ATV

Author: ATVLive

  • ​Anëtarët e KPM-së akuzohen se po shkelin Kushtetutën, letra e Premier Ligës se trajton Kosovën si shtet

    ​Anëtarët e KPM-së akuzohen se po shkelin Kushtetutën, letra e Premier Ligës se trajton Kosovën si shtet

    Kryetari i Komisionit të Mediave të Pavarura, Jeton Mehmeti ka deklaruar se javën e kaluar kanë pranuar një letër shqetësuese nga Premier Liga, duke krijuar paqartësi për të drejtat e transmetimit të Premier Ligës në territorin e Kosovës.

    Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, tha se në letrën e dërguar nga Premeri Liga thuhet se tre operatore të licencuar nga KPM-ja, po transmetojnë pa të drejtë.

    Ai shtoi se menjëherë pas pranimit të letrës nga Premier Liga, kanë kërkuar dëshmi nga operatorët për të parë kontratat e Arenës me Premier Ligën. Mehmeti tha se në dokumentet të cilat i kanë analizuar, thuhet se Arena ka të drejtë të transmetojë dhe të shesë kanalet tek operatorët e tjerë.

    Ai shtoi se do të vazhdojnë të hulumtojnë këtë marrëdhënie të transmetimeve në mes Arenës dhe Premier Ligës.

    “Kemi marrë një letër direkt nga “Premier Liga” se po transmetohet pa të drejtë nga tre operatorë të licencuar nga ana e KPM-së që janë Art Motion, Kujtesa dhe Ipko. Në atë letër, Premier Liga ka konfirmuar se të drejtën për tre sezona të transmetimit të ligës për Kosovë duke filluar nga sezona 2022/2023. Premier Liga i ka dhënë dy etnitete të pavarura, njëra prej tyre është Digitalb dhe ka të drejtën e transmetimit të Premier Ligës në Kosovë në gjuhën shqipe dhe tjetra quhet Arena dhe kjo ka të drejtë transmetimin në gjuhën serbe. Në atë letër të datës katër shtator, është thënë që çfarëdo transmetimi i ndeshjeve të Premier Ligës që nuk bëhet me autorizim nga Digjitalb ose Arena, përfundin që ai transmetim është bërë pa autorizim të Premier Ligës…… 06:05 Kemi kërkuar nga operatori ArtMotion që të sjellë një konfrimim që ka marrëveshje me Arenën, ku e njëjta i ka dhënë këtë të drejtë Art Motion që të transmetojë Premier Ligën në Kosovë. Në letër konfirmimi thuhet se Arena e konfirmon që ka të drejtë të shpërndajë kanalet e Arena Sportit te operatorët e tjerë në territorin e Kosovës. Arena konfirmon që ka këto të drejta për territorin e Serbisë duke përfshirë edhe Kosovës dhe këtu përfshihet edhe Premier Liga. Në baze të këtyre letrave se për të pasur këtë të drejtë një operatorë i KPM-së, duhet të ketë një autorizim me njërin prej kompanive të cilat i kanë të drejtat për transmetim për Kosovën, siç janë Digjitalb dhe Arena. 08::13 Letra e fundit na ka shtyrë që të kërkojmë nga operatorët që të risjellin edhe një herë ato autorizime që kanë me Arenën sepse dëshirojmë të jemi të sigurtë për të drejtën e transmetimit të ligës në Kosovë dhe jemi në pritje të atyre dokumenteve për të ardh në përfundim se dikush nuk ka pasur të drejtë për të transmetuar ligën në Kosovë”, tha Mehmeti.

    Ndërkaq, anëtarja e KPM-së Luljeta Aliu tha se në bazë të marrëveshjes që Arena i ka dërguar tek KPM-ja, ekziston dyshime se Arena ka mashtruar dhe nëse qëndron kjo, Arena nuk do të ketë mundësin më që të transmetojë në Kosovë.

