ATV

Author: ATVLive

  • 9 të vdekur, 15 të zhdukur pas katastrofës me anije me migrantë në Mesdhe

    9 të vdekur, 15 të zhdukur pas katastrofës me anije me migrantë në Mesdhe

    Nëntë persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë të zhdukur pas mbytjes së anijes së fundit me emigrantë në Mesdheun jugor të mërkurën vonë.

    Viktimat përfshijnë një vajzë që konsiderohet të jetë e moshës nga katër deri në tetë.

    Roja bregdetare italiane arriti të shpëtojë 22 persona në një operacion në zonën malteze të kërkim-shpëtimit. Të mbijetuarit dhe trupat e viktimave u dërguan në Lampedusa, ishulli më jugor i Italisë dhe destinacioni i barkave të emigrantëve nga Afrika e Veriut. Gjashtë nga të mbijetuarit janë në spital.

    Kushtet e trazuara të detit, me dallgë mbi dy metra të larta, po ndërlikojnë në kërkimin për personat e zhdukur, tha të enjten roja bregdetare. Varka mbante 46 persona nga Guineja, Burkina Faso, Mali, dhe Bregu i Fildishtë. Varka u nis nga Sfax në Tunizi të dielën. /ANSA

  • ​Një i vdekur e pesë të plagosur nga të shtënat në Uashington

    ​Një i vdekur e pesë të plagosur nga të shtënat në Uashington

    Një person u vra dhe shumë të tjerë u plagosën, duke përfshirë dy fëmijë, në të shtëna me armë në Uashington të mërkurën në mbrëmje.

    Policia ka lëshuar një alarm publik për makinën që besohet se mbante personin e armatosur që u largua nga vendi i ngjarjes.

    Detajet mbeten të pakta, por zyrtarët konfirmuan se një burrë u shpall i vdekur në vendngjarje dhe se pesë të tjerë, përfshirë një nëntë-vjeçar dhe një 12-vjeçar, u dërguan në spital me lëndime jashtë rrezikut për jetën.

    Zyrtarët kanë konfirmuar se të shtënat ndodhën rreth orës 18:10 në veri-lindje të qytetit dhe se ndoshta dy të personat e armatosur janë të lirë.

    Megjithëse vrasjet dhe llojet e tjera të krimeve të dhunshme janë ulur 22% nga kjo kohë vitin e kaluar, raportohet se ka pasur tre raste me të shtëna të tjera në kryeqytetin amerikan këtë javë që lanë shumë njerëz të plagosur. /The Guardian

  • PE-ja ua njeh pasaportat e Serbisë serbëve të Kosovës, Woelk: Është vendim për keqardhje

    PE-ja ua njeh pasaportat e Serbisë serbëve të Kosovës, Woelk: Është vendim për keqardhje

    Dy ditë më parë, Komisioni për liri qytetare dhe punë të brendshme i Parlamentit Evropian miratoi raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë, që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës.

    Raporti u përpilua nga deputeti slloven, Matjazh Nemec, dhe u votua me 34 vota pro, raporton Indeksonline.

    Dhënia e këtyre pasaportave u jep mundësinë banorëve serbë të Kosovës të mos pajisen me pasaporta kosovare, teksa liberalizimi i vizave për ta vjen 4 muaj pas liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.

    Asistentja parlamentare e PE-së, njëherazi edhe avokuese e madhe e sovranitetit të Kosovës, Federica Woelk, thotë se një vendim i tillë është për keqardhje.

    “Fatkeqësisht, vendimi i fundit i komisionit përgjegjës të Parlamentit Evropian lidhur me njohjen e pasaportave të lëshuara nga Serbia (përmes strukturave paralele) për serbët e Kosovës është thellësisht për keqardhje. Vendimi mundëson vetëm destabilizimin e mëtejshëm dhe me siguri nuk arrin qëllimet që BE-ja i ka vendosur vetë. Për mendimin tim, Serbia ka punuar shumë për të arritur këtë rezultat” ka thënë Woelk, në një intervistë për Indeksonline-n.

    Vendimi në fjalë, sipas Woelk-ut, kërcënon sovranitetin e Kosovës, meqë edhe zyrtarisht “tashmë i njeh strukturat paralele, të cilat shteti po përpiqet t’i luftojë”.

    Sipas Woelk-ut, njohja e këtyre pasaportave në mënyrë implicite nënkupton lejimin e funksionimit të strukturave paralele ilegale.

    Pasaportat në fjalë, për banorët kryesisht të veriut dhe jo vetëm, janë dhënë nga Drejtoria Koordinuese në Serbi, që funksionon në kuadër të MPB-së serbe.

    “Kjo është krejtësisht e papranueshme. Në përgjithësi kam frikë se sovraniteti i Kosovës është realisht i rrezikuar dhe as që njihet seriozisht nga ndërkombëtarët”, ka shtuar Woelk.

    Për qasjen e PE-së karshi kësaj situate, Woelk-u vlerëson se Parlamenti… në fakt nuk ka shumë njohuri për situatën në Kosovë dhe kështu e shohin vetëm sipërfaqen.

    Ajo thekson se po të diskriminoheshin vërtet serbët e Kosovës, atëherë do të ishte tjetër qasje. Megjithatë, Woelk-u pohon se bëhet fjalë për struktura paralele që vetëm sa e rrezikojnë sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, qofshin ata shqiptarë apo serbë.

    “Për fat të keq, mendoj se serbët e Kosovës tashti do të mendojnë të marrin më shumë pasaportën serbe, sepse në fund pasaporta kosovare ofron të njëjtin përfitim. Nuk po flas për ata që realisht po përpiqen të integrohen brenda Kosovës, por për ata që janë ende të pasigurt dhe ndihen më “rehat” duke u rreshtuar me Serbinë. Kjo është pengesa kryesore për një integrim të duhur për serbët e Kosovës, jo për qeverinë kosovare.”

  • Sylejmani nga Supremja: Numri i gjyqtarëve është i pamjaftueshëm për t’u përballur me numrin e madh të lëndëve që kemi

    Sylejmani nga Supremja: Numri i gjyqtarëve është i pamjaftueshëm për t’u përballur me numrin e madh të lëndëve që kemi

    Mbikëqyrësi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Sahit Sylejmani gjatë raportimit për tremujorin e punës së kësaj gjykate, ka thënë se numri i gjyqtarëve nuk është i mjaftueshëm për t’u përballur me numrin e madh të lëndëve që posedojnë.

    Sylejmani këtë e tha të enjten në mbledhjen e 324-të të Këshilli Gjyqësor të Kosovës (KGJK), duke shtuar se kanë pozita të lira të paplotësuara e po ashtu edhe probleme me përkthimin e dokumenteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Numri i gjyqtarëve nuk është i mjaftueshëm për me u përball me këtë numër që ende është i madh në Dhomën e Posaçme. Kemi pozita të lira të paplotësuara edhe në grupin e zyrtarëve ligjor që po financohen nga GP-ja ku jena tri pozita edhe në grupin e pozitave që janë të rregulla për bashkëpunëtorë profesional, për përkthyes dhe për staf tjetër që është një kohë bukur e gjatë që janë të lira. Ne i kemi bërë kërkesat për plotësimin e këtyre pozitave në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor, ende për tash nuk i kemi të plotësuara. Si problem është edhe çështja e përkthimit. E kam cek po e ceki prapë kemi vonesa bukur të mëdha në përkthimin e dokumenteve për shkak se nuk kemi zyrtarë përkthyes të mjaftueshme në njësinë e përkthimeve”, tha ai.

    Sylejmani tha se kanë probleme edhe me hapësirë pasi sipas tij, e kanë stafin e grumbulluar në shumë zyre për shkak të hapësirës jo të mjaftueshme. Megjithatë, ai tha se një problem teknik me të cilin përballën tri zyre në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme është edhe dritaret e mbyllura si dhe sistemi i ventilimit jofunksional.

    Pas kësaj, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj njoftoi se ata planifikojnë që më 23 prill të miratojnë rregulloren për rekrutim. Ai tha se pas kësaj date beson që do të hapen konkurset për pozitat e lira.

    Mbikëqyrësi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Sahit Sylejmani tha se gjatë kësaj periudhe i kanë pasur të angazhuar 14 gjyqtarë në zgjedhjen e lëndëve e që 11 prej tyre në shkallën e parë dhe tre në shkallën e dytë.

    Sylejmani tha se gjatë këtij tremujori kanë qenë në punë mbi 13 mijë e 600 lëndë.

    “Lëndët në punë gjatë këtij tremujori: Gjithsej në të dy shkallët e kësaj janë trashëguar nga tremujori paraprak 13 mijë e 295 lëndë. Janë pranuar 375 lëndë të reja kështu që gjatë tre mujorit kanë qenë në punë 13 e 670 lëndë. Prej tyre, janë zgjidhur 854 lëndë ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura gjithsej 12 mijë 816 lëndë në të dy shkallë. Nëse e shohim sipas shkallëve gjyqësore, në shkallën e parë nga 12 mijë e 452 sa kanë qenë në punë janë zgjedhur 627 lëndë ndërsa kanë mbetur pa u zgjidhur 11 mijë e 826 lëndë. Ndërsa, në shkallën e dytë nga 1217 lëndë sa kanë qenë në punë janë zgjidhur 227 lëndë ndërsa kanë mbetur pa u zgjidhur 990 lëndë”.

    Tutje, mbikëqyrësi i Dhomës së Posaçme në Gjykatën Supreme tha se shkalla e efikasitetit të lëndëve të kryera në raport me lëndët e reja të pranuara gjatë tremujorit të parë është 227.73 % pasi sipas tij, janë kryer 854 lëndë ndërsa janë pranuar 375 lëndë të reja.

    Po ashtu ai tha se ka rënie të lehtë në kryerjen e lëndëve pasi sipas tij në këtë tre mujor janë kryer 42 lëndë më pak se sa në tremujorin paraprak. Ndërsa, sa i takon publikimeve Sylejmani tha se janë publikuar 382 vendime e që 301 prej tyre të shkallës së parë. Kurse, për seancat e mbajtura gjatë kësaj periudhe, ai tha se numri i tyre është 102.

    Ndërsa, gjatë raportimit të tij, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se gjatë këtij tremujori kanë pranuar në punë gjithsej 697 lëndë të reja e që të trashëguara nga tremujori i kaluar kanë qenë 889 lëndë. Po ashtu ai tha se nga këto lëndë janë përfunduar 596 prej tyre dhe 303 të tjera kanë mbetur pa epilog përfundimtar.

    Rexhepi tha se si Gjykatë, numri më i madh i kërkesave të cilat ata i kanë pranuar kanë qenë për mbrojtje të ligjshmërisë të cilat gjatë këtij 3 mujori janë pranuar 220 dhe janë kryer 210 prej tyre.

    Sipas Rexhepit, karakteristike për këtë tremujor ka qenë numri i madh i lëndëve civile të ndryshme e që si rrjedhojë ka rritur numrin e lëndëve të ardhura për këtë periudhë kohore.

    “Çka është karakteristike për këtë tremujor është se janë ardhur një numër i madh i lëndëve civile të ndryshme, gjithsej 196, çka ka rritur numrin e lëndëve të ardhura për këtë tre mujor për çka janë kryer 123. Këto kërkesa janë kryesisht lëndë që kanë ardhur për konflikt kompetence nga Gjykata kryesisht Komerciale dhe Departamenti Administrativ. Për shumicën e këtyre çështjeve që vendos, këto lëndë prap vazhdojnë të vijnë. Nuk e di se cila është arsyeja e gjyqtareve që nuk arrijnë të kuptojnë se ku janë kompetent dhe ku s’janë kompetent apo qëllimi është që të zvarrisin procedurat në raste konkrete. Megjithatë, kjo çështje don ndoshta edhe përgjegjësi”, tha ai.

    Po ashtu, ai tha se shkalla e efikasitetit për këtë tremujor ka qenë e ulët.

    “Në përgjithësi, shkalla e efikasitetit për këtë tremujorë për shkak të numrit të lëndëve që kanë ardhë ka qenë me e ulët. Kanë qenë 86.75 % numri i lëndëve të ardhura në raport me numrin e lëndëve të kryera”, tha ai duke njoftuar se ata kanë kryer edhe disa vizita pune duke përfshirë edhe atë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

    Gjatë raportimit për tremujorin e punës së Gjykatës Supreme, Rexhepi tha se janë publikuar 819 aktgjykime dhe aktvendime prej të cilave 485 vendime kanë qenë të Gjykatës Supreme dhe 334 prej tyre vendime të Dhomës së Posaçme.

    Ai tha se i kanë pasur pesë kërkesa sa i takon procedurave disiplinore e që për katër prej tyre është marrë vendim dhe një është ende në punë.

    Sa i takon punës së administratës, Kryetari i Gjykatës Supreme tha se nuk ka ndonjë pengesë në punën e tyre përveç vendeve të paplotësuara të cilat sipas tij e bëjnë punën e gjykatës më të vështirë.

    Pas kësaj, doli në votim raporti për tremujorin e parë të Gjykatës Supreme për vitin 2024 i cili u miratua.

    Sa i takon problemeve që përballën në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme, Sylejmani tha se një ndër ato është numri i pamjaftueshëm i gjyqtarëve, pozitat e lira të paplotësuara, problemet me përkthimin etj.

    “Numri i gjyqtarëve nuk është i mjaftueshëm për me u përball me këtë numër që ende është i madh në Dhomën e Posaçme. Kemi pozita të lira të paplotësuara edhe në grupin e zyrtarëve ligjor që po financohen nga GP-ja ku jena tri pozita edhe në grupin e pozitave që janë të rregulla për bashkëpunëtorë profesional, për përkthyes dhe për staf tjetër që është një kohë bukur e gjatë që janë të lira. Ne i kemi bërë kërkesat për plotësimin e këtyre pozitave në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor, ende për tash nuk i kemi të plotësuara. Si problem është edhe çështja e përkthimit. E kam cek po e ceki prap kemi vonesa bukur të mëdha në përkthimin e dokumenteve për shkak se nuk kemi zyrtarë përkthyes të mjaftueshme në njësinë e përkthimeve”, tha ai.

    Sylejmani tha se kanë probleme edhe me hapësirë pasi sipas tij e kanë stafin e grumbulluar në shumë zyre për shkak të hapësirës jo të mjaftueshme. Megjithatë, ai tha se një problem teknik me të cilin përballën tri zyre në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme është edhe dritaret e mbyllura si dhe sistemi i ventilimit jofunksional.

    Pas kësaj, kryetari i KGJK-së njoftoi se ata planifikojnë që më 23 prill të miratojnë rregulloren për rekrutim. Ai tha se pas kësaj date beson që do të hapen konkurset për pozitat e lira.

  • Zhegrova synon “ta pushtojë” sonte edhe Anglinë

    Zhegrova synon “ta pushtojë” sonte edhe Anglinë

    Edon Zhegrova është pa dyshim lojtari më në formë kosovar i momentit.

    Ylli kosovar po shkëlqen me fanellën e Lillet, me të cilin do të zbresë sonte në fushën e blertë.

    Ekipi francez do të përballet me Aston Villën në udhëtim në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Konferencës.

    25 vjeçari do të mundohet “ta pushtojë” Anglinë me një paraqitje tjetër spektakolare, siç ka ditur shpesh të bëjë në këtë edicion.

    Përfaqësuesi kosovar e ka një mundësi ideale për ta shfaqur talentin dhe potencialin e tij në Angli sonte pasi gjatë verës që vjen pritet ta bëjë hapin e radhës në karrierë për t’u transferuar në një klub më të madh evropian.

    Dhe, Anglia do të ishte një opsion ideal për ish-futbollistin e Baselit, ndonëse për të flitet se interesim kanë shfaqur edhe klubet italiane dhe ato gjermane.

    Vlera e “Messit të Kosovës” në treg është 15 milionë euro, sipas “Transfermarkt”.

    Zhegrova i ka zhvilluar 8 ndeshje në Ligën e Konferencës në këtë edicion, ndërsa i ka shënuar 2 gola dhe e ka bërë një asistim.

    E në total në të gjitha garat, ai i ka luajtur 40 ndeshje në këtë sezon duke i shënuar 11 gola dhe duke i bërë 9 asistime.

    Ndeshja mes Aston Villës dhe Lillet do të luhet sonte duke filluar nga ora 21:00.

  • Inspektoriati asgjëson mbi 110 disqe për prerjen e hekurit dhe betonit

    Inspektoriati asgjëson mbi 110 disqe për prerjen e hekurit dhe betonit

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut asgjëson 1154 “Disqe për Prerjen e Hekurit dhe Betonit” me afat të skaduar.

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht inspektorët e tregut kanë realizuar inspektime në disa qytete të ndryshme në vendin tonë, gjatë të cilave tek disa operatorë ekonomik kanë hasur në produktet “disqe për prerje të hekurit dhe betonit”.

    Produktet në fjalë me afat të skaduar të përdorimit, ishin të brendeve të ndryshme, dimensioneve të ndryshme dhe me origjinë të vendeve të ndryshme.

    Këto produkte si të tilla paraqesin rrezik për përdorim nga konsumatorët dhe në të gjitha rastet operatorët ekonomik kanë bërë shkatërrimin/asgjësimin e këtyre produkteve me afat të skaduar në prezenc të Inspektorëve të Tregut.

    Me këtë rast, Inspektorët e Tregut, kanë bërë largimin e këtyre produkteve nga tregu i brendshëm në sasi prej 1154 copë “disqe për prerje të hekurit dhe betonit” përkatësisht janë bërë shkatërrimi/asgjësimi i tyre, prandaj në secilin rast janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me legjislacionin në fuqi.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut mbetet e përkushtuar të mbrojë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve duke eliminuar nga tregu çfarëdo produkti që paraqet rrezik për përdorim, prandaj ftojmë të gjithë qytetarët që nëse hasin në produkte të tilla në treg të lajmërojnë inspektorët e tregut të cilët do të veprojnë konform legjislacionit përkatës në fuqi dhe kompetencave që ata kanë.

  • Bazat serbe në kufi me Kosovën në ‘formë patkoi’ për të sulmuar

    Bazat serbe në kufi me Kosovën në ‘formë patkoi’ për të sulmuar

    Përpara se policia kosovare të fillojë patrullimin e saj në kufirin me Serbinë, ata e ngarkojnë makinën me armatim: AK-47 janë të lidhur në pjesën e pasme të ulëseve të veturës, pistoletat poshtë këmbëve dhe dronët dhe jelekët antiplumb të mbushur në bagazhin e Land Rover.

    Ky është tani protokoll standard në një nga kufijtë më të paqëndrueshëm në kontinentin evropian.

    Kur njerëzit e pyesin Venton Elshanin, zëvendëskomandantin e policisë në veri të Kosovës se si është situata, ai thjesht u tregon përgatitjet që bën para patrullimit. “I shihni armët?” tha ai, para se ta nxirrte grupin e xhirimit të Telegrafit në kufi, “këto janë për t’i mbajtur policët. Situata nuk është e mirë.”

    Që kur Kosova fitoi pavarësinë nga Jugosllavia në një luftë që përfundoi në vitin 1999, ajo ka pritur një komunitet të vogël serbësh etnikë në rajonin kufitar verior. Tensionet me shumicën etnike shqiptare janë rritur së fundmi. Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë, ka lënë të kuptohet për një pushtim. Nacionalistët i kërkojnë atij që të veprojë për të “mbrojtur” serbët e detyruar të jetojnë nën “sundimin” kosovar.

    Frika e një lufte të re u rrit në vitin 2023 kur një grup i armatosur serbësh sulmuan përtej kufirit në fshatin verior të Banjskës dhe u barrikaduan në manastirin e tij. Tre nga 30 militantë të dyshuar u vranë në një shkëmbim zjarri. Një nga njerëzit e komandant Elshanit humbi jetën në shkëmbim zjarri.

    Që nga ajo ditë, oficeri dhe ekipi i tij kanë kryer patrulla ditore në rajonin kufitar të dominuar nga serbët, duke kërkuar rrugë të paligjshme në Serbi të llojit të përdorur nga personat e armatosur në sulmin e tyre.

    “Ne i njohim këto rrugë më mirë se kushdo,” tha komandanti Elshani për The Telegraph ndërsa patrulla përshkoi rrugën e saj nëpër male. “Serbët nuk mund të shkojnë asnjë rrugë që ne nuk do ta gjejmë.”

