ATV

Author: ATVLive

  • Përfundon aksioni për konfiskimin e banesës dhe restorantit të Radojçiqit në Veri

    Përfundon aksioni për konfiskimin e banesës dhe restorantit të Radojçiqit në Veri

    Ka përfunduar aksioni për konfiskimin e banesës dhe restorantit të kryeterroristit Milan Radojçiq.

    Këtë e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Po, aksioni ka përfunduar pas orës 17:00”, tha Elshani.

    Pak më parë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar listën e aseteve të Radojçiqit që janë konfiskuar dhe sekuestruar deri tani.

  • Ndahen 9 milionë euro për rinovimin e stadiumit të Gjakovës

    Ndahen 9 milionë euro për rinovimin e stadiumit të Gjakovës

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar për ndarjen e nëntë milionë eurove për rinovimin e stadiumit të qytetit të Gjakovës.

    Të enjten është nënshkruar marrëveshja mes MKRS-së dhe Komunës së Gjakovës, përmes së cilës “ne kemi zotuar gjithë buxhetin e nevojshëm për përfundimin e stadiumit, ndërsa komuna ka për obligim zhvillimin e procedurave të prokurimit, punët ndërtimore si dhe mbikëqyrjen teknike”.

    “Futbollistët dhe qytetarët e kësaj komune dhe më gjerë do të kenë stadiumin e merituar, me kushte të dinjitetshme për të zhvilluar aktivitetet sportive dhe ndjekur ndeshjet e ekipeve të preferuara”, ka shkruar Çeku në Facebook.

    Stadiumi i Gjakovës është në mesin e stadiumeve që do të jenë nikoqirë të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.

    MKRS-ja ka njoftuar edhe për rinovimin e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë e atë të Gjilanit, që gjithashtu do të presin Lojërat Mesdhetare 2030.

  • ​Themelohet komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore

    ​Themelohet komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore

    Kuvendi i Kosovës, pas debatit mbi katër orësh ka themeluar sot Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

    Pro themelimit të komisionit votuan 61 deputetë, ndërsa 4 sosh ishin kundër.

    Kryesues i komisionit do të jetë deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

  • ​Takimi për dinarin, Bislimi: Pala serbe nuk ka vullnet për kompromis

    ​Takimi për dinarin, Bislimi: Pala serbe nuk ka vullnet për kompromis

    Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi ka folur sot për media në Bruksel pas takimit me palcën serbe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ku temë diskutimi ishte zgjidhja e problemit të përdorimit të dinarit.

    Bislimi ka thënë se pala serbe nuk brengoset për qytetarët e saj dhe se nuk ka treguar vullnet për arritjen e një kompromisi. AI shpreson se një gjë e tillë do të arrihet pas dy javësh, në të kundërtën do të jetë pala serbe ajo që do të mbetet fajtor për bllokimin e gjetjes së një zgjidhjeje.

    “Asnjëra nga ne nuk është pjesë e BQK-së dhe ne nuk mund të marrim vendime dhe të diskutojmë mbi përfshirjen e diçka që s’është pjesë e asaj fushëveprimtarie dhe po ashtu e bëmë të qartë se diçka që nuk është legale në Kosovë nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes. Lajçak ka kuptuar se nuk ka vullnet nga pala serbe për të ecur përpara për të arritur kompromisin. AI na e dha propozimet e tija që ishin ide ekzistuese të konsoliduara. KY propozim është konstruktiv, për të ecur në qasje të drejtë, sidoqoftë nga pala serbe, askush prej tyre nuk ka kompetencë për të marrë vendime dhe për t’u kthyer prapa, dhe ne do të kemi takim pas dy javësh, por atyre iu është bërë e qartë se do të jetë takimi i fundit dhe duhet të reflektojnë ose ata do të mbesin fajtor për bllokimin e zgjidhjes,” ka thënë Bislimi.

    Ndryshe, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimitme ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka theksuar se është diskutuar për të gjetur një zgjidhje të përkohshme për personat që atakohen nga rregullorja e BQK-së, e cila ndalon dinarin.

    “Ia dolëm të mbushim disa boshllëqe mes propozimeve të të dyja palëve.Kam në plan t’i vazhdoj diskutimet tona së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, ka shkruar ai në X.

  • Komisioni për Legjislacion formon grupet punuese për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar

    Komisioni për Legjislacion formon grupet punuese për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar

    Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, mbajti mbledhjen e rregullt, kryesuar nga Adnan Rrustemi, kryetar.

    Në këtë mbledhje u miratua raporti me amendamente i komisionit funksional për Projektligjin nr. 08/L-262 për ndryshim plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre.

    Po ashtu, në këtë mbledhje u formuan grupet punuese për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 05/L-049 për Administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08/L-034; të Kodit nr. 06/L-006 i Drejtësisë për të Mitur, si dhe të Ligjit nr. 08/L-132 për ekzekutimin e sanksioneve penale.

  • Këmbësorëve u ndalohet përdorimi i telefonit kur kalojnë rrugën

    Këmbësorëve u ndalohet përdorimi i telefonit kur kalojnë rrugën

    Me Ligjin e ri për rregullat e trafikut rrugor, i cili ka hyrë në fuqi nga 1 prilli, këmbësorëve u është ndaluar përdorimi i telefonave kur e kalojnë rrugën, shiritin apo shtegun e biçikletave ose binarët.

    Dënimi për shkelje të kësaj ndalese është 50 euro. Policia e Kosovës u ka bërë thirrje këmbësorëve dhe shoferëve që të mos e përdorin telefonin kur janë pjesë e trafikut.

    “Gjatë kalimit të rrugës, të shiritit apo të shtegut të biçikletave ose të binarëve, këmbësorit nuk i lejohet përdorimi i telefonit mobil, shfrytëzimi i dëgjueseve në veshë apo i pajisjeve të tjera të ngjashme që mund ta hutojnë. Mosrespektimi i kësaj rregulle ndëshkohet me gjobë 50 euro”, thuhet në thirrjen e Policisë.

    Shoferëve u është bërë thirrje që gjatë kohës së drejtimit i ndalohet mbajtja e telefonit të dorës dhe pajisjeve të tjera të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e reagimit dhe drejtimit të sigurt të mjetit.

    “Mosrespektimi i kësaj rregulle ndëshkohet me masë dhe gjobë: 1 pikë negative dhe gjobë prej 100 eurosh, kur vepron për herë të parë në shkelje të rregullit, 2 pikë negative, 3 muaj ndalesë në drejtim të mjetit motorik dhe 200 euro gjobë kur vepron për herë të dytë, 3 pikë negative, 6 muaj ndalesë në drejtim të mjetit motorik dhe 500 euro gjobë kur vepron për herë të tretë”, thuhet në thirrjen e Policisë.

  • Kritika për futjen e “VV” në zgjedhje në RMV: Përçan shqiptarët, mobilizon ekstremin e djathtë

    Kritika për futjen e “VV” në zgjedhje në RMV: Përçan shqiptarët, mobilizon ekstremin e djathtë

    Të dëmshëm dhe të pamenduar mirë po e konsiderojnë analistët në Kosovë vendimin e kryeministrit Albin Kurti, që së paku nëpërmjet tre anëtarëve të saj, të hyjë në garë për zgjedhje në Maqedoninë e Veriut. Analisti politik Rrahman Pacarizi vlerëson se ky vendim do ta mobilizojë edhe më shumë politikën maqedonase atje, kur dihet edhe ndikimi që ka Serbia dhe Rusia në këtë vend.

    “Ndikon për të homogjenizuar partinë e ekstremit të djathtë në Maqedoninë e Veriut, VMRO-në, e cila do të jetë problematike me numrat që parashihet të fitojë. Të gjitha këto, duke pas parasysh ndikimin e madh që ka Serbia në këtë vend dhe në një mënyrë edhe Rusia, e bëjnë situatën të komplikuar, pjesëmarrjen e Vetëvendosjes të pamenduar mirë dhe të dëmshme”, thotë Pacarizi.

    Analisti tjetër Bekim Kabashi konsideron se ky vendin do të ketë ndikim negativ edhe në raportet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Pjesëmarrja e Vetëvendosjes në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut po vlerësohet se do të ketë ndikim negativ në përçarje të faktorit shqiptar atje, e që pastaj do të ketë pasoja edhe në avancimin e të drejtave të tyre në këtë shtet.

    Analistët thonë se do të ketë inate dhe hatërmbetje edhe pas zgjedhjeve. Këshilltari i kryeministrit Bekim Qoku ka njoftuar një ditë më parë se ai dhe dy gra nga Vetëvendosje do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 8 Majit në RMV me koalicionin e partive opozitare VLEN./Tv Klan

  • ​Takimi për dinarin, Lajçak: Kam në plan t’i vazhdojmë diskutimet për kompromis

    ​Takimi për dinarin, Lajçak: Kam në plan t’i vazhdojmë diskutimet për kompromis

    Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka folur me takimin e sotëm me ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

    Ai në rrjetin social Xka shkruar se në takim është diskutuar për të gjetur një zgjidhje të përkohshme për personat që atakohen nga rregullorja e BQK-së, e cila ndalon dinarin.

    “Ia dolëm të mbushim disa boshllëqe mes propozimeve të të dyja palëve.Kam në plan t’i vazhdoj diskutimet tona së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkroi Lajçak.

    Ndryshe, pas takimit të kryenegociatorëve në Bruksel, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u deklarua se Kosova është pajtuar me propozimin e BE-së për dinarin duke e quajtur propozim konstruktiv, derisa sipas tij pala serbe ka kërkuar kohë shtesë.

