ATV

Author: ATVLive

  • Vdes një burrë në Prishtinë, rasti po hetohet

    Vdes një burrë në Prishtinë, rasti po hetohet

    Policia ka njoftuar se një person ka ndërruar jetë në QKUK.

    Në raport thuhet se dëshimitari ka deklaruar se e ka gjetur viktimën të shtrirë në tokë dhe më pas e ka telefonuar emergjencën.

    Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    “HETIM I VDEKJES – Prishtinë / 04.05.2024 – 07:40. Raportohet se ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar. Sipas dëshmitarit, viktimën e ka gjetur të shtrire në tokë, i njëjti e ka njoftuar emergjencën të cilët e kanë marrë personin dhe e kanë dërguar në QKUK, ku dhe ka ndërruar jetë. Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.”

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Për të dielën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, të cilat gjatë ditës pritet të marrin karakter zhvillimi, kryesisht në zona malore rreth pranë tyre, duke sjellur rrebeshe të izoluara shiu dhe ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 10-30 km/h.

    Temperaturat do të shënojnë ngritje, me minimale që do të lëvizin prej 6 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 20 deri në 24°C.

  • Hapet dyqani i parë social në Prishtinë

    Hapet dyqani i parë social në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Që nga sot, rastet sociale të kryeqytetit mund të pajisjen me produkte të ndryshme nga ky dyqan.

    Dyqani i parë social bamirës, i cili u hap të premten, përmban produktet esenciale, nga ato ushqimore e deri tek ato higjienike.

    Në hapjen e dyqanit i pranishëm ishte edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj. Ai tha se familjet nevojtare mund të vijnë pa hezitim, madje kishte menduar edhe për ata që nuk kanë mundësi transporti.

    Hapja e dyqanit u bë në bashkëpunim me shoqatën “Bereqeti”.

    Ndërkaq, një familje nevojtare do të ketë një shumë të caktuar brenda muajit, të cilën mund ta shfrytëzojë në këtë dyqan.

  • Licenca e avancimit, mësimdhënësit do të mund të kenë rritje page

    Licenca e avancimit, mësimdhënësit do të mund të kenë rritje page

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Mësimdhënësit që tashmë mbushin 7 vjet përvojë pune, së shpejti gjatë këtij viti do të kenë mundësi të aplikojnë për licencën e avancuar.

    Licenca, sipas Ministrisë së Arsimit, do t’iu mundësojë edhe rritje të pagës.

    “Nënkupton dy pjesë të provimit, atë me shkrim dhe e dyta nga inspektorati. Për këtë licencë mësimdhënësit do të kenë ngritje të pagës dhe kemi mendu që të jetë 1.2 e vlerës së koeficientit, që nëse e shohim me koeficientin që është sivjet, i bie diku 140 euro shtesë për mësimdhënësit e dalluar”, ka thënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    Mundësinë e licencimit e ka mirëpritur Sindikata e Bashkuar e Arsimit, pasi deri më tani një licencë të tillë nuk e posedon asnjë nga mësimdhënësit.

    Ndërkohë, në nivel vendi, sipas Ministrisë së Arsimit, janë 750 mësimdhënës që kanë mundësi t’i nënshtrohen këtij provimi.

    Ndërkohë, MASHTI është në fazën finale të përgatitjes së platformës digjitale për procesin e aplikimit dhe pajisjen me licencë të mësimdhënësve, platformë e cila do të lansohet në e-Kosova.

  • Dënimet për errësim të xhamave, paqartësi në ligjin e ri

    Dënimet për errësim të xhamave, paqartësi në ligjin e ri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Errësimit të xhamave me letër ngjitëse ua panë sherrin qindra qytetarë në Ferizaj.

    Vetëm gjatë muajit prill, Policia në këtë qytet gjobiti plot 222 qytetarë që errësuan xhamat e automjeteve.

    Por nuk dihet se mbi cilin nen u bazuan policët kur shqiptuan gjobat, meqë ligji i ri i cili hyri në fuqi më 3 prill nuk parasheh gjobë për këtë kundërvajtje.

    Polica tha shkurt se u bazua në ligj.

    “Ju njoftojmë se edhe me Ligjin e ri Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve rregullohet përdorimi i xhamave të errët në mjet, andaj bazuar në këto akte ligjore dhe nënligjore, policia do të shqiptojë gjobë ndaj kundërvajtësve që bëjnë shkelje të këtyre ligjeve”, thuhet në njoftimin e PK-së.

    Por ligjet e aktet nënligjore që i përmendi policia, në asnjë rast nuk i specifikojnë gjobat. Derisa ligji për trafikun rrugor nuk përmend askund decidivisht errësimin e xhamave, ai për automjete rregullimin e kësaj çështjeje e parasheh me akt nënligjor.

    Por as udhëzimi administrativ të cilit i referohet policia nuk specifikon dënim, vetëm se parasheh mënyrën e përdorimit.

    Andaj juristët konsiderojnë se këto gjoba janë të jashtëligjshme.

