ATV

Author: ATVLive

  • ​Rasti “Gjermania”: Bastisen 14 lokacione në Kosovë, konfiskohet një sasi e konsideruar e armëve

    ​Rasti “Gjermania”: Bastisen 14 lokacione në Kosovë, konfiskohet një sasi e konsideruar e armëve

    Policia e Kosovës, si rezultat i shkatërrimit të një grupi kriminal që ishte realizuar vitin e kaluar më 2 tetor 2023, ku ishin arrestuar tre persona të dyshuar, në vazhdën e bashkëpunimit ndërkombëtare, lidhur me rastin ‘’Gjermania’’ ka vazhduar hetimet edhe përgjatë këtij viti.

    Njësiti kundër Krimit të Organizuar ka vazhduar me aktivitete intensive hetimore, ku më datat 13, 14 dhe 15 mars 2024, ka realizuar një operacion policor në disa lokacione të ndryshme në nivel vendi, lidhur me dyshimet për veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse.

    Në këtë operacion policor të realizuar sipas urdhëresës nga gjykata, janë kontrolluar 14 lokacione me ç’rast janë konfiskuar një sasi e konsideruar armësh dhe municionesh të kalibrave të ndryshëm.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në hetimin dhe zbulimin e të gjitha veprave penale në vend si me theks të veçantë ato në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

  • ​Top-10 klubet më të mira sipas UEFA-së

    ​Top-10 klubet më të mira sipas UEFA-së

    Rezultatet i raundit të 1/16-të të Ligës së Kampionëve kanë ndryshuar renditjen e klubeve në publikimin e fundit të publikuar nga UEFA. Manchester City mbetet i pari në listë përpara Bayern Munichut dhe Real Madridit, ndërsa ekipi kryesor italian është Interi, i gjashti përpara Romës në vendin e nëntë.

    Napoli dhe Juventus janë më larg, duke zbritur në vendin e shtatëmbëdhjetë dhe të tetëmbëdhjetë.

    Ja top-10 klubet më të mira sipas UEFA-së:

    1. Manchester City

    2. Bayern Munich

    3. Real Madrid

    4. Paris Saint-Germain

    5. Liverpool

    11. Leipzig

    8. Chelsea

    9. Roma

    10 Mançester United

  • ​Presidenti i Eurogrupit: Bullgaria mund të miratojë monedhën euro në vitin 2025

    ​Presidenti i Eurogrupit: Bullgaria mund të miratojë monedhën euro në vitin 2025

    Bullgaria mund të miratojë euron në 2025 dhe puna synon të frenojë inflacionin, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për t’u bërë në 2024. Qeveria bullgare mund të vendosë nëse do të kërkojë një vlerësim të mëtejshëm, tha të premten në Këshill të ministrave presidenti i Eurogrupit Paschal Donohoe pas takimit me kryeministrin në largim Nikolai Denkov, zëvendëskryeministren në largim Mariya Gabriel dhe ministrin në largim të Financave Assen Vasilev.

    Sipas traktateve të BE-së, Qeveria bullgare do të vendosë nëse do të kërkojë një vlerësim të mëtejshëm të treguesve ekonomikë në lidhje me adoptimin e euros, tha Donohoe. Ai vuri në dukje se për momentin e gjithë energjia duhet të angazhohet dhe të përqendrohet që Bullgaria t’i kalojë testet dhe kjo është pjesë e vlerësimit të rregullt që do të bëhet më vonë në vitin 2024.

    Presidenti i Eurogrupit theksoi se për të çështja nuk është nëse Bullgaria do të hyjë në eurozonë, por kur puna e Bullgarisë tani po rritet për sa i përket frenimit të inflacionit, i cili është padyshim në interesin më të mirë të njerëzve në vend, theksoi Donohoe.

    Denkov vuri në dukje se Donohoe është një politikan me përvojë të madhe, ministër në qeveritë irlandeze për më shumë se 10 vjet, aktualisht ministër për shpenzimet publike, planin kombëtar të zhvillimit dhe reformat në Irlandë. Për këtë arsye, përveç çështjes së eurozonës, ajo që dy zyrtarët diskutuan ishte përvoja e Irlandës pas adoptimit të euros.

    Irlanda është një vend i shquar në këtë aspekt sepse, duke filluar nga nivelet shumë të ulëta – vendi më i varfër në BE në atë kohë, në një periudhë shumë të shkurtër kohore, falë politikës së duhur – tërheqja e investimeve, shfrytëzimi i mundësive të ofruara nga BE dhe euro, tani është një nga vendet më të zhvilluara në BE, tha Denkov. /BTA

  • Krasniqi: Regjistrimi i Popullsisë po shkon për herë të tretë drejt dështimit

    Krasniqi: Regjistrimi i Popullsisë po shkon për herë të tretë drejt dështimit

    Ish kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi ka reaguar ndaj procesit të regjistrimit të popullsisë.

    Ai përmes një shkrimi ka paralajmëruar se regjistrimi i popullsisë po shkon drejt dështimit të tretë duke i renditur disa sfida dhe pengesa sipas tij të pakapërcyeshme që projektin në proces do ta dështojnë në mënyrë të pashmangshme.

    Reagimi i plotë:

    Fillimisht kërkoj mirëkuptimin e opinionit të gjerë që, këtë thirrje ta kuptoj si reagim qytetar, pa pozicion këndvështrimi politik, partiak, apo nga pozita që kam momentalisht dhe nga pozita që kisha dikur. Pra, dëshira ime është që Regjistrimi i Popullsisë në Republikën e Kosovës të realizohet, pasi e konsideroj interes parësor për vendin.

    Dihet se Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, është projekt kapital për një shtet, por bazuar në proceset e deri tashme, nga palë të caktuara, nuk kam vërejtur se ky projekt është konsideruar si interes i lartë shtetëror.

    Bazuar në këndvështrimin e trajtimit të këtij projekti si interes të lartë shtetëror, nuk mund të heshti dhe të mos paralajmëroj, apo pse jo edhe të alarmoj, se Regjistrimi i Popullsisë po shkon drejt dështimit të tretë. Prandaj, pa e zgjatur po i rendis sfidat apo pengesat e (pa)kapërcyeshme që projektin në proces do ta dështojnë në mënyrë të (pa)shmangshme.

    E para

    Analiza ime e para dy viteve e bërë për Projektligjin e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave dhe procesit të Planifikimit të projektit në veçanti, nuk është marrë atëherë fare në konsideratë, prandaj ndodhën dy dështime të një pas njëshme të realizimit të këtij projekti vitin e kaluar.

    E dyta

    Ka probleme dhe pengesa të theksuara të funksionalizimit dhe mbarëvajtjes së Komisioneve Komunale të Regjistrimit, për shkak të mos koordinimit të duhur nga Qendra e Regjistrimit të Popullsisë. Pavarësisht udhëzimeve të çarta të Udhëzuesit të Regjistrimit të Popullsisë në letër, në terren ka probleme të theksuara, qoftë në mosrespektim të kompetencave ndërinstitucionale, qoftë në motivim të anëtarëve të këtyre KKR-ve, qoftë në neglizhencën që është prezentë nga Qendra e Regjistrimit të Popullsisë, e deri tek Regjistruesi i fundit në këtë proces zinxhiror.

    E treta

    Ka probleme të theksuara me rekrutimin e stafit në përgjithësi, por edhe më keq në rekrutimin e Regjistrueseve gjithandej territorit të Republikës së Kosovës. Dështimi i një Qarku Regjistrues, do ta dështoj Regjistrimin në nivel Komunal, e aq më keq kur kjo ka gjasa të mëdha të ndodhë në shumë Qarqe Regjistruese dhe në shumë Komuna.

