ATV

Author: ATVLive

  • Vdes një ushtar turk i KFOR-it

    Vdes një ushtar turk i KFOR-it

    KFOR-i ka njoftuar se sot ka vdekur në gjumë një ushtar turk i KFOR-it, që ishte në Ekipin Monitorues Ndërlidhës të Gjilanit. KFOR ka thënë se ushtari ka vdekur në gjumë dhe shkaqet e sakta të vdekjes së tij nuk janë bërë të ditura.

    “Ushtari shërbeu me dallueshmëri dhe kontribuoi me shërbimin e tij të përditshëm në përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovës. Përkushtimi i tij ndaj misionit gjithmonë do të mbahet në mend dhe do të nderohet”, ka thënë KFOR.

    KFOR ka treguar se janë njoftuar familjarët e të ndjerit.

    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, ka ofruar ngushëllime.

    “Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje tragjike. Mendimet e mia janë me familjarët dhe shokët e ushtarit të vdekur. Humbja e tij ndihet në gjithë komunitetin e KFOR-it. Ne do ta nderojmë kujtimin e tij me angazhimin tonë të palëkundur për misionin e KFOR-it”, ka thënë Ulutash.

  • Përurohet bursa shqiptare e energjisë, bashkohen tregjet Kosovë-Shqipëri

    Përurohet bursa shqiptare e energjisë, bashkohen tregjet Kosovë-Shqipëri

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përfundimisht, pas një serie vonesash, Kosova përuroi funksionalizimin e Bursës Shqiptare të Energjisë ALPEX dhe bashkimin e tregjeve energjetike me Shqipërinë.

    Hapja e zonës ofertuese të Kosovës në “tregun një ditë para”, u bë gati një vit pas asaj të Shqipërisë.

    Krahas vlerësimit “moment historik për sektorin e energjisë”, kryeministri Albin Kurti tha se funksionalizimi i ALPEX-it do të ndihmojë në rritje të konkurrencës dhe në zhvillim.

    Lansimi i bursës dhe bashkimi i tregjeve të dy vendeve në ditën e njëjtë, sipas kryeshefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, e bën unik ALPEX-in.

    Në vlerësim e drejtores së USAID-it në Kosovë, ky hap, mes tjerash, mund të ndikojë në rritjen e sigurisë së furnizimit, integrimin energjetik rajonal e evropian, si dhe shtim eventual të investimeve.

    “Kemi mbështetur këtë iniciativë për bashkimin e tregjeve, duke ditur se integrimi rajonal është kyç për sigurimin e një të ardhme të pastër, sigurt dhe efiçiente të energjisë në Kosovë. ALPEX, veçmas, do të stimulojë konkurrencën, do t’i ndikojë çmimet dhe do t’i zgjerojë opsionet e zgjedhjes për konsumatorët”, tha Eileen Devitt, drejtore e misionit të USAID-it në Kosovë.

    Krahas bilanceve të tregtimit, në ceremoni u prezantuan edhe shkëmbimet e ditës Kosovë-Shqipëri.

    Hapi i radhës i synuar nga institucionet e Kosovës është funksionalizimi i “tregut brenda ditës”.

    Bursa Shqiptare e Energjisë – ALPEX është shoqëri aksionare në bashkëpronësi të Operatorëve të Sistemeve të Transmisionit të Kosovës dhe Shqipërisë, KOSTT dhe OST, e themeluar në bazë të marrëveshjes ndërmjet tyre më 2020.

  • Punimet në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, Kurti e Aliu në terren

    Punimet në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, Kurti e Aliu në terren

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Afro një muaj nga rifillimi i punimeve në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, ka filluar asfaltimi i segmentit Lumë i Madh – Maxhunaj.

    Punimet në rrugën që nisi të rregullohej mbi një dekadë më parë, të hënën doli t’i përcjellë kryeministri Albin Kurti bashkë me Ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu.

    Për zvarritje të këtij projekti, i pari i Qeverisë nuk la pa akuzuar pushtetet e kaluara.

    “Në të kaluarën ka pasur plane të dobëta, përgatitje të pakta e zvarritje të gjata, dhe me qeverisjen aktuale ka plane të hollësishme dhe punët janë të rregullta sipas procedurave, ligjit me mbikëqyrje dhe me shpejtësi ku nuk do të mungojë angazhimi ynë, por edhe mbikëqyrja e këtyre kompanive si operatorë ekonomikë që i zbatojnë punët”, tha Kurti.

    Teksa foli për intensitetin e punimeve, ministri Aliu nuk la pa përmendur edhe vëmendjen që ia kanë kushtuar rëndësisë së cilësisë.

    “Po bëhet fjalë për një segment prej 9.78 km dhe të dyja bashkë edhe kompani mbikëqyrëse edhe ajo që ka fituar punën kanë marrë seriozisht rëndësinë e veprimit sa më cilësor dhe të shpejtë, në mënyrë që të kemi sa më shpejt zgjidhje të problemit për segmentin nga pjesa e Vushtrrisë deri te Lumi i madh ku jemi këtu”, tha Aliu.

    Në rregullimin e kësaj rruge të gjatë afro 10 kilometra, iu dha një konsorciumi pjesë e të cilit janë kompani nga Kosova e Bullgaria, të dyja të mbikëqyrura nga një kompani austriake.

    Sipas Ministrisë, punët ndërtimore përfshijnë zgjerimin e rrugës ekzistuese, me katër korsi, me dy drejtime të ndara, me korsi secila prej 3.75m gjerësi, e po ashtu edhe me korsi ndihmëse në të dyja anët me gjerësi prej 2.0m, si dhe objekte ndihmëse dhe struktura të tjera infrastrukturore.

  • Rrahje fizike dhe plagosje me armë në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë

    Rrahje fizike dhe plagosje me armë në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Paraditja e së hënës nuk ishte e qetë për banorët e lagjes së Muhaxhirëve në Prishtinë.

    Siç kuptoi televizioni, i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë dhe u lirua nga Qendra Klinike Universitare gjatë ditës.

    Ndërkaq, përgjatë rrugës “Bedri Shala”, ku ndodhi incidenti mes 3 personave, ka ende njolla gjaku.

    Derisa policia nuk ka dhënë detaje për të dyshuarit, incidenti që u përcoll me shkrepje armësh i kishe shqetësuar banorët.

    Por, shkaqet që çuan te konflikti, ku u plagos edhe një person, ende nuk dihen.

    Mirëpo, Policia dhe Prokuroria po i vazhdojnë hetimet.

  • Konferenca “Cyber Zero”, Kosova synon të mbrohet nga sulmet kibernetike

    Konferenca “Cyber Zero”, Kosova synon të mbrohet nga sulmet kibernetike

    Përgatiti: Armand Hoti

    Në gusht të vitit 2022, Malit të Zi, iu cenua siguria kibernetike, duke dëmtuar mes tjerash paltformat e Qeverisë dhe duke rrezikuar sistemin bankar.

    Shteti bregdetar, atë verë iu desh të kërkonte edhe ndihmën e miqve për t’i shpëtuar sulmit kompjuterik.

    “Mali i Zi është ballafaquar me situatë të cilën nuk ka mundur ta përballojë edhe në atë moment kemi pasur kërkesa ndaj faktorit ndërkombëtar për të na ndihmuar. Tre grupe ekspertësh kanë ardhur në Mal të Zi, prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Francës”, tha ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

    Ndërkaq, për t’iu shmangur sulmeve të mundshme kibernetike, Ministri Xhelal Sveçla, tha se institucionet po punojnë në ruajtje të paqes kibernetike. Këtë e tha, në konferencën “Cyber ZERO”, që po mbahet për herë të parë në Prishtinë.

    “Vizioni dhe synimi i Qeverisë së Kosovës është të krijojë një mjedis kibernetik të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë, duke parashikuar dhe zvogëluar rreziqet, si dhe duke zhvilluar aftësitë dhe kapacitetet për të trajtuar çështjet e sigurisë kibernetike. Ky vizion është paraqitur përmes strategjisë kombëtare për siguri kibernetike 2023-2027”, tha Sveçla.

    Zëdhënësja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Katherine Judd, tha se kjo konferencë shërben për të mësuar rreth praktikave më të mira, që do siguronin një të ardhme të sigurt kibernetike.

    “Unë shpresoj se kjo mund të shërbejë si një platformë për zgjidhjen proaktive të problemeve, duke fuqizuar të rinjtë dhe njerëzit me prejardhje të ndryshme dhe duke forcuar mbrojtjen tonë kolektive kundër kërcënimeve kibernetike”, tha Judd.

    Kjo konferencë do të zgjasë dy ditë dhe do të marrin pjesë rreth 60 folës.

  • Baza e NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë, siguri për gjithë rajonin

    Baza e NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë, siguri për gjithë rajonin

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Me shfaqje avionësh Euro-Fighter F200, F-16 si dhe helikopterësh Black Hawk, Shqipëria përuroi bazën taktike ajrore në NATO-s, në Kuçovë.

    Për renovimin dhe vënien në funksion të kësaj baze, që gjenden në atë që dikur njihej si “Qyteti i Stalinit”, Aleanca Veri-Atlantike investoi rreth 50 milionë euro, ndërsa Qeveria e Shqipërisë rreth 5 milionë të tjera.

    Baza që shtrihet në një hapësirë prej 350 hektarësh dhe e cila do të jetë qendër mbështetëse operacionale dhe stërvitore, vlerësohet e rëndësisë strategjike.

    Shpresa e Qeverisë shqiptare është që investimi i radhës madhor në fushën e mbrojtjes të jetë baza e re detare e NATO-s në Durrës.

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, foli për rëndësinë e bazës, në kontekstin e zhvillimeve globale në fushën e sigurisë, mbrojtjes, si dhe stabilitetit në rajon.

    Përfaqësues të NATO-s vlerësuan se baza në qytezën e vogël në qarkun e Beratit, është një stacion modern dhe i rëndësishëm për operacionet e aleancës.

    “Këto instalime ndihmojnë të kemi më tepër mundësi e gatishmëri ushtarake. Pikësëpari e mbi të gjitha, duhet të jemi e do të jemi të gatshëm jo vetëm për këtë, por edhe për planet dhe operacionet e NATO-s. Kjo do të kontribuojë në përpjekjen e përgjithshme të parandalimit dhe për të dëshmuar veprimin e pandalshëm të NATO-s për siguri e paqe”, tha gjenerallejtënanti i NATO-s, Juan Pablo Sanchez De Lara.

    Në ceremoninë inauguruese mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.

    Në një reagim, presidentja Vjosa Osmani mirëpriti inaugurimin e bazës, duke thënë se ajo shërben në rritjen e sigurisë në rajon dhe më gjerë.

    Ndërkaq, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, krahas urimit për Shqipërinë, kritikoi Qeverinë për qasjen e saj në raport me integrimin në NATO.

  • Blerim Olluri merr detyrën e Rektorit të Kolegjit AAB

    Blerim Olluri merr detyrën e Rektorit të Kolegjit AAB

    Sot në Kolegjin AAB, Dr. Blerim Olluri pranoi detyrën e Rektorit të Kolegjit AAB.

    Detyrën ia dorëzoi, Rektori i deritanishëm Dr. Lulzim Tafa, i cili me këtë rast i uroi suksese në emër të institucionit, Këshillit Drejtues dhe të gjithë stafit të Kolegjit AAB.

    Rektori Olluri u shpreh se është i nderuar për mundësinë e dhënë, teksa shtoi se ndihet i privilegjuar të mbaj këtë pozitë në institucionin më kredibil dhe më të avancuar të arsimit të lartë në Kosovë dhe jashtë saj.

    Rektori i deritanishëm, Prof. Lulzim Tafa dhe bashkëpuntorët e tij, uruan Rektorin e ri, duke e siguruar se do ta ketë përkrahjen e te gjithë stafit të Kolegjit AAB, në përmbushjen e objektivave të tij, të paraqitura para Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB.

  • Një autobus me 20 studentë aksidentohet në Kroaci

    Një autobus me 20 studentë aksidentohet në Kroaci

    Një autobus që po transportonte studentë është aksidentuar sot pak pas mesditës në një kanal rrugor në Sisçan, një vendbanim jo shumë larg Çazmës, në Kroaci.

    Sipas një fotoje të publikuar në një faqe në Facebook, siç raportin mediumi kroat “Mojportal.hr”, autobusi është “mbështetur” në një shtyllë.

    Thuhet se studentët kanë zbritur menjëherë nga autobusi dhe përveçse në gjendje shoku, askush nuk është lënduar rëndë.
    Në terren përveç policisë ka dalë edhe një autoambulancë.

    Drejtori i kompanisë së autobusit ka bërë të ditur se ai ka tentuar t’i ikë një veture i cili i kishte prerë kthesën atij dhe si rezultat autobusi kishte rrëshqitur.

  • Caktohet takimi mes Orbanit dhe Trumpit

    Caktohet takimi mes Orbanit dhe Trumpit

    Kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban, do të takohet me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të premten, më 8 mars në Florida, pak pasi ai haptazi mbështeti aleatin e tij të kamotshëm në përpjekjet e tij për të fituar zgjedhjet presidenciale amerikane që mbahen më vonë gjatë këtij viti.

    Orban, politikan i krahut të djathtë i cili vazhdimisht konfrontohet me Bashkimin Evropian për shkak të fushatave të tij kundër migrantëve dhe për shkak të vendimeve që kanë vendosur gjyqësorin, organizatat joqeveritare dhe mediat nën kontrollin e shtetit, është përshkruar nga Trumpi si “lider i madh”.

    Politikat konservatore të Orbanit sa i përket familjes kanë bërë që ai të vlerësohet nga figurat populiste në SHBA dhe Hungaria viteve të fundit ka mbajtur takimet e Konferencës Konservatore për Veprim Politik (CPAC).

    Muajin e ardhshëm, për herë të tretë do të mbahet kjo konferencë.

    Kryeministri hungarez, që ka refuzuar të dërgojë armë në Kiev dhe ka mbajtur raporte të ngushta tregtare me Rusinë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, vazhdimisht ka thënë se vetëm me kthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund të arrihet paqja në Ukrainë.

    “Nuk është kumar, por është të vësh bast në shansin e vetëm të arsyeshëm dhe ne në Hungari vëmë bast për rikthimin e presidentit Trump”, tha Orban gjatë një forumi ekonomik të hënën.

    “Shansi i vetëm për botën që të ketë një marrëveshje relativisht të shpejtë të paqes është ndryshimi politik në SHBA, dhe kjo lidhjet me atë se kush është president”.

    Trump, që po garon për një mandat presidencial, shkaktoi zemërim në mesin e aleatëve perëndimorë muajin e kaluar pasi sugjeroi se SHBA-ja mund të mos mbrojë aleatët e NATO-s që nuk shpenzojnë mjaftueshëm në mbrojtje nga një pushtim i mundshëm rus.

    Orban ka deklaruar se zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti dhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor do të jenë thelbësore pasi konservatorët në Evropë dhe SHBA-ja duhet të luftojë së bashku për të “ripushtuar” institucionet në Uashington dhe Bruksel nga liberalët, të cilët, sipas Orbanit, kërcënojnë civilizimin perëndimor.

    Orban, që është në pushtet që nga viti 2010, është përballur me tensione me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, kryesisht për shkak të zvarritjes së miratimit të pranimit të Suedisë në NATO.

    Pas një vonese të gjatë, javën e kaluar Parlamenti hungarez miratoi pranimin e Suedisë në NATO dhe legjislacioni pritet të nënshkruhet nga presidenti hungarez gjatë kësaj jave.

  • Sveçla: Ishte e vështirë të besohet për një reagim shumë të dobët të BE-së ndaj aktit të kryer nga Serbia më 24 shtator

    Sveçla: Ishte e vështirë të besohet për një reagim shumë të dobët të BE-së ndaj aktit të kryer nga Serbia më 24 shtator

    Në pjesën e tretë në kuadër të konferencës ”Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik” u zhvillua diskutim lidhur me luftën dhe Diplomacinë e Mbrojtjes raporton Ekonomia Online.

