ATV

Author: ATVLive

  • ‘Trafiku Urban’ del me sqarim lidhur me rastin e gruas që vdiq pas alivanosjes në autobus

    ‘Trafiku Urban’ del me sqarim lidhur me rastin e gruas që vdiq pas alivanosjes në autobus

    Ndërmarrja publike lokale ‘Trafiku Urban’ ka dalë me një sqarim lidhur me rastin e një gruaje, që vdiq pas alivanosjes në një autobus urban në Prishtinë mesditën e së shtunë.

    Nga kjo ndërmarrje përmes një komunikate për media kanë bërë me dije se tashmë të ndjerës i është ofruar ndihma e parë dhe se janë njoftuar menjëherë ekipet emergjente.

    “Me datën 02.03.2024 në autobusin e linjës 3C, rreth orës 12:13, stafi i autobusit ka njoftuar se ka ndodhur një rast në autobus ku është alivanosur një qytetare. Në bazë të videoincizimeve të nxjerra nga kamerat e autobusit dhe raportit të punëtorëve që ishin në autobus, vërehet se qytetarja në fjalë ka hyrë në autobus së bashku me një qytetare tjetër nga dera e parë dhe është ulur në karrigen e parë në anën e djathtë të autobusit në krah me derën e hyrjes”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.

    “Pasi që është ulur, qytetarja alivanoset dhe konduktori reagon menjëherë, duke ofruar ndihmë dhe njoftuar shërbimin e ndihmës së shpejtë, të cilët kanë arritur për 4 minuta në vendngjarje”.

    “Vlen të theksohet se në kohën e ndodhjes së ngjarjes, autobusi ka qenë i ndalur në stacion, në të cilin kanë qenë prezentë rreth 17 qytetarë!”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

    Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka njoftuar se një grua ka vdekur mesditën e së shtunës pas alivanosjes në një autobus urban të Prishtinës.

    Në njoftim thuhet se mjeku në QKUK ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    “Prishtinë / 02.03.2024 – 12:26. Viktima femër kosovare është dërguar në QKUK pasi që, ishte alivanosur në një autobus urban dhe më pas mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftim.

    Trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

  • ShBA goditet nga stuhia masive, era arrin shpejtësinë deri në 305km/h

    ShBA goditet nga stuhia masive, era arrin shpejtësinë deri në 305km/h

    Një stuhi masive po godet disa pjesë të Kalifornisë dhe Nevadës në Shtetet e Bashkuara perëndimore.

    Stuhia e borës ka mbyllur rrugët kryesore, ka mbyllur vendpushimet e skive dhe ka lënë dhjetëra mijëra shtëpi pa energji elektrike, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Stuhia ishte veçanërisht e rëndë në rajonin malor të Sierra Nevada, ku era thuhet se arriti shpejtësinë 305 km/h (190 mph).

    Njerëzit janë paralajmëruar për një “rrezik të lartë deri në ekstrem orteku” atje, duke përfshirë zonën më të madhe të Liqenit Tahoe.

    Një hartë e ndërprerjeve të energjisë elektrike tregon më shumë se 33.000 njerëz në Nevada dhe gati 24.000 në Kaliforni pa energji elektrike.

    Zonat malore u goditën më keq nga stuhia.

    Deri në 3 metra borë pritej në lartësi më të larta, tha të shtunën një meteorolog i Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA-së, gje qe mund të krijojë “shqetësim kërcënues për jetën” për njerëzit që jetojnë pranë liqenit Tahoe.

    Parku Kombëtar Yosemite u mbyll të premten dhe vizitorëve iu kërkua të largoheshin deri në mesditë. Parku do të qëndrojë I mbyllur të paktën deri të dielën pasdite, dhe mundësisht edhe më gjatë në varësi të kushteve të motit.

    Ndersa disa pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të përjetojnë mot ekstrem. Zjarret po shpërthejnë në Teksas, ku zjarrfikësit po përpiqen të frenojnë flakët masive mes kushteve të vështira atmosferike.

  • Liberalizimi i vizave, ja sa nxënës dhe mësimdhënës u larguan nga vendi

    Liberalizimi i vizave, ja sa nxënës dhe mësimdhënës u larguan nga vendi

    Numri i nxnësve që kanë kërkuar dokumentet për të migruar jashtë vendit në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti shkollor dhe vetëm dy muaj pas liberalizimit të vizave, ka arritur në 267. Megjithatë, numri më i madh raportohet se është i mësimdhënsve.

    Janë afër 600 mësimdhënës të cilët janë larguar jashtë vendit, e ku ka nga ata që dalin edhe pa e lajmëruar largimin nga puna. Ndërsa, nxënsit po kërkojnë flet kalimet me arsyen për bashkimi familjar dhe shkollim në një shtet tjetër.

    Nga drejtuesit e Sindikatës së Arsimit dhe disa drejtor të shkollave, kjo gjendje nëpër shkolla po konsiderohet shqetësuese, madje ata theksojnë se nëse vazhdon ky fluks i largimit të nxënësve dhe mësimdhënësve, shkolla në vend do të mbesin të zbrazura.

    Vetëm në shkollën fillore “Mihal Grameno”, në Fushë-Kosovë, kanë kërkuar flet-lëshim 75 nxënës dhe një mësuese.

    Drejtori i kësaj shkolle, Ismet Gashi tha se këto fletë-lëshime për të lënë shkollën, nuk janë të fundit.

    Sipas tij, edhe një numër tjetër i nxënësve janë në pritje të dokumenteve për t’u larguar nga shkolla.

    Po ashtu, edhe drejtoresha e shkollës fillore “Gjergj Fishta”, Supije Zhitia ka treguar se numri i nxënësve ka rënë dhe se kanë pasur disa kërkesat për fletë-kalime me arsyetimet për bashkim familjarë jashtë vendit.

    Ndërkaq, se shkollat do të mbesin edhe pa mësimdhënës e thotë nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit, Vjollca Shala.

    Shala tha se liberalizimi i vizave është një rrugë e hapur për të ikur mësimdhënësit.

    E Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në një përgjigje me shkrim, kanë treguar se numri i nxënësve të cilat kanë kërkuar dokumentet e tyre për t’u larguar nga shkolla është 267.

    “Numri i nxënësve të larguar nga institucionet para universitare (publike dhe private) në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti shkollor ishte 267. Kurse, në vitin shkollor 2022/2023, ky numër ishte 388”, kanë shkruar MASHT-i./kp

  • Shkruhet historia: Hendbollistet U-18 të Kosovës kualifikohen në Kampionatin Botëror

    Shkruhet historia: Hendbollistet U-18 të Kosovës kualifikohen në Kampionatin Botëror

    Kombëtarja e Kosovës në hendboll U-18, konkurrenca e vajzave, kanë shkruar historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Botëror U-18.

    Vajzat u bënë kampione të garës “IHF Trophy Intercontinental”, të mbajtur në Tashkent të Uzbekistanit.

    Kosova mundi në finale Nigerinë, 22:16.

    Ndryshe, kjo është hera e dytë që një kombëtare e sporteve ekipore siguron pjesëmarrjen në Botëror, pas djemëve, Po ashtu të Hendbollit U-21.

  • Qeveria prezanton logon e shënimit të 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së

    Qeveria prezanton logon e shënimit të 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së

    Qeveria e Kosovës e ka prezantuar logon për shënimin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK’së.

    Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 në Prekaz të Skenderajt forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke vrarë 55 anëtarë të familjes Jashari.

    Këtij sulmi i kishte mbijetuar Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia kishte dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila e kishte përjetuar tmerrin.

  • Kurti merr pjesë në hapjen e fushatës së PES-it për zgjedhjet evropiane: Janë më të rëndësishmet që nga 1979-ta

    Kurti merr pjesë në hapjen e fushatës së PES-it për zgjedhjet evropiane: Janë më të rëndësishmet që nga 1979-ta

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në Romë ka marrë pjesë në hapjen e fushatës së Partisë Evropiane të Socialistëve dhe Demokratëve për zgjedhjet evropiane që do të bahen më 9 qershor në 27 vendet anëtare të BE-së.

    Kurti tha se hapja e fushatës u bë me fjalët “Roma na e përkujton se asnjë ëndërr nuk mund të rritet pa njerëz ambiciozë dhe asnjë ambicie nuk mund të mbijetojë pa guxim. Kjo është arsyeja pse ne kujdesemi për Bashkimin Evropian. Për ne Evropa do të thotë paqe, zhvillim dhe përparim”.

    “Kjo fushatë zgjedhore mbahet nën moton “Evropa që e duam: sociale, demokratike dhe e qëndrueshme”. Këto zgjedhje evropiane nuk janë të rëndësishme vetëm për socialdemokratët e Evropës”.

    “Nga rezultati i këtyre zgjedhjeve varet demokracia evropiane dhe vlerat tona të përbashkëta: drejtësia shoqërore dhe sundimi i ligjit, kushtet e dinjitetshme të punës dhe luftimi i varfërisë, të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore, beteja kundër regjimeve autoritare dhe mbrojtja e mjedisit, solidariteti dhe paqja panevropiane. Në thelb të këtyre vlerave të përbashkëta qëndron një premisë: respekti ndaj qytetarëve në mbarë Evropën”.

    Tutje, kreu i qeverisë citoi sërish presidentin e PES-it, Stefan Lofven, i cili kishte thënë se “këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që nga viti 1979”.

    “Për këtë detyrë madhore, për drejtimin e fushatës zgjedhore, para fjalimeve përmbyllëse nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe sekretarja e Partisë Demokratike Italiane, Elly Schlein, u miratua në mënyrë unanime manifesti i PES-it si dhe z. Nicolas Schmit si kandidati i përbashkët i PES-it”, shkroi Kurti.

  • Zbulohen 11 monedha ari të kohës së Aleksandrit të Madh

    Zbulohen 11 monedha ari të kohës së Aleksandrit të Madh

    Një zbulim i rëndësishëm është bërë së fundmi në pjesën e vjetër të qytetit të Chania, në kodrën Kastel në Kretë, shkruan focus.it.

    Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar një grumbull monedhash, 11 prej tyre ari.

    Ato ndoshta i përkisnin një mercenari në shërbim të një prej pasardhësve të Aleksandrit të Madh. Elementi më interesant ishte zbulimi i “Golden Staters”, monedha ari, secila me vlerë rreth një muaj pagese të një mercenary të atëhershëm.

    Përveç monedhave vendase u gjetën edhe disa të vendeve të tjera, duke filluar nga një monedhë nga Kirenia, 15 nga Olimpia dhe një monedhë e vogël vendase, por jo më pak e rëndësishme nga pikëpamja arkeologjike.

    Meqenëse monedhat ishin vendosur të gjitha së bashku, personi që i posedonte ishte pronari i një thesari të vogël, sipas studiuesve.

    Siç u përmend më parë, hipoteza flet për mundësinë që thesari i përkiste një mercenari në shërbim të njërës prej mbretërive që pasuan atë të Aleksandrit të Madh, përkatësisht dinastisë ‘’Ptolemeike’’ (dinastia helenistike që sundoi mbretërinë e Egjiptit nga viti 305 p.e.s. 30 p.e.s.) ose Seleucidët (dinastia helenistike që mbretëroi në pjesën lindore të dominimeve të Aleksandrit të Madh pas vdekjes së tij).

    ‘’Të 37 monedhat u gjetën brenda një vazoje të vogël terrakote dhe duket se ato me vlerë më të vogël ishin vendosur mbi ato të arit, gati për t’i fshehur ato”, shpjegon Maria Andreadak Vlazaki, drejtoreshë e gërmimeve në kodrën Kastelli.

  • ShBA ishte bërë me himn kombëtar para 93 vjetësh

    ShBA ishte bërë me himn kombëtar para 93 vjetësh

    Më 3 mars 1931 një akt i Kongresit shpalli këngën “The Star Spangled Banner” himn kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).

    Kënga ishte tepër e dëgjuar për shumë dekada me radhë para se të merrte këtë status. Teksti i saj ishte shkruar nga Francis Scott Key gjatë bombardimeve britanike të kështjellës Fort McHenry në Baltimorë të shtetit Maryland, më 1812.

    Autori i tekstit ishte vetë dëshmitar i bombardimeve. Mëngjesin pas sulmit, Key u frymëzua kur pa flamurin me 15 yje të valojë ende mbi fortesë.

    Flamuri tregonte se fortesa nuk ishte dorëzuar dhe se ishte e gatshme të vazhdonte qëndresën. Flota britanike më pas u largua duke i dhënë kështu fund rrezikut për Baltimorën.

    Fjalët e poemës së Key u kombinuan më vonë me muzikën e një kënge britanike që ishte shumë e dëgjuar në Shtetet e Bashkuara duke krijuar kështu atë që tani është himni kombëtar amerikan. /kp/

  • Vëllai ther me thikë vëllanë në Viti

    Vëllai ther me thikë vëllanë në Viti

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të therjes me thikë në Viti.

    Në raportin 24-orësh thuhet se një i dyshuar (mashkull kosovar) është arrestuar pasi ka therur me thikë vëllain e tij, i cili ka pranuar tretman mjekësor.

    Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, me një mjetë të mprehtë (thikë) ka therur vëllain e tij viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • ShBA: Izraeli ka pranuar kornizën për marrëveshjen e armëpushimit në Gazë

    ShBA: Izraeli ka pranuar kornizën për marrëveshjen e armëpushimit në Gazë

    Izraeli ka pranuar kornizën e një marrëveshje për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve dhe tani Hamasi duhet të marrë një vendim për këtë, tha një zyrtar i administratës amerikane të shtunën, një ditë para se në Egjipt të rifillojnë bisedimet për amëpushim.

    Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kanë punuar për javë të tëra për të arritur një marrëveshje që do të mundësonte ndërprerjen e luftimeve përpara se të nisë muaji i shenjtë i Ramazanit më 10 mars.

    Marrëveshja do t’i hapte rrugën dërgimit të ndihmave humanitare për qindra mijëra palestinezë në veri të Gazës, të cilët, sipas zyrtarëve të ndihmave, rrezikohen nga uria.

    Izraelitët “e kanë pranuar pak a shumë propozimin”, që përfshin 6 javë armëpushim dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi, të cilët konsiderohen si të rrezikuar, duke përfshinë të sëmurët, të moshuarit, të plagosurit dhe gratë, tha zyrtari amerikan.

    “Tani, topi është në anën e Hamasit dhe ne po përpiqemi t’i çojmë përpara përpjekjet për arritjen e një marrëveshje sa më shumë që mundemi”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonomiti, sipas rregullave të vendosura nga Shtëpia e Bardhë, në kuadër të informimit të gazetarëve.

    Zyrtarët nga Izraeli dhe Hamasi nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment nga agjencia e lajmeve Associated Press.

    Një zyrtar i lartë nga Egjipit tha se ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari pritet të marrin një përgjigje nga Hamasi gjatë bisedimeve që janë parashikuar të mbahen të dielën në Kajro.

    Zyrtari foli në kushte anonomiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për bisedimet.

    Bisedimet vijnë në mesin e kritikave në rritje mbi dëshpërimin e qindra mijërave njerëzve që po luftojnë për të mbijetuar në veri të Gazës, e cila ka mbajtur peshën kryesore të konfliktit që filloi kur grupi militant i Hamasit sulmoi Izraelin më 7 tetor. Sipas autoriteteve izraelite në sulmin e militantëve të Hamasit u vranë 1200 njerëz, kryesisht civilë, ndërsa rreth 250 të tjerë u morën peng.

    Avionët ushtarakë të Shteteve të Bashkuara nisën sot shpërndarjen e ndihmave humanitare në rrugë ajrore, ndërsa ushtritë e Jordanisë dhe Egjiptit thanë se kishin bërë dërgesa të ngjashme.

    Shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian tha të shtunën se shumë nga dhjetra palestinezët që u plagosën dhe u vranë nga kaosi, ndërsa kishin rrethuar një kolonë humanitare, u goditën nga ushtria izraelite, dhe bëri thirrje për hetim ndërkombëtar.

    Banorët në veri të Gazës thonë se po kërkojnë nën rrënoja apo në mesin e mbeturinave për të gjetur ndonjë gjë për të ushqyer fëmijët, të cilët mezi hanë një racion në ditë. Shumë familje kanë filluar të përziejnë ushqimin e kafshëve dhe shpendëve me grurë për të pjekur bukë. Zyrtarët agjencive ndërkombëtare të ndihmave thonë se kanë hasur uri katastrofike.

    Ne po vdesim nga uria,” tha Soad Abu Hussein, një e ve dhe nënë e pesë fëmijëve që strehohet në një shkollë në kampin e refugjatëve Jabaliya.

    Të paktën 10 fëmijë kanë vdekur nga uria, sipas të dhënave spitalore në Gazë, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.

    Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi tha se numri i të vdekurve palestinezë nga lufta ka arritur në 30,320 vetë. Ministria nuk bën dallime mes civilëve dhe luftëtarëve në shifrat e saj, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë rreth dy të tretat e të vrarëve.

    Izraeli dhe Hamasi zbatuan një armëpushim njëjavor në fund të nëntorit. Armëpushimi bëri të mundur lirimin e rreth 100 pengjeve, kryesisht gra, fëmijë dhe shtetas të huaj, në këmbim të rreth 240 palestinezëve të burgosur nga Izraeli, si dhe një ndalese të shkurtër të luftimeve. /voa/