ATV

Author: ATVLive

  • Charles Michel: Nëse duam paqe, Evropa duhet të përgatitet për luftë

    Charles Michel: Nëse duam paqe, Evropa duhet të përgatitet për luftë

    Presidenti i Këshillit Evropian deklaroi se Evropa duhet të kalojë në një ekonomi lufte dhe të forcojë mbrojtjen e saj në përgjigje të kërcënimit të paraqitur nga Rusia.

    Charles Michel, i cili do të kryesojë një takim të liderëve të BE-së të enjten për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën, tha se Evropa duhet të marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj, shkruan Sky News.

    “Nëse nuk e marrim përgjigjen e duhur të BE-së dhe nuk i japim Ukrainës mbështetjen e mjaftueshme për të ndaluar Rusinë, ne jemi të radhës,” shkroi ai në një shkrim të botuar në gazetat evropiane.

    “Prandaj ne duhet të jemi të gatshëm për mbrojtjen dhe të kalojmë në një mënyrë “ekonomie lufte”. Ai shtoi: “Nëse duam paqe, duhet të përgatitemi për luftë”.

    Ndërsa Evropa kishte bërë përparime që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska në shkurt 2022 – duke përfshirë rritjen e kapacitetit të prodhimit ushtarak me 50%, ai tha se nevojiten shumë më tepër.

    Michel u kërkoi gjithashtu vendeve të BE-së të sigurojnë që Ukraina të marrë atë që i nevojitet në fushën e betejës.

  • Më në fund, Diola Dosti e pranon në STUDIO A se është në lidhje me biznesmenin kosovar

    Më në fund, Diola Dosti e pranon në STUDIO A se është në lidhje me biznesmenin kosovar

    Ish-banorja e BBVA, Diola Dosti, në emisionin STUDOI A në ATV, e ka pranuar se është në lidhje me biznesmenin e njohur kosovar, Erolld Belegu.

    Këtë, ajo e konfirmoi pasi u moderatorja Blerona Zeqiri, i paraqiti në ekran asaj disa fotografi të publikuara nga vetë Diola dhe biznesmeni Erolld Belegu, nga i njëjti ambient.

    Më pas, Diola, po ashtu edhe biznesmeni Eroll Belegu, kanë publikuar foto së bashku, duke e konfirmuar lidhjen e tyre të dashurisë.

    Fillimisht, biznesmeni Belegu ka postuar një fotografi ku shihet dora e Diolës dhe e tij si të lidhur dhe mandej një fotografi tjetër ku Diola e përqafon atë derisa lart fotografisë shkruan: “Thjesht Lumturi”. /atvlive.tv

  • BE-ja vazhdon me presion për zbatim, presidentja fajëson Serbinë

    BE-ja vazhdon me presion për zbatim, presidentja fajëson Serbinë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në prag të takimit të radhës të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në njëvjetorin e dakordimit të shtojcës së Ohrit, Bashkimi Evropian shprehu zhgënjimin për nivelin e ulët të zbatimit.

    Megjithatë, BE-ja nuk heqë dorë nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve ballkanike.

    “Fatkeqësisht, përkundër mbështetjes së gjerë nga Bashkimi Evropian dhe asaj ndërkombëtare, Serbia dhe Kosova kanë arritur përparim shumë të kufizuar. Së shpejti do të ketë një takim të ri të kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen shumë keq që kjo marrëveshje, e cila ishte shumë e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar. Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion ndaj dy palëve, në mënyrë që të lëvizim përpara”, ka thënë përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell.

    Për mungesën e rezultateve në zbatim, presidentja Vjosa Osmani fajësoi Serbinë.

    “Serbia ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje, e cila qartë i kërkon që të mos shkelë integritetin territorial të Kosovës, që ta njohë subjektivitetin ndërkombëtar dhe parimin e barazisë së palëve, që të mos votojë kundër Kosovës në organizata ndërkombëtare, që të mos përdorë dhunë në relacionet ndërshtetërore”, tha Osmani.

    Duke përmendur refuzimin për propozimin paraprak të sekuencimit, ajo vlerësoi se plani i ri i balancuar do të ishte çelës për zbatim të plotë.

    “Plani i sekuencues i zbatimit të ketë parasysh që si Kosova, si Serbia, t’i zbatojnë në mënyrë paralele, të menjëhershme, obligimet e tyre. E jo që njëra palë t’i ketë të gjitha përfitimet në fillim, e pastaj për Kosovën të mendohet krejt në fund, sepse kjo do të na krijojë edhe një situatë ku Serbia përfiton, kurse Kosovës i thuhet prit edhe pak, jep edhe më shumë, jep edhe më shumë. Kjo nuk është një strategji që ka sjellë më shumë paqe”, tha Osmani.

    Dokumenti i sekuencimit apo renditjes së zbatimit të obligimeve nga marrëveshja bazë dhe shtojca, krahas rregullores së BQK-së, është temë kryesore në takimin e ftuar për të martën, ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.

  • Hidhen barna pa afat në Korroticë, shqetësohen banorët

    Hidhen barna pa afat në Korroticë, shqetësohen banorët

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Barna si këto që do të mund të shërbenin për shërim të pacientëve, janë kthyer në shqetësim për banorët e Korroticës së Drenasit.

    Këta kanë gjetur nja grumbull të tyre, në një pjesë të fshatit, por që nuk e dinë kush dhe kur i ka hedhur.

    Për ta parë gjendjen na afër, erdhën edhe policia me inspektoratin komunal të Drenasit. Këta nuk kanë informata se kush e ka kryer këtë vepër, por thanë se do bëjnë gjithçka çfarë u takon atyre.

    Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për ATV-në, megjithëse të shkurtër, tha se janë duke kryer inspektime deri në asgjësimin e tyre.

    “Sipas informatave, Inspektorati Farmaceutik me të marrë informatën ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është në proces të inspektimit, ku ky inspektim do të vazhdojë deri në krijimin e kushteve për asgjësimin e atyre produkteve të hedhura në atë vend”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

    Prona ku janë gjuajtur thonë se është private dhe se komuna disa herë kishte intervenuar në pastrimin e asaj zone.

  • Alarmi i dytë për bombë në Aeroportin e Bazelit, panik në mesin e udhëtarëve

    Alarmi i dytë për bombë në Aeroportin e Bazelit, panik në mesin e udhëtarëve

    Një shikues i ATV-së ka dërguar video nga Aeroporti i Bazelit në Zvicër, ku për shkak të alarmit për bombë, shihen të gjithë udhëtarët të cilët janë të detyruar të dalin nga hapësira e brendshme e aeroportit, gjë që ka bërë që të gjitha aderimet dhe ngritjet e aeroplanëve të kenë vonesa.

    Alarmi për bombë në të njëjtin aeroport ishte dhënë edhe gjatë ditës së djeshme ku më pas doli të jete i rrejshëm. /atvlive.tv

  • Votimet për shkarkim të kryetarëve në veri do të mbahen në shkolla

    Votimet për shkarkim të kryetarëve në veri do të mbahen në shkolla

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Votimet për kryetarë të katër komunave veriore në prill të vitit të kaluar, u bënë në objekte të improvizuara.

    Serbët përveç që bojkotuan pjesëmarrjen, bllokuan edhe objektet shkollore që të mos përdoreshin për këtë proces.

    Por, jo edhe tash kur pritet të votohet për shkarkimin e kryetarëve, meqë votimi do të organizohet pikërisht në objekte shkollore.

    Janë gjithsej 44 qendra ku qytetarët do mund të votojnë pro, apo kundër shkarkimit nga pozita të Lulzim Hetemit, Izmir Zeqirit, Ilir Pecit dhe Erden Atiqit.

    18 nga to do të jenë në Leposaviq, 12 Zubin-Potok dhe nga 7 në Zveçan e Mitrovicë të Veriut.

    Në mbledhjen e së hënës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi edhe për komisionet komunale zgjedhore.

    Qytetarët që kanë paqartësi sa i përket votimit, do mund të kërkojnë ndihmë nga KQZ-ja përmes telefonit.

    Të drejtë vote për ta kryer këtë proces në katër komunat veriore, kanë gjithsej 46.248 qytetarë.

    Varësisht nga numri i votuesve në një komunë, nevojitet që pro shkarkimit të kryetarit të votojnë 50 për qind plus një, në mënyrë që nisma të ketë sukses.

    Votimi do të mbahet më 21 prill.

  • Për rastin që ndodhi në 2012-n, Dardan Krivaqa deklarohet i pafajshëm

    Për rastin që ndodhi në 2012-n, Dardan Krivaqa deklarohet i pafajshëm

    Përgatiti: Nora Luta

    I dënuar me burgim të përjetshëm nga shkalla e parë për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa të hënën u soll në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

    Këtë herë nën akuzat për një vepër penale që e kreu në dhjetor të 2012-s, kur Marigona ishte vetëm 9 vjeçare.

