ATV

Author: ATVLive

  • Gjendet pa shenja jete një 70-vjeçar në Sllovi të Lipjanit

    Gjendet pa shenja jete një 70-vjeçar në Sllovi të Lipjanit

    Një burrë i moshës 70-vjeçare është gjetur pa shenja jete në Sllovi të Lipjanit.

    Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë, ka konfirmuar se rreth orës 17:00 Policia është njoftuar se trupi i pajetë i një personi është gjetur në rrugë dhe vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku.

    Lidhur me rasti është njoftuar edhe prokurori dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Hoxha bëri të ditur se Policia është duke i vazhduar hetimet dhe rasti po trajtohet si hetim i vdekjes.

  • Për gjashtë vjet ekipi i Speciales takoi 3 500 persona në gjithë Kosovën

    Për gjashtë vjet ekipi i Speciales takoi 3 500 persona në gjithë Kosovën

    Dhomat e Specializuara të Kosovës njoftojnë se që prej 2018-s Ekipi i Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i DHSK-së është takuar me mbi 3 500 persona në gjithë Kosovën.

    Sipas Speciales, ky ekip ka dhënë informacione për gjykatën, ka dëgjuar pikëpamjet e njerëzve dhe u është përgjigjur pyetjeve të tyre.

    “Ekipi i Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i DHSK-së këtë javë ndodhet në vizitë në Kosovë ku po takohet me studentë të drejtësisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë, Mitrovicë dhe Hoçë të Madhe”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

  • Kurti dhe Aliu sot bashkë në terren për të shënuar fillimin e punimeve në rrugën Prishtinë- Mitrovicë

    Kurti dhe Aliu sot bashkë në terren për të shënuar fillimin e punimeve në rrugën Prishtinë- Mitrovicë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot bashkë me ministrin e Infrastrukturës Liburn Aliu, do të jenë në terren.

    Ata do të shohin nga afër punimet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë.

    “Me rastin e fillimit të punimeve për Projektin ”Zgjerimi i Rrugës Nacionale M2″, të rrugës Prishtinë – Mitrovicë , organizuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, do të bëhet vizitë ku do të marrin pjesë Liburn Aliu, minister i MMPHI-se, dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në njoftim e Ministrisë së Infrastrukturës.

  • ​Clinton para 27 vjetësh ndaloi kërkimet për klonim të njeriut

    ​Clinton para 27 vjetësh ndaloi kërkimet për klonim të njeriut

    Ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton në vitin 1997 ndaloi kërkimet për klonim të njeriut.

    Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ka konsideruar miratimin e legjislacionit për ndalimin e klonimit të njerëzve.

    Mundësia për klonimin e njeriut, doli kur shkencëtaret skoceze në Institutin Roslin krijuan delen e shumëpërfolur “Dolli” (gjeni 385, 810-13, 1997), që rriti interesin dhe shqetësimin në gjithë botën për shkak të komplikimeve të saj shkencore dhe etike.

    Bëma e përcaktuar nga revista Science si revolucioni i 1997-es, gjithashtu solli pasiguri mbi kuptimin e ”klonimit” – një term mbrojtës i përdorur tradicionalisht nga shkencëtaret për të përshkruar proceset e ndryshme për dyfishimin e materialit biologjik.

    Mjekët nga Shoqata Mjekësore Amerikanë dhe shkencëtare nga Shoqata Amerikane për Avancimin e Shkencës kanë botuar deklarata formale publike duke kundërshtuar klonimin riprodhues human. Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ka konsideruar miratimin e legjislacionit për ndalimin e klonimit të njerëzve.

    Lidhur me jo efikasitetin e klonimit të kafshëve vetëm një ose dy pasardhës të gjallë për çdo 100 eksperimente dhe mungesat në kuptimin e plote të klonimit riprodhues, shumë shkencëtare dhe mjekë këmbëngulin shumë fort se do të që jo etike të provohej të klonohej njeriu.

    Jo vetëm që shumica e përpjekjeve për klonimin e gjitarëve dështojnë, por rreth 30 për qind e kloneve të lindur të gjallë janë të prekur me sindromën e “pasardhësve me përmasa të mëdha” dhe kushte të tjera dobësuese.

    Një numër i madh i kafshëve të klonuara kanë ngordhur para kohe nga infeksionet dhe komplikimet e tjera. Të njëjtat probleme duhet të priten në klonimin e njerëzve. Për më tepër, shkencëtarët nuk e dinë si do të ndikonte klonimi në zhvillimin mendor. Ndërsa intelekti dhe gjendja shpirtërore mund të mos jenë aq të rëndësishme për një lope ose për një mi, ato janë vendimtare për zhvillimin e humaneve të shëndetshëm. Me kaq shumë të panjohura për klonimin riprodhues, përpjekja për të klonuar njeriun për momentin konsiderohet fuqishëm e rrezikshme dhe e papërgjegjshme nga ana etike.

  • ​Shtatë vjet nga protesta gjithëpopullore për lirimin e Haradinajt

    ​Shtatë vjet nga protesta gjithëpopullore për lirimin e Haradinajt

    Para shtatë vjetësh në Prishtinë u mbajt protesta gjithëpopullore kundër mbajtjes peng të Ramush Haradinajt në Francë.

    Protesta ishte thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), lider i së cilës është Haradinaj, ndërsa u përkrah edhe nga partitë tjera opozitare dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

    Kryeministri i atëhershëm Haradinaj ishte ndaluar më 4 janar 2017 nga policia franceze, për shkak të fletarrestit nga Serbia për kinse krime lufte, gjë e cila çoi në protesta të mëdha në të gjitha qytetet shqiptare dhe qytetet e mëdha evropiane.

    Haradinaj u lirua nga gjykata franceze e Colmar, më 27 prill 2017. /KP

  • Kolegji AAB, nikoqir i turneut të shahut “Kupa Adem Jashari”

    Kolegji AAB, nikoqir i turneut të shahut “Kupa Adem Jashari”

    Përgatiti: Lorik Gërbeshi

    Në ambientet e sallës së sporteve ne Kolegjin AAB, të dielen u mbajt turneu ndërkombëtar i shahut rapid, “Kupa Adem Jashari 2024”.

    Organizuar nga Federata e Shahut të Kosovës dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ky turneu mikëpriti rreth 205 garues.

    Shahu rapid – disiplinë në të cilën edhe u zhvillua ky turne – zhvillohet me nëntë xhiro nga 13 minuta, plus 5 sekonda sipas rregullave të FIDE-së.

    E sa i përket organizimin, dhe gjithçkaje tjetër mbi këtë organizim, detaje dhe edhe kryetari i Federatës së Shahut të Kosovës, Armend Budima.

    Si turne mbarëkombëtar, edhe garues kishte nga të gjitha viset shqipfolëse.

    Fahredin Osmani, kishte marrë rrugë nga Maqedonia e Veriut për të marrë pjesë në këtë ngjarje, madje për të nuk ishte hera e parë.

    Nga ana tjetër, një nga favoritët kryesor të kësaj gare, gjithashtu edhe kampion i shumfishtë i Kosovës, Nderim Saraçi u shpreh i kënaqur me organizimin e kësaj gare.

    Ndryshe, fituesi i këtij turneu fitoi plotë 2580 euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Thirrje që të mos votohet projektligji për KPK-në

    Thirrje që të mos votohet projektligji për KPK-në

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Pa përfshirjen e gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, opinionit të Komisionit të Venecias, e rekomandimet e shoqërisë civile, projektligji për Këshillin Prokurorial po kërkohet që të mos kalojë në Kuvendin e Kosovës.

    Kjo nismë ligjore pritet të diskutohet në lexim të parë në seancën e 7 marsit.

    Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se deputetët nuk duhet ta miratojnë projektligjin në parim.

    “Po tentohet të kalojë në lexim të parë dhe pastaj në mes të dy leximeve të bëhen adresimet dhe vërejtjet e opinionit të Komisionit të Venecias. Për neve është gabim, për shkak se Ministria e Drejtësisë, Qeveria është dashur të tërheq këtë projektligj, t’i adresojë fillimisht të gjitha vërejtjet, kritikat”, tha Makshana.

    Problem tjetër vlerësohet edhe koha kur po synohen këto reforma.

    “Duke marrë parasysh se kjo reformë në Këshillin Prokurorial është një reformë e vonuar, ne besojmë që as në këtë mandat nuk mund të arrihet reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Për shkak se jemi shumë mbrapa sa i përket procedurave ligjore të cilat i kërkon ligji deri në miratimin e këtij ligji”, tha Viona Bunjaku nga “Lëvizja FOL”.

    Njohës të sistemit të drejtësisë thonë se ka edhe tjera mangësi në projektligj.

    “Këtu paraqitet problem çështja e rritjes së numri të anëtarëve të KPK-së, gjë e cila paraqet një problem në vete, e po ashtu është çështja e përfshirjes përsëri të Avokatit të Popullit në përzgjedhjen e anëtarëve jo-prokurorë të KPK-së. Me gjendjen aktuale të këtij drafti, ne nuk jemi të kënaqur”, tha Liridon Salihi nga “Grupi për Studime Juridike dhe Politike”.

    Komisioni i Venecias në opinionin e fundit për këtë projektligj, nuk e ka përkrahur rritjen e numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Brenda muajit pritet të dalë në diskutim publik strategjia kundër korrupsionit

    Brenda muajit pritet të dalë në diskutim publik strategjia kundër korrupsionit

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Kanë kaluar rreth 6 vjet që Kosova nuk ka strategji shtetërore kundër korrupsionit.

    Në vitin e fundit të qeverisjes, Qeveria Kurti II ende nuk e ka miratuar një të tillë, ndonëse premtimet ishin se do të miratohej më së largu në dhjetor të vitit të shkuar.

    Por, përpjekjet për ta miratuar këtë strategji, janë ende në fazën e draftimit.

    “Do të përmbyllet hartimi i draftit të parë të këtij dokumenti të rëndësishëm, i cili më pas del në diskutim publik dhe po besoj që brenda 1-2 muaj do ta kemi këtë dokument të aprovuar, në mënyrë që agjencia më pas t’i zhvillojë mekanizmat për monitorimin e zbatimit të këtij dokumenti”, tha Yll Buleshkaj nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

    Megjithatë, vlerësohet se edhe pa strategji Kosova ka shënuar progres në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit.

    “Edhe pa dokument mund të kryhet, ka shtete që nuk kanë strategji për luftimin e korrupsionit, por është si praktikë e mirë, ka vende tepër të zhvilluara të cilat përmenden, qoftë për sundim të ligjit, qoftë për jetë kualitative, p.sh. Finlanda edhe pse janë në top lista për nivel të ulët të korrupsionit e zhvillojnë një dokument të tillë”, tha Buleshkaj.

    Njësoj thotë edhe ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, sipas së cilës përpjekjet më të mëdha për luftimin e korrupsionit janë bërë gjatë qeverisjes Kurti.

    “E vërtetë që s’ka strategji, por asnjëherë s’ka pasë përpjekje serioze institucionale edhe pa strategji hiç që ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Përveç kësaj, 247 lëndë i kemi dërguar në prokurori, s’ka pasë ndonjëherë ndonjë qeveri që ka dërguar lëndë në institucionet e drejtësisë që ndërlidhet me keqpërdorim të milionave eurove”, tha Haxhiu.

    Njësoj sikurse në 2022-tën edhe vitin e shkuar Kosova, në indeksin e perceptimit të korrupsionit, kishte pasë 41 pikë. Ndërkohë, në ranglistën botërore, zë vendin e 83-të.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Vushtrri: Përplasje mes pushtetit dhe ish-pushtetit për parkun e biznesit

    Vushtrri: Përplasje mes pushtetit dhe ish-pushtetit për parkun e biznesit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    E gjithë toka ka mbetur djerrinë. Në këtë hapësirë prej 14 hektarësh në Lumë të Madh të Vushtrrisë, parashihej të ndërtohej parku i biznesit.

