ATV

Author: ATVLive

  • ​Këto dy ministri nënshkruan marrëveshje për energji më të pastër me MCA-Kosova

    ​Këto dy ministri nënshkruan marrëveshje për energji më të pastër me MCA-Kosova

    Një hap i rëndësishëm në peizazhin energjetik të Kosovës është shënuar, pasi u nënshkruan marrëveshjet kyçe ndërmjet Qeverisë dhe MCA-Kosova. Ministria e Ekonomisë nënshkroi Marrëveshjen e Entit Zbatues (IEA) me MCA-Kosova për Aktivitetin Multifunksional të Ruajtjes së Energjisë (MFES), ndërsa Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me (Millenium Challenge Acount – Kosova) MCA-Kosova për Energjinë dhe Aktivitetin e Mbështetjes së Politikave Klimatike në kuadër të Programit Kompakt.

    Në njoftim thuhet se këto marrëveshje janë thelbësore për zbatimin e suksesshëm të aktiviteteve të Kompaktit, të cilat janë komponentë integrale të strategjisë së Kosovës për rritjen e sigurisë energjetike dhe kalimin në burime më të pastra të energjisë.

    “Pothuajse 2 milionë njerëz do të përfitojnë nga Programi Kompakt, investim ky në energji, më i madhi në 50 vitet e fundit. Deri në përfundim, Kosova pritet të ketë më së shumti ruajtje të baterive për kokë banori në botë”, citohet Florina Duli – Sefaj, kryeshefe ekzekutive e MCA-Kosova.

    Më tej thuhet se në mënyrë të veçantë, aktiviteti i MFES-it synon të mbështesë sigurinë energjetike të Kosovës dhe tranzicionin në një të ardhme me energji më të pastër, duke përdorur sistemet e ruajtjes së energjisë për rezerva, duke siguruar disponueshmërinë e sistemeve të magazinimit dhe duke reduktuar kostot për të siguruar energji adekuate për Kosovën.

    “Programi është hartuar dhe negociuar në një mënyrë që e vendos pronësinë e shtetit në qendër, një vlerë thelbësore e MCC-së që ne e vlerësojmë shumë. Ne jemi të përkushtuar që ta implementojmë programin me sukses dhe në kohë, e që Kosova të merret si shembull i suksesit kur flitet për programet e MCC-së”, citohet ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në komunikatë.

    Sipas njoftimit, në mars të vitit 2024, Qeveria e Kosovës ndërmori një hap të rëndësishëm duke krijuar strukturën e pronësisë së Ndërmarrjes Publike “Korporata për Ruajtjen e Energjisë” (KRE). KRE është vendosur të zotërojë dhe operojë rreth 125 MË për dy orë (ekuivalente me 250 MËh) të një ose më shumë sistemeve të ruajtjes së energjisë së baterive dhe sistemeve të tjera potenciale të ruajtjes së energjisë elektrike.

    Ministri Liburn Aliu ka theksuar se bashkë me Ministrinë e Ekonomisë dhe MCC-në, po fillojmë bashkëpunimin për një qasje sistematike për llogaritjen e gazrave serrë, kështu për të ndihmuar për Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe sektorin e tyre të ri për inventarin e GS.

    “Gjithashtu, do të ketë ndihmë për Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, për të trajnuar dhe rritur kapacitetet e stafit përkatës, për të kuptuar më mirë teknologjitë e ruajtjes së baterive dhe mënyrën e trajtimit të anës së vlerësimit të ndikimit mjedisor të këtyre projekteve”, ka pohuar Aliu, thuhet në njoftim.

    Po ashtu në njoftim thuhet se të dyja ministritë po shërbejnë si partnerë qeveritarë në zbatimin e asistencës teknike të financuar nga Kompakti.

    Marrëveshja e Entit Zbatues dhe Memorandumi i Mirëkuptimit janë pjesë e Programit Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Programi Kompakt MCC prej 202 milionë dollarësh, së bashku me një kontribut prej 34.6 milionë dollarësh nga Qeveria e Kosovës, e çon totalin në 236.6 milionë dollarë.

    “Kjo iniciativë adreson sfidën e furnizimit jo të besueshëm me energji elektrike në Kosovë, përputhet me prioritetet e zhvillimit kombëtar dhe energjetik të qeverisë, dhe synon të ulë varfërinë dhe të nxisë rritjen e qëndrueshme ekonomike në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

  • Mirlind Daku nominohet për lojtarin dhe sulmuesin e vitit në Rusi

    Mirlind Daku nominohet për lojtarin dhe sulmuesin e vitit në Rusi

    Mirlind Daku ka shkëlqyer këtë sezon në Rusi me Rubin Kazanin.

    Futbollisti shqiptar u transferua në Rubin Kazan gjatë afatit veror nga skuadra e Osijekut për 1.2 milionë euro.

    Gjatë këtij sezoni aktual ai ka shënuar 7 gola dhe ka bërë 4 asiste në 24 paraqitje.

    Daku është nominuar për disa çmime në kampionatin rus, si lojtari më i mirë i sezonit dhe sulmuesi më i mirë.

    Ai gjithashtu është nominuar për çmimin e debutuesit të vitit dhe për asistimin e vitit.

    Tifozët kanë të drejtën të votojnë nga data 2 maj deri më 13 maj, kurse pjesa tjetër varet nga votat e ekspertëve – të cilat fillojnë nga 15 maj deri më 24 maj.

    Kurse çmimet e më të mirit në Premier League në Rusi do të ndahen më 26 maj.

  • Begaj, “Qytetar Nderi” i arbëreshëve të Kalabrisë

    Begaj, “Qytetar Nderi” i arbëreshëve të Kalabrisë

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj nga dita e sotme është “Qytetar Nderi” i arbëreshëve të Kalabrisë.

    Këtë titull, të parit të shtetit, ia dhuroi Pallagorio, komunë në Provincën e Krotones.

    Këshilli i kësaj komune i drejtuar nga kryebashkiaku Umberto Lorecchio, vendosi me unanimet të plotë të nderojë Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, me titullin “Qytetar Nderi”, i Pallagorios.

    Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen e tij më të thellë duke theksuar se, e çmon jashtëzakonisht respektin dhe vlerësimin e tyre. “Ju siguroj, – u shpreh Presidenti Begaj, – që do të vijoj angazhimin tim e të institucionit që drejtoj, për të zhvilluar më tej marrëdhëniet midis arbëreshëve dhe shqiptarëve.”

    Kryetari i Shtetit e cilësoi nderimin e sotëm nga arbëreshët e Pallagorios, “si një nga momentet në jetë që të shënjon shumë fort, të lë mbresa të pashlyeshme, por edhe është një përgjegjësi dhe angazhim për të vijuar nismat për Arbërinë.”

  • Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për veprën penale “Dhunimi”

    Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për veprën penale “Dhunimi”