ATV

Author: ATVLive

  • Hamasi po përgatit një përgjigje pas ofertës për armëpushim në Gazë

    Hamasi po përgatit një përgjigje pas ofertës për armëpushim në Gazë

    Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, po shqyrton ofertën e Izraelit për një armëpushim 40-ditor në luftën në Rripin e Gazës.

    Duke u kthyer në Katar pas bisedimeve të fundit në Kajro, delegacioni i Hamasit tha se do të “diskutonte idetë dhe një propozim”.

    “Ne duam të përgjigjemi sa më shpejt të jetë e mundur”, tha një burim i Hamasit për AFP-në, në kushte anonimiteti.

    Burime egjiptiane i thanë Al-Qahera News, një faqe e lidhur me shërbimet e inteligjencës egjiptiane, se delegacioni i Hamasit do të “kthehej me një përgjigje me shkrim”.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i përshkroi kushtet e armëpushimit si “jashtëzakonisht bujare”, ndërsa Shtëpia e Bardhë u kërkoi kolegëve ndërmjetësues – Egjiptit dhe Katarit – të rrisin presionin ndaj Hamasit për të pranuar përpjekjen e fundit për t’i dhënë fund luftës gati 7-mujore.

    Presidenti amerikan, Joe Biden u bëri thirrje udhëheqësve egjiptianë dhe të Katarit “të bëjnë çdo përpjekje për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi”, duke e quajtur atë “pengesën e vetme” për sigurimin e ndihmës për civilët në Rripin e rrethuar të Gazës.

    Për muaj të tërë, Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të sigurojnë një marrëveshje të re.

    Gjatë një armëpushimi një-javor në nëntor, 80 pengje izraelite u shkëmbyen për 240 palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.

    Bombardimet izraelite kanë shkatërruar Gazën e kontrolluar nga Hamasi, duke rrafshuar pjesën më të madhe të territorit dhe duke e çuar popullin e saj në prag të urisë.

    Në qytetin jugor të Rafahut, palestinezët dëshpërohen nga lufta teksa kërkojnë viktimat e sulmit të fundit.

    “Civilët që nuk kanë lidhje me Hamasin apo ndonjë grup tjetër u goditën nga një raketë, u copëtuan”, tha Um Louay Masri, në një ndërtesë të shkatërruar ku fëmijët po nxirreshin nga nën rrënoja.

    Izraeli është zotuar të nisë një sulm ndaj batalioneve të Hamasit në Rafah, ku shumica e 2.4 milionë banorëve të Gazës kanë kërkuar strehim.

    Por Ministri i Jashtëm, Israel Katz gjatë fundjavës tha se qeveria mund ta “pezullojë” atë operacion nëse arrihet një armëpushim.

    Duke folur në Riad gjatë vizitës së tij të shtatë në rajon që nga fillimi i luftës së Gazës, diplomati i lartë amerikan Blinken theksoi nevojën që Hamasi “të vendosë shpejt” për një armëpushim.

    Ai tha në një takim special të Forumit Ekonomik Botëror se “shpreson të marrë vendimin e duhur”, ndërsa ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry tha se “propozimi mori parasysh pikëpamjet e të dyja palëve”.

    “Ne shpresojmë kështu”, shtoi ai.

    Një burim i Hamasit i tha AFP-së se grupi ishte për një marrëveshje që “garanton një armëpushim të përhershëm, kthimin e lirë të të zhvendosurve, një marrëveshje të pranueshme për [shkëmbimin e të burgosurve dhe pengjeve] dhe fundin e rrethimit” në Gazë.

    Izraeli vlerëson se 129 pengje mbeten në Gazë, duke përfshirë 34 që besohet të jenë të vdekur.

    Sulmi i Hamasit rezultoi në vdekjen e rreth 1.170 njerëzve në Izrael, shumica prej tyre civilë.

    Ofensiva hakmarrëse e Izraelit vrau të paktën 34.488 njerëz në Gazë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. /REL

  • Moti sot me diell dhe vranësira

    Moti sot me diell dhe vranësira

    Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira, të cilat gjatë ditës pritet të shtohen, ku ka mundësi të sjellin ndonjë reshje të dobët shiu.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të lehtë, me minimale që do të lëvizin prej 6 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 21 deri në 24°C.

    Era do fryjë kryesisht nga drejtimi i veiut me shpejtësi prej 10-38 km/h, njofton Meto Kosova.

  • Sot përballja e parë e dy gjigantëve evropian, Bayern-Real Madrid

    Sot përballja e parë e dy gjigantëve evropian, Bayern-Real Madrid

    E vetmja mënyrë se si Bayerni mund të shmangë një sezon pa trofe që nga 2011/12 është të fitojë Ligën e Kampionëve dhe për ta bërë këtë ata duhet të kalojnë rivalët e vjetër Real Madridin.

    Pavarësisht dominimit të fundit të Bayernit në futbollin gjerman, ata kanë gjithmonë probleme në ballafaqimet kundër Madridit dhe nuk kanë fituar asnjë nga shtatë e fundit ndaj tyre, një ecuri që përfshin tri humbje radhazi në shtëpi pësuan të paktën dy herë. Në vend të kësaj, ata do të përpiqen të frymëzohen nga të qenit të pamposhtur në ndeshjet evropiane në shtëpi që nga humbja ndaj PSG-së në prill të vitit 2021 (12 fitore, 3 barazime).

    Real Madridi ishte në gjendje të ulte në stol disa lojtarë kryesor për fitoren 1-0 të së premtes mbrëma ndaj Real Sociedadit, kështu që trajneri Carlo Ancelotti kthehet në një nga ish-klubet e tij me më pak shqetësime fizike dhe lëndime sesa rivali i tij Thomas Tuchel. Në një seri prej dhjetë ndeshjesh të pamposhtur në Champions pas fitores epike të penalltive ndaj Manchester Cityt në çerekfinale, Reali është tani favorit për ta fituar këtë kompeticion, përcjellë KosovaPress.

    Ndeshja zhvillohet në “Alianz Arena” me fillim nga ora 21:00 dhe këto janë formacionet e mundshme:

    Bayern: : Neuer-Kimmich, Kim, Dier, Davies — Goretzka, Pavlovic — Sane, Gnabry, Guerreiro — Kane.

    Real Madrid: Lunin – Vazquez, Tchouameni, Rudiger, Mendy — Valverde, Kroos, Camavinga — Bellingham — Rodrygo, Vinicius Jr.

  • E qëlloi me shtatë plumba ish-mikun e tij, sot shpallet verdikti për vëllain e reperit Buta

    E qëlloi me shtatë plumba ish-mikun e tij, sot shpallet verdikti për vëllain e reperit Buta

    Gjykata Themelore e Ferizajt do të shpallë sot aktgjykimin ndaj Qëndrim Januzit, vëllait të reperit Buta, i cili akuzohet për vrasjen e ish-mikut të tij Gazmend Hysenit në Ferizaj para dy vjetësh.

    Seanca gjyqësore ku do të shpallet aktgjykimi në këtë çështje penale, do të nisë në orën 10:00.

    “Ju njoftojmë se të marten më 30 prill 2024, duke filluar nga ora 10:00, vazhdon seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale, kundër të pandehurit Q.J., i akuzuar për shkak të veprave penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK-së, si dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

    Seanca e shpalljes së aktgjykimit është e hapur për publikun.

  • Gërvalla në Bruksel, merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, do flasë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Gërvalla në Bruksel, merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, do flasë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është duke marrë pjesë në takimin ministror të BE-së në Bruksel në në 20-vjetorin e zgjerimit, kur 10 shtete të reja anëtare iu bashkuan Bashkimit Evropian në vitin 2004.

    Sipas njoftimit, Gërvalla për të marrë pjesë në këtë përvjetor është ftuar nga Presidenca belge të Këshillit të BE-së, më saktësisht me ftesë të Ministres së Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Jashtme, Hadja Lahbib.

    “Gjatë sesioneve do të diskutohet rreth sfidave, nevojave dhe praktikave më të mira dhe reformave të sundimit të ligjit në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së. Në këtë takim, i cili mbledh ministrat e shteteve anëtare të BE-së dhe atyre me perspektivë anëtarësimi, Republika e Kosovës do të paraqes të arriturat e saj në procesin e integrimit në BE, reformat e thella të ndërmarra në sundim të ligjit dhe fusha të tjera, të evokojë rreth proceseve nëpër të cilat po kalojmë dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.

    Ministrja Gërvalla do të realizojë edhe takime bilaterale me Ministra të Jashtëm dhe të Çështjeve të BE-së për të diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, në veçanti rreth procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

  • Kosova solidarizohet me Ukrainën, Kurti: Krimet i përjetuam edhe ne në vitet e 90-ta

    Kosova solidarizohet me Ukrainën, Kurti: Krimet i përjetuam edhe ne në vitet e 90-ta

    Në Prishtinë është hapur të hënën ekspozita “Ukraina: Një Krim Lufte”, prodhuar nga FotoEvidence, me mbështetje nga Open Society Foundations – Western Balkans, në bashkëpunim me Qendrën Barabar. Me këtë rast kryeministri Albin Kurti theksoi se Kosova solidarizohet me Ukrainën, sepse sipas tij, krimet që po kryhen në Ukrainën e sotme janë kryer edhe në Kosovën e viteve të 90-ta

    Kurti theksoi po ashtu se është detyrë dhe përgjegjësi e çdo shteti demokratik që respekton, dhe çmon të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

    “Hapja e kësaj ekspozite në Prishtinë është vetëm shenja më e fundit e solidaritetit të popullit të Kosovës me atë të Ukrainës në këtë kohë të vështirë. Solidariteti ynë me popullin ukrainas besoj që i ka dy burime, së pari është detyrë dhe përgjegjësi e çdo shteti demokratik që respekton, dhe çmon të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, që të solidarizohet me Ukrainën kundër pushtimit ilegal të Rusisë, si dhe ta ndihmojë atë me çdo mjet që e kemi në dispozicion. Sepse, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është edhe sulmi i autokracisë ndaj demokracisë. Lufta në Ukrainë nuk është vetëm një çështje e thjeshtë mes dy shteteve, ajo ka implikime për gjithë botën. Rezistenca e Ukrainës është simbol i qëndrueshmërisë-demokracisë kundër forcave që kërkojnë shkatërrimin dhe zhdukjen e saj”, theksoi Kurti.

    Më tej kryeministri ka theksuar Kosova solidarizohet me Ukrainën, pasi që sipas, tij, krimet që po kryhen në Ukrainën e sotme, janë kryer edhe në Kosovën e viteve të 90-ta.

    “Kosova solidarizohet me Ukrainën, sepse krimet që po kryhen në Ukrainën e sotme janë kryer edhe në Kosovën e viteve të 90-ta. Dhe kjo është diçka që e veçon popullin e Kosovës prej shteteve të tjera demokratike. Kujtimet tona prej asaj dekada të tmerrshme janë ende të freskëta, plagët janë ende të hapura, gati çdo qytetarë I Kosovës, ose vetë është viktimë e dëbimit masiv të shqiptarëve në vitin 1999 ose ka të paktën një anëtar të familjes të që ka qenë viktimë e dëbimit, torturimit apo masakrave të kryera nga forcat serbe të regjimit të Mollosheviqit”, tha ai.

    Ai tha se ekspozita është me rëndësi të veçantë, sepse siç tha ai e vërteta tregohet dhe përhapet jo vetëm me fjalë, por edhe me artin, sidomos me artet pamore siç janë pikturat dhe fotografitë.

  • “As s’na troket kush në derë, as s’do ta hapim”, Serbët në veri hezitojnë të regjistrohen

    “As s’na troket kush në derë, as s’do ta hapim”, Serbët në veri hezitojnë të regjistrohen

    Regjistruesit nuk kanë trokitur ende në derën e familjes 6-anëtarëshe Milletiq në Leposaviq, edhe pse kanë kaluar më shumë se tri javë që nga nisja e procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

    Kjo familje thotë se nuk është e sigurt se do të përgjigjet në pyetjet nga pyetësori, edhe nëse dikush do t’i trokiste në derë gjatë dy javëve të ardhshme, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Kjo është bërë më shumë çështje politike”, thotë Dallibor Milletiq për Radion Evropa e Lirë, duke iu referuar regjistrimit të popullsisë që ka nisur më 5 prill dhe do të vazhdojë deri më 17 maj.

    Ai shton se askush nuk ua ka shpjeguar detajet e këtij procesi dhe se mesazhe kontradiktore po dëgjohen si nga Prishtina, ashtu edhe nga përfaqësuesit politikë të serbëve.

    Edhe pse beson se do të ishte mirë të dihej numri i saktë i pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë, ai thotë se “ky nuk është moment i favorshëm për regjistrim”.

    “Nuk e di ende se çfarë do të bëj [sa i përket regjistrimit]”, thotë ky banor i Leposaviqit – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Regjistruesit nuk e kanë vizituar ende as pensionistin nga Mitrovica e Veriut, Dragan Illiq.

    Në këtë komunë, të banuar po ashtu me shumicë serbe, ai jeton vetëm me gruan e tij, por thotë se nuk do të marrë pjesë në regjistrim, edhe nëse dikush u troket në derë dhe u kërkon t’iu përgjigjen disa pyetjeve.

    “Populli nuk është budalla, populli sheh, populli kupton. Ky regjistrim do të thotë shkatërrim për të. Thjesht, kjo është situata në Kosovë tani”, thotë Illiq për Radion Evropa e Lirë.

    Familjet Milletiq dhe Illiq nuk janë të vetmet që hezitojnë ose refuzojnë të regjistrohen.

    Shumica e serbëve në katër komunat në veri të Kosovës refuzojnë të regjistrohen, thanë zyrtarë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të hënën.

    Drejtori i kësaj agjencie, Avni Kastrati, tha se bojkotimi i regjistrimit nuk është gjë e mirë për komunitetin serb dhe nëse vazhdon, shtoi ai, aje do të bëhet vetëm vlerësimi i popullsisë.

    Në “thirrjen” për bojkotim ka marrë pjesë Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Para fillimit të regjistrimit, ajo ka thënë se pjesëtarët e komunitetit serb nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, për shkak të “represionit” nga autoritetet e Kosovës.

    Numri i regjistruesve në komunat me shumicë serbe në Kosovë

    Në disa prej komunave me shumicë serbe në Kosovë, numri i regjistruesve të trajnuar për të punuar në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë është më i ulët sesa që ishte planifikuar.

    Në komunat me shumicë serbe në veri, tensionet janë të larta tash e sa kohë. Krizat kanë vazhduar që kur serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në veri, me iniciativën e Listës Serbe, në nëntor të vitit 2022.

    Pas tërheqjes së tyre, udhëheqjen e katër komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – e kanë marrë kryetarët shqiptarë, gjë që i ka rritur tensionet edhe më shumë.

    Serbët në veri të Kosovës nuk kanë marrë pjesë as në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011, ndërsa pjesëtarët e komunitetit serb në jug të Ibrit, në përgjithësi, e kanë bojkotuar atë, me ftesë të Beogradit zyrtar.

    Sipas atij regjistrimi, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion – prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të sektorit civil, janë rreth 100.000 pjesëtarë të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë.

    Si është situata në jug të Ibrit?

    Radio Evropa e Lirë e pyeti Agjencinë e Statistikave të Kosovës se sa pjesëtarë të komunitetit serb i janë përgjigjur regjistrimit deri më tani, por nuk mori përgjigje.

    Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, tha në një konferencë për media të hënën se serbët në jug të Ibrit po “regjistrohen në mënyrë masive”, por nuk dha ndonjë shifër.

    Nebojsha Vesiq jeton me familjen e tij 4-anëtarëshe në Kllokot, që është njëra nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se i është përgjigjur regjistrimit, sepse, siç thotë, është e nevojshme të dihet se sa pjesëtarë të komunitetit serb jetojnë në Kosovë.

    “Të dihet se kush jemi, ku jemi. I vetmi problem është se zgjat pak shumë, kërkon kohë”, thotë ai.

    Një prej pasojave të bojkotimit të regjistrimit të popullsisë mund të jetë zvogëlimi i buxhetit për komunat, sepse fondet ndahen në bazë të numrit të banorëve në një vetëqeverisje lokale.

    Në Kosovë janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe.

    Bekim Salihu, nga Instituti Kosovar për Studime të Avancuara GAP, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se bojkotimi i regjistrimit të popullsisë mund të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik lokal.

    Sipas tij, nëse në një komunë nuk dihet numri i saktë i banorëve, atëherë është e pamundur të vlerësohet potenciali njerëzor dhe ekonomik – gjë që mund të çojë, sipas tij, në mungesë strategjish apo planifikimi.

    Boban Simiq, nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Sociale (CASA), thotë se procesi i regjistrimit në komunat në veri “pothuajse nuk zhvillohet fare” dhe kjo, sipas tij, është pasojë e “organizimit të dobët dhe mungesës së fushatës” nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    Ai thekson se ky nuk është procesi i vetëm që organizohet nga institucionet e Kosovës në veri e që bojkotohet nga pjesëtarët e komunitetit serb, dhe kujton këtu votimet që u zhvilluan këtë muaj për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

    Serbët i bojkotuan këto votime me ftesë të Listës Serbe.

    “Nëse marrim parasysh se regjistrimi përfundon më 17 maj dhe, ndërkohë, janë festat e 1 Majit dhe të Pashkëve – kur shumë njerëz do të jenë jashtë Kosovës – është vështirë të pritet që të ketë ndonjë ndryshim të dukshëm në trendin e regjistrimit në veri”, thotë Simiq për Radion Evropa e Lirë.

    Regjistruesit janë të obliguar që të njëjtën amvisëri ta vizitojnë tri herë, në rast se në dy herët e para nuk gjejnë dikë, nga i cili do t’i merrnin të dhënat.

    Gjatë vizitës në amvisëri, regjistruesit janë të detyruar ta lënë një njoftim se kanë qenë dhe nuk kanë gjetur askënd.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë aktivë dhe t’u drejtohen komunave të tyre nëse regjistruesit nuk shkojnë te ta në pesë-gjashtë ditët e ardhshme.

    Ata që vendosin të mos regjistrohen, mund të përballen edhe me gjoba që i parasheh ligji: nga 30 deri në 2.000 euro.

    Gjobat për biznesmenët janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.

    Gjatë 24 ditëve të para të procesit janë regjistruar rreth 891.000 banorë.

    Rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen në gjysmën e dytë të qershorit.

  • Aksident në LLuzhan të Podujevës, një person në gjendje të rëndë

    Aksident në LLuzhan të Podujevës, një person në gjendje të rëndë

    Në fshatin Lluzhan të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku, ku si pasojë një person është në gjendje të rëndë.

    Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla.

    Ai shtoi se rasti ka ndodhur si pasojë e një aksidneti dhe ‘gjendja e të lënduarit është e rëndë’.

    Në vendin e ngjarjes ka dalë Policia e Kosovës, ndonëse policia ende nuk ka konfirmuar rastin për KosovaPress, ani pse janë kontaktuar.

    Për këtë rast raportojnë edhe mediat lokale në Podujevë, se dyshohet se një i moshuar është shkelur nga një veturë në Lluzhan.

    Syla nuk ka treguar se si ka ndodhur aksidenti, përveç që theksoi se i lënduari është si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor. Rasti ka ndodhur të hënën në orët e mbrëmjes.

    Si pasojë e këtij aksidenti, janë krijuar edhe kolona të gjata në aksin rrugor Prishtinë-Podujevë.

  • Arbër Zeneli shënon gol spektakolar nga gjuajtja e lirë

    Arbër Zeneli shënon gol spektakolar nga gjuajtja e lirë

    Sulmuesi kosovar, Arbër Zeneli, i cili aktivizohet në radhët e Elfsborgut në Suedi ka gjetur golin e tij të parë që prej rikthimit në Skandinavi.

    Elfsborgu po luan ndaj Siriusit në kuadër të javës së gjashtë në elitën e futbollit suedez, ndërsa pas 45 minutave të para, Elfsborgu po udhëheq pikërisht falë golit të Zenelit.

    Po zhvillohej minuta e pestë shtesë e pjesës së parë kur Arbër Zeneli tregoi mjeshtërinë e tij duke ekzekutuar në mënyrë perfekte goditjen e dënimit.

    Gjuajtja e Zenelit ndonëse u lexua nga portieri kundërshtar ishte e pamundur që të ndalej, dhe kësisoji topi përfundoi në rrjetë për rezultatin 1-0.

    Ky ishte goli i parë i Zenelit që prej se u rikthye në Suedi, aty ku në vitin 2015 kishte luajtur pikërisht për Elfsborgun.

  • Gjendet shëndosh e mirë 12-vjeçari nga Shtimja

    Gjendet shëndosh e mirë 12-vjeçari nga Shtimja

    Një 12 vjeçar që u raportua mbrëmjen e sotme si zhdukur në fshatin Petrovë, komuna e Shtimes, është gjetur shëndosh e mirë.

    Njoftimin e ka dhënë Arbër Rexhaj, i cili përmes një postimi në facebook, ka falënderuar të gjithë për mbështetjen e madhe e aq të shpejtë në gjetjen e Melosit./atvlive.tv

    Kujtojmë se familjarët njoftuan sot se ai ishte zhdukur që nga ora 13:00.