    Në numërimin e fundit, policia identifikoi 65 rrugë të paligjshme, të gjitha të bllokuara me kanale të mëdha të prera në beton. Edhe 10 rrugë të tjera mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm, kryesisht nëpërmjet dronëve.

    Prezenca e vazhdueshme në rajonin me shumicë serbe i dërgoi mesazh Beogradit se Kosova po i mbronte kufijtë e saj, tha komandanti Elshani.

    “Banjska ndryshoi lojën, e vendosi lojën në një nivel tjetër për shkak të vdekjeve,” tha ai. “Kur gjaku derdhet, atëherë është problem.”

    Analistët paralajmërojnë se propaganda e Kremlinit po nxit trazira në veri në një komb ku 93 për qind janë shqiptarë dhe 4 për qind serbë. Shumica e serbëve në Kosovë ende e konsiderojnë Beogradin, i cili kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, si qeverinë e tyre.

    Pas rrethimit, autoritetet zbuluan një depo të madhe armësh që sulmuesit kishin fshehur në ndërtesat e papërdorura përreth fshatrave veriore. Vetëm pak javë më parë ata zbuluan pesë raketahedhës të tjerë, një shenjë e shkallës së sulmit të planifikuar.

    Në një intervistë për The Telegraph, Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, paralajmëroi se zoti Vuçiq, presidenti i Serbisë, kishte në plan të pushtonte. Ai tha se Serbia kishte ndërtuar baza operative përpara rreth kufirit në një “formë patkoi” për të “mbrojtur Beogradin dhe sulmuar Kosovën”.

    Shpërqendrimi nga lufta në Ukrainë

    Bazuar në fjalët e vetë presidentit Vuçiq, Kurti beson se presidenti serb po kërkon kohën e tij për një mundësi për të pushtuar.

    Miqësia e Vuçiqit me Vladimir Putinin është e njohur dhe Kurti beson se është në interesin e liderit rus që Serbia të pushtojë Kosovën, pasi kjo do të largonte vëmendjen nga lufta e tij në Ukrainë.

    Pas Urës së Mitrovicës që ngrihet mbi lumin Ibër, flamuri i Serbisë i kuq, i bardhë dhe blu valëvitet gjithandej. Dikur kjo urë ishte një “pikë e nxehtë” – një ndarje joformale midis rajonit kufitar verior të Kosovës dhe jugut etnik shqiptar. Gjërat duken paqësore, ndërsa këmbësorët ecin lirshëm midis dy anëve.

    Por ka tension nën këtë panoramë. Disa banorë etnikë serbë nga veriu e shohin këdo që kalon në jug si tradhtar, një njeri që tradhton plagët e pashëruara nga gjakderdhja e viteve 1990.

    Makinat ende nuk lejohen të kalojnë mbi urën, e penguar nga bllokada dhe prania 24/7 e dy policëve me Land Rover, njëri i parkuar me pamje nga jugu dhe tjetri nga veriu.

    Policia tha se këto masa paraprake ishin thelbësore për të ruajtur stabilitetin në zonë.

    Thashethemet flasin se Putini ka rekrutuar serbë për të luftuar në ushtrinë e tij kundër Ukrainës dhe ndërsa The Telegraph udhëtonte në veri, solidariteti me Rusinë ishte i gjithëpranishëm. Shkronja “Z” ishte grafituar në anët e dyqaneve, kafeneve dhe shtëpive lokale.

    Albin Kurti thotë: “Kjo është pishina nga ku ata [Rusia] do të rekrutojnë paraushtarakë të ardhshëm të Wagner-it për Ukrainën dhe Ballkanin”.

    Në një tabelë rrugore, dikush kishte shkruar fjalët “F— k Nato”, një paralajmërim për praninë paqeruajtëse të bllokut të KFOR-it, i cili është stacionuar në Kosovë që nga viti 1999.

    Ashtu si policia, ata kryejnë patrullime, duke vigjiluar në atë që e quajnë si vijë kufitare administrative, një shtrirje tokësore prej 237 miljesh që ndan Kosovën dhe Serbinë.

    Togeri i parë Caldëell i Gardës Kombëtare të Gjeorgjisë, i cili përbën kontributin e Amerikës në KFOR, tha se detyra e tyre ishte të zbulonin këdo që synonte të ndiqte veprimtari armiqësore.

