ATV

Author: ATVLive

  • Kritika për metodën e regjistrimit të diasporës

    Kritika për metodën e regjistrimit të diasporës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Në procesin e regjistrimit të popullsisë, që do të fillojë më 5 prill, do të përfshihet edhe diaspora kosovare.

    Agjencia e Statistikave, të dhënat për bashkatdhetarët do t’i marrë nga familjarët e tyre të cilët banojnë në Kosovë, përmes një pyetësori të veçantë, i cili nuk është publikuar ende.

    “Të gjithë pyetësorët do të bëhen publikë, sipas planit të aktivitete që ka ASK-ja. Për këtë do të njoftoheni me kohë. Regjistrimi i diasporës do të bëhet përmes një Pyetësori të veçantë (S1 – Pyetësori për anëtarët e ekonomisë familjare të cilët jetojnë jashtë vendit)”, thuhet në njoftimin ASK-së.

    Mirëpo, Kenan Gashi nga rrjeti i OJQ-ve AVONET, dyshon në efikasitetin e kësaj metode.

    “Kjo i jep mundësi të manipulimit, në të njëjtën kohë të mosregjistrimit të mirë dhe të drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, e sidomos atyre që nuk jetojnë në Kosovë. Fakti qëndron aty kur nëpër zonat rurale mund të identifikohen më lehtë, por problemi qëndron aty te zonat më urbane”, tha Gashi.

    Ndërkohë, Lirim Krasniqi nga organizata GERMIN, nuk e komenton mënyrën e regjistrimit, mirëpo thotë se mbledhja e të dhënave për diasporën, është proces pozitiv.

    “Regjistrimi i atyre që janë jashtë vendit do të ndihmojë në procese më të mira politikëbërëse, sepse do të dihet saktë numri i qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës”, tha Krasniqi.

    Të hënën, ASK-ja njoftoi se tashmë ka filluar shpërndarja e pajisjeve dhe materialeve për regjistrimin e popullsisë në të gjitha komunat e Kosovës.

    Për ta përmbyllur këtë proces, do të angazhohen gjithsej 3400 punonjës, 2500 prej tyre si regjistrues dhe 900 të tjerë si mbikëqyrës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Banka postare e Serbisë vendos bankomatë në afërsi të kufijve me Kosovën

    Banka postare e Serbisë vendos bankomatë në afërsi të kufijve me Kosovën

    Përgatiti: Haris Ademi

    Serbët e Kosovës do të mund të shërbehen me dinarë, posa të hyjnë në Serbi, nga pikat kufitare Jarinjë, Bërnjak, Dheu i Bardhë dhe Merdar. Banka Postare e Serbisë i ka improvizuar katër degë të saj, bashkë me bankomatë, në këto vende.

    Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, këtë e quajti si lehtësim për qytetarët që nuk mund të tërheqin dinarë në Kosovë. Nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore që e njeh vetëm euron si valutë zyrtare.

    Nga Banka thonë se në objektin e pazakontë e të përkohshëm, puna do të jetë e zakonshme.

    “Në këto katër lokacione do të ketë orar pune nga 9 në 17, gjatë ditëve të javës dhe të shtunën. Dua ta bëj të qartë se këto janë objekte të përkohshme që do të jenë këtu, vetëm derisa të kthehet qarkullimi normal i dinarëve dhe transaksionet të vendosen. Njerëzit këtu mund t’i marrin të gjitha shërbimet bankare, jo vetëm të tërheqin para”, tha Marko Pavloviq nga Banka Postare e Serbisë.

    Sipas kësaj banke, vetëm deri në orën 13, të hënën u tërhoqën rreth shtatë milionë dinarë, që i bie rreth 60 mijë euro. Ndërsa, nuk ka kufizime sa para mund të merren.

    Serbët që e shfrytëzuan këtë mundësi, thonë se vendosja e re e bankomatëve ua kursen disa kilometra.

    “Kemi ardhë këtu për t’i marrë pagat tona, disa kilometra nga Merdari. Shteti serb na ka mundësuar që t’i tërheqim pagat këtu, në mënyrë që të mos shkojmë në ndonjë qytet tjetër të Serbisë. Nuk është e lehtë po nuk kemi çka të bëjmë”, thotë një serb i Kosovës.

    “Kjo është më lehtë, sepse nuk kemi nevojë të shkojmë në Rashkë apo edhe në Novi Pazar”, tha një tjetër serb i Kosovës..

    Dogana e Kosovës gjatë shkurtit i ktheu prapa dy herë në kufi furgonët me kartëmonedhat serbe.

    Meqë prania e cash-it nisi të zvogëlohet në komunat me shumicë serbe në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vucic, paralajmëroi veprime të ndryshme për t’ua mundësuar qytetarëve tërheqjen e parave.

    Rregullorja e BQK-së, me fokus në çështjen e dinarit, është bërë temë edhe në procesin e dialogut mes Prishtinës e Beogradit, por edhe çështje kryesore në komunikimet mes autoriteteve kosovare dhe aleatëve ndërkombëtarë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Faturat e fryra për veriun”, Kushtetuesja: 41 milionë euro u kthehen konsumatorëve

    “Faturat e fryra për veriun”, Kushtetuesja: 41 milionë euro u kthehen konsumatorëve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Konsumatorët nga 34 komuna fituan të drejtën e kompensimit për dëmin e shkaktuar nga “faturat e fryra”, në vlerë të përgjithshme 40.8 milionë euro, si mbulim për energjinë elektrike të papaguar, në katër komunat me shumicë serbe në veri, në periudhën 2012-2017.

    Të hënën, Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin në të cilin njeh vendimin e Supremes.

    “Gjykata, duke aplikuar kriteret dhe parimet e elaboruara përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor, dhe në veçanti duke u bazuar në interpretimin e dhënë përmes aktgjykimeve të gjykatave të rregullta të kontestuara para Gjykatës, konstatoi që të njëjtat kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura, përmes përgjigjes në padi, përkatësisht ankesës, si dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, dhe konstatoi që aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me dispozitat e kontestuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Në mars të vitit të kaluar, Gjykata Supreme shpalli aktgjykimin i cili e obligon ZRRE-në ta detyrojë KEDS-in të kompensojë konsumatorët për dëmin në fjalë.

    Aktgjykimi i Supremes, që tani njihet edhe nga Kushtetuesja, ka klauzolën e zbatimit me detyrim brenda 15 ditësh.

    Më 2017, Gjykata e kishte cilësuar të jashtëligjshëm vendimin e vitit 2012 të ZRRE-së, për faturimin shtesë të konsumatorëve në 34 komuna, për të mbuluar
    humbjet si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • 233 mijë euro për procesin e votimit, për shkarkimin e kryetarëve në veri

    233 mijë euro për procesin e votimit, për shkarkimin e kryetarëve në veri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    233 mijë euro ndau të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për mbajtjen e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

    Datën po, por qytetarët e komunave veriore ende nuk e dinë se në çfarë vende do të mund ta realizojnë këtë proces.

    Për këtë, KQZ-ja vendosi që më së largu më 16 mars ta publikojë listën me vendvotime.

    Megjithatë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut do të informohen edhe nga afër, meqë nga 19 deri 21 prill do të ketë fushatë informuese.

    Qytetarët e regjistruar si votues në komunat veriore por që jetojnë jashtë vendit, do të mund të votojmë përmes postës nga 12 prilli deri më 20 prill.

    KQZ-ja, gjithashtu, do të caktojë edhe anëtarët e komisioneve komunale, jo më larg se 17 mars.

    Megjithatë, në këtë pjesë pati kritika nga anëtarët e KQZ-së që të mos caktohen gjithmonë të njëjtit.

    Sidoqoftë, sipas KQZ-së, lista e votuese duhet të certifikohet më së largu deri më 9 mars.

