ATV

Author: ATVLive

  • Robinson: Sistemi i drejtësisë të mos ketë ndërhyrje të jashtme

    Robinson: Sistemi i drejtësisë të mos ketë ndërhyrje të jashtme

    Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se në takimet e sotme me gjykatës dhe zyrtarë të institucioneve të drejtësisë, një ndër temat të cilat i biseduan ishte që në sistemin e drejtësisë të mos ketë ndërhyrje të jashtme.

    “Njëra prej çështjeve për të cilën biseduam ishte kjo, ndërhyrjet nga jashtë dhe sulmet e vazhdueshme ndaj sistemit të drejtësisë. Mendojmë se për këtë kanë nevojë për përkrahjen tonë. Ata po bëjnë punë të madhe në shumë aspekte. Ta respektojmë ligjin, të reformojnë institucionet të lehtësojnë jetët e njerëzve dhe ne mendojmë që duhet të përkrahen, kështu mendon edhe bashkësia ndërkombëtare. Aq sa kam kuptuar Policia është në mesin e institucioneve më të besueshme në vend nga qytetarët dhe këtë e duam për gjithë sistemin e drejtësisë dhe për këtë jemi duke punuar”, tha Robinson. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ndihmëssekretarit për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson dhënë për emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Pako me 80 produkte për foshnjat e porsalindura në Kamenicë

    Pako me 80 produkte për foshnjat e porsalindura në Kamenicë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Pamje Kartolina “Kur të rritesh, shpresojmë që ta shikosh këtë kartolinë dhe ta ndjesh se sa i rëndësishëm je për ne”.

    Kjo është dhurata e parë që do ta marrë tash e tutje, një fëmijë i porsalindur në Kamenicë. Për çdo foshnjë, komuna ka vendosur t’i dhurojë edhe nga 80 produkte tjera.

    Pakoja përfshin shtratin e parë, rroba për të gjitha stinët dhe gjëra tjera të nevojshme për fëmijën. Mirëpo, është menduar edhe për nënën.

    Sipas kryetarit të komunës, Kadri Rahimaj, kjo po bëhet që asnjë foshnjë e posalindur të mos ketë mungesë të gjërave elementare.

    “Ideja ka ardhur sepse e shohim që të gjithë fëmijë të kenë një start të barabartë dhe meritojnë të rriten në mënyrë të barabartë brenda familjes dhe shoqërisë. Jemi kujdesur që produktet të jenë shumë cilësore, përmbajnë pambuk organik, përmban pako të kujdesit edhe për nënën. Vetë pako mund të shfrytëzohet si shtrati i parë i bebes, sepse mban 10 kilogram”, tha Rahimaj.

    Edhe pse prindërit janë bërë gati paraprakisht me rroba të vogla, e mirëpresin dhuratën komunale për fëmijët e tyre.

    “Patjetër është një vendim shumë i qëlluar i komunës, sepse është një trajtim i barabarta dhe gjithsesi është një fillim i mirë edhe për fëmijët edhe për prindërit. Kjo po më gëzon shumë e më ndihmon shumë e vlerësoj shumë vendimin që e ka marr komuna”, thotë një qytetare.

    “Më ka pëlqye shumë mua si nëne që jam, kam pa që janë bazat esenciale për një nëne dhe i ndihmojnë shumë në fazën e parë të lindjes”, thotë një qytetare tjetër.

    Përveç kësaj, komuna ndan edhe nga 200 euro për fëmijën e parë, 250 për të dytin si dhe 300 për fëmijën e tretë.

    Ndërkaq, Komuna e ka në plan të bashkëpunojë edhe me organizata ndërkombëtare si UNICEF, për të shtypur fletushka për këshilla prindërore.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Robinson thotë se policët dhe gjykatësit e dorëhequr në veri, duhet të kthehen

    Robinson thotë se policët dhe gjykatësit e dorëhequr në veri, duhet të kthehen

    Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është me rëndësi që policët dhe gjykatësit e dorëhequr në veri, duhet të kthehen në vendet e tyre të punës.

    “Fillimisht mendojmë se është me rëndësi për të gjitha institucionet qofshin ato të drejtësisë, korrektuese apo policia e gjykatat, konsiderojmë që është me rëndësi që ato të jenë të qasshme për të gjithë kosovarët andaj është me rëndësi që ata policë të kthehen. Është me rëndësi që ata gjykatës të kthehen në sistem. Kjo ka rëndësi edhe për shkak të integrimeve euro-atlantike por akoma më e rëndësishme për çdo qytetar që të dinë se janë të përfaqësuar në ato institucione, për të krijuar demokraci më të mirë, më të sigurt, më transparente”, tha Robinson. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ndihmëssekretarit për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson dhënë për emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Robinson: Kosova tashmë ka njësi kundër korrupsionit, përse të mos e fuqizojmë atë?

    Robinson: Kosova tashmë ka njësi kundër korrupsionit, përse të mos e fuqizojmë atë?

    Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se modeli për luftën kundër korrupsionit ka funksionuar në Shqipëri dhe sipas tij, ky model mund të funksionojë edhe në ndonjë vend tjetër.

    Ai tha se Kosova tashmë ka njësi kundër korrupsionit.

    “Çfarë do të thosha është ‘përse të mos e fuqizojmë atë çfarë Kosova tashmë e ndërtoi vet’. Mendojmë se kjo mënyrë funksionon dhe këtu do të mund të ndihmonim shumë dhe mendojmë se duhet përkrahur”, tha Robinson.

    Ai tha se edhe pse SHBA dhe Kosova janë partnere dhe se jo çdo herë do të pajtohen për gjithçka, por sipas tij, ajo çfarë ka rëndësi është që Kosova të vazhdojë të luftojë për atë që është e drejtë.

    “Ne jemi miq, jemi partnerë dhe në mesin e këtyre dyja, jo gjithmonë do të pajtohemi për gjithçka por ajo çfarë ka rëndësi është që të jeni të gatshëm të flisni për këto çështje për shembull lufta kundër korrupsionit dhe duhet pasur marrëveshje në mes të SHBA-së dhe Kosovës por akoma më e rëndësishme në mes të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Andaj derisa të jeni në gjendje të flisni për këto çështje dhe të luftoni për atë çfarë është e drejtë do të arrijmë përparim”, Robinson.

    Ndihmëssekretari amerikan foli edhe për takimet e sotme me gjykatës të Gjykates Kushtetuese, presidenten, anëtarë të KGJK-së, duke thënë se SHBA konsideron që është me rëndësi që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

    “Konsiderojmë se është me rëndësi të përkrahen këto institucione të drejtësisë që duan përfundimisht t’i bëjnë jetët më të lehta e më transparente për kosovarët e zakonshëm dhe për këtë jemi këtu andaj duam të jem partner me ju”, tha Robinson. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ndihmëssekretarit për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson dhënë për emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • 1.8 milion për çizmet e ushtarëve të FSK-së

    1.8 milion për çizmet e ushtarëve të FSK-së

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pas zvarritjeve disavjeçare, procesi i tenderimit për t’i furnizuar me çizme pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, mori epilog. Për tenderin afër dy milionësh, Ministria e Mbrojtjes shpalli fituesin të mërkurën.

    Furnizimi me çizme për ushtarët iu besua grupit të operatorëve ekonomikë, që udhëhiqen nga kompania RUNWAY SH.P.K.

    Por, tenderi mund të përfundojë në Gjykatën Komerciale, meqë disa nga kompanitë pjesëmarrëse nuk pajtohen me vendimin e Autoritetit Kontraktues.

    “Duhet të theksohet se vendimi ka favorizuar një firmë, e cila ka qenë rreth gjysmë milioni më e shtrenjtë se oferta jonë. Përveç kësaj, shume fakte tjera hedhin dyshim të madh mbi integritetin dhe transparencën e procesit të tenderimit dhe në veçanti vendimit të OSHP-së, për të mos e trajtuar në mënyrë të duhur ankesën tonë. Në këtë situatë dhe pas refuzimit të ankesës sonë nga OSHP-ja, ne do t’i drejtohemi Gjykatës Komerciale”, tha Furkan Rada.

    Tenderi për furnizim me çizme ushtarake për pjesëtarët e FSK-së ishte hapur në qershor të vitit 2022. Organi Shqyrtues i Prokurimit e kishte kthyer dy herë në rivlerësim.

    Sidoqoftë, brenda 36 muajve ushtarët pritet të pajisjen me 8500 palë çizme verore dhe 8500 palë çizme dimërore.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Robinson: Po ndihmojmë Kosovën për përfshirje më të lehtë në integrimet euro-atlantike

    Robinson: Po ndihmojmë Kosovën për përfshirje më të lehtë në integrimet euro-atlantike

    Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, në emisionin CONTEXT në ATV, tha që së bashku me partnerët, janë duke punuar që ta ndihmojnë Kosovën të arrijë qëllimin për të përfshirë në integrimet euro-atlantike.

    Ai tha se Byroja për Narkotikë dhe Zbatim të Ligjit është prej programeve më të mëdha të SHBA-së për Kosovën dhe Shqipërinë.

    “Është njëri prej programeve tona më të mëdha dhe mendoj se në të dyja shtetet, posaçërisht në Kosovë jemi duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës me shpresën t’i bëjmë pjesëtarët më efektivë, jemi duke bashkëpunuar me sistemin e drejtësisë. Sot kisha mundësi të jashtëzakonshme që t’u dhuroj pajisje audio-vizuele që do t’i mundësojnë sistemit të burgjeve dhe gjykatave të punojnë bashkë për të krijuar audiencën në gjykata më transparente dhe më efikase por edhe më të sigurt. Jemi duke punuar që të ndihmojmë Kosovën të arrijë qëllimin për t’u përfshirë më lehtë në integrime euro-atlantike dhe jemi me fat që kemi partnerë të jashtëzakonshëm në këtë”, tha Robinson.

    Ai thotë se pas rikthimit në Kosovë dhe Shqipëri pas më shumë se një dekade, tani po i sheh të dy shtetet që kanë avancuar dukshëm.

    “Përshtypja e parë është që shumë gjëra kanë ndryshuar. Disa për të mirë, disa jo edhe aq. Mendoj se përfundimisht po i shohim dy shtete që kanë avancuar dukshëm por kanë edhe synime sepse e duan më të mirën për popujt e tyre dhe ne jemi këtu t’i ndihmojmë të arrijnë aty”, tha Robinson. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ndihmëssekretarit për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson dhënë për emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • SHBA-ja dhuron pajisje audio-vizuele në vlerë prej 6 milionë dollarëve

    SHBA-ja dhuron pajisje audio-vizuele në vlerë prej 6 milionë dollarëve

    Përgatiti: Nora Luta

    Çdo proces gjyqësor që do të zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, tash e tutje do të incizohet. Kjo është mundësuar nga pajisjet audio-vizuele që janë dhuruar nga Byroja për Narkotikë dhe Zbatimit të Ligjit e SHBA-së.

    Për këtë donacion në vlerë prej 6 milionë dollarëve, të mërkurën në sallën e gjykimit në Pallatin e Drejtësisë, u nënshkrua marrëveshja mes Ndihmës Sekretarit Amerikan, Tod Robinson, kryesuesit të KGJK-së dhe drejtorit të Shërbimit Korrektues.

    Sipas tyre, funksionimi i këtyre pajisjeve do të rritë transparencën, e do të lehtësojë qasjen në drejtësi.

    Pajisjet ndër të tjera u tha se do të ndihmojnë edhe për mbajtjen e gjykimeve në distancë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Rrugët e qyteteve, pistë garash e veturave

    Rrugët e qyteteve, pistë garash e veturave

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ani pse është qendër qyteti, rrugë si kjo po përdoren edhe për pistë garash me vetura.

    Njëri prej tyre është edhe Gjilani. Për të zhvilluar këto gara, organizatorëve nuk u mjaftuan dy korsitë e parapara për lëvizje të veturave, ata shfrytëzuan edhe shtegun e lëvizjes për këmbësorë.

    Zëdhënësi i policisë në këtë komunë, Ismet Hashani, thotë se për videon e cila u shpërnda në rrjete sociale, janë duke bërë hetime dhe ende nuk ka ndonjë të dyshuar. Hashani shton se rastet e tilla nuk janë të rralla.

    “Ka arritur në disa raste t’i ndalojë këto gara, madje para 2 muajve janë arrestuar 3 persona pikërisht sepse ka pasur dyshime se kanë qenë të involvuar..”, tha Hashani.

    Ndaj këtij fenomeni kanë reaguar ashpër edhe njohës të komunikacionit.

    Sipas tij, duhet të aplikohet ashpërsim i dënimeve.

    Ligji i ri për Rregullat e Trafikut i ashpërson dënimet për persona që bëjnë gara të tilla. Derisa në të kaluarën gjoba ka qenë 150 euro, me ligjin që do të hyjë në fuqi më 3 prill, për këto gara parashihet gjobë 500 euro. Përveç gjobës, shqiptohen edhe masa shtesë, si ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë muaj, si dhe vendosen pesë pikë negative në patentë-shofer.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, në një garë të tillë në autostradën “Ibrahim Rugova”, humbën jetën edhe 3 të rinj, të cilët ishin duke e shikuar garën.

  • Nënshkrimi mbetet parakusht për formalizimin e marrëveshjes bazë

    Nënshkrimi mbetet parakusht për formalizimin e marrëveshjes bazë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Nënshkrimi mbetet parakusht i Qeverisë së Kosovës për çfarëdo forme të formalizimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.

    Pasi konfirmoi se të martën në Bruksel i janë prezantuar disa opsione për formalizim pa nënshkrim, në një intervistë për ATV-në, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, përmendi një element.

    “Propozimet e z. Lajcak flasin për sesi kjo marrëveshje do të depozitohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe ne pajtohemi me këto propozime, me njërin prej tyre, por në atë moment kur marrëveshja nënshkruhet”, tha Bislimi.

    Ai tregoi se në diskutime është versioni i nëntë i dokumentit të sekuencimit të zbatimit, por shtoi se ai nuk ka kuptim pa formalizimin e marrëveshjes.
    Teksa deklarimet se mund të shkaktohet krizë humanitare te komuniteti serb nga zbatimi i rregullores së BQK-së i quajti propagandë, Bislimi tregoi se për çfarë janë propozimet që palët duhet t’i paraqesin të premten.

    “Ajo që do të dorëzojmë nesër nuk janë propozime për rregulloren, por janë ide se si transferi i mbështetjes financiare të Serbisë drejt qytetarëve të komunitetit serb, është i mundshëm brenda kësaj rregulloreje”, tha Bislimi.

    Referuar takimit të paralajmëruar për të hënën, ai theksoi se nëse shteti fqinj ka vullnet çështja mund zgjidhet shpejt.

    Në intervistën, e cila transmetohet e plotë në emisionin Context, kryenegociatori flet edhe për pengesat që Serbia po bën në raport me të zhdukurit, linjat e interkonjeksionit, borxhin që, sipas tij, BE-ja duhet t’ia paguajë Kosovës për rrymën në veri, artefaktet e vjedhura dhe interferimet në frekuencat e telekomunikimit.

  • Osmani kërkon mbështetjen e SHBA-së për anëtarësim në Interpol

    Osmani kërkon mbështetjen e SHBA-së për anëtarësim në Interpol

    Përgatiti: Armand Hoti

    Presidenca hapi dyert të enjten për një tjetër zyrtar të lart të Administratës amerikane.

    Këtë herë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me Ndihmës-sekretarin amerikan të Byrosë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit, Tod D. Robinson.

    Pas takimit njëorësh me dyer të mbyllura, e para e shtetit, përmendi nevojën e mbështetjes amerikane për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL.

    “Në takim Ndihmës-sekretarin e informova për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, anëtarësim i cili do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky anëtarësim do të ndikonte thelbësisht në rritjen e kapaciteteve tona, duke përmirësuar përgjigjen tonë institucionale ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të garantimit të sigurisë publike të të gjithë qytetarëve tonë pa dallim”, tha Osmani.

    Osmani shprehu mirënjohje për asistencën e vazhdueshme që byroja që udhëhiqet nga Ndihmës-sekretari Robinson, ka ofruar për rritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë së Kosovës.

    “Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona e kanë pikërisht vulën e Byros që udhëheq Ndihmës-sekretari Robinson, duke përfshirë edhe vetë themelimin e Policisë së Kosovës, e cila sot gëzon besimin e mbi 95% të qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.

    Ndërkaq, Ndihmës-sekretari Robinson, garantoi mbështetjen amerikane për sigurinë e kosovarëve.

    “Fakti që jam këtu për të treguar mbështetjen tonë për atë që po bëni ju, për atë që policia po punon, për shërbimet e sigurisë, për qytetarët e rëndomtë kosovarë. Porosia ime do të ishte që SHBA-ja është këtu për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja, për të ndërtuar institute jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit, të drejtësisë. Po punojmë për një Kosovë më të mirë dhe për një Kosovë më të fortë dhe transparente në të ardhmen”, tha Robinson.

    Paraprakisht, zyrtari i lartë amerikan qëndroi në Tiranë, ku përveç takimeve me udhëheqës të sistemit të drejtësisë, u takua edhe me kryeministrin Edi Rama dhe me ministra të kabinetit qeveritar, gjë të cilën nuk e bëri në Kosovë, pasi këtu nuk takoi askënd nga ekzekutivi.