ATV

Author: ATVLive

  • Bien çmimet e naftës pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit

    Bien çmimet e naftës pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit

    Çmimet e naftës ranë, pas sulmit hakmarrës të Iranit ndaj Izraelit, gjatë fundjavës. Nafta e papërpunuar Brent – një pikë referimi kyç për çmimet e naftës në nivel ndërkombëtar – është më e ulët, por ende tregtohet afër 90 dollarë për fuçi.

    Çmimet ishin rritur në pritje të veprimeve nga Irani; nafta bruto Brent po i afrohej nivelit më të lartë në gjashtë muaj javën e kaluar.

    Analistët thanë se tregjet do të kërkojnë të shohin se si konflikti mund të ndikojë në zinxhirët e furnizimit global.

    Luhatjet e çmimit të naftës mund të shkaktojnë efekte valëzuese në gjithë botën, për shkak se vendet janë shumë të varura nga produkti, i cili përdoret për të prodhuar lëndë djegëse, si benzina dhe nafta. Çmimet e karburantit dhe energjisë, kanë qenë shtytës kryesor, pas kostos më të lartë të jetesës në mbarë botën në dy vjetët e fundit.

    Kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022, çmimet e naftës u rritën në 120 dollarë për fuçi për shkak të frikës së furnizimit, pasi vendet perëndimore vendosën sanksione ndaj Rusisë, një nga eksportuesit kryesorë të naftës në botë.

    Rritja shkaktoi jo vetëm në çmime më të larta të naftës, por edhe rritje të mallrave të tjerë të panumërt, pasi bizneset rregulluan çmimet, për të mbuluar kostot më të larta.

    Analistët thanë se reagimi i Izraelit ndaj sulmit do të ishte kyç për tregjet globale në ditët dhe javët në vijim.

    Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka thënë se përballja me Iranin “nuk ka përfunduar ende”.

    Në fund të javës së kaluar, çmimi i naftës së papërpunuar Brent arriti në 92.18 dollarë për fuçi, më i larti që nga tetori, por herët të hënën, ai kishte rënë përsëri në rreth 89.70 dollarë.

    Ndërsa çmimet e naftës ranë pak, çmimi i arit u rrit, për të qëndruar pranë niveleve rekord, duke u tregtuar afër 2,400 dollarë për ounce.

    Ari shpesh shihet si një investim i sigurt, në kohë pasigurie dhe u rrit ndjeshëm përpara fundjavës.

    Tregjet e aksioneve në rajonin Azi-Paqësor ranë, ndërsa investitorët peshuan ndikimin e sulmit. Indeksi i aksioneve FTSE 100 i Mbretërisë së Bashkuar, gjithashtu ra në mënyrë margjinale, në fillimin e tregtimit.

    Russ Mould, drejtor investimesh në firmën e investimeve AJ Bell, tha se tregjet e kishin “filluar javën me qetësi relative”.

    Megjithatë, ai tha se çmimet e arit, që mbeten pranë niveleve rekord, sugjerojnë një “nervozim të vazhdueshëm midis investitorëve”.

    “Situata mbetet e ngarkuar dhe përtej implikimeve gjeopolitike dhe humanitare, një konflikt më i përhapur në Lindjen e Mesme, mund të shohë rritje të çmimeve të energjisë dhe të zhbëjë përpjekjet e kujdesshme të bankave qendrore, për të ulur inflacionin”, shtoi ai.

    Irani është prodhuesi i shtatë më i madh i naftës në botë, sipas Administratës së Informacionit të Energjisë së SHBA-së, dhe anëtari i tretë më i madh i kartelit të prodhuesve të naftës OPEC.

    Analistët thonë se një çështje kyçe për çmimin e naftës në vazhdim është nëse do të ndikohet transporti përmes Ngushticës së Hormuzit.

    Ngushtica – e cila është midis Omanit dhe Iranit – është një rrugë thelbësore detare, pasi rreth 20% e furnizimit të përgjithshëm të naftës në botë kalon përmes saj.

    Anëtarët e OPEC-ut, Arabia Saudite, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku, dërgojnë pjesën më të madhe të naftës që eksportojnë përmes ngushticës.

    Të shtunën, Irani kapi një anije tregtare me lidhje me Izraelin, teksa kalonte përmes ngushticës së Hormuzit. / BBC

  • ​Policia jep detaje për vrasjen në Pejë, arrestohet i dyshuari

    ​Policia jep detaje për vrasjen në Pejë, arrestohet i dyshuari

    Një rast tragjik ka ndodhur në Pejë mëngjesin e sotëm ku dyshohet se është vrarë një grua.

    Driton Rugova nga policia rajonale e Pejës, e ka konfirmuar për KP se sot rreth orës 08:15 janë informuar se në rrugën “Bill Clinton”, ka ndodhur një rast dhe se policia me ekipin mjekësor kanë dal në vendin e ngjarjes.

    Sipas tij ekipi mjekësor e ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    “I dyshuari i këtij rasti është arrestuar dhe ndodhet në objektet e Stacionit Policor në Pejë”, ka thënë ai.

  • ​Gjaku që kërkon drejtësi, rrëfime rrëqethëse nga Pokleku

    ​Gjaku që kërkon drejtësi, rrëfime rrëqethëse nga Pokleku

    Muret e shtëpisë bartin peshën e madhe të dëshmisë së terrorit. Fletoret e librat me shënime tregojnë për ëndrrat që mbetën në gjysmë. Rrobat e secilit kanë gjurmët e gjenocidit serb, trupat e të cilëve u bën hi. Muaji prill kujton ditën e tmerrshme të datës 17, ku mbi 50 persona u masakruan dhe u djegën dy herë. Kjo shtëpi është kujtim i rëndë për familjarët, ndërkaq dëshmitarët po jetojnë me pamjet më të tmerrshme. Ata kanë peng se si nuk arritën të shpëtojnë të afërmit, të cilët i panë teksa frymojnë. Pothuajse gjithçka ka mbetur e njëjtë në shtëpinë e familjes Muqolli në Poklek të Drenasi. Lëvizje nuk pati as për drejtësi, përkundër dëshmisë së gjallë të gjenocidit.

    Për 25 vjet me radhë, kujtimet më të freskëta i ka ato të 17 prillit. Leutrimi, i cili atëherë ishte nëntë vjeçar, u mbulua me gjakun e të vëllait brenda dhomës prej 20 metrave katror, ku u vranë me breshëri plumbash.

    “Më 16 prill një ditë para se të ndodh masakra në Doburshevc kanë hyrë serbët, prindi im tha po iu dërgoj në Poklek sepse nga aty me dal më lehtë në Drenas për të ikë në Shqipëri, atë natë kemi ardh në Poklek këtu i kam dajt. Me datën 17 kur jemi zgjuar edhe këtu ishte rrethuar nga ushtria serbe. Ne jemi tubuar të gjithë tek shpija e Sinanit, këtu atë ditë ka pas shumë shi, pastaj jemi bërë të gjithë, kemi dëshiruar që të dalim në Drenas kur kemi mbërri tek xhamia, më kujtohet që dikush u ardh dhe ka thënë që duhet me u kthy dhe e mbaj mend që ka gjuajt”, rrëfen ai mes lotësh.

    Ai pa masakrimin e nënës, vëllezërve dhe bashkëfshatarëve, disa prej të cilëve e ka peng që nuk arriti t’i shpëtonte.

    “Nga atje u ardh një shpejt dhe i ka gjuajt ata xhama jashtë në korridor që të mos kemi mundësi të dalim nga dhoma, u ardh këtu ka thënë që duhet ta mbyllni derën dhe dikush ka qenë te dera dhe ka bërtit me mbyll derën, e kemi mbyll dhe ka gjuajtur një bombë me gaz një herë. Unë di që të gjitha nënat iu kanë gjuajt nënave mbi dhe e di që mua më janë gjuajtur shumë vet, e kanë gjuajtur edhe një, kur ka kërsit ajo tjetra, mua më ka humb vetëdija aty…Pastaj, ata kanë hyrë me kallash, unë në atë kohë më ka ardh vetëdija pak, e kam hap syrin pak dhe kam shikuar por nuk e kam pas askënd përmbi…05:21 e kam pas kokën e vëllait këtu dhe e kam hap syrin prapë kanë gjuajtur, i shkelke se kush është gjallë kur gjuante. Mua ato të plumbave më kanë ra në qaf, kështu ka gjuajtur, ka shikuar të gjithë deri sa e ka menduar që të gjithë janë të vdekur dhe kanë dal nga këtu, kanë shkuar aty ku kanë qenë të vendosur. Këtu ka pas njerëz të gjallë të cilët nuk kemi mundur që t’i shpëtojmë”, tha i mbijetuari”, vazhdon rrëfimin ai për KosovaPress.

