ATV

Author: ATVLive

  • Sveçla: Vrasësit mizorë të vajzave e grave me shpejtësi të sillen para drejtësisë

    Sveçla: Vrasësit mizorë të vajzave e grave me shpejtësi të sillen para drejtësisë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas tha se si Ministri “po punojnë” që gratë të jetojnë dhe veprojnë të sigurta, ndërsa për vrasjet ndaj grave zotohet se do t’i mbajnë përgjegjës autorët.

    “Rezistenca dhe kontributi i vajzave dhe grave në historinë e popullit tonë mbetet shembulli më i mirë që secili prej nesh kemi para vetes”, ka thënë Sveçla.

    Ai ka theksuar se si Ministri e Punëve të Brendshme, “jo vetëm sot por çdo ditë, po punohet që secila grua të jetojë e veprojë e sigurt në vendin tonë, ashtu që edhe secili vrasës mizor i vajzave e grave të sillet me shpejtësi para drejtësisë e të marrë dënimin e merituar.”

    “Duke njohur pabarazinë që ka rënduar ndër vite ndaj vajzave dhe grave në punësim, synim i punës sonë mbetet të ngrisim të gjithë mekanizmat që të garantojmë pjesëmarrje të grave dhe vajzave brenda sektorit publik”, tha ai në një adresim.

    Ministri i Brendshëm ka theksuar se sektorit të sigurisë i nevojiten edhe më shumë gra dhe vajza dhe kjo përbën prioritet për ta.

    Gjithashtu, ai shtoi se vajzat dhe gratë që janë çdo ditë në uniformë kanë dëshmuar se shërbimi për qytetarët e për Republikën nuk ka gjini.

    “Në këtë ditë të shënuar të 8 Marsit, shpreh mirënjohjen time të thellë për secilën vajzë e secilën grua që ka thyer çdo barrierë para saj. Para vetes kemi shumë sfida të cilat bashkëpunimi e bashkëveprimi si institucione e si shoqëri i tejkalon. Gëzuar sot dhe çdo ditë, nuk do të reshtim së punuari për barazi e drejtësi, mirëqenie e siguri”.

  • Spanca: ZKA-ja i ka dërguar 300 raste në Prokurori, s’kem marrë asnjë përgjigje

    Spanca: ZKA-ja i ka dërguar 300 raste në Prokurori, s’kem marrë asnjë përgjigje

    Mbi 300 raste të keqpërdorimit janë dërguar në Prokurori nga Zyra Kombëtare e Auditimit viteve të fundit por që nuk ka përfunduar asnjë proces. Kështu ka bërë të ditur auditorja e ZKA-së, Vlora Spanca, në panelin e mbajtur nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën “Roli i institucioneve dhe agjencive të pavarura në garantimin e integritetit institucional”, raporton EO.

    Spanca tha se gjatë vitit të kaluar, janë dërguar 51 raste të tjera por që nuk kanë evidencë se sa prej tyre janë në procese gjyqësore, pasi që sipas Spancës mekanizmi kthyes nga Prokurori i Shtetit nuk është funksional.

    “Është për keqardhje që edhe pse bëjmë maksimum me prefesionalizëm sepse është punë e ndjeshme por me gjithë këtë mund nuk e arrin ndikimin e duhur. Nuk dimë se çka ndodh me rastet kur dërgohen tek prokuroria andaj kemi lidhur edhe marrëveshje. Ne kemi dërguar 300 raste gjatë viteve të fundit ndërkaq 51 raste vitin e kaluar, çështja është që ne duhet ta dimë mos po e ngarkojmë më shumë elemente Prokurorinë”, deklaroi Spanca.

    Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike, Besnik Buzhala tha se partitë që nuk e kanë deklaruar pasurinë janë dënuar me kusht, e mosdeklarimi me kohë parasheh dënim me gjobë dhe procedura tjera.

    “Vendimet e Agjencisë janë respektuar, neve na është dashur të ballafaqohemi me pushtetin mirëpo shumica e institucioneve i kanë zbatuar. Ne bashkëpunojmë me prokurori, kemi takime e tryeza të shumta për raste ku kanë vendosur prokurorë të ndryshëm, këto i kemi koordinuar dhe mundohemi ta bëjmë më të mirën. Gjetjet tona ia raportojmë kuvendit”, u shpreh ai.

