ATV

Author: ATVLive

  • Dëgjohet një dëshmitar në rastin e vrasjes së 18 vjeçarit Lulzim Fejzullahu

    Dëgjohet një dëshmitar në rastin e vrasjes së 18 vjeçarit Lulzim Fejzullahu

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Të akuzuarit për vrasjen e Lulzim Fejzullahut kanë dalë sërish para gjykatës.

    Në seancën e shqyrtimit fillestar, që u mbajt e mbyllur për media, sipas avokatit të viktimës, është deklaruar vetëm njëri nga dy dëshmitarët e planifikuar.

    “Seanca është e tipit të mbyllur, ne mundemi me iu thënë se është vazhdimi sipas propozimit të Gjykatës Themelore për shqiptimin e vendimit dhe Gjykata ka urdhëruar që detajet e gjykimit të mos shpalosen. Seanca e radhës është me 15 dhe 16 prill të këtij viti, ndërsa nuk është e ndaluar me iu tregu se kanë qenë dy dëshmitarë njëri është marrë në pyetje, ndërsa tjetri në mungesë të asaj s’e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt apo jo ka mbetur për seancën e radhës”, tha Tomë Gashi, avokat i familjes së Lulzim Fejzullaut.

    Lidhur me seancën fare shkurt u deklarua avokati i të akuzuarit E.K.

    “Çka ka ndodhur në seancë është e ndaluar është marrë aktvendim. Gjendja është përcjellë nga ana e psikologut ndaj dy të miturve”, tha Skender Musa, avokat i të akuzuarit E.K.

    Sidoqoftë, xhaxhai i të viktimës u shpreh të ketë besim në punën e organeve të drejtësisë.

    Sipas aktakuzës, të dielën e 14 janarit, Lulzim Fejzullahu u rrah rëndë nga dy persona të moshës së mitur. 6 ditë më vonë, më 20 janar, 18-vjeçari vdiq në qendrën klinike universitare, derisa më 1 prill, Prokuroria të dyshuarit i ngarkoi me veprën penale “vrasje e rëndë”.

  • Policët i fituan paditë, por nuk i morën ende rrogat e 13-ta

    Policët i fituan paditë, por nuk i morën ende rrogat e 13-ta

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Mbi një mijë zyrtarë të Policisë së Kosovës e kanë fituar deri tash padinë ndaj qeverisë, për ta marrë pagën e 13-të, për vitet 2018-2021. Mirëpo, asnjë prej tyre nuk i ka marrë këto para, meqë ende nuk i ka ekzekutuar Ministria e Financave.

    Paditë e policëve nisën në nëntorin e vitit të kaluar, bazuar në Udhëzimin Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës. Kjo u nxit edhe nga mendimi juridik që e dha Gjykatës Supreme.

    Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, tha se nga janari i këtij viti janë aktivizuar edhe përmbaruesit, prandaj katër pagat e 13-ta mund t’u dalin së shpejti.

    “Tani më ka ndërhyrë përmbaruesi privat dhe përmes tij do të realizohen këto pagesa, kam informacione se veç është dërguar një listë e cila duhet të ekzekutohet”, tha Zeqiri.

    Ministria e Financave nuk ka kthyer përgjigje për këtë çështje.

    Në anën tjetër, Zeqiri tregon se vlera totale e këtyre pagave për zyrtarët policorë është afër 30 milionë euro. Pjesa më e madhe, sipas tij, tashmë i kanë dorëzuar paditë.

    “Të gjithë pjesëtarët e policisë e kanë të drejtë, mund të themi sa ka ba padi unë mendoj se deri tani shumica kanë bërë padi, është numër shumë i vogël të cilët nuk e kanë adresuar padi në drejtim të gjykatës për të realizuar këtë të drejtë”, tha Zeqiri.

    Udhëzimi Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës i miratuar në 2018, i cili u jep këtë të drejtë policëve, u shkëput njëanshëm nga Qeveria më 2022.