    “Ka qenë një paqartësi me të drejtat e transmetimit dhe rishitjes nga ana e Arenës dhe si duket në atë marrëveshje në të cilën ne e kemi marrë që i rregullon këto marrëdhënie mungon pjesa e cila e qartëson, duhet të jenë dy autorizime. Aty thuhet se duhet të jenë dy autorizime në marrëveshje dhe të ekzistojë edhe autorizimi nga ana e Premier Ligës….. Ekziston dyshimi që nga ana e Arenës ka qenë mashtrim, ky është mashtrim ndaj komisionit sepse Premier Liga do të i kishte dhënë këto informata të qarta, besoj se është lajthitje dhe mashtrim dhe është një çështje që duhet të merret seriozisht dhe në raste tjera Arena mund të ketë kontrata por në këtë rast nëse dëshmohet dyshimi, atëherë nuk ekziston ndonjë mirëbesim që Arena t’i ketë të drejtat që të operojë në Kosovë ose të ketë ndonjë kanal në Kosovë, do të ndërmarrim hapat tonë ligjorë”, tha Aliu.

    Kryetari i komisionit për Media, Valon Ramadani u tha anëtarëve të KPM-së, se pret që të ndërmarrin hapa tutje në lidhje këtë çështje.

    “Mendoj qe janë të qartësuar në letrën e pranuar nga Premier Liga, sidomos çështja se a kanë pasur konfirmim ose jo, aty është e qartë shkruhet se nuk ka pasur konfirmim, juve iu mbetet të vazhdoni tutje.18:35 Për neve është shumë me rëndësi cili do të jetë veprimi i juaj përball këtij mashtrimi që e ka bërë këtë tast në raport me neve Artmotion, Arena Sportin që ka mashtruar që ka marrëveshje dhe në fakt Premier Liga nuk ka pasur njohuri për transmetimin në Kosovë”, tha Ramadani.

    Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi shtoi se KPM-ja për këtë çështje është dashur të kërkojë sqarime shtesë nga Premier Liga dhe të marrë vendim.

    “Në letrën e konfirmimit që kinse Arena ka të drejtë Artmotion t’i jep të drejtën e shpërndarjes aty në fjalinë e fundit thuhet që ne kemi të drejta për territorin e Serbisë për territorin e Kosovës. A nuk iu ka bërë përshtypje që me këtë fakt ju shkelni Kushtetutën e Republikës, nëse mendoni që kjo është punë e vogël kur territorin e Serbisë përfshihet edhe Kosova, ju është dashur të kërkoni sqarim shtesë nga Premier Liga ose të trajtoni si dokument i cili republikën tonë nuk e trajton si shtet”, theksoi Muzaqi.

  • BQK nënshkruan Marrëveshje të Mirëkuptimit në fushën e Edukimit Financiar

    BQK nënshkruan Marrëveshje të Mirëkuptimit në fushën e Edukimit Financiar

    Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka nënshkruar Marrëveshje të Mirëkuptimit në fushën e Edukimit Financiar me përfaqësuesit e sektorit financiar Shoqatën e Bankave të Kosovës, Asociacionin e Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës dhe Byronë Kosovare të Sigurimit.

    Nënshkrimi i këtij Memorandumi është bërë në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë që po shënohet nga BQK-ja, e përcjellë me aktivitete të shumta në kuadër të Edukimit Financiar.

    “Qëllim i këtij Memorandumi është avancimi i gjithëpërfshirjes dhe vendosjes bashkëpunimit në fushën e Edukimit Financiar, në mënyrë që të ketë aktivitete të koordinuara dhe bashkërenduara të edukimit si një përgjegjësi e përbashkët midis shumë palëve të tjera të interesit”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga BQK.

    Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili theksoi se institucioni që ai drejton do ta ketë në fokus Edukimin Financiar, me qëllim të promovimit të qasjes dhe gjithëpërfshirjes në financa të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

    “BQK-ja do ta ketë në fokus Edukimin Financiar, me qëllim të qasjes në financa dhe promovimin e gjithëpërfshirjes financiare, në bashkëpunim me institucionet relevante”, tha Ismaili.

    Marrëveshja do të nxis dhe promovoj iniciativa, ngjarje, aktivitete dhe materiale nga fushën Edukimit Financiar, përmes institucioneve të përfshira.

    Përmes Edukimit Financiar dhe Javës Ndërkombëtare të Parasë, synohet të avancohen njohuritë edukative financiare.