    “Natyrisht gjobat janë të paarsyeshme, të padrejta dhe të paligjshme, sepse asnjë kundërvajtje dhe asnjë dënim tjetër nuk mund të shqiptohet pa ekzistimin e bazës ligjore, në këtë rast ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor nuk e ka parapa si dënim të veçantë, apo gjobë të veçantë specifike errësimin e xhamave”, tha Visar Rrecaj, avokat.

    Errësimi i xhamave ishte i rregulluar me ligjin paraprak, por sipas Rrecajt, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, i vjetri shfuqizohet. Sidoqoftë, me a pa të drejtë, policia tha se do të vazhdojë me shqiptimin e gjobave për këto kundërvajtje.

  • As gjysma e planit të tenderimit s’u realizua nga qeveria për vitin 2023

    As gjysma e planit të tenderimit s’u realizua nga qeveria për vitin 2023

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit nuk e kanë përmbushur as gjysmën e planit të prokurimit për vitin 2023. Nga 935 aktivitete të tenderimit të planifikuara, vetëm 336 janë realizuar, sipas një raporti të Iniciativës për Progres.

    “Për nga vlera, këto 935 aktivitete kanë pasur vlerë të përbashkët 442 milionë euro, ndërsa kontratat të cilat janë nënshkruar e kanë vlerën afro 84 milionë euro, apo 19 %”, tha Arbër Kabashi, hulumtues në INPO.

    Krahas kësaj, nga 952 kontrata, 463 janë nënshkruar pa qenë fare të planifikuara nga Autoritetet Kontraktuese.

    “Për nga vlera nga 112 milionë euro, 83 milionë euro është vlera e kontratave të planifikuara, ndërkohë 28 milionë euro është vlera e kontratave të cilat nuk kanë qenë të planifikuara”, tha Kabashi.

    Këto statistika, sipas Albulena Nrecaj nga INPO, tregojnë për keqplanifikim nga Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit.

    “Në atë plan të prokurimit nuk janë parapa nevojat dhe shërbimet reale që ata kanë nevojë t’i kontraktojnë, në mënyrë që të ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët. Në anën tjetër, flet për një mungesë të gatishmërisë për t’i adresuar problemet që paraqiten gjatë vitit, brenda aktiviteteve të prokurimit”, tha Nrecaj.

    Derisa Qeveria e ka realizuar vetëm 35% planin e prokurimit, vlerësohet se më së shumti e pësojnë qytetarët.

    “Anomalia më e madhe është mosrealizimi i investimeve kapitale ku dihet se këto investime luajnë rol kyç në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha Nrecaj.

    Ministria e Drejtësisë e ka tejkaluar planin e prokurimit për 311% ngase ka planifikuar vetëm 700.000 mijë euro, ndërsa ka nënshkruar kontrata në vlerë 2.6 milionë euro.

    Kurse, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e ka realizuar vetëm 4.17% të planit. MINT-i kishte planifikuar 18 milionë euro, teksa 14 milionë i takojnë rezervës shtetërore.

  • 25 vjet burgim për Enver Sekiraqa

    25 vjet burgim për Enver Sekiraqa

    Përgatiti: Nora Luta

    Për herë të tretë, Enver Sekiraqa është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

    Sekiraqa është dënuar me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, dhjetë më pak se Arben Berisha, i dënuar për vrasjen e ish-policit.

    Por, plotfuqishmërinë e vendimit të paktën deri në një vendim tjetër, Sekiraqa do ta presë në liri, pasi gjykata ia ndërpreu masën e arrestit shtëpiak.

    I zhgënjyer me vendimin e gjykatës është shprehur babai i Triumfit, Shefqet Riza.

    Në shpalljen e aktgjykimit nuk ishte i pranishëm Sekiraqa, e as avokatja Kosovare Kelmendi.

    Pjesëtari i Njësisë Speciale të Kosovës, Triumf Riza, është vrarë 17 vjet më parë, në moshën 27-vjeçare.

    Për vrasjen e tij është dënuar Arben Berisha me 35 vjet burgim, i cili e ka pranuar se e kreu veprën penale.

    Ndërkohë, gjykimi maratonik ndaj Sekiraqës, kishte nisur në vitin 2014.

    Në gjykimin e parë i ishte shqiptuar dënim unik prej 37 vjetësh burgim, por rasti ishte kthyer në rigjykim nga Apeli.

    Apeli e ktheu në rigjykim edhe në vitin 2020, një vit pasi ishte dënuar me 30 vjet burgim.

    Ndërkaq, në gjykimin e tretë u dëgjuan dy dëshmitarë për herë të parë. Arben Selmanaj, shok dhe koleg i Triumift, u dëgjua përmes video-lidhjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai gjatë dëshmisë kishte shprehur bindjen se Sekiraqa e kishte orkestruar vrasjen.

    Pas propozimit të PSRK-së që Selmanaj të dëgjohet, mbrojtja kishte propozuar Gjon Kqirën, i cili kryesisht paraqiti versionin e tij rreth incidentit në “Swiss Casino”.

    Gjatë këtij procesi dëshmoi edhe këngëtarja Adelina Ismajli dhe familjarë të saj, por seancat ishin të mbyllura për publikun.