    Oleksy Goncharenko, deputeti i parlamentit të Ukrainës në asamblenë parlamentare në këshill të Evropës, tha se Lufta Ukrainë-Rusi është një shkelje flagrante.

    “Rregullat e lojës, rëndësia është një gjë që na mundëson të shohim legjitimitet global, sa i përket G7 dhe G20 dhe grupacioneve tjera. Këto janë rritur sa i përket rëndësisë së tyre edhe pse kontributi i tyre drejtpërdrejt, kërkojnë një bashkëpunim multilateral që është nën presion. Lufta Ukrainë-Rusi është një shkelje flagrante, Këshilli i Evropës nuk ka pas mundësi të kontaktojë këtu por ka biseduar me Asamblenë e Përgjithshme” tha Oleksy Goncharenko.

    Tutje, ai tha se fuqizimi i politikës globale të BE-së, ka qenë afatgjate, karakteri i BE si një akter për mbrojtje është fuqizuar.

    “ Ukraina ka nevoja të mëdha është ofruar ndihmë, kjo është bërë përmes rikuperimit të brendshëm. . Politika e zgjerimit të BE-së është zgjeruar ka fituar një për Moldavinë, Finlandën drejt anëtarësimit të tyre në BE. Si anëtare e NATO-s, Finlanda do kontribuojë, në të drejta të njeriut, liri dhe demokraci”, shtoi deputeti ukrainas.

    Ndërsa ish-ministrja e mbrojtjes, Mimi Kodheli në pamundësi për te qenë pjesë e panelit, përmes një video-mesazhi, ndër tjera tha se shqiptarët të jenë të unifikuar për të biseduar për vlera evropiane.

    “Duhet të jemi të bashkuar jo vetëm si shqiptarë por me të gjitha vendet vlerat të cilët dëshirojnë t’i shohin një të ardhme me të mirë, për të pasur një zhvillim. Nënë Tereza ka thënë “jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Cilat janë nevojat dhe kërkesat për qytetaret tanë, t’i mbajmë të sigurt brenda dhe jashtë”, tha Kodheli.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri një kronologji të sulmeve në veri, derisa tha se Kosova është treguar e suksesshme, duke iu referuar si storie suksesi pas intervenimit të NATOS në vend.

    “Serbia ka rol destruktiv në raport me Kosovën, nuk është vetëm Kosova por edhe Bosnja për shkak të rolit destruktiv të mbështetur nga Serbia. Nëse Mali i Zi nuk do ishte pjesë e NATOS çfarë mendimi do kishin malazezët për sigurinë, kjo është një argument se demokracia duhet të mbrohet, por ajo se çka është me rëndësi është se Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së tani”, tha Sveçla.

    “Me intervenimin e NATO-së, Kosovë paraqet një lëvizje demokratike, shtetet u bashkuan për të shërbyer në mbrojtjen e jetëve të njerëzve. Fal kësaj Kosova paraqet një histori suksesi suksesi. Ne jemi dëshmitar të shumë sfidave që po përballemi aktualisht, tre ditë para invazionit rus isha në një takim në Vjenë, ministra të punëve të brendshme dhe besohej se nuk do ndodhnin agresione, ndonëse indiciet ekzistonin se do sulmonin Ukrainën”, tha Sveçla.

    Ministri e potencoi se mobilizimi nga bota demokratike ishte i vonshëm, megjithëse ishte për tu duartrokitur. Gjithashtu, ai tha se Serbia dhe Rusia po e shfrytëzojnë njëra-tjetrën dhe kjo është një lloj hegjomonie.

    Sveçla veçoi edhe reagimin siç e quajti “të dobët” nga ana e BE-së, pas sulmit në veri të Mitrovicës.

    “Ishte vështirë, po ashtu të besohet për një reagim shumë të dobët të BE-së ndaj këtij akti kryer nga Serbia. Ky lloj reagimi erdhi qe me 24 shtator të këtë një sulm terrorist duke bërë një invazion në Kosovë, skenar i përgatitur nga Serbia. Fatkeqësisht ende nuk kemi një veprim nga BE ndëshkuar Serbinë për këtë akt. Unë vërtetë besoj se pasiguria vjen nga aktet aventureske të Serbisë ndaj Kosovës. Ky është ballafaqim i vlerave, duhet të mobilizohemi për atë se çka duhet të arrijmë dhe të rrisim standardet tona. Në vitin 2008 Serbia ishte në harmonizim me sigurinë, sot ka renë në 95% ”, tha Sveçla.

    E Përfaqësuesi i përhershëm i Dialogut të FES, në Evropën Juglindore, Renee Schlee, tha se shtetet që duan të anëtarësohen në BE duhet të komunikojnë dhe të shërbëj si një urë për anëtarësim.

    Schlee nuk u pajtua me ministrin Sveçla për deklaratën se Serbia dhe Rusia e shfrytëzojnë njëra-tjetrën. “Kanë mënyra të njëjta funksionimi, por mund të mësohej shumë nga agresioni rus”, tha ai.

    “Ne nga FES se kemi disa faktorë por ata qe dominojnë janë Qeveria Serbe nën udhëheqjen e Vuçiç. E kuptoj këtë dhe mendoj se ka shumë të vërtetë por nga pikëpamja ime nuk besoj se Serbia është klient i Serbisë. Pra ka ngjashmëri që janë të rëndësishme kemi konceptin e botës ruse. Mandel e përmendi se se secili parlament ka të bëjë me prioritet, kemi nevojë për shkëmbime. Rasti i Finlandës dhe Suedisë në Nato, parlamentarët duhej të votonin, unë sugjeroj të kemi një themel për integrimin e Kosovës në NATO’.

    Ai tha se si fondacion mbështesin dhe presin çdo shtyrje sepse BE-ja nuk do e meritonte atë emër pa shtetet që janë anëtare të saj.
    “BE-ja është akter gjeopolitik, NATO dhe anëtarësimi në NATO është konsideruar si çështje e dytë. Besimi se çka po sjell Kosova në tavolinë, Kosova mund të bëjë shumë në veprimet e kërkim-shpëtimit për një strategji, shërbimi për përgatitje”, tha Schlee.

    Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxha tha se veriu i Kosovës paraqet një kërcënim jo vetëm për Kosovën por për të gjitha shtetet demokratike

    “Kishim një situatë në veri ku pamë akte të dhunës e pastaj një akt terrorist në shtator të vitit të kaluar, pse dhe çfarë po ndodh? Duhet ta kuptojmë, Serbia po tenton ta bëjë pikë të sigurisë veriun dhe kjo është një sfidë e madhe jo vetëm për Kosovën, por edhe sigurinë e rajonit sepse nëse kjo ndodh, duhet të pyesim veten çfarë po bëjmë dhe ku po gjendemi. A po krijojmë një vakum pushteti, aty ku njerëzit jetojnë në veri, kjo për mua paraqet një rrezik të madh për siguri. Duhet të ketë një proces politik, zgjedhjet në veri, integrimi i serbëve në institucionet tona”, tha Hoxha.

    Ish-ministri i jashtëm në diskutim e sipër dha një kritikë Qeverisë aktuale për faktin se sipas tij, Qeveria nuk ka një mbështetje aq sa duhet nga vendet fqinje.

    “Gjithmonë e kam kuptuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si instrument që rajonin do ta bëjë më të sigurt. Ministri Sveçla nuk e përmendi, sipas meje pika e tretë ne duhet ta përfundojmë shtet-ndërtimin e Kosovës. Kjo ka të bëjë me paqen rajonalë, sigurinë, shikueshmërinë. Nëse Serbia nuk është e gatshme ta bëjë këtë, nuk do ketë njohje, marrëveshje, për ne duhet ta kemi planin B, ky është të mbështetet Kosova të ketë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim”.

    Hoxhaj tha se nuk ka qenë e lehtë të jesh pjesë e planit të Ahtisarit e as në dialog me Eshton por ka pasur disa përfitime.