ATV

Author: ATVLive

  • Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së

    Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së

    Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) është i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara.

    Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi u takua në Prishtinë me ndihmës sekretarin amerikan të Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.

    Sipas saj, anëtarësimi në INTERPOL do të rriste kapacitetet e Kosovës në mënyrë që institucionet të përmirësonin përgjigjen “ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të sigurisë publike për secilin qytetarë të Republikës sonë, pa dallim”.

    “Të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale transnacionale. Është dëshirë dhe vullnet i përbashkët i Kosovës dhe i SHBA-së që ata t’i luftojmë deri në fund dhe pa kompromis”, tha Osmani.

    Kosova ka nisur përpjekjet që të anëtarësohet në INTERPOL që nga viti 2010. Por, atëbotë kërkesa e saj nuk ishte marrë parasysh nga Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate. Më 2015 dhe 2016, Kosova s’arriti të futej në agjendën e Asamblesë së Përgjitshme të INTERPOL-it, ndërkaq në vitet pasuese Prishtina nuk ka tentuar që të anëtarësohet për shkak të mungesës së mbështetjes së mjaftueshme.

    Osmani falënderoi Byronë amerikane të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të ligjit për mbështetjen dhe tha se ky institucion ka ndihmuar në themelimin e shumë institucioneve në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Forenzikës.

    “Mbështetja e SHBA-së për Kosovën ka qenë prezent në çdo sektorë në çdo hap të shtetndërtimit”, tha Osmani.

    Ndërkaq, ndihmëssekretari Robinson tha se SHBA-ja mbështet Kosovën që të përmirësojë strukturat e saj gjyqësore dhe të sigurisë.

    “Fakti që jam këtu është për të treguar mbështetjen për atë që po bëni ju, për atë që po bën policia juaj, atë që po bëjnë shërbimet tuaja të sigurisë për qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Mesazhi im për ta dhe për të gjithë ju është se SHBA-ja është këtu për të mbështetur përpjekjet tuaja për strukturat jetike të sigurisë dhe gjyqësorit. Ne po punojmë për një Kosovë më të mirë sot, por po ashtu po punojmë për një Kosovë më transparente, më të fortë dhe më të sigurt nesër për qytetarët e Kosovës”, tha ai, duke shtuar se gjatë vizitës do të takohet me zyrtarë nga Qeveria dhe nga sektori i drejtësisë.

    Megjithatë, një takim me mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ndihmës sekretarit Robinson nuk është paralajmëruar nga ekzekutivi kosovar. Por, zyrtari amerikan pritet të takohet me zyrtarë të gjyqësorit.

    Raportet mes Qeverisë Kurti dhe Qeverisë amerikane janë tendosur për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar që dinari serb të përdoret për pagesa në Kosovë.

    SHBA-ja po i kërkon Kosovës që të pezullojë zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh euron valutën e vetme për kryerjen e pagesave. Por, Qeveria Kurti nuk ka dhënë sinjale se do të tërhiqet nga ky vendim.

    Ditë më parë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë u pyet nëse Uashingtoni do të vendosë ndonjë masë ndaj Kosovës për shkak të shpërfilljes së kërkesës amerikane.

    “Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane”, tha ai.

    Në fillim të marsit, Kosovën e vizitoi Erin Elizabeth McKee, ndihmës administratorja në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID-it. Ajo, u takua me presidenten Osmani, por jo edhe me Kurtin.

    Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e SHBA-së (USAID) kontribuon në zhvillimin e shumë sektorëve në Kosovë.

    Vetëm në shtator të 2023-tës, USAID-i ka ndarë një grant prej 35 milionë eurosh për Kosovën, për ta ndihmuar në fushën e integrimeve.

  • Delegacioni i Forcave të Armatosura shqiptare viziton Komandën e Forcave Tokësore të FSK-së

    Delegacioni i Forcave të Armatosura shqiptare viziton Komandën e Forcave Tokësore të FSK-së

    Një delegacion i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, i kryesuar nga Gjeneralmajor Ilir Xhebexhia, e ka vizituar Komandën e Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Delegacioni u prit nga Hysen Dreshaj, nga komandant i KFT-së së FSK-së.

    Gjatë këtij takimi, Dreshaj e njoftoi Xhebexhian me të arriturat dhe sfidat e KFT-së, ngritjen e kapaciteteve luftarake.

    “Me këtë raste të dy gjeneralët me shtabet e tyre diskutuan për mundësit e bashkëpunimit në mes të dy forcave me fokus trajnimet dhe stërvitjet e përbashkëta”, thuhet në njoftim.

    “Gjeneralët shprehën gatishmërinë e tyre për një bashkëpunim në fusha të interesit të përbashkët, në ngritjen e kapaciteteve dhe kontributin e tyre në të mirë të të dyja vendeve dhe interesit të përgjithshëm në të mirë të paqes në rajon dhe më gjerë”.

  • ​Octopus: Qasja e Vuçiqit kërcënon paqen në Ballkan dhe sfidon rendin evropian e global

    ​Octopus: Qasja e Vuçiqit kërcënon paqen në Ballkan dhe sfidon rendin evropian e global

    Institutit Octopus nëpërmjet një deklarate ka reaguar lidhur me retorikën e kohëve të fundit nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se duke kërcënuar Kosovën dhe duke sfiduar në mënyrë implicite Evropën për të zgjedhur midis Serbisë dhe Kosovës, shënojnë një devijim shqetësues drejt destabilitetit në rajonin e Ballkanit.

    Instituti Octopus denoncon fuqishëm këto komente, jo vetëm si një kërcënim për paqen rajonale, por si një përafrim me një qëndrim gjeopolitik që kumbon jehonat e së kaluarës, duke minuar parimet e unitetit evropian dhe vlerat universale të harmonisë dhe bashkëjetesës.

    “Retorika e Presidentit Vuçiq është një manifestim i një politike revizioniste që synon ta kthejë rajonin e Ballkanit në një epokë të kaluar të karakterizuar nga nacionalizmi i rritur dhe tensioni gjeopolitik. Një gjuhë e tillë jo vetëm që ringjall kujtimet e viteve 1990, një dekadë e përgjakur nga konfliktet dhe ndarjet, por gjithashtu qëndron në kundërshtim të ashpër me idealet e projektit evropian dhe ndjekjen universale të paqes dhe sigurisë. Duke thirrur spektrin e konfliktit dhe duke sugjeruar “mjete të tjera” nëse Evropa nuk pranon qëndrimin e Serbisë, kjo qasje jo vetëm që provokon konflikt, por përjetëson një cikël tensionesh dhe armiqësie që rajoni, dhe në të vërtetë bota, nuk mund ta përballojë. Për më tepër, ky qëndrim përputhet ngushtë me interesat strategjike dhe retorikën politike të Rusisë, duke sinjalizuar një bosht të mundshëm bashkëpunimi që mund të destabilizojë më tej rajonin dhe të sfidojë parimet e integritetit demokratik, sovranitetit dhe të drejtës ndërkombëtare. Kjo qasje jo vetëm që kërcënon ekuilibrin delikat të paqes në Ballkan, por gjithashtu sfidon rendin më të gjerë evropian dhe global, duke minuar përpjekjet për të promovuar stabilitetin, paqen dhe bashkëpunimin në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur. Instituti Octopus i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të njohë peshën e këtyre deklaratave dhe politikën revizioniste që ato përfaqësojnë. Është e domosdoshme që të qëndrojmë të bashkuar në dënimin e retorikës që kërkon të përçajë dhe destabilizojë, dhe në vend të kësaj të riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj një bote të qeverisur nga parimet e paqes, respektit për sovranitetin e Reoublikës së Kosovës dhe ndjekjes kolektive të prosperitetit. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara në rajon dhe komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi të angazhohen në dialog, diplomaci dhe bashkëpunim për të siguruar që kapitujt e errët të së kaluarës të mos përcaktojnë të ardhmen tonë”, thuhet në deklaratën e institutit.

    Sipas Octopus, në këto kohë sfiduese, është më e rëndësishme se kurrë të ruajmë vlerat që na lidhin së bashku si një komunitet global: respektimi i normave ndërkombëtare, përkushtimi ndaj paqes dhe një përkushtim i palëkundur ndaj parimeve të drejtësisë dhe bashkëpunimit.

  • Robinson: SHBA është këtu për t’ju mbështetur, po punojmë për një Kosovë më transparente

    Robinson: SHBA është këtu për t’ju mbështetur, po punojmë për një Kosovë më transparente

    Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, tha se SHBA është në Kosovë për të ndihmuar e mbështetur, raporton EO.

    Në një konferencë të përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, Robinson tha se shteti i tij po punon për një Kosovë më transparente.

    “Fakti që jam këtu për të treguar mbështetjen tonë për atë që po bëni ju, për atë që policia po punon, për shërbimet e sigurisë, për qytetarët e rëndomtë kosovarë. Porosia ime do të ishte që SHBA janë këtu për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar institute jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit, të drejtësisë. Po punojmë për një Kosovë më të mirë dhe për një Kosovë më të fortë dhe transparente në të ardhmen. S’është hera e parë që jam në rajon, kam punuar edhe në rajon më herët. Po më duket sikur jam kthyer në shtëpi dhe mirëpres mundësinë për të parë edhe më shumë nga vendi juaj”.

    Ai tha se do të vazhdojë të takojë edhe “kolegët nga Qeveria dhe gjyqësori”.

    Robinson tha se në takim me Osmanin foli për çështje të rëndësishme “për të cilat kemi diskutuar që një kohë të gjatë”.

  • Ministria e Bujqësisë shënon Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve, demonstrohen teknologji inovative që i posedon APK-ja

    Ministria e Bujqësisë shënon Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve, demonstrohen teknologji inovative që i posedon APK-ja

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), në bashkëpunim me FAO-n, kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve, në Parkun e Blinajës me temën “Pyjet dhe Inovacioni: Zgjidhje e re për një botë më të mirë”, raporton EO.

    Me këtë rast, në prezencë të ministrit Faton Peci, u bë prezantimi dhe demonstrimi i teknologjisë inovative që posedon Agjencioni i Pyjeve të Kosovës, në planifikimin dhe monitorimin e shfrytëzimit të pyjeve, analiza dhe vlerësimin e sipërfaqeve të caktuara pyjore dhe aktivitetet e përditshme në sektorin e pylltarisë.

    Demonstrimi praktik përfshiu përdorimin e dronëve, GPS si dhe kamerave kurth.

  • Osmani: Mbështetja e SHBA-së ka qenë prezente në çdo hap të shtetndërtimit tonë

    Osmani: Mbështetja e SHBA-së ka qenë prezente në çdo hap të shtetndërtimit tonë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë prezentë në çdo hap të shtetndërtimit të Kosovës. Për këtë, ajo pati edhe falënderime, raporton EO.

    Në konferencën e përbashkët me Ndihmëssekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA, Todd D. Robinson, e para e konsideron si të rëndësishme anëtarësimin e Kosovës në organizatën Ndërkombëtare e Policisë Kriminale INTERPOL.

    “Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Byrosë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA. Mbështetja e SHBA-së ka qenë prezentë në çdo sektor dhe çdo hap të shtetndërtimit tonë. Ndihmësi sekretari ka qenë ndër njerëzit që ka dhënë këtë kontribut për gjatë viteve. Siç e dini Kosova u detyrua që të fillonte nga zero me ju dhe ndihmën tuaj kemi arritur të sjellin programe të cilat kanë qenë vendimtare në projektet tona të përbashkëta në luftën kundër narkotikeve, krimit të organizuar dhe forcim të ligjit. Këto suksese janë dëshmi e bashkëpunimit më partnerë. Disa nga arritjet e kanë vulën e Byrosë që udhësh ndihmës sekretari duke përfshirë edhe themelimin e Policisë së Kosovës, po ashtu edhe Agjencisë Kosovarë të Forenzikës, Inspektoratit të Policisë…”, ka thënë ajo.

  • SHBA teston raketa hipersonike në Paqësor pasi synon të vazhdojë me të njëjtin ritëm si Kina dhe Rusia

    SHBA teston raketa hipersonike në Paqësor pasi synon të vazhdojë me të njëjtin ritëm si Kina dhe Rusia

    Forcat Ajrore të SHBA-së kanë testuar për herë të parë një raketë lundrimi hipersonike në Paqësor, në atë që analistët thonë se është një sinjal për Kinën se Uashingtoni ende konkurron në një arenë armësh ku shumë e perceptojnë Pekinin të ketë një avantazh të veçantë.

    Më 17 mars, një bombardues B-52 që fluturonte nga baza e Forcave Ajrore Andersen në ishullin Guam gjuajti “një raketë të plotë prototip operacional hipersonik”, konfirmoi një zëdhënës i Forcave Ajrore në një deklaratë për CNN.

    Testi i armës hipersonike, i quajtur zyrtarisht Arma e Reagimit të Shpejtë me lëshim ajror (ARRW), u krye në vendin e provës së Reagan në Kwajalein Atoll në Ishujt Marshall, pothuajse 1,600 milje (2,600 kilometra) në lindje të Guamit, thuhet në deklaratë.

    Testet e mëparshme ARRW janë kryer jashtë territorit të SHBA.

    ARRW përbëhet nga një motor përforcues rakete dhe një mjet rrëshqitës hipersonik, i cili mban një kokë luftarake konvencionale.

    Ai ka “synim të sulmojë objektiva me vlerë të lartë, të ndjeshme ndaj kohës dhe me bazë tokësore”, thotë një dokument i Departamentit të Mbrojtjes të vitit 2021.

    Automjetet me rrëshqitje hipersonike udhëtojnë me shpejtësi më të mëdha se 5 Mach, ose afërsisht 4000 milje në orë, duke i bërë ato të vështira për t’u zbuluar dhe përgjuar në kohë. Ato gjithashtu mund të manovrojnë dhe ndryshojnë lartësinë, duke i lejuar ata të shmangin sistemet aktuale të mbrojtjes raketore.

    Zyrtarët amerikanë kanë pranuar më parë se Kina dhe Rusia kanë ecur përpara në zhvillimin e hipersonikëve.

    Kina ka testuar automjete me rrëshqitje hipersonike që mund të mbajnë si koka bërthamore ashtu edhe ato konvencionale që nga viti 2014, sipas Aleancës së Avokimit të Mbrojtjes së Raketave, një grup lobues jopartiak.

    Një gjeneral i Forcave Ajrore të SHBA-së tha në vitin 2021 se Kina kishte testuar një armë me rrëshqitje hipersonike që “shëtiti nëpër botë”, ndërsa Rusia gjuajti një raketë lundrimi hipersonike Zircon kundër Ukrainës në fillim të këtij viti, sipas një agjencie qeveritare ukrainase.

  • Zelensky për sulmin raketor rus: Ukraina ka nevojë për sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore

    Zelensky për sulmin raketor rus: Ukraina ka nevojë për sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pas një sulmi të ri raketor rus në Kiev ka thënë se Ukraina ka nevojë për sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore.

    Këtë e ka thënë kreu i shtetit në faqen e tij në Facebook, transmeton Ukrinform.

    “Sulm i ri raketor rus në Kiev. Mbi 30 raketa u rrëzuan, duke përfshirë një raketë balistike të lëshuar nga ajri. Kishte njerëzit që u plagosën dhe të gjithë po marrin ndihmën e nevojshme”, tha Zelensky.

    Ai theksoi se Rusia kryen terror të tillë çdo ditë e natë.

    “Është e mundur t’i jepet fund nëpërmjet unitetit global. Kur na ndihmon me sistemet e mbrojtjes ajrore. Terroristët rusë nuk kanë raketa të afta të anashkalojnë Patriot dhe sisteme të tjera kryesore botërore,” tha Zelensky.

    Sipas tij, “kjo mbrojtje kërkohet tani në Ukrainë. Nga Kievi në Kharkiv, Sumy në Kherson dhe Odesa në rajonin e Donetskut. Kjo është plotësisht e mundur nëse partnerët tanë tregojnë vullnet të mjaftueshëm politik.”

    “Ne duhet të dëshmojmë se terrori është gjithmonë humbësi. Ne duhet t’i dëshmojmë Rusisë se ajo do të detyrohet të pranojë jetën normale të lirë në Ukrainë. Ne kemi nevojë për mbështetjen e partnerëve tanë. Dhe unë jam mirënjohës për të gjithë në botë që me të vërtetë ndihmojnë”, tha Zelensky.

    Më 21 mars, njësitë raketore anti-ajrore të Forcave Ajrore të Ukrainës dhe grupet e lëvizshme të zjarrit të Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës kapën dy raketa balistike dhe 29 raketa lundrimi të lëshuara nga forcat armike.

    Raketat erdhën nga veriu dhe drejtimi kryesor i sulmit ishte Kievi. Trembëdhjetë persona u plagosën në kryeqytetin ukrainas./Ukrinform/

  • Pse Izraeli është kaq i vendosur që të nisë ofensivën në Rafah?

    Pse Izraeli është kaq i vendosur që të nisë ofensivën në Rafah?

    Izraeli është i vendosur që të nisë një ofensivë tokësore kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rafah, qytetin më jugor të Rripit të Gazës.

    Ky plan i Izraelit ka ngritur alarmin botëror për shkak se në Rafah janë duke u strehuar qindra mijëra civilë.

    Kryeministri Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli nuk mund të arrijë qëllimin e tij të “fitores së plotë” kundër Hamasit, po hyrë në Rafah.

    Izraeli ka miratuar plane ushtarake për ofensivën e tij. Por, me 1.4 milion palestinezët e strehuar në qytet, aleatët e Izraelit, përfshirë SHBA-në, kanë kërkuar kujdes më të madh për civilët gjatë inkursionit të pritshëm izraelit.

    Shumica e palestinezëve në Rafah janë zhvendosur aty për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të Gazës dhe po jetojnë në kampe me tenda që janë të stërmbushura, në strehimore që udhëhiqen nga Kombet e Bashkuara apo në ndërtesa të tjera.

    Netanyahu po dërgon në Uashington një delegacion për t’i paraqitur administratës amerikane planet e tij.

    Pse Rafahu është kaq i rëndësishëm?
    Që kur Izraeli shpalli luftë në përgjigje të sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izrael më 7 tetor, Netanyahu ka thënë se qëllimi kryesor është shkatërrimi i aftësive të grupit radikal.

    Izraeli ka thënë se Rafahu është bastioni i fundit i madh i Hamasit në Rripin e Gazës, pasi operacionet e tij në pjesë të tjera të enklavës kanë shkatërruar 18 nga 24 batalionet e grupit radikal, sipas ushtrisë. Por, edhe në veri të Gazës, që ishte caku i parë i ofensivës izraelite, Hamasi është rigrupuar në disa zona dhe ka vazhduar të kryejë sulme.

    Izraeli ka thënë se Hamasi ka katër batalione në Rafah dhe duhet të dërgojë forca tokësore për t’i shkatërruar ato. Disa prej anëtarëve të lartë të grupit ekstremist po ashtu mund të jenë duke u fshehur në këtë qytet.

    Pse po kundërshtohet kaq shumë plani i Izraelit?
    SHBA-ja i ka bërë thirrje Izraelit që të mos vazhdojë përpara me operacionin pa një plan “të besueshëm” për evakuimin e civilëve.

    Egjipti, një partner strategjik i Izraelit, ka thënë se çdo lëvizje për të shtyrë palestinezët në Egjipt do të kërcënonte marrëveshjen e paqes me Izraelin. Këtë marrëveshje palët e kanë arritur katër dekada më parë.

    Gjatë një bisede telefonike të zhvilluar këtë javë me Netanyahun, presidenti amerikan, Joe Biden, i tha udhëheqësit izraelit që të mos e kryejë operacionin në Rafah, tha këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan. Ai tha se SHBA-ja po kërkon “një qasje alternative” që nuk do të përfshinte një pushtim tokësor.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili është në vizitën e gjashtë në rajon që kur nisi lufta, përsëriti këto shqetësime gjatë një interviste të dhënë të mërkurën për televizionin Al-Hadath në Arabinë Saudite.

    “Presidenti Biden ka qenë shumë i qartë lidhur me atë që ne nuk mund të mbështesim një operacion të madh tokësor, operacion ushtarak në Rafah”, tha Blinken.

    Kryediplomati amerikan tha se nuk ka ndonjë mënyrë efektive për të zhvendosur 1.4 milion personat që gjenden në qytet në një vend të sigurt dhe ata që do të mbeteshin në qytet “do të ishin në një rrezik të madh”.

    Izraeli duket se s’është afër dërgimit të trupave

    Netanyahu ka thënë se ai po dërgon një delegacion në Uashington “për shkak të respektit” që ka për Bidenin. Por, në një deklaratë të mërkurën ai tha se i ka thënë Bidenit se Izraeli “nuk mund të kompletoj fitoren” pa hyrë në Rafah.

    Pavarësisht bisedimeve të vështira, Izraelit duket se nuk është afër momentit të dërgimit të trupave në Rafah. Kjo mund të jetë e lidhur me përpjekjet që po vazhdojnë për arritjen e një armëpushimi të përkohshëm. Ndërmjetësit nga Katari kanë thënë se këto bisedime do të dëmtoheshin nga një pushtim në Rafah.

    Po ashtu, në këtë drejtim ka edhe shqetësime logjistike.

    Ushtria izraelite ka thënë se planifikon t’i dërgojë civilët në “ishujt humanitarë” në Gazën qendrore para ofensivës së planifikuar. Netanyahu deklaroi të mërkurën se planet për evakuim nuk janë miratuar ende.

    Gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, grupi radikal vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit në Gazë janë vrarë afër 32.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.

  • Serwer: Favorizoni miqtë në Ballkan, Serbia nuk shkëputet nga Rusia

    Serwer: Favorizoni miqtë në Ballkan, Serbia nuk shkëputet nga Rusia

    Profesori i njohur nga Shtetete Bashkuara të Amerikës Daniel Serwer, ka reaguar pas deklarimit të ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili ka thënë se aktualisht Serbia është më afër NATO-s se Kosova.

    Serwer ka bërë thirrje për një qasje më të qartë nga ShBA në mbështetje të aleatëve të saj në Ballkan, në kontekstin e një lidhjeje të pandryshuar të Serbisë me Rusinë.

    “Ambasadori amerikan vlerëson bashkëpunimin ndërmjet ShBA-së dhe forcave serbe, edhe pse presidenti serb ka deklaruar qartazi ambiciet e tij për aneksimin e mundshëm të Kosovës. Si mund të rekoncilohen këto qëndrime? Nuk është e ndërlikuar. Serbia e shfrytëzon bashkëpunimin për të përfituar nga stërvitjet dhe të mësuarit e inteligjencës, që më pas mund t’i përdorë kundër interesave të NATO-s në rajon, dhe me siguri ia raporton gjetjet Moskës”, tha ai.

    Njohësi i menaxhimit të konflikteve pohoi se Shtetet e Bashkuara duhet të rishikojnë qasjen e saj ndaj Serbisë dhe të sfidojë aspiratat e saj, si dhe të atyre ruse, për ekspansion etno-territorial.

    “Është koha të ndalemi nga mbështetja e Beogradit që ka treguar vazhdimisht se është i lidhur me Rusinë. Vuçiq ka treguar që nuk do të hezitojë të vepron kundër Kosovës në momentin që i përshtatet”, thekson Serwer.

    Profesori amerikan sugjeroi disa hapa konkret që SHBA-ja duhet të marrë, duke filluar nga theksimi i nevojës për drejtësi në rastin e incidenteve të sponsorizuara nga Beogradi në territorin e Kosovës, mbështetja e Prishtinës në objektivat e saj ndërkombëtare, dhe një qëndrim i fortë kundër manipulimeve të mundshme në zgjedhjet serbe.