ATV

Author: ATVLive

  • “Tentim atentatin ndaj Albin Kurtit”, Talat Xhaferi e cilëson si një lajm të rrejshëm

    “Tentim atentatin ndaj Albin Kurtit”, Talat Xhaferi e cilëson si një lajm të rrejshëm

    Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se informatën për tentim atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk mund ta trajtojë ndryshe, përveç se si lajm të rrejshëm.

    Këto deklarata ai i bëri pasi u pyet nga drejtuesi i emisionit Leart Hoxha, nëse informata për tentim atentat ndaj kryeministrit Kurti sa ishte në vizitë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë lajm i rrejshëm.

    “Unë duke i pasur informatat si kryeministër nuk mund ta trajtoj ndryshe dhe ta definoj ndryshe për faktin që burimi i asaj informate nuk është as hapësira e Kosovës, as hapësira e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku Kryeministri ka qëndruar. Në bazë të informatave del që gjatë qëndrimit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, në Këshill Sigurimit, në seancë, në Facebook është paraqitë kanasje që nuk mund ta them është apo nuk është ashtu, por sidoqoftë nuk e ka burimin në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nuk ka parathënie në kuptimin që ka pasur rrezik të tillë”, tha Xhaferi.

    Ai tha se mënyra e komunikimit të këtij informacioni, i ka bërë dëm vetëm se vetë institucionit përkatës në Republikën e Kosovës, në kontekst të besueshmërisë për këmbim të informatave në të ardhmen.

    “S’do mend që punë e institucioneve përkatëse, është edhe shkrimi më i vogël që mund të ndodhë edhe në kontekst, në relacion me bartësit e funksioneve, që të jetë temë trajtimi dhe çdo mend që komunikimi mes institucioneve ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë dhe s’do mend që ajo mënyrë e komunikimit i ka bërë dëm vetëm se vetë institucionit përkatës në Republikën e Kosovës, në kontekst të besueshmërisë për këmbim të informatave në të ardhmen, sepse informatat që shpërndajnë dhe që komunikojnë e këmbejnë institucionet përkatëse shtetërore, nuk janë temë që mundemi, ne që kemi qasje në ato informata, të dalim sot në emision këtu dhe t’i trajtojmë si çështje që i zbatojmë në publik, për faktin që krejt ne kemi obligime ligjore për afat kohor të caktuar, ato informata të klasifikume të mos i përdorim në publik për faktin që dëmtojnë vetë institucionin”, tha Xhaferi. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Xhaferi në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Pas videos së publikuar, vjen reagimi i parë nga Oborri Mbretëror Shqiptar

    Pas videos së publikuar, vjen reagimi i parë nga Oborri Mbretëror Shqiptar

    Vjen reagimi i parë nga Oborri Mbretëror Shqiptar, pas videos së publikuar në rrjet ku konfrontohen fizikisht Princ Leka dhe Elia Zaharia.

    Në reagim Oborri Mbretëror pretendon se Princ Leka është sulmuar fizikisht me sende të forta nga ish-bashkëshortja dhe ish-vjehrri i tij.

    Oborri thotë se videot janë dorëzuar vetëm në stacionin e policisë nga Princ Leka ll Zogu, si provë materiale për dhunën e ushtruar ndaj tij, por pavarësisht se janë kosideruar si një sekret, këto materiale, së bashku me deklaratën, qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale dhe në medie duke përcjell imazhe të pakëndshme dhe me përmbajtje dhune.

    “Oborri Mbretëror shpreh thellësishtë zhgënjimin nga institucionet ligjzbatuese te të cilat dyshojmë se kanë cënuar të drejtën e anonimitetit, duke shpërndarë videot te të tretë. Gjithashtu Oborri Mbretëror kërkon ndërhyrjen e policisë dhe institucioneve përkatëse për fshirjen e këtyre imazheve nga rrjetet sociale dhe nga mediet”, thuhet në reagimin e oborrit mbretëror shqiptar”.

    Reagimi i plotë:

    “Përshëndetje, siç edhe jeni informuar, Princ Leka pasditen e 5 marsit ështe sulmuar fizikisht me sende të forta nga ish-bashkëshortja dhe ish-vjehrri i tij dhe videot e këtij momenti janë bërë publike në rrjetet sociale.

    Videot janë dorëzuar vetëm në komisariatin e policisë nga Princ Leka ll Zogu, si provë materiale për dhunën e ushtruar ndaj tij, por pavarësisht se janë kosideruar si një sekret, këto materiale, së bashku me deklaratën, qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale dhe në medie duke përcjellë imazhe të pakëndshme dhe me përmbajtje dhune.

    Oborri Mbretëror shpreh thellësisht zhgënjimin nga institucionet ligjzbatuese te të cilat dyshojmë se kanë cenuar të drejtën e anonimitetit, duke shpërndarë videot te të tretë.

    Gjithashtu Oborri Mbretëror kërkon ndërhyrjen e policisë dhe institucioneve përkatëse për fshirjen e këtyre imazheve nga rrjetet sociale dhe nga mediet.”

    Princ Leka dhe Elia Zaharia, çifti mbretëror që është në proces divorci pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri, ndërsa ky moment është filmuar edhe me video.

    Gjithçka ka nisur kur Princ Leka ka shkuar të takojë të bijën në shtëpinë e tij, ku jeton bashkë me të ëmën, Elia Zaharia. Siç rrëfen Princ Leka në dëshminë e tij, në ato momente vajza e mitur ka qenë me Gjergj Zaharinë, ish-vjehrri i tij, i cili po kujdesej për mbesën, pasi Elia nuk ndodhej në banesë.

    Këtë takim të dy e përshkruajnë të dhunshëm, teksa Princi pretendon se është dhunuar nga Gjergj Zaharia, ndërsa ky i fundit ka thënë se është i moshuar dhe s’mund të dhunojë askënd.

    Madje, në dëshminë e tij, Princ Leka pretendon se është dhunuar me sende të forta si statuja e drurit, ndërsa thotë se ish-vjehrri i ka grisur edhe xhupin në sy të vajzës. Ai thotë se sherri nisi nga ana e Gjergj Zaharia që “ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua”.

    ‘Në këto momente situata ka agravuar shtetasi Gjergj Zaharia, më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qene vetëm mbrojtës’ – pretendon princi. Por nga ana e tij, Gjergj Zaharia pretendon të kundërtën duke u shprehur se “ai është i moshuar dhe nuk qëndron dot në këmbë, kështu nuk ka mundësi që të dhunojë Princin e cili është 2 metra i gjatë”. Ai e akuzon Lekën se e ka dhunuar dhe e ka fyer me fjalë të rënda. Pas këtij episodi të dy janë paraqitur në polici, ku u është bërë akt ekspertimi mjekoligjor dhe i janë drejtuar gjykatës për urdhër mbrojtje. Pas kësaj, edhe Elia i është drejtuar komisariatit me pretendime për dhunë nga ish-bashkëshorti. Pas denoncimit për dhunë, të Princ Lekës dhe Elia Zaharias, ka reaguar Policia, cila thotë se të dyja palët pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri dhe janë pajisur me urdhër mbrojtjeje.

  • Shtatorja e Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prishtinë, shpallet konkurs ndërkombëtar

    Shtatorja e Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prishtinë, shpallet konkurs ndërkombëtar

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se sot do të shpallet konkurs ndërkombëtar për vendosjen e monumentit të Adem Jasharit dhe familjes së tij në kryeqytet.

    Rama ka thënë se kjo shtatore do të jetë e karakterit modern që pasqyron të kaluarën e tij dhe të popullit të Kosovës.

    Gjatë ditës së sotme Rama ka bërë homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajazitit në shënim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku tha se tash kemi vendosur që të shpallim konkurs ndërkombëtar për vendosjen e monumentit në kryeqytet.

    “Ne kemi ndarë buxhetin për këtë edhe vitin e kaluar. Ishim të gatshëm ta shtyjmë përpara monumentin e heroit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, por ishim në diskutim edhe me familjen e heroit legjendar, për vendosjen e monumentit, dhe tash kemi vendosur që ta shpallim një konkurs ndërkombëtar, që me siguri do të bëhet sot, ku do të kërkojmë nga arkitektë, artistë e historianë të punojnë bashkë për të prezantuar ide të ndryshme, se si do të duket monument i ndërlidhur me peizazh, por edhe për propozimet për lokacionet e ndryshme që mendojnë arkitektët, artistët e historianët se do të ishte e përshtatshme për këtë monument”, ka thënë Rama.

    Tutje, Rama ka thënë se ideja e këtij monumenti është që të jetë e pashme dhe të ketë qasje të drejtpërdrejte të qytetarëve te cilët munden edhe me i shpreh nderime.

    “Sheshi Adem Jashari e ka emrin mirëpo nuk do më thënë domosdoshmërisht që me qenë monumenti aty, për arsyeje se heroizmi, liria të cilën e ka sjellë heroizmi i aspektit monumental i Adem Jasharit me gjithë familjen që kanë dhënë jetën për këtë vend, do të thotë se ata janë në secilin cep të vendit tonë. Ideja është që me qenë diku që është e pashme pra që ka qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve që munden me i shpreh nderime, por edhe me përdor për shembull teknologjinë e re, inteligjencën artificiale, për të treguar historinë se çka ka ndodh. S’duhet të jetë monument klasik, por të jetë diçka shumë e avancuar që ndërlidh të kaluarën, të tashmen dhe e projekton të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Rama.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • E veja e Navalnyt thërret protestë kundër Putinit

    E veja e Navalnyt thërret protestë kundër Putinit

    Ashtu siç ishte zotuar, me gjasë edhe do të veprojë.

    E veja e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, u ka bërë thirrje rusëve që të protestojnë në ditën e zgjedhjeve kundër presidentit Vladimir Putin, duke formuar radhë të gjata jashtë qendrave të votimit.

    Yulia Navalnaya, pas vdekjes së bashkëshortit ishte zotuar se do të vazhdojë punën e burrit të saj dhe të vazhdojë kundërshtimin ndaj Kremlinit.

    Nëpërmjet një videoje të publikuar në YouTube, Navalnaya mbështeti nismën që të mbingarkohen qendrat e votimit që mbahen gjatë këtij muaji, zgjedhje të cilat pritet t’i japin edhe një mandat gjashtëvjeçar presidencial Putinit.

    “Ne duhet të shkojmë në qendrat e votimit në të njëjtën kohë: më 17 mars në orën 12:00. Çfarë do të bëjmë më pas? Ju mund të zgjidhni. Mund të votoni çdo kandidatë përveç Putinit. Mund ta bëni të pavlefshëm fletëvotimin tuaj. Mund të shkruani me shkronja të mëdha ‘Navalny’”, tha Yulia Navalnaya.
    Ajo i cilësoi zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen nga 15 deri më 17 mars, si “farsë” dhe tha se Putini “do të nxjerrë rezultatin që ai do”.

    Navalnaya, ndërkaq i ka quajtur “trimat dhe njerëzit më të sinqertë në shtetin tonë”, të gjithë personat që kanë vizituar varrin e bashkëshortit të saj në Moskë.

    Kremlini ka kërcënuar personat që bëjnë homazhe për Navalnyn se do t’i adresojë, duke u thirrur në ligjet e ashpra ruse kundër protestave.

    Qindra persona janë arrestuar gjatë homazheve të bëra në mbarë Rusinë.

    Sa ishte gjallë dhe gjendej në burg, Aleksei Navalny kishte mbështetur çdo nismë që ishte kundër Putinit. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Biden dhe Trump dominojnë në garat e “Super të martës”

    Biden dhe Trump dominojnë në garat e “Super të martës”

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Nikki Haley është tërhequr nga gara për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Haley ka fituar vetëm në dy shtete në zgjedhjet preliminare, ato në Colombia dhe Vermont.

    Megjithatë, pas dorëheqjes Haley i ka ofruar mbështete Donald Trumpit në garën zgjedhore. Në anën tjetër, presidenti aktual, Joe Biden, dhe paraardhësi i tij Donald Trump, siguruan përballje të re në zgjedhjet presidenciale të nëntorit dhe gjatë Super të Martës, u rrit edhe presioni ndaj Haley, të tërhiqet nga gara.

    Më vonë gjatë këtij muaji pritet të votojnë shtetet e tjera, që Biden dhe Trump, zyrtarisht të marrin nominimin e partive për të garuar në zgjedhjet presidenciale.

    Por, gjatë “Super të Martës”, që është dita më e rëndësishme e zgjedhjeve, u bë e qartë se një përballje e sërishme Biden-Trump është e sigurt.

    Sikurse Biden, 81 vjeç, ashtu edhe Trump 77 vjeç, vazhdojnë të dominojnë në partitë e tyre pavarësisht se përballen me dilema rreth moshës së tyre dhe asnjëri nuk ka popullaritet të gjerë.

    Derisa, fushata e Trumpit organizoi një aheng për të shënuar fitoret në zgjedhjet e Super të Martës, Biden nuk mbajti fjalim. Megjithatë, lëshoi një deklaratë duke paralajmëruar se rezultatet e së martës i kanë lënë amerikanët me një zgjidhje të qartë dhe duke vënë në pah arritjet e tij, pasi mposhti Trumpin në zgjedhjet e vitit 2020.

    “Nëse Donald Trumpi kthehet në Shtëpinë e Bardhë, i gjithë ky përparim do të jetë në rrezik. Ai nxitet nga ankesat dhe hidhërimi, i përqendruar në hakmarrjen e tij e jo te populli amerikan”, tha Biden.

    Pavarësisht dominimit të Bidenit dhe Trumpit në partitë e tyre, sondazhet e kanë bërë të qartë se elektorati i gjerë nuk dëshiron që zgjedhjet e sivjetme të përgjithshme të jenë identike me garën e vitit 2020.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Epopeja e UÇK-së, krerët e shtetit bënë homazhe në Prekaz

    Epopeja e UÇK-së, krerët e shtetit bënë homazhe në Prekaz

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Në ditën e dytë të manifestimit “Ditët e Epopesë së UÇK-së”, krerët shtetërorë bën homazhe në Prekaz.

    Duke e cilësuar si ngjarjen më të rëndësishme të kombit shqiptar, të tre liderët u përkulën para varreve të 59 dëshmorëve, të rënë për liri 26 vjet më parë.

    “Përkujtimin tonë të përjetshëm për kryekomandantin Adem Jashari dhe gjithë familjen Jashari, të cilët personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore, që ka njohur historia jonë. Epopeja e UÇK-së është epope e krenarisë së popullit tonë, është epope që ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë e mbi të gjitha është epope që simbolizon lirinë që e gëzojmë ne sot”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Liderët bënë thirrje për vizitë nga të gjithë për siç thanë, të mos harrohet historia.

    “Vetëflijimi, vetë sakrifica, vetëmohimi i Jasharëve është Epopeja e UÇK-së në themelet e çlirimit të vendit tonë që paraqet edhe dhimbje e krenari, por edhe besë dhe shpresë për shtetin tonë. Me përkulje respekti, ndjenjë admirimi gjithnjë dhe gjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharëve”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    “Nuk është e rastësishme që gjithë qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë në të gjitha anët e botës, vijnë dhe përkulen para varreve të Bacit Shaban, Ademit dhe Hamzës dhe gjithë familjarëve, të cilët u flijuan për lirinë e fëmijëve tanë”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

    Të mërkurën, Prekazin e vizituan edhe përfaqësues të partive opozitare.

    “Këto janë datat të cilat shënojnë kthesën më të madhe në historinë e kombit tonë, sepse ato që kanë ndodhur në viti 1998, jo vetëm që zgjuan vetëdijen tonë kombëtare, por ato për herë të parë morën edhe vëmendjen ndërkombëtare”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Ditët e 5, 6 dhe 7 marsit shënojnë heroizmin e familjes Jashari në luftën për liri. Në fillimmarsin e vitit 1998, pas një beteje treditore me forcat paramilitare serbe ra Komandanti Legjendar Adem Jashari, së bashku me 58 anëtarë të tjerë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kujtimi për 1133 fëmijët e vrarë në luftë

    Kujtimi për 1133 fëmijët e vrarë në luftë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Kjo është bluza që Abdullah Jashari e kishte të veshur ditën kur u vra, bashkë me familje në sulmin që nisi më 5 janar të vitit 1998 në Prekaz.

    Si një ndër kujtimet e pakta, mbahet e vendosur në ekspozitën “Na ishte njëherë, që kurrë mos qoftë”, bashkë edhe me pantallonat e dy vëllezërve Blerimin e Bujarin, të vrarë po atë ditë.

    Në bodrumin e bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, mbahen të ekspozuara edhe të tjera gjësende të fëmijëve të vrarë në luftë.

    Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, të tjera familje kanë shprehur gatishmëri për t’i dorëzuar kujtimet e fëmijëve që nuk jetojnë më, por, për shkak të hapësirës së kufizuar, s’kanë mundur t’i pranojnë. Kështu është duke u konsideruar institucionalizimi i gjithë ekspozitës.

    Te muri në hyrje janë të vendosur edhe emrat e 1133 fëmijëve të vrarë në luftë, prej të cilëve 109 janë ende të zhdukur.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Rrëfime për familjen Jashari, të padëgjuara më parë

    Rrëfime për familjen Jashari, të padëgjuara më parë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Çdo fillimmars nga Londra vjen për t’i vizituar Kullat e Jasharëve. Raportet e tij më familjen nga Prekazi, datojnë para 50 vjetësh.

    Në një rrëfim ekskluziv për ATV-në, Enver Nuredini tregon detaje nga takimet me Komandantin Legjendar, Adem Jashari.

    Qysh atëherë, Adem Jashari bënte plane për luftën për liri.

    Pas stërvitjeve në Shqipëri, Ademi ishte kthyer në Kosovë, duke intensifikuar përpjekjet për liri. Kjo kishte rënë në sy, teksa me 5 mars 1998, mbi 5 mijë trupa të forcave paramilitare serbe rrethuan Prekazin.

    Nga morgu i Prishtinës, kufomat u sollën në Skenderaj dhe banorët kishin vetëm 8 orë në dispozicion për t’i varrosur mbi 50 trupa.

    Mbase kishte një mundësi që 5, 6 dhe 7 marsi i 98-tës të shmangej, por Jasharët refuzuan të nënshtrohen.

    Rrëfimin e plotë të Enver Nuredinit për familjen Jashari, e gjeni në videon më poshtë:

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Naftëtarët kundër marzhës së MINT-it

    Naftëtarët kundër marzhës së MINT-it

    Përgatiti: Haris Ademi

    Të mërkurën, çmimi i derivateve nuk qe i njëjtë në të gjitha pikat e derivateve në kryeqytet. Mirëpo, asnjërës nuk i lejohet ta kalojë marzhën e fitimit, për të cilën ka vendosur Ministria e Tregtisë, 2 centë për shitje me shumicë, dhe 12 centë për shitje me pakicë, e që do të zgjasë tre muaj.

    MINT-i nuk tregoi nëse ka inspektuar bizneset dhe ka shpërndarë gjoba për shkelje. Mirëpo, në herët e kaluara kur ishte caktuar marzha e fitimit, shumë pika derivatesh nuk e kishin respektuar vendimin.

    MINT-i nuk dha shifra për ATV-në sa gjoba ka shpërndarë gjithsej, mirëpo televizioni i ka parë disa prej tyre, ku përfshihen edhe kompanitë më të mëdha të këtij sektori. Derisa gjobat ndryshonin nga dy mijë deri në katër mijë euro, një vendim të tetorit 2023 të Gjykatës Themelore të Pejës që e posedon ATV-ja, një pikë derivatesh ishte gjobitur vetëm 400 euro.

    Nuk dihet nëse sërish naftëtarët nuk do ta respektojnë vendimin, mirëpo kundër tij është ankuar Shoqata e tyre, që po kërkon rritje të marzhës.

    “Marzha tregtare, në bazë të inflacionit për vitin 2024, duhet të jetë ky çmim: Marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është 2.3 centë për litër, si dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 14 centë për litër”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

    Avokati Qëndrim Arifi thotë se shteti ka të drejtë të vendosë çmim tavan me këtë udhëzim administrativ, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë një Ligj të ngjashëm, për produktet bazike.

    Mesatarisht, në Kosovë importohen afër 2 milionë litra derivate në ditë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Talat Xhaferi në AAB, mbështet Kosovën në NATO dhe BE

    Talat Xhaferi në AAB, mbështet Kosovën në NATO dhe BE

    Përgatiti: Haris Ademi

    Studentë nga drejtime të ndryshme të Kolegjit AAB, u mblodhën në një sallë të vetme.

    Interesimi i tyre është i përbashkët për ta dëgjuar ligjëratën e një mysafiri të veçantë, që bart post të lartë shtetëror. Para tyre flet Talat Xhaferi, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

    Ky e cilëson Kosovën si shtet vëllazëror, derisa thotë se me qeverinë teknike, është avokat i fortë i saj në arenën ndërkombëtare.

    “Mbështesim përpjekjet për NATO, BE…”, tha Xhaferi.

    Xhaferi dhe homologu i tij në Prishtinë, Albin Kurti, nuk janë parë të kenë raporte të ngrohta politike. Madje, kosovari ka takuar në zyrën e tij subjektet opozitare shqiptare, që garojnë për zgjedhjet në Maqedoni të Veriut. Këto veprime i komentoi vetë Xhaferi, kur pyetet gjatë ligjëratës.

    “Duhet pasur kujdes si lëvizim kur bartim poste institucionale…”, tha Xhaferi.

    Megjithatë, sipas tij, marrëdhëniet mes dy qeverive nuk ndikohen, derisa tregon se deri tash, janë nënshkruar 11 marrëveshje të përbashkëta.

    Përveç temave aktuale, Xhaferi përkujton edhe një kohë të vështirë për shqiptarët e Kosovës, që gjetën strehë në Maqedoninë e Veriut.

    Përveç ligjëratës dhe diskutimeve me studentë, Xhaferi do të ketë kujtim edhe këtë dhuratë nga vizita në kolegjin AAB.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: