ATV

Author: ATVLive

  • ​Nisin punimet në stadiumin e Shtimes, synohet të përfundohen brenda një viti

    ​Nisin punimet në stadiumin e Shtimes, synohet të përfundohen brenda një viti

    Punimet për zgjerimin e stadiumit të Shtimes kanë filluar sot, projekt ky i cili po synohet të përfundohet brenda këtij viti.

    Ky projekt, i cili përfshin ndërtimin e zhveshtoreve të reja, tribunave të reja dhe të gjithë infrastrukturës përcjellëse, do të financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

    Zëvendës-ministrja e MKRS-së, Daulina Osmani së bashku me kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu vizituan sot stadiumin e kësaj komune, me rastin e fillimit të punimeve për zgjerimin dhe renovimin e tij.

    Zëvendësministrja Osmani për KosovaPress, tha se qëllimi i kësaj vizite ishte për të parë punën e operatorit ekonomik deri tani, si dhe për sigurimin e mbështetjes nga të dyja nivelet institucionale, respektivisht MKRS-së dhe Komunës së Lipjanit.

    “Sot po fillojnë punimet e zgjerimit dhe renovimit të stadiumit të qytetit të Shtimes, projekt ky i përbashkët me Komunën e Shtimes, i financuar nga ministria në vlerë prej 2.4 milionë euro, ku parashihet, siç edhe po shihet fusha aktualisht ka përjetuar një rinovim në aspekt të barit, mirëpo parashihet zgjerimi me zhveshtoret, me pjesët përcjellëse, me tribunat për tifozët, andaj edhe kemi ardhur me e pa punën e operatorit ekonomik, me i uruar punë të mbarë, edhe për t’u siguruar për mbështetje nga të dyja nivelet, për zhvillimin e këtij projekti në afatet e parapara edhe në kuadër të kontratës që është nënshkruar para pak javësh”, tha Osmani.

    Ndërkaq, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha për KosovaPress, se fillimi i punimeve për renovimin dhe zgjerimin e stadiumit është një ngjarje shumë e rëndësishme, investim ky që kjo komunë nuk e ka përjetuar asnjëherë.

    Kryetari Aliu tha se nga e hëna do të fillohet puna e punimeve me një dinamikë të shpejtuar, pasi që po synohet që ky projekt të finalizohet brenda këtij viti.

    “Është një ngjarje shumë e rëndësishme për Komunën e Shtimes, për sportdashësit në Komunën e Shtimes, por jo vetëm. Po bëhet një investim që Komuna e Shtimes nuk e ka përjetuar asnjëherë, falë mbështetjes nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot jemi këtu bashkë me zëvendës-ministren për të parë koordinimin që do të bëhet mes klubit futbollistik Vjosa, komunës dhe operatorit për të filluar punët pa humbur kohë. Ju e dini që ky projekt tashmë është finalizuar në aspektin e përzgjedhjes së operatorit dhe me sa e kuptuam nga e hëna do të fillojë një punë me një dinamikë të shpejtuar, me synimin që brenda një viti ky projekt të jetë i realizuar dhe të jetë në shërbim të sportdashësve dhe kryesisht të futbollistëve të Komunës së Shtimes, futbollistë që po na bëjnë krenarë me rezultatet që kanë arritur. Jemi kampionë vjeshtor si klub futbollistik Vjosa në Ligën e Parë me pretendimin për të shkuar drejt Superligës. Realisht kushtet iu kanë munguar si klub, por sukseset nuk iu kanë munguar, kështu që unë personalisht bashkë me zëvendësministren dhe me krejt ekipin e komunës por edhe të ministrisë jemi të kënaqur që këtyre sukseseve të klubit po iu shkojmë mbrapa edhe me një infrastrukturë moderne e munguar, por gjithsesi e merituar plotësisht”, tha Aliu.

    Para dy javësh, stadiumi i qytetit në Shtime u bë me bar sintetik, projekt ky i cili u bashkë-financua nga Komuna e Shtimes dhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), dhe që e kap vlerën e 250 mijë eurove. Ndeshjet në këtë stadium i zhvillon skuadra e Vjosës, e cila u shpall kampione vjeshtore në Ligën e Parë të Kosovës, dhe është kandidate serioze për t’u inkuadruar në futbollin elitar, respektivisht në Superligën e Kosovës.

  • Ministri Krasniqi prezanton projektin që do të mbështes komunat me rreth 30 milionë euro

    Ministri Krasniqi prezanton projektin që do të mbështes komunat me rreth 30 milionë euro

    Komitetit drejtues i projektit Demos III, ka zhvilluar takimin e radhës ku është diskutuar për sistemin e menaxhimit të performancës komunale, grantin e performancës, zhvillimin e politikave dhe ngritjen e kapaciteteve.

    Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka shkruar në Facebook se koordinimi me partnerët donatorë, ambasadën e Zvicrës, Norvegjisë dhe zyrën e BE-së në Kosovë, është i rëndësishëm për arsye të proceseve të cilat janë të rëndësishme në mënyrë që sistemi i grantit të performancës, të jetë i bazuar në transparencë, të dhëna të sakta dhe garë të barabartë.

    “Demos III, është projekt i cili do të mbështes komunat në vlerë rreth 30 milionë euro”, ka shkruar ai.

  • ​Zgjerimi, në rend dite në samitin e BE-së

    ​Zgjerimi, në rend dite në samitin e BE-së

    Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian zhvillojnë të enjten dhe premten në Bruksel samitin e radhës, në të cilin, mes shumë temave tjera, do të jetë edhe procesi i zgjerimit.

    Temat kryesore të këtij samiti kanë të bëjnë me vazhdimin e ndihmës Ukrainës që të përballet me agresionin e Rusisë, me situatën në Lindjen e Mesme, me forcimn e kapaciteteve të mbrojtjes së BE-së dhe me përgatitjen e bllokut për zgjerimin e ardhshëm.

    Pritet që gjatë këtij samiti, liderët e BE-së të japin dritën e gjelbër për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, sipas një rekomandimi të bërë nga Komisioni Evropian para dhjetë ditësh. Një vendim i tillë është përfshirë në draftin e konkluzave që do të duhet ta miratojnë liderët në këtë samit, draft të cilin e ka siguruar edhe Radio Evropa e Lirë.

    “Bazuar në rekomandimin e Komisionit Evropian nga 12 marsi i vitit 2024, Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Këshilli Evropian fton që të miratohet korniza negociuese kur të ndërmerren hapat relevantë të caktuar, në rekomandimet e Komisionit nga 12 tetori i vitit 2022”, thuhet në draftin e këtyre konkluzave.

    Sipas këtij formulimi, nëse liderët do të miratonin vendimin, atëherë nisja e negociatave do të varej nga miratimi i kornizës negociuese, pasi Bosnje e Hercegovina të përmbushë kriteret e caktuara. Miratimi i kornizës është i domosdoshëm për të nisur negociatat e anëtarësimit me një shtet kandidat. Këshilli Evropian është niveli më i lartë i BE-së, ai i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare. Ndërsa Këshilli i BE-së është niveli i ministrave dhe nivelet tjera. Sa i përket temave tjera të zgjerimit, në këto konkluza do të përmenden vetëm Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Aty po ashtu përmendet edhe nisja e debatit të brendshëm në BE për reformat në prag të zgjerimit.

    “Këshilli Evropian shqyrtojë përgatitjet për zgjerim dhe reformave të brendshme duke rikujtuar se në të dy binarët duhet të avancohet paralelisht, për të siguruar që edhe vendet e ardhshme anëtare edhe BE-ja të jenë gati me kohë për anëtarësim. Këshilli Evropian do të adresojë reformat e brendshme në takimin e radhës me synimin që të miratojë deri në verën e vitit 2024 konkluzat për udhërrëfyesin për punën në të ardhmen”, thuhet në këtë draft./REL/

  • NATO-ja mirëpret interesimin e Sllovenisë për të dërguar më shumë trupa në Kosovë

    NATO-ja mirëpret interesimin e Sllovenisë për të dërguar më shumë trupa në Kosovë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mirëpritur interesimin e Sllovenisë për të dërguar më shumë trupa në Kosovë.

    Për këtë është diskutuar në një takim që të enjten Stoltenberg e ka zhvilluar me kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob, i cili thuhet se ka shprehur interesim për të dërguar më shumë trupa në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Siç shpjegoi Golob, ende nuk janë përcaktuar plane konkrete në këtë drejtim, por se sipas tij Sllovenia është e interesuar për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, gjegjësisht të Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, ku është e pranishme edhe me ushtarët e saj.

    Në takim Stoltenberg e Golob, përveç për Ballkanin Perëndimor, kanë biseduar edhe për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme.

  • ​BDI: Skandaloze mbështetja ruse në Maqedoninë e Veriut

    ​BDI: Skandaloze mbështetja ruse në Maqedoninë e Veriut

    Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas rezultateve të fundit të zgjedhjeve ruse edhe në territoret jashtë Rusisë, duke theksuar se diktatori Putin, në zgjedhjet ruse të zhvilluara gjithandej, mbështetje më të madhe ka marrë në Maqedoninë e Veriut.

    BDI thekson se sipas Komisionit zgjedhor të Rusisë, 88.1% e qytetarëve të Rusisë që jetojnë në Maqedoni të Veriut, kanë votuar për Putinin.

    “Kjo dëshmon se politika ruse është prezente, nuk ka hequr dorë dhe vazhdon të përpiqet çdo ditë e më shumë të rrezikojë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të rrënojë çdo të arritur të vendit vitet e fundit. Në skenarin rus të Putinit, ka kohë që janë renditur zëshëm parti politike në Maqedoni, ndërsa të njëjtat, së fundmi – po ndihmohen edhe nga opozita shqiptare, e cila për çdo ditë shpif, fyen dhe dezinformon qytetarët se BDI është e keqja e vendit dhe jo VMRO dhe Levica. Bashkimi Demokratik për Integrim nuk dëshiron të besojë se opozita shqiptare me vetëdije i është bashkangjitur skenarëve ruse, por i apelon të reflektojë dhe të bëjë fushatë demokratike dhe evropiane, duke marrë shembull BDI-në dhe Presidentin në ardhje, Bujar Osmani. Gjithashtu, sigurojmë qytetarët se, ashtu siç ndodhi me anëtarësimin në NATO dhe udhëheqjen e suksesshme me Misionin e OSBE-së, Bashkimi Demokratik për Integrim do të jetë çelësi kryesor edhe në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kështu që, ashtu siç konstatojnë të gjitha sondazhet, më 24 prill dhe më 8 maj, opozita shqiptare e koordinuar tashmë me politikat ruse në Maqedoni, do të marrë goditjen e fundit nga qytetarët, shumica e të cilëve i kanë thënë hapur “PO Europës, JO Rusisë”, thuhet në reagim.

  • Vuçiq në takim me Macronin: E njoftova për situatën me Kosovën

    Vuçiq në takim me Macronin: E njoftova për situatën me Kosovën

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se është takuar me presidentin e Francës Emmanuel Macron në samitin e parë global për energjinë bërthamore në Bruksel.

    Ai në një njoftim në Instagram thotë se me të ka folur rreth çështjes së Kosovës.

    Ai tregon se i është ankuar Macronit për siç ka shkruar presionin në rritje ndaj popullit serb.

    “Një takim i përzemërt me Emmanuel Macron, me të cilin shkëmbyem mendime për një sërë çështjesh të rëndësishme, si dhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit ndërmjet Serbisë dhe Francës. E njoftova për zhvillimin e situatës në Kosovë, si dhe për presionin në rritje ndaj popullit serb, i cili është vënë në pozitë jashtëzakonisht të vështirë pas lëvizjeve të fundit të Prishtinës”, thuhet në profilin e Instagramit.

  • Komandanti i KFOR-it në Prizren, viziton ushtarët turq që zbarkuan në Kosovë më 29 shkurt

    Komandanti i KFOR-it në Prizren, viziton ushtarët turq që zbarkuan në Kosovë më 29 shkurt

    Komandanti i KFOR-it, gjenerali Ozkan Ulutas, ka vizituar ushtarët turq të Rezervës Operacionale të cilët janë vendosur në kampin e KFOR-it turk “Sulltan Murat” në Prizren.