    E katërta

    Shumica e aplikantëve, e sidomos ata për Regjistrues, por edhe anëtarët e KKR-ve, nuk e kanë ende të çartë, se sa do të jenë të kompensuar me pagesë, çfarë pune e ndjeshme dhe me përgjegjësi e pret në teren, e deri te sasia e pyetësorëve që mund ti plotësoj brenda ditës. Ka rrezik që mos të ketë aplikantë të mjaftueshëm për Regjistrues. Gjithashtu ka rrezik që Regjistruesit të dështojnë brenda një ekonomie familjare, lagje fshati apo qyteti, e deri në nivel të Qarkut Regjistrues, sepse është fakt i pamohueshëm tashmë zbrazja e shtëpive dhe banesave nga banorët rezidentë të Kosovës, kështu që Regjistruesit as që do kenë mundësi të plotësojnë shumë pyetësor lidhur me parametrat e ekonomisë familjare dhe parametrat e rëndësishëm të shtëpive dhe banesave. Kur Regjistruesit nga këto probleme në teren do ti shkoj puna huq për gjithë ditën dhe normalisht që nuk do të paguhet për pyetësorë të zbrazët, atëherë do të kemi largim vullnetar masiv të Regjistruesve nga puna dhe rrjedhimisht dështimi i Regjistrimit të Popullsisë, do të jetë para faktit të kryer.

    E pesta

    Sipas standardeve ndërkombëtare, Regjistrim të Popullsisë të pranueshëm ndërkombëtarisht, nuk mund të ketë, nëse procesi i Regjistrimit zgjatë me muaj të tërë, sepse Parimi themelor i krahasueshmerisë për statistika zyrtare në këto raste konsiderohet i shkelur rëndë.

    E gjashta

    Nuk është vendosur procesi i vetëkontrollit nga Qendra e Regjistrimit të Popullsisë. Kjo nënkupton edhe komponentën e rëndësishme të harmonizimit dhe ndarjes së përgjegjësive, që nga Qendra e deri te Regjistruesi në teren. Rrjedhimisht, kjo do ta kolapsoj që në ditët e para gjithë procesin e Regjistrimit të Popullsisë.

    E shtata

    Sistemi Informativ Menaxhimit të Regjistrimit të Popullsisë, pra përfshi këtu aplikacionin me të gjithë pyetësorët, format e pyetësorëve, hartat dixhitale, ruajtja e të dhënave të mbledhura në tabletë, transmetimi i tyre në bazën e shënimeve në Server, funksionimi si duhet i gjithë këtij interfejsi kompleks i ndërlidhjes së panderprerë të këtyre ndërveprimeve, do të vihet në pikëpyetje të pashmangshme gjatë punës në teren.

    E teta

    Familjarizimi i Sistemit Informativ, e sidomos formave të aplikacionit të instaluara në secilin tablet, qoftë të Regjistruesve, të Mbikëqyrësve dhe Kontrolloreve, është vendimtare sepse, pa këtë familjarizim dhe trajnim efektiv të përdorimit të tabletave, shumica e stafit të angazhuar në teren për mbledhje të të dhënave, do të dështojnë.

    E nënta

    Funksionimi permanent dhe me kapacitet maksimal transmetues, i rrjetave telekomunikuese të operatorëve të telefonisë mobile, qoftë të rrjetit Vala apo IPKO, është një nga elementet përcaktuese të (mos)dështimit të mbledhjes dhe transmetimit të të dhënave në Server. Pamundësia e këtij rrjeti, pavarësisht të ruajtjeve të përkohshme të të dhënave në tabletë, paraqet fyt të ngushtë të shkarkimit të të dhënave në Server dhe pengesë për Regjistruesin për realizimin e punës së tij në teren. Kjo demotivon stafin dhe sjell lëshimin e punës nga ana e tyre. Mbi të gjitha, kjo paraqet edhe rrezik të sigurisë së të dhënave personale të ruajtura në tabletë për një kohë më të gjatë se sa është planifikuar dhe rrezik permanent të rrezikimit të përgjithshëm të të dhënave të Regjistrimit të Popullsisë.

    E dhjeta

    Pyetësori për dëmet e luftës, për mbledhjen e të dhënave me mbi 25 vite distancë kohore, i shtuar si shtesë në pyetësorin e Regjistrimit të Popullsisë, pavarësisht qëllimit të mirë, paraqet shkelje të standardeve evropiane dhe ndërkombëtare, nga neni 7 dhe neni 13, paragrafi 2, të Ligjit për Statistika Zyrtare dhe jo që ka vetëm rrezik që Regjistrimi i Popullsisë të shpallet jashtë standardeve ndërkombëtare, por të shpallet edhe i kundërligjshëm. Rrjedhimisht të gjitha të dhënat nga ky Regjistrim do të shpalleshin të papërdorshme, kurse shpenzimi të gjitha atyre mjeteve buxhetore do të bëheshin kot së koti. Në anën tjetër, lejimi i pyetësorit për dëmet e luftës do të krijonte mundësinë e qarqeve të caktuara për të manipuluar sentimentin e komuniteteve të ndryshme, për ta shumëfishuar numrin e dëmeve të luftës dhe numrin e të ikurve jashtë Republikës së Kosovës në Serbi. Pikërisht këtë mundësi të ofruar, regjimi serb i Vuqiqit do ta keqpërdorte maksimalisht.

    E njëmbëdhjeta

    Tashmë dihet se nga vendimet e institucioneve përkatëse, do të ketë votime në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës me 21 prill 2024. Neni 22, paragrafi 3, i Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë nuk e lejon Regjistrimin nëse ka aktivitete zgjedhore qendrore ose lokale, apo të ngjashme, në kufirin prej 6 muajsh afër datës së zgjedhjeve apo votimeve. Pra, me ligj Regjistrimi i Popullsisë do të shpallej i paligjshëm dhe detyrimisht përcakton shtyrjen e Regjistrimit për rrethana më të favorshme dhe sipas ligjit.

    E dymbëdhjeta

    Procesi i rekrutimit të Mbikëqyrësve dhe Regjistruesve të Regjistrimit të Popullsisë, përgjithësisht në shumicën e Qarqeve Regjistruese, veçanërisht në QR-të në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, nuk ka kaluar nëpër procesin e testimit, konkurrencës, intervistimit rekrutues dhe verifikimit. Prandaj, angazhimi eventual i gjithkujt në mbledhjen e të dhënave me tabletë në teren, paraqet potencial të madh të ndërhyrjes dhe sulmeve kibernetike, jo vetëm nga Serbia, por edhe me gjerë. Kështu, Regjistrimi i Popullsisë do të shndërrohej në një arenë lufte kibernetike në mes të Kosovës në njërën anë dhe sulmuesve kibernetik në anë tjetër.

    E trembëdhjeta

    Me e rëndësishme është që, Regjistrimi i Popullsisë nuk duhet të realizohet shkel e shko, për të thënë se u krye edhe një projekt. Jo. E keqe më e vogël është që të dështoj edhe për herën e tretë ky Regjistrim i Popullsisë, se sa ky të realizohet vetëm sa për të thënë qe e realizuam Regjistrimin. Shtetit të Kosovës, institucioneve, politikbërësve, strategjive dhe programeve të ardhshme zhvillimore në ekonomi, arsim, shëndetësi, siguri, bujqësi, mirëqenie sociale, drejtësi, botës akademike dhe në çdo fushë të jetës, i duhen të dhëna të sakta, cilësore, të përdorshme dhe kredibile, për ti dërguar të gjitha çështjet vitale të shtetit përpara. Me statistika shkel e shko, me statistika të rrejshme, shteti ynë do të përjetonte stagnim dhe regres të sigurt.

  • Reuters: operacion sekret i CIA-s në Kinë, i urdhëruar nga ish presidenti Trump

    Reuters: operacion sekret i CIA-s në Kinë, i urdhëruar nga ish presidenti Trump

    Në vitin e tij të dytë në detyrë, ish presidenti Donald Trump autorizoi CIA-n (Agjencinë Qendrore të Zbulimit) të fillonte një fushatë të fshehtë në mediat sociale kineze me synim kthimin e opinionit publik në Kinë kundër qeverisë, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters ish zyrtarë amerikanë me njohuri të drejtpërdrejta të këtij operacioni tepër sekret.

    Tre ish zyrtarë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se CIA krijoi një ekip të vogël operativësh, të cilët përdorën identitete të rreme në internet për të shpërndarë lajme negative për qeverinë kineze të drejtuar nga Xi Jinpingu, si dhe duke shpërndarë paralelisht të dhëna denigruese nëpër mediat ndërkombëtare. Për këtë fushatë të filluar në vitin 2019 nuk është raportuar ndonjëherë në media.

    Gjatë dekadës së fundit, Kina ka zgjeruar me shpejtësi praninë e saj ndërkombëtare, me pakte të reja ushtarake, marrëveshje tregtare dhe partneritete biznesi me vendet në zhvillim.

    Ekipi i CIA-s përhapi akuza se anëtarë të Partisë Komuniste në pushtet po fshihnin jashtë vendit para të përfituara në rrugë të paligjshme dhe se iniciativa e Kinës “Një Brez një Rrugë” ishte e korruptuar dhe një shfrytëzim i vendeve në zhvillim, përmes financimit të projekteve të infrastrukturës.

    Megjithëse zyrtarët amerikanë nuk dhanë detaje konkrete për këto operacione, ata thanë se informacioni denigrues kishte baza të vërteta, megjithëse injektohej në mënyrë sekrete nga operativë të zbulimit me identitet të rremë. Operacioni synonte të mbillte frikë në radhët e drejtuesve të lartë kinezë, si dhe të detyronte qeverinë kineze të dedikonte burimet e saj për të gjurmuar ndërhyrjet në internetin e kontrolluar rreptësisht nga Pekini, thanë dy nga ish zyrtarët amerikanë. “Donim që të viheshin në kërkim të fantazmave”, tha njëri prej këtyre zyrtarëve.

    Chelsea Robinson, zëdhënëse e CIA-s, nuk pranoi të komentojë për ekzistencën e programit, për objektivat e tij, apo rezultatet që ai pati.

    Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze tha se njoftimi për këtë iniciativë të CIA-s tregon se qeveria amerikane përdor “hapësirën e opinionit publik dhe platformat e mediave si mjete për të përhapur dezinformim dhe për të manipuluar opinionin publik ndërkombëtar”.

    Operacioni i CIA-s ishte një përgjigje pas viteve të tëra përpjekjesh agresive të fshehta të Kinës që synonin rritjen e influencës së saj globale. Gjatë presidencës së tij, zoti Trump kërkoi një përgjigje më të ashpër ndaj Kinës se pararendësit e tij. Fushata e CIA-s shënon një rikthim tek metodat që karakterizuan përpjekjet e Uashingtonit ndaj ish Bashkimit Sovjetik. “Lufta e Ftohtë është rikthyer”, tha Tim Weiner, autor i një libri për historinë e luftës politike.

    Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti të zbulojë efektin e këtyre operacioneve sekrete, apo nëse administrata e presidentit Joe Biden e ka vazhduar këtë program të CIA-s. Kate Waters, zëdhënëse për Këshillin e Sigurisë Kombëtare, nuk pranoi të komentojë për ekzistencën e programit, apo nëse ai vazhdon të jetë aktiv. Dy historianë të aktiviteteve të zbulimit i thanë agjencisë Reuters se kur Shtëpia e Bardhë autorizon CIA-n për një veprim të caktuar të fshehtë, urdhri shpesh vazhdon të jetë në fuqi gjatë administratave të ndryshme.

    Ish presidenti Trump, tashmë kandidati kryesor republikan për president, ka sugjeruar se do të ketë një qasje edhe më të ashpër ndaj Kinës, nëse rizgjidhet president në nëntor. Zëdhënësit e tij, si dhe dy persona që kanë punuar si këshilltarë të tij për sigurinë kombëtare gjatë vitit kur u nënshkrua autorizimi për operacionin sekret, John Bolton dhe Robert O’Brien, nuk pranuan të komentojnë.

    Operacioni kundër Pekinit shoqërohej me rreziqe të mëdha për përshkallëzimin e tensioneve me Shtetet e Bashkuara, duke patur parasysh fuqinë ekonomike të Kinës dhe hapësirat e saj për t’u kundërpërgjigjur nëpërmjet tregtisë, tha Paul Heer, ish analist kryesor për Azinë Lindore në CIA. Ai vetë e mësoi ekzistencën e këtij operacioni nga njoftimi i agjencisë së lajmeve Reuters. Një shembull i ngjashëm ishte rasti i Australisë që bëri thirrje në vitin 2020 për një hetim brenda Kinës për origjinën e pandemisë COVID-19. Në kundërpërgjigje, Pekini bllokoi miliarda dollarë nga tregtia me Australinë, nëpërmjet tarifave bujqësore.

    Urdhri i ish presidentit Trump në vitin 2019 u dha pas vitesh paralajmërimesh nga komuniteti amerikan i shërbimeve të zbulimit dhe nga njoftimet në media, se si Kina po përdorte ryshfetin dhe kërcënimet për të fituar mbështetjen e vendeve në zhvillim të përfshira në mosmarrëveshje gjeopolitike, ndërkohë që bënte edhe përpjekje për të mbjellë përçarje në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet organizatave fasadë.

    Ministria e Jashtme kineze tha se Pekini ndjek “parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe nuk ndërhyn në çështjet e brendshme të Shteteve të Bashkuara”.

    Një vit më herët, ish presidenti Trump i dha CIA-s kompetenca të zgjeruara për të bërë operacione kibernetike ndaj kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara, pas sulmeve të shumta kibernetike ruse dhe kineze ndaj organizatave amerikane, njoftoi faqja e lajmeve Yahoo News. Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti ta konfirmojë këtë në mënyrë të pavarur.

    Ish zyrtarët e përshkruan urdhrin e vitit 2019 si më ambicioz. Urdhri e autorizonte CIA-n të ndërmerrte veprime jo vetëm në Kinë, por edhe në vende të tjera në mbarë botën, ku Shtetet e Bashkuara dhe Kina konkurrojnë për ushtrimin e influencës. Katër ish zyrtarë amerikanë thanë se operacioni kishte si objektiv opinionin publik në Azinë Juglindore, Afrikë dhe rajonin e Paqësorit Jugor.

    “Ndjesia ishte se Kina po na vërsulej me shkopinj bejzbolli prej çeliku dhe ne mbroheshim me shkopinj të drunjtë”, tha një ish zyrtar i sigurisë kombëtare me njohuri të drejtpërdrejta për këtë autorizim.

    Tre ish zyrtarë thanë se teksti i autorizimit u hartua nga Matt Pottinger, zyrtar i lartë në atë kohë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Teksti përmendte akuzat për përdorimin nga Pekini të influencës keqdashëse, të vjedhjes së pronësisë intelektuale dhe rritjen e pranisë ushtarake, si kërcënime për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, tha njëri prej ish zyrtarëve amerikanë.

    Zoti Pottinger i tha agjencisë së lajmeve Reuters se nuk komenton për “saktësinë apo pasaktësinë e pretendimeve për aktivitetet e zbulimit të Shteteve të Bashkuara”, duke shtuar se “nuk do të ishte e drejtë të thuhej se do të kisha ndonjë njohuri konkrete për operacionet e zbulimit të Shteteve të Bashkuara”.

    Përçimi i fshehtë i mesazheve u mundëson Shteteve të Bashkuara të përhapin idetë në vende ku censura mund të ndalë daljen në dritë të informacionit, apo në zona ku audienca nuk do t’i jepte shumë besueshmëri deklaratave të qeverisë amerikane, tha Loch Johnson, shkencëtar politik në Universitetin e Xhorxhias, që studion përdorimin e taktikave të tilla.

    Fushatat e fshehta të informacionit ishin të zakonshme gjatë Luftës së Ftohtë, kur CIA shpërndante 80 – 90 artikuj në ditë kundër Bashkimit Sovjetik, tha zoti Johnson. Siç mësohet nga dokumentet tashmë të deklasifikuara, në vitet 1950 për shembull, CIA çeli një revistë për astrologjinë në Gjermaninë Lindore, për të publikuar parashikime të zymta për udhëheqësit komunistë.

    Fushata e fshehtë propagandistike ndaj Pekinit, mund të sjellë rezultate të kundërta, thotë ish analisti i CIA-s, Paul Heer. Kina mund ta përdorë evidencën për fushatën e influencimit të CIA-s për të përforcuar akuzat e saj të hershme prej dekadash për përpjekjet e errëta për diversion të Perëndimit, duke e ndihmuar kështu Pekinin të fitojë më shumë mbështetje në vendet në zhvillim që e shohin me dyshim Uashingtonin.

    Mesazhi do të ishte: “Shikoni se si Shtetet e Bashkuara ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe refuzojnë parimin e bashkekzistencës në paqe”, tha zoti Heer. “Dhe ka vende nëpër botë ku ky mesazh do të zërë vend”.