    Në votimin për shkarkimin e kryetarëve, duhet që 50 për qind plus një e votuesve të regjistruar që votojnë të jenë pro shkarkimit, në të kundërtën nisma nuk ka sukses.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Djuriq-Radoiçiq, BE: Nëse takoni të dyshuar për krime, ju pasqyron juve

    Djuriq-Radoiçiq, BE: Nëse takoni të dyshuar për krime, ju pasqyron juve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Çështje “pasqyrimi” e vlerësoi Bashkimi Evropian takimin e ambasadorit të Serbisë në SHBA, Marko Djuriq, me të kërkuarin nga Interpol-i, Milan Radojiçiq.

    BE-ja nuk pati qëndrim të ri kur u pyet për mbrojtjen nga Serbia të njeriut që mori përgjegjësinë për organizimin dhe udhëheqjen e sulmit terrorist-paramilitar në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    “Nuk na takon ta komentojmë secilin takim që anëtarë të administratës serbe kanë me njerëz të ndryshëm. Mendoj se, para së gjithash, kë takoni, ju pasqyron juve, veçanërisht nëse është një i dyshuar për veprime kriminale. Por, lidhur me sulmin në Banjskë, qëndrimi i BE-së mbetet i njëjtë. Ne po presim raportin hetimor zyrtar, përfundimtar, dhe pastaj do të shohim se si të sigurohet llogaridhënia. Deri tani, nuk e kemi parë një raport të tillë këtu në Bruksel”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Kur u pyet për takimin Djuriq-Radoiçiq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sulmoi publikuesin e fotografisë.

    “E keni parë Duricin atje e këtu. Nuk e pyeta kur, ku ose pse? Ose nëse je ngritur nga tavolina për ta përshëndetur Milan Radoicicin, të ulesh me të për një a dy minuta, ose nëse ishte me të. Nuk e kam pyetur asgjë. Vetëm i kam shikuar të gjithë denoncuesit dhe injorantët tjerë se si e raportojnë dikë diku. Thonë – imagjinojeni u takua me horrin serb – vërtet! Ndërsa lavdërojnë atë që shkojnë te varri i Adem Jasharit”, ka deklaruar Vuçiq.

    Vetë Duriqi, për mediat në Serbi, tha se i pëlqen të takohet me Radoiçiqin, teksa iu referua si përfaqësues i serbëve në Kosovë.

    Në një reagim, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffery Hovenier, tha se “Radoiçiq është kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin në Banjskë”.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Zjarri në Parkun e Biznesit në Drenas ende nuk është shuar, gazetari i ATV-së tregon detajet e fundit nga vendi i ngjarjes

    Zjarri në Parkun e Biznesit në Drenas ende nuk është shuar, gazetari i ATV-së tregon detajet e fundit nga vendi i ngjarjes

    Zjarri i madh që ka përfshirë Fabrikën e Plastikës në Drenas, ende nuk është shuar, raporton gazetari i ATV-së, Armand Hoti direkt nga vendi i ngjarjes.

    “Është bërë mbi 8 orë që pavarësisht kushteve të këqija atmosferike, pra ditës më shi dhe intervenimit të pandalshëm të zjarrfikësve, zjarri këtu në Parkun e Biznesit në Korroticë të Epërme të Drenasit, ende nuk është fikur”.

    Ai tregon se edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës ka vënë në shërbim të asistimit të fikjes së zjarrit autoblindat, të cilat i përdor për shpërndarjen e protestuesve.

    “Aktualisht në vendin e ngjarjes janë njësitet e zjarrfikësve që vijnë nga komuna të ndryshme të Kosovës, gjë që nuk ndodhi gjatë ditës, por kanë ardhur më vonë edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës, të cilët po përdorin pajisjet që i kanë të montuara në automjetet, të cilat i përdorin për largim të protestuesve dhe kështu po asistojnë në fikjen e zjarrit”, raporton gazetari Armand Hoti.