  • FAZ: Rikthimi i Trump mund t’i hapë rrugë ringjalljes së idesë së shkëmbimit të tokave Kosovë-Serbi

    FAZ: Rikthimi i Trump mund t’i hapë rrugë ringjalljes së idesë së shkëmbimit të tokave Kosovë-Serbi

    Gazeta gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka paralajmëruar pasoja të mëdha nga projekti që bëri bujë së fundmi: Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump planifikon investime në Shqipëri dhe Serbi.

    Gazetari Michael Martens shkruan në artikullin me titull “Çfarë po planifikon dhëndri i Trump në Ballkan” se “nëse vjehrri i tij Donald Trump bëhet president amerikan, marrëveshja mund të ketë pasoja të mëdha”.

    Një projekt i mundshëm investimi i dhëndrit të Trump, Jared Kushner në Serbi dhe Shqipëri ka ndezur debate të gjalla, veçanërisht në Beograd. T

    Të premten, Kushner konfirmoi planet për New York Times, të cilat gazeta i përdori si bazë për një raport gjithëpërfshirës mbi projektin. Kjo nga ana tjetër çoi në reagime të qarta nga qeveria serbe në fundjavë, shkruan FAZ.

    “New York Times” raportoi se në Beograd bëhej fjalë për ndërtimin e një hoteli dhe një objekti me “1500 njësi banimi” dhe në Shqipëri bëhej fjalë për ndërtimin e resorteve luksoze në bregdetin e Mesdheut.

    “Jemi shumë të emocionuar. Ne nuk i kemi bërë ende këto marrëveshje, kështu që ato mund të mos ndodhin, por ne kemi punuar shumë për to dhe jemi shumë afër”, citohet të ketë thënë Kushner nga gazeta.

    FAZ raporton se ish-i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë.

    Gazeta gjermane shkruan se projekti mund të rezultojë shumë i dobishëm politikisht për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

    FAZ ka përmendur një “marrëveshje të planifikuar” midis Ramës, Vuçiqit dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, për çështjen e shkëmbimit, që sipas gazetës, ishte në prag të realizimit.

    Sipas një marrëveshjeje të planifikuar në atë kohë, e cila u përfol si një ‘shkëmbim tokash’, Martens shkruan se veriu i Kosovës do t’i kishte rënë Serbisë dhe jugu do të kishte tendencë drejt Shqipërisë.

    FAZ shkruan se marrëdhëniet e mira me Trumpin, mund t’i hapin rrugë Ramës dhe Vuçiqit për ta ringjallur këtë plan.

  • Prerja e pishave disavjeçare në Gjakovë, reagon Komuna: U bë pa aprovimin tonë, do të merren masa ligjore

    Prerja e pishave disavjeçare në Gjakovë, reagon Komuna: U bë pa aprovimin tonë, do të merren masa ligjore

    Qytetarët e Gjakovës gjatë ditës së diel janë shqetësuar nga prerja e disa pishave dhjetëvjeçare në afërsi të stacionit të autobusëve.

    E lidhur me këto veprime ka reaguar edhe komuna e Gjakovës sot, ku kanë bërë të ditur se me rastin është duke u marrë policia dhe prokuroria.

    Sipas tyre, ky veprim ka ndodhur pa njoftimin dhe aprovimin e komunës dhe si i tillë është i dënueshëm.

    Tutje në njoftim thuhet se ky nuk është rasti i vetëm që po ndodhë dhe se në të gjitha rastet do të ndërmirren masat e nevojshme ligjore dhe presin nga policia dhe prokuroria që edhe ata ti ndërmarrin masat e duhura ligjore për këto raste.

  • Foda është optimist për rezultate të mira të Kosovës, tregon arsyet pse nuk u ftuan Krasniqi, Zyba dhe Hyseni

    Foda është optimist për rezultate të mira të Kosovës, tregon arsyet pse nuk u ftuan Krasniqi, Zyba dhe Hyseni

    Selektori i ri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, është shprehur optimist për rezultate të mira në dy ndeshjet miqësore të marsit, kundër Armenisë dhe ndaj Rumanisë, raporton EO.

    Në konferencën e parë si selektor i Përfaqësues së Kosovës, trajneri gjerman zbuloi se në javët e fundit ka bërë shumë udhëtime për t’i përcjellë nga afër lojtarët, ndërsa tregoi se është takuar me disa prej tyre,

    Dardanët do të luajnë me Armeninë më 22 mars dhe katër ditë më vonë me Hungarinë me të dyja sfidat që luhen në udhëtim.

    “Në javët e fundit kemi udhëtuar shumë, i kemi shikuar lojtarët. Po ashtu, jam takuar personalisht me lojtarët, kishim shumë biseda të mira. Dhe, kemi kënaqësinë të fillojmë të punojmë me lojtarët dhe të luajmë në Armeni. Sot do të marrin pjesë 17 lojtarë në stërvitje, s’jemi ende të kompletuar pasi kanë pasur ndeshje në fundjavë. Ata janë të gatshëm”, deklaroi Foda.

    “Kemi një plan të qartë të cilit do t’I përmbahemi për ndeshjen ndaj Armenisë. Kemi përcjellë ndeshjet e lojtarëve, por I kemi përcjellë edhe ‘online’ si kanë luajtur dhe kemi përzgjedhur këta lojtarë. Gjithsesi çdo lojtar e ka mundësinë të tregoj veten për lojërat e ardhshme. Së fundi kam punuar në Zuerich dhe pas një periudhe kam nënshkruar kontratën e re. Më ka ardhur oferta prej federatës së Kosovës. Kemi zhvilluar bisedime shumë të mira. Është përmendur se duan të ndërrojnë shumë gjëra në ekip. Kam punuar shumë me lojtarë të Kosovës te Zuerichu dhe te Kaiserslauterni. Kosova ka ekip shumë interesant dhe lojtar shumë interesant dhe jam shumë i sigurt që do të arrijmë rezultate të mira”.

    Foda tha se kohëve të fundit ka udhëtuar shumë për të parë edhe nga afër ndeshjet e skuadrave ku luajnë futbollistët kosovarë.

    “Ne kemi udhëtuar shumë. Në Bukuresht ishte ndihmësi im. Kemi pasur një grup prej 40-50 lojtarë.Por ne jemi përcaktuar për lojtarët që na kanë magjepsur më shumë. Gjithsesi secili prej këtyre lojtarëve duhet të tregojë më të mirën. Dyert janë të hapura për çdo lojtar. Secili do të ketë rastin për të treguar veten dhe të marr pjesë në ndeshje. Por po duam që këtyre lojtarëve që kemi përzgjedhur të kenë rastin të tregojnë veten. Në të ardhmen do të përcjellim vazhdimisht lojtarët. Këto ndeshje dhe ndeshjet në verë na shërbejnë për të bërë përzgjedhjen e më të mirëve”, ka shtuar ai.

    Foda u pyet për mos grumbullimin e tre futbollistëve si Ermal Krasniqi, Qëndrim Zyba dhe top shënuesi i Superligës, Muhamet Hyseni.

    Trajneri gjerman deklaroi se të gjithë futbollistët kanë qenë në vëzhgim dhe dera është e hapur për të gjithë edhe në grumbullimet e ardhshme.

    “Të gjithë futbollistët janë në vëzhgim tonin. Edhe ata që i përmendët janë pjesë e rëndësishme e Kosovës, por për këto dy ndeshje kemi vendosur për këta futbollistë që janë në listë. Dera është e hapur për të gjithë dhe edhe atyre do t’iu vije mundësia në grumbullimet e ardhshme”.

  • ​Escobar gjatë vizitës në Kosovë takoi familjen e heroit Afrim Bunjaku

    ​Escobar gjatë vizitës në Kosovë takoi familjen e heroit Afrim Bunjaku

    Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës javën e kaluar në Kosovë, ka takuar drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe familjen heroit, rreshter Afrim Bunjaku, i cili mbeti i vrarë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

    Sipas njoftimit të policisë, Escobar shprehu ngushëllime familjes Bunjaku dhe Policisë së Kosovës për humbjen e jetës së rreshterit Afrim Bunjaku.