    Edhe sot qan për nënën e tij, të cilën nuk arriti ta shoh në momentet e fundit. Çdoherë kujton edhe gjendjen e fëmijëve të cilët vdiqën mizorisht.

    “Unë nënën nuk e kam parë se ku e kam. Kam qarë, e kam dashtë vetëm nënën time por nuk kemi mundur me pa, e kam pa vetëm dy vëllezërit e mi. Këtu ku ka ra bomba të gjithë fëmijët i kanë pas trutë jashtë. Kemi shkuar prapë lartë dhe i kemi pa dy persona duke shkuar poshtë dhe ka thënë Lumja, ne duhet të dalim, tani kemi dal prapa shtëpisë, kemi shkuar te një shtëpi, nuk kanë besuar çka iu kemi treguar e çka na ndodhur. Pastaj Lumja ka thënë ‘me mujt me shpëtuar dikën sepse ka të gjallë por derisa kemi shkuar e kemi parë që i kanë kallë, i ka dalë tymi’”, u shpreh i mbijetuari.

    Një ditë më pas, ishte Leutrimi i cili i tregoi pronarit të shtëpisë se çfarë ndodhi me familjen e tij dhe shumë bashkëfshatarëve të tjerë.

    “Nga mbrëmja kanë ardhur dëshmitarët Elheme Muqolli edhe Leotrimi, na kanë tregu se çka ka ndodh, ka qenë diçka e pabesueshme që ka mundur të ndodh diçka e tillë. Brenga jonë ka qenë se si me hy dhe me i nxjerr. Forcat serbe kanë ardhur të nesërmen në mbrëmje e kanë djeg shtëpinë, edhe ditën tjetër e kanë djeg dhomën dy herë, herën e tretë kanë ardhur, e kanë djeg dhomën dhe të gjithë shtëpinë”, tregon pronari i shtëpisë, Fadil Muqolli.

    Fadili bashkë me ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kishin nxjerrë eshtrat e familjarëve, shumë prej të cilave të bëra hi.

    “Kemi ardhur afër 60 ushtarë, kemi hyrë brenda, e kemi siguruar rreth shtëpisë mos me ardh forcat serbe që të na sulmojnë, e kemi marrë një bateri të veturës një sy të veturës dhe një qebe e kemi mbyll dritaren, e kemi ndez dritën me bateri të veturës dhe kemi filluar me i mbledh eshtrat që kanë qenë të tubuar në dy qoshet e dhomës për t’i zhdukur. Copat e eshtrave kanë qenë diku sa paqeta e cigares i kemi shti në thasë, kemi shkuar në mal, e kemi ndërtuar një bunker dhe i kemi shti aty që kanë qëndrua aty deri pas përfundimit të luftës, kur e kemi bërë varrimin. Babin dhe Ymerin që i kanë ekzekutuar, ata janë kthyer, i kanë djeg ia kanë lidh në trupat e tyre hekura dhe i kanë hedh në bunar”, u shpreh Muqolli.

    Trupat e hedhura në bunar nga forcat serbe, Fadili rrëfen se i kishin tërhequr me litarë. Ai nuk befasohet nga Serbia për terrorin që bëri në shtëpinë e tij.

    “Babin dhe Ymerin që i kanë egzekutuar, ata janë kthye i kanë djeg dhe ia kanë lidh në trupat e tyre hekura dhe i kanë hedh në bunar, ne kemi kërkuar sepse dëshmitarët kanë tregu se i kanë vra në këtë vend, aty nuk i kemi gjetë, kam shkuar aty ku i kanë ekzekutuar dhe i kanë djeg, e kam gjet orën e gjepit të babit që edhe sot e kam dhe i kemi kërkuar në shtëpi mos i kanë gjuajt diku apo i kanë gropos, mirëpo një ushtar ka shkuar me shikuar në bunar ka qenë disa shkumë të bardhë dhe tha këtu janë, e kemi gjet një litarë e kemi lidh një ushtar në trup dhe e kemi leshu poshtë, i ka pa, i ka lidh me një litarë tjetër dhe i kemi nxjerr dhe i kemi varros në mal”, tregon Mulliqi.

    E gjithë të vratët që më pas janë djegur, po qëndrojnë në një arkivol.

    “Në varrezën ku janë 51 persona është në një arkivol sepse ka qenë e pa mundur t’i selektojmë, me i nda në atë dhomë kanë qenë fillimisht.. 59 persona kur kanë ardh i kanë marrë babin dhe Ymerin, i kanë qit jashtë, i kanë vra, kanë mbet 57 pas ekzekutimet, pas krejt atij gjenocidi nga ajo dhomë kanë dal gjashtë persona që sot janë pesë një ka ndërruar jetë mbas lufte. .. Ne nga Serbia e kemi prit, kemi qenë të përgatitur psiqikisht sepse e kemi parë se çka ka bërë në Kroaci e në Bosnje, mirëpo nuk e kemi prit në këtë masë dhe në këtë mënyrë dhe mos me u kursye as foshnja 6 muajsh, ne nuk e kemi prit, mirëpo kjo ka ndodh, ne jemi të zhgënjyer me drejtësinë ndërkombëtare deri në funde”, shton ai më tej.

    Shtëpia tri-katëshe në Poklek të Drenasit po ruan gjurmët e krimit. Fadil Muqolli i cili humbi 13-anëtarët e familjes, tregon për dëshmitë që kanë mbetur brenda katër mureve.

    “Këtu i kemi vendosur librat e motrës, ka qenë në klasë të tretë, çika e axhës ka qenë studente, Zarifja, ka ardhur një javë para se me ndodh masakra dhe u vra këtu. Këtu janë librat e Shehides dhe të dy djemve të Naserit dhe Ylberit, çanta e djemve, këto janë gjërat që kanë qenë brenda në shtëpi. Këtë karrige ia kam marrë vajzës kur ka qenë e vogël… Këtë vizatim forcat që e kanë krimin është një figure e njeriut dhe emrin e ka shkruar këtu por prapë e ka fshi… Këto janë fotografitë e dhomës ku është përfunduar masakra, këtu është arkivoli i 51 personave, ajo është shkrimi i vajzës”, tha Muqolli.

    Fjalë më të mira nuk ka as për drejtësinë ndërkombëtare, që sipas tij, po bëjnë shkelje të madhe. Muqolli ende jeton me kujtimet e 13 anëtarëve të familjes.

    “Institucionin për drejtësi që është në Kosovë, unë thash më herët që nuk i besoj drejtësisë ndërkombëtare sepse është fsheh krimi, departamentit për krime lufte që është në Kosovë, unë nuk pranoj që me dokumente që janë prodhuar nga UNMIK-u dhe EULEX në dosjen e holokaustit në Poklek, ata nuk i pranoj me ato dosje të punojnë rreth kësaj masakre sepse ata vetëm drejtësi nuk kanë bërë, kanë fsheh, kanë bërë pazare se ata duhet ta thonë se çfarë pazare kanë bërë se të fsheh një holokaust, ku janë djeg 23 fëmijë, nga foshnja 6 muajsh deri në moshën 13 vjeçare, kjo nuk dëshiron koment, andaj e them me bindje të plotë se me ato dosje unë nuk i pranoj dhe nuk bashkëpunoj rreth kësaj masakre”, u shpreh Muqolli.

    Derisa gjaku nuk është tharë ende në muret e shtëpisë ku ndodhi masakra më e madhe, Muqolli kërkon drejtësi për familjen e tij.

    “Më 21 prill kam ardhur, kam hy në podrum me Nehat Sylejmanin, kur e kam hap derën, ajo dera ka qenë ngjit, kur kam hy brenda, kam shkel si në ujë dhe e kam ndez dritën, kam shikuar sepse nuk ka qenë me ujë, kur e kam ndez dritën ka qenë e gjitha me gjak. Këtu ka qenë duke pik gjaku, dhe këtu në muri ka qenë gjak deri në tokë. Ky gjak është duke i pritur për atë drejtësi që fola”, tregonte Muqolli për atë që ka parë.

    Atij kujtim i kanë mbetur edhe flokët e djalit, katër vjeçar, të cilin ia vranë forcat serbe.

    “Këto janë rrobat e familjes sepse atë ditë ka qenë një ditë me shi kur janë ardhë që janë kthye nga Drenasi, i kanë ndërruar rrobat e lagura dhe i kanë vesh të terura, këtu janë rrobat e tre djemve të mi, këto janë rrobat e gruas, këtu janë pantallonat që i kanë pas atë ditë që i kanë ndërruar, kjo është xhaketa e motrës, ka qenë e plagosur në dorë dhe nuk ka pranru me dal nga shtëpia. E kam pas djalin 4 vjeç i ka pas flokët e gjata dhe ia kam prerë kur ka filluar lufta, pasi që ia kam prerë i kam ruajt flokët, dhe flokët i kam në arkivol që i kanë ruajtut”, përfundon Muqolli.

    25 vjet më parë, në Poklek të Drenasit u vranë, u masakruan dhe u djegën 53 shqiptarë. Prej tyre 23 fëmijë, 12 vajza, dy djemë, 14 gra, e dy burra.

  • ​Gjuajtje me armë në mes dy grupeve në Gjakovë

    ​Gjuajtje me armë në mes dy grupeve në Gjakovë

    Mbrëmë pas një mosmarrëveshje në mes të dy grupeve, të njëjtit janë gjuajtur me armë ndërmjet vete. Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin është identifikuar një i dyshuar: E. B., i lindur në vitin 1995 mashkull kosovar, mbi dyshimin se i njëjti ishte i përfshirë në këtë incident.

    Sipas Policisë, i dyshuari në fjalë, sot është vetë dorëzuar në polici dhe po ashtu ka dorëzuar një armë zjarri e cila dyshohet të jetë përdorur në rast.

    I dyshuari është interivistuar në prani të avokatit mbrojtës. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit i njëjti është ndalur në mbajtje, ndërsa hetimet janë duke vazhduar në drejtim të arrestimit edhe të tre të dyshuarve të tjerë.

  • ​Gruaja sulmohet nga dy qenë dhe pëson lëndime, pronari intervistohet

    ​Gruaja sulmohet nga dy qenë dhe pëson lëndime, pronari intervistohet

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 15 prill në fshatin Brod në Shtërpcë një grua është sulmuar nga dy qenë dhe si pasojë është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime.

    Viktima sipas policisë ka pranuar tretman mjekësor.

    “Lidhur me rastin, është intervistuar i dyshuari mashkull kosovar pronar i qenve dhe me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • ​Një person kanoset përmes telefonit nga persona të panjohur, rasti në hetime

    ​Një person kanoset përmes telefonit nga persona të panjohur, rasti në hetime

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një person në Leposaviq është kanosur së bashku me familjen e tij përmes telefonit nga persona të panjohur.

    “Lidhur me rastin është njoftuar prokurori teksa rasti i nënshtrohet procedurave hetimore”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • ​Barcelona-PSG, formacionet e mundshme

    ​Barcelona-PSG, formacionet e mundshme

    Barcelona do të jetë pa Andreas Christensen dhe Sergi Roberton për takimin e tyre në Ligën e Kampionëve me Paris Saint-Germain që zhvillohet sot. Kampionët e La Ligës kanë një avantazh të vogël pas një fitoreje me rezultat 3-2 në kryeqytetin francez javën e kaluar, por mirëpresin PSG- në pa dy prej lojtarëve më të rëndësishëm.

    Për PSG-në, lajmi kryesor është se Achraf Hakimi tani është kthyer nga pezullimi që e përjashtoi atë në ndeshjen e parë. Si rezultat, Marquinhos mund të kthehet përsëri në qendër të mbrojtjes, transmeton kp.

    Ndeshja nis nga ora 21:00 dhe këto janë formacionet e mundshme:

    Barcelona: Ter Stegen; Kounde, Araujo, Cubarsi, Cancelo; Pedri, Gundogan, De Jong; Yamal, Lewandowski, Raphinha

    PSG: Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Beraldo, Hernandez; Zaire-Emery, Ruiz, Vitinha; Dembele, Ramos, Mbappe

  • ​Championsi mëson sot dy gjysmëfinalistët e parë

    ​Championsi mëson sot dy gjysmëfinalistët e parë

    Do të mësohen sot dy gjysmëfinalistët e parë të Ligës së Kampionëve, garës më prestigjose evropiane në nivel të klubeve. Dy duelet që do të zhvillohen sonte, Borussia Dortmund-Atletico Madrid dhe Barcelona-Paris-Saint-Germain do të japin dy klubet që më pas do të luftojnë për një biletë në finalen e madhe të kësaj gare.

    Në ndeshjen e parë, Dortmundi pësoi disfatë nga Atletico me rezultat 2-1 në Spanjëi, duke lënë kështu gjithçka të hapur për ndeshjen e sotme që zhvillohet në Gjermani, raporton KosovaPress.

    Ballafaqim tejet i zjarrtë pritet të jetë ai që zhvillohet në Camp Nou, aty ku ndeshjen Barcelona dhe PSG. Pesë gola u shënuan në ndeshjen e parë, me fitoren që i takoi katalanasve me rezultat 3-2.

    Të dy ndeshjet nisin nga ora 21:00.

  • Vrasje në Pejë: Dyshohet se burri vrau gruan

    Vrasje në Pejë: Dyshohet se burri vrau gruan

    Një vrasje dyshohet se ka ndodhur në Pejë.

    Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

    Nikçi tha se personi i dyshuar ndodhet në statcion policor, dhe prokurori i rastit është në vendin e ngjarjes.

    Tutje ai tha se arma e zjarrit është kofiskuar.

  • ​Vazhdon Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

    ​Vazhdon Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

    Edicioni i dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën organizimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani do të mbahet edhe sot në Prishtinë, në kohën kur paqja dhe siguria sulmohen në pjesë të ndryshme të botës, ku gratë dhe vajzat janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

    Ky edicion po mirëpret pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete botërore me rreth një mijë pjesëmarrës.

    Forumi WPS 2024 ka sjell liderë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndikues, të rinj dhe grupe të tjera të interesit së bashku në zemër të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat aktuale globale të paraqitura në agjendën e WPS gjatë kohërave të pasigurta, si dhe për të elaboruar rëndësinë e kësaj agjende për paqen e qëndrueshme.

    Ky edicion i forumit do të fokusohet ekskluzivisht në ndërtimin e përpjekjeve të përbashkëta për të trajtuar dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, si dhe në identifikimin e mjeteve dhe politikave për të ndihmuar gratë dhe vajzat të lundrojnë më të sigurta në kohën e kërcënimeve gjithnjë në rritje të sigurisë klimatike.

    Objektivi i forumit është të adresojë kërcënimet historike për sigurinë e grave së bashku me sfidat e reja të sigurisë, me qëllimin përfundimtar për të bashkuar forcat për të avancuar më tej agjendën e WPS.

    Si iniciativë e presidentes Osmani, ky forum përfaqëson një nga angazhimet në anën e institucioneve të Kosovës për Samitin për Demokraci dhe do të shërbejë për shkëmbimin e praktikave më të mira, si dhe për zhvillimin e strategjive dhe hartimin e kornizave të reja veprimi në vazhdën e një arkitekture gjithnjë në ndryshim të sigurisë dhe paqes në Evropë dhe përtej.

    Agjenda e forumit për ditën e dytë:

    Dita e dytë e punimeve nis me tryezën e rrumbullakët: Nga legjislacioni në veprim: Parlamentarët në ballë të agjendës së WPS (08:15-09:15), për të vazhduar me “Mendoj për ty” nga Alketa Xhafa Mripa me praninë e presidentes Osmani, një ftesë e hapur për të gjithë për t’iu bashkuar nismës kushtuar adresimit dhe sfidimit të stigmave që rrethojnë dhunën seksuale në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, Medica Kosova, Medica Gjakova & Qendra për Promovim të të Drejtave të Grave (09:30-09:45), Zërat e Trimërisë: Gratë e Rezistencës së Kosovës (10:20-11:20), Zgjidhjet revolucionare klimatike për komunitetet e vijës së parë (11:30-12:30, salla Beethowen), Formësimi i rrëfimeve, rritja e ndërgjegjësimit dhe promovimi i llogaridhënies – roli i medias në adresimin e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin (11:30-12:30, salla Strauss 1), Ngjarja anësore: Udhëtimi i të mbijetuarve meshkuj nga lufta trauma për t’i dhënë fund heshtjes (11:30-12:30, salla Strauss 2), Refugjatët, ndryshimet klimatike dhe dhuna seksuale: Adresimi i dobësive dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë (12:45-13:45, salla Strauss 1), Sigurimi i mbrojtjes për gratë mbrojtëse të të drejtave të njeriut në kohën e konfliktit (12:45-13:45, salla Strauss 2), Rimendimi i sigurisë përmes financimit adekuat: Përparimi qasje efektive për të trajtuar kërcënimet e sigurisë (15:15-16:15, salla Strauss 1), Siguria e klimës: Si të adresohen sfidat klimatike duke vendosur gratë në zemër të proceseve të sigurisë? (15:15-16:15, salla Strauss 2), Ngjarja anësore: Gratë e Afganistanit (15:15-16:15, salla Verdi).

    Ceremonia e mbylljes së WPS 2024 – Udhëzime të reja për Agjendën e grave, paqes dhe sigurisë (WPS): Çfarë vjen më pas, ora 16:30-17:30.