    Më shumë detaje nga vendi i ngjarjes i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve të ATV-së në videon më poshtë:

  • Një 13-vjeçare dyshohet se u dhunua në Drenas, arrestohet dy të dyshuar

    Një 13-vjeçare dyshohet se u dhunua në Drenas, arrestohet dy të dyshuar

    Një vajzë 13-vjeçe, dyshohet se është dhunuar nga dy persona të moshës madhore.

    Të dyshuarit janë arrestuar nga policia dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë rajonale të Pejës, Fadil Gashi.

    “Dje me datën 10 mars, viktima (fëmijë), është raportuar si person i zhdukur në stacionin policor në Malishevë. Policia ka identifiku lokacionin ku gjendet, ku dyshohet se është dhunuar viktima, janë arrestuar të dyshuarit janë intervistu dhe pas intervistimit me urdhër të janë ndaluar për 48 orë, rasti është duke u hetuar”, tha Gashi.

    Rasti po hetohet si “Dhunim”.

  • Haradinaj uron ambasadorin e ri britanik, e pret në takim njoftues

    Haradinaj uron ambasadorin e ri britanik, e pret në takim njoftues

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur në takim njoftues Ambasadorin e Mbretësisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Haradinaj ka vlerësuar rolin e Mbretërisë së Bashkuar për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

    “Pata kënaqësinë ta pres në takim njoftues Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves. Duke e uruar për detyrën e re, Ambasadorin Hargreaves e falënderova për kontributin e vazhdueshëm dhe të jashtëzakonshëm që e ka dhënë Mbretëria e Bashkuar për lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka kërkuar nga ambasadori Hargreaves mbështetjen e tij dhe të Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

    “Vlerësova rolin jetik të Mbretërisë së Bashkuar në sigurinë e Kosovës. Kërkova mbështetjen e tij dhe të Mbretërisë së Bashkuar në përkushtimin tonë për të qenë pjesë NATO-s”, është shprehur Haradinaj.

  • Hovenier për Donjeta Sadikun: Edhe një shembull i shkëlqyeshëm i atleteve të zonja të Kosovës

    Hovenier për Donjeta Sadikun: Edhe një shembull i shkëlqyeshëm i atleteve të zonja të Kosovës

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka përgëzuar boksieren Donjeta Sadiku. Ai ka thënë se ajo është shembull për t’u ndjekur në sport për vajzat dhe gratë kosovare

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka përgëzuar boksieren Donjeta Sadiku pasi kjo e fundit javën e kaluar siguroi pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Parisit më 2024, pasi mposhti në gjysmëfinalen e turneut kualifikues italianen, Alessia Mesiano.

    Hovenier ka shkruar në rrjetin X për përkushtimin dhe punën e sportistes Sadiku, duke thënë se ajo është shembull për t’u ndjekur dhe dëshmi e arritjeve të grave në sport.

    “Edhe një shembull i shkëlqyeshëm i atleteve të zonja të Kosovës! Përgëzime Donjetës për këtë arritje të jashtëzakonshme. Puna e jote e palodhshme dhe përkushtimi shërbejnë si frymëzim për vajzat dhe gratë kosovare sportiste”, ka shkruar Hovenier.

  • ​Takimi i Gjuriqit me kriminelin serb, këshilltarja e BE-së çuditet pse Radoiçiq nuk është në burg

    ​Takimi i Gjuriqit me kriminelin serb, këshilltarja e BE-së çuditet pse Radoiçiq nuk është në burg

    Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka reaguar pas pamjeve të publikuara ku shihen ambasadori në detyrë serb në ShBA, Marko Gjuriq dhe organizatori të sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq,

    Në llogarinë e saj në platformën X, ajo pyeti se pse Radoiçiq nuk është në burg dhe për çfarë duhen të flasin ata.

    Shkrimi i plotë:

    Milan Radoiçiq – i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjska në shtator të vitit 2023 – dhe Marko Gjuriq – ambasador i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – janë ulur së bashku në një restorant.

    Pse Radoiçiq nuk shkon në burg? Për çfarë duhet të flasin ata?