    “Gjatë vizitës së Zëvendës Ndihmës Sekretarit (ZNS) Gabriel Escobar në Kosovë, ai kërkoi dhe ju dha kohë për tu takuar me të venë dhe djemtë e rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, të cilët shoqëroheshin nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. ZNS Escobar, në prani të Ambasadorit të SHBA-së Jeffrey Hovenier, dhe Atasheut të DOJ-ICITAP-it Kimberly Riffe, shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta familjes për humbjen tragjike të babait/bashkëshortit të tyre. Ngjarja ishte shumë emocionuese dhe e përzemërt dhe personalitetet e larta i shprehën ngushëllimet e tyre familjes dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Më tej bëhet e ditur se Escobar është njoftuar në detaje nga drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha për sulmin ndaj policisë në Banjskë më 24 shtatori 2023.

    “Në një takim të veçantë, DP Hoxha informoi ZNS Escobarin dhe atasheun Riffe për sulmin ndaj policisë në Banjskë më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku, dhe situatën aktuale të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. ZNS Escobar vlerësoi mundësinë për të komunikuar drejtpërdrejt më kreun e Policisë së Kosovës. DP Hoxha përcolli mirënjohjen e tij të thellë për Shtetet e Bashkuara dhe stafin e shumtë të ambasadës që ndihmojnë policinë dhe janë të përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës./kp/

  • Peci ndërprenë kontratën e qerasë me AAK-në, thotë se u kërcënua nga zyrtarët e partisë

    Peci ndërprenë kontratën e qerasë me AAK-në, thotë se u kërcënua nga zyrtarët e partisë

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, thotë për Ekonomia Online, se gjatë së hënës ka autorizuar sekretarin e Ministrisë për ndërprerjen përfundimtare të qerasë ku ndodhen zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, ministri Peci ka folur edhe për deklaratat e zyrtarëve të AAK-së, teksa i quan kërcënim të hapur.

    Peci shprehet i bindur se në një periudhë të shkurtër i gjithë objekti ku gjendet AAK-ja do të jetë në dispozicion të dikasterit që ai e drejtin.

    “Me revidimin e kontratës ka qenë edhe mundësi që të rikthejmë rreth 600 metra katrorë dhe me qenë se kemi qenë shumë korret dhe gjeneroz, dhe me qenë se ata kanë pasuar me jo mirënjohje dhe jo korrektësi në komunikim me Ministrin e Bujqësisë, sot ne mëngjes Ministria ka marr vendim që përfundimisht të shkëputet tërësisht kontratën me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Varësisht prej dispozitave edhe siç është e paraparë në një periudhë tranzitore, për një periudhë të shkurtër kohore i gjithë objekti do të jetë në shfrytëzim për Ministrinë e Bujqësisë, për titullarin e institucionit. Edhe mua me vjen keq realisht prej periudhës së pasluftës objekti i Ministrisë së Bujqësisë nuk është shfrytëzuar nga titullari i institucionit dhe në anën tjetër ne përballemi me një qira shumë të lartë aktualisht në objektin që e ushtrojmë veprimtarinë tonë”, thotë Peci.

    Ndërsa deklaratën e ish-zëdhënësit të AAK-së, Lulzim Blaka “Mirë se vjen o trim Të presim siç është zakoni”, Peci i sheh kërcënim të hapur. Thotë se komunikim i tillë bëhet vetëm në Dukagjin.

    “E para unë kam thënë që shihemi të hënën për shkak se kishte kaluar afati kohor dhe thjeshtë ka qenë edhe vendimi i imi dhe sugjerim i imi për pjesën e ekzekutivit për të shkëputur këtë kontratë. Ai është një komunikimi i një tradite në Dukagjin, mendoj që është kërcenim i hapur. Por sido që të jetë për të gjithë ata që përçojnë mesazhe të tilla dhe që mendoj që kuptimin e kanë forcën ose guximin të ballafaqimit vandal, unë kam guximin intelektual edhe guximin me ndjek interesin publik të qytetarëve dhe të institucioneve”, u shpreh ai.

    E aksionet për lirimin e objekteve që janë nën menaxhim të këtij dikasteri, thotë se kanë vetëm një qëllim. Sistemimin e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë për shkak të mungesës së hapësirave në objektin aktual.

    “E para që duhet të them është që Ministria e Bujqësisë ka vështirësi seriozë me hapësirat për zyrtarët që i posedon e një numër i tyre tashmë është secilën herë duke u rritur për shkak të arritjes së objektivave që i synojmë ne në sektorin e Bujqësisë. E dyta e i kam dëgjuar deklaratat e zyrtarëve të AAK-së edhe në mundemi me fakte me i demantuar për shkak se kontrata paraprake ka qenë hapësira me të cilën ata e kanë shfrytëzuar afër 1 mijë metër katror. Ndërsa është revidu kontrata duke i liruar dikun rreth 411 metra katror, por edhe 200 të tjera do të thotë bëhet fjalë për pjesën e podrumit që ka qenë e shfrytëzueshme prej tyre por nuk ka qenë pjesë e kontratës”, u shpreh Peci.

  • Idrizi takohet me Konjufcën, thotë se biseduan rreth bashkëpunimit me nivelin qendror

    Idrizi takohet me Konjufcën, thotë se biseduan rreth bashkëpunimit me nivelin qendror

    I pari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka bërë të ditur se është takuar me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca.

    Idrizi tha se temë diskutimi i këtij takimi ishin projektet që janë duke u zhvilluar në Komunën e Vushtrrisë, dhe mundësitë e bashkëpunimit me nivelin qendror.

    Postimi i plotë:

    “Sot, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës pata një takim të ngrohtë e përmbajtjesor me kryetarin e Kuvendit, z.Glauk Konjufca.

    Me kryetarin Konjufca diskutuam mbi projektet që janë duke u zhvilluar në Komunën e Vushtrrisë, dhe mundësitë e bashkëpunimit me nivelin qendror, në të mirë të qytetarëve vushtrrias.

    Faleminderit për pritjen Kryetar Konjufca!”.

  • ​Foda e nis konferencën në shqip, zbulon pse nuk e ftoi Ermal Krasniqin

    ​Foda e nis konferencën në shqip, zbulon pse nuk e ftoi Ermal Krasniqin

    Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka mbajtur sot konferencën për media para ndeshjeve të këtij muaji kundër Armenisë dhe Hungarisë.

    Foda e nisi konferencën në gjuhën shqipe me “Mirëdita”, ndërsa vazhdoi të tregonte se ka filluar të bëhet grumbullimi i lojtarëve, raporton KosovaPress.

    Trajneri gjerman theksoi se sot ka të gatshëm 17 lojtarë, kurse pret që nesër të kompletohet kontingjenti prej 24 futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e këtij muaji.

    Po ashtu, Foda zbuloi se pse mungon sulmuesi i Rapid Buchurestit, Ermal Krasniqi në grumbullimin e tij. Ai tha se gjatë këtyre muajve ka udhëtuar vazhdimisht për të shikuar ndeshjet e lojtarëve të Kosovës, dhe lojtarët e ftuar e kanë bindur se e meritojnë të jenë pjesë e grumbullimit, prandaj edhe janë të ftuar.

    “Dardanët”, përballen me Armeninë më 22 mars, ndërsa katër ditë më vonë do të luajnë kundër Hungarisë.

  • Anulohen dy seanca në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Anulohen dy seanca në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të anulohen seancat e datës 21 mars dhe 22 gusht 2024.

    Sipas trupit gjykues ky vendim është marrë për shkak se ka kontradikta në mes datave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, me fillim të seancës së sotme gjyqësore, gjyqtari Smith III tha se do të fillojë dëshminë dëshmitari i 49-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04811.

    Vlen të theksohet se sot e pranishme në seancën e gjyqit ishte edhe bashkmbrojtësja e re e ekipit të Thacit, Nina Tavakoli për të cilën u tha se do të parashtrojë pyetje për dëshmitarin.

    Po ashtu, ajo pati një çështje për të parashtruar mirëpo për këtë gjë kërkoi sesion privat gjë e cila u miratua nga trupi gjykues.

    Në fillim të seancës, Smith njoftoi se Thaçi dhe Krasniqi janë të pranishëm në sallë përmes video-lidhjes ndërsa dy të akuzuarit e tjerë janë fizikisht aty.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi