ATV

Author: ATVLive

  • Italia shënon ditën e përkujtimit të viktimave të COVID

    Italia shënon ditën e përkujtimit të viktimave të COVID

    Italia të hënën shënon ditën e saj kombëtare të përkujtimit të viktimave të pandemisë COVID-19.

    18 Marsi u zgjodh si dita e kujtimit, sepse ishte në atë ditë të 2020-ës që u regjistrua imazhi më tragjik dhe emblematik i valës së parë të COVID: autokolona kamionësh të ushtrisë që largonin arkivole nga Bergamo, qyteti verior më i goditur.

    Vlerësohet se rreth 200.000 vdekje në Itali ishin të lidhura me koronavirusin.

    Presidenti Sergio Mattarella tha se pandemia tregoi se si një “përgjigje e koordinuar në nivel global” ishte e nevojshme për të trajtuar sfidat me të cilat përballet njerëzimi dhe theksoi rëndësinë e “zbulimeve të fundit kërkimore në të cilat Bashkimi Evropian ishte protagonist”.

  • Escobar i flet Serbisë nga Podgorica: Mesazhet e saj për Kosovën s’e ndihmojnë stabilitetin e rajonit

    Escobar i flet Serbisë nga Podgorica: Mesazhet e saj për Kosovën s’e ndihmojnë stabilitetin e rajonit

    Pas vizitës që pati në Kosovës zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gabriel Escobar sot ka vizituar Malin e Zi.

    Pas një takimi që pati me kryeministrin Milojko Spajiq në Podgoricë, që të dy dolën në një konferencë të përbashkët.

    Derisa konfirmoi miqësinë e mirë që SHBA ka me Malin me Zi dhe aleat brenda Aleancës, Escobar dërgoi një mesazh edhe për Serbinë.

    Derisa tha se SHBA nuk ka dhënë asnjëherë ndonjë koment për politikën e brendshme të Malit të zi, ai numëroi tri shtete fqinje të Malit të Zi për të cilat thotë se po punojnë për ruajtjen e stabilitetit, përvec njërit i cili po i dërgon mesazhe Kosovës.

    “Ajo që themi është se Mali i Zi duhet të vazhdojë të jetë i orientuar pro-evropian. Në këtë periudhë kur tri shtete fqinje po na ndihmojnë për të ruajtur stabilitetin… e ka një që nuk po punon për këtë por po dërgon mesazhe për Kosovën, jemi të vetëdijshëm se duhet të jemi të fokusuar në rrugën progresive të Malit të Zi”, tha Eskobar, i cili e pranoi se ndikimi malinj i Rusisë është shumë i pranishëm në Ballkan.

    Duke komentuar raportin e NATO-s për vitin e kaluar, Escobar thotë se erdhi në Ballkan pasi vizitoi institucionet e NATO-s, selinë dhe pa “entuziazëm të jashtëzakonshëm sepse anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës ndikoi pozitivisht në zhvillimin e mëtejshëm të situatës”.

    Kjo deklaratë e Escobar, erdhi vetëm një ditë pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka takuar fëmijët serbë të Kosovës, gjatë një organizimi në Beograd.

  • Specialja ia vazhdon paraburgimin Jakup Krasniqit

    Specialja ia vazhdon paraburgimin Jakup Krasniqit

    Gjykata Speciale në Hagë ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit.

    Në arsyetimin e vendimit thuhet se ZPS-ja ka parashtruar se paraburgimi i Krasniqit mbetet proporcional.

    “ZPS -ja argumenton se, duke marrë parasysh të gjithë faktorët, paraburgimi i z. Krasniqi mbetet proporcional. Për këtë qëllim, ZPS i referohet gjetjeve të mëparshme të Panelit se: (i) z. Krasniqi akuzohet për dhjetë akuza për krime të rënda ndërkombëtare në të cilat ai pretendohet se luan një rol të rëndësishëm; (ii) nëse dënohet, ai mund të përballet me një dënim të gjatë; (iii) rreziqet e vazhdueshme sipas nenit 41(6)(b)(ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten mjaftueshëm me zbatimin e masave alternative të arsyeshme; (iv) çështja kundër z. Krasniqi është komplekse; (v) ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve siç është përshkruar më sipër; dhe (vi) progresi vazhdon të bëhet në këtë rast”, thuhet në vendim.

    Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit në parashtrimet e veta ka thënë se vazhdimi i paraburgimit për klientin e tyre është joproporcional.

    “Mbrojtja e Krasniqit argumenton se paraburgimi i vazhdueshëm i z. Krasniqi është joproporcional.76 Ajo pohon, në veçanti, se 40 muajt e kaluar në paraburgim janë një periudhë e konsiderueshme kohore për një person i cili nuk është dënuar për ndonjë krim. Për më tepër, ai pohon se modifikimi i kohëve të fundit i kushteve në objektet e paraburgimit tashmë ka pasur një ndikim të rëndësishëm në të drejtat e z. Krasniqi dhe vizitat e tij familjare, gjë që, nga ana tjetër, ndikon në mirëqenien e tij dhe të drejtën për jetë familjare”, thuhet në vendim.

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që të iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë Rexhep Selimit.

    Vendimi është marrë më 15 mars 2024, nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

    Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Paneli është i bindur se ekziston rreziku që Selimi të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të DhSK-së dhe të kryej krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së duke përfshirë edhe ndikimin tek dëshmitarët.

    “Në parashtrimet e veta ZPS-ja kishte parashtruar se nuk ka asnjë masë alternative që zbut në mënyrë të mjaftueshme rreziqet për kryerje të krimeve të mëtejshme nga Selimi. Edhe në këtë rishikim të masës së paraburgimit, ZPS-ja ka parashtruar se asgjë nuk ka ndryshuar nga rrethanat që nga rishikimi paraprak i paraburgimit kur Paneli kishte konkluduar se të gjitha rreziqet për pengim të procedurave mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Po ashtu, Paneli ka konstatuar se vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë ndaj Veselit është i arsyeshëm dhe i nevojshëm.

    “Në dritën e zhvillimeve të mësipërme, si dhe faktit se ekzistojnë rreziqe të vazhdueshme për pengimin e procedurës dhe kryerjen e krimeve të mëtejshme, asnjëra prej të cilave nuk mund të zbutet mjaftueshëm me zbatimin e masave të arsyeshme alternative, Paneli konstaton se paraburgimi i z. Selimi për edhe dy muaj të tjerë janë të nevojshëm dhe të arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit”, thuhet ndër tjerash në vendim.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

  • Bie inflacioni në eurozonë dhe në BE në muajin shkurt

    Bie inflacioni në eurozonë dhe në BE në muajin shkurt

    Norma vjetore e inflacionit në eurozonë dhe BE u ul me 2.6% dhe 2.8% në shkurt, nga përkatësisht 2.8% dhe 3.1% në janar, treguan shifrat zyrtare të hënën.

    Autoriteti statistikor i bllokut prej 27 anëtarësh, Eurostat kujtoi se norma e inflacionit ishte 8.5% në shkurt të vitit 2023 në zonën e euros dhe 9.9% për BE.

    Normat më të ulëta vjetore u panë te Letonia, Danimarka (të dyja 0.6%) dhe Italia (0.8%) ndërsa normat më të larta vjetore u panë në Rumani (7.1%), Kroaci (4.8%) dhe Estoni (4.4%).

    Në krahasim me janarin, inflacioni vjetor ra në 20 shtete anëtare, mbeti i qëndrueshëm në pesë dhe u rrit në dy.

    Në shkurt, kontributet më të larta në normën vjetore të inflacionit të eurozonës erdhi nga shërbimet, ushqimet, duhani me alkool dhe energjia, shtoi Eurostat./AA/

  • Koreja e Veriut lëshon raketa balistike ndërsa sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken viziton Seulin

    Koreja e Veriut lëshon raketa balistike ndërsa sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken viziton Seulin

    Koreja e Veriut ka lëshuar raketa balistike ndërsa sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken po vizitonte Seulin.

    Tre raketa balistike me rreze të shkurtër u lëshuan në det të hënën, ndërsa zoti Blinken vizitoi për një konferencë mbi avancimin e demokracisë.

    Është hera e parë në dy muaj që Koreja e Veriut lëshon armë të këtij lloji.

    Koreja e Jugut tha se disa raketa me rreze të shkurtër fluturuan rreth 186 milje (300 km) dhe u ulën në brigjet lindore të Veriut pasi u qëlluan nga kryeqyteti Pheniani midis orës 7:44 dhe 8:22 të mëngjesit me orën lokale (rreth orës 23:00 të së dielës sipas kohës së Mbretërisë së Bashkuar), raporton Sky News.

    Jugu e dënoi lëshimin si një “provokim të qartë” dhe tha se po ndante informacione me SHBA-në dhe Japoninë.

    Z. Blinken ishte mes zyrtarëve të lartë nga e gjithë bota që ishin në Korenë e Jugut për të marrë pjesë në konferencën e Samitit për Demokraci, e cila fillon sot. Ai do të takohet gjithashtu me homologun e tij të Koresë së Jugut, ministrin e jashtëm Cho Tae-yul.

    Kryeministri japonez Fumio Kishida dënoi gjithashtu lëshimin pasi roja bregdetare e vendit të tij raportoi lëshimin e raketës.

    Duke e quajtur nisjen si shkelje të rezolutave të OKB-së, Kishida shtoi: “Seria e veprimeve të Koresë së Veriut kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit tonë dhe komunitetit ndërkombëtar dhe janë absolutisht të papranueshme”.

    Javët e fundit janë parë ushtria e Koresë së Veriut duke kryer stërvitje me armë konvencionale – shpesh të mbikëqyrura nga diktatori Kim Jong Un./skynews/

  • Osmani: Është arritur pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për dinarin

    Osmani: Është arritur pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për dinarin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje.

    Sipas saj, ideale do të ishte nëse do të arrihej një marrëveshje për të në Bruksel, më 19 mars, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

    Ajo ka thënë se është shumë pozitive “që komuniteti ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara pajtohen që mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë”.

    “Me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje ato dërgesa, ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia, të arrijë në euro dhe jo në dinarë, dhe kjo besoj që e zgjidh një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën”.

    Sa i përket pjesës së dytë të propozimit, ajo ka thënë se autoritetet e Kosovës janë duke shqyrtuar mënyra për të garantuar që ndihma që niset prej Serbisë për komunitetin serb në Kosovë “mos të shkojë në duart e personave që kanë abuzuar, që janë korruptuar dhe i kanë marrë paratë kinse në emër të qytetarëve, por i kanë shfrytëzuar për krim të organizuar. Për atë pjesë është duke u hartuar një plan që do t’i përfshijë autoritetet e Kosovës”.

    Prej 1 shkurtit Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur të zbatojë një rregullore të re, e cila përcakton që euroja është valuta e vetme në përdorim për kryerje të pagesave me para të gatshme.

    Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit.

    Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë dhe ua nis atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë në valutën e vet, dinarin.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka reaguar ashpër Kosovës për zbatim të rregullores, duke thënë se nevojitet një plan i qartë që nuk dëmton komunitetin serb, dhe se afati për zbatimin e saj ka qenë shumë i shkurtër./REL

  • Hapet zyrtarisht Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias, Çeku e konsideron të rëndësishëm për diplomacinë kulturore

    Hapet zyrtarisht Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias, Çeku e konsideron të rëndësishëm për diplomacinë kulturore

    Republika e Kosovës për herë të tetë do të marrë pjesë në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare të Artit – Bienalen e Venedikut me një projekt të artistes Doruntina Kastrati të titulluar “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” të kuruar nga Erëmirë Krasniqi dhe me komisionere Hana Halilaj, raporton EO.

    Në projektin e saj për pavijonin e ardhshëm të Kosovës, artistja ka propozuar një instalacion skulpturor. Siç ceket në aplikimin e saj, pavijoni do të trajtojë punën e feminizuar, pabarazitë në vendin e punës. Projekti niset nga konteksti lokal dhe shikon nga afër tranzicionet ekonomike dhe politike dhe se si ato kanë prekur grupet më të cenueshme.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tha se përzgjedhja është bërë nga një juri profesionale vendore e ndërkombëtare.

    “Më 18 prill të këtij viti hapen dyert e Pavijonit të Kosovës për adhuruesit e artit për të parë përfaqësimin artistik të vendit tone një nga ngjarjet të nivelit më të lartë botërorë. Ministria e Kulturës tash e dy vite bën përzgjedhjen e artistit përfaqësues të Republikës së Kosovës. Ndjek një praktik ndryshe përzgjedhja në këtë Bienale behet përmes një jurie profesionale e artistike të përberë prej profesionit vendor edhe ndërkombëtar dhe me aplikim vullnetar të artisteve me projektet dhe vullnetin e tyre. Besojmë fortë që kjo praktik është e shëndosh, ofron mundësi të barabarta për të gjithë artistët që kanë potencial dhe interesim”, tha Çeku.

    “Anëtaret e jurisë profesionalë kanë zgjedhur unanimisht projektin e artistes Doruntina Kastrati me titull ‘Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës’. Ky përfaqësim në republikën tonë është shumë i rëndësishëm për diplomacinë kulturore dhe publike”, tha tutje Çeku.

  • Cramon: I mundshëm anëtarësimi i Kosovës në BE, qeveria të punojë në interes të qytetarëve pasi realiteti është zhgënjyes

    Cramon: I mundshëm anëtarësimi i Kosovës në BE, qeveria të punojë në interes të qytetarëve pasi realiteti është zhgënjyes

    “Qeverisë së Kosovës i mungon vullneti politik për përparim në integrimet evropiane të vendit. Kabineti ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, por hapat e nevojshëm për përparim në këto aplikacione nuk janë bërë”, tha për agjencinë bullgare të lajmeve “BTA”, raportuesja e Parlamentit Evropian (PE) për Kosovën, Viola von Cramon.

