënsisteme” kur lidhen me organizata më komplekse. Për shembull, familja është një nënsistem i sistemit të lagjes, por lagjja është një nënsistem i sistemit të qytetit e kështu me radhë. Glokalizimi e fillon analizën e tij nga sistemet e thjeshta për të arritur tek ato më komplekset, ndërsa globalizimi duket se favorizon sistemet komplekse, shumë shpesh duke injoruar implikimet e nënsistemeve. Glokalizimi vendos në qendër të “filozofisë” së tij individin, personin njerëzor, trashëgiminë materiale dhe jomateriale lokale të personit dhe grupit të cilit i përkasin. “Ai nuk e injoron dialektikën që rrjedh nga takimi-përplasja e grupeve të ndryshme brenda logjikës sistem-nënsistem, por nuk e humb kurrë nga syri mikron në marrëdhënien e saj me makron”.

    Ai i jep rëndësi tregut të lirë, por beson se ai nuk mund të konsiderohet kurrë një “primum” pasi tregu është vetëm një nga funksionet e shumta të shoqërisë njerëzore. Glokalizimi i jep rëndësi komunikimit ndërmjet individëve dhe grupeve të përcaktuara në hapësirë ​​dhe kohë dhe sesi teknologjitë e reja kanë favorizuar një përshpejtim në proceset e transformimit. Glokalizimi e sheh të nevojshme t’i nënshtrohet një analize serioze përmbajtjes së komunikimit, e cila, e ndërmjetësuar nga teknologjitë e reja, mund të vuajë nga shtrembërime, sipërfaqësore, ose banalitete të formave të ndryshme.

    Një gabim i shpeshtë është “të besosh se glokalizimi e vë theksin mbi të gjitha në lokalen dhe globalizimin në atë globale. Glokalizimi nuk e injoron praninë e forcave globalizuese, të cilat vërtet shqyrtojnë gjenezën dhe implikimet e tyre, por janë të ngulitura fort në teorinë e përgjithshme të sistemeve dhe në ndërveprimin e ngushtë midis gjeopolitikës, gjeoekonomisë dhe gjeokulturës”.

    “Mendo global, vepro lokal”, sintezë midis të menduarit global, i cili merr parasysh dinamikën planetare të ndërlidhjes midis popujve, kulturave dhe tregjeve të tyre, dhe veprimit lokal, i cili merr parasysh veçoritë dhe veçoritë historike të zonës në të cilën ju duan të operojnë. I zhveshur nga kuptimet në lidhje me imperializmin kulturor dhe shfrytëzimin global nga disa shumëkombëshe, globalizimi tenton një përpjekje të arsyetuar për të ruajtur identitetet individuale brenda një sistemi kompleks, pa dëmtuar individualitetin dhe të drejtën për të ekzistuar të identiteteve të tjera brenda atij sistemi.

    Më saktësisht, në sektorin e shitjeve dhe marketingut, “glokalizim” nënkupton respektimin e produktit vendor dhe karakteristikave të tij kur kemi të bëjmë me tregun global, si dhe respektimin e nevojave lokale nga produkti global; në rastin e parë, globalizimi çon në mënyrë të pashmangshme në pikat e tregut të vendosura në tregun global, në të dytin në tregjet lokale që produktet globale nuk mund të arrinin pa përshtatje.

    Glokalizimi zakonisht lidhet me një model biznesi që synon besnikërinë e klientit. Produkti kuptohet në një kuptim të gjerë, duke përfshirë ndihmën pas shitjes dhe shërbimet e mirëmbajtjes: këto kontrata garantojnë një fitim të qëndrueshëm për prodhuesin dhe ndonjëherë përbëjnë pjesën më fitimprurëse. Reduktimi i distancave midis vendeve rezulton në mënyrë paradoksale në një forcimin e specifikave lokale. Një diversitet që luan në mënyra e afrimit me konsumatorët. Rezultati, “një produkt apo një fushatë e krijuar në Nju Jork nuk mund të ketë me ndikim të barabartë në Dubai”. Një fenomen i mirëkuptuar nga Nike, kampione për dekada të “Just do it” amerikane (pra domosdoshmërisht universale) dhe që modifikoi gradualisht marketingun e saj duke braktisur këtë slogan përfitojnë nga qasjet lokale. Interesi i madh i globalizimit është gama e pamasë e mundësive që tani janë të hapura për strukturat e vogla të cilat e gjejnë veten pothuajse në kushte të barabarta me ato të mëdhatë, dhe ndonjëherë me asete superiore si reaktiviteti, shpejtësia e vendimmarrjes, lehtësia e përshtatjes, aftësia. për të zbuluar mundësitë.