ATV

Author: ATVLive

  • Babai i një nxënësi që kreu sulm në një shkollë në Michigan dënohet për vrasje pa paramendim

    Babai i një nxënësi që kreu sulm në një shkollë në Michigan dënohet për vrasje pa paramendim

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Babai i një djaloshi, i cili kishte vrarë katër nxënës në një shkollë në Michigan është dënuar për vrasje pa paramendim. Gjatë gjykimit, u tha se James Crumbley, 47 vjeç, kishte injoruar nevojat e shëndetit mendor të djalit të tij 15-vjeçar, madje i bleu revole të cilën e përdori në sulmin e nëntorit të 2021.

    Juria diskutoi pak më shumë se një ditë, përpara se të shpallte vendimin, ndërkaq edhe ndaj bashkëshortes së tij, Jennifer Crumbley, pritet të shpallet vendimi muajin e ardhshëm, meqë u dënua për të njëjtat akuza.

    Avokatja mbrojtëse e çiftit, Mariell Lehman, tha se i akuzuari ndihet keq për atë çfarë ndodhi në shkollë, ndërkaq ai dhe bashkëshortja e tij mund të dënohen deri në 10 vjet burgim, kur të kthehen në gjykatë më 9 prill.

    James Crumbley ndodhej në gjykatë të enjten në mbrëmje kur u shpall vendimi dhe nuk pati fare reagim teksa u lexua. Derisa rasti ndaj çiftit Crumbleys shënon herën e parë që prindërit akuzohen për vrasje nga pakujdesia, për rolin e fëmijës së tyre në të shtëna në SHBA.

    I biri i tyre Ethan, përpos që vrau 4 persona, po ashtu, kishte lënduar 7 të tjerë gjatë të shtënave. Ai tani po vuan burgimin e përjetshëm pa mundësi ankese.

    Prokuroria, Kaaen McDonald e cila mbajti konferencë për media pas shpalljes së vendimit, bashkë me prindërit e katër fëmijëve të vrarë, tha se vendimi i gjykatës nuk i sjell në jetë viktimat, megjithatë shënon moment llogaridhënie.

    “Prindërit, çifti Crumbley, do të mund të parandalonin këtë tragjedi me vetëm fare pak përpjekje”, tha ajo.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Puna e përbashkët parandalon dhunën ndaj grave”

    “Puna e përbashkët parandalon dhunën ndaj grave”

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Dhuna ndaj grave ishte diskutimi kryesor në konferencën e organizuar nga Këshilli i Evropës dhe qendra AIRE, me temën “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu Gjyqësor për një Përgjigje Gjyqësore Efektive”.

    Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë, si dhe përfaqësues të autoriteteve qeveritare, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.

    Fjalën hyrëse e mori kryetarja e Gjykatës Kushtetuese që ndër të tjera tha se institucioni që drejton, në raste të ndryshme ka konstatuar dështim të shkeljes së të drejtës në jetë.

    “Inicialet e grave të vrara nuk janë thjesht statistika, ato reflektojnë histori të trishta të grave kosovare, që i janë nënshtruar dhunës në familje, histori plagësh të familjeve e fëmijëve, të cilët shumicën e rasteve kanë qenë dëshmitarët e vrasjes së nënave të tyre, reflektojnë dështimin e shtetit e të shoqërisë”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.

    Edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi nevojën e bashkëpunimit mes të gjitha hallkave shtetërore, në mënyrë që dhuna ta parandalohet.

    “Duhet të bëjmë çmos që secila viktimë, apo secila vajzë e grua që potencialisht mund të jetë e dhunuar në të ardhmen, ta dijë që e ka mbështetjen e plotë institucionale, por edhe shoqërore dhe jo e kundërta, sepse kjo edhe ndihmon në raportim të dhunës dhe jo heshtje, por edhe në parandalim të këtyre rasteve, gjithnjë nëse vendimet ndaj dhunuesve janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pra nëse ato janë meritore”, tha Haxhiu.

    Teksa tha se dhuna në bazë gjinore duhet të luftohet nga të gjithë, drejtoresha e qendrës AIRE kërkoi angazhim edhe në luftimin e femicidit.

    “Hulumtimet që janë kryer demonstrojnë se anembanë rajonit secili rast i femicidit ka mundur të parandalohet. Thirrjet e tyre për ndihmë që janë shpërfillur, askush nuk ia ka vënë veshin. Dhuna në bazë gjinore, asnjëherë nuk është private, është barrë që duhet ta bartim të gjithë. Kjo ngjarje paraqet një hap të rëndësishëm”, tha Biljana Braithwaite, drejtore e qendrës “Aire”.