  • Më shumë vizitorë në hotele në janar 2024 sesa një vit më parë

    Më shumë vizitorë në hotele në janar 2024 sesa një vit më parë

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Hotelerisë për muajin Janar 2024, sipas të cilave del se më shumë vizitorë në hotele në janar 2024 sesa janari i një viti më parë.

    Në janar 2024, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) në hotele ishte 77 295, prej tyre 42,1%, ishin vendorë dhe 57,8% ishin të jashtëm. Krahasuar me muajin janar të vitit 2023 (sa ishin
    51 253 vizitorë) kishte rritje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve në hotele për 50,8%.

    Numri i net-qëndrimeve ishte 152 051, prej tyre 38,5% nga vendorët dhe 61,4% nga të huajt.

    Numri i vizitorëve të brendshëm dhe net qëndrimet e tyre në hotele sipas rajoneve

    Numrin më të madh të vizitorëve te brendshëm në hotele e kishte rajoni i Pejës me 19 472 vizitorë dhe më 33 080 net-qëndrime.

    Numri i vizitorëve te jashtëm dhe net qëndrimet e tyre në hotele sipas shteteve prej nga vijnë

    Sa u përket vizitorëve të huaj, krahasuar me periudhën paraprake (Janar 2023) ka rritje të vizitorëve për 50,8%. Në total, 77 295 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh ishte nga Shqipëri, Zvicra, Gjermania, Turqia etj.

  • Këta janë pesë politikanët kosovarë me performancën më të lartë në rrjetet sociale në dy muajt e parë të këtij viti

    Këta janë pesë politikanët kosovarë me performancën më të lartë në rrjetet sociale në dy muajt e parë të këtij viti

    Kompania Terra ka publikuar statistikat e performancës në media sociale për 20 profilet e politikanëve kosovarë që e kanë përformancën më të lartë në rrjetet sociale.

    Profilet e politikanëve kosovarë janë vlerësuar në bazë të metrikave të ndryshme në Facebook, duke përfshirë numrin total të fansave/ndjekësve, numrin e postimeve, feedback-un mesatar për postim, dhe trendet në angazhimin e përdoruesve.

    Prezenca në Facebook: Albin Kurti udhëheq me numrin më të lartë të reagimit te fansave në Facebook, që sugjeron një prezencë të fortë dhe potencial për një arritje të gjerë në platformë. Vjosa Osmani ndjek pas, me një bazë të madhe të fansave, që tregon një popullaritet dhe ndikim të lartë. Ramush Haradinaj është politikani i tretë me numrin më të lartë të reagimeve në Facebook, pasuar nga Përparim Rama në vendin e katërt dhe Mefail Bajqinofci zë pozitën e pestë si politikani me më së shumti reagime të fansave në Facebook. /atvlive.tv

  • BSPK: Mbetemi të palëkundur në angazhimin për promovimin e barazisë gjinore

    BSPK: Mbetemi të palëkundur në angazhimin për promovimin e barazisë gjinore

    Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka uruar të gjitha gratë si dhe anëtaret e BSPK-së për Ditën Ndërkombëtare të Gruas. përmes një deklarate me shkrim ka uruar

    “Ju shpreh përshëndetjet e mia më të ngrohta të gjitha grave të jashtëzakonshme brenda organizatës sonë po edhe të gjitha grave edhe më gjerë. Sot është një moment për të njohur dhe pranuar përparimin që kemi bërë në mbrojtjen e të drejtave të grave, por është gjithashtu një thirrje për veprim për të vazhduar shtytjen për barazi, fuqizim dhe drejtësi që vendi ynë ka shumë nevojë”, shkroi Hykolli.

    Ai ka thënë se qëndrojnë të bashkuar në angazhimin sindikal për të krijuar një mjedis ku çdo grua mund të lulëzojë dhe të arrijë potencialin e saj të plotë.

    “Ndërsa reflektojmë për të kaluarën, le të riafirmojmë përkushtimin tonë për të formuar një të ardhme ku gratë nuk janë vetëm pjesëmarrëse të barabarta, por janë edhe lidere në çdo aspekt të rrugëtimit tonë të përbashkët drejt zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë sonë dhe të vendit tonë”, ka shtuar tutje ai.

    Tutje Hykolli shtoi se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës mbetet i palëkundur në angazhimin e vet për të promovuar barazinë gjinore, për të mbrojtur paga të drejta dhe për të krijuar mundësi për gratë që të shkëlqejnë në karrierën e tyre.

  • Si po u shmanget Serbia masave ndëshkuese të BE-së për Banjskën?

    Si po u shmanget Serbia masave ndëshkuese të BE-së për Banjskën?

    Bashkimi Evropian nuk ka gatishmëri për t’i vënë masa ndëshkuese Serbisë, pas sulmit të armatosur që ndodhi në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, dhe standardet e dyfishta të bllokut evropian nuk përbëjnë asgjë të re – kështu i kanë thënë Radios Evropa e Lirë burime diplomatike në Bruksel dhe ekspertë të huaj.

    Sipas tyre, thirrjet në aspekte procedurale, dhe në mungesën e një raporti përfundimtar nga autoritetet e Kosovës, janë vetëm arsyetime për zvarritjen e rastit.

    “Perëndimi nuk ka apetit për të marrë ndonjë masë kundër [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, dhe ndaj kujtdo që ka qenë i përfshirë… Perëndimi ka nevojë për Serbinë dhe nuk dëshiron ta dëmtojë këtë marrëdhënie delikate”, vlerëson analisti Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Kosova, në anën tjetër, ngulmon në vendosjen e masave ndaj Serbisë, pasi deklaron se ndaj saj është kryer sulm terrorist.

    Çfarë ndodhi në Banjskë?

    Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serbësh vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në Banjskë të komunës së Zveçanit.

    Si pasojë e përleshjeve të mëtejme u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova e mban përgjegjës shtetin e Serbisë për këtë sulm, ndërsa Beogradi zyrtar e kundërshton këtë qëndrim.

    Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – Millan Radoiçiq, më vonë e mori përgjegjësinë për sulmin.

    Autoritetet e Serbisë kanë nisur një proces gjyqësor kundër tij, por e kanë liruar nga masa e paraburgimit, me kushtin që të mos shkojë më në Kosovë.

    Organizata Ndërkombëtare e Policisë, e njohur më shumë si INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim kundër tij.

    Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë, por masat ndëshkuese të kërkuara aq shumë prej autoriteteve të Kosovës nuk janë vënë kurrë.

    Në pritje të raportit të Kosovës…

    Bashkimi Evropian e ka pranuar vitin e kaluar një raport prej 48 faqesh nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës për sulmin në Banjskë.

    Megjithatë, burimet e Brukselit kanë thënë se ai nuk është i mjaftueshëm, duke vlerësuar se në të ka tone politike, dhe se nga Kosova nevojitet një raport i hartuar prej sistemit të drejtësisë.

    Autoritetet e Kosovës e kanë kritikuar disa herë Prokurorinë e Shtetit që ende nuk ka dalë me një raport për ngjarjet në Banjskë dhe nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

    Këshilli Prokurorial i Kosovës, në anën tjetër, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të mos ndërhyjë në punët e sistemit të drejtësisë, duke pretenduar se deklaratat e pushtetit janë tendencioze.

    Pse nuk i kryen BE-ja hetimet e veta?

    Brukseli pohon se nuk ka mandat për një gjë të tillë. Nga BE-ja kanë thënë që sulmi ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe se autoritetet atje janë kompetente.

    Kur kanë folur publikisht, zyrtarët e BE-së e kanë cilësuar sulmin në Banjskë si terrorist.

    Por, në Raportin e Progresit të BE-së për vitin 2023, në pjesën për Serbinë, sulmi në Banjskë përshkruhet se është kryer vetëm prej “individëve të armatosur rëndë”.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk ka kthyer përgjigje për pyetjen e Radios Evropa e Lirë se pse blloku evropian ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë rast.

    Në të kaluarën, ai e ka përsëritur disa herë që janë në pritje të raportit përfundimtar nga Kosova.

    Parlamenti Evropian ka kërkuar ndëshkimin e Serbisë, mirëpo diçka e tillë është në dorën e Këshillit dhe të Komisionit Evropian.

    Alejandro Esteso Perez, analist dhe studiues i politikave të Ballkanit dhe zgjerimit të BE-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se BE-ja nuk dëshiron ta vendosë Serbinë përpara pasqyrës.

    “Nuk dëshiron të rrezikojë një reagim potencial të Vuçiqit, qoftë duke u afruar me Rusinë apo Kinën – që ai veçse po e bën – dhe e kupton që pa Serbinë nuk mund të ketë dialog Kosovë-Serbi”.

    Ndërkaq, analisti Vogel thotë se ka dëgjuar prej ligjvënësve në BE që Serbia kritikohet nëpër biseda private. Por, sipas tij, “nëse diçka nuk thuhet publikisht, është sikur të mos ishte thënë fare”.

    Çfarë masash do të duhej të merreshin ndaj Serbisë?

    Vogel përmend dy masa, që për të janë minimumi:

    Masa të ngjashme me ato që i janë vënë Kosovës, pas rritjes së tensioneve në veri, në majin e vitit 2023

    Një deklaratë të qartë prej udhëheqësve perëndimorë që incidenti do të hetohet në hollësi dhe që Vuçiq duhet të heqë dorë publikisht prej çfarëdo aktiviteti ushtarak afër Kosovës.

    Analisti Perez, ndërkaq, konsideron se duhen të tjera masa:

    Nisja e menjëhershme e një hetimi të pavarur

    Masa ekonomike

    Masa që shënjojnë individët – ngrirje pasurish, ndalesa në udhëtime.

    Burimet në Bruksel vlerësojnë se BE-ja e përdor mosvendosjen e masave ndaj Serbisë “për t’i bërë presion” Beogradit për procese që dëshiron t’i çojë përpara.

    Megjithatë, Serbia vazhdon të mos e koordinojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së. Mossanksionimi i Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë është vetëm njëri prej shembujve.

    A do të ketë ndikim në Kosovë kjo qasje e BE-së?

    Perez beson që po.

    “Jam i befasuar prej përpjekjeve aq të vogla të BE-së për të kuptuar situatën e Kosovës. Nëse nuk ka lëvizje edhe në muajt e ardhshëm, besimi i popullatës në të do të zvogëlohet dhe ata do të jenë edhe më të pashpresë sesa tani”, thotë ai.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2022, dhe aktualisht ka të nënshkruar vetëm Marrëveshje për Stabilizim-Asociim me bllokun evropian. /REL

  • Këto janë dhjetë gratë më të pasura në botë

    Këto janë dhjetë gratë më të pasura në botë

    Revista prestigjioze Forbes ka publikuar listën e grave më të pasura në botë, ku shumica prej tyre vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Faqja “World of Statistics” në platformën X ka publikuar këtë listë.

    Francezja Francoise Bettencourt Meyers: 99.5 miliardë dollarë

    Amerikanja Alice Walton: 64.8 miliardë dollarë

    Amerikanja Julia Koch: 60.1 miliardë dollarë

    Amerikanja Jacqueline Mars: 39.8b miliardë dollarë

    Amerikanja MacKenzie Scott: 34.5 miliardë dollar

    Amerikanja Miriam Adelson: 33.8 miliardë dollarë

    Australianja Gina Rinehart: 30.2 miliardë dollarë

    Indianja Savitri Jindal: 30.0 miliardë dollarë

    Zvicerianja Rafaela Aponte-Diamant: 29.4 miliardë dollarë

    Amerikanja Abigail Johnson: 28.6 miliardë dollarë

  • Përmbushet 20 përqindëshi i kërkuar për largimin e kryetarëve në veri – Më 21 prill votohet për largimin e tyre

    Përmbushet 20 përqindëshi i kërkuar për largimin e kryetarëve në veri – Më 21 prill votohet për largimin e tyre

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur i ka verifikuar listat e nënshkrimeve të peticionit për largimin e kryetarëve në katër komunat në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.

    Sipas KQZ-së, nga listat e pranuara rezulton se në të katër komunat është përmbushur 20 për qindëshi i kërkuar në peticion për të nisur procedurat e largimit të kryetarëve.

    Në komunën e Leposaviqit, lista e nënshkruesve përmban 3 mijë e 30 nënshkrime, ndërsa pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve, rezulton se 2 mijë e 905 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote.

    “Pra, numri i votuesve për komunën e Leposaviqit është 13 mijë e 441 votues, ku 20 për qind e votuesve për këtë komunë i bie të jetë 2 mijë e 689 votues. Andaj, këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind të votuesve për këtë komunë”, u tha në mbledhjen e KQZ-së.

    Në komunën e Zubin Potokut, lista nënshkruese e peticionit përmban 1 mijë e 567 nënshkrime, ku pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve rezulton se 1 mijë e 380 nënshkrues janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote.

    “Numri i votuesve është 6 mijë e 732 votues, ku 20 për qind e votuesve për komunë i bie që të jetë 1 mijë e 347 votues, andaj, këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind të votuesve të kërkuar për peticion”, tha kryetari i KQZ-së.

    20 për qindëshin e kërkuar në peticion e ka përmbushur edhe komuna e Zveçanit, ku peticionin e kanë nënshkruar 1 mijë e 834 njerëz.

    Pas krahasimit me listën e votuesve, ka rezultuar se 1 mijë e 714 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në komunën e Zveçanit.

    “Numri i votuesve për komunën e Zveçanit është 7 mijë e 52 votues, ku 20 për qind e votuesve i bie të jetë 1 mijë e 411 votues. Andaj këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind të votuesve të kërkuar për peticion”, tha tutje ai.

    Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, janë mbledhur 3 mijë e 148 nënshkrime në listën e peticionit, ku pas krahasimit me listën votuese ka rezultuar se 3 mijë e 563 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në Mitrovicë të Veriut.

    “Numri i votuesve është 18 mijë e 199 votues, ku 20 për qind e votuesve për komunë i bie të jetë 3 mijë e 640, andaj këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind të votuesve të kërkuar në peticion”, tha ai.

  • Dënohet me 25 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e djalit për çështje pronësore në Podujevë

    Dënohet me 25 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e djalit për çështje pronësore në Podujevë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Naim Smajli, i akuzuar për vrasjen e djalit të tij E.S., duke e dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim.

    Aktgjykimi ndaj Smajlit u shpall të premten nga gjykatësja Alltën Murseli, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Smajli akuzohej se ka vrarë djalin e tij E.S., në vitin 2022 në fshatin Bajçinë të Podujevës, për çështje pronësore.

    Gjykatësja Murseli tha se për veprën penale “Vrasje e rëndë”, Smajli dënohet me 24 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje dy vite burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 25 vjet burgim.

    Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.

    Po ashtu, gjykatësja theksoi se konfiskohet arma e zjarrit me të cilën është kryer vepra.

    I akuzuari obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

    Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit Smajli.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 dhjetor 2022, Naim Smajli rreth orës 17:00 në fshatin Bajçinë, Komuna e Podujevës për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore, me dashje e ka privuar nga jeta djalin e tij tani të ndjerin E.S.

    I akuzuari Smajli, sipas aktakuzës, në një distancë të afërt ka shtënë në drejtim të djalit të tij tani të ndjerit E.S.

    Me këto veprime, Smajli akuzohej nga Prokuroria për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, Naim Smajli nga data e pacaktuar e deri më 13 qershor 2022, ka mbajtur në e armën e llojit “pushkë automatike” në kundërshtim me ligjin, një mjet shpërthyes, granatë dore dhe me posedimin e tyre i akuzuari Smajli ngarkohej se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.

  • Arbër Krasniqi publikon këngën ‘Nan’ në Ditën e Gruas

    Arbër Krasniqi publikon këngën ‘Nan’ në Ditën e Gruas

    Arbër Krasniqi ka publikuar këngën më të re të titulluar “Nan”.

    Kjo këngë plotë emocion e dhembshuri, flet për një dialog në mes të një fëmije të palindur dhe nënës.

    Tekstin e këngës e ka shkruar Vlersina Islami Kryeziu. Ndërsa kompozimin, orkestrimin, miksimin dhe masterin i ka bërë vet këngëtari, Arbër Krasniqi.

    Ne kitarë luan Leonard Canhasi ndërsa në bateri Vullnet Krasniqi.

    Klipin e këngës e ka realizuar “Anderrfilms” ndërsa skenarin dhe regjinë e tij e ka bërë Arberi.

    Kënga është një projekt i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).