ATV

Author: ATVLive

  • ​Bellingham tregon sekretin e Realit për ta mposhtur Cityn

    ​Bellingham tregon sekretin e Realit për ta mposhtur Cityn

    Jude Bellingham zbuloi salcën sekrete të Real Madridit për të mposhtur Manchester Cityn pasi “Los Blancos” kaluan ën gjysmëfinale pas ekzekutimit të penalltive në “Etihad”.

    Pavarësisht se Manchester City dominoi me posedimin e topit dhe kontrollin e lojës në ndeshjen e dytë, Real Madridi tregoi elasticitetin e tij për t’iu përmbajtur ndaj sulmeve të skuadrës angleze dhë në fund bën një tjetër hap të madh në këtë kompeticion.

    Ndërsa fliste për çelësin e suksesit të Real Madridit, Bellingham tha për “TNT Sports” se të mposhtësh kampionin në fuqi është një arritje shumë e madhe, përcjellë KosovaPress.

    “Është lehtësim. Ti ke dhënë aq shumë në lojë, unë kam luajtur më parë kundër Cityt kur je afër dhe mendon se do të marrësh diçka dhe më pas ata e rrëmbejnë atë. Unë isha i vdekur në këmbë në fund të lojës, kështu që është një shpërblim i madh. Është shumë e vështirë të mbash fokusin, ata të lëvizin dhe të vendosin në pozicione ku nuk dëshiron të jesh. Ju duhet ta shihni fanellën e Realit si një përgjegjësi, jo një presion. Duhet të jeni të gatshëm të jeni nën vëzhgim dhe në qendër të vëmendjes. Nëse jeni këtu do të thotë që mund ta përballoni atë, kështu që besoni në proces. Është e pabesueshme t’i eliminosh kampionët në fuqi. Sot ka të bëjë me mentalitetin, vrapimin e lojtarëve”, tha Bellingham.

    Sezoni debutues i Bellinghamit në Spanjë mund të kulmojë me një arritje të jashtëzakonshme, me klubin që gjithashtu konkurron për titullin në La Liga. Duke reflektuar mbi vendimin e tij për t’u bashkuar me Real Madridin, Bellingham lavdëroi menaxherin Carlo Ancelotti për rolin e tij në integrimin e ekipit në një njësi kohezive dhe në të njëjtën kohë duke u dhënë lojtarëve lirinë e tyre shumë të nevojshme.

    “Nuk mund ta ëndërroja kurrë, jo vetëm golat, por ndjenjën e të luajturit për klubin çdo ditë, distinktivi në gjoksin tënd çdo ditë është i mahnitshëm dhe shpresoj se do të ketë më shumë netë si kjo”, tha ai.

    “Ne kishim disa role të ndryshme sonte në skuadër, por duhet të bëni rregullime dhe sakrifica në lojën tuaj. Forca jonë më e madhe është se Ancelotti gjen një mënyrë për t’i lënë djemtë të luajnë lirshëm. Ekipet e tjera janë të strukturuara me modelet e tyre të lojës, por ne jemi ndryshe. E kapa atë duke u menduar para ndeshjes dhe ai tha duhet të shkosh dhe të më emocionosh. Kjo është qetësia që ai sjell”, shtoi anglezi.

    Duke parë përpara ndeshjen e ardhshme gjysmëfinale kundër Bayern Munich, Bellingham shprehu besimin në aftësinë e Real Madridit për të ruajtur formulën e tyre të fitores.

    “Ne nuk kemi asgjë për t’u shqetësuar me Bayernin, por ne i respektojmë ata dhe do t’i qasemi njësoj si sot”.

    Megjithatë, para se të luajnë me Bayernin, Madridi ka një përplasje në El Clasico me Barcelonën për t’u përballur në fundjavë në La Liga.

  • Kryhet një intervenim i madh kirurgjik te një pacient 61-vjeçar me tumor në Spitalin e Pejës

    Kryhet një intervenim i madh kirurgjik te një pacient 61-vjeçar me tumor në Spitalin e Pejës

    Në javën e fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, është kryer me sukses edhe një intervenim i madh kirurgjik.

    Sipas njoftimit, ky operim kompleks është kryer tek një pacientë 61 vjeçar ku është intervenuar për një tumor të kokës të pankreasit, përmes metodës: pancreaticoduodenectomy : PEJA- procedure për sec A.Recordare, e patentuar me këtë emërtim për shkak për shkak të metodës unike që kryhet nga Kirurgu Italian Alfonso Ricordare dhe ekipi i Mjekëve të Spitalin e Pejës.

    “Intervenimi është kryer nga ekipa e Kirurgëve Dr. Alfonso Recordare, Dr.Fazli Shala , Dr.Rifat Dreshaj dhe anesteziologet Dr.Emine Shala dhe Dr.Ardita Nushi. Ky intervenim kirurgjik është vazhdimësi e gjatë e bashkëpunimit profesional në mes të kirurgëve të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe Kirurgëve nga Italia me qëllim të përfitimit te njohurive dhe shkathtësive kirurgjike për procedurat e komplikuara kirurgjike. Këto intervenime kërkojnë kosto te mëdha, prandaj kryerja e këtyre intervenimeve në Institucionet tona shëndetësore siç është rasti në Spitalin Përgjithshëm në Pejë është një ndihmesë tepër e madhe për pacientët. Një falënderim i madh shkon edhe për ekipin mjaft te përgatitur të teknikëve të Anestesionit dhe Instrumentareve të cilët nuk hezituan të punojnë në ditë vikendi vetëm me qëllimin që të kontribuojnë në kryerjen e këtij operimi dhe operimeve të ngjashme për pacientët tonë. Gjendja e pacientit të operuar është e mirë”, thuhet në njoftim.

  • Drejtoi veturën pa regjistrim 4 vjet, policia gjobit shoferin

    Drejtoi veturën pa regjistrim 4 vjet, policia gjobit shoferin

    Policia në Ferizaj ka ndaluar shoferin me iniciale B.S., i moshës 44-vjeçare në fshatin Babush, i cili po drejtonte veturën me afat të skaduar të regjistrimit që nga data 07.08.2020.

    Sipas njoftimit të policisë, ndaj tij është shqiptuar një gjobë kundërvajtëse prej 200 euro dhe iu konfiskua vetura.

    “Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelojmë tek shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacion, të mos drejtojnë automjetet e tyre më afat të skaduar të regjistrimit , ndërsa ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë”, thotë policia tutje në njoftim.

  • Knaus: Kosova ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese, para votimit në maj

    Knaus: Kosova ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese, para votimit në maj

    Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se votimi pro Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, është “sinjali më i fuqishëm i mundshëm” që mori vendi në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë.

    Por, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se qeveritë e shumë shteteve nuk kanë vendosur ende se si do të votojnë në maj – kur pritet vendimi përfundimtar.

    Andaj, Kosova duhet të bëjë disa “befasi pozitive” në javët e ardhshme, thotë ai.

    “Këshilla ime do të ishte ta dërgonte draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese”, thotë Knaus, ndër të tjera.

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi mbrëmjen e së martës pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Megjithatë, disa deputetë theksuan se vendi duhet të ndërmarrë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përpara votimit përfundimtar në maj.

    Knaus thotë se themelimi i këtij asociacioni “pa pjesëmarrjen e atyre për të cilët bëhet, nuk është i mundur”.

    “Pra, duhet të jemi të drejtë – ka gjëra që Qeveria e Kosovës mund t’i bëjë dhe ka gjëra që nuk mund t’i bëjë”, thotë ai, organizata e të cilit ka publikuar së voni një dokument për rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës./rel

  • EuroActiv zbulon kërkesën e QUINT-it dhe BE-së për Kosovës para anëtarësimit në KiE

    EuroActiv zbulon kërkesën e QUINT-it dhe BE-së për Kosovës para anëtarësimit në KiE

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës gjatë ditës së martë ka rekomanduar që Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate. Në një artikull pas këtij zhvillimi, mediumi “EuroActiv” shkruan në lidhje me përkushtimin e Kosovës që ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

    Aty përmendet që para seancës së Asamblesë, u dorëzuan disa amendamente, shumica nga Serbia, megjithatë, shkruhet edhe për “surprizën” nga Italia.

    Sipas amendamentit të Italisë, aplikimi i Kosovës duhej shtyrë deri në implementimin e të gjitha pikave nga Marrëveshja e Brukselit dhe asaj të Ohrit, duke përfshirë këtu edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Sidoqoftë, opinion i miratuar potencon se Asociacioni duhet të jetë një “përkushtim pas anëtarësimit” dhe se raportuesja Dora Bakoyannis potencoi në fjalimin e saj hapës që Asociacioni “është i paarritshëm për momentin”.

    Sipas mediumit, një burim me dijeni nga diskutimet pas dyerve të mbyllura, ka thënë që ministrat mund të insistojnë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të rreshtohet me shtetet e QUINT-it dhe BE-në për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por se “Kurti është shumë krenar për t’u pajtuar”.

    Megjithatë, ky burim ka shtuar se vetëm bisedimet për anëtarësim në KiE gjatë kësaj jave, janë një “fitore simbolike dhe shuplakë në fytyrë për Vuçiqin e Putinin”.

    Me 131 vota pro, 29 kundër dhe 11 mbetën abstenime, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi raportin e Dora Bakoyannis që fton KiE-në të pranojë Kosovën si anëtare të saj, duke shënuar një hap tejet të rëndësishëm drejt anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

    Pas kalimit në Asamble, Kosova tani pret rezultatin e votimit në Këshillin e Ministrave të Jashtëm për t’u bërë anëtare e plotë në KiE.

  • 33 shkolla refuzojnë mbajtjen e votimit në veri

    33 shkolla refuzojnë mbajtjen e votimit në veri

    Drejtorët e tridhjetë e tre shkollave në veri nuk kanë pranuar t’i japin për përdorim objektet shkollore për mbajtjen e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, tha të mërkurën kreu i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Burim Ahmetaj.

    Votimi për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviqit, Zveçan dhe Zubin Potok – do të mbahet më 21 prill, duke u bazuar në një udhëzim administrativ të Qeverisë së Kosovës.

    Duke folur të mërkurën në një mbledhje të KQZ-së në Prishtinë, Ahmetaj tha se në përgjithësi, 33 shkolla kanë refuzuar të ofrojnë qasje në objektet e tyre për procesin e votimit.

    Shkollat në veri të vendit funksionojnë sipas sistemit të dirigjuar nga Beogradi. Në zgjedhjet e prillit 2023, KQZ-ja kishte instaluar kontejnerë, që shërbejnë si qendra votimi, pasi nuk ishte lejuar hapja e shkollave si qendra të rregullta votimi.

    Ai theksoi se vetëm 10 shkolla në të gjitha katër komunat në veri kanë thënë se mund të përdoren për procesin e votimit të muajit të ardhshëm.

    Nga 18 qendra të votimit në Leposaviq, tha ai, vetëm tre prej tyre janë të qasshme, ndërsa “15 të tjera, drejtorët kanë refuzuar t’i japin për përdorim për procesin e votimit”.

    “Në komunën e Zubin Potokut, nga 12 qendra të votimit të miratuara, dy pre tyre janë të qasshme, por 10 të tjerat drejtorët e shkollave kane refuzuar t’i japin për përdorim. Në komunën e Zveçanit, nga gjashtë qendra të votimit të miratuara, dy prej tyre janë të qasshme dhe katër të tjera kanë refuzuar. Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut janë shtatë qendra, tri prej tyre janë të qasshme, ndërsa katër të tjera kanë refuzuar”, shtoi ai.

    Ai tha se Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “është duke punuar intensivisht” për gjetjen e lokacioneve të reja alternative që do të shërbejnë si qendra të votimit për ditën e votimit më 21 prill.

    “Ligji i detyron këto komuna dhe drejtorët e shkollave t’i japin për përdorim këto objekte publike për procesin e votimit”, theksoi ai.

    Aktualisht, në këto komuna janë në pushtet kryetarët shqiptarë, të cilat i kanë fituar zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill të vitit 2023.

    Kjo çështje ngriti tensione në vitin 2023, të cilat nxitën bashkësinë ndërkombëtare të insistojë për shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale.

    Megjithatë, tani është e diskutueshme nëse votimi i ardhshëm për zëvendësimin e kryetarëve do të jetë i suksesshëm, për shkak se partia më e madhe e serbëve në Kosovë – Lista Serbe – ka vendosur të tërhiqet nga i gjithë procesi, ndonëse më parë e ka mbështetur atë.

  • Fillon ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të Policisë së Kosovës

    Fillon ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të Policisë së Kosovës

    Me një minutë heshtje për policët e rënë në detyrë, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës, raporton ATV.

    Në këtë ceremoni po marrin pjesë personalitete të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë që do të diplomojnë dhe eprorë të Policisë së Kosovës.

    Pas ceremonisë do të shpërndahen edhe certifikatat për 445 kadetët e diplomuar. /atvlive.tv

  • ​Guardiola: Urime Real Madridit

    ​Guardiola: Urime Real Madridit

    Pep Guardiola ka thënë se ai nuk ka asgjë për t’u penduar pasi Manchester City u eliminua nga Liga e Kampionëve duke u mposhtu nga Real Madridi pas ekzekutimit të penalltive.

    City dominoi lojën, duke barazuar me Kevin De Bruyne në minutën e 76 -të , por nuk mundi ta fitonte në kohën normale dhe në shtesë, duke bërë kështu që penalltitët të kishin rolin vendimtar.

    Reali kalon në një përballje gjysmëfinale me Bayern Munich, me Cityn e mbetur në përpjekje për të siguruar dy dituj, në Premier League dhe FA Cup., transmeton KosovaPress.

    “Unë do të kisha preferuar të fitoja, sigurisht, por urime për Real Madridin , ata u mbrojtën shumë mirë me një solidaritet të tillë. Ne bëmë absolutisht gjithçka – nuk jam penduar. Luajtëm jashtëzakonisht mirë në të gjitha repartet, por fatkeqësisht nuk mundëm të fitonim”, tha Guardiola pas ndeshjes.

    “Më duhet t’u them faleminderit këtyre lojtarëve nga thellësia e zemrës sime për mënyrën se si ata luajtën. Por futbolli ka të bëjë me fitoren dhe ne nuk bëmë mjaftueshëm, por ishim të jashtëzakonshëm. Ndonjëherë mund të fitosh me penallti dhe ndonjëherë nuk mundesh. Por në lojë ne nuk i konvertuam rastet që kishim, edhe pse u mbrojtëm me të vërtetë. Të gjithë performuan në një nivel të lartë. Ne thamë se duhet të jemi në maksimumin tonë”, theksoi Guardiola.

    “Tani duhet të shohim përpara se çfarë do të vijë në sezon. Nuk kemi shumë kohë për të pushuar. Është një pjesë e ngarkuar e sezonit. Tani është koha për të qenë të fortë, veçanërisht në kokë. Jemi ende në dy gara të rëndësishme”, shtoi ai.

  • ​Përkujtohen dëshmorët dhe martirët në Prishtinë

    ​Përkujtohen dëshmorët dhe martirët në Prishtinë

    Ditët e 17,18,19, 20 dhe 21 prillit të vitit 1999, për shumë familje dhe qytetarë të trevave të Llapit e Gollakut që kishin marrë rrugën e shpëtimit përmes fshatrave Koliq, Grashticë, Makoc e Llukar, për shumëkënd u shndërruan në ditë tmerri e krimi të paparë.

    Ushtria policia dhe paramilitarët serb në pritën që u kishin bërë, vranë dhe masakruan më se 124 qytetarë, në mesin e tyre fëmijë, vajza, djem, gra e pleq.

    Për nder të Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të bëjë homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe do të marr pjesë në Akademinë Përkujtimore e cila do të mbahet në Pallatin e Rinisë.

  • ​Evropa shënon ditën për të Drejtat e Pacientit

    ​Evropa shënon ditën për të Drejtat e Pacientit

    18 prilli njihet si Dita Evropiane për të Drejtat e Pacientit, ku në këtë ditë synohet të sensibilizohen pacientët, institucionet shëndetësore dhe ligjvënëse, që të formulohet dhe miratohet Karta e Pacientit.

    Gjithashtu, të punohet edhe për njohjen dhe zbatimin e saj nga personeli mjekësor.

    Të drejtat bazë të pacientëve të njohura ndërkombëtarisht afirmojnë dhe garantojnë ushtrim efektiv të tyre nga individët për mjekësinë parandaluese, aksesin në shërbime, informacionin, pëlqimin, zgjedhjen e lirë, jetën private dhe konfidencialitetin, respektin për kohën e pacientëve, të drejtën për t’u ankuar dhe për të marrë dëmshpërblim, etj.