    KFOR ka publikuar një video të vizitës së Ulutas në kampin e ushtarëve turq në Prizren.

    Ky kontigjent i ushtarëve turq kishte arritur më 29 shkurt në Kosovë si zëvëndësim i një kontigjenti italian që ishin vendosur në Kosovë më herët si pjesë e Forcës Rezervë.

  • RrGK: Ngacmuesit seksual të largohen nga UP

    RrGK: Ngacmuesit seksual të largohen nga UP

    Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me numrin alarmues të rasteve të ngacmimeve seksuale në institucionet e arsimit, veçanërisht në Universitetin e Prishtinës.

    RrGK ka thënë se raportimi i ngacmimeve seksuale nga 27 studente të fakultetit të mjekësisë shkakton shqetësim të madh për sigurinë dhe integritetin e të gjithë studentëve.

    Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar nga Këshilli Etik që të trajtojë këtë çështje në mënyrë emergjente, duke respektuar rregulloret dhe ligjet në fuqi dhe duke siguruar mbështetje të plotë për viktimat.

    Po ashtu, kanë bërë thirrje edhe në drejtim të rektoratit të Universitetit të ndërmerren masa të menjëhershme për zbardhjen e këtyre rasteve dhe për të krijuar mekanizma të besueshëm për raportimin e ngacmimeve seksuale, dhe që Universitetet duhet të jenë ambiente të sigurta dhe të mbështetjes për studentët, jo vende ku abuzimet tolerohen ose mbulohen.

    RrGK kërkon që ky rast të trajtohet me seriozitet nga institucionet e drejtësisë dhe të arsimit, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e tij dhe dënimin e personit përgjegjës.

    ”Ngacmimi seksual i vajzave dhe grave në shoqërinë tonë mbetet ndër brengat kryesore, për të cilën duhet të ngrisim zërin të gjithë ne, vazhdimisht dhe pa asnjë kompromis. Kurse, reagimi i duhur institucional ndaj këtyre rasteve ndikon në luftimin e tyre dhe krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë gëzojnë një jetë të barabartë dhe pa dhunë me bazë gjinore”.

  • Policia në aksion, gjobit veturat e parkuara në trotuare

    Policia në aksion, gjobit veturat e parkuara në trotuare

    Këmbësorët të cilët qarkullojnë në rrugën “Rrustem Statovci”, në Prishtinë, e kanë pothuajse të pamundur qarkullimin nëpër trotuare, pasi ato janë të zëna nga veturat.

    Zyrtarët policor në mesditën e së enjtes, kanë dal në aksion, për t’i gjobitur veturat të cilat janë parkuar në trotuare të kësaj rruge që gjendet afër parkut të qytetit.

  • Mjekët e QKUK-së kryejnë për herë të parë procedurën e kateterizimit në zemër tek një fëmijë i moshës 14-vjeçare

    Mjekët e QKUK-së kryejnë për herë të parë procedurën e kateterizimit në zemër tek një fëmijë i moshës 14-vjeçare

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se për herë të parë, në Qendrën Klinike Univerisitare të Kosovës, nga stafi i mjekëve të QKUK-së, është kryer procedura e kateterizimit në zemër tek një fëmijë i moshës 14 vjeçare.

    Procedura është kryer nga mjekët e Klinikës së Pediatrisë, në bashkëpunim me ata të Klinikës së Kardiologjisë.

    “Fëmiu L.S. ishte diagnostikuar me hipertension arterial të ngritur dhe është bërë ekzaminimi invaziv hemodinamik, me qëllim të zbulimit të ndonjë ngushtimi të arterieve. Ekzaminimi Invaziv është kryer ne sallën e Hemodinamikës të Klinikës së Kardiologjisë . Ekzaminimi është kryer vetëm nga stafi vendor i mjekëve dhe infermierëve dhe procedura ka kalur pa komplikime”, thuhet në njoftim.

    Fëmiu pas procedurës, është transferuar, në Klinikën e Pediatrisë.