    Operacionet amerikane të influencimit mund të rrezikojnë gjithashtu disidentët, grupet opozitare që kritikojnë Kinën dhe gazetarët e pavarur, që mund të paraqiten me pa të drejtë si vegla të CIA-s, tha Thomas Rid, profesor në Universitetin Johns Hopkins, i cili ka shkruar një libër për historinë e luftës politike./voa

  • Prizrenasi gjen një kuletë me para dhe dokumente e dorëzon në Polici

    Prizrenasi gjen një kuletë me para dhe dokumente e dorëzon në Polici

    Rastet kur qytetarët tregojnë anën humane nuk janë edhe të pakta në vend. Një rast ka ndodhur sot në qytetin e Prizrenit bën të ditur Policia.

    Një qytetarë me inicialet A.P, ka gjetur një kuletë me shumë prej 525 euro dhe dokumente tjera duke i dorëzuar në stacionin policor, raporton Ekonomia Online.

    Policia, përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, ka konfirmuar se personit të cilit i kishte humbur kuleta ka qenë shtetas i Shqipërisë me inicialet A.D.

    Kuleta është dorëzuar në stacionin policor në Prizren.

    Njoftimi i plotë i Policisë:

    Qytetari dorëzon në Polici të hollat e gjetura

    Prizren, 15 mars 2024

    Një qytetar nga Komuna e Prizrenit, me inicialet A.P., ka gjetur një kuletë me shumë prej 525 euro, 6100 Lekë Shqiptar para metalike prej 1 dollari Amerikan si dhe dokumente personale: (Letërnjoftimin dhe Patën shoferin).

    Ai menjëherë e ka njoftuar Policinë dhe të hollat e gjetura i ka dorëzuar në Stacionin Policor në Prizren .

    Personit që i kishte humbur kuleta ishte A.D, nga Republika Shqipërisë.

    Pranim – dorëzimi i kuletës mes palëve është bërë në Stacionin Policor në Prizren.

    Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, e ka falënderuar qytetarin A.P., për gjestin human dhe shembullor me rastin e dorëzimit të hollave të gjetura në Stacionin e Policisë.

  • Mitrovica Veriore kërkon respektim të ligjit për vendosjen e reklamave

    Mitrovica Veriore kërkon respektim të ligjit për vendosjen e reklamave

    Komuna e Mitrovicës Veriore ka ftuar subjektet afariste që të pajisen me leje për vendosjen e firmave dhe reklamave të ndryshme.

    “Me qëllim të zbatimit të Ligjit dhe Rregulloreve Komunale në fuqi, Komuna e Mitrovicës Veriore, fton subjektet afariste, shitësit ambulant, personat fizik, që të pajisen me leje për vendosjen e mbishkrimeve (firmat), panot, banerët mbi rrugë, tabelat reklamuese, ekranet elektronike reklamuese, tabelat reklamuese me kino-projektor, tabelat reklamuese digjitale dhe të tjera të ngjashme”, thuhet në njoftimin e komunës.

    Në rast të mos pajisjes me leje sipas këtij njoftimi, inspektorët komunal obligohen të ndërmarrin veprime ligjore deri në eliminimin e parregullsive.

  • Sërish tërmet në Mal të Zi, kaq ishte magnituda

    Sërish tërmet në Mal të Zi, kaq ishte magnituda

    Një tërmet i ri me magnitudë 2.8 të shkallës Rihter goditi Malin e Zi, raporton EMSC.

    Tërmeti u regjistrua në orën 12:10 në afërsi të Nikshiqit, në një thellësi prej 10 kilometrash, pra 28 kilometra nga Bileça në Bosnje-Hercegovinë.

    Qytetarët kanë shkruar në faqen e EMSC se kanë ndjerë një dridhje të lehtë.

    “Ja ku filloi sot”, “Tundja e lehtë”, “Tundja e Nikshiqit”, janë vetëm disa nga komentet.

    Për kujtesë, një tërmet me magnitudë 5.7 gradë të shkallës Rihter tronditi territorin e Malit të Zi në orën 04:06 të mëngjesit të së enjtes.

    Instituti për Hidrometeorologji dhe Sizmologji të Malit të Zi ka bërë të ditur se tërmeti ka qenë me magnitudë 5.4 ballë dhe epiqendra ka qenë pesë kilometra nga qyteti Caradje në komunën e Nikshiqit. Pika qendrore ishte në një thellësi prej 14 kilometrash.

