ATV

Author: ATVLive

  • Rrahja brutale, Lepenci e fiton lojën me rezultat 0:3 në tavolinë

    Rrahja brutale, Lepenci e fiton lojën me rezultat 0:3 në tavolinë

    Lepenci e ka fituar me rezultat zyrtar, 0:3 ndeshjen me plot incidente ndaj Sharrit.

    Futbollistët e ekipit nga Kaçaniku u sulmuan fizikisht nga lojtarët vendës në Han të Elezit, ndërsa minibusi i tyre u sulmua me gurë nga tifozët vendës.

    Dhe sot, Lepenci njofton se Komisioni i Garave i Ligës së Dytë ka vendosur që ndeshja e ndërprerë mes këtij klubi dhe Sharrit, të regjistrohet me rezultat zyrtar 0:3.

    Ndërkohë, për klubin e Sharrit priten dënime të tjera pas lëshimeve të mëdha në organizim të lojës.

  • ​Xhaka: Nuk duhet të na përsëritet ajo që më ndodhi me Arsenalin

    ​Xhaka: Nuk duhet të na përsëritet ajo që më ndodhi me Arsenalin

    Granit Xhaka nuk merr asgjë si të mirëqenë pas përvojës së tij me Arsenalin, pavarësisht epërsisë prej 10 pikësh të Bayer Leverkusen në krye të Bundesligës.

    Xhaka ka luajtur një rol kyç në ecurinë e jashtëzakonshme të pamposhtur të Leverkusenit drejt titullit. Leverkusen ka krijuar distancë prej 10 pikësh por mesfushori zviceran është i kujdesshëm dhe i frikësohet ndonjë kapitullimi, një fat që ai pati sezonin e kaluar me Arsenalin pasi “Topçinjtë” ia dorëzuan Manchester Cityt titullin e kampionit.

    Duke folur për “ESPN” pas fitores 2-0 të së dielës ndaj Kolnit me 10 lojtarë, Xhaka tha: “Ne duhet të jemi krenarë për pozicionin tonë, por asgjë nuk është fituar ende, po flas nga përvoja ime e sezonit të kaluar në Arsenal. Ne kishim një avantazh të ngjashëm me pikët ndaj ekipit të dytë dhe ne nuk e fituam ligën, kështu që unë e di këtë përvojë dhe e kam ndarë me dhomën e zhveshjes. Dhjetë pikë janë shumë kur të mbeten 10 ndeshje, por kanë mbetur edhe 30 pikë të marrë kështu që nuk ka mbaruar”, ka thënë Xhaka, përcjellë KosovaPress.

    Arsenali kishte tetë epërsi ndaj Cityt në një fazë në sezonin 2022-2023 përpara një kolapsi në fund të sezonit. “Topçinjtë” ishin në krye ta tabelës për 248 ditë gjatë sezonit.

    Jo befasisht, Xhaka do të jetë i etur për të shmangur një përsëritje të tillë. Me fitoren ndaj Kolnit, Leverkusen rriti epërsinë e tyre në renditje në 10 pikë pasi Bayern u ndal me barazim nga Freiburgu të premten mbrëma .

  • Maqedonci pas hapjes së bazës ushtarake në Kuçovë: Është mesazh i NATO-s për Ballkanin Perëndimor

    Maqedonci pas hapjes së bazës ushtarake në Kuçovë: Është mesazh i NATO-s për Ballkanin Perëndimor

    Në Kuçovë të Shqipërisë sot është bërë përurimi i bazës ushtarake të NATO-s. Në ceremoninë e përurimit ka marrë pjesë edhe ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.

    Maqedonci tha se përurimi i kësaj baze është mesazh i NATO-s për Ballkanin Perëndimor.

    “Vlerësoj që për Shqipërinë në veçanti, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor ka rëndësi të madhe strategjike prezenca e një baze të tillë taktike ajrore në Shqipëri. Veçanërisht për të krijuar një ambient të sigurt në Ballkanin Perëndimor, por në të njëjtën kohë për të frenuar rrezikun që mund të vijë nga kundërshtarët e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai për Ora News.

    Ai gjithashtu ka folur edhe për dronët Bayraktar, ku siç tha ministri tashmë janë të domosdoshëm për ushtritë modern.

    “Droni Bayraktar është sistem modern, tërësisht detyra e tij është vëzhgimi por kryen edhe operacione sulmuese. Është një mjet i cili është parë që është i suksesshëm. Është i domosdoshëm për ushtritë modern”, theksoi ai.

    Ndryshe, hapja e bazës ajrore taktike në Kuçovë u mbyll me një fluturim të avionëve luftarak italian të NATO-s dhe nga helikopterët e Ushtrisë Shqiptar Black Hawk, që u ndoq nga të pranishmit.

    Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës sonë Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.

  • QMF-të në Prishtinë prej nesër nuk do të kenë shërbimet higjienike, shkak skadimi i kontratës së kompanisë

    QMF-të në Prishtinë prej nesër nuk do të kenë shërbimet higjienike, shkak skadimi i kontratës së kompanisë

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, ka thënë se nga nesër qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë nuk do të kenë shërbime higjienike sepse kompanisë aktuale i ka skaduar kontrata sot.

    Azemi tha se disa herë kanë punuar pa kontrata mirëpo komuna nuk është përgjigjur për pagesa.

    “Nga nesër qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë nuk do të kenë shërbime higjienike fare , pasi që kompanisë aktuale sot i skadon kontrata ,dhe ne disa her kemi punuar edhe pa kontrata me qëllim që pacientëve tu lehtësojmë vizitat e tyre në qmf , por komuna asnjiher nuk është përgjigjur për pagesën tonë , andaj ftoj të gjithë punëtorët teknik në qmf e Prishtinës që mos të kryejnë asnjë shërbim pa u nënshkruar kontratat me ne.Nesër Nora 10 .00 kryetari i Federatës do të vizitoi QKMF në Prishtinë”, ka shkruar Azemi.

  • KPK reagon për kërcënimin ndaj prokurores Disha-Haxhosaj

    KPK reagon për kërcënimin ndaj prokurores Disha-Haxhosaj

    Këshilli Prokurorial i Kosovës dënon ashpër kërcënimin e bërë gjatë ditës së djeshme ndaj prokurores së Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, me anë të publikimit përmes rrjeteve sociale të një afisheje me përmbajtje mortore.

    Në njoftim thuhet se ky akt i shëmtuar, për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe tërësisht për sistemin prokurorial, është një akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm, andaj KPK-ja bënë me dije se qëndron fuqishëm në përkrahje të prokurores Valbona Disha-Haxhosaj dhe ofron mbështetje të plotë për punën e saj gjatë ushtrimit të funksionit në ndjekjen e kryeseve të veprave penale.

    “KPK-ja, njofton se janë duke u ndërmarrë masa konkrete për identifikimin dhe arrestimin e personit/ave, të cilët kanë vendosur këtë lajmërim të paskrupullt dhe të njëjtit do të dalin para organeve të drejtësisë dhe se institucionet e Prokurorit të Shtetit janë duke u trajtuar seriozisht këtë veprim penal dhe në nivelin e duhur të hetimit dhe të ndjekjes gjer në ndriçimin e plotë të tij, i cili ka për qëllim pengimin në ushtrimin e funksionit dhe detyrave të saja kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në komunikatë.

    Më tej thuhet se KPK-ja, siguron opinionin publik se kërcënimet dhe shantazhet e tilla dhe veprime të tjera, çfarëdo qofshin ato, që bëhen ndaj prokurorëve të shtetit, nuk do t’i zmbrapsin synimet dhe përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e shtetit ligjor, në të cilin respektohen vetëm parimet e drejtësisë.

  • ​Hovenier: Vashat e Kosovës ta bëjnë krenare vendin në Botërorin e hendbollit

    ​Hovenier: Vashat e Kosovës ta bëjnë krenare vendin në Botërorin e hendbollit

    Kombëtarja e Kosovës në Hendboll për grupmoshat U18 ka bërë histori duke e siguruar kualifikimin për në Kampionatin Botëror të Hendbollit që zhvillohet në Kinë.

    Për suksesin e tyre, ka shkruar në platformën sociale X edhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier.

    Ai ka thënë se kjo është një fitore historike për Kosovën dhe se pret që këto vajza ta bëjnë krenare këtë vend në Kampionatin Botëror që zhvillohet në muajin gusht, transmeton KosovaPress.