  • Kosova nuk shënon përparim në rrugën drejt demokratizimit

    Kosova nuk shënon përparim në rrugën drejt demokratizimit

    Përgatiti: B. Zeneli/K. Tahiri

    Në rrugën drejt demokratizimit, Kosova nuk ka përparuar në krahasim me vitin paraprak.

    Në këtë aspekt vendi ka mbetur në pozitën e njëjtë, ku në vlerësimin për vitin 2023, nga 7 pikë sa janë maksimale, Kosova vazhdon t’i ketë 3.29 pikë.

    Kështu është vlerësuar në raportin më të ri të organizatës ndërkombëtare, Freedom House për nivelin e demokracisë në disa rajone të Evropës dhe Azisë.

    “Kur vendi është në një situatë konflikti reflekton në vendimmarrje dhe zhvillim të vendit. Pra kur situata është e tillë reflekton edhe në raport me vendet e tjera fqinje dhe BE, sepse nuk mund të nxjerrë rezultate pozitive. Është fat që Kosova nuk ka rënë më poshtë, por vazhdon të jetë në pozitë të njëjtë”, tha Bekim Kabashi, analist.

    “Bashkësia ndërkombëtare ka qenë e hapur dhe e qartë Kosova është nën sanksione të BE-së, Kurti është izoluar nga ShBA në aspektin politik, ka një konflikt të hapur me perëndimin dhe bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo ndikon në zhvillimin e raporteve që kish me interferua dhe brenda”, tha Kabashi.

    Telashet me Serbinë janë përmendur si ndër pengesat kryesore në rrugën e Kosovës përpara.

    Në raport është përmendur, gjithashtu, reagimi i partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës ndaj “qasjes së ashpër të Kurtit në negociatat me Beogradin, dhe mungesën e konsultimeve me komunitetin e serbëve të Kosovës”, që sipas raportit, “i ka komplikuar përpjekjet e Qeverisë për t’u çliruar prej kësaj sfide afatgjatë”.

    “Është me rëndësi që ta marrim këtë gjë si pjesë e problemit dhe jo vetëm si faktorë i jashtëm, sepse problem është te serbët e Kosovës që fatkeqësisht nuk pranojnë të integrohen në institucione dhe të bëhen pjesë e demokracisë së Kosovës. Nuk është problem i Serbisë, por i Kosovës që duhet të adresohet nga institucionet tona me urgjencë. Në raport të Freedom House e kemi një vend si Kosova që është Estonia aty duhet me provu Kosova që me u rangu, sepse Estonia po ashtu ka rrezik nga agresioni rus, kërcënimi është jashtëzakonisht i madh”, tha Jetmir Buja, analist.

    Sa u përket vendeve të rajonit, gjithashtu Shqipëria e Kroacia nuk kanë ndryshuar pozitë, ndërsa Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina kanë shënuar rënie në rrugën drejt demokratizimit.

    Në raport thuhet se Ukraina e ka shënuar përparimin më të madh në procesin e demokratizimit, ndërsa Serbia rënien më të madhe.

  • Hidhet poshtë kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për zëvendësimin e gjykatësit të procedurës paraprake

    Hidhet poshtë kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për zëvendësimin e gjykatësit të procedurës paraprake

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Ekaterina Trendafilova ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për të hequr ose zëvendësuar gjytqtarin e procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

    “Më 8 prill, kryetare Trendafilova rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për të hequr ose zëvendësuar gjykatësin Nicolas Guillou si gjykatës të vetëm”, tha zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle përmes informimit javor.

    Sipas Doyle, kërkesa është bërë mbi bazën se Guillou është betuar si gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe mbrojtja e Thaçit ka argumentuar se pavarësia e këtij gjyqtari cenohet.

    “Kërkesa u bë mbi bazën se gjykatësi Guillou, bëri betimin si gjykatës në GJPN më 8 mars 2024 dhe do të ushtrojë funksionet e tij gjyqësore në GJPN, duke filluar nga 19 gushti 2024. Zotëri Thaçi argumentoi, ndër të tjera, se pavarësia e gjykatësit Guillou cenohet nga fakti që ai përgjigjet para dy gjykatave dhe meqenëse do të përgatitet për të punuar me çështjet që do t’i ngarkohen në GJPN, nuk do të jetë i disponueshëm për të punuar në DhSK”, tha ai, transmeton “Betimi për Drejtësi”.

    Tutje, Doyle theksoi se në vendimin e saj, kryetarja ka konstatuar se nuk ka kompetencë për zëvendësimin e një gjykatësi përveç në disa raste.

    “Përveç nëse gjykatësi nuk është më në gjendje të kryejë detyrat e veta dhe ky nuk është rasti me gjykatësin Guillou, sepse ai do të ushtrojë funksionet gjyqësore në GJPN duke filluar nga 19 gushti 2024”, tha Doyle.

    Zëdhënësi i DhSK-së shtoi se sipas Trendafilovës, Thaçi nuk ka argumentuar se pse është cenuar pavarësia e gjyqtarit Guillou.

    “Dhe se asnjë gjykatës nuk mund të hiqet mbi bazën e pretendimeve të përgjithshme apo abstrakte që nuk janë as të bazuara dhe as të detajuara. Ajo doli në përfundimin se disponueshmëria e gjykatësit Guillou për të ushtruar funksionin si gjykatës i vetëm është aspekt që vlerësohet nga kryetarja dhe është i natyrës administrative dhe jo objekt apelimi prej palëve”, tha zëdhënësi i DhSK-së.

    Doyle shtoi se seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore është planifikuar të mbahet më 22 prill.

    Ndërsa, në javën tjetër (15-18 prill 2024) pritet që të bëhen deklaratat përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

    Në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, deklaratat përmbyllëse do të mbahen nga data 15-18 prill 2024, ku do të fillojë Prokuroria më 15 dhe 16 prill, e pasuar nga deklaratat përmbyllëse të mbrojtësit të viktimave dhe të mbrojtjes. Zotëri Shala gjithashtu do të bëjë një deklaratë pasi të kenë përfunduar parashtrimet e tyre palët dhe mbrojtësi i viktimave. Pasi, kryegjykatësja ta deklarojë çështjen të mbyllur, gjykatësit e trupit gjykues do të kuvendojnë në mënyrë konfidenciale për të dalë me një aktgjykim në lidhje më akuzat në aktakuzë. Aktgjykimi do të shqiptohet brenda 90 ditësh nga mbyllja e gjykimit, përveç nëse rrethanat kërkojnë më shumë kohë”, tha ai.

  • Nëse keni hipertension, shmangni këto tre lloje ushqimesh

    Nëse keni hipertension, shmangni këto tre lloje ushqimesh

    Hipertensioni, ose presioni i lartë i gjakut, prek miliona individë në mbarë botën dhe është një faktor i rëndësishëm rreziku për sëmundjet kardiovaskulare. Ndërsa medikamentet dhe ndryshimet në stilin e jetës mund të ndihmojnë në menaxhimin e hipertensionit, një aspekt kyç që shpesh neglizhohet është dieta. Ushqimi që konsumojmë luan një rol të rëndësishëm në shëndetin tonë të përgjithshëm, dhe kjo përfshin presionin tonë të gjakut.

    Disa ushqime mund ta lehtësojnë gjendjen, ndërsa të tjerat mund ta përkeqësojnë atë.

    Kardiologu Raed Bargout, dietologia Krutika Nanavati, dietologia Susan Schachter dhe dietologia Rhyan Geiger na zbuluan se cilat ushqime duhet të shmangim nëse jemi duke luftuar me hipertensionin.

    Mishi i përpunuar

    Mishi i përpunuar i ushqimeve mund të dëmtojë seriozisht shëndetin kardiovaskular. Sipas Dr. Bargout, mishrat e ushqimeve janë ndër opsionet më të këqija kur bëhet fjalë për presionin e gjakut dhe shëndetin e zemrës. “Mishi i përpunuar i ushqimeve kryeson listën e ushqimeve që mund të rrisin rrezikun e ngjarjeve kardiovaskulare, duke përfshirë sulmin në zemër dhe goditjen në tru”, tha ai për SheFinds.

    Produkte furre si biskota dhe ëmbëlsira

    Nëse na pëlqejnë ëmbëlsirat në vend të ushqimeve të kripura, është e rëndësishme të mbani mend se ato mund të dëmtojnë edhe zemrën. Nanavati thekson se duhet të shmangim produktet e përpunuara të bukës së ëmbël si biskotat dhe ëmbëlsirat nëse duam një zemër më të shëndetshme. Sheqeri mund të çojë në një mori efektesh negative shëndetësore, duke përfshirë presionin e gjakut potencialisht më të lartë.

    Ushqime të ngrira

    Vaktet e ngrira janë disa nga opsionet më të përshtatshme dhe ndonjëherë më të shijshme, por konsumimi i rregullt mund të jetë i keq për shëndetin e zemrës. Geiger thekson se këto vakte zakonisht janë të ngarkuara me natrium, i cili përbën një rrezik të konsiderueshëm kur konsumohet me tepricë.

    Ushqimet e ngrira shpesh përgatiten me konservues dhe përmirësues të shijes për të zgjatur jetëgjatësinë dhe për të përmirësuar shijen.

  • Gjykata Speciale me një tjetër vendim për Haxhi Shalën dhe Sabit Januzin

    Gjykata Speciale me një tjetër vendim për Haxhi Shalën dhe Sabit Januzin

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit për Haxhi Shalën dhe Sabit Januzin.

    Kjo është bërë e ditur gjatë konferencës javore të DhSK-së të enjten (11 prill 2024), raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Paneli i Gjykatës Kushtetuese përbëhet nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti. Më 8 prill, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës”, tha zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle.

    Sipas tij, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka konstatuar se për dy të akuzuarit ekziston rreziku i pengimit të procesit gjyqësor si dhe i arratisjes.

    “Ai konstatoi për të dy të akuzuarit se ekziston ende rreziku i arratisjes, pengimit të procesit gjyqësor si dhe rreziku i kryerjes së krimeve të tjera, veçanërisht duke pasur parasysh se me ecurinë e procesit të nxjerrjes së materialeve, të akuzuarit kanë më shumë qasje në informacione të ndjeshme”, tha ai.

    Ndërsa, në të njëjtën çështje gjyqësore është caktuar edhe paneli i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve për kundërshtimin e ndryshimeve në Rregulloren e Ndihmës Jurdike nga Zyra Administrative.

    “Në çështjen gjyqësore Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala, kryetarja e Dhomave të Specializuara, më 5 prill caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur lidhur me kërkesën referuese të të akuzuarve me të cilën kundërshtojnë ndryshimet në Rregulloren e Ndihmës Juridike nga Zyra Administrative. Paneli i Gjykatës Kushtetuese përbëhet nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti. Më 8 prill, Gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës”, tha Doyle.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

  • Shkon në vend pakoja mbështetëse me mjete ushtarake nga Kosova për Ukrainën

    Shkon në vend pakoja mbështetëse me mjete ushtarake nga Kosova për Ukrainën

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se pakoja e parë mbështetëse për Ukrainën me kamionë dhe automjete ushtarake ka arritur.

    Lajmin e ka bërë të ditur Maqedonci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

    “Shfrytëzoj rastin që t’ju njoftoj këtu që pako e parë mbështetëse me kamionë dhe automjete ushtarake tashme ka arritur në Ukrainë dhe jemi në fazën e përgatitjeve përfundimtare për dërgimin e pakos së dytë mbështetëse”, ka shkruar Maqedonci.

  • Shpallet data e ceremonisë së ndarjes së çmimeve ‘Oscars 2025’

    Shpallet data e ceremonisë së ndarjes së çmimeve ‘Oscars 2025’

    Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në Teatrin Dolby në Los Angeles dhe do të transmetohet sërish drejtpërdrejt në rrjetin televiziv amerikan ABC.

    Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit në SHBA njofton se tapeti i kuq i natës më të madhe filmike të Hollivudit për vitin e ardhshëm do të hapet më 2 mars. Ky do të jetë edicion i i 97-të i çmimeve Oscar.

    Vihet re se ceremonia e këtij viti, e cila pati interes të veçantë për shkak të George Lanthimos dhe Alexander Payne, e cila u zhvillua më 10 mars, është ndjekur nga afërsisht 19.5 milionë shikues, një numër i rritur me rreth 4% krahasuar me një vit më parë, ndërsa është hera e tretë radhazi që tregon rritje të shikueshmërisë.

    Sipas Variety, ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në Teatrin Dolby në Los Angeles dhe do të transmetohet sërish drejtpërdrejt nga rrjeti televiziv amerikan ABC.

    Afati i fundit i paraqitjes për kategoritë e përgjithshme konkurimit është dita e enjte, 14 nëntor. Votimi paraprak për listat e ngushta në dhjetë kategori do të zhvillohet nga data 9 deri më 13 dhjetor, ndërsa rezultatet do të shpallen më 17 dhjetor. Votimi për nominimet është caktuar në datat 8-12 janar 2025 me shpalljen zyrtare më 17 janar.

    Ceremonia e shkëlqyer e Golden Globes 2025, e konsideruar si një pararendëse e Oscars pas nënshkrimit të një marrëveshjeje pesëvjeçare me CBS, do të mbahet më 5 janar.

  • Gjykata Kushtetuese publikon statistikat mujore për vendimmarrjen gjatë muajit mars 2024

    Gjykata Kushtetuese publikon statistikat mujore për vendimmarrjen gjatë muajit mars 2024

    Në përputhje me objektivat e Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese (2021 – 2025) për informimin më të mirë të publikut, në ueb-faqen e Gjykatës është publikuar raporti mujor me statistika dhe përmbledhjen e vendimeve të publikuara gjatë muajit mars 2024.

    Raporti mujor përmban informata të përmbledhura përkitazi me numrin e seancave të mbajtura, numrin e lëndëve të shqyrtuara/zgjidhura, si dhe numrin dhe llojin e vendimeve të publikuara në ueb-faqen e Gjykatës.

    Të dhënat rreth vendimeve të publikuara përmbajnë informata të përgjithshme përkitazi me palën parashtruese, datën e publikimit dhe pretendimet e palëve parashtruese, ndërkaq aktgjykimet e publikuara janë shoqëruar edhe me përmbledhje të shkurtra të vendimmarrjes dhe arsyetimit të Gjykatës.

    Raporti me statistikat mujore për vendimmarrjen e Gjykatës, krahas gjuhës shqipe dhe serbe, publikohet edhe në gjuhën angleze dhe frënge.

    Për të lexuar raportin e statistikave mujore për muajin mars 2024, mund të vizitoni ueb-
    faqen e Gjykatës Kushtetuese www.gjk-ks.org ose të klikoni në linkun në vijim: https://gjk-
    ks.org/vendimet-e-publikuara-gjate-muajit-mars-2024/

  • ​Imazhet e Luftës së Trojës zbulohen në Pompei

    ​Imazhet e Luftës së Trojës zbulohen në Pompei

    Imazhet e Luftës së Trojës janë gjetur në zbulimin e fundit të bujshëm në gërmimet e reja në Pompei, Itali, thanë zyrtarët të enjten.

    Figurat mitologjike, të frymëzuara nga epopeja e Homerit “Iliada”, janë gjetur në të gjithë lavdinë e tyre të mëparshme në muret elegante të lyera me të zeza të një salle mbresëlënëse banketesh në ishullin 10 të Regio IX në qytetin e lashtë romak, të groposura dhe ruajtura nga Vezuvi në vitin 79 pas Krishtit.

    “Pompei është me të vërtetë një thesar që nuk ndalet së na surprizuari dhe duke na shkaktuar habi sepse, sa herë që gërmojmë, gjejmë diçka të bukur dhe domethënëse,” tha ministri i Kulturës Gennaro Sanguliano. /ANSA