ATV

Author: ATVLive

  • Federata Turke e dënon dhunën e mbrëmshme dhe paralajmëron dënime të ashpra për Trabzonsporit

    Federata Turke e dënon dhunën e mbrëmshme dhe paralajmëron dënime të ashpra për Trabzonsporit

    Federata Turke e Futbollit ka paralajmëruar dënime të ashpra për dhunën e shfaqur mbrëmë në ligën elitare të futbollit turk.

    Futbollistët e Fenerbahçes u sulmuan nga tifozët e Trabzonsporit pas përfundimit të ndeshjes në skenat që ishin të frikshme pasi tifozët e revoltuar vendës përfunduan në fushën e blertë për t’i qëruar hesapet me lojtarët mysafirë, të cilët po e festonin fitoren 3:2 në udhëtim.

    Futbollistët e klubit nga Stambolli u munduan të mbroheshin duke u përleshur me disa tifozë, por më pas numri i këtyre të fundit u rrit dhe u desh ndërhyrja e sigurimit dhe e policisë për t’ua mundësuar futbollistëve largimin drejt dhomave të zhveshjes.

    E Trabzonsporin e pret një dënim goxha i madh për këtë rast, ndërsa Federata Turke e Futbollit e dënoi kaosin e ndodhur mbrëmë në stadium, ku mbetën të lënduar disa futbollistë të Fenerbahçes.

    “Ajo që ndodhi në futboll, që është një lojë miqësie, paqeje dhe vëllazërie, nuk është kurrë e pranueshme. Për të mos lejuar që këto incidente të përsëriten, askush nuk duhet të ketë asnjë dyshim se pas përfundimit të hetimeve ndaj përgjegjësve të incidenteve do të zbatohen sanksionet e nevojshme penale, në mënyrë që këto incidente të mos përsëriten”, shkroi Federata Turke në faqen e saj zyrtare në rrjetet sociale.

    Shumë shpejt pritet të dalin vendimet rreth dënimit që do ta marrë Trabzonspori.

    Ndaj dhunës së shfaqur në futbollin turk ka reaguar edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

  • I sulen një tufë e qenve endacakë, polici në Vushtrri shkrep armën për t’i shpëtuar sulmit

    I sulen një tufë e qenve endacakë, polici në Vushtrri shkrep armën për t’i shpëtuar sulmit

    Një polic në Vushtrri ka përdorur armën e zjarrit për ta shmangur sulmin nga një tufë e qenve endacakë. Ngjarja ka ndodhur në mëngjesin e së dielës.

    Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, teksa ka thënë se nga shkrepja e armës nuk është rrezikuar askush.

    “Vushtrri 17.03.2024-09:38. Një zyrtar policor është sulmuar nga një tufë e qenve endacakë dhe për ti shpëtuar sulmit dhe lëndimit ka qenë i detyruar të përdorë armën zyrtare, me ç’rast kishte shkrepur një plumb. Nga shkrepja e armës nuk është rrezikuar askush”, thuhet në njoftimin e PK’së.

    Në vendin e ngjarjes, sipas policisë, është gjetur një gëzhojë.

    Për rastin është njoftuar Inspektorati i Policisë dhe prokurori kujdestar.

  • Për një javë, Policia në Ferizaj shqipton mbi 1270 gjoba për kundërvajtje, konfiskon 21 patentëshoferë

    Për një javë, Policia në Ferizaj shqipton mbi 1270 gjoba për kundërvajtje, konfiskon 21 patentëshoferë

    Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh në identifikimin e kundërvajtësve të ndryshëm në komunikacion, me qëllim parandalimin e aksidenteve.

    Në kuadër të këtyre aktiviteteve policia rajonale e Ferizajt gjatë javës që shkoi, nga data 11-17/03/2024 ka shqiptuar 1274 gjoba kundërvajtëse, ndërsa ka hequr edhe 21 patentë shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion.

    Ndërsa, janë raportuar 29 aksidente, prej tyre 10 aksidente me lëndime, 16 aksidente me të lënduar, ndërsa 19 me dëme materiale.

    “Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelojmë tek shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor. Ndërsa, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë: 192,0290/326-250 & 0290/322-406”, thuhet në komunikatë.

  • Vazhdon gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Seanca gjyqësore pritet të fillojë në ora 09:00.

    Ndyshe Dhomat e Specializuara me 28 shkurt ka mbaruar dëshminë e tij dëshmitari i 48-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin 01140 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar u mor në pyetje nga ZPS-ja, mbrojtja e të akuzuarve, mbrojtja e viktimave dhe trupi gjykues nën masa mbrojtëse si dhe në sesion privat për publikun.

