ATV

Author: ATVLive

  • BE: Rezultatet në dialog s’janë dështim i Lajçakut, por i Kosovës dhe Serbisë që nuk e mbajtën fjalën

    BE: Rezultatet në dialog s’janë dështim i Lajçakut, por i Kosovës dhe Serbisë që nuk e mbajtën fjalën

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se roli i tyre në dialogun Kosovë-Serbi është që ta lehtësojnë atë dhe t’u ndihmojnë palëve të sillen si evropianë, por sipas tij fakti që Kosova dhe Serbia nuk ishin në gjendje ta bënin këtë nuk është përshkak të dështimit të BE-së, por për shkak të dështimit të tyre që nuk e mbajtën fjalën.

    “Cilat janë mësimet që kemi mësuar? Ka një mësim të qartë, që nëse palët nuk duan të lëvizin, askush nuk do të mundet t’i detyrojë ata. Roli ynë si lehtësues në dialogun Kosovë-Serbi, është që të lehtësojmë, ndihmojmë që të bëhen evropianë, t’i ndihmojmë të fillojnë që të sillen në mënyrë evropiane dhe të gjenden zgjidhje kompromisi në çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti që nuk ishin në gjendje ta bënin këtë deri tani dhe të lëvizin përpara në procesin e normalizimit nuk është për shkak të dështimit të pretenduar të BE-së si lehtësuese, por është për shkak të dështimit të tyre që të mbajnë fjalën. Do të mbërrijmë aty, përtej mandatit të një emisari special”, tha ai.

    Stano në deklaratën për media tha se rezultatet e deritanishme nuk mund të paraqiten si dështim i emisarit Miroslav Lajçak, pasi siç tha zëdhënësi i BE-së, ai ka bërë më të mirën si përfaqësues i lartë i BE-së, me mbështetjen e 27 vendeve anëtare.

    “I dërguari special ishte një instrument i ri dhe specifik gjatë mandatit të këtyre institucioneve. Në të kaluarën nuk ka pasur. Përfaqësuesja e lartë e ka bërë këtë punë vetë, në dy mandatet e kaluara, por kjo ishte një shenjë se sa shumë vëmendje po i kushtonim kësaj çështjeje dhe se sa shumë donim të ndihmojmë, duke caktuar, me vullnetin e 27 shteteve anëtare, një person që specifikisht po merrej me ndihmën e Serbisë e Kosovës që të lëvizin përpara, në baza ditore. Kështu që nuk është e vërtetë që mund të paraqiten rezultatet e deritashme si dështim i zotit Lajçak. Ai ka bërë më të mirën në emër të përfaqësuesit të lartë dhe BE-së, me mbështetjen e plotë të 27 vendeve të BE-së”, tha Stano.

    Sipas tij, nuk është korrekte të thuhet se ka dështim për faktin se palët nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjet e Ohrit, pasi siç tha ai kjo marrëveshje është ligjërisht e obligueshme.

    Stano tha se nëse nuk bëhen hapa drejt implementimit të saj, Serbia e Kosova i bëjnë dëm vetes, dhe se qytetarëve e vendeve të tyre nuk mund t’i gëzojnë përfitimet.

    “Nuk është faktikisht korrekte të thuhet se ishte dështim, për faktin se dy palët nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit. Me dhjetëra herë kemi sqaruar se nuk ka pasur pikëpyetje për nënshkrimin. Kjo marrëveshje është ligjërisht obligative, dhe nuk ka sqarim më të mirë të faktit se është ligjërisht obligative, pasi që është bërë pjesë integrale e rrugës drejtë anëtarësimit si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Kështu që nuk bëjnë hapa drejt implementimit, ata i bëjnë dëm vetes, të ardhmen evropiane dhe përfitimet që qytetarët e tyre do të mund t’i gëzonin”, tha ai.

    Stano tha se Lajçak po vazhdon përpjekjet e tij, e ai po i kushton kohën dhe energjinë e tij me takimet që po zhvillon për të zgjidhur çështjen e fundit siç është dinari.

    “Kështu që ne do të vazhdojmë, BE-ja ka një mandat të përcaktuar ndërkombëtar, përfaqësuesi i lartë i BE-së është lehtësuesi, pavarësisht nëse emri do të jetë Joseph Borrell, ose kushdo që do të vijë. Emisari special, ende jemi me mandatin e tij që vazhdon dhe po vazhdon përpjekjet e tij, dhe nuk ka shembull më të mirë se si ai e kryen punën, pasi po i kushton kohën dhe energjinë e tij në një numër takimesh, për të zgjidhur çështjen e fundit (dinarin) në vazhdimësinë e çështjeve të njëanshme që po e sjellin dialogun në menaxhim të vazhdueshëm të krizave”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

  • Qeveria në vitin e fundit të mandatit: A e luftoi korrupsionin?

    Qeveria në vitin e fundit të mandatit: A e luftoi korrupsionin?

    Me premtimin se do të luftojë korrupsionin dhe do të qeverisë me duar të pastra, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, mori udhëheqjen në vitin 2021. Sot, në vitin e fundit të mandatit, zyrtarë të saj kritikohen për “përfshirje në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.

    Së paku dy ministre janë ose nën hetime, ose në procedura gjyqësore.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit thotë, po ashtu, se numri i zyrtarëve publikë, që s’e kanë respektuar obligimin e deklarimit të pasurisë, është rritur në vitin 2024 krahasuar me vitin 2021, ndonëse, ndër vite, është rritur edhe numri i zyrtarëve me këtë obligim ligjor.

    Vetë Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, thotë se ka bërë “përparim” në luftimin e, siç e cilëson, “problemit të trashëguar”.

    Rastet Gërvalla dhe Hajdari

    Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është duke u përballur aktualisht me akuzën për mosdeklarim të pasurisë. Muajin e kaluar, ajo u deklarua e pafajshme para Gjykatës Themelore në Prishtinë, por procesi është në zhvillim e sipër.

    Në fund të vitit 2022, ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë.

    Hajdari, aktualisht, është nën hetime për keqpërdorim të detyrës në lidhje me rezervat shtetërore.

    E ftuar, ditë më parë, nga Prokuroria Speciale e Kosovës për intervistim, Hajdari e mbrojti veten në heshtje.

    Si Hajdari, ashtu edhe Gërvalla vazhdojnë t’i kryejnë detyrat ministrore.

    Mosdeklarimi i pasurisë

    Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë, Yll Buleshkaj, thotë se këtë vit janë mbi 130 zyrtarë publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë, ose e kanë bërë këtë jashtë afatit ligjor.

    Sipas tij, numri i tyre është rritur për disa fish krahasuar me vitin e kaluar.

    Por, thekson Buleshkaj, ngjashëm është rritur edhe numri i zyrtarëve me këtë obligim ligjor – nga rreth 4.900 në vitin 2021, në rreth 11 mijë këtë vit.

    Ai tregon se si ka lëvizur numri i atyre që s’e kanë përmbushur këtë obligim ligjor ndër vite:

    “Në vitin 2021 kanë qenë 109 [zyrtarë]. Pastaj, ky numër ka rënë në 61 në vitin 2022 dhe në 38 në vitin 2023. Por, ky numër tani është rritur. I kemi mbi 150 [zyrtarë], të cilët nuk e kanë kryer këtë obligim këtë vit”.

    Buleshkaj thotë se ata zyrtarë që e kanë deklaruar pasurinë deri në 15 ditë pas afatit ligjor, do të gjobiten nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ndërsa të tjerët do të jenë subjekt i kallëzimeve penale.Kjo agjenci e ka tani kompetencën që t’i shqiptojë vetë gjobat, të cilat, sipas Buleshkajt, sillen nga 30 për qind e pagës deri në 500 euro.

    Ai thotë se këtë vit nuk ka ende ndonjë kallëzim penal për mosdeklarim të pasurisë, meqë nuk ka nisur ende procesi i verifikimit të të dhënave të mbledhura për 2024-shin.

    Duke i komentuar vendimet e gjykatave për 38 rastet e vitit 2023, të cilat i ka pranuar Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Buleshkaj thotë se vlera e gjobave ka qenë prej 150 euro deri në 1.000 euro, si dhe burgim me kusht nga tre muaj deri në një vit, me kohë për verifikim deri në dy vjet.

    Çka thotë Prokuroria?

    Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmon se ministrja Hajdari dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në lidhje me rezervat shtetërore. Ajo dyshohet se e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës me 600 mijë euro.

    Në fund të marsit, Prokuroria tha se ka intervistuar ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nën dyshimet për veprat penale: “shpëlarje e parave”, “shmangie nga tatimi” dhe “mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë ose detyrimeve financiare”. Sipas Prokurorisë, Berishaj është ftuar edhe më herët për intervistim, por, me kërkesën e tij, procesi është shtyrë.

    Para se t’i fitonte zgjedhjet në vitin 2021, Kurti, atëkohë kandidat për kryeministër, tha për gazetën britanike Guardian se duhet një aleancë e re politike për të trajtuar “murin e madh të korrupsionit” në Kosovë.

    “Korrupsioni ka qenë i madh, por është shumë i përqendruar në krye. Ne besojmë se mund ta mposhtim. Shumë njerëz predikojnë tregun e lirë, por në praktikë kemi oligarkë, kartela dhe industri të rezervuara për gardën e vjetër”, tha Kurti për Guardian.

    Kosova, prej vitesh, është në shënjestër të kritikave të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare për, siç thuhet, nivel të lartë korrupsioni.

    Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë, që u publikua javën e kaluar, thuhet se në Kosovë ka pasur “disa raportime për korrupsion në Qeveri” dhe se “zyrtarët, nganjëherë, përfshihen në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.

    Sipas raportit, në këtë problem kontribuojnë mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit.

    “Rastet e korrupsionit u nënshtrohen rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejon skadimin apo parashkrimin e lëndëve”, vlerësoi DASH-i.

    Ai citoi edhe raportimet e disa mediave se Prokuroria Speciale dhe Njësia e Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës kanë hapur hetime penale kundër së paku pesë ministrave dhe dy zëvendësministrave, për vepra të dyshuara të lidhura me korrupsionin, por Prokuroria, e kontaktuar nga REL-i, konfirmoi vetëm rastet e lartpërmendura.

    Organizata ndërkombëtare, Freedom House, vlerësoi gjithashtu në raportin e sivjetmë se korrupsioni në Kosovë vazhdon të mbetet çështje shqetësuese, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Vetë Qeveria Kurti u përball me një skandal korrupsioni në vitin 2023 që përfshinte rezerva shtetërore të pallogaritura, të cilat janë ende nën hetim”, tha, mes tjerash, Freedom House.

  • Vrasja në Ferizaj, Gjykata Themelore nesër shpall aktgjykimin ndaj Qendrim Januzit

    Vrasja në Ferizaj, Gjykata Themelore nesër shpall aktgjykimin ndaj Qendrim Januzit

    Gjykata Themelore e Ferizajt do ta shpallë nesër aktgjykimin ndaj Qëndrim Januzit, vëllait të reperit Buta, i cili akuzohet për vrasjen e Gazmend Hysenit në Ferizaj para dy vjetësh.

    Seanca gjyqësore ku do të shpallet aktgjykimi në këtë çështje penale, do të nisë në orën 10:00.

    “Ju njoftojmë se të marten më 30 prill 2024, duke filluar nga ora 10:00, vazhdon seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale, kundër të pandehurit Q.J., i akuzuar për shkak të veprave penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK-së, si dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

    Seanca e shpalljes së aktgjykimit është e hapur për publikun.

  • Më 16 maj fillon rigjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit

    Më 16 maj fillon rigjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit

    Më 16 maj 2024 pritet të fillojë rigjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

    Kjo është bërë e ditur, përmes një komunikate për medie të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

    Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

    Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

    Më 14 korrik 2022, ishte mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

    Krivaqën, Prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.

    Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

    Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.

    Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.

    Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.

    Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.

    Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

    Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.

    Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

    Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Ndryshe, dosja e plotë e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, tregon në detaje se si ka ndodhur i gjithë rasti.

    Kujtojmë se më 29 prill 2024, Gjykata Themelore në Ferizaj njoftoi se në një rast tjetër, Krivaqa u dënua me 4 vjet burgim për grabitje në një kazino. /BetimipërDrejtësi

  • Nis dëshminë dëshmitari i 58-të i ZPS-së në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Nis dëshminë dëshmitari i 58-të i ZPS-së në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 58-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin 03877 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse me arsyetimin për mbrojtjen e tij e që për atë nuk u dëgjua as ndonjë përmbledhje siç bënë zakonisht prokuroria për shumicën e dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Para se të fillojë pyetjet prokuroria, dëshmitari kërkoi që të flas lidhur me një çështje, mirëpo seanca kaloi në përmbajtje të redaktuar e më pas në sesion privat për publikun.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth dy ditë. Ai tha se ZPS i ka paraparë tri orë për pyetje, mbrojtja rreth pesë orë e gjysmë, kurse mbrojtja e viktimave nuk do të ketë pyetje.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Lushtaku: Unë njoh martesën veç mes burrit dhe gruas, vota ime është kundër një Ligji që lejon martesat mes gjinisë së njëjtë

    Lushtaku: Unë njoh martesën veç mes burrit dhe gruas, vota ime është kundër një Ligji që lejon martesat mes gjinisë së njëjtë

    Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, në emisionin A LIVE në ATV, duke folur për nenin 1138 në projekt-Kodin Civil, i cili lejon bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta, tha se e njeh institucionin e martesës vetëm mes burrit dhe gruas.

    “Unë personalisht e njoh institucionin e martesës mes burrit dhe gruas. Unë e respektoj mendimin ndryshe, por kur vjen çështja për ruajtjen e familjes natyrisht që vota ime do të jetë kundër një Ligji i cili e lejon këtë martesë (mes personave të gjinisë së njëjtë)”, tha Lushtaku.

    Ai thotë se me disa deputetë janë të vendosur të lobojnë dhe avokojnë që, sipas tij, të mbrohet familja.

    “Jemi të vendosur sepse besoj që me atë që kemi mundësi si deputetë, ne do të lobojmë dhe do të avokojmë që të mbrohet familja sepse edhe tash ka probleme me gjendjen çfarë është, paramendo me shtimin e ndonjë martese tjetër që nuk është e natyrshme si martesë”, tha Lushtaku. /atvlive.tv

  • Sfidat e bizneseve diskutohen në takimin e zëvendësministrit Sallahu dhe Dhomën e Tregtisë

    Sfidat e bizneseve diskutohen në takimin e zëvendësministrit Sallahu dhe Dhomën e Tregtisë

    Problemet e bizneseve me procedurat e përmbarimit, numri i ulët i gjykatësve si dhe vonesat në trajtim të rasteve në Gjykatën Komerciale ishin disa nga çështjet e diskutuara në takimin e realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me Zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu.

    Zana Beqiri, Drejtore e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë falënderoi Zëvendësministrin Sallahu për takimin dhe theksoi që një ndër ankesat e cila ka të bëjë me mos funksionimin e përmbaruesve si rrjedhojë e mundësisë së ankesës në Gjykatë nga ana e bizneseve, ani pse ekziston si dëshmi kontrata dhe fatura e rregullt e nënshkruar nga po ata.

    Ndërsa sipas Mazllum Baraliu, Konsulent në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, vlerë e shtuar për DHTIK është komuniteti i bizneseve që ajo përfaqëson.

    “Prandaj është mëse e nevojshme që të përfshihet në grupet punuese për Projektligjin për Përmbarim, ashtu që në draftin final të merren në konsideratë dhe të përfshihen edhe komentet e bizneseve vendore. Ai tutje shtoi që Dhoma e Tregtisë që në fazën e hartimit të Ligjit për Gjykatën Komerciale ka rekomanduar që duhet të parashihet numër më i madh i gjykatësve, mungesa e të cilëve sot po ndikon që lëndët e kësaj Gjykate të kenë dinamikë të ulët të trajtimit”, thuhet nw komunikatë.

    Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, theksoi që bashkëpunimi me komunitetin e bizneseve është i domosdoshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë sipas tij do të sigurohet që draftet finale të ligjeve të jenë gjithë përfshirëse.

    Sipas Zëvendësministrit Sallahu, Ministria e Drejtësisë është duke trajtuar këto çështje, me theks të veçantë problemin e përmbaruesve, ndërsa për rastet e shumta dhe të pa trajtuara në Gjykatën Komerciale shtoi që aktualisht është duke u finalizuar Ligji për Gjykatën Administrative e që në mënyrë direkte do të ndikoj në uljen e rasteve të Gjykatës Komerciale.

  • Deliu-Kodra: Kuvendi të enjten diskuton raportin e DASh-it

    Deliu-Kodra: Kuvendi të enjten diskuton raportin e DASh-it

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se të enjten Kuvendi i Kosovës do të diskutojë rreth gjetjeve të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili si problematikë e ka përmendur korrupsionin e sundimin e dobët të ligjit, raporton Ekonomia Online.

    Pas përfundimit të mbledhjen e kryesisë, Deliu-Kodra ka thënë se paraprakisht do të mbahet seancë solemne në nderë të komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra e dëshmorëve tjerë të Drenicës.

    “Në ditën e enjte do të mbahet edhe një seancë solemne për nderim të komandanti të UCK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve dhe martirëve të rënë në Drenicë. Pas kësaj do të diskutohet për raportin e DASh-it”, ka thënë ajo.

    “Çështja e dorëzimit të draftit të Asociacionit nuk është çështje e opozitës, është çështje e Qeverisë. Mbetet të shihet javët në vazhdim dhe nëse Qeveria me angazhimin ose mosangazhimin e saj do të mundësoj anëtarësimin e Kosovës në KiE”, ka thënë ajo.

    “Sa i përket Kodit Civil është kompetencë e shumicës parlamentare që të deklarohet, sepse dinë që PDK nuk merr pjesë në votime për shkak të dështimeve të qeverisë”, u shpreh ajo.

  • Lobbezoo: Liria e medias është kyç për një demokraci funksionale

    Lobbezoo: Liria e medias është kyç për një demokraci funksionale

    Ambasada e Holandës në Kosovë, në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, hapën ekspozitë për Lirinë e Medias, raporton EO.

    Xhemajl Rexha kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës gjatë fjalimit hyrës ka thënë se kjo ekspozitë ka për qëllim që t’ju kujtojmë qeverive në botë çfarë do të thotë liria e mediave.

    “Kam qenë i kënaqur që kam qenë pjesë e jurisë dhe kam shpallur fituesetit e kësaj ekspozite të artistëve të talentuar ku tregojnë se çka po ndodh me mediat. Si çdo 3 maj qeveria jonë dhe ne ia kujtojmë qeverive në botë çfarë do të thotë liria mediave. Ka qenë vit i vështirë në Kosovë sa i përket sigurisë”, ka thënë Rexha.

    Ndërsa ambasadorja e Holandës në Prishtinë, Carin Lobbezoo ka thënë se liria medias është komponentë kyçe për një demokraci funksionuese.

    Madje ajo ftoi që t’ ju bashkangjiten më 3 maj diskutimeve me panelistët nga RTK-ja dhe Klan Kosova.

    “Ne jemi javën e lirisë së mediave dhe për herë të parë ambasada holandeze janë bashkuar në këtë projekt. Liria shprehjes online është prioritet për ne. Një pasqyrim i mediave të lira në një mënyrë e sigurt dhe kyçe që të ushtrohet kjo e drejtë. Liria mediave kërcënohet”.

    “Unë po i shoh disa gazetarë të Ukrainës. Edhe ata e kanë përvojën se sa e vështirë është të jesh gazetar në kushte të vështira. Edhe në vendin tim përpiqem që të i mbroj gazetarët që flasin. Liria medias është komponent kyç për një demokraci funksionuese. Në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnje kemi bërë iniciativë që ta shënojmë ditën e lirisë së mediave. Gara e hapur ka rezultuar me disa çmime”, ka thënë ambasadorja Lobbezoo.

  • Kurti bisedë telefonike me Scholz, pret përkrahjen e Gjermanisë për KiE

    Kurti bisedë telefonike me Scholz, pret përkrahjen e Gjermanisë për KiE

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një telefonatë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në të cilën ai thotë se shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën.

    Gjithashtu, ai përmes një shkrimi në “X” është shprehur që shpreson që Gjermania do ta mbështesë kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, njofton Klankosova.tv.

    “Në një telefonatë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KiE në përputhje me rekomandimet e PACE. Gjithashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, shkroi tutje Kurti.