    Pas kësaj, toka nuk ka pushuar së lëkunduri dhe janë regjistruar një numër tërmetesh më të dobëta.

  • ​Foda publikon listën e Kosovës për ndeshjet miqësore

    ​Foda publikon listën e Kosovës për ndeshjet miqësore

    Përzgjedhësi i ri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda e ka publikuar listën e futbollistëve të cilët do t’i ketë në grumbullim për dy miqësoret e rëndësishme të këtij muaji kundër Armenisë, më 22 mars dhe kundër Hungarisë, më 26 mars.

    Në listën e Fodës janë përfshirë 24 futbollistë, derisa Lindon Emërllahu (FC Ballkani), pas angazhimit me Kombëtaren U-21 në ndeshjen kundër Gjermanisë, nga data 23 mars i bashkohet Kombëtares A për ndeshjen e dytë kundër Hungarisë.

    Këto dy miqësore janë sfidat e para të Kombëtares së Kosovës nën drejtimin e trajnerit gjerman, bashkë me stafin e tij.

    Dardanët do të grumbullohen të hënën (më 18 mars) në hotel ‘Emerald’, teksa stërvitjen e parë do ta zhvillojnë në të njëjtën ditë në orën 16:00, në Kampin Nacional në Hajvali.

    Paraprakisht, të hënën, në orën 12:00, në hotel Emerald do të mbahet konferencë për media e përzgjedhësit Foda. Ndërkohë, të mërkurën ekspedita e Kombëtares së Kosovës do të niset për në Yerevan, atje ku të premten do ta zhvillojë përballjen me Armeninë. Pas kësaj ndeshje Dardanët do të zhvendosen në Budapest, për testin e dytë të këtij muaji kundër Hungarisë.

    Këto dy miqësore do të jenë mundësi e mirë për trajnerin Foda që ta njohë nga afër ekipin dhe ta përgatisë atë për një rrugëtim të suksesshëm.

    Kjo është lista:

    Lista rezervë:

    Mustafë Abdullahu, Kreshnik Hajrizi, Lirim Kastrati, Qendrim Zyba, Altin Zeqiri, Emir Sahiti, Shkelqim Vladi, Muhamet Hyseni.

  • E konfirmon BE-ja, në takimin e së martës në nivel kryenegociatorësh diskutohet edhe për dinarin

    E konfirmon BE-ja, në takimin e së martës në nivel kryenegociatorësh diskutohet edhe për dinarin

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se më 19 mars do mbahet një takim i ri në kuadër të dialogut. Takimi, sipas Stanos, do jetë në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa mes tjerash do trajtohet edhe çështja e dinarit.

    “Të martën, përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorët, homologët e tij kryesorë, të vijnë në Bruksel për të vazhduar diskutimet. Pra, para së gjithash, të vazhdohet diskutimi, i cili tashmë ka filluar para disa javësh për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin. Dhe do të ketë edhe pika të tjera për të diskutuar mes kryenegociatorëve nga Serbia dhe Kosova në Bruksel, të cilat janë çështjet më urgjente në kuadër të dialogut”, ka deklaruar zëdhënësi iBE-së, Peter Stano.

    Zëdhënësi Stano rikujtoi se kohë më parë ishte zhvilluar një takim në Bruksel lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës. Sipas tij, ky takim solli ca rezultate, por duhej të vazhdohej me diskutim, në nivel të kryenegociatorëve.

    “Ky problem u krijua si pasojë e mungesës së koordinimit dhe veprimit të njëanshëm që krijoi probleme në dialog. Por e mira është se ne filluam të merremi me këtë në kuadër të dialogut. Pra, vazhdimi i diskutimeve lidhur me dinarin do të jetë nga çështjet e pakta në rendin e ditës të martën e ardhshme”.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian ka konfirmuar se, pos çështjes së dinarit, do trajtohet edhe zbatimi i marrëveshjes se Ohrit, apo, siç u shpreh ai, do të preken aspektet individuale të kësaj çështjeje, si nga palët, ashtu edhe nga ndërmjetësi. /rtk