ATV

Author: ATVLive

  • Bushati: Nuk është faji i Kosovës se Serbia udhëhiqet nga një regjim autokratik

    Bushati: Nuk është faji i Kosovës se Serbia udhëhiqet nga një regjim autokratik

    Në kuadër të konferencës “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor” është mbajtur sesioni “Zgjerimi i BE-së për Ballkanin Perëndimor: Koha për përparim është tani!”

    Deputeti i Parlamentit Evropian dhe kryetari i Shoqatës së Miqësisë, Austriako-Kosovare, Lukas Mandl, tha se BE-së i mungon lidershipi për të zhvilluar vizionin që të integrohet Evropa.

    “Është detyrë e parlamentarëve të kritikojnë se pari KE-në, pastaj t’i motivojë të shkojnë në rrugën e duhur. Të ndërtohen urat rreth zgjidhjeve, kjo është më domethënëse, sepse jetojmë në një botë të konfrontimeve, kemi luftën e Rusisë, semitizimin etj”, tha Mandl.

    Ai deklaroi se është e rëndësishme që në një shtet të ketë barazi për të gjithë dhe të krijohet një mjedis i mirë jete, duke shtuar se në Kosovë duhet të ketë investime të mëdha.

    “Ne shtetin e së drejtës të ketë barazi për të gjithë, të krijohet një mjedis për investime, veçanërisht në Kosovë. Duhet të kemi shkëmbim të mallrave, arsim të zhvilluar, një element më të mirë demografik, të mos fokusohemi vetëm te historia, ne aspiratat, objektivat tona ne duhet të fokusohemi në të ardhmen, që do na shpie drejt ndërtimit të urave”, tha ai.

    Deputetja dhe anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Fitore Pacolli-Dalipi tha se Bashkimi Evropian, ende nuk ka arritur të kuptojë mësimet e duhura, ndërsa shtoi se po qëndron naiv.

    “Vullneti politik do të vijë pas atij ekonomik, kjo do vijë kur do kemi diskutime tjera që do na ndjek me vite, në një periudhë të vështirë që kemi hyrë. BE-ja ende nuk ka nxjerrë mësimet e duhura ose ka qenë naive, nuk mund ta kuptosh, ekziston vetëm një mënyrë që liderët nuk krijojnë ndryshime, t’i mbajnë shtetet e veta në një vend”, tha Pacolli.

    Deputeti i Parlamentit Evropian dhe kryetari i Shoqatës së Miqësisë, Austriako-Kosovare, Lukas Mandl tha se është detyrë e parlamentarëve të kritikojnë se pari KE-në, pastaj t’i motivojnë ata të shkojnë në rrugën e duhur.

    Jeton Zulfaj, këshilltari politik i kryeministrit Kurti tha se negociatat e Kosovës në raport me Serbinë e vendosin Kosovën edhe më shumë në duar të Serbisë.

    “Nuk kam shpresa për përmirësime tutje”, tha Zulfaj.

    Ish-ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati e ngriti si çështje situatën me të cilën Kosova po ballafaqohet me Serbinë dhe po ndëshkohet nga BE-ja si shkak i vendimeve nga shteti serb.

    “Njohja e dyanshme mes Kosovës dhe Serbisë të kushtëzohet me anëtarësim, njohja duhet të jetë në qendër, drejt përparimit tonë në BE. Për të qenë kandidat duhet ta kesh statusin, nëse ai kushtëzohet shkak i Serbisë në raport me Kosovën, këtu nuk është faji ynë se në Serbi është regjim autokratik”, tha ish-ministri i jashtëm.

    Sipas Bushatit, duhet të ketë të drejta njeriu, sundim ligji, fusha në të cilat Kosova po punon mirë, çdo tregues e tregon një pavarësi dhe kjo është mënyra se si duhet të shkohet përpara, krahasuar me rajonin.

  • S’ka më fazë të grupeve- Këto janë ndryshimet që do të bëhen në Ligën e Kampionëve që nga sezoni i ardhshëm

    S’ka më fazë të grupeve- Këto janë ndryshimet që do të bëhen në Ligën e Kampionëve që nga sezoni i ardhshëm

    Kompeticioni më i rëndësishëm në botë Liga e Kampionëve nga sezoni i ri 2024/25 nuk do të ketë më fazë të grupeve.