    Sipas raportit, Femicidi në Republikën e Kosovës, në periudhën 2018 – 2022 janë kryer njëzet vrasje të grave dhe katër tentativa dhe gati në të gjitha rastet viktimat u vranë nga bashkëshortët e tyre.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kuvendi bashkoi deputetet dhe ish-deputetet

    Kuvendi bashkoi deputetet dhe ish-deputetet

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Ulëset e deputetëve në sallën e Kuvendit këtë të premte u mbushën vetëm me gra.

    Në Kuvend, u mbajt seancë e veçantë e cila bashkoi të gjitha ish-deputetet e legjislaturave të mëparshme, por edhe ato të legjislaturës aktuale.

    Roli dhe kontributi i tyre u çmua lart edhe nga një burrë.

    Pjesë e kësaj seance ishin deputete nga të gjitha partitë, të cilat rrugën e tyre deri këtu e përshkruan të vështirë.

    Ato kujtuan edhe momentet që për gratë dolën kundër edhe grupeve të tyre parlamentare.

    “Përkundër grupin tim parlamentar, kam votuar diçka tjetër se ka qenë në interes të gruas. Për herë të parë është ndarë buxhet me propozimin e grave, e unë dua të falënderoj ato që kanë filluar e krijuar këtë grup, duke iu dalluar historia që keni dhënë”, tha ish-deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu.

    Seanca u thirr nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, me temën “Historia e deputeteve në Kuvendin e Kosovës – përparim dhe proces”.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Nis edicioni i tretë i Panairit të Punës dhe Karrierës në Kolegjin AAB

    Nis edicioni i tretë i Panairit të Punës dhe Karrierës në Kolegjin AAB

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në një kohë kur ankesat për papunësi janë të mëdha, por edhe kërkesa e kompanive të ndryshme për punëtorë është e madhe, kolegji AAB, si një nga institucionet jopublike më të mëdha në rajon, ka hapur edicionin e tretë të panairit të karrierës dhe punësimit.

    Ftesës për pjesëmarrje në këtë panair të kolegjit AAB, i janë përgjigjur rreth 60 kompani.

    Në panair po marrin pjesë, banka, spitale, institucione parashkollore dhe jo vetëm.

    Në mesin e tyre që përfaqësuan kompanitë pjesëmarrëse, ishin edhe ish-studentë të Kolegjit AAB.

    Për të gjithë ata që dëshirojnë të shohin mundësitë e kompanive pjesëmarrëse, panairi do të zgjasë dy ditë, ku do të kenë mundësinë të krijojnë kontakte, apo edhe kontratë pune mes tyre dhe punëdhënësve.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Instituti i Mjekësisë Ligjore do të rinovohet

    Instituti i Mjekësisë Ligjore do të rinovohet

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Afro 4 muaj pas dëmeve që shkaktoi zjarri, Instituti i Mjekësisë Ligjore ende i ka jashtë funksionit dy zyra. Por, planifikohet që së shpejti të nisin rinovimet meqë janë krijuar rrethanat.

    “Projekti i cili ka qëllim rinovimin e objektit të IML-së është afër përfundimit, kështu që tash projektin e kemi gjithashtu edhe buxhetin e kemi siguruar dhe shumë shpejt do të bëhet hapja e procedurave të prokurimit në mënyrë që punimet të fillojnë me urgjencë”, tha Ditor Haliti nga IML.

    Disa zyra do të zhvendosen në anekse tjera, meqë projekti parasheh rindërtimin e katit të dytë të IML-së. Sipas udhëheqësit të këtij instituti Ditor Haliti, një pjesë e stafit do të vendoset në objektin e mjekësisë sportive, ngjitur me atë të IML-së.

    “Qëllimi është që gjithçka të finalizohet sa më shpejt, posa të fillojnë punimet një pjesë e stafit duhet të largohet nga objekti duke qenë se do të bëhet rindërtim i një pjese të objektit. Një pjesë e stafit mendojmë të rialokohet në objektet e afërta rreth QKUK-së, në mënyrë që të sigurohemi që të gjitha shërbimet mjekoligjore të vazhdojnë pa problem”, tha Haliti.

    Si ndihmë për IML-në, Qeveria të mërkurën ndau 520 mijë euro.

    Dy zyrat brenda institutit u përfshinë nga zjarri në nëntor të vitit të kaluar, duke djegur gjithçka çfarë kishte brenda.

    Megjithatë, sipas drejtuesve të IML-së, pothuajse të gjitha dokumentet janë kthyer, meqë kanë qenë të ruajtura edhe në server.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Vazhdon gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

    Vazhdon gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Halil Mehmetaj me të bijtë, Kastriotin e Kreshnikun, dolën sërish para gjykatës, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, në vitin 2021.

    Pas pak në seancë do të dëgjohej dëshmia e Blerim Hasanajt, babait të njërit prej nxënësve që ndodheshin në autobus, natën kritike, dhe bashkëpunëtor i shoferit të vrarë, Gani Gjokaj.

    Ky deklaroi se kishte dëgjuar për lidhjen e Ganiut me vajzën e vetëvrarë të familjes Mehmetaj, e cila përmendet edhe në aktakuzë.

    Për këtë lidhje, Blerim Hasanaj thotë se kishte diskutuar shkurt me Gani Gjokajn, pas vetëvrasjes së vajzës.

    Në pyetjet e avokatëve dha edhe më shumë detaje nga kjo bisedë dhe gjithë raporti me Gjokajn. Këtë bisedë e kishte zhvilluar veç pak ditë para se të ndodhte vrasja e trefishtë.

    Në mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021, një autobus u qëllua me breshëri kallashnikovi në fshatin Gllogjan të Deçanit. Nga ky sulm u vranë dy nxënës të moshave 17 dhe 18-vjeçare dhe vozitësi Gani Gjokaj.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Tri subjekte politike gjobiten me nga 4 mijë euro

    Tri subjekte politike gjobiten me nga 4 mijë euro

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjobitur me nga 4 mijë euro, tri subjekte politike të regjistruara nga Kosovë, pasi nuk i dorëzuan raportet financiare për periudhën janar – dhjetor 2023.

    Sipas raporteve financiare të partive politike për vitin 2023, të cilat u publikuan të premten nga KQZ-ja, Vetëvendosja ka raportuar se gjatë vitit të kaluar shpenzoi mbi 1 milion e 380 mijë euro, derisa të hyrat i kishte mbi 2 milionë euro.

    Partia Demokratike shpenzoi pothuajse gjithë buxhetin që kishte në vlerë 808.983 euro.

    Ndërsa të hyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë qenë 723.169 euro, derisa gjatë gjithë vitit të kaluar kishte shpenzuar 431.824 euro.
    Ndërkaq, AAK-ja shpenzoi mbi 268 mijë euro nga 280.000 euro sa kishte në dispozicion.

    Në mbledhjen e së premtes të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u vendos që kostoja totale për organizimin e zgjedhjeve parlamentare për vitin 2025, do të jetë 4
    milionë e 381 mijë euro. Ndërkaq, organizimi i zgjedhjeve lokale, ku përfshihen zgjedhjet për kryetarë komune, për kuvend komunal dhe raundi i dytë, do të kushtoj 8 milionë e 715 mijë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Manastiri i Deçanit “ia kthen” komunës tokën në qendër

    Manastiri i Deçanit “ia kthen” komunës tokën në qendër

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Krahas 24 hektarëve përreth, Shoqata e Historianëve të Deçanit pretendoi se Manastirit i janë bartur në pronësi edhe disa ngastra në qendër të qytetit.

    Bëhet fjalë për hapësirën ku janë të vendosura shtatoret e heronjve Sali Çekaj dhe Mentor Tolaj. Por, siç duket gjatë së premtes pati lëvizje rreth kësaj çështjeje.

    Askush nga Komuna e Deçanit, nuk qe në gjendje as t’i mohojë e as konfirmojë këto pretendime.

    Sidoqoftë, banorët e qytetit perëndimor, janë të zhgënjyer me vendimin e Qeverisë për pronën e Manastirit të Deçanit. Njëri nga ta, ka edhe pronë, të cilën nuk e ka shfrytëzuar kurrë.

    Të mërkurën, kryeministri Albin Kurti njoftoi se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale që t’i transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit.

    Autoritetet lokale kanë refuzuar që Manastirit t’ia regjistrojnë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Sekuencimi sërish në agjendë, finalizimi mund ta çojë në Këshillin Evropian

    Sekuencimi sërish në agjendë, finalizimi mund ta çojë në Këshillin Evropian

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Java e ardhshme mund të jetë vendimtare në përpjekjet e Bashkimit Evropian për të finalizuar dokumentin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.