    Sipas saj, ata thonë se duan të bëhen anëtarë të NATO-s, BE-së dhe Këshillit të Evropës, por nëse dikush i njeh rregullat e klubit, duhet të luajë me ato rregulla në vend që t’i shkelë ato.

    Ajo vazhdoi duke thënë se Qeveria e Kosovës aktualisht nuk po ua lehtëson aspak jetën qytetarëve; po dërgon sinjale shumë të përziera. Partnerët ndërkombëtarë janë të lodhur nga mosveprimi i Prishtinës, dhe kjo çoi në futjen e masave ndëshkuese nga BE-ja vitin e kaluar.

    Raportuesja e PE-së tha për se për t’u anëtarësuar në BE, Kosova duhet të njihet si një vend i pavarur nga shtetet anëtare, e pesë prej tyre nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

    “Të gjithë pajtohen se ka nevojë për përfundim të suksesshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë. Do të ishte shumë më e lehtë për të gjithë nëse Kosova do të thoshte se i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe i plotëson të gjitha kriteret, atëherë BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë do të ushtrojnë presion të madh ndaj Serbisë për të përmbushur pjesën e saj. Megjithatë, Kosova nuk po e bën këtë, gjë që e bën jashtëzakonisht të lehtë për presidentin serb Aleksandar Vuçiq të thotë se nuk ka kuptim që ai të investojë kapital politik nëse nuk ka interes për përparim nga ana e Kosovës”, tha Von Cramon.

    Ajo ka komentuar edhe vendimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës që transaksionet me para të gatshme duhet të jenë në euro që nga 1 shkurti.

    “Kosova si shtet sovran ka të drejtë të vendosë se cilën valutë do të përdorë, por mënyra se si u përpoq ta zbatonte atë vendim është problematike. Ata nuk informuan personat që do të prekeshin për vendimin; ata nuk qarkulluan informacione në serbisht për vendimin dhe nuk u bënë konsultime. E gjithë kjo ishte kundër interesave të njerëzve të zakonshëm”, argumentoi ajo.

    “Të gjithë në BE dhe Washington po pyesin pse po e bëjnë këtë, por, në fund të fundit, ata synojnë njerëzit e zakonshëm nga pakica serbe. Kur Kosova shpalli pavarësinë, ishte e qartë se bëhej fjalë për një shtet dhe shoqëri multietnike dhe nevojiten mekanizma për ta mbrojtur atë shoqëri multietnike. Megjithatë, partisë në pushtet dhe mbështetësve të saj tani nuk i intereson kjo”, tha Cramon.

    Sipas raportueses së PE-së, Kosova është plotësisht e mundur që të anëtarësohet në BE, por ajo shpreson të shohë një qeveri që punon në interes të qytetarëve të vendit për ta arritur këtë qëllim.

    “Realiteti aktual është ndryshe dhe mjaft zhgënjyes”, shtoi ajo.

    Ajo se asnjë nga mekanizmat e BE-së për trajtimin e krizave të tilla nuk ka qenë mjaft efektiv deri më tani, dhe vendosja e masave kufizuese që prekin drejtpërdrejt qytetarët e vendit do të ishte e padrejtë.

  • Mbi 46 mijë qytetarë me të drejtë vote në katër komunat veriore, në dispozicion do të jenë 44 Qendra të Votimit

    Mbi 46 mijë qytetarë me të drejtë vote në katër komunat veriore, në dispozicion do të jenë 44 Qendra të Votimit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka miratuar raportin jopërfundimtar të Listës së Votuesve për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, raporton Ekonomia Online.

    Sipas këtij raporti, numri jopërfundimtar i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është 46,248 votues apo 1,153 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar Komune të cilat janë mbajtur më 23 prill 2023, ndërsa numri i përgjithshëm i Qendrave të Votimit është 44.

    Me qëllim të funksionalizimit të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, janë caktuar Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së. Lidhur me këtë, në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për emërimin e rreth 20 anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, por që mund të plotësohet gjatë ditëve në vazhdim. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (2023) KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së.

  • Presidentja Osmani viziton Lipjanin, pritet nga kryetari Ahmeti

    Presidentja Osmani viziton Lipjanin, pritet nga kryetari Ahmeti

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar Komunën e Lipjanit. Me këtë rast e para e vendit është pritur nga kryetari Imri Ahmeti.

    Takimi po mbahet me dyer të mbyllura për media, derisa pas takimit do të ketë deklarime për media.

    Po ashtu, presidentja do të vazhdojë edhe me aktivitete të tjera duke vizituar biznese, gra e të rinj të kësaj komune.