    Gati dhjetë vjet nga ngritja e aktakuzës më 9 dhjetor të 2014-s, rasti në të cilin akuzohen për një grabitje në kazinon “Kajot”, edhe Anton Beluli e Arbnor Lika, nuk ka marrë një epilog.

    Në seancën e së hënës procesi gjyqësor nisi nga fillimi, pasi kryetari i trupit gjykues që e kishte rastin Idriz Ibrahimi u pensionua.

    Tash shqyrtimin do ta drejtojë gjyqtarja Fitore Daci, e cila njoftoi se procedura ndaj Anton Behlulit është veçuar për shkaqe shëndetësore.

    Ndërsa, Dardan Krivaqa, e i akuzuari tjetër Arbnor Lika u deklaruan të pafajshëm.

    Megjithëse, sipas aktakuzës, Krivaqa, i njohur për organet e drejtësisë për shkak edhe të rasteve të tjera, gjatë marrjes në pyetje kishte pranuar rolin e tij si roje në grabitje.

    “Dardan Krivaqa ka deklaruar se ditën kritike, së bashku me Arbnor
    Likën dhe Anton Behlulin kanë shkuar te kazino “Kajot”, në Ferizaj, ku pas marrëveshjes, ai ka bërë roje pranë kazinosë, kurse dy të pandehurit
    tjerë kanë vendosur maskat, kanë shkuar në kazino dhe pas 2 – 3 minutave kanë dalë nga kazino. Pranon faktin se fillimisht ia kishin dhënë 40 €, duke i thënë se nuk kanë marrë me shumë dhe janë shpërndarë, të nesërmen në telefon e ka ftuar Arbor Lika ku janë takuar te kafeneja “Enter”, ku aty kishte qenë edhe Antoni dhe që të dy ia kanë dhënë nga 100 € dhe i thonë që për këtë rast mos fol me askënd”, thuhet në Aktakuzën e Prokurorisë.

    Shqyrtimi kryesor në këtë rast vazhdoi me dëshminë e Sefedin Dernjani, i cili është në vuajtje të dënimit për një tjetër rast, ndërsa do të vazhdojë muajin tjetër, ku pritet të shfaqen pamje nga kamerat e sigurisë në kazino në ditën kur kishte ndodhur grabitja.

    Seanca e fundit në këtë rast ishte mbajtur në korrik të 2022-s, ndërsa gjykata nuk ka treguar se pse ka zgjatur procedura që nga ngritja e aktakuzës në 2014-n, por vetëm ka ofruar datat e seancave të mbajtura.

    Ndërkohë, Dardan Krivaqa u dënua në gusht të 2022-s me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Marigona Osmanit, por Apeli e ktheu në rigjykim në shkurt të këtij viti.

  • Nga 30 qershori, të gjitha faturat dërgohen me zarf

    Nga 30 qershori, të gjitha faturat dërgohen me zarf

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Faturat mund të mbesin për kohë të gjatë në këtë gjendje, nëse konsumatorët nuk gjenden në shtëpi.

    Prandaj edhe mund të bien në duart e të tjerëve, që nuk u përkasin.

    Me këtë rast, mund të merren të dhënat personale të individëve.

    Kjo është arsyeja pse Agjencia për Informim dhe Privatësi u ka kërkuar ndërmarrjeve që faturat t’i fusin në zarf, nga 30 qershori e tutje.

    “Duke pasur parasysh shkeljet e privatësisë e cila njëherazi është vepër penale, ndërmarrjet publike duhet të përgatiten për këtë, iu kemi dhënë afat kohor, dhe pas kësaj date veç duhet të fillohet zbatimi…”, tha komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku.

    Nëse pas datës së caktuar, përsëri ka shkelje, konform ligjit për mbrojtjen e privatësisë, do të pasojnë gjoba.

    “I lusim ndërmarrjet për seriozitet pasi gjobat nuk janë aspak të ulëta, janë nga 20 e deri në 40 mijë euro, nëse përsëritet mund të shkojë edhe në mbyllje të ndërmarrjes”, tha Sogojeva-Dermaku.

    Ndërmarrja “Termokos” thotë se do të bëhet gati tek për sezonin e ardhshëm, meqë kanë mënyrë tjetër të faturimit.

    “Është plotësisht me të drejtë, ne si ndërmarrje me të marrë informatën kemi filluar përgatitjet menjëherë dhe do të bëjmë gjithçka që na kërkohet për mbrojtje të privatësisë, për sezonin e ardhshëm do jemi gati me këtë pasi që mënyra e shpërndarjes sonë dihet”, tha kryeshefi ekzekutiv i NP “Termokos”, Fisnik Gashi.
    Kundërshtime nuk ka as Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

    “Ne jemi të informuar për këtë. Menaxhmenti i KRU ‘Prishtina” është në proces të përgatitjes dhe bisedimeve për të vepruar”, thuhet në njoftimin e Kompanisë Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

    Kërkesa e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, përfshin ndërmarrjet publike qendrore dhe ato lokale.

  • Ministria e Bujqësisë ia ndërpret AAK-së kontratën

    Ministria e Bujqësisë ia ndërpret AAK-së kontratën

    Përgatiti: Armand Hoti

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mundë ta shfrytëzojë këtë objekt edhe për vetëm 180 ditë.

    Pas këtij afati kohor, AAK-ja duhet ta lirojë ndërtesën ku është vendosur selia qendrore e kësaj partie, në lagjen Ulpiana të kryeqytetit.

    Ministria e Bujqësisë, e drejtuar nga Faton Peci, përfundimisht ka vendosur që ta ndërpresë kontratën e qirasë me partinë opozitare, që e shfrytëzon prej vitesh këtë objekt.

    “Andaj, qiradhënësi përkatësisht Ministria përgjegjëse për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural kërkon nga qiramarrësi: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që objektin ta lirojë në afat prej 180 ditësh, nga dita e njoftimit të kësaj shkrese, përkatësisht nga 19 marsi 2024 deri me datën 20 shtator 2024”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Bujqësisë.

    “Me revidimin e kontratës ka qenë edhe mundësi që të rikthejmë rreth 600 metra katrorë dhe meqenëse kemi qenë shumë korrektë dhe gjenerozë, dhe meqenëse ata kanë pasuar me jomirënjohje dhe jokorrektësi në komunikim me Ministrin e Bujqësisë, sot në mëngjes Ministria ka marrë vendim që përfundimisht të shkëputet tërësisht kontrata me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”, tha ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

    Ashtu siç kërkoi Ministria, do të veprojë Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës.

    “Pas kërkesës së palës kontraktuese për shkëputjen e njëanshme të kontratës për shfrytëzimin me qira të hapësirave prej 569 m2, me çmim mujor prej 4552 eurosh në muaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njoftoj opinionin publik se edhe ne si palë kontraktuese konfirmojmë shkëputjen e kontratës nga cilësia e qiramarrësit në afatin e paraparë ligjor”, ka njoftuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Ndërkaq, pasi AAK-ja t’i lëshojë zyrat, sipas ministrit, objekti do të vihet në shërbim të Ministrisë.

    “Varësisht prej dispozitave, edhe siç është e paraparë në një periudhë tranzitore, për një periudhë të shkurtër kohore i gjithë objekti do të jetë në shfrytëzim për Ministrinë e Bujqësisë, për titullarin e institucionit. Edhe mua më vjen keq realisht prej periudhës së pasluftës, objekti i Ministrisë së Bujqësisë nuk është shfrytëzuar nga titullari i institucionit dhe në anën tjetër ne përballemi me një qira shumë të lartë, aktualisht në objektin që e ushtrojmë veprimtarinë tonë”, tha ministri Peci.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka shfrytëzuar këtë objekt për aktivitetet e saj partiake që nga paslufta.

  • Kurti priti në takim Presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons

    Kurti priti në takim Presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, mirëpriti në takim Presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons. Pjesëmarrëse ishte dhe Njomza Emini, Presidente e Komitetit Paralimpik të Kosovës.

    Temat qendrore të takimit ishin anëtarësimi i Komitetit Paralimpik të Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, i cili u arrit në gusht të vitit të kaluar si dhe pjesëmarrja e shtetit tonë në Lojërat Paralimpike, Paris 2024, për herë të parë.

    Gjithashtu u trajtuan dhe mundësitë për zgjerimin e përfshirjes në aktivitete sportive edhe për personat me nevoja të veçanta në Kosovë dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për qasjen e tyre në mekanizma të ndryshme.

    U theksua se mbështetja dhe përkushtimi i Qeverisë për Personat me Aftësi të Kufizuara në përgjithësi, përfshirë dhe fushën e sportit, vijon të mbetet e palëkundur.

    Viti 2022 ishte shpallur edhe vit i Personave me Aftësi të Kufizuara nga Qeveria e Kosovës, ku edhe u organizuan në vazhdën e aktiviteteve të parapara nga të gjitha institucionet, edhe aktivitete sportive e kulturore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.