ATV

Author: ATVLive

  • Kompensimi për faturat e fryra për veriun, nga qershori 2024 deri në shkurt 2030

    Kompensimi për faturat e fryra për veriun, nga qershori 2024 deri në shkurt 2030

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Konsumatorët e dëmtuar nga faturat e fryra të energjisë elektrike në periudhën Shkurt 2012 – Tetor 2017, si mbulesë për veriun, do të kompensohen çdo muaj, në shpërndarje të njëjtë kohore, nga Qershori 2024 deri në Shkurt të vitit 2030.

    Në zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Zyra e Rregullatorit për Energji vendosi që shërbimet e shpërndarjes së energjisë elektrike, përkatësisht KEDS, të kryejë kompensimin në vlerë totale 40.8 milionë euro.

    Përfitues nga ky vendim do të jenë vetëm konsumatorët që, sipas data-bazës, vërtetohet se janë dëmtuar gjatë periudhës në fjalë.

    “OBLIGOHEN – Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS), që kompensimi konsumatorëve sipas dispozitivit nën pikën ll të këtij Vendimi, të bëhet duke zbritur faturat në baza mujore në vlerën përkatëse, për periudhën nga 01 qershor 2024 – 28 shkurt 2030”, thuhet në vendimin e ZRRE-së.

    Në bashkëpunim me furnizuesin e licencuar, KEDS-i është i obliguar që, në faturë, të evidentojë vlerën e kompensimit ndaras nga shpenzimet e rregullta mujore.

    Ndonëse në periudhën Shkurt 2012 – Tetor 2017, për disa muaj, shpërndarës kanë qenë edhe KEK-u dhe KOSTT-i, vendimi i Gjykatës obligon KEDS-in të kryejë kompensimin si operator i licencuar i shpërndarjes më 2013, pas privatizimit të këtij shërbimi.

    Konsumatorët nga 34 komunat, për pesë vjet e tetë muaj, u përballën me fatura të fryra për të mbuluar humbjet, si pasojë e mospagesës së energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

  • Në komunat verore nuk nis regjistrimi i popullsisë

    Në komunat verore nuk nis regjistrimi i popullsisë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Të premten kur planifikohej të niste regjistrimi popullsisë, rrugëve të Mitrovicës së Veriut gjëkundi nuk u panë zyrtarët që janë angazhuar që ta kryejnë këtë proces.

    Regjistruesit nga komuniteti serb u tërhoqën në momentet e fundit, ngjashëm siç ndodhi edhe në Zubin-Potok e Zveçan, andaj trajnimi i zëvendësuesve, do ta zvarrisë procesin të paktën për disa ditë.

    “Kemi pasur regjistrues mjaftueshëm, por disa janë tërhequr për shkak të trysnisë. Kemi gjetur prapë regjistrues. Të hënën do të fillojë trajnimi dhe besoj se do jenë të gatshëm”, tha drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave, Avni Kastrati.

    Për shkak të tërheqjes së zyrtarëve regjistrues, qytetarëve iu pamundësua edhe informimi.

    Sidoqoftë, drejtori i Agjencisë së Statistikave bëri thirrje për pjesëmarrje, sepse s’do kenë mundësi të dytë siç kishin kërkuar pas bojkotit të vitit 2011.
    “Në vitin 2011 ata refuzuan, por 3 vite më pas i kërkuan BE-së që të regjistrohen. Ne nuk pranuam. Andaj iu bëj thirrje tash që të regjistrohen”, tha Kastrati.

    Mirëpo, pavarësisht zëvendësimit të zyrtarëve dhe thirrjes së kryeshefit të ASK-së, sipas shoqërisë civile, në komunat në veri do të ketë vështirësi të realizohet ky proces.

    “Për procesin e regjistrimit nuk kishte kampanjë njoftuese. Vlerësoj se pak nga qytetarët dinë për këtë proces – kur fillon e kur përfundon. Këtu nuk kishte po ashtu ndonjë sinjal nga Beogradi zyrtar nëse e mbështet regjistrimin apo jo. Krahas kësaj, në ditët e fundit Lista Serbe bëri thirrje për bojkot”, tha Aleksandar Sljuka, anëtar i Shoqërisë Civile.

    Në mëngjesin e së premtes, Lista Serbe u bëri thirrje qytetarëve të komunitetit serb që ta bojkotojnë procesin e regjistrimit.

    Në vitin 2011, qytetarët serbë me kërkesë të Beogradit kishin bojkotuar procesin e regjistrimit të popullsisë.

  • Një depo e pajisjeve mjekësore bëhet shkrumb e hi

    Një depo e pajisjeve mjekësore bëhet shkrumb e hi

    Përgatiti: Sara Shehu

    Një depo e pajisjeve mjekësore, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, është përfshirë nga zjarri në mëngjesin e së premtes.

    Depoja e cila është e ndarë në tri objekte dhe sipas të dhënave të para besohet se zjarri ka shpërthyer në objektin që gjendet në mes.

    Për të lokalizuar zjarrin në vendin e ngjarjes arritën edhe zjarrfikësit.

    Por gjasat për ta shpëtuar objektin, sipas Komandantit të Brigadës së zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ishin të vogla. Madje, ai shprehu shqetësimin, se si kompanitë e mëdha nuk kanë masa mbrojtëse kundër zjarrit.

    Nga ky incident, nuk është lënduar askush, por dëmet materiale vlerësohet të jenë të mëdha.

    Shkaktarët e incidentit të zjarrit ende nuk dihen, ndërkaq hetimet po vazhdojnë.

  • Pak deputetë e ministra në seancën për pyetjet parlamentare

    Pak deputetë e ministra në seancën për pyetjet parlamentare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Rreth 45 minuta u deshën që listës me gjithsej 78 pyetje parlamentare t’i vijë fundi.

    Kaq zgjati seanca e së premtes që ishte paraparë t’u kushtohej vetëm pyetjeve ndaj kabinetit qeveritar.

    Por gati të gjitha mbetën pa përgjigje.

    Disa parashtroheshin, por s’kishte kush të përgjigjej për to.

    Por për shumicën e pyetjeve nuk ishin as vetë deputetët për t’i bërë. Ulëset e tyre gati ishin bosh.

    Ndërkohë, pak nga deputetët që ishin prezentë kritikat i patën për ekzekutivin.

    Por mendim ndryshe për këtë çështje kishte nënkryetarja Saranda Bogujevci.

    Ndërkohë, pyetjet e mbetura do t’i barten një seance tjetër.

  • Pas shumë vonesash, nis procesi i regjistrimit të popullsisë

    Pas shumë vonesash, nis procesi i regjistrimit të popullsisë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Fatmir Sylejmani nga kryeqyteti ishte nga të parët që iu nënshtrua procesit të detyrueshëm të regjistrimit të popullsisë, që filloi të premten e 5 Prillit.

    Përveç rasteve si ky, ku filmimi u bë me pëlqim të qytetarit, procesi do të jetë konfidencial e privat.

    Në ditët e para regjistruesit kryesisht do të angazhohen në informim, para se të vijojnë me mbledhjen e të dhënave.

    Përkundër raportimeve për pengesa e vonesa në disa komuna, kryeshefi i Agjencisë së Statistikave këmbënguli që gjithçka është gati.

    Krahas thirrjes për regjistrim, ai shpjegoi natyrën e pyetësorëve.

    “Merren disa të dhëna demografike për individët, pastaj ka fushën për nivelin e edukimit, shkollimit, çështjet sociale, ekonomike. Pastaj, ka disa pyetje për shëndetin, që është shumë e rëndësishme për institucionet. Ndërsa, për ekonomitë familjare merret përbërja, struktura e ekonomisë familjare, hapësira në të cilën jetojnë. Ndërsa, për banesa dhe shtëpi ka disa pyetje, prapë është një pyetësor i veçantë që merren (të dhënat) për vitin e ndërtimit, nëse banesa ose shtëpia ka izolim ka kushte për banim, gjitha këto. Një gamë pyetjesh”, tha kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati.

    Pasi tregoi se gjobat për individët që nuk regjistrohen lëvizin nga 30 deri në 2000 euro, ai sqaroi çështjen e rezidencës.

    “Nëse ai që vjen, ta themi prej Gjakovës apo prej Pejës në Prishtinë, ka një adresë tjetër gjatë regjistrimit në Pejë apo në Gjakovë, ai ajo duhet të regjistrohet në atë lokalitet, vendbanim, ku është rezident pjesën më të madhe të vitit. Që i bie, nëse ju jetoni më shumë se gjashtë muaj në Prishtinë më shumë se gjashtë muaj brenda një viti, duhet të regjistroheni në Prishtinë, sepse merrni shërbime në Prishtinë. Tjetër çka është adresa permanente”, tha Kastrati.

    Krahas aspekteve obliguese ndërkombëtare, sipas ekspertit të ekonomisë Safet Gërxhaliu, planifikimi dhe shërbimet më të mira publike janë prej përfitimeve kryesore të procesit, që ai e vlerëson nga më të rëndësishmit pasluftës.

    “Ne kemi gjithmonë probleme dhe debate të ashpra sa i përket orientimit të buxhetit apo miratimit, apo përgatitjes së pasqyrave financiare për vitin kalendarik paraprak, dhe, në qoftë se do ta kemi një skenim bazuar në këtë regjistrim, me siguri do të ketë ndryshim në qasje, do të ketë përgjegjësi në orientime dhe do të ketë monitorim të projekteve të realizuara që do të jenë në interes të shtetit, në interes të qytetarëve”, tha Gërxhaliu.

    Të dhënat që do të kërkohen për dëmet eventuale nga lufta, do të përdoren nga institucionet përkatëse hulumtuese shtetërore.

    Regjistrimi do të bëhet çdo ditë, pos të hënave. Procesi, në terren, do të zgjasë deri më 17 Maj, ndërsa indikatorët fillestar pritet të prezantohen në Korrik.

  • Pronësia e tokës milionëshe, gjykata e kthen rastin në rishqyrtim

    Pronësia e tokës milionëshe, gjykata e kthen rastin në rishqyrtim

    Përgatiti: Nora Luta

    Me autorizim të Jovica Deniqit, Afrim Islami ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës rreth kësaj prone që ndodhet në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë, e për të cilën ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është i bindur që i takon Institutit Bujqësor.

    Gjykata e kishte aprovuar si të bazuar padinë e Ministrisë së Bujqësisë ndaj Agjencisë Kadastrale, e cila pronësinë ia kishte njohur Jovica Deniqit.

    Në seancën e së premtes, në rishqyrtim palët paraqitën pretendimet e tyre rreth të vërtetës mbi pronësinë.

    Në rishqyrtim u kthye pas ankesës së mbrojtjes së Jovica Deniqit, pretendimet e së cilës nuk i ishin paraqitur gjykatës, kur e kishte marrë vendimin.

    Si prova janë administruar edhe vendimet gjyqësore të viteve 1953, 1954, 1996 dhe 2007.

    Ministria e Bujqësisë pretendon se prona ishte tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme nga qytetari i nacionalitetit serb, Jovica Denic, ish-zyrtar i Institutit Bujqësor i cili nuk jeton më në Kosovë.

  • Edhe takimi i tretë në Bruksel, pa marrëveshje për dinarin

    Edhe takimi i tretë në Bruksel, pa marrëveshje për dinarin

    Përgatiti: Haris Ademi

    As në takimin e tretë në Bruksel, të enjten, Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e dinarit.

    Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq e kanë fajësuar njëri-tjetrin për mungesë të vullnetit për të gjetur zgjidhje. Kurse ndërmjetësuesi nga Bashkimi Evropian, Miroslav Lajcak, tha se janë kapërcyer disa boshllëqe mes propozimeve të të dyja palëve. Ndërsa, do të ketë një takim të katërt, pas rreth dy javësh.

    Këtë herë, BE-ja ka dhënë një propozim të vetin, për të cilin Bislimi tha se është pajtuar vetëm Kosova.

    “Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçak ka nxjerrë një propozim të konsoliduar, për të cilën ne besojmë se është konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje, e cila më së shumti i shkon për shtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së. Pala serbe nuk ka qenë e gatshme të reflektojë këtë propozim dhe ka kërkuar kohë shtesë”, tha Bislimi.

    Kryenegociatori kosovar, madje, e akuzoi atë serb se e luajti rolin e avokatit të Bankës Postare Serbe, duke kërkuar licencimin e saj.

    Në anën tjetër, Petkoviq tha se ishte konstruktiv.

    “Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës”, tha Petkoviq.

    Takimi i ardhshëm në Bruksel, i katërti me radhë për dinarin, sipas Bislimit, do të jetë i fundit për këtë temë, prandaj duhet arritur marrëveshje. Kurse Petkoviq tha se kjo çështje do të zgjidhej, po të ishte themeluar Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

    Meqë, takimet e deritashme kanë rezultuar pa sukses, Lajcak shkroi në X se planifikon t’i vazhdojë diskutimet për rregulloren e Bankës Qendrore, bazuar në idetë e BE-së për kompromis.

  • Kryeministri, vizita të shpeshta të bashkëpartiakëve dhe injorim kryetarëve të “Opozitës”

    Kryeministri, vizita të shpeshta të bashkëpartiakëve dhe injorim kryetarëve të “Opozitës”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në vizitën e bujshme në katër komunat në veri të vendit, kryeministri Albin Kurti takoi vetëm dy kryetarët nga partia e tij.

    Ai nuk tregoi se pse nuk i takoi dy kryetarët tjerë, anëtarë të Partisë Demokratike.

    Derisa bashkëpartikëve u shkuan më shpesh, në tre vjet, në organizime e vizita të ndryshme, jo pak herë pushteti qendror la jashtë e nuk ftoi udhëheqësit lokalë.

    Pasi tregoi se këtë shqetësim e kanë diskutuar në takime me kryetarët, drejtori Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, e vlerësoi të gabuar praktikën që po ndjek Qeveria.

    “Në disa raste, delegacione të ndryshme nga niveli qendror shkojnë në vizita nëpër komuna pa e njoftuar kryetarin e komunës. Dhe, më duhet të theksoj se të gjithë kryetarët e komunave, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre partiake, e kanë vullnetin që të takohen me nivelin qendror, sepse është rast dhe mundësi e mirë për t’ia elaboruar në detaje problemet me të cilat kryetarët e komunave po ballafaqohen”, tha Ibrahimi.

    Krahas ndarjes së hises për investime, në Iniciativën për Progres përmendën rëndësinë e qartësimit të veprimeve, si kryeministër dhe kryetar partie.

    “Një vërejtje nga raporti i progresit, më konkretisht kemi pasur vërejtje si shtet në atë se granti i performancës nuk ndahet në nivelin e duhur, siç e dimë edhe granti i performancës shkon direkt për investime kapitale te komunat. Andaj nuk ka pasur ndarje të barabartë”, tha Qëndrim Ilazi nga Iniciativa për Progres.

    Teksa foli për rëndësinë e vullnetit të dyanshëm për takime, njohësi i qeverisjes lokale Qëndrim Arifi theksoi se nga mungesa e bashkëpunimit vuajnë qytetarët.

    “Historikisht është bërë ky dallim, madje jo vetëm në vizita, por edhe në shpërndarjen e mjeteve dhe investimeve që është shumë më e rëndësishme sesa një vizitë, them kështu, krejt formale. Për fat të keq këtë avaz e ka vazhduar edhe Qeveria Kurti, posaçërisht kjo vërehet me vizitën e djeshme në komunat veriore”, tha Arifi.

    Kryetarë të komunave, anëtarë të partive opozitare në pushtetin qendror, janë ankuar vazhdimisht për shpërfillje dhe ndarje jo të drejtë të buxhetit.

  • Lindja e katërnjakëve, e rrallë në Kosovë

    Lindja e katërnjakëve, e rrallë në Kosovë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Në vitin 1996 u regjistrua një rast i lindjes së pesënjakëve nga një nënë kosovare, që ishte rasti i vetëm i tillë në Kosovë. 28 vjet pas, një rast i ngjashëm, me katërnjak, ndodhi të mërkurën, në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

    Drejtori i klinikës, Zef Ndrejaj, thotë se rastet e tilla janë të rralla në vendin tonë.

    “Katërnjakët janë lindje të rralla, 1 rast në 700 mijë lindje, rasti i fundit ka qenë një pesënjak nga Vushtrria para luftës, këto janë shumë të rralla… Me binjakë dhe trinjakë kemi shpesh, p.sh. 3-4 raste, por me katërnjak s’kemi pasur vitin e kaluar… Katërnjakët kanë lindë me pesha të vogla dhe kanë mbijetu”, tha Ndrejaj.

    Më tej Ndrejaj thotë se 26-vjeçarja nga Podujeva bashkë me katërnjakët, tre djem e një vajzë, tashmë gëzojnë shëndet të mirë dhe se po vazhdojnë të jenë në mbikëqyrje të stafit mjekësor në klinikën e Neonatologjisë.

    “Rasti është shtri në kliniken tonë në javën e 26-të të shtatzënisë, ka qëndru në klinikë 6 javë. Operacioni ka ndodhur me prerje cezariane, tani është e shtrirë në klinikën e neonatologjisë dhe kanë gjendjen e mirë shumë bebat dhe nëna. Shtatzania ka ndodhë me proces natyral me rrugë natyrore, ka raste kur nëna kryen pa operacion lindjet por për shkak të komplikimeve është më mirë me operacion në mënyrë që bebat të nxirren në mënyrë të duhur”, tha Ndrejaj.

    Vetëm gjatë vitit 2023 në këtë klinikë janë regjistruar 11 lindje të trinjakëve dhe 225 lindje me binjakë.

    Megjithatë, Ndrejaj shprehet i shqetësuar me rënien e numrit të lindjeve që nga paslufta e tutje. Bazuar në statistikat e menaxhmentit të klinikës Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, gjatë vitit 2023 në të gjitha spitalet publike të Kosovës janë kryer gjithsej 8 mijë e 100 lindje, prej tyre me prerje cezariane janë 3 mijë e 10.

    Shqetësues mbetet edhe numri i ulët i punëtorëve shëndetësorë në Klinikën e Gjinekologjisë, ku në repartin e lindjeve punojnë vetëm 5 mami dhe më shumë se 20 infermierë.

  • Rihapet shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-deputetit të LDK-së, Shkumbin GashiI

    Rihapet shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-deputetit të LDK-së, Shkumbin GashiI

    Përgatiti: Nora Luta

    Shfaqja e këtyre fotografive, në fjalën përfundimtare nga Prokuroria Speciale në rastin e ish-deputetit të LDK-së, Shkumbin Gashi dhe Sylë Balaj, ka bërë që të rihapet shqyrtimi gjyqësor në këtë rast.

    Para se ta japë verdiktin rreth akuzave për manipulim me vota në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Gjykata Themelore e Prishtinës për të vërtetuar kohën dhe vendin e shkrepjes së tyre ka urdhëruar Agjencinë e Forenzikës për verifikim.

    Për të sqaruar edhe disa paqartësi rreth provave, gjykata do ta ftojë për të dëshmuar edhe një zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Në fotografitë që janë kontestuar nga mbrojtja, Prokuroria Speciale pretendon
    se shihet i akuzuari Balaj bashkë me katër të dënuar duke plotësuar vota.

    Sipas PSRK-së, ish-deputeti Gashi dhe Balaj abuzuan me të dhënat e 71 bashkatdhetarëve në Austri, duke mbushur fletëvotimet pa pëlqimin e tyre në favor të rezultatit zgjedhor të Gashit.

    Përveç tyre, në këtë rast akuzoheshin edhe Kastriot Balaj, Shpetim Shala, Milot e Dardan Blakaj, të cilët e kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me burgim me kusht.

    Ndërsa, procedura ishte veçuar ndaj Kushtrim Gjevukajt, pasi akuzohej për veprën penale “Kanosja”.