ATV

Author: ATVLive

  • Stoltenberg zhvillon vizitë të paparalajmëruar në Kiev

    Stoltenberg zhvillon vizitë të paparalajmëruar në Kiev

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka zhvilluar një vizitë të paparalajmëruar në Kiev më 29 prill.

    Gjatë vizitës, ai tha se armët dhe municionet në Ukrainë do të nisin të arrijnë në shtet, përderisa pranoi se aleatët perëndimorë kanë dështuar të mbajnë premtimet sa i përket mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

    Duke folur në një konferencë për media së bashku me presidentin Volodymyr Zelensky, në kryeqytetin ukrainas, Stoltenberg gjatë vizitës së tretë që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës më 2022, tha se “vonesat serioze në mbështetje kanë shkaktuar pasoja serioze në fushëbetejë, raporton Rel.

    “Për muaj të tërë, Shtetet e Bashkuara nuk ishin në gjendje të pajtoheshin për një paketë të ndihmës dhe aleatët evropianë ishin në gjendje të dërgojnë municione në shkallën që kanë premtuar”, tha ai.

    “Ukraina për muaj të tërë ka numër më të vogël të ushtarëve dhe ka pak municione… Më shumë ndihmë do të vijë së shpejti”.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nënshkruar paketën e ndihmës më 24 prill, pasi Senati amerikan e miratoi atë. Legjislacioni ishte bllokuar për muaj të tërë në Dhomën e Përfaqësuesve, por udhëheqësit republikanë të Dhomës u pajtuan që masa përfundimisht të hidhej në votim dhe kaloi më 20 prill, duke ia përcjellë Senatit.

    Paketa e re e ndihmës ushtarake për Ukrainën, që SHBA-ja miratoi, është në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.

  • Një fëmijë që nuk respekton prindërit e tij s’do të respektojë askënd

    Një fëmijë që nuk respekton prindërit e tij s’do të respektojë askënd

    Një fëmijë që nuk respekton prindërit dhe gjyshërit e tij nuk do të respektojë kurrë askënd. Dhe sa më shpejt të trajtohet ky problem aq më mirë do të jetë për të gjithë.

    Fëmijët e sotëm jetojnë në një botë krejtësisht të ndryshme nga e kaluara. Thjesht mendoni se çfarë jemi në gjendje të bëjmë me teknologjinë sot për të kuptuar dallimet. Për shkak të stimujve të shumtë me të cilët fëmijët janë në kontakt, është shumë e vështirë për një prind që t’i çojë ata në rrugën e duhur, e cila është shumë e ndryshme nga ajo e të moshuarve.

    Udhëzimet aktuale mbi modelet edukative të prindërve bazohen në respektimin e lirisë së fëmijës, absolutisht për të mos u ngatërruar me mungesën e orientimit.

    Respekti

    Një nga parimet themelore të edukimit të një personi, i cili nuk ka ndryshuar ndër vite, është respekti. Një fëmijë që nuk respekton prindërit dhe gjyshërit e tij nuk do të respektojë kurrë askënd, ai do të bëhet një i rritur egoist, autoritar dhe i vetmuar. Nuk ka fëmijë të vështirë, por prindër që nuk dinë të flasin me fëmijët e tyre.

    Detyra e rritjes së një fëmije nuk është aspak e thjeshtë, por u takon prindërve të inkurajojnë një marrëdhënie të shëndetshme mes fëmijës dhe emocioneve të tij, në mënyrë që ta mësojnë t’i menaxhojë ato në mënyrën e duhur.

    Fëmijëria dhe adoleshenca janë dy periudha plot risi dhe zbulime, dhe pikërisht në këto dy faza fëmijët zhvillojnë karakterin dhe personalitetin e tyre. Detyra e familjes është t’i udhëheqë ata në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme. Për ta bërë këtë, është e rëndësishme të vendosni edukimin mbi dëgjimin, bindjen dhe respektin.

    Një fëmijë mosrespektues është shumë shpesh i kënaqur, është e vështirë t’i thuash jo, ndoshta ndjenjat e fajit nuk ndihmojnë dhe për këtë arsye ne priremi t’i dorëzohemi çdo kërkese. Megjithatë, shumë lejueshmëri nuk është një mjet i mirë negocimi, sepse shumë shpesh çon në rezultate katastrofike.

    Fëmijët frymëzohen nga sjellja jonë, prandaj është e rëndësishme të veprojmë me kujdes kur bëhet fjalë për t’i udhëhequr në rrugën e duhur.

    Mami dhe babi

    Lodhja dhe mungesa e durimit ndikojnë në sjellje. Jemi njerëz dhe jemi shumë shpesh të lodhur, për shkak të punës dhe punëve të përditshme. Lodhja dhe mungesa e durimit, megjithatë, rrezikojnë suksesin e kësaj detyre të rëndësishme. Nëse duam të shmangim rritjen e një fëmije mosrespektues, duhet të shmangim mosrespektimin e vetvetes. Nëse duam të jemi shembull i mirë, duhet të fillojmë të sillemi mirë. Gjithçka fillon me ne.

    I rrituri, që do të bëhet fëmija ynë, është i lidhur ngushtë me mënyrën se si ai u rrit. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të kuptojmë përmasat e përgjegjësisë sonë, me synimin për të bërë më të mirën në baza ditore, për të lënë një trashëgimi të mirë.

  • Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarës për aksidentin në Suharekë ku vdiqën dy persona

    Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarës për aksidentin në Suharekë ku vdiqën dy persona

    Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj M.G., e dyshuar për aksidentin e së dielës në Shirokë të Suharekës, ku vdiqën dy persona.

    Këtë e ka konfirmuar Fitore Mehmeti, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prizren.

    Mehmeti potencoi se M.G dyshohet për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

  • Durmishi: Mbi 14 milionë euro për projekte infrastrukturore për Deçanin

    Durmishi: Mbi 14 milionë euro për projekte infrastrukturore për Deçanin

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se gjatë mandatit të tij deri më sot ka investuar mbi 14 milionë euro për projekte infrastrukturore për komunën e Deçanit.

    Durmishi në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se “në kuadër të nënshkrimit të memorandumeve të sotme, tani jemi në Deçan, të cilën komunë po e financojmë shtesë edhe me 400 000 euro”.

    “Projektin të cilin jemi duke e bashkëfinancuar është: Zgjerimi i rrugës, urave dhe strukturave nga Deçani dalja për Pejë, segmenti Lëbush – Qendra e Strellcit”, ka treguar Durmishi.

  • KQZ-ja miraton raportin mbi çështjet që janë në proces gjyqësor me palët e treta

    KQZ-ja miraton raportin mbi çështjet që janë në proces gjyqësor me palët e treta

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës, raporton EO.

    Anëtari i këtij Komisioni nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Krasniqi ka thënë se sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nivelit të pagave të të gjithë stafit brenda KQZ-së kemi arritur ta kapitalizojmë si proces.

    “Ju njoftoj se sot kemi arrit me kapitalizu krejt procesin. Ka të bëjë me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe efektin e nivelit të pagave të të gjithë stafit brenda KQZ-së dhe ka mbetur që gjatë ditës së nesërme të trajtohet edhe njëherë. Gjithashtu ne kemi emëruar edhe një raport përmbledhës mbi gjitha çështjet tjera që janë në proces gjyqësor me palët e treta me çështjet e administruesve të të drejtave të palëve sa i përket nivelit të pagave. Meqenëse është bërë rregullorja ka refelktu edhe në ndarjen e hapësirave bazuar në organizimin e brendshëm dhe ditët në vijim do të ndërmerren veprimet e duhura. Këto janë si informacione e për çështjen 1 dhe 2 do të marrim informacion, do ti shqyrtojmë dhe të njëjtat do të sjellen në mbledhjen e KQZ-së për shqyrtim dhe miratim”, ka thënë Krasniqi.

    Në këtë mbledhje janë miratuar këto pika të rendit të ditës:

    1. Miratohet shqyrtimi dhe miratimi i raportit të punës se KQZ-së për vitin 2023, për Kuvendin e Kosovës.

    2. Miratohet shqyrtimi dhe miratimi i raportit të realizimit të planit të punës së KQZ-së për vitin 2023.

    3. Miratohet shqyrtimi dhe miratimi i sloganit, përmbajtjes dhe dizajnit te fletëpalosjeve, lapsa, kimika, byzylykë, stikersa, maica, fletëvotime dhe skenari për realizimin e videos për projektin për edukimin dhe Informimin e votuesve të rinjë.

    4. Miratohet shqyrtimi i draft vendimit për ekuivalentimin dhe ruajtjen e pagave sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

    5. Miratohet kërkesa për përkrahjen e KQZ-së nga OSBE-ODIHR me 9 vota për dhe 1 kundër.

    Ndërsa shqyrtimi dhe miratimi i raportit të realizimit të planit të punës së KQZ-së për vitin 2023 ishte pikë e mbyllur për media.

  • Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër 13 personave

    Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër 13 personave

    Prokuroria Speciale, ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër trembëdhjetë (13) të pandehurve me inicialet H.H., B.H., H.Z., Sh.S., S.K.,B.L., R.K., K.B., G.Gj., D.R., O.B., B.K dhe H.B.

    Prokuroria Speciale njofton se të akuzuarit H.H., B.H dhe H.Z., akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘’Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’’ nga neni 364 par 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

    Të akuzuarit Sh.S., S.K., B.L., R.K., K.B., G.Gj., D.R., O.B., B.K dhe H.B., akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së.

  • Po zhvillonin gara të shpejtësisë në Istog, Policia i gjobit me nga 500 euro

    Po zhvillonin gara të shpejtësisë në Istog, Policia i gjobit me nga 500 euro

    Policia e trafikut ka gjobitur me nga 500 euro, nga 5 pikё negative dhe 12 muaj masё mbrojtёse dy kundёrvajtёs qё po zhvillonin gara tё shpejtёsisё nё Istog.

    Policia ka njoftuar se tё hёnёn gjatё patrullimeve rutinore ka hasur dy kundёrvajtёs tё cilёt ishin duke zhvilluar gara tё shpejtёsisё.

    “Pёr kundёrvajtёsin (1) ёshtё shqiptuar fletgjoba: 500 euro, 5 pikё negative, 12 muaj masё mbrojtёse. Pёr kundёrvajtёsin (2) ёshtё shqiptuar fletgjoba: 500 euro, 5 pikё negative, 12 muaj masё mbrojtёse”, thuhet nё njoftim.

    Policia u kërkon qytetarёve qё ta respektojnё ligjin dhe shenjat në komunikacion, në mënyrë që tё parandalohen aksidentet në trafik.

  • Hamza takohet me pesë ambasadorë evropianë

    Hamza takohet me pesë ambasadorë evropianë

    Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, me ftesë të ambasadorit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, është takuar me pesë ambasadorë evropianë.

    Në takim është biseduar për situatën politike dhe ekonomike në vend, teksa Hamza ua ka shprehur nevojën për përkrahjen e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës.

    “Me ftesë të Ambasadorit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, një takim të përbashkët dhe shumë domethënës kisha me pesë ambasadorë evropianë. Me Erikun dhe kolegët e tij, ambasadoren Karin Lobezo, ambasadorët Johanes Ëesterlund, Grégoire Cuvelier dhe Matti Nissinen, kishim rastin të bisedojmë për situatën politike dhe ekonomike në Kosovë, për planet e mia për qeverisjen e re që presim të sjellë një ndryshim rrënjësor dhe të domosdoshëm, sidomos në koordinimin me aleatët. Ambasadorëve ua shpreha nevojën e përkrahjes së Republikës së Kosovës në votimin për Këshillin e Europës. Përkundër polarizimeve politike, peizazhi politik kosovar, pozitë dhe opozitë, qëndron unik për nevojën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Po ashtu, ne duhet ta rrisim ndërveprimin që të sjellim investime ekonomike dhe përkrahje diplomatike në fazën e ardhshme të integrimeve euroatlantike”, ka shkruar Hamza në Facebook.

  • Scholz me premtim të fortë për Kosovën dhe Ballkanin

    Scholz me premtim të fortë për Kosovën dhe Ballkanin

    Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se ai dhe shtetit i tij, janë mbështetës të pa rezervë që Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja, dhe Serbia, të anëtarësohen në Bashkim Evropian, dhe këtë pa vonesa por me një proces të bazuar në merita.

    “Si kancelar i Gjermanisë, unë angazhohem shumë që vendet e Ballkanit Perëndimor, të kenë një të ardhme në Bashkimin Evropian. Procesi i integrimit është i vonuar dhe premtimi për anëtarësim është i vjetër 20 vjet, dhe kjo ndodhi në Selanik më 2004. Nga atëherë nuk ka ndodhur shumë përparim, prandaj tani është kaq e rëndësishme që kjo të shihet e të ndodh, tha Scholz, të hënën nga Berlini, në një konferencë të përbashkët që e kishte me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq.

    Përderisa e përgëzoi, republikën malazeze për siç tha reformat që po i bënë drejt hyrjen në BE, kancelari i dha peshë të madhe këtij shteti edhe për atë që e quan rolin që e ka në ndërtimin e urave, e ku do ta ketë mbështetjen gjermane.

    “Dhe kjo shkon në veçanti për marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë, pastaj për situatën e komplikuar në Bosnjë Hercegovinë, prandaj është e rëndësishme që të kujdesemi për këto gjëra, sepse në fund të ditës ato kanë një rëndësi të madhe”,shtoi Scholz, që përmendi edhe rëndësinë që e ka “Procesi i Berlinit”.

    Nga ana e tij, Spajiq, tha se Mali i Zi, do angazhohet për të përmbushur kushtet drejt hyrjes në Bashkim Evropian,ku sipas tij e ka vendin i gjtihë rajoni me gjashtë republika.

  • ​Kodi Civil, LVV: Jemi duke punuar që të sigurohet konsensusi i nevojshëm për miratim

    ​Kodi Civil, LVV: Jemi duke punuar që të sigurohet konsensusi i nevojshëm për miratim

    Lëvizja Vetëvendosje ende po punon në sigurimin e votave për miratimin e Kodit Civil. Partia në pushtet konsideron se për këtë duhet të reflektojnë edhe partitë opozitare. Ndërkaq, këto të fundit thonë se kjo është kompetencë e partisë në pushtet.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja deklaroi se po punojnë për sigurimin e votave për miratimin e Kodit Civil.

    “Aktualisht nuk e di, por shumica parlamentare është duke punuar po ashtu që të sigurojë konsensusin e nevojshëm brenda grupit parlamentar por marrë parasysh që kjo është një çështje e rëndësishme, të gjitha grupet parlamentare duhet të reflektojnë në këtë prioritet shoqëror. Nuk mund të thuhet që opozita, partitë opozitare mund të abstenojnë, tek e fundit Kodi Civil dhe Kodi Penal janë një nga ligjet ose rregullimet më të rëndësishme në një demokraci parlamentare siç është Kosova…Aktualisht ka kohë që është duke u punuar në sigurimin e votave, sepse duhet të sigurohet kuorumi e pastaj edhe votat pro”, tha ai.

    Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se është përgjegjësi e partisë në pushtet që të sigurojë votat.

    “Ky është një ligj që kalohet me shumicë të thjesht të votave të deputetëve dhe është në përgjegjësi të LVV-së që ta kalojë. E kemi thënë qysh herën e parë dhe vazhdojmë ta kemi të njëjtin qëndrim me arsyetimin se LVV për qëllime të përfitimit të pushtetit politik ka arritur që të bëjë marrëveshje dhe koalicione me grupe politike të cilat kanë qëndrime radikale për çështje të caktuar. Është përgjegjësi e LVV-së që të zgjidhë këto probleme”, u shpreh ai.

    Miratimi i Kodit Civil, siç thekson deputetja Blerta Deliu Kodra, është kompetencë e pozitës.

    “Është kompetencë e shumicës parlamentare, ju keni dëgjuar edhe në të kaluarën edhe ditëve të fundit që është rikthyer diskutimi lidhur me projektkodin edhe nga vet deputetët e mazhorancës. Është çështje e shumicës parlamentare që të deklarohet sepse e dini se tash e sa kohë që PDK nuk merr pjesë në votime, nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare dhe ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje”, deklaroi ajo.

    E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se shumica parlamentare e ka dështuar Kodin Civil.

    “Shumica e ka bllokuar këtë zbatim. Se çfarë do të ndodhë nuk është përgjegjësi e Aleancës. Aleanca ka marrë vendim për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, e ka rikthyer. Ndërsa, në ligje nuk ka marrë pjesë. Ne kemi pasur pozicion kundër dhe kundër jemi”, përfundoi ai.