    Gjithçka filloi gjatë qeverisjes së shkuar në Vushtrri, kur edhe u rregullua infrastruktura, derisa ishin përzgjedhur edhe bizneset që do të operonin në atë zonë.

    Por ndërrimi i pushtetit, ndërroi edhe gjendjen, meqë dyshimet për keqpërdorime çuan në shfuqizimin e vendimit.

    Kryetari Idrizi fajëson paraardhësin e tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kur kishte lejuar që prona e komunës të mund të tjetërsohej.

    Për këtë ai kishte bërë edhe kallëzim penal edhe në Prokurorinë Speciale.
    Megjithatë, prokuroria e kishte cilësuar si të pabazuar kallëzimin penal të Idrizit.

    Andaj ish-kryetari Xhafer Tahiri thotë se udhëheqësia aktuale në Vushtrri po i humb qindra vende të punës për qytetarët.

    Me gjithë kundërshtimet e përplasjet, komuna tashmë ka në plan jetësimin e këtij projekti.

    Afate kohore nuk dhanë, megjithatë në këtë zonë pritet të vendosen afro 15 biznese të ndryshme.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Binarët do ta lidhin Kosovën e Shqipërinë, por financimi në pikëpyetje

    Binarët do ta lidhin Kosovën e Shqipërinë, por financimi në pikëpyetje

    Përgatiti: Armand Hoti

    Kosova dhe Shqipëria në të ardhmen do të jenë të lidhura edhe përmes binarëve.

    “Tashmë kanë filluar punimet në studimin e fizibilitetit dhe projektit ideor”, tha zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    Në janar, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, njoftoi se dy shtetet janë pajtuar për trasenë se kah do të kalojë hekurudha që lidh Prishtinën me Durrësin.

    Por, pikëpyetja e vetme mbetet financimi për ndërtimin e saj.

    “Po shpresojmë se gjatë këtij viti do të përfundojë studimi i fizibilitetit dhe projekti ideor, në momentin kur të përfundojë, dihet saktë linja nga do të kalojë traseja e hekurudhës, dihet saktë tunelet ku do të jenë, pra do të kemi një kosto pak më të detajuar se sa do të kushtojë ky projekt në mënyrë që ose të aplikojmë për fonde nga BE-ja ose të merremi vesh e ta financojmë vetë”, tha Durmishi.

    Geri Selenica, nga Qendra Shqiptare e Studimeve Strategjike e përjashton mundësinë e financimit nga Bashkimi Evropian përmes granteve.

    “Nëse do të aplikojnë për fonde në Bashkimin Evropian, kjo hekurudhë nuk është në asnjë nga korridoret evropiane, kështu që nuk ke mundësi të marrësh, financime merr me garanci sovrane, por nuk merr dot grante. Procesi i granteve është një proces i gjatë në fillim, do të futesh në korridoret ndihmëse më pastaj në ato kryesore”, tha Selenica.

    Selenica, i cili është i angazhuar në lobim për gjetjen e një forme më të shpejtë të financimit, ka një propozim.

    “Neve po e modelojmë në këtë versionin, në mënyrë që kontraktori ta gjejë financimin më shpejt se Qeveria, sepse Qeveria për ta gjetur financimin duhet të kalojë në tenderime ndërkombëtare, vonohet. Pastaj, do të kalojnë në tenderime ndërtimi të cilët nga eksperienca e këtij studimi e pamë që dy qeveritë mezi u morën vesh për të ndarë dy milionë euro, jo për të dhënë një miliard euro”, tha Selenica.

    Sipas llogaritjeve të Qendrës Shqiptare të Studimeve Strategjike, projekti për konstruktimin e hekurudhës pritet të ketë kosto prej një miliard eurosh.

    Referuar të dhënave të kësaj qendre, hekurudha do të ketë një numër të madh tunelesh me gjatësi totale prej më shumë se 20 kilometrash, kurse ura 6 kilometra.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: