ATV

Author: ATVLive

  • Durmishi ftohet nga Prokuroria Speciale për intervistë

    Durmishi ftohet nga Prokuroria Speciale për intervistë

    Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se është ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistë.

    Lajmin e ka bërë të ditur Durmishi, teksa ka njoftuar se ftesa i është bërë lidhur me nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë.

    “Dëshiroj t’ju njoftoj se kam pranuar një ftesë nga prokuroria speciale për intervistë më 8 maj. Kur e mora ftesën mendova që më në fund po më ftojnë për të më pyetur për lëndën që e pata dorzuar në Prokurorinë Speciale para gati tre vjetësh. Por jo, ata më kishin ftuar për nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë. Me gjasë dikujt po i pengon dinamika e punimeve në këtë projekt sepse gjithçka po ecën sipas planit”, ka shkruar ai midis tjerash në Facebook.

  • ​Kosovari thyen rekordin botëror në paragllajdizëm

    ​Kosovari thyen rekordin botëror në paragllajdizëm

    Paragllajdisti kosovar, Fanol Shala, ka arritur rezultat mbresëlënës në Kupën e Botës (seria e dytë) disiplina paragllajding precizion, të mbajtur në Alania të Turqisë.

    Shala u rendit i dyti nga 69 garues, me gjashtë pikë në total, por ajo që e veçoi më shumë ishte rekordi botëror, transmeton KosovaPress.

    Shala pati gjashtë ulje radhazi me rezultat 1 cm (total 6 cm), duke thyer rekordin botëror, të konfirmuar pas garës edhe nga Federata Ndërkombëtare e Aeronautikës.

    Vendin e parë e zuri kampioni botëror, kinezi Yang Chen.

    Paraqitje të mirë patën edhe garuesit tjerë të Kosovës Veton Sylaj, Migjen Shala, Gezim Statovci dhe Avni Kuçi.

  • Miratohet në Komision Kodi i Sjelljes, deputetët që shajnë gjobë deri 700 euro

    Miratohet në Komision Kodi i Sjelljes, deputetët që shajnë gjobë deri 700 euro

    E përditësuar – Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka miratuar të martën një ndryshim të propozuar nga deputeti i VV-së, Dimal Basha. Tash parashihet që deputetët që shajnë, ofendojnë e nxisin dhunë të sanksionohen deri në 50 për qind të pagës apo 688 euro, raporton Ekonomia Online.

    Po ashtu parashihen masa sanksionuese si vërejtje me shkrim e nëse ka shkelje të rëndë të përsëritur shqiptohet vërejtja me shpallje publike në uebfaqen e Kuvendit dhe deklarim të shkeljes në seancën e ardhshme.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka propozuar që deputetëve me sjellje të këqija t’u hiqen tri paga.

    “Me nenin 26 paragrafi c, d mendoj që po dënohet GP, po dënohet qytetari por jo deputeti. Nuk po me duket e logjikshme të dënohet dikush tjetër për sjelljen e pandërgjegjshme të deputetit. Unë propozoj që ndëshkimi të mos jetë 20 për qind, por të jetë deri në 3 paga”, ka thënë ai.

    Deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka thënë se sanksionimi bëhet me qëllimin që të shihet edhe si presion.

    “Nuk është çështja vetëm e ndëshkimit të deputetit, por edhe entitetit politik të grupeve parlamentare, që i takon në kuptim të vështirësisë së vendimmarrjes sepse e implikon punën e tyre në komisione. Kjo shërben si presion”, ka thënë ai duke u dakorduar që të rritet në 20 për qind sanksionimi për deputetët.

    Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se duhet të ketë çështje që mund të zbatohen.

    “Unë kam dilemat e mija nëse dikush e dërgon në kushtetuese këtë. A është kushtetuese apo jo? Sepse mandati i deputetit është i lirë i përgjigjet vetëm qytetarit askujt tjetër. Ky kod etik nënkupton shumë në sjelljet morale të njerëzve, është bukur e ndjeshme”, ka thënë ai.

    Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se pas miratimit të rregullores së punës së Kuvendit, miratimi i kodit të sjelljes për deputetët e Republikës së Kosovës, pa dyshim është një akt i cili do të ndihmojë jo vetëm funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës por sipas tij, do të krijojë obligime, sanksionime dhe do të themelojë një organ të ri i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshme.

    “Ky takim i komisionit për Legjislacion ka një rëndësi të veçantë për shkak se është mbledhur që të miratojë një dokument respektivisht një kod të sjelljes së deputetëve i cili nuk ka ekzistuar deri më tani, ashtu siç e tha kryetari Rrustemi. Pas miratimit të rregullores së punës së Kuvendit, miratimi i kodit të sjelljes për deputetët e Republikës së Kosovës pa dyshim është një akt i cili do të ndihmon jo vetëm funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës mirëpo do të krijojë obligime, sanksionime dhe do themelojë një organ të ri i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshëm”.

    “Kodi i sjelljes për deputetët e Republikës së Kosovës është i shkurtë por në esencë është një mjet pune, ku përcaktohen shumë saktësisht detyrimet, fushëveprimi qëllimi mirëpo edhe themelimi i një organi të ri. Kodi përcakton rregullat dhe standardet etike të deputetëve të Republikës së Kosovës. Ajo çka mund të them të gjitha dhe që e vlerësoj se parimet që i kemi ndërtu dhe në këtë kod janë parime që burojnë edhe nga institucionet më demokratike duke përfshi edhe Kongresin Amerikan që kemi qenë për vizitë”, ka thënë Tahiri.

  • Gjykata e rrëzon kërkesën e Gazment Bardhit për çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar të PD-së

    Gjykata e rrëzon kërkesën e Gazment Bardhit për çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar të PD-së

    Gjykata e Shkallës së Parë në Shqipëri ka vendosur të mos e pranojë kërkesën e Këshillit Kombëtar të PD-së, për të çregjistruar Lulzim Bashën si kryetar i kësaj partie.

    Gjyqtari Gentjan Marku vendosi mos të legjitimojë këshillin e thirrur nga Gazment Bardhi.

    “Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e 6 deputetëve për ta çregjistruar Lulzim Bashën si kryetar i PD-së. Gjyqtari Gentjan Marku vendosi mos të legjitimojë Këshillin e thirrur nga Gazmend Bardhi”, sipas njoftimit të PD-së./tch/

  • Kurti takon zëvendëspresidentin e MCC, sot hyn në fuqi Programi Kompakt në vlerë 236.7 milionë dollarësh

    Kurti takon zëvendëspresidentin e MCC, sot hyn në fuqi Programi Kompakt në vlerë 236.7 milionë dollarësh

    Kryeministri Albin Kurti e ka pritur në takim zëvendëspresidentin në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Cameron Alford, për ta shënuar, siç thotë Zyra e Kryeministrit, “fillimin e një momenti të rëndësishëm për vendin tonë në zhvillimin e ekonomisë përmes transformimit të sektorit të energjisë, fillimin e programit Kompakt me MCC”.

    I shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe Drejtori i Programit të MCC, Rinor Gjonbalaj, Alford e uroi Kurtin për këtë fillim të ri e të rëndësishëm për Kosovën, përmes funksionalizimit të programit të përbashkët të Kosovës në mbështetje dhe bashkëpunim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    “Kryeministri njoftoi z.Alford me suksesin në ankandit e energjisë solare dhe me strategjinë ambicioze të Qeverisë për energji, që shërben edhe si platformë e punës së Kompaktit. Më tej, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, njoftoi z.Alford me vizionin e Qeverisë në kuptim të zhvillimit të ekonomisë dhe rritjes së punësimit përmes investimit në aftësimin profesional, investimin në energji dhe në përgatitjen e kuadrove të reja në fushat STEM përmes bursave të studimit”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

    Programi Kompakt i cili komponentë kryesore ka ndërtimin e kapaciteteve akumuluese të energjisë, parasheh edhe komponenta të rëndësishme për zhvillim të kapaciteteve njerëzore e rritje të barazisë gjinore në sektorin e energjisë në vend. Programi Kompakt ka vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, nga të cilat 202 janë grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse 34.7 milionë janë bashkëfinancim nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

    “Së bashku me MCC dhe MCA, ashtu si me shumë projekte e programe tjera të USAID, e në partneritet me SHBA-të, Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet të zbatojë programet në përpikëri dhe në dobi të qytetarëve të saj”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

    Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për hyrjes në fuqi të MCC Compakt mbahet sot në orën 17:00.

  • Kurti bëri homazhe në Drenicë: Gjaku i martirëve është dritë e lirisë, është rrënjë e Republikës sonë

    Kurti bëri homazhe në Drenicë: Gjaku i martirëve është dritë e lirisë, është rrënjë e Republikës sonë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, filloi ditën duke bërë homazhe në Gllobar, Verboc dhe Shtuticë, në përkujtim të shqiptarëve të vrarë nga këto fshatra dhe zonat përreth, nga forcat policore e ushtarake të Serbisë më 30 prill 1999.

    “Para 25 vjetëve janë vrarë 276 shqiptarë, që dëshironin të jetonin të lirë në tokën e tyre stërgjyshore dhe gjaku i tyre është sot dritë e lirisë, është rrënjë e Republikës sonë, për çfarë ne u përkulemi përjetësisht dhe shprehim mirënjohjen tonë për këto familje të dëshmorëve që po qëndrojnë gjithnjë të fortë”, tha kryeministri Kurti.

    Pas homazheve në Gllobar, ku nderoi nëntë të vrarët e atij fshati, dhe nderimeve për 60 të vrarët në Verboc, Kryeministri vendosi buqetë me lule edhe në fshatin Shtuticë. Aty, kryeministri Kurti nderoi 76 shqiptarët e vrarë gjatë luftës, ndër ta 32 të vrarë në masakrën e vitit 1999. Në mesin e tyre, dy janë ende të pagjetur.

    Duke vlerësuar flijimet kaq të mëdha të popullit në fshatrat Shtuticë, Gllobar, Verboc, Baks, e mbarë Kosovës, ai tha se Kosova jonë demokratike me progres të gjithanshëm që po e forcon sundimin e ligjit, sovranitetin, integritetin territorial, por gjithashtu edhe drejtësinë dhe ekonominë, është dëshmia që ia ka vlejtur sakrifica edhe për çlirim edhe për përparim.

    Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

    Jemi këtu në Shtuticë bashkë me mësuesin Rifat dhe me shumë familje të dëshmorëve. Mësuesi Rifat ka qenë vet i plagosur. Në këtë fshat në të cilin janë gjithsej 76 shqiptarë të vrarë, dëshmorë e martirë, në vitin 1998 dhe 1999, ndërkaq para 25 vjetëve, pra me 30 prill 1999, këtu janë 32 të vrarë, dy janë ende të pagjetur.

    Në gjithë këtë zonë me fshatrat Gllobar, Verboc, Baks e kështu me radhë, ku kanë qenë të strehuar popullsia civile, para 25 vjetëve janë vrarë 276 shqiptarë, që dëshironin të jetonin të lirë në tokën e tyre stërgjyshore dhe gjaku i tyre është sot dritë e lirisë, është rrënjë e Republikës sonë, për çfarë ne u përkulemi përjetësisht dhe shprehim mirënjohjen tonë për këto familje të dëshmorëve që po qëndrojnë gjithnjë të fortë.

    Kosova sot është shtet demokratik me progres të gjithanshëm që po e forcon sundimin e ligjit, sovranitetin, integritetin territorial, por gjithashtu edhe drejtësinë dhe ekonominë, andaj kjo është një dëshmi që sakrifica ia ka vlejtur fortë edhe për çlirim edhe për përparim.

    Lavdi gjithë dëshmorëve e martirëve të Shtuticës, Verbocit, Gllobarit, Baksit dhe mbarë popullit tonë ngado që ai është, me këto flijime kaq të mëdha, me çmim kaq të lartë për lirinë që e gëzojmë sot.

  • Haradinaj kujton Ilaz Kodrën: Ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, ditën kur ra Luani

    Haradinaj kujton Ilaz Kodrën: Ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, ditën kur ra Luani

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar Betejen e Qafë Mullarit dhe heroin e kombit, Ilaz Kodra.

    Haradinaj ka thënë se në atë betejë ishte bashkë me Ilaz Kodrën, Fehmi e Xhevë Lladrovcin, Abedin Rexhën e luftëtarë tjerë.

    “Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama. Në atë betejë, isha bashkë po ashtu me Fehmi e Xhevë Lladrovcin, Abedin Rexhën, Ali Ahmetin, Ramiz Lladrovcin, Gani Ramën, Selim Krasniqin dhe Emrush Xhemajlin”, ka thënë Haradinaj.

    Postimi i plotë:

    Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama. Në atë betejë, isha bashkë po ashtu me Fehmi e Xhevë Lladrovcin, Abedin Rexhën, Ali Ahmetin, Ramiz Lladrovcin, Gani Ramën, Selim Krasniqin dhe Emrush Xhemajlin.

    Që nga ajo ditë jo vetëm që fitova respektin për Ilazin por kishim besim të madh se Ilazi do të bëhet shtyllë e luftës çlirimtare. Ashtu edhe ndodhi, ai luftoi heroikisht deri në rënien heroike në vendin e tij të dashur, në Drenicë, me bashkëluftëtarët e tij trima.

    Në këtë datë kujtojmë po ashtu, dëshmorët dhe martirët e rënë në Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar dhe fshatrat përreth.

    Në këto treva, shpirti i qëndresës është i përjetësuar. Ato mbesin në kujtesën historike si simbole të guximit dhe përkushtimit për Atdheun

    Lavdi e përjetshme!

  • Dëshmitari: Rrushe e Latife Kolollin i vranë forcat serbe

    Dëshmitari: Rrushe e Latife Kolollin i vranë forcat serbe

    Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Nuredin Abazi tha se Latife dhe Rrushe Kolollin i vranë forcat serbe, pasi që trupat e tyre janë gjetur në një zonë ku vazhdimisht ka pasur patrullime nga ata.

    Dëshmitari tha se vendi ku janë gjetur këto dy gra, ka qenë vend i rrezikshëm për të pasur qasje UÇK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Jo. Unë kam kuptu tek mas luftës se ato janë gjetur me një udhëkryq, në udhëkryq të cilin vazhdimisht patrullonin policia dhe ushtria e Serbisë, me autoblinda…I kanë vra forcat serbe se ka qenë e pamundur që me hy na si ushtri. Ka qenë vend tejet i rrezikshëm. Kur janë gjet trupat e tyre, se mbas luftës kam dëgju, ka qenë tejet e rrezikshme me u afru aty na se ai vend ka qenë gjithmonë me autoblinda e tanke të Serbisë”, tha dëshmitari.

    Abazi tha se ka dëgjuar se trupat e këtyre grave janë gjetur në rrugën kryesore Suharekë-Prizren.

    “Sa e di unë ato janë gjet afër Leshanit, rrugës kryesore që shkon për Suharekë-Prizren. Rruga që shkon për fshatin Leshan aty është udhëkryqi, njëfarë ishulli. Aty kam dëgju që janë gjet, se as nuk i kam parë”, tha dëshmitari.

    Duke folur për kohën kur kishte biseduar me këto gra, Abazi tha se nuk kishte autoritetin që t’i ndalonte.

    Madje, edhe për Sadik Halitjahën tha se nuk i ka njohur këto gra më herët.

    “Sadik Halitjaha nuk i ka njohur fare ato. Ku ka pas me i njoftë Sadik Halitjaha, kur Sadiku ka ardhë prej Zvicrës e s’i ka njoftë as 10 % të popullatës. 15 vjet në Zvicër ka qenë pa ardhë hiç”, tha ai.

    Dëshmitari tha se këto gra si të dyshimta i kishte sjellë Musë Çerkini pasi që ishin parë teksa hynin dhe dilnin nga stacioni i policisë serbe.

    “Që i kanë legjitimu, gjegjësisht Musë Çerkini. Mendohej se kanë bashkëpunu me policinë serbe, i kanë parë duke hy dhe dalë nga stacioni i policisë, e kështu me radhë”, tha ai.

    I pyetur se pse ishte i dyshimtë ky veprim, dëshmitari Abazi tha se ishin në gjendje lufte me stacionin e policisë e me ushtrinë Serbe.

    “Se ishte gjendje lufte, luftë kishim me stacionin e policisë, me ushtrinë e Serbisë. Bashkëpunimi me ata ka qenë i palejueshëm, i parregullt, i pamoralshëm. Gjendje lufte”, tha ai.

    Nga biseda me dy gratë, dëshmitari tha se e kishte kuptuar se veprimet e tyre në stacionin e policisë ishin për çështje të ulëta morali.

    “Ne, bashkëbiseduam me ato rreth asaj çka pretendohej, por gjatë bisedimeve u konstatu se nuk ka kurrgjë të dyshimtë. Ato thjesht i kishin bërë ato veprime për çështje të ulëta të cilat ia kam thënë edhe prokurorit”, tha ai.

    Dëshmitari shtoi se nuk ka raportuar tek Sadik Halitjaha për këtë bashkëbisedim me këto dy gra.

    “S’ka pas nevojë me i raportu. S’ka pas kurrfarë nevoje… Gjithherë nuk kemi mujt me kontaktu me komandantin se ai ka qenë edhe i zanë me detyra tjera. Shpesh ka mungu nga brigada, shpesh ka qenë e panevojshme. Kështu, disa gjana nuk kam mujtë me i raportu”, tha Nuredin Abazi.

    Abazi shtoi se i tha Agim Zybës dhe Naim Kadollit se gratë duhet të liroheshin.

    “Kam bisedu me Agimin dhe Naimin, Naim Kadollin, ( iu thash) femrat duhet të lirohen se nuk ka asgjë kontestuese, s’ka asgjë të ndaluar që kam konstatuar gjatë bisedimit me to. Krejt ishin çështje të ulëta të cilat nuk janë, nuk ja vlen me diskutu për ato, çështje morali që nuk ia vlen me u përmend. Ishin për çështje morali”, tha dëshmitari, duke shtuar se nuk e di nëse ata e kanë bërë një gjë të tillë dhe se a i kanë shoqëruar gratë në ndonjë vend tjetër.

    Dëshmitari Abazi thotë se Thaçi ka qenë udhëheqës politik në UÇK, por nuk e ka takuar kurrë

    Nuredin Abazi i cili është duke dëshmuar në Hagë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka thënë që Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës politik në UÇK.

    “Po, kanë qenë staf politik. Udhëheqës politik i UÇK-së”, tha Abazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Por, ai tha që me Thaçin dhe anëtarët e tjerë të Shtabit nuk është takuar asnjëherë gjatë luftës.

    “Jo kurrë. S’besoj që më njohin as ata mu. Veç në televizor i kam pa mbas luftës”, tha dëshmitari.

    Sa ishte në funksion në Budakovë, dëshmitari mohoi se ka trajtuar çështje të ndalimit atje.

    “Nuk kemi pas çështje të ndalimit na asnjëherë. Kemi pas çështje të legjitimimit, kryesisht të identifikimit të personave të cilët kanë hyrë në zonën e luftës dhe kurgjo tjetër”, tha ai.

    “Për detyrë e ka pas roja që e ka përkufizu zonën. Ata e kanë pas për detyrë me e identifiku se kush po hynë në zonë dhe kush po del, jo unë”, tha Abazi.

    I pyetur se në rast që ndonjë ushtar bënte shkelje kush e merrte në pyetje, dëshmitari tha se e bënte ai, duke e korrigjuar avokatin Luka Mishetiq se ishte bashkëbisedim.

    “Me bashkëbisedu me atë, unë. Objektivi ishte gabimi që kishte bërë ai që ka shkelë diçka që s’është dashtë me e ba, një veprim jonjerëzor, jo të duhur”, tha ai.

    Dëshmitari Abazi tha se pas bashkëbisedimit i raportonte komandantit, duke treguar edhe masat që i merrnin.

    “I raportoja komandantit. S’ka pas nevojë, ka qenë një shkelje e vogël , ia kemi dhënë një vërejtje ose një roje jashtë orarit dhe ka përfundu më kaq se s’kemi pas çka me i ba”, tha ai.

    Nuredin Abazi: Nuk ka pasur Gjykatë Ushtarake ndonjëherë në UÇK

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë Nuredin Abazi, i cili deklaroi se nuk ka pasur Gjykatë Ushtarake gjatë kohës së luftës, kur ai ka shërbyer si këshilltar juridik në Zonën Operative të Pashtrikut.

    Këtë deklarim, dëshmitari e bëri të martën në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Nuk ka pas ndonjëherë Gjykatë Ushtarake dhe as që është krijuar ndonjëherë ndonjë Gjykatë Ushtarake, sa e di unë. Gjykatë Ushtarake nuk ka pas kërkun në Kosovë pasi që për themelimin e një Gjykate Ushtarake, janë dashtë kushtet e veçanta të cilat atëherë na kanë munguar dhe kemi qenë të pazotë që ta krijojmë një gjykatë të tillë pasi ofensivat nuk na kanë lanë me e çu kokën. Nuk kemi mendu diçka rreth asaj përveçse me u mbrojtë dhe me marrë pjesë në aksione”, tha Abazi.

    I njëjti shtoi se Gjykatë Ushtarake edhe sot nuk ka mbas 25 viteve paqe.

    “Nuk jemi t’u mujtë me e themelu tani Gjykatën Ushtarake e lëre më atëherë në kushte të luftës. Prapë po e ceki, sa e di unë kurrë nuk kam ni për Gjykatë Ushtarake dhe as nuk ka pas Gjykatë Ushtarake”, tha dëshmitari.

    Përpara kësaj, mbrojtësi i Thaçit, avokati Luka Mishetiq ia prezantoi dëshmitarit disa fragmente nga libri i Ilaz Kadollit të titulluar “Syri i Shqiponjës”, në të cilin përmendej një iniciativë për krijimin e një Gjykate Ushtarake.

    “Thotë; në fillim të marsit 1999, baza- njësiti “Syri i Shqiponjës” ishte zhvendosur nga shtëpia e Ilnaz Papajt nga Vneshta në fshatin Kastër të Therandës rreth 100 metra pranë Shtabit të Zonës Operative të Pashtrikut. Njëri nga ushtarët në rojë më njoftoi se më kërkonte një rojë nga Shtabi i Përgjithshëm. E pyeta; Kush ishte?, më tha se ishte një burrë i moshuar që quhej “Baca Kolë”. Baca Kolë e quanim Sokol Dobrunën nga Gjakova”, tha Mishetiq, gjatë leximit të këtij fragmenti.

    Sipas Mishetiq, në këtë libër përmendej edhe Nuredin Abazi që sot është dëshmitar, që ka pasur mundësi që të shërbejë në Gjykatën Ushtarake pasi në kohën e luftës ishte jurist i diplomuar.

    “Tek paragrafi i dytë thuhet; Kola më njoftoi arsyen e ardhjes në Zonën Operative të Pashtrikut, përkatësisht takimit me mua dhe se ishte caktuar që të shtrinte degët e kësaj gjykate në të gjitha zonat ushtarake. Në fillim do të vepronin si shërbime juridike, ndërsa aty ku kishte kushte edhe si gjykatë dhe se do të ishin të lidhura në qendër me Shtabin e Përgjithshëm. Kola më bëri të ditur se unë isha caktuar që të organizoja Gjykatën Ushtarake në Zonën Operative të Pashtrikut, ndërsa urdhëresa do të më vinte me vonë përmes korrierëve”, lexoi Mishetiq.

    Sipas avokatit, aty ishte biseduar edhe për ushtarët që mund të shërbenin në Gjykatën Ushtarake.

    “ Baca Kolë më kishte parasysh për shkak të njohjes së mëhershme të profesionit tim jurist. Biseduam edhe për ushtarët e tjerë që mund të shërbenin në Gjykatën Ushtarake dhe u përmendën emrat e juristëve si Nuredin Abazi, Emri Gashi dhe të tjerë me të cilët fillimisht do të formohej shërbimi juridik në kuadër të zonës, ndërsa më vonë edhe vetë gjykata ushtarake”, tha Mishetiq duke lexuar fragmente nga ky libër.

    Në këtë seancë, pati një diskutim mes prokurorit James Pace, trupit gjykues dhe avokatëve mbrojtës lidhur me dëshminë e këtij dëshmitari dhe vërtetësinë e deklaratave që ai i kishte dhënë ndër vite në autoritetet e drejtësisë.

    Prokurori Pace propozoi që të merret parasysh deklarata e dëshmitarit e dhënë sipas rregullës 154. Ndërsa, mbeti që trupi gjykues të marrë një vendim lidhur me këtë.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Abdixhiku: Ali Lajçi ishte një ndër figurat më emblematike të lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci

    Abdixhiku: Ali Lajçi ishte një ndër figurat më emblematike të lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe në nderim të veprimtarit Ali Lajçi.

    Abdixhiku në librin e zisë ka shkruar se Lajçi ka qenë një ndër figurat emblematike të lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci.

    Njoftimi i plotë:

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe në nderim të jetës së veprimtarit të madh, Ali Lajçi.

    Kryetari Abdixhiku në librin e zisë për veprimtarin Ali Lajçi ka thënë: “Ali Lajçi ishte një ndër figurat më emblematike të lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci. Kontributi i tij në orët më të rënda për vendin mbeten shtyllë e një Kosove të zhvilluar, progresive dhe demokratike. Si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe si kryetar i komunës së Pejës ushtroi me mburrje dhe dinjitet funksionin e tij, në shërbim të qytetarëve. I tillë do të kujtohet përherë!

    Pusho në paqe!”

  • Gërvalla: Kosova kampione e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor

    Gërvalla: Kosova kampione e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor

    Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se shpreson që diskutimet e të martës të jenë konstruktive dhe se Kosova të mund të “kontribuojë si kampione e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkan Perëndimor që të vendosen standarde të reja”.

    Gërvalla ka folur para takimit joformal të ministrave të BE-së përgjegjës për çështje të përgjithshme që mbahet sot në Bruksel.

    “Unë si zëvendëskryeministre dhe ministre e Jashtme e Kosovës, erdha këtu me shpresë që të kemi një bisedë të hapur për sundimin e ligjit dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor e shteteve tjera aspiruese që të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Të diskutojmë për nivelet e standardeve demokratike e të sundimit të ligjit që janë të nevojshme të plotësohen para se t’i bashkohemi të gjithë bashkërisht familjes evropiane. Shpresoj që diskutimet sot të jenë konstruktive e që Republika e Kosovës të mund të kontribuojë si kampione e demokracisë dhe sundimit të ligjit në rajonin e Ballkan Perëndimor në vendosjen e standardeve të reja për anëtarët e rinj”, tha Gërvalla.