    Në takimin e së martës ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, do të vazhdojnë diskutimet për finalizimin sekuencimit apo renditjes së obligimeve për zbatim.

    “Zbatimi i përgjithshëm asaj që quhet marrëveshje e Ohrit është një nga çështjet më urgjente dhe, sigurisht, aspekte individuale të kësaj çështjeje do të preken nga palët dhe lehtësuesi”, ka thënë zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.

    Përmbyllja e dokumentit ose një dakordim për të, do t’i hapte rrugë përfshirjes në konkluzionet e Këshillit Evropian, në takimin që mbahet më 21 dhe 22 Mars.

    Përfshirja e planit të sekuencimit në konkluzione, sipas profesorit Dritëro Arifi, do t’i jepte fund diskutimeve dhe do të kthente vëmendjen te zbatimi.

    “Bashkimi Evropian është duke punuar mbi këtë çështje, mbi bazën e sekuencimit, që palët ta zbatojnë marrëveshjen nga ajo që BE-ja do të prezantojë, po besoj shumë shpejt. Prandaj mendoj që palët nuk kanë shumë hapësirë për të manovruar. Por, sa do të jetë BE-ja në gjendje që t’i detyrojë palët të bëjnë, kjo është çështje krejt tjetër”, tha Arifi.

    Pasi përmendi se marrëveshja bazë dhe shtojca, veçse janë pjesë e konkluzioneve të Këshillit, konsulenti politik Fitim Mulolli theksoi se përfshirja e dokumentit të sekuencimit do të rriste presionin për zbatim.

    “Me këtë synohet të betonizohet ose të forcohet sa ma shumë rëndësia e këtij dokumenti për zbatim nga palët dhe që pastaj BE-së t’i jepen mundësi të kushtëzimit të rrugës drejt BE-së me zbatimin e këtyre dy dokumenteve”, tha Mulolli.

    Vitin e kaluar, Kosova kishte refuzuar planin e propozuar të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës, duke kritikuar BE-në për qasje jo të balancuar.

    Në nëntor, BE-ja u prezantoi kryenegociatorëve një draft-plan i ri, i cili sipas Qeverisë ishte më i mirë se parapraku, por që nuk është finalizuar ende.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Scholz, Macron e Tusk mbledhin forcat kundër Rusisë

    Scholz, Macron e Tusk mbledhin forcat kundër Rusisë

    Mes shqetësimeve në rritje se zvogëlimi i mbështetjes nga Perëndimi do t’i lejojë Rusisë të fitojë një avantazh vendimtar në konfliktin me Ukrainën, liderët e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë janë zotuar sot të ofrojnë më shumë armë për Kievin dhe të rrisin prodhimin e pajisjeve ushtarake.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz mirëpriti presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin polak, Donald Tusk në një samit të quajtur “Trekëndëshi i Weimarit”.

    Scholz tha në një konferencë shtypi pas takimit se kishte diskutuar të mërkurën me Volodymyr Zelenskyn se për çfarë mbështetje kishte nevojë, raporton skynews.

    “Ai e di se mund të mbështetet tek ne dhe ne po ripërtërijmë këtë sinjal të mbështetjes për Kievin. Por, një sinjal i qartë shkon edhe për Moskën – presidenti rus duhet të dijë se ne nuk do të heqim dorë nga mbështetja jonë për Ukrainën”, shtoi lideri gjerman.

    Scholz pohoi se “menjëherë do të prokurojmë edhe më shumë armë për Ukrainën, në tregun e përgjithshëm botëror”.

    “Së dyti, prodhimi i pajisjeve ushtarake do të zgjerohet, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me partnerët në Ukrainë”, shtoi kancelari gjerman dhe shtoi se do të krijohet një “koalicion i ri për artilerinë e raketave me rreze të gjatë”.

    Macron ripohoi mbështetjen e Francës për një plan të iniciuar nga Çekia për të blerë municione dhe predha jashtë Bashkimit Evropian, por gjithashtu nuk dha detaje.

    “Ne duam të shpenzojmë paratë tona, ne duam të ndihmojmë në çdo mënyrë të mundshme … këtu dhe tani, në mënyrë që situata e Ukrainës në javët dhe muajt e ardhshëm të përmirësohet, jo më keq”, shtoi Tusk.

    Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale./telegrafi/