    Ai theksoi rëndësinë e “ndërprerjes” së rrugëve ilegale për të ndaluar kalimin e kontrabandistëve në Kosovë. Sipas tij më shumë ndërprerje rrugësh po kryheshin sa herë që ishte e mundur. Për komandant Elshanin njerëzit e tij janë në stërvitje për sulm.

    “Nuk është surprizë që Vuçiq dëshiron të pushtojë,” tha ai. “Ata mund të na qëllojnë, por nuk mund të na trembin./rtsh

  • Dinari mbledh sërish javën tjetër në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë

    Dinari mbledh sërish javën tjetër në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë

    I dërguari special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pritet që t’i thërras për takim në Bruksel kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç për të vazhduar diskutimet lidhur me çështjen e dinarit.

    Në një përgjigje për Reporteri.net, BE konfirmon se takimi do të jetë javën e ardhshme, por data nuk është përcaktuar ende.

    Bashkimi Evropian thekson se në këtë takim do të diskutohet për një zgjidhje të përkohshme për çështjet e shkaktuara nga BQK, që palët të jenë të gatshme të angazhohen në propozimet e paraqitura na emisari Lajçak.

    “Ndërmjetësuesi i BE-së planifikon të thërrasë një takim tjetër javën e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve për të diskutuar një zgjidhje të përkohshme të çështjeve të shkaktuara nga rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës, me kusht që palët të jenë të gatshme të angazhohen në bazë të ideve të paraqitura nga ndërmjetësuesi i BE-së”, tha një zëdhënës i BE-së për Reporteri.net.

    Të enjten e 4 prillit, ishte takimi i fundit në Bruksel për çështjen e dinarit, e që përfundoi pa marrëveshje.

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pas takimit të enjten e kaluar, tha se pala kosovare është pajtuar me propozimin e emisarit të BE-së, sa i përket çështjes së dinarit, por pala serbe ka kërkuar kohë shtesë.

    “Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçak ka nxjerrë një propozim të konsoliduar për të cilën ne besojmë se është konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje, e cila më së shumti i shkon për shtati qytetarëve serb në Kosovë. Pala serbe nuk ka qenë e gatshme të reflektojë këtë propozim dhe ka kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve në Bruksel”, ka deklaruar Bislimi.

    “Atyre iu është bërë e qartë që takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse ata janë të gatshëm të vijnë me ide për kompromis. Edhe sot kemi pasur dallime të mëdha, përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si qytetarët serb mund të marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia. Pala serbe ka funksionuar si avokate e ‘Postanska bankës’ dhe gjithë kohën ka diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetente, as në interes të palëve të involvuara”, kishte deklaruar tutje Bislimi.

    Në anën tjetër, Lajçak tha pas takimit se pati përafrim të qëndrimeve mes propozimeve të palëve.

    “Arritëm të përafrojmë qëndrimet mes dy propozimeve të palëve. Planifikoj të vazhdoj diskutimet shumë shpejt bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.

    Për takimin, emisari evropian foli edhe gjatë forumit “BE takon Ballkanin”, ku theksoi se në pesë javët e fundit kanë zhvilluar katër takime me të dyja palët dhe se siç tha ai nuk duhet të jenë qytetarët ata që duhet të “pagujnë çmimin”.

    “Në pesë javët e fundit kemi pasur katër takime mes dy delegacioneve dhe javën e ardhshme do të ketë një takim tjetër. Ne përsëri u gjendëm në situatën që duhet të përballemi me pasojat e një vendimi dhe të mos diskutojmë para se të marrim vendimin”, tha Lajçak në forum.

    Emisari evropian tha gjatë forumit se ka përpjekje nga palët për të gjetur zgjidhje, dhe shpreson që ajo të arrihet në takimin e javës së ardhshme.

    “Pra, ajo që dua të them është se diskutimet janë ndërtuar, palët po vijnë, atmosfera është më konstruktive se zakonisht, do të thosha. Dhe ka një përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Kështu që ne bëmë herën e fundit, të enjten e kaluar”.

    “Dhe për të shpëtuar janë paraqitur propozimet e palëve. Uh, ne përpiqemi të arrijmë këto propozime. Nuk ishte shumë e mundur. Kështu që herën e fundit ne si Bashkim Evropian i kemi prezantuar idetë tona dhe ato janë pranuar nga të dyja palët. Pra, po, por ne do të takohemi javën e ardhshme, dhe shpresojmë ta finalizojmë. Marrëveshja, në bazë të ideve të paraqitura nga Bashkimi Evropian”, tha Lajçak.

    Për takimin e katër prillit, u deklaruan edhe nga Qeveria e Kosovës, ku sipas komunikatës së tyre, pala kosovare, ka cilësuar si konstruktiv propozimin e BE-së për gjetjen e një zgjidhje për dinarin, megjithatë Qeveria e Kosovës akuzon palën serbe për mungesë të bashkëpunimit duke kërkuar kohë shtesë dhe duke insistuar në licensimin e një etniteti ilegal, si “Postanska Banka”.

    “Ky ishte takimi i tretë në nivel të kryenegociatorëve për gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë nga komuniteti serb në Kosovë. Propozimet tona për zgjidhje kanë qenë që nga fillimi brenda Rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Republikës së Kosovës e gjithashtu dhe propozimi i BE-së konsiderohet nga ana e jonë si propozim konstruktiv dhe në drejtimin e duhur”, thuhej në komunikatën e Qeverisë.

    Rregullorja e re e BQK-së ka hyrë në fuqi që nga 1 shkurti, ku përcakton euron si valutë të vetme zyrtare në Kosovë, gjë e cila ka ngritur reagime edhe nga faktori ndërkombëtar, duke kërkuar që të shtyhet zbatimi i këtij vendimi.

  • Jashari pret në takim lamtumirës nënkolonelin Nolte, e dekoron me mirënjohje

    Jashari pret në takim lamtumirës nënkolonelin Nolte, e dekoron me mirënjohje

    Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim lamtumirës nënkolonelin Franz-Josef Nolte, Atashe i Republikës Federale të Gjermanisë i akredituar në Kosovë që nga viti 2021.

    Në fund të takimit, Jashari ka dekoruar Nolte me mirënjohje për përkushtimin, angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke kontribuar kështu në thellimin e bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

    “Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti sot në takim lamtumirës Nënkolonelin Franz-Josef Nolte, Atashe i Republikës Federale të Gjermanisë i akredituar në Kosovë që nga viti 2021. Në këtë takim morri pjesë edhe atasheu rezident i sapoemëruar i Republikës Federale të Gjermanisë për Kosovë, Nënkolonel Oliver Palkowitsch. Në fund të takimit, Gjeneral Jashari dekoroi Nënkolonelin Nolte me mirënjohje për përkushtimin, angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke kontribuar kështu në thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

    Po ashtu, në njoftimin e tyre thuhet se Nolte gjatë shërbimit të tij si atashe, arriti që të shtyjë përpara shumë projekte, stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta.

    “Gjatë periudhës 2021-2024 ai ndër shumë arritje të tjera, gjithashtu arriti të koordinojë vijimin e shkollimeve për pjesëtarët e FSK-së në Republikën Federale të Gjermanisë, organizimin e trajnimeve në Kosovë, donacionet e forcave të armatosura të Gjermanisë për FSK-në, si dhe shumë aktivitete tjera bilaterale”, thuhet tutje në postimin e tyre.

  • Në takimin e Osmanit me kryesuesin e OSBE-së u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Në takimin e Osmanit me kryesuesin e OSBE-së u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin për Punët e Jashtme, Evropë dhe për Tregtinë të Maltës, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së, Ian Borg.

    Në takim, Osmani dhe Borg kanë diskutuar për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në, përfshirë mbështetjen e OSBE-së në të kaluarën dhe bashkëpunimin aktual me institucionet vendore. Presidentja Osmani u informua mbi prioritetet e ministrit Borg dhe Maltës si kryesues i sivjetëm i OSBE-së.

    Në takim është diskutuar edhe për raportet bilaterale midis Kosovës dhe Maltës, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për zhvillimet e fundit politike në rajon.

    Në diskutim me ministrin Borg, presidentja ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë si dhe promovimit të të drejtave të njeriut.

    Në këtë frymë, Osmani potencoi se anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën.

    Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Maltës në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.