ATV

Author: ATVLive

  • Serbëve në Kosovë u dalin pagat në llogari, por s’ka dinarë

    Serbëve në Kosovë u dalin pagat në llogari, por s’ka dinarë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pagat nga shteti serb iu dolën. Por, shumë qytetarë serbë të cilët jetojnë në Kosovë, nuk kanë arritur t’i tërheqin të hollat, pasi institucionet financiare nuk kishin mjaftueshëm dinarë.

    Në mungesë të dinarit, qytetarëve u janë dhënë shuma vetëm deri në 10 mijë dinarë apo 85 euro.

    “Kjo situatë po na komplikon jetën se s’po mund t’i marrim pagat. Është situatë e rëndë. Mora vetëm 10 mijë dinarë, sepse ky është kufizimi, kaq mund të na japin”, thotë një qytetar.

    “Po krijohet tollovi e madhe. Kemi familje e fëmijë e nuk po mund t’i marrim paratë”, thotë një tjetër qytetar.

    Njëkohësisht, qytetarët serbë nuk janë shumë as të informuar se si të veprojnë, derisa BQK-ja ndaloi pagesat në dinarë.

    BQK-ja deri më tani ka dërguar vetëm mesazhe dhe nuk dihet nëse shkuan te individët që duhej, meqë shumë serbë nuk posedojnë numra të operatorëve që veprojnë në Kosovë.

    Qytetarët thonë se të vetmin informim i kanë mediat.

    “Është keq që nuk jemi informuar për çështjen e dinarit. Kjo është politikë e Prishtinës, por është dashur më shumë transparencë. Për komunitetin serb ky vend është i keq”, tha një qytetar.

    “Unë s’e kam idenë për procedurat, askush asgjë s’më ka thënë, po këto janë çështje politike në të cilat qytetarët nuk përfshihen”, tha një tjetër qytetar.

    Kritika për mungesë të fushatës nga BQK-ja ka edhe shoqëria civile.

    Vendimi i BQK-së për dinarin po zbatohet nga 1 shkurti.

    Aleatët ndërkombëtarë u bëjnë thirrje autoriteteve ta shtyjnë zbatimin e rregullores, ndërsa në Bruksel pati një takim javën e kaluar mes një delegacioni të BQK-së në lidhje me çështjen e dinarit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Gjendet një varr masiv me 1 mijë skelete në Gjermani

    Gjendet një varr masiv me 1 mijë skelete në Gjermani

    Arkeologët thonë se kanë zbuluar atë që mund të jetë varri masiv më i madh i gërmuar ndonjëherë në Evropë në një vend në Gjermaninë jugore.

    Rreth 1.000 skelete të viktimave të murtajës janë gjetur deri më tani në varrezat masive në qendër të qytetit të Nurembergut, të cilat ekspertët besojnë se mund të përmbajnë një total prej më shumë se 1.500 njerëz, sipas një njoftimi për shtyp të botuar të martën.

    Mbetjet u zbuluan gjatë një studimi arkeologjik përpara ndërtimit të ndërtesave të reja të banimit në qytet.

    Melanie Langbein, nga departamenti për ruajtjen e trashëgimisë së Nurembergut, tha për CNN se u identifikuan tetë gropa, secila me disa qindra trupa. Një epidemi si murtaja është shpjegimi “më se i mundshëm” për varrezat masive, sipas Langbein.

    Nuremberg përjetoi shpërthime të murtajës afërsisht çdo 10 vjet nga shekulli i 14-të e tutje, tha ajo.

    Ata zbuluan gjithashtu një shënim nga viti 1634 që përshkruan në detaje një shpërthim të murtajës që vrau më shumë se 15.000 njerëz në 1632-1633, që thotë se pothuajse 2000 njerëz u varrosën pranë Spitalit të Shën Sebastian, vendi i gërmimit aktual, tha Langbein.

    Kjo dëshmi e çoi ekipin në përfundimin se grupi më i vjetër i mbetjeve ndoshta daton nga epidemia e viteve 1632-1633. Do të ketë gjithashtu bashkëpunime me institucionet e interesuara për disa aspekte të gjetjeve, duke përfshirë analizimin e gjenomit të murtajës dhe hetimin e vezëve të parazitëve në tokë, shtoi Langbein. /CNN

  • Gjinden pesë zolla në afërsi të Manastirit të Banjskës

    Gjinden pesë zolla në afërsi të Manastirit të Banjskës

    Një sasi e armatimit është gjetur nga Policia e Kosovës afër Manastirit të Banjskës, në Zveçan.

    Lajmin për Front Online e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin Mitrovicës së veriut, Veton Elshani.

    Ai, ka thënë se bëhet fjalë për pesë “zolla”.

    Këtë armatim Policia e Kosovës e ka gjetur gjatë kryerjes së detyrave të përditshme.

    “Në afërsi të Manastirit të Banjskës në Zveçan janë gjetur pesë zolla. Mjetet ushtarake dyshohet se i përkasin ngjarjeve të shtatorit të vitit të kaluar”, ka treguar Elshani, për Front Online

    Ndërsa, ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar.

  • Ambasadori i ri britanik takon Kurtin: Britania e Madhe gjithmonë ka qenë aleat i Kosovës

    Ambasadori i ri britanik takon Kurtin: Britania e Madhe gjithmonë ka qenë aleat i Kosovës

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është pritur nga kryeministri Kurti.

    Ai në një postim në “X” ka shkruar se Mbretëria e Bashkuar ka qenë aleat i Kosovës në kohë të mira e të këqija.

    “Në kohë të mira e të këqija, Britania ka qenë aleat i Kosovës dhe do të ketë gjithmonë në zemër interesin e saj më të mirë. Ishte kënaqësi që pata takimin njohës me kryeministrin Kurti dhe që diskutova bashkëpunimin e gjerë mes Britanisë dhe Kosovës dhe si ta thellojmë”, ka shkruar ambasadori.

    Hargreaves ka thënë se shpreson që Kurti ka kaluar mirë në Irlandën Veriore.

  • Punëtorët teknikë të QMF-ve në Prishtinë, s’punuan për disa orë

    Punëtorët teknikë të QMF-ve në Prishtinë, s’punuan për disa orë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Punëtorët teknikë të Qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, të martën për disa orë bojkotuan punën e tyre.

    Këtë veprim e morën pasi atyre iu kishte skaduar kontrata.

    “Kurrë nuk na ka ndodhur kështu, mos me pasë kontratë, me dashtë na paguajnë me dashtë jo, na skadoi por duhet të na vazhdojnë të renë…”, tha Miradie Makolli, punëtore teknike.

    “Lëre më se i kemi pasë pagat e ulëta, tash edhe me këtë situatë…”, tha Kumrie Shabani, punëtore teknike.

    Për situatën e krijuar, u zhvillua edhe një takim ndërmjet kryetarit të sindikatës së punëtorëve të sektorit privat dhe drejtorit të shëndetësisë në Prishtinë, i cili rezultoi me një marrëveshje.

    “Ne me bisedën që patëm me kryetarin e sindikatës, ramë në një përfundim që puna mos të mbetet pa përfundua, të punohet, Ju lus deri të premten, apo më së largu të hënën, e mandej të vazhdojmë me shqyrtimin e rastit me kontrata”, tha drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku.

    “Kushti është që menjëherë pas kësaj date, të fillojë kontratat apo në të kundërtën do të përsëritet…”, tha kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

    Pas dakordimit, punëtorët shpresojnë që me vazhdimin e kontratave do të kenë edhe rritje page.

    “S’kemi çfarë të bëjmë, na duhet të punojmë edhe pse me këto paga gjithsesi nuk është që kemi zgjidhje tjetër…”, tha Emine Sahiti, punëtore teknike.

    Ndërkaq, këto 4 ditë, sa iu është kërkuar të punohet pa kontrata, punëtorëve teknik të QMF-ve nuk do t’iu paguhen.

    Sipas statistikave të SPSPK-së, rreth 30% e punëtorëve në sektorin privat, kryejnë punën e tyre pa poseduar kontratë.

  • Të shtënat në Lagjen e Muhaxherëve, Prokuroria kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e të dyshuarve

    Të shtënat në Lagjen e Muhaxherëve, Prokuroria kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e të dyshuarve

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Të dyshuarit për rrahjen e më pas plagosjen gjatë të hënës, të një personi në lagjen e Muhaxhirëve, vazhdojnë të jenë në arrati.

    Për kapjen e tyre, Prokuroria Themelore në Prishtinë, po kërkon ndihmë nga qytetarët.

    Sipas tyre, kushdo që ka informacione relevante rreth rastit, të bashkëpunojë me autoritetet ligjzbatuese.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se menjëherë pas marrjes së informatave për plagosjen e një personi në Prishtinë, kemi autorizuar Policinë e Kosovës për marrjen e veprimeve të nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Sigurojmë opinionin publik se në koordinim me hetuesit policorë kemi ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

    Rasti për të cilin tashmë kanë nisur hetimet, sipas informacioneve zyrtare të institucioneve të rendit, nisi të hënën rreth orës 10 në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë, fillimisht me rrahje e më pas u shkrep edhe arma në drejtim të një personi.

    Por e gjitha nuk mbaroi vetëm me aq.

    Në orët e mbrëmjes të së hënës përsëri pati gjuajtje me armë.

    Sipas informacioneve që ka siguruar ATV-ja, në rrugën “Shaip Spahiu”, të dyshuarit kanë gjuajtur mbi 10 herë në drejtim të një personi, mirëpo plumbat kanë përfunduar në veturën e tij.

  • Epopeja e UÇK së shënohet edhe në kazermën “Adem Jashari”

    Epopeja e UÇK së shënohet edhe në kazermën “Adem Jashari”

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Kuadratet e Forcës së Sigurisë së Kosovës u rreshtuan të martën në kazermën “Adem Jashari”. E këngë u këndua edhe nga ta.

    Në ceremoninë që u mbajt në kazermë për nder të Epopesë së UÇK-së, fjalim mbajtën liderët shtetërorë, ndërsa 5, 6 dhe 7 marsi u cilësuan si ditë të lavdisë e krenarisë.

    I nderuar të flasë para ushtarëve u shpreh të jetë Lulzim Jashari, djali i komandantit Adem Jashari.

    Krerët e shtetit, gjithashtu, bënë homazhe edhe pranë obeliskut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Ilir Shaqiri e Shkurte Fejza nderojnë deputetët e familjen Jashari nga Kuvendi

    Ilir Shaqiri e Shkurte Fejza nderojnë deputetët e familjen Jashari nga Kuvendi

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Këtë të martë, fjalën në Kuvend e mori edhe këngëtarja Shkurte Fejza.

    Bashkë me ikonën tjetër të muzikës shqipe, Ilir Shaqirin, ishin dy mysafirët specialë, detyra e të cilëve ishte interpretimi i dy perlave muzikore, kushtuar Adem Jasharit.

    Bashkë me shumë mysafirë të tjerë, seanca solemne e Kuvendit shënoi nisjen e Manifestimit të përvitshëm tashmë të 26-të, Epopeja e UÇK-së.

    Para përfaqësuesit të familjes Jashari, Rifatit, me fjalim u paraqit edhe kryeministri, Albin Kurti.

    Pa falënderuar familjen Jashari për çdo gjë që dha për lirinë që gëzohet nuk e la as kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Veç tyre, fjalim mbajtën edhe deputetë të opozitës e të tjerë.

  • Kosova shënon 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së

    Kosova shënon 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Recituan para varrit të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

    Në mënyrë të organizuar, nga afër shohin edhe kullat heroike të Jasharëve, teksa nga mësuesit marrin informacionet për atë që ngjau para 26 vjet.

    Sikurse këta fëmijë, kompleksin memorial në Prekaz, e vizituan mijëra qytetarë.

    Sakrifica e familjes Jashari, u vlerësua si moment kthese në historinë e re të
    Kosovës.

    “Kur u çu Adem Jashari me ra me familje, populli e pa se si fitohet liria”, thotë një qytetar.

    Pas dy sulmeve ndaj familjes së Komandantit, më 5 mars 1998, artileria serbe, nga Fabrika e Municionit, filloi gjuajtjet në drejtim të Kullës së Jasharëve.

    Pas një beteje treditëshe, u vra Adem Jashari së bashku me Hamzën, Shabanin dhe rreth 50 anëtarë të familjes së gjerë.

    Varrimi u bë nga shumë qytetarë, në praninë e forcave paramilitare serbe.

    Lajmi për rënien e Adem Jasharit kishte prekur shpirtin e çdo shqiptari liridashës dhe ishte reflektuar me dhimbje të pakrahasueshme kudo.

  • Shtëpia e Bardhë rrit shpresat për arritjen e një armëpushimi 6-javor në Gazë

    Shtëpia e Bardhë rrit shpresat për arritjen e një armëpushimi 6-javor në Gazë

    Përfaqësuesit e Hamasit do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kajro edhe për një ditë me kërkesë të ndërmjetësuesve, ndërsa vazhdojnë pa ndonjë përparim bisedimet për armëpushim, tha të martën një zyrtar i grupit militant.

    Bisedimet në kryeqytetin e Egjiptit shihen si mundësia e fundit për arritjen e armëpushimit të parë të zgjatur në luftën Izrael-Hamas, para fillimit të muajit të Ramazit.

    Një ditë më parë Nënpresidentja amerikane ripërsëriti thirrjen e saj për një armëpushim “të menjëhershëm” gjashtë-javor në Gazë, ndërsa u takua me një anëtar të lartë të kabinetit izraelit të luftës.

    Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Anita Powell, analistë dhe protestues shprehen skeptikë mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje brenda këtyre ditëve.

    Armëpushimi i kërkuar nga palestinezët prej muajsh, ndërsa Izraeli vazhdon sulmet në Gazë, mund të arrihet së shpejti.

    Gjatë fundjavës, Nënpresidentja Kamala Harris u bë zyrtarja e parë e administratës së Presidentit Biden që bëri thirrje publike që forcat izraelite dhe Hamasi të ulin armët në konfliktin që nisi pas sulmit të 7 tetorit të militanëve palestinezë kundër Izraelit.

    “Duke pasur parasysh shkallën e lartë të vuajtjeve në Gazë, duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm, për të paktën gjashtë javët e ardhshme, gjë që është hedhur në tryezë aktualisht”, tha zonja Harris.

    Kjo marrëveshje vjen me kushte. Të hënën, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u thanë gazetarëve se Hamasi po vazhdon të shqyrtojë propozimin e Izraelit që përfshin lirimin e pengjeve. Administrata nuk dha hollësi të tjera mbi negociatat.

    Por debati mbi fatin e Gazës është bërë shumë publik. Të hënën, ndërsa zonja Harris u takua me një anëtar të kabinetit izraelit të luftës, një grup i vogël protestuesish u mblodhën jashtë Shtëpisë së Bardhë për të shprehur pakënaqësinë e tyre.

    “Armëpushim për gjashtë javë? Pastaj çfarë? Nuk është e drejtë. Armëpushimi është armëpushim. Armëpushim i plotë. Ndoshta ata duan të blejnë kohë për zgjedhjet? Është një lojë, të cilën nuk e besojmë“, thotë Mona Sadeq nga Shoqata Amerikano-Palestineze e Grave.

    Analistët thonë se megjithëse qëndrimi i zonjës Harris mbi këtë çështje është i rëndësishëm, kërkesat e saj mund të shoqërohen me kushte.

    “Është e rëndësishme të analizojmë se ku e mbështeti ajo këtë qëndrim, sepse administrata për një kohë të gjatë ka kërkuar armëpushim, por brenda kornizave të një marrëveshjeje specifike. Nëse thirrja e saj është përsëritje e kësaj, rëndësi ka vetëm fakti se kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë i administratës shprehë saktë dhe në mënyrë të duhur ndjeshmërinë me viktimat në të dyja anët e konfliktit”, thotë Trita Parsi nga Instituti Quincy për Qeverisje të Përgjegjshme.

    Një pyetje tjetër e shtruar nga vetë Shtëpia e Bardhë është nëse Hamasi, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, do ta pranojë marrëveshjen për të ndalur luftën, në të cilën janë vrarë dhjetëra mijëra civilë.

    “Kërkesat e shprehura deri tani nga administrata e Presidentit Biden, përfshirë atë për lirimin e të gjitha pengjeve në këmbim të një armëpushimi gjashtë-javor, mendoj se janë pamundura të pranohen nga Hamasi, sepse ata po heqin dorë nga të gjitha mjetet që kanë në dorë për një ndërprejre të përkohshme të luftimeve dhe jo një zgjidhje të përhershme. Mendoj se do të jetë shumë e ndërlikuar”, thotë zoti Parsi.

    Mbetet të shihet nëse luftimet do të ndërpriten në fillim të muajit të Ramazanit, apo do të ketë intensifikim të tyre./VOA/