ATV

Author: ATVLive

  • “Ngritne lartë flamurin tonë”, Osmani me fjalë për vajzat U18 që u kualifikuan në Kampionatin Botëror të hendbollit

    “Ngritne lartë flamurin tonë”, Osmani me fjalë për vajzat U18 që u kualifikuan në Kampionatin Botëror të hendbollit

    Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll (vajzat) është kualifikuar për në Kampionatin Botëror, që do të mbahet në gusht në Kinë.

    Në ndeshjen vendimtare për kualifikim, Kosova e mposhti Nigerinë me rezultat 22:16.

    Për këtë arritje të kombëtares së Kosovës ka reaguar përmes platformës “X”, presidentja Vjosa Osmani.

    Ajo ka shkruar “nuk ka kufij për vajzat që të arrijnë”.

    “Vajzat tona kanë dëshmuar edhe një herë se nuk ka kufi për atë që mund të arrijnë! Urime ekipit tonë të hendbollit të femrave U18, trajnerëve të tyre të përkushtuar dhe të gjithëve në Federatën e Hendollit për kualifikimin në Kampionatin Botëror. Vazhdoni të ngrini lart flamurin tonë”, ka shkruar Osmani.

  • Qeveria do ta themelojë ndërmarrjen publike për “bateritë e rrymës”

    Qeveria do ta themelojë ndërmarrjen publike për “bateritë e rrymës”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Një kompani e re publike do t’i shtohet sektorit të energjisë elektrike në vend, gjatë muajit mars.

    Qeveria do të themelojë një ndërmarrje multifunksionale për ruajtjen e energjisë, përkatësisht menaxhimin me bateritë, të cilat Kosova do t’i blejë në kuadër të marrëveshjes në vlerë 202 milionë dollarë, me agjencinë amerikane MCC.

    “Themelimi i kompanisë që do t’i ketë në pronësi bateritë, është një parakusht tjetër dhe këtu dokumentacionin e kemi gati dhe besoj që në mbledhjen e radhës të Qeverisë do ta miratojmë”, tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    Megjithatë, Qeveria ende nuk ka qartësuar në detaje rolin që kjo ndërmarrje do të ketë, përtej akumulimit.

    “Ne faktikisht nuk kemi shumë informata se cili do të jetë roli konkret i kësaj ndërmarrjeje publike, por mund të nënkuptohet se kjo ndërmarrje mund të luajë një rol koordinues mes institucioneve publike, Qeverisë dhe sektorit privat që ndërlidhet me zhvillimin e sektorit të baterive në Kosovë”, tha Naim Bujupi, ekspert i energjisë.

    Menaxhimi i aktiviteteve komerciale, tepricave dhe rrjedhave të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme, sipas ekspertit Naim Bujupi, mund të jenë nga rolet.

    “Burimet e ripërtërishme nga aspekti fizik i operimit, ato mund të operojnë energji kur ne nuk kemi nevojë dhe mandej kjo ndërmarrje e blen këtë energji nga këto burime, për shembull këta gjeneratorë të erës ose diellit, dhe atë tepricë e akomodon në bateri, pastaj kur neve na nevojitet, në kohën e pikut, kur kërkesa është e lartë, të njëjtën energji e plason në rrjet”, tha Bujupi.

    Strategjia Kombëtare e Energjisë parasheh që deri më 2031, Kosova të instalojë kapacitete akumuluese prej së paku 170 megavatë, përmes baterive.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Opozita: Dinari mos të bëhet “mollë sherri” në integrim

    Opozita: Dinari mos të bëhet “mollë sherri” në integrim

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Opozita po e konsideron të gabuar përfshirjen e përdorimit të dinarit si temë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

    Të martën, përfaqësues të dy vendeve u takuan në Bruksel, me ftesë të ndërmjetësuesit nga Bashkimi Evropian, Miroslav Lajcak, për të folur për rregulloren e Bankës Qendrore, mirëpo nuk u arrit asnjë marrëveshje.

    Për këtë zhvillim, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, po e kritikon qeverinë.

    “Problemi qëndron se kjo qeveri do të thotë i nxjerr disa tema pa kurrfarë nevoja që pastaj kthehen në tema që e pengojnë ecjen e Kosovës përpara dhe në veçanti e pengojnë Kosovën në rrugëtimin e vet në formësimin dhe forcimin e subjektivitetit të vet ndërkombëtar. Kjo ka ndodhur, pra nuk duhet diskutohet dinari askund mirëpo duhet të trajtohet me partnerët tanë Kosovë për me u gjet një zgjidhje”, tha Tahiri.

    Ndryshe vlerëson deputeti i pushtetit, Driton Hyseni, që thotë se në takim, guvernatori Ahmet Ismaili vetëm i ka dhënë sqarimet e nevojshme për rregulloren që e njeh vetëm euron si valutë zyrtare në Kosovë.

    “Unë mendoj që është qartësuar me vizitën që zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës që e kanë bërë në Bruksel. Guvernatori i Bankës Qendrore e dha njoftimin lidhje me të gjitha sqarimet që ka pasur nevojë të diskutohen me të gjitha palët e interesuara në Bruksel në lidhje me lehtësirat që Banka Qendrore e Kosovës ka ofruar për të gjithë qytetarët në pjesën veriore të Kosovës me qëllim që ata të mos kenë as një vështirësi sa i takon qasjes në shërbimet bankare”, tha Hyseni.

    Ndërkohë të shtunën Presidenti i Serbisë Aleksandër Vucic, në një konferencë është shprehur i bindur që Banka Qendrore e Kosovës nuk do ta ndryshojë rregulloren, andaj ka thënë se në vazhdim do të marrë siç u shpreh, “vendime të ndryshme” për të gjetur mënyra se si të dërgohen pagesat te qytetarët serbë të Kosovës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Nga nesër, në QKMF-në e Prishtinës fillon vlerësimi multidisiplinar

    Nga nesër, në QKMF-në e Prishtinës fillon vlerësimi multidisiplinar

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Nga e hëna në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, do të fillojë vlerësimi multidisiplinar për fëmijët.

    Ky shërbim përfshin vlerësimin e aftësive të përgjithshme, komunikuese, si dhe psiko-sociale, që mund të kushtojë rreth 150 euro, por i cili do të ofrohet falas. Këtë do ta bëjë një ekip i përbërë nga psikologë, logopedë dhe ergoterapistë.

    Kontrollet e tilla po mundësohen përmes bashkëpunimit të drejtorisë së shëndetësisë në Prishtinë dhe shoqatës “Autizmi”.

    “Ata e ofrojnë stafin ndërse ne do ta ofrojmë hapësirën në QKMF. Vlerësimi i tyre tregon çfarë problemi ka dhe përveç kësaj ne kemi bërë një marrëveshje me kolegj privat që ofron shërbime logopedike që ata me na ofruar për 6 muaj një logoped i cili do të punojë në QKMF dhe do të jap shërbime falas ndërkaq edhe vlerësimi do të jetë falas”, tha drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku.

    Për një vlerësim të tillë duhet fillimisht të bëhet termin përmes linjës telefonike.

    “Numri telefonik është 038220841 të gjithë munden me u lajmërua. Nuk do të thotë që fëmijët e tyre kanë problem por çdo hezitim që e kanë le të vijnë me bo një kontroll dhe mund të i ndihmojnë”, tha Sadiku.

    Iniciativa po vlerësohet pozitive. Sociologu, Jeton Brajshori, thotë se ka shumë fëmijë që kanë nevojë për këto kontrolle, mirëpo shumë prindër hezitojnë, për shkak të kushteve ekonomike.

    Vlerësimi multidisiplinar për fëmijët e kryeqytetit do të zgjasë një muaj.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • 31 farmaci u gjobitën nga inspektorati në dy muajt e parë të 2024-ës

    31 farmaci u gjobitën nga inspektorati në dy muajt e parë të 2024-ës

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    31 gjoba janë shqiptuar ndaj farmacive nga Inspektorati Farmaceutik vetëm në dy muajt e parë të këtij viti. Kjo përbën 10 gjoba më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Parregullsia më e shpeshtë në të cilën kishin hasur gjatë inspektimeve, thuhet të jetë shitja e barnave, përkatësisht antibiotikëve, pa recetë mjekësore.

    “Varësisht nga shkeljet e takuara janë marrë masa komfort dispozitave ligjore në fuqi: për dhënie të produkteve pa recetë të mjekut në mesin e të cilave hyjnë edhe antibiotikët, për produkte ilegale, mungesë farmacisti përgjegjës apo zëvendësues, si dhe për parregullsi të tjera”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Farmaceutik.

    Farmacisti Arbnor Alidemaj thotë se pacientët që kërkojnë barna pa recetë, e kanë detyrë t’i këshillojnë që fillimisht të konsultohen me mjekun.

    “E kemi qendrën afër këtu, u themi të shkojnë të konsultohen me mjekun mandej me rekomandim të tyre t’i marrin barërat”, tha Alidemaj.

    Mirëpo vlerëson se shumica e qytetarëve janë të vetëdijshëm për këtë. Sipas tij, pa udhëzim të mjekut, kërkohen barëra më të thjeshta.

    “Rrallë aty këtu, zakonisht vetëm ilaçet pak ma të thjeshta…paracetamol…”, tha Alidemaj.

    Gjatë vitit 2023, inspektorati kishte shqiptuar 249 gjoba ndaj farmacive.

    Përpos gjobave, Inspektorati Farmaceutik, për procedura të tjera ligjore, këto lëndë i dërgon në Odën e Farmacistëve të Kosovës, për marrjen e masave ligjore ndaj stafit profesional farmaceutik.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • 27 mijë gjoba trafiku për dy javë, ligji i ri synon uljen e shkeljeve

    27 mijë gjoba trafiku për dy javë, ligji i ri synon uljen e shkeljeve

    Përgatiti: Armand Hoti

    Me njërën dorë, po e nget veturën, e me tjetër po e përdor telefonin. Në raste tjera nëpër kryeqytet, shihen vozitës që nuk e kanë vendosur rripin e sigurisë.

    Këto janë disa nga shkeljet e rregullave të trafikut, për të cilat, policia në dy javët e fundit shqiptoi mbi 27 mijë gjoba në gjithë Kosovën.

    Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, thotë se ngasësit e automjeteve nuk janë vetëdijesuar fare ndër vite.

    “Nuk është ndonjë ndryshim i madh për shkak se ne llogarisim që çdo ditë në Kosovë ipen rreth 1000 apo 1500 gjoba, kjo nuk po ndryshon për vite të tëra pra dhjet apo 15 vite është thuajse një mesatare e njëjta”, tha Dedaj.

    Madje, pak ditë më parë dikush u dërgua edhe në paraburgim pasi me veturë, goditi për vdekje një të ri në Prishtinë. Kurse deri më tash, gjatë këtij viti, ka ndodhur tetë aksidente me fatalitet.

    Me projektligjin e ri për rregullat e trafikut rrugor, që u miratua javën e kaluar, do të ashpërsohen gjobat për shkelësit e rregullave.

    Mosvendosja e rripit do jetë e dënueshme me gjobë prej 150 eurosh. Kurse për ata që përdorin telefonin gjatë vozitjes, do shqiptohet gjoba prej 100 eurosh, nëse kjo ndodhë për herë të parë.

    Krahas dënimeve, Dedaj propozon të punohet më shumë në edukimin e vozitësve.

    “Së pari, askund në botë nuk ke ligj për rregullat e komunikacionit, sepse rregullat vendosen në bazë të ligjeve. Kjo varret më shumë nga menaxhimi i trafikut, dhe nga masat edukative dhe jo ndëshkuese, tek atëherë do shihnim rezultate më të mira”, tha Dedaj.

    Sipas të dhënave zyrtare, 88 raste të vdekjes si pasojë e aksidenteve në trafik u shënuan në vitin 2023.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Sulmuesi Miris Hoti tregon se si një lëndim i rëndë ia pamundësoi transferimin te Fenerbahce

    Sulmuesi Miris Hoti tregon se si një lëndim i rëndë ia pamundësoi transferimin te Fenerbahce

    Futbollist i cili luan si sulmues Miris Hoti ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ në ATV.

    Lojtari i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e disa skuadrave në Kosovë dhe Shqipëri, përfshirë edhe Kukësin, ka treguar se si lëndimi i rëndë që e kishte pësuar ia kishte pamundësuar transferimin te Fenerbahçe.

    Përndryshe Hoti tani është 24 vjeçar dhe aktivizohet te skuadra e divizionit të ulët FC Lussane në Zvicër.

    Për më shumë ndiqeni intervistën e tij.

  • Ish-futbollisti i Dritës, Genc Sermaxhaj: Askush nuk mund të krahasohet me Ballkanin

    Ish-futbollisti i Dritës, Genc Sermaxhaj: Askush nuk mund të krahasohet me Ballkanin

    Ish- futbollsiti i shumë skuadrave në Kosovës  së fundmi trajneri i skuadrës U21 te Gjilanit ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ në ATV.

    Sermaxhaj duke i komentuar ndeshjet e fundit te Ballkanit, ka deklaruar që ekipi i cili drejtohet nga Ballkani është bindshëm më i miri në Kosovë.

    ‘Ekipi i Ballkanit është bindshëm, bindshëm më i miri në Kosovë, ka një trajner shumë të mirë. Unë i jap përparësi në garën për titull’ tha Sermaxhaj.

    Intervistën e plotë te Genc Sermaxhaj, mund të shikoni më poshtë.

  • Nderim Nexhipi ia mbyll derën rivalit te Ballkanit

    Nderim Nexhipi ia mbyll derën rivalit te Ballkanit

    Ish- drejtori sportiv i Ballkanit dhe së fundmi Manisës në Turqi, Nderim Nexhipi ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ në ATV.

    Në ATV, Nexhipi është pyetur edhe për mundësinë e rikthimit të tij në futbollin e Kosovës  dhe nëse mund ta shohim te skuadra FC Suhareka.

    Megjithatë ish-drejtori i Ballkanit e ka mohuar mundësinë që të merr pozitën e drejtorit te klubi rival i Ballkanit.

    ‘Me një nga investitorët gjatë kohës sa isha te Ballkani isha shumë i afert, me bëhet qejfi që kanë filluar një projekt të mirë dhe që pretendojnë Superligën, por nuk kam fol dhe nuk kam pasur kontakte’ tha Nexhipi.

    Më poshtë mund të shihni intervistën e plotë të Nderim Nexhipit.

  • Zhegrova ka kualitet për të luajtur te Barcelona, vlera e tij duhet të jetë 30 milionë euro, thotë Nderim Nexhipi

    Zhegrova ka kualitet për të luajtur te Barcelona, vlera e tij duhet të jetë 30 milionë euro, thotë Nderim Nexhipi

    Ish- drejtori sportiv i Ballkanit dhe së fundmi Manisës në Turqi, Nderim Nexhipi ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ në ATV.

    Nexhipi duke folur për vlerën e futbollistëve shqiptar në treg ka thënë që futbollisti i kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova duhet të këtë vlerë rreth 30 milionë euro në ‘Transfermarkt’.

    ‘Unë mendoj që Zhegrova në këtë moment duhet të këtë vlerë 30 milionë euro, sepse është një lojtar i jashtëzakonshëm, ai po luan në një nga ligat më të fuqishme në botë dhe fizikisht liga e Francës është shumë vështirë. Ai ka kualitet edhe për të luajtur për Barcelonën’ tha Nexhipi.

    Kujtojmë që vlera aktuale e Zhegrovës sipas ‘Transfermarkt’ është 10 milionë euro.

    Përndryshe në këtë intervistë Nexhipi po ashtu ka treguar edhe për disa futbollistë tjerë shqiptarë që pritet të ndryshojnë skuadër gjatë verës.