    “Propozimet tona për zgjidhje kanë qenë që nga fillimi brenda rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Kosovës e gjithashtu dhe propozimi i BE-së konsiderohet nga ana e jonë si propozim konstruktiv dhe në drejtimin e duhur. Edhe kësaj radhe, pala serbe refuzoi të bashkëpunonte e të vendoste si prioritet interesin e qytetarëve, duke insistuar në licencimin e një entiteti ilegal si “Postanska Banka”. Pas propozimit nga ana e BE-së, përsëri pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

    Ndryshe, ky ishte takimi i tretë në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë nga komuniteti serb në Kosovë.

  • ​Venecia me tarifë të re hyrëse 5 euro

    ​Venecia me tarifë të re hyrëse 5 euro

    Venecia filloi sot një provë të një bilete hyrëse prej 5 eurosh, si pjesë e përpjekjeve për të kufizuar flukset turistike që rrezikojnë të “mbysin” qytetin e Lagunës. Kjo provë do të vazhdojë për 30 ditët e ardhshme kur numri i vizitorëve në qytet pritet të jetë veçanërisht i lartë.

    Vizitorët do të duhet të rezervojnë biletat në internet paraprakisht. Banorët, udhëtarët, studentët, fëmijët nën 14-vjeç, njerëzit që qëndrojnë në qytet gjatë natës dhe njerëzit që vizitojnë për ngjarje sportive do të përjashtohen nga detyrimi për të blerë biletën.

    “Ne kemi për detyrë t’i ruajmë këto qendra të mëdha historike të botës,” tha kryebashkiaku Luigi Brugnaro në një konferencë shtypi për këtë nismë.

    Ai tha se kjo nuk do të thotë se “qyteti do të mbyllet” dhe mohoi se masa kishte për qëllim mbledhjen e parave për këshillin e qytetit. Brugnaro tha gjithashtu se Venecia nuk do të kufizojë hyrjet, por vetëm do t’i detyrojë njerëzit të paguajnë për të parë qendrën historike. /ANSA

  • ​Ministri Murati: Blerja e librave nga prindërit ka efekte pozitive

    ​Ministri Murati: Blerja e librave nga prindërit ka efekte pozitive

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati konsideron se mënyra e mëparshme ku nxënësit furnizoheshin me libra çdo vit ka pasur efekte negative, përkundër qëllimit fisnik që mund të ketë pasur.

    Sipas tij, me shtypjen e librave çdo vit dhe shpërndarjen e tyre tek nxënësit, ka ndikuar në aspektin e cilësisë dhe në shpenzimet e buxhetit.

    Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ministri Murati vlerësoi si metodë më të mirë, blerjen e librave nga vetë prindërit, ngase sipas tij tekstet zgjidhen me më kujdes sa i përket cilësisë dhe mund të ruhen për disa vite që të përdoren nga gjeneratat e tjera.

    “Çështja e librave të financuara apo të siguruara nga shteti në fillimet e saj mund të ketë qenë edhe një synim fisnik, nëse do të flisnim sipërfaqësisht…Megjithatë, përgjatë rrugëtimit kemi parë se është stërkeq kjo metodë dhe stërkeqja ka ardhur qoftë nga mekanizmi dhe mënyra se si është përzgjedhur apo edhe nga rregullimet ligjore që janë bërë në të kaluarën…Stërkeqja ka ardhur në aspektin e sasisë vjetore të librave. Për shembull nëse para 15 viteve, në klasën e parë kanë qenë dy libra, abetarja dhe matematika, për shkak të këtij mekanizmi të krijuar ku shteti paguan pavarësisht sa libra janë të nevojshme, ka pasur incentive që shtëpitë botuese që ndoshta t’i korruptojnë komisionet të cilat kanë caktuar kurrikulat se çfarë libra duhet të ketë dhe tash kemi përfunduar që klasa e parë t’i ketë 14 libra…Çështja e dytë që e stërkeq apo që ka ndikuar pastaj edhe në mos shfrytëzim efikas të buxhetit ka qenë edhe cilësia e vetë librave dhe ruajtja e tyre. Nëse në të kaluarën një libër e ka blerë vetë prindi dhe ka vendosur cilin libër po e merr e ka shikuar që libri të jetë I cilësisë dhe të jetë i lidhur mirë dhe të jetë I qëndrueshëm. Po ashtu, është siguruar që libri të ruhet sepse ka qenë pronë e familjes. Ka pasur edhe aspekti i cilësisë, kursimit buxhetor por edhe aspektin ambiental. Nuk ka pasur nevojë të shtypen 300 apo 400 mijë libra çdo vit”, tha Murati.

    Gjatë seancës plenare, në të cilën po diskutohet për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit, Murati potencoi se koha kur prindërit blinin vetë tekstet shkollore për fëmijët, ndonëse ka qenë i imponuar si mekanizëm, ka pasur efekte pozitive.