    Urime të ngrohta për ekipin e Kosovës për femra U-18 në hendboll dhe Federatës së Hendbollit të Kosovës për fitoren tuaj historike dhe kualifikimin në Kampionatin Botëror. Ju vazhdoni ta bëni Kosovën krenare!”, ka shkruar Hovenier në platformën X.

  • BQK-ja me anë të SMS-ve informon qytetarët mbi qasjen në llogari bankare dhe pranimin e mjeteve në euro

    BQK-ja me anë të SMS-ve informon qytetarët mbi qasjen në llogari bankare dhe pranimin e mjeteve në euro

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se me anë të mesazheve telefonike, ka njoftuar qytetarët për qasjen në llogari bankare dhe mundësitë për pranimin e mjeteve në llogaritë e tyre me euro.

    Kjo nismë është në kuadër të planit për zbatimin e lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme

    “Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të Planit për zbatim të lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, njofton opinionin publik se përmes operatorëve është duke dërguar SMS te qytetarët për të informuar mbi qasjen në llogari bankare dhe mundësitë e pranimit të mjeteve në llogaritë e tyre në Euro.” – thuhet në njoftim.

    “Qytetarë të nderuar, Pranoni para përmes llogarisë bankare në Euro. Kurseni dhe këmbeni në cilëndo valutë. Hapni Llogari me Shërbime Bazike, pa tarifë të hapjes dhe të mirëmbajtjes. 080022255” – thuhet në përmbajtjen e mesazhit që po u dërgohet qytetarëve.

    Njoftimi i plotë i BQK-së:

    BQK-ja me anë të SMS-ve informon qytetarët mbi qasjen në llogari bankare dhe mundësitë e pranimit të mjeteve në llogaritë e tyre në Euro

    Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të Planit për zbatim të lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, njofton opinionin publik se përmes operatorëve është duke dërguar SMS te qytetarët për të informuar mbi qasjen në llogari bankare dhe mundësitë e pranimit të mjeteve në llogaritë e tyre në Euro.

    Po ashtu, BQK bën me dije se të gjithë ata qytetarë që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë në njërën nga bankat, sipas Rregullores së BQK-së për qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024.

    Përmbajtja e plotë e SMS-it të dërguar:

    Qytetarë të nderuar, Pranoni para përmes llogarisë bankare në Euro. Kurseni dhe këmbeni në cilëndo valutë. Hapni Llogari me Shërbime Bazike, pa tarifë të hapjes dhe të mirëmbajtjes. 080022255

  • ​Kurti: Kosovës t’i jepet një shtysë e re drejt integrimeve evropiane, si përgjigje ndaj kërcënimeve të sigurisë

    ​Kurti: Kosovës t’i jepet një shtysë e re drejt integrimeve evropiane, si përgjigje ndaj kërcënimeve të sigurisë

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosovës duhet t’i jepet një shtysë e re drejt integrimeve evropiane, si përgjigje ndaj kërcënimeve të sigurisë që vijnë nga Serbia. Sipas kreut qeveritar, meqenëse Serbia nuk është e interesuar për anëtarësim në NATO dhe BE, ajo po kërkon të pengojë përparimin e tërë Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.

    Kurti në konferencën “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, kërkoi nga Bashkimi Evropian që ndaj Serbisë të përdorë qasje të njëjtë sikurse ndaj Rusisë.

    Siç tha Kurti, përparimi demokratik i Kosovës duhet të mbështetet nga BE-ja, duke i dhënë statusin e vendit kandidat dhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    “Meqenëse Serbia nuk është e interesuar në anëtarësimin në NATO dhe BE, ajo kërkon të pengojë përparimin e tërë rajonit. Bashkimi Evropian dhe NATO iu janë përgjigjur me të drejtë agresionit të Rusisë dhe kërcënimeve të sigurisë ndaj Evropës, jo duke përkledhur Putinin, por duke sjell Finlandën dhe Suedinë në NATO dhe duke iu dhënë statusin e kandidatit Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë. Kërcënimet e sigurisë ndaj Ballkanit Perëndimor duhet të adresohen në të njëjtën qasje duke i dhënë edhe Kosovës statusin e kandidatit në BE dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha Kurti.

    Kurti shtoi se gjatë dy vjetëve të qeverisjes së tij, Serbia solli katër herë ushtrinë e saj në kufi me Kosovën, sponsorizoi terroristë dhe se vazhdimisht shpërndanë gënjeshtra dhe narrativë të rremë për të justifikuar aktet agresive ndaj Kosovës dhe rajonit.

    “Ne këtu në rajonin tonë shohim se si regjimi autokratik në Serbi është nxitur prej pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë. Në dy vitet e para të qeverisjes sonë ata katër herë e kanë sjell ushtrinë te kufiri jonë. Po ashtu, kanë sponsorizuar terrorizmin dhe kanë shpërndarë vazhdimisht gënjeshtëra dhe narrative të rrejshme për të përligjur veprat e tyre agresive ndaj Kosovës dhe tërë rajonit. Nuk mund të jemi të vetëkënaqur, nuk mund të marrim si të mirëqenë demokracinë apo përparimin tonë”, theksoi Kurti.

    Në anën tjetër, nikoqiri i kësaj konference, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se për Kosovën termi trans-atlantik është shumë i rëndësishëm, pasi vet liria dhe shtet-ndërtimi kanë ardhur nga koordinimi trans-atlantik.

    Andaj, sipas tij diplomacia vazhdon të jetë kyçe në marrëdhëniet ndërkombëtare, derisa edhe foli për rolin e diplomacisë parlamentare.

    “Për Republikën e Kosovës dhe popullin e Kosovës, termi trans-atlantik është shumë i rëndësishëm. Ne jemi dyshimtarë se pa funksionimin e trans-atlantikes do të kishte me qenë e vështirë edhe vet liria e Kosovës, po ashtu shtet-ndërtimi i Kosovës ishte një proces shumë i koordinuara trans-atlantik… Diplomaci parlamentare për ne do të thotë forcim i miqësive me parlamentet e vendeve mike, por edhe krijimi i miqësive të reja me deputetë dhe përfaqësues të vendeve që ende se kanë njohur Kosovën”, theksoi ai.

    Ndërkaq, drejtori i Friedrich-Ebert-Stiftung për Kosovë, Peter Hurrelbrink, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian për Ballkanin Perëndimor, por edhe bashkëpunimi rajonal është shumë me rëndësi, por kjo kërkon një numër të madh reformash.

    “Është e rëndësishme që të diskutohet për sfidat në siguri, luftimin e krimit dhe korrupsionit, përfshirjen e shoqërisë civil dhe mediave në rolin primar dhe shumë reforma tjera që duhet të bëhen për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, tha Hurrelbrink.

    Në kuadër të paneleve diskutuese, ishte edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili tha se është shumë e vështirë të flitet për bashkëpunim ekonomik në rajon, pa horizontin e qartë dhe të përbashkët politik.

    “Kur Serbia që organizoi agresionin në Bajnska, në qarqet e politikave të BE-së kishte njerëz që mendonin se ndoshta Kosova është ajo e cila po e ekzagjeronte pak. Dhe vetëm dy-tre ditë më parë, kur revista Time raportoi në thelb për atë që ndodhi, njerëzit filluan të mendojnë se ‘ah ndoshta nuk ishte Kosova, ndoshta ishte Serbia’. Pra, ne duhet ta përballojmë këtë realitet ashtu siç është dhe duhet ta konsiderojmë procesin e zgjerimit si një proces gjeopolitik para së gjithash. Duhet të jemi të qartë me njëri-tjetrin se është shumë e vështirë të flasim për Bashkëpunim Ekonomik pa horizontin e qartë dhe të përbashkët politik. Pika ime e dytë është në lidhje me bashkëpunimin rajonal. Ne dëgjojmë gjithnjë e më shumë, dhe fatkeqësisht këtë e dëgjojmë edhe nga Komisioneri i Zgjerimit. Dua të them, ndoshta është hera e parë në histori që dëgjoj një Komisioner të Zgjerimit të flasë për rrugë, për rrugë të shpejta në rajon dhe nuk flet për sundimin e ligjit”, theksoi Bushati.

    Në panel ishte po ashtu edhe deputeti i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, i cili theksoi nevojën e bashkëpunimit dhe përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    “Përafrimi i Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimi mendoj se secila nga këto fjalë është kuptimplotë dhe tregon shumë…Flet për ndërtim të urave, jo fokusim në probleme por edhe tejkalim të problemeve duke ndërtuar urat drejtë zgjidhjeve. Po ashtu përmendet edhe bashkëpunimi, kjo është më domethënës pasi po jetojmë në një botë të konfrontimeve”, theksoi ai.

    Konferenca “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, ka vazhduar punimet gjatë së hënës edhe me panele të tjera./kp

  • ​Begaj: Sulmi terrorist në veri tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë

    ​Begaj: Sulmi terrorist në veri tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë

    Konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më.

    Kështu ka thënë presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në cermoninë e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, ku tha se rijetësimi i kësja baze ajrore shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit dhe të gjithë rajonit tonë.

    Kreu i Shtetit i shprehu mirënjohjen të gjithë aleatëve në NATO, veçanërisht partnerit strategjik, SHBA-së, për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugëtimin euroatlantik.

    “Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë. Baza ajrore taktike e NATO-s, e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt. Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje ushtarake, është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin, dhe parimet e vlerat demokratike që ne, si aleatë të NATO-s, ndajmë së bashku”, shtoi ai.

    Sipas Presidentit, “Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar. NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për Aleancën. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës”.

    Po ashtu, Begaj nënvizoi se “për Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, ky është një investim strategjik në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur ndër vite”.

    “Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar. Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera, terrorizmi, si dhe kërcënime të tjera përbëjnë sfida për interesat dhe vlerat që përfaqëson bashkësia euroatlantike. Konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më”, theksoi ai.

    Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, Kreu i Shtetit theksoi se “ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten, dhe për të kontribuar në Aleancë për garantimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit”.

    Ndaj, sipas tij, “baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s, për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme”.

    “Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon e më gjerë. Rritja e buxhetit për mbrojtjen, modernizimi i forcave tona të armatosura, rritja e kapaciteteve mbrojtëse dhe fuqizimi i kapaciteteve njerëzore janë domosdoshmëri. Unë mbështes çdo nismë që qeveria ka ndërmarrë për mbështetjen sociale të personelit të Forcave të Armatosura sepse të jesh pjesë e Forcave të Armatosura nuk është vetëm një profesion, është krenari kombëtare, i shërben Atdheut dhe kauzës së lartë të paqes dhe sigurisë”, tha Presidenti Begaj.

  • Përparim Rama jep lajmin: Jemi gati për formimin e policisë së Prishtinës

    Përparim Rama jep lajmin: Jemi gati për formimin e policisë së Prishtinës

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama thotë se janë në përfundim të strukturimit të policisë së kryeqytetit.

    Në një postim në Facebook ai ka bërë me dije se sot ka takuar drejtorin e Policisë për këtë çështje me të cilin e ka diskutuar mundësinë e realizimit të këtij projekti.

    Sipas tij, kjo do të rriste nivelin e sigurisë dhe mirëqenies për qytetarët e Prishtinës.

    Postimi i plotë i Përparim Ramës:

    Gati jemi me formimin e policisë së Kryeqytetit.

    Jemi në rrugë të mbarë për të finalizuar procedurat për Strukturimin e Policisë së Kryeqytetit, një hap tepër i rëndësishëm për të rritur sigurinë dhe mirëqenien në qytetin tonë.

    Sot, në një takim me udhëheqësit kryesorë të Policisë së Republikës së Kosovës, Drejtorin e Përgjithshëm, Gazmend Hoxha, Drejtorin e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Basri Shabani dhe Drejtorin e Departamentit të Operacioneve në Polici, Arbnesh Ajvazin, diskutuam detajet për organizimin e drejtorisë së re e cila do të funksionojë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.

    Gjatë takimit theksuam rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Kryeqytetit dhe Policisë, veçanërisht për të adresuar sjelljet që dëmtojnë jetën publike, duke u fokusuar në intensifikimin e masave ndaj atyre që hedhin mbeturinat jashtë vendeve të caktuara dhe parkojnë mjetet e tyre duke penguar kompaninë “Pastrimi” të kryejë shërbimin, dhe ndaj atyre që parkojnë makinat në mënyra që pengojnë qarkullimin dhe qetësinë publike.