    Që shumë vite, në Ligën e Kampionëve kanë qenë tetë grupe me nga katër skuadra, që nënkupton se 32 skuadra do të “luftonin” për titullin e kampionit të Evropës.

    Megjithatë, UEFA ka ndryshuar këtë sistem duke e rritur numrin në 36 sosh, andaj edhe faza e grupeve do të zëvendësohet me të ashtuquajturën “faza e ligës”.

    Secila skuadër do t’i zhvillojë tetë ndeshje, katër në shtëpi dhe katër si mysafir, që është një më shumë se ato që realizoheshin në fazën e grupeve.

    Skuadrat që renditen në pozitat 1-8 do ta sigurojnë direkt kualifikimin për raundin e 16-të më të mirëve, kurse ato që renditen në pozitat 9-24 do të përballen me njëra tjetrën në një play-off nokauti.

    Kurse, skuadrat që do të renditen 25-36 do të eliminohen përfundimisht nga kompeticioni.

    E njëjta do të ndodhë edhe me kompeticionet e tjera si Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës, vetëm se te kjo e fundit secila skuadër do t’i zhvillojë vetëm gjashtë ndeshje në fazën e ligës.

  • ​Jasharaj: Dita e Mësuesit po vjen, por ajo po na gjen me sfida e halle shumë

    ​Jasharaj: Dita e Mësuesit po vjen, por ajo po na gjen me sfida e halle shumë

    Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se Dita e Mësuesit po e gjen Kosovën me sfida, pakënaqësi e halle shumë.

    Përmes një shkrimi për media, ai tha se në takimin me kryetarët e nivelit komunal sindikal e të Universiteteve do të duhej të mbretëronte atmosferë festive dhe të flitej me krenari për angazhimet e Qeverisë në shërbim të arsimit e punëtorëve arsimor, që nga çerdhet e deri në universitet dhe për dialogun e sinqertë për të gjitha sfidat e shqetësimet .

    Por siç tha ai, kjo atmosferë mungoi sepse dialogu me fajin e pushtetarëve vazhdon të mungojë.

    Shkrimi i plotë:

    Në takimin me kryetarët e nivelit komunal sindikal e të universiteteve do të duhej të mbretëronte atmosferë festive dhe të flitej me krenari për angazhimet e Qeverisë në shërbim të arsimit e punëtorëve arsimor , që nga çerdhet e deri në universitet dhe për dialogun e sinqertë për të gjitha sfidat e shqetësimet . Por kjo atmosferë mungoi sepse dialogu me fajin pushtetarëve vazhdon të mungojë. Ata vazhdojnë të sjellin vendime e të bëjnë veprime të dëmshme kokë me vete e pa u ulur e konsultuar me palët tjera. Kështu do të bëhet dhe pikë , vazhdojnë të deklarohen qeveritarët dhe ashtu edhe bëjnë. SBASHK-u në emër të punëtorëve arsimor kërkojë përmes shkresave që vlera e koeficientit të mos jetë ajo e paralajmëruara që në vitin e kaluar nga ministri Murati, po të jetë se paku 130 euro, por Qeveria nuk qau kokën për këtë kërkesë tonën dhe të sindikatave tjera, por vendosi për vlerën 110 duke bërë një ngritje ironike të pagës në arsim prej vetëm 28 euro dhe kjo shtoi edhe më pakënaqësitë e të punësuarve në këtë sektor dhe jo vetëm. Qeveria , pa u konsultuar me palët tjera , vendosi edhe për ndryshimet në Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe si për inat angazhohet të mohojë të drejtat e fituara të punëtorëve të arsimit dhe kështu, në vend që t’ua lehtësojë jetën pak pikërisht kur u duhet , pra me rastin e pensionimit, Qeveria ua vështirëson edhe më jetën atyre që me vite e dekada punuan në arsim sepse do të marrin pensione me të ulëta nga ato që ua garantonte ligji dikur.

    Qeveria nuk e bëri as Ligjin për sigurime shëndetësore e as nuk bëri ndonjë angazhim lidhur me kushtet e punës në shkolla. Nxënësit dhe mësuesit garën për dije në shekullin 21 vazhdojnë ta bëjnë me shkumës e shpuzë. Ata duan, por me këto kushte e me këtë qasje të Qeverisë ndaj arsimit, suksese të larta e të dëshiruara nga të gjithë ne nuk mund të arrihen.

    Dita e mësuesit dhe shkollës shqipe po vjen, por ajo po na gjen me sfida, pakënaqësi e halle shumë.

  • ​Perspektiva gjinore në ofrimin e kujdesit për sëmundjet kronike jongjitëse

    ​Perspektiva gjinore në ofrimin e kujdesit për sëmundjet kronike jongjitëse

    Më 4 mars të vitit 2024, ekspertët u takuan për të avokuar për përmirësimin e perspektivës gjinore në kujdesin shëndetësor. Në tryezën e rrumbullakët të organizuar në Gjakovë, profesionistë nga subjekte të ndryshme publike dhe të shoqërisë civile ngritën vetëdijen, posaçërisht, për sa i përket rëndësisë së perspektivës gjinore në parandalimin dhe menaxhimin e SJN-ve.

    Tryeza filloi me fjalim nga Mrika Aliu, specialiste e shëndetit publik me përvojë rajonale, e cila nënvizoi rëndësinë e integrimit të perspektivave gjinore në parandalimin dhe menaxhimin e SJN-ve. Sebahate Pacolli Krasniqi dhe Dr. Sevdie Spahiu nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik prezantuan të dhëna nga viti 2022, duke i vënë në pah trendet specifike gjinore në SJN-të në Kosovë. Mark Kaqinari, Këshilltar i Lartë Ligjor në Institucionin e Avokatit të Popullit, theksoi ndikimin e thellë të aspektit gjinor në shëndetësi dhe të drejtat njerëzore, ndërsa Besim Kodra nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, potencoi rëndësinë e garantimit të qasjes së barabartë në kujdes për të gjithë pacientët me SJN.

    Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës, z. Hilmi Shala, deklaroi: “Ta shfrytëzojmë këtë si një mundësi për të shqyrtuar ndikimin e thellë që mund të kenë përpjekjet tona të përbashkëta në shëndetin dhe mirëqenien e komuniteteve tona. Së bashku, ne mund të bëjmë shumë për një të ardhme ku integrimi gjinor në kujdesin shëndetësor të mos jetë vetëm një aspiratë, por realitet. Së bashku, ne mund të bëjmë ndryshime në jetët e atyre që janë të prekur nga sëmundjet jo ngjitëse, ashtu që ata të marrin kujdesin dhe vëmendjen që duhet t’u jepet”.

    Tryeza e rrumbullakët përfundoi me diskutim mbi hapat veprues për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile (OSHC-ve), mediave dhe ofruesve të kujdesit spitalor. Pjesëmarrësit e angazhuar në diskutime shkëmbyen ide se si të promovojnë perspektivën gjinore në ofrimin e kujdesit për SJN-të dhe se si të nxisin bashkëpunimin në të gjithë sektorët.

  • ​Ndjehet jehona e avionëve të NATO-s në Kuçovë

    ​Ndjehet jehona e avionëve të NATO-s në Kuçovë

    Baza ajrore e Kuçovës sot është tërësisht e transformuar dhe e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Kështu u tha në cermoninë e hapjes së bazës ajrore të NATO-s, në Kuçovë, e cila u tha se do të luaj një rol të rëndësishëm për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga kufiri lindor dhe jugor i aleancës.

    Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi tha se kjo bazë është një prej investimeve më madhjore të NATO-s në Shqipëri dhe do të shërbej si një bazë ajrore taktike dhe operacionale.

    “Mbi këtë pistë, miku i fundit ka fluturuar 19 vite më parë. Erdhi koha që në Koçovë të ndjehet jehona e avionëve të NATO-s, mbrojtësve të gjinjëve tanë në dekadën më të kërcënuar të historisë moderne, të rajonit dhe të mbarë Evropës. Koçova do të shërbej si baza kryesore për forcat tona ajrore për të cilën vëmendja dhe investimi nuk do të rreshtin deri në krijimin e një flote dinjitoze në shërbim të mbrojtjes së popullit tonë dhe të aleatëve tanë. Helikopterët Black Hawk të siguruar me mbështetjen e partnerit tonë special, strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe dronët Bajraktat të siguruar në bashkëpunim me Turqinë, për të nisur fluturimin nga kjo bazë “, tha ai.

    Shefi i shtabit të përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji tha se me këtë projekt madhor të financuar nga NATO dhe qeveria shqiptare, po afrohet një vlerë e shtuar në infrastrukturën tonë të mbrojtjes, e cila riafiromon rëndësinë strategjike të Shqipërisë dhe përkushtimin e aleancës në garantimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perendimor dhe më gjerë.

    “Kjo bazë do të ofroj infrastrukturë të avancuar për mjetet ajrore të aleancës, akomodim për trupat pjesëmarrëse dhe do të shërbej si qendër për aktivitetet e forcë tonë ajrore, dislokimin e forcave dhe mjeteve, zhvillimin e trajnimeve dhe stërvitjeve, qofshin këto në kuadër kombëtar, dypalësh, rajonal apo edhe në kuadrin e aleancës. Në një epokë të karakterizuar nga sfidat komplekse dhe dinamike të sigurisë, nevoja për një mbrojtje të qëndrueshme dhe bashkohore është bërë më e nevojshme që kurrë. Në këtë drejtim kjo bazë do të luaj një rol të rëndësishëm për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga kufiri lindor dhe jugor i aleancës“, tha ai.

    Menaxherja e përgjithshme e agjencisë së NATO-s, për mbështetje dhe prokurimet, Stejsi Kamins tha se të punonin me Shqipërinë dhe kontraktohet italian, patën mundësi që të ofrojnë punime me cilësi të shkëlqyer dhe materiale që përmbushin të gjitha standardet e NATO-s.

    “Koçova tashmë është një stacion modern për operacionet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, me përmirësime, me modernizime që përfshijnë renovimin e një kulle kontrolli, gjithashtu edhe një dhomë kontrolli të ri modernizuar dhe hapësira të cilat sigurojnë magazinimin dhe ndriçimin“, tha ajo.

    Komandanti i NATO-s gjeneral lejtnant Juan Pablo Sanchez De Lara deklaroi sot nga Kuçova se Shqipëria është më shumë se kurrë e gatshme të marrë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë dhe paqen.

    De Lara tha se përurimi i saj dëshmon se aleanca jonë, me një qasje 360 gradëshe është e angazhuar mjaft në rajon dhe se koalicioni merr në konsideratë angazhimin e Shqipërisë për sigurinë e NATO-s si e tërë.

    “Nga qendra jonë jemi tejet të angazhuar të mbrojmë qiejt e NATO-s. Shqipëria është integruar plotësisht në sistemin e mbrojtjes ajrore të NATO-s në 2018, si pjesë e përpjekjes së saj për të rritur ndërveprueshmërinë dhe integrimin me Aleancën Atlantiko-Veriore, me synim për të siguruar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha zyrtari i NATO-s.

    De Lara u shpreh se përfshirja e Shqipërisë në mbrojtjen ajrore të NATO-s është simbol i kontributit të saj në këtë pjesë të Aleancës dhe kjo dëshmon unitetin dhe vendosmërinë e NATO-s, si po tregojmë aktualisht në rastin e sulmi të paligjshëm e pushtimit të paligjshëm rus në Ukrainë.

    Falë përpjekjeve që janë bërë shumë paraardhës tanë dhe nga autoritet shqiptare, theksoi ai më tej, mund të themi se Aleanca e NATO-s garanton në mënyrën më të mirë sigurinë e hapësirës ajrore.

    Ai shtoi se baza e Kuçovës do të jetë në përputhje me standardet e NATO-s dhe do të përmirësojë besueshmërinë, rezistencën dhe bashkëveprimin në kuadër të Aleancës.

    “Këto instalime ndihmojnë të kemi më tepër mundësi e gatishmëri ushtarake. Pikësëpari e mbi të gjitha, duhet të jemi e do të jemi të gatshëm jo vetëm për këtë, por edhe për planet dhe operacionet e NATO-s. Kjo do të kontribuojë në përpjekjen e përgjithshme të parandalimit dhe për të dëshmuar veprimin e pandalshëm të NATO-s për siguri e paqe”, u shpreh De Lara.

    Ai siguroi se veprimtaritë mbresëlënëse që janë zhvilluar këtu do të çojnë në rritje të kapaciteteve të NATO-s dhe Shqipëria do të jetë edhe më e sigurtë dhe më e mbrojtur brenda NATO-s.

    Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se baza e re ajrore e NATO-s në Kuçovë i jep vendit tonë një rëndësi të re gjeostrategjike.

    Në ceremoninë e organizuar me rastin e hapjes së bazë ajrore të NATO-s në Kuçovë, Rama theksoi se tashmë ofrohet infrastrukturë moderne për flotën tonë të helikopterëve e dronëve të armatosur dhe avionët luftarakë të Aleancës.

    Rama nënvizoi se kjo bazë do të shërbejë edhe për të çuar në një tjetër nivel përgatitjen e aviatorëve tanë, ndërkohë që i jep vendit tonë një rëndësi të re gjeostrategjike.

    Kryeministri theksoi se baza ajrore e Kuçovës është sot është tërësisht e transformuar dhe e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë.

    “Shqipëria gjendet në anën tjetër, duke mirëpritur me respekt aleatët e saj dhe partnerë, në një aleancë që është së pari aleancë vlerash për garantimin e paqes. Jam i lumtur që një punë e nisur prej kohësh, arriti të përfundojë. Këtu me ne janë miq, aleatë. Falënderoj ministrin e Mbrojtjes së Italisë, që ka ardhur me disa avionë me vete. Falënderoj miqtë turq, që për 3 dekada e mbajtën gjallë frymën e kësaj dekade. Një bazë, që është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, që e dimë është jo pak i rrezikuar nga Federata Ruse. Riaktivizimi i këtij aeroporti është vazhdim i rritjes së flotës sonë ajrore. Falënderoj banorët e zonës, për durimin që kanë treguar. Uroj që kjo bazë të sjellë për ta, mundësi të reja punësimi”, tha Rama.

    Kryeministri nënvizoi se riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është njëkohësisht dhe pjesë e ripërtëritjes së mëtejshme cilësore të flotës tonë ajrore.

    “Dy helikopterët e rinj ‘Black Hawk’ si dhe dronët ‘Bayraktar’ janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë”, tha ai.

    Kryeministri solli në vëmendje edhe pozicionimin e bazës së Kuçovës në kohën e perandorisë sovjetike.

    Kryeministri theksoi se “po të lexosh planin e deklasifikuar të luftës që qëndronte në sirtarët e Kremlinit lufta do të niste me bombardimin e Vjenës, Shtutgartit, Mynihut, Nurembergut, 2 bazave të NATO-s në Danimarkë, 3 bazave në Verona, Padova e Viçensa dhe pjesë e këtij operacioni do të ishin dhe avionët bombardues të bazës së Kuçovës”.

    Rama theksoi se sot jetojmë në një epokë tjetër dhe fatmirësisht Shqipëria gjendet në anën tjetër duke mikpritur me krenari dhe respekt aleatët dhe partnerët në një aleancë që është një aleancë vlerash në mbrojtje të paqes e demokracisë.

    Kryeministri falënderoi edhe miqtë dhe aleatët e paçmueshëm turq, të cilët për thuajse 3 dekada e mbajtën gjallë frymë e kësaj baze, e cila sot është tërësisht e transformuar dhe e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s, që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë.

    Rama shprehu bindjen po ashtu se baza taktike e NATO-s të sjellë përpara mundësi të reja punësimi dhe mundësi të reja për të gjithë zinxhirin e shërbimeve duke ndikuar në ekonominë lokale.

  • ​IKD, FOL dhe INPO: KPK të shpallë sa më parë konkursin e ri për Kryeprokuror të Shtetit

    ​IKD, FOL dhe INPO: KPK të shpallë sa më parë konkursin e ri për Kryeprokuror të Shtetit

    Organizatat jo-qeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL, Iniciativa për Progres i bëjnë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës që në përputhje me kompetencat që ka, pas mos dekretimit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, të shpallë konkurs të ri për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Reagimi i plotë:

    Organizatat jo-qeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL, Iniciativa për Progres i bëjnë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës që në përputhje me kompetencat që ka, pas mos dekretimit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, të shpallë konkurs të ri për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Kosova është pa Kryeprokuror të Shtetit që nga prilli i vitit 2022. Kështu, tani po bëhet dy (2) vite që kur Prokurori i Shtetit funksionon me u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit. Me këtë rast, duhet theksuar se nevoja për për të pasur Kryeprokuror të Shtetit nuk përjashton nevojën për një proces transparent dhe meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Më 17 tetor 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nuk e ka dekretuar kandidatin e propozuar nga KPK për Kryeprokuror të Shtetit, duke e kthyer këtë proces në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Fatkeqësisht, kur po bëhen pesë (5) muaj nga nxjerrja e këtij njoftimi nga Presidentja e Republikës së Kosovës, KPK ende nuk ka vepruar në drejtim të zhvillimit të një procesi meritor dhe transparent për përzgjedhjen e kandidatit për Kryeprouror të Shtetit. Veprimi i vetëm i tyre ka qenë ripropozimi, pa proces të ri konkurues, i emrit të njejtë për dekretim si Kryeprokuror të Shtetit.

    Kjo mënyrë e veprimit nga KPK shpërfaqë mungesë të vullnetit të tyre për të zhvilluar një proces transparent dhe meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Duke abstrahuar mos zhvillimin e një procesi meritor, transparent dhe me integritet të pakontestuar.

    Nëse deri më 17 tetor 2023 KPK nuk ka pasur përgjegjësi për vonesat që janë krijuar në këtë proces për shkak se propozimi ishte tek Presidentja e Republikës së Kosovës, që nga kjo datë e tutje, KPK është institucioni i vetëm përgjegjës pse Kosova nuk ka Kryeprokuror të Shtetit.

    Në linjë me rekomandimet e dala nga vendimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, gjetjet e koalicionit të OJQ-ve dhe thirrjeve të partnerëve ndërkombëtarë, KPK duhet të shpallë konkursin e ri për Kryeprokuror të Shtetit dhe të sigurojë një proces meritor dhe transparent, në mënyrë që emri i Kryeprokurorit të ri të Shtetit të dalë nga një proces me integritet të pakontestuar.

    Vendimi i Presidentes së Republikës së Kosovës konfirmoi gjetjet e kualicionit të OJQ-ve që monitoruan procesin e përzgjedhjes së kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit. Sipas koalicionit të OJQ-ve, procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka siguruar meritokraci, objektivitet dhe se kandidatët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë, çka sipas koalicionit ky proces është shoqëruar me shkelje të shumta të procedurave.

    Ndaj këtij procesi, kishte reaguar Ambasada Amerikane, ajo Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces. Duhet rikujtuar se integriteti i këtij procesi ishte cenuar qysh në fillim, pasi ishin tërhequr edhe nga monitorimi Ambasada Britanike, e cila ishte injoruar për dy muaj nga KPK dhe Kryeprokurori i Shtetit.

    Për më tepër edhe Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2022 ka theksuar zhgënjimin e ambasadave dhe shoqërisë civile për mungesën e drejtësisë, transparencës dhe parimeve të meritës në procesin e zhvilluar nga KPK.

  • Arrestohet në flagrancë i dyshuari për grabitje në një barnatore në Prishtinë

    Arrestohet në flagrancë i dyshuari për grabitje në një barnatore në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka arrestuar në flagrancë një person të dyshuar për grabitje në një barnatore sot rreth orë 10:30, në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

    Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    “Sot rreth orë 10:30, nga zyrtarët policor të stacionit Jugu në Prishtinë, është arrestuar një person, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se është përfshirë në një rast të grabitjes së mbetur ne tentativë. Personi i dyshuar është arrestuar në flagrancë, në një barnatore në lagjen Ulpiana në Prishtinë”, ka thënë Ahmeti, për Betimi për Drejtësi.

    Ajo bëri të ditur se ndaj ndaj tij kanë filluar procedurat nevojshme policore në koordinim me prokurorin e shtetit, i njëjti dyshohet të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera të natyrës së njëjtë.

  • ​Konferenca për Siguri “Cyber ZERO ll”, theksohet rëndësia e sigurisë kibernetike

    ​Konferenca për Siguri “Cyber ZERO ll”, theksohet rëndësia e sigurisë kibernetike

    Për herë të tetë në Prishtinë po mbahet Konferenca për Siguri Kibernetike dhe Privatësi “Cyber ZERO ll”. Kjo konferencë bën bashkë përfaqësues të rajonit, ekspertë të vendeve të ndryshme të cilët flasin për rëndësinë e sigurisë kinernetike.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se shembujt e sulmeve kibernetike tregojnë fuqinë dhe impaktin alarmues, për çka shtoi se duhet të investohet për mbrojtje.

    Ai tha se vizioni i Qeverisë së Kosovës është të krijojë mjedis mjedis kibernetik të sigurt për gjithë, duke shtuar se ky vision është paraqitur edhe përmes Strategjisë Kombëtare për Siguri Kibernetike 2023-2027.

    “Vizioni dhe synimi i Qeverisë së Kosovës është të krijojë një mjedis kibernetik të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë, duke parashikuar dhe zvogëluar rreziqet si dhe duke zhvilluar aftësitë dhe kapacitetet për të trajtuar çështjet e sigurisë kibernetike. Ky vizion është paraqitur përmes strategjisë kombëtare për siguri kibernetike 2023-2027. Kjo strategji fokusohet në ndërtimin e kapaciteteve ligjore dhe institucionale, promovimin e ndërgjegjësimit, zhvillimin e sektorit privat, bashkëpunimin ndërkombëtar, zhvillimin e kapaciteteve dhe avancimin e kapaciteteve hetuese dhe ushtarake në fushën e sigurisë kibernetike”, deklaroi Sveçla.

    Ndërkaq, ish-kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tregoi rastin e sulmit kibernetik gjatë vitit 2022, i cili pati pasoja të mëdha.

    Ai tha se si pasojë e këtij sulmi ishin shpërngulur mijëra dokumente prej sajteve të qeverisë dhe se ishin bllokuar shumica e agjensioneve.

    “Për fat të keq Mali i Zi ka pasur një sulm jashtëzakonisht të madh në gusht të vitit 2022, i cili është vazhduar edhe në shtator të të njëjtit vit. Në atë moment, me mijëra dokumente janë shpërngulur prej sajteve të ndryshme të qeverisë, janë bllokuar shumica e agjencioneve dhe në atë moment e kemi kuptuar se sulmet moderne apo lufta moderne do të bëhen përmes digjitalizimit…Mali i Zi është ballaquar me situatë të cilën nuk ka mundur ta përballojë edhe në atë moment kemi pasur kërkesa ndaj faktorit ndërkombëtar për të na ndihmuar. Tre grupe ekspertësh kanë ardhur në Mal të Zi, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Francës”, shtoi Abazoviq.

    Ai shtoi se për herë të parë kanë krijuar një qendër rajonale për siguri kibernetike.

    Ndërkaq, kryetari i Shoqatës Kibernetike Shqiptare, Tanzer Abazi tha se gjatë këtyre dy ditëve do të jenë të ftuar kompani të cilët flasin për sigurinë kibernetike.

    “Në këtë konferencë, të gjithë ata që kanë kontribuar sa do pak në ngritjen e vetëdijes, në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, të gjithë ata kanë pasur arsye qe të promovohen. Jam i lumtur që i kemi 60 folës dhe gjithmonë tentojmë të kemi karakter rajonal, të marrin ekspërienca nga gjitha vendet e rajonit, kemi përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës, Bosnjes dhe më gjerë”, tha ai.

    Në anën tjetër, Zëdhënësja e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Katherine Judd, në fjalën e saj, tha se një nga sfidat më të mëdha aktuale është siguria kibernetike.

    Judd tha se qëllimi i kësaj konference është të lehtësohet një mjedis ku mund të ndahen praktikat më të mira si dhe të shkëmbehen ide për të gjetur zgjidhje inovative për adresimin e sfidave urgjente të sigurisë kibernetike në Kosovë.

    “Qëllimi ynë është të lehtësojmë një mjedis ku ju mund të ndani praktikat më të mira, të shkëmbeni ide dhe të punoni së bashku për të gjetur zgjidhje inovative për adresimin e sfidave urgjente të sigurisë kibernetike në Kosovë. Kështu që unë shpresoj se kjo mund të shërbejë si një platformë për zgjidhjen proaktive të problemeve, duke fuqizuar të rinjtë dhe njerëzit me prejardhje të ndryshme dhe duke forcuar mbrojtjen tonë kolektive kundër kërcënimeve kibernetike”, tha ajo

    Kjo konferencë do të zgjasë dy ditë, ku do të diskutohet për kapacitetet e Kosovës për siguri kibernetike. /kp

  • ​Hendboll/ Vashat e Kosovës U18 me synime të larta për Kampionatin Botëror

    ​Hendboll/ Vashat e Kosovës U18 me synime të larta për Kampionatin Botëror

    Kombëtarja e Kosovës në Hendboll për grupmoshat U18 ka shënuar një sukses historik. Ato kanë siguruar kualifikimin për në Kampionatin Botëror të Hendbollit që zhvillohet këtë vit në Kinë Kjo është hera e parë që kjo gjeneratë arrin të kualifikohet në këtë kompeticion kaq të rëndësishëm të hendbollit në botë.

    Një sukses i tillë a kë bërë shumë të lumtur trajnerin e kësaj kombëtareje, Mitat Ferati i cili në konferencë për media ka thënë se pas kualifikimit, ata synojnë paraqitje sa më dinjitoze në këtë kampionat.

    “Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e kësaj historie që kanë shkruar vajzat tona, mirëpo kjo histori besoj që nuk përfundon këtu. Ne do të mundohemi me të gjitha forcat tona dhe angazhimin tonë që në Kinë ku e përfaqësojmë Kosovën që të jemi kundërshtar sa më i dinjitetshëm për çdo ekip që do ta kemi në grup…Fal angazhimit të pashoq të lojtarëve dhe stafit ndihmës timin kemi arritur një qëllim historik që ta përfaqësojmë Kosovën në këtë kampionat botëror. Unë jam krenar që vashat tona kanë qenë një kundërshtar i dinjitetshëm atje dhe e kanë përfaqësuar Kosovën shumë dinjitetshëm”, tha Ferati.

    Për kapitenen e skuadrës, Sara Gjergjaj, puna e vështirë fillon tani. Ajo ka thënë se duhet nisur punën menjëherë në mënyrë që në Botërorin e Kinës Kosova ta paraqitet sa në fuqishme përballë kundërshtarëve.

    “Ne vetëm po duam të japim sa më shumë që të mundemi. E dimë vet se jemi pak se hendbolli që është në Kinë është më i fortë se sa që e kishim në këtë turne, është hendbolli i Evropës, hendbolli më i miri, por prapë se prapë do të ushtrojmë sa më shumë sepse do të jemi në Kinë dhe të japim sa më shumë që mundemi dhe ta luajmë lojën sikur dimë”, nënvizoi Gjergjaj.

    I kënaqur me suksesin e vashave të Kosovës U18 u shpreh edhe presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraqini.

    Kampionati Botëror i Hendbollit do të mbahet në Sugju të Republikës Popullore të Kinës nga 14 deri më 25 gusht të vitit 2024.

  • Begaj: Baza në Kuçovë shërben për sigurinë e rajonit

    Begaj: Baza në Kuçovë shërben për sigurinë e rajonit

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj është shprehur se rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së Shqipërisë.

    “Rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës, shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e të gjithë rajonit tonë. Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes. Nga kjo bazë, ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive”, ka thënë Begaj.

    Ai ka falenderuar aleatët për mbështetjen e Shqipërisë.

    “Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë. Baza Ajrore Taktike e NATO-s, e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt. Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje ushtarake, është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin, dhe parimet e vlerat demokratike që ne, si aleatë të NATO-s, ndajmë së bashku.

    Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar. NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës. Për Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, një investim strategjik në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur ndër vite. Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar. Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera, terrorizmi, si dhe kërcënime të tjera përbëjnë sfida për interesat dhe vlerat që përfaqëson bashkësia euroatlantike”, shtoi Begaj.

    Presidenti i Shqipërisë po ashtu shprehi shqetësimez se konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. “Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më. Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten, dhe për të kontribuar në Aleancë për garantimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit. Ndaj, Baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s, për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme.

    Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon e më gjerë. Rritja e buxhetit për mbrojtjen, modernizimi i forcave tona të armatosura, rritja e kapaciteteve mbrojtëse dhe fuqizimi i kapaciteteve njerëzore janë domosdoshmëri”, tha ai.