    Ndërkohë, Sekiraqës iu ndryshua masa e sigurisë edhe më 9 shkurt të këtij viti, duke iu caktuar vetëm masa e paraqitjes në stacionin policor, por në fund të muajit Apeli e ktheu në arrest shtëpiak.

    Ai ishte në arrati për rreth pesë vjet.

    Në arrati ishte deri në korrik të vitit të kaluar edhe i dyshuari tjetër Ilir Abdullahu, kur edhe u arrestua, por ndaj tij aktualisht nuk ka aktakuzë.

  • “Reporterët pa kufij” Kosova shënon regres në lirinë e medias

    “Reporterët pa kufij” Kosova shënon regres në lirinë e medias

    Përgatiti: Sara Shehu

    Kosova është renditur 19 vende më poshtë në Indeksin vjetor të Lirisë së Shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij. Këtë vit Kosova u rendit në vendin e 75 në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar kur ishte në vendin e 56-të.

    Raporti, sipas kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, duhet të jetë sinjal për Qeverinë.

    Në raportin e organizatës Reporterët pa Kufij, gazetarët në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, vazhdojnë të jenë “cak edhe i sulmeve politike”. Por pavarësisht rënies në indeks, Kosova qëndron më mirë se mediat në rajon.

    Derisa AGK-ja bashkë me misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Këshillin e Mediave të Shkruara organizuan një diskutim rreth sfidave të ruajtjes së standardeve profesionale dhe kodit të etikës gjatë raportimit, theksuan se Qeveria duhet të bëjë veprime konkrete në përmirësimin e situatës aktuale.

    “Sot është dita për ta festuar rolin vital të mediave në demokraci, për ta informuar publik dhe për t’i mbajtur autoritetet përgjegjëse. Nuk është keq që të kujtojmë sot që gazetarët duhet të ndihen në gjendje të mirë dhe të fortë, për ta bërë punën e tyre të lirë së pari. Raporti i Reporterëve pa Kufij e ka vendosur Kosovën në vendin e 75-të dhe nuk ka dyshim që në 12 muajt e fundit kemi pasur rritje të dhunës ndaj gazetarëve”, tha shefi i misionit të OSBE-së, Michael Davenport.

    Ndryshe, gazetarët e Kosovës vitin e shkuar ishin edhe cak i sulmeve fizike gjatë raportimeve nga veriu.

  • Faturat e KEDS-it tashmë mund t’i paguani edhe përmes platformës eKosova

    Faturat e KEDS-it tashmë mund t’i paguani edhe përmes platformës eKosova

    KESCO në bashkëpunim me platformën shtetërore eKosova, kanë krijuar mundësinë e pagesave të energjisë elektrike, por edhe për ta shikuar atë në mënyrë digjitale.

    Nga kjo kompani bëjnë të ditur se përpos pagesave në arkat e tyre, institucioneve financiare bankare dhe jobankare, si dhe aplikacionit eKesco, qytetarët e Kosovës dhe bashkëqytetarët nga diaspora mund të kryejnë pagesat shpejt dhe lehtë edhe përmes kësaj platforme.

    “Vlen të theksohet që për ta realizuar pagesën e energjisë elektrike në eKosova, secili konsumator fillimisht duhet ta përzgjedhë distriktin, varësisht regjionit, dhe më pas ta shkruajnë edhe shifrën e konsumatorit e cila është e veçantë dhe individuale për secilin. Psh: DPR 1234”, thuhet në njoftim.

    Tutje bëhet e ditur se pavarësisht se në cilën bankë jeni klientë, mjafton të keni një kartelë VISA ose MasterCard, për të vazhduar me hapat që u kërkohen për ta kryer pagesën. Banka që ju shfaqet gjatë kryerjes së pagesës është vetëm ndërmjetësuese, dhe transaksioni juaj realizohet në kohë reale, pa tarifë shtesë.

  • ​EURO 2024/25 – Grupmoshat U17 dhe U19 të Kosovës mësojnë kundërshtarët

    ​EURO 2024/25 – Grupmoshat U17 dhe U19 të Kosovës mësojnë kundërshtarët

    Sot në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës u bë tërheqja e shortit për raundin e parë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024/25, ku Kombëtarja e Kosovës në grupmoshat U17 dhe U19 tanimë ka mësuar kundërshtarët.

    Ekipet kombëtare të grupmoshave U17 janë ndarë në 14 grupe, ku shorti i sotëm e ka vendosur Kosovën U17 në Grupin 4 së bashku me Belgjikën, Ukrainën dhe Kazakistanin, raporton KosovaPress.

    Me datën 6 maj do të vendoset shteti nikoqir i turneut kualifikues të këtij grupi, ndërsa Evropiani 2025 me tetë ekipet finaliste do të zhvillohet në Shqipëri.

    Ndërkaq, sot shorti i raundit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024/25 u hodh edhe për Kosovën U19, i cili ka përcaktuar 13 grupet që do të fillojnë rrugëtimin drejt turneut final me tetë ekipe, që do të mbahet në Rumani në verën e vitit 2025.

    Kosova U19 është pozicionuar në Grupin 10 së bashku me Spanjën, Austrinë dhe Ishujt Faroe.