  • 318 raste të reja me kancer vetëm në janar dhe shkurt të këtij viti

    318 raste të reja me kancer vetëm në janar dhe shkurt të këtij viti

    Numri i rasteve me sëmundjen e kancerit çdo ditë e më shumë po rritet në Kosovë. Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, janar dhe shkurt, janë regjistruar 318 raste të reja. Kanceri më i dominuar është i gjirit dhe sistemit gastrointestinal.

    Kështu ka bërë të ditur drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi. Ndryshe nga gjinia femërore, tek meshkujt dominon kanceri i mushkërive dhe zorrës së trash, thotë Kurtishi.

    “Në dy muajt e parë të vitit 2024 janë regjistruar 318 raste të reja me kancer. Me dominim të kancerit të gjirit me 78 raste pastaj 75 raste me kancer të sistemit gastrointestinal. 100 raste të sistemit urogjenital, 50 të mushkërive. Në Kosovë vazhdon të dominojë kanceri i gjirit te femrat, ndërsa te meshkujt dominon kanceri i mushkërive dhe zorrës së trash”, tregoi Kurtishi për Front Online.

    Ai ka bërë të ditur se ka rritje të rasteve të prekur me kancer tek personat ndër 50 vjeç. Ai tregoi se cilat mosha janë më të prekurat nga kjo sëmundje.

    “Mosha më e atakuar është ajo ndërmjet 50-60 vjeç edhe pse kemi një rritje të lehtë dhe rasteve edhe ndër moshat 50 vjeç”, tha ai.

  • Prishtina nikoqire e Forumit ndërkombëtar për gratë, paqen dhe sigurinë

    Prishtina nikoqire e Forumit ndërkombëtar për gratë, paqen dhe sigurinë

    Më 15-16 prill, Prishtina do të jetë nikoqire e përfaqësuesve nga rajoni dhe bota në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Kështu ka bërë të ditur e para e vendit Vjosa Osmani.

    “Me mbi 100 panelistë në dhjetëra panele diskutimi me temën “Ridefinimi i Sigurisë”, edicioni i dytë do të fokusohet në parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe garantimin e sigurisë për gratë dhe vajzat gjersa përballen me sfidat e shkaktuara nga ndryshimet klimatike”, ka berë të ditur Osmani.

    Shihemi së shpejti, ka shtusr më tutje Osmani.

  • ​Një vit nga marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    ​Një vit nga marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars kanë arritur marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

    Bashkimi Evropian publikoi në formë të shkruar marrëveshjen/planin e zbatimit që u arrit në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

    Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha se të dy vendet “janë dakorduar për t’i respektuar të gjitha pikat e propozimit evropian dhe se do t’i implementojnë të gjitha”.

    Ky Aneks përbën një pjesë integrale të Marrëveshjes.

    • Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

    • Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët kanë parasysh se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe kësaj Shtojce, Ndërmjetësi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks.

    • Palët bien dakord të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

    • Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për krijimin e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut të përcaktuara nga ndërmjetësi i BE-së.

    • Palët bien dakord të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit.

    • Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

    • Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

    • Renditja e paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon renditjen e zbatimit të tyre.

    • Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

    • Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    • Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, ky Aneks ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që ata marrin nga BE-ja.

  • Liqeni i Badocit mbushet gati plotë, pas shumë vitesh

    Liqeni i Badocit mbushet gati plotë, pas shumë vitesh

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Për herë të parë pas shumë viteve, Liqeni i Badocit është mbushur gati plotë me ujë.

    Aktualisht, duhen vetëm edhe 1.25 metra për ta arritur nivelin e kapërdirjes. Viteve të kaluara, zakonisht uji qëndronte rreth 13 metra më poshtë se kaq.

    Sikur këtu, ujë me bollëk ka edhe në Batllavë, prandaj nga Ujësjellësi thonë se nuk do të ketë telash me furnizim gjatë verës.

    “Fatmirësisht këtë vit konsiderohet të kemi sasi të mjaftueshme të ujit, krahasim me vitet paraprake…Nuk do të ketë reduktime”, tha drejtoresha e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.

    Gjeografi Faruk Foniqi thotë se uji i bollshëm do të jetë pozitiv për shumë sfera, por kjo nuk është arsye për përdorim të panevojshëm.

    “Natyrisht që do të ketë begatitë e veta, ujë do të ketë ndoshta mjaftueshëm por prapë duhet të shfrytëzohet me arsye…”, tha Foniqi.

    Përfitim tjetër, sipas KRU-së, do të jetë zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit edhe në disa zona të tjera.

