ATV

Author: ATVLive

  • Lëndohet rëndë këmbësori, Policia jep detaje për aksidentin në Lluzhan

    Lëndohet rëndë këmbësori, Policia jep detaje për aksidentin në Lluzhan

    Është lënduar rëndë një këmbësor dje në Lluzhan të Podujevës, pasi u godit nga një veturë në lëvizje.

    Viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Fsh. Lluzhan, Podujevë 29.04.2024-20:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti duke drejtuar automjetin nga pakujdesia e ka goditur këmbësorin – viktimën mashkull kosovar të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore. Viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • ​Uka lirohet nga spitali: Kam thyer brinjët, rikthehem pas një muaji

    ​Uka lirohet nga spitali: Kam thyer brinjët, rikthehem pas një muaji

    Futbollisti i Prishtinës, Kreshnik Uka është operuar me sukses dhe tashmë është liruar nga spitali ku do të vazhdojë me rikuperimin e tij, edhe pse ka fare pak shpresë që ai të luaj ndonjë ndeshje të mbetur të këtij sezoni.

    Uka ka thënë për KosovaPress se ka thyer brinjët dhe ka dëmtuar mushkëritë dhe kjo do të bëjë që ai të jetë jashtë fushës për katër deri në pesë javë.

    “Për momentin jam mirë, sot kam ardhur nga spitali, në QKUK jam trajtuar pas një lëndimi që pata në anën e majtë të brinjëve ku sipas analizave dhe rezonancave që i kam bërë në spitalin e Gjilanit më doli që i kam pasur një brinj të thyer dhe pak mushkëritë e dëmtuara. Ndërsa, menjëherë më kanë dërguar me ambulancë në Prishtinë dhe me kanë trajtuar duke e bërë një gjysmë operimi ku nga dita e mërkurë deri sot më kanë mbajtur aty, ndërsa sot më kanë liruar, kështu që për momentin jam mirë dhe po ndihem mirë. Sipas doktorëve dhe ekspertëve që kanë qenë në spital duku deri në katër apo pesë javë duhet pushim pastaj të fillojmë më stërvitje ”, tha Uka.

    Uka ka shtuar se do të dëshironte që të ishte në fushë për t’i ndihmuar bashkëlojtarët, por shprehet i bindur se fitorja ndaj Dritës në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës i ka motivuar lojtarët për të qenë në formë të lartë në ndeshjet e fundit të kampionatit, e sidomos për finalen e kupës kundër Ballkani.

    “Normalisht dëshiroj të jem në fushë për t’iu ndihmuar lojtarëve, mirëpo besoj që loja me Dritën, gjysmëfinalja që arritëm të shkojmë në finale na jep motiv shtesë për këto ndeshjet e fundit në kampionat, ndërsa në finale me Ballkani presim që të fitojmë dhe të shkojmë në Evropë”, theksoi Uka.

    Ndryshe, Prishtina synon që të dal në garat evropiane vetëp përmes Kupës së Kosovës, pasi në kampionat ka pak gjasa. Bardhekaltërit kanë 43 pikë në vendin e pestë, nëntë më pak se Malisheva e vendit të katërt.

  • Osmani takohet me Alford nga MCC: Granti prej mbi 200 milionë euro do ta transformojë sektorin e energjisë

    Osmani takohet me Alford nga MCC: Granti prej mbi 200 milionë euro do ta transformojë sektorin e energjisë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me zëvendës presidentin e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit – MCC, Cameron Alford.

    Osmani tha se granti prej mbi 200 milionë euro nga agjencia e MCC e qeverisë amerikane do ta transformojë thellësisht sektorin energjetik të Kosovës.

    “Si investimi më i madh në fushën e energjisë, Programi Kompakt është dëshmi e fuqisë së partneritetit Kosovë-SHBA.” – ka shkruar Osmani.

    Programi Kompakt i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit do të lansohet sot nga Qeveria e Kosovës, ku në ceremoni do të marrin pjesë presidentja Osmani, kryeministri Kurti, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Hovenier dhe zëvendëspresidenti i MCC-së, Alford.

  • Po udhëtonte nga Zvicra në Kosovë, vdes një grua në Aeroportin e Prishtinës

    Po udhëtonte nga Zvicra në Kosovë, vdes një grua në Aeroportin e Prishtinës

    Një grua ka vdekur të hënën në mbrëmje në Aeroportin e Prishtinës.

    Gruas, shtetase kosovare, iu përkeqësua gjendja gjatë fluturimit me aeroplan nga Zvicra për në Kosovë.

    Policia e Kosovës tha se vdekja e viktimës është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare derisa ishte duke fluturuar në arritje nga Zvicra, i është keqësuar gjendja shëndetësore dhe pasi është kontrolluar nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës”, tha Policia.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

  • ​Osmani e Konjufca bëjnë homazhe për ish-deputetin Ali Lajçi

    ​Osmani e Konjufca bëjnë homazhe për ish-deputetin Ali Lajçi

    Presidentja Vjosa Osmani bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe nënkryetaren, Saranda Bogujevci kanë bërë homazhe në përkujtim të ish-deputetit, Ali Lajçi.

    Në hollin e Kuvendit të Kosovës po bëhen homazhe dhe po ngushëllohet familja Lajçi. Ish-kryetari i Pejës, Lajçi vdiq dy ditë më parë. Lajçi ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

    Në hollin e Kuvendit të Kosovës bëhen homazhe deri në orën 12:00. Ndërkaq, ceremonia e varrimit do të jetë në orën 13:00 në varrezat e dëshmorëve në Velani të Prishtinës. Në kujtim të jetës së tij do të mbahet edhe akademi përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

  • Qëndrim Januzi dënohet me 17 vjet burgim për vrasjen e 30-vjeçarit në Ferizaj

    Qëndrim Januzi dënohet me 17 vjet burgim për vrasjen e 30-vjeçarit në Ferizaj

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Qëndrim Januzi, për akuzën se privoi nga jeta G.H, në maj të 2022-ës në Ferizaj, duke e dënuar me dënim unik prej 17 vjet burgim.

    Aktgjykimi ndaj Januzit u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri, pasi iu rikualifikua vepra penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Për veprën penale “Vrasje”, Januzi u dënua me 16 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje me 1 vit e gjysmë burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 17 vjet burgim.

    Të njëjtit i konfiskohet arma në mënyrë të përhershme.

    Sipas aktakuzës, më 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së marketit “Euro Market”, i pandehuri Qëndrim Januzi, me dashje dhe përgatitje paraprake kishte privuar nga jeta tani të ndjerin G.H dhe me atë rast kishte vënë në rrezik edhe jetën e Maliq Latifit, i cili kishte qenë para hyrjes së marketit si dhe të personave tjerë brenda në market.

    Në aktakuzë, thuhet se pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tani të panndehurit për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me të takuar tani të ndjerin ka shtënë gjashtë herë në drejtim të tij me armë zjarri dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra, G.H ndërron jetë siç ishte konstatuar në raportin e autopsisë të datës 22 gusht 2022, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila kishte ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit.

    Me këtë, Januzi akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal.

    Sipas dispozitivit II të kësaj aktakuze, i pandehuri Januzi akuzohej se nga koha e pacaktuar e deri më 28 maj 2022, në Ferizaj, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “SAUER model 38H”, me një karikator me kapacitet prej 8 fishekëve, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, ku e njëjta është sekuestruar.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

  • Ndalohet qarkullimi i veturave në drejtim të Gërmisë për 1 maj

    Ndalohet qarkullimi i veturave në drejtim të Gërmisë për 1 maj

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka marrë vendim që të anulohet qarkullimi i mjeteve të transportit në drejtim të parkut “Gërmia”.

    Ky vendim përjashton autobusëve të linjës 4 të NPL “Trafiku Urban”, automjeteve të policisë së Kosovës, të KFOR-it, të EULEX-it, të NPL “Gjelbër”, të KRM “Pastrimi”, të Drejtorisë së Inspektoratit dhe automjeteve emergjente.

    “Kryetari i Kryeqytetit ka nënshkruar urdhëresë që për 1 Maj, të ndalohet qarkullimi i mjeteve të transportit në drejtirm të parkut “Gërmia”, përveç autobusëve të linjës 4 të NPL “Trafiku Urban”, automjeteve të policisë së Kosovës, të KFOR-it, të EULEX-it, të NPL “Gjelbër”, të KRM “Pastrimi”, të Drejtorisë së Inspektoratit dhe automjeteve emergjente. Linja 5 e transportit publik do të punojë sipas itinerarit dhe orarit të rregullt deri në Sofali”, thuhet në njoftim.

  • Hoti me kritika ndaj Qeverisë: Emëron anëtaren e Bordit të OSHP-së pa konkurs publik

    Hoti me kritika ndaj Qeverisë: Emëron anëtaren e Bordit të OSHP-së pa konkurs publik

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendimet që lidhen me prokurimin si dhe emërimin e një anëtare në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

    Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar Qeveria nuk pyet për ligj apo praktika të mira të vendimmarrjes.

    “Siç raportohet nga tri organizata të shoqërisë civile, Qeveria e ka emëruar një anëtare të Bordit të OSHP-së pa konkurs të hapur. Kuvendi e ka miratuar këtë pa asnjë kundërshtim, siç është bërë praktikë. Disa qeveri me radhë kanë nënshkruar marrëveshje me Ambasadën Britanike, ku bordet dhe udhëheqësit e institucioneve të pavarura përzgjidheshin përmes konkursit publik, pavarësisht si definohej në ligj. Kjo praktikë e mirë kishte për qëllim zgjedhjen e profesionistëve në këto institucione vitale të shtetit”, ka shkruar Hoti.

  • “Kosova më jep shpresë për të ardhmen e Ukrainës”

    “Kosova më jep shpresë për të ardhmen e Ukrainës”

    Historia e Kosovës, shtetit që u përballë me luftë 25 vjet më parë, fotoreporterit amerikan me bazë në Ukrainë, Brendan Hoffmanit, i jep shumë shpresë për të ardhmen e Ukrainës.

    Një nga fotografitë e tij nga ditët e para të pushtimit të Ukrainës është pjesë e ekpozitës “Ukraina: Një krim lufte”, që u hap në Prishtinë më 29 prill. Ekspozita rrjedh nga libri me po të njëjtin emër që është botuar nga FotoEvidence, i cili përfshin mbi 360 fotografi dhe rrëfime të dëshmitarëve që hedhin dritë mbi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, që Rusia nisi më 24 shkurt 2022.

    Hoffman, që jeton në Kiev prej fundit të vitit 2013, dhe është i martuar me një ukrainase, thotë se për të është e rëndësishme të mësojë për historinë e Kosovës.

    “Për mua ka qenë e rëndësishme që të mësoj për paralelet, çfarë ka kaluar ky shtet 25 vjet më parë dhe kjo po ndodh tani në Ukrainë. Tani Kosova është shtet i pavarur, paqësor. Kjo më jep shumë shpresë për të ardhmen e Ukrainës”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Në ekspozitën e hapur në Prishtinë është përfshirë edhe fotografia që ai shkrepi më 25 shkurt 2022, një ditë pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.

    Atëbotë, gruaja e tij ishte në muajin e gjashtë të shtatzënisë dhe për të mos rrezikuar që të bllokoheshin në kryeqytetin ukrainas, vendosën që të largoheshin. Ai thotë se gjatë rrugës, u ndalë në një nga pikat ku ushtria ukrainase jepte armë për njerëzit që donin të luftonin kundër Rusisë.

    “Pamë në internet një listë të vendeve të ndryshme në mbarë vendin ku ushtria po jepte armë për çdo burrë në moshën për shërbimin ushtarak që dëshironte t’i rezistonte pushtimit rus. Ne shkuam në njërin prej tyre, na lanë të fotografonim dhe këta janë burra që donin të luftonin dhe armët që iu dhanë”, tregon ai.

    Djali i tij lindi në Poloni dhe Hoffman së bashku me familjen e tij, tani sërish jeton në Kiev.

    “Personalisht dhe profesionalisht, është e rëndësishme për mua që të jem atje dhe të vazhdoj të dokumentoj”, thotë Hoffman, puna e të cilit është shfaqur edhe në New York Times.

    Për kuratoren e ekspozitës, Svetlana Bachevanova, këto fotografi janë dokumente të rëndësishme.

    “Fotografitë janë prova. Siç e vini re, titulli i librit është ‘Ukraina: Një krim lufte’. Pra, shumë nga veprat që janë botuar janë krim lufte. Ideja ishte që të mblidheshin dhe të publikoheshin në mënyrë që askush të mos mund t’i mohonte, siç ka ndodhur shumë herë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

    Bachevanova nga Bullgaria, e cila gjatë luftës në Kosovë ka punuar si fotoreportere, thotë se “kam fotografuar imazhe që kanë shkuar si dëshmi e krimeve të luftës në Kosovë”.

    “Por, pjesa e rëndësishme është se Kosova nuk ka një libër që dokumenton atë që ka ndodhur. Shumë krime lufte nuk hetohen, shumë çështje nuk zgjidhen dhe nuk ka prova. A do të fajësoni për këtë? Jo, nuk fajësoj askënd. Njerëzit thonë se historia shkruhet nga fituesit. Fituesit shkruajnë historinë. Unë do të thosha se ndonjëherë, botues i guximshëm gjithashtu”, thotë ajo.

    Ekspozita është hapur në Hotelin Grand në qendër të Prishtinës. Për Lura Limanin nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, vendi ku po mbahet ekspozita ka kuptim të shumëfishtë, pasi përveç se ka qenë një vend ku kanë qëndruar gazetarët ndërkombëtarë që kanë raportuar për luftën në Kosovë më 1998-99, “ka qenë edhe bazë për trupat paramilitare [serbe] që dyshohet se kanë torturuar civilë shqiptarë” në ndërtesën e këtij hotelit.

    Kosova është solidarizuar me Ukrainën menjëherë pas nisjes së pushtimit. Shteti ka ndjekur shembullin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, duke vendosur dhjetëra runde sanksionesh ndaj Rusisë si dhe ka strehuar gazetare ukrainase në Kosovë.

    Njëra ndër to është edhe Lyudmila Makey, e cila mori pjesë në ekspozitë. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se ndihet mirënjohëse për të gjithë mbështetjen që i bëhet atdheut të saj.

    “Kur shikoj këto fotografi brengosem shumë. Më kujtohet dita e parë e pushtimit. Ishte dita më e tmerrshme e jetës sime”, thotë ajo.

    Makey tregon se vajza e saj, që kishte qëndruar në Gjermani pas nisjes së luftës, tashmë është kthyer në Ukrainë dhe po jeton në Kiev.

    “Çdo ditë më shkruan: ‘mami jam gjallë’. Çdo ditë qëndron nga dy-tre orë në bodrum për shkak të granatimeve e bombardimeve. Ëndrra ime është që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt. Kjo është ëndrra ime. Ne duhet të fitojmë. Duhet të korrim fitore, kjo është e rëndësishme”, thotë ajo.

    Edhe fotoreporteri Hoffman vë në pah rezistencën e popullit ukrainas dhe thotë se këdo që e njeh, i shpreh bindjen se lufta do të fitohet nga ta. Megjithatë, ai thotë se për shkak të kohës së gjatë, njerëzit edhe janë lodhur pasi nuk e dinë edhe sa do të zgjasë lufta.

    “Është shumë e vështirë pa të ardhme. Por, ukrainasit po mbahen”, thotë ai, duke shtuar se vendosmëria e popullit ukrainas për t’i bërë ballë pushtimit për të është inspiruese.

    Ekspozita “Ukraina: Një krim lufte” në Prishtinë do të jetë e hapur deri më 17 maj. Kjo ekspozitë veçse është shfaqur në Tiranë dhe ndalesat e radhës do të jenë në Shkup, Beograd dhe Sofje.

    Lufta e vazhdueshme në Ukrainë ka lënë të vrarë qindra mijëra njerëz, miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga shteti, ndërkaq po ashtu janë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë.

    Para se të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Rusia më 2013 aneksoi në mënyrë të paligjshme gadishullin ukrainas të Krimesë dhe mbështeti separatistët në rajonet lindore Ukrainës në luftën e tyre kundër forcave ukrainase./REL

  • 25 vjet nga rënia heroike e Ilaz Kodrës

    25 vjet nga rënia heroike e Ilaz Kodrës

    Sot bëhen 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.

    Ilaz Ismajl Kodra u lind më 3 maj 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.

    Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit.

    Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.

    Ilaz Kodra mbante kontakte ilegaliteti me komandantin Adem Jashari dhe me pjesëtarët e bërthamës së parë çlirimtare të Drenicës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’ u armatosur.

    Në periudhën para fillimit të luftës së hapur kundër forcave pushtuese serbe, Ilaz Kodra mori pjesë aktive në forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, në mobilizimin e vullnetarëve. Po ashtu, ai mori pjesë edhe betejën e njohur të Rezallës së Re, betejë kjo që u zhvillua më 26 nëntor të vitit 1997.

    Pas betejës së Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, bashkëluftëtarët e komandantit vazhdojnë veprimet luftarake duke e zgjeruar UÇK-në po thuajse në çdo fshat të kësaj ane.

    Ilaz Kodra, Fehmi Lladrovci, Abedin Rexha e të tjerë ishin kthyer në Drenicë së bashku me familjet e tyre. Po ashtu, frontet e luftës ishin zgjeruar edhe në Dukagjin, Anadrin, Neredime, në Shalë e në Llap.

    Ilaz Kodra ishte pjesëtar i kreut të luftës në Drenicë. Së bashku me Sami Lushtakun, Hashim Thaçin, Sylejman Selimin, Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Nuredin Lushtakun, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladrovci, Abedin Rexhën, Musë Jasharin, Sahit Jasharin, Shaban Shalën, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Ilaz Dërgutin, Asllan Fazliun, Besim Malën, Sabit Llardovcin e shumë të tjerë, komandant Ilaz Kodra ka marrë pjesë si në organizimin dhe strukturimin e luftës çlirimtare, ashtu edhe në zhvillimin e saj në terren, në malet e Qyqavicës dhe gjithandej në Drenicën Qendrore.

    Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqit-Lladrovci më 22 shtator 1998, Ilaz Kodra u caktua komandant i kësaj brigade, e cila mori emrin e komandantit të saj të parë, Fehmi Lladrovci.

    Rrezja e veprimit luftarak e Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci” e Zonës Operative të Drenicës shtrihej në një pjesë të Qyqavicës, prej Kronit të Mbretit, në Vasilevë në Drenas, Verboc Shtuticë, Baks, Qirez, Morinë, Dashevc, Prekaz, Polac, Prelloc, Skenderaj e deri në Tërnac.

    Në prill të vitit 1999, forcat okupatore serbe të goditura ashpër nga aeroplanët e NATO-s mllefin dhe zemërimin po e derdhnin kundër popullatës civile duke pushkatuar e masakruar kudo ku ata bënin përpjekje të mbijetonin, në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt.

    Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t i shkuar në ndihmë popullatës.

    Herët në mëngjes fillon sulmi i forcave armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra ka luftuar fyt për fyt kundër forcave serbe. Ai ra në altarin e lirisë më 30 prill 1999, në fshatin Shtuticë”.

    Në vitin 2012 është zbuluar busti i heroit dhe është inauguruar kulla-muze e tij.