    “Do të ketë zgjerim të rrjetin përveç regjionit ku ne e mbulojmë, jemi në fazën e punimeve…”, tha Mjeku.

    Për herë të fundit, liqeni i Badovcit ka arritur nivelin maksimal të kapërderdhjes në fund të muajit maj, të vitit 2016.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Sektori i patundshmërisë në krye të listës me IHD-ve

    Sektori i patundshmërisë në krye të listës me IHD-ve

    Përgatiti: Armand Hoti

    Edhe gjatë vitit të kaluar, diaspora shpenzoi mbi 500 milionë euro në blerjen e pronave të paluajtshme.

    Plotë 518,9 milion euro u investuan në sektorin e patundshmërisë në Kosovë, gjatë 2023-ës, në formë të investimeve të huaja direkte, nga rreth 800 milionë sa janë gjithsej.

    Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, ky sektor dominon vazhdimisht në investimet nga jashtë.

    Profesori i Ekonomisë Fidan Qerimi, thotë se fokusi në prodhim do të ishte më i dobishëm për Kosovën, pasi në patundshmëri nuk ka gjenerim të fitimit.

    “Qeveria e Kosovës jo vetëm tani po në vazhdimësi prej pasluftës, investime të cilat do të ishin prodhim e të cilat do gjeneronin një zhvillim ekonomik dhe një vazhdimësi të ekonomisë. Fabrika do bëjnë gjenerim vit pas vitit, kurse investimet në patundshmëri janë projekte që zhvillohen vetëm një herë, ndërtohet një ndërtesë dhe nuk gjenerim të vazhdueshëm të parasë, tha Qerimi.

    Për çalimin në këtë sferë, profesori Qerimi fajëson edhe tensionet politike. Ky kërkon që diplomatët të bëjnë më shumë punë në tërheqjen e investitorëve të huaj.

    “Çka do e kisha rekomanduar Ministrinë e Punëve të Jashtme që ta orientoi korpusin diplomatik që të tërheqin kompanitë për shembull ato Amerika në Tajvan, atje kemi tensione mes Kinës dhe Tajvanit dhe normalisht është krijuar një situatë jo shumë e sigurt për vendin dhe besoj se nëse do kishim qenë ofertues të mirë, të krijojmë kushte të mira për të bërë biznes do kishin qenë potencial për zhvillimin ekonomik”, tha Qerimi.

    Pas patundshmërisë, sektori tjetër dominues sa i takon Investimeve të huaja direkte edhe ai i aktivitetet financiare dhe atyre të sigurimit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Vazhdon përplasja për objektin

    Vazhdon përplasja për objektin

    Përgatiti: Armand Hoti

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, pritet ta vazhdojë një punë që i mbeti në gjysmë të premten.

    Javën e kaluar, ai e vizitoi fizikisht objektin ku ndodhet selia qendrore e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërsa për të hënën, vetëm e la një paralajmërim.

    Çfarë do të bëjë nuk dihet, por në vizitën e fundit tregoi se ia ktheu Ministrisë së Bujqësisë, 600 metrat katrorë të këtij objekti.

    Nga Aleanca kanë kritika për ministrin se si hyri në ndërtesën që gjendet në lagjen Ulpiana.

    “Ka hyrë tinëz, pa e njoftuar askënd, ka bërë shpejtë foto dhe ka ikur. Ministri mund të vijë ta vizitojë objektin, por duhet të jetë transparent, mos të vijë fshehurazi, dhe ne e presim. Atë ditë është ndërruar roja, nuk e ka njohur. Ne kemi qenë në objekt në zyrat tona dhe vetëm e kemi parë postimin e ministrit”, tha zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli.

    Të drejtën për ta shfrytëzuar katin përdhesë dhe të parin, AAK e arsyeton me kontratën e lidhur me ministrinë.

    600 metrat katror, në të cilët po aludon Ministri, thuhet se nuk shfrytëzohen nga partia opozitare.

    “Ministri po dezinformon për shkak se e ka fjalën për podrumin dhe katin e fundit. Ne i kemi 569 metra katror që i shfrytëzojmë, që janë kati përdhesë dhe kati 1. 600 metra janë podrumi dhe kati i fundit”, tha Xhemajli.

    Që nga marsi i 2018-ës kur stafi i Aleancës u vendos në zyrat e reja e deri në mars të 2023-ës, AAK i ka paguar Ministrisë së Bujqësisë qera prej 2400 eurosh.

    Në nëntor të vitit të kaluar, kontrata mes Ministrisë dhe AAK-së u vazhdua, por kësaj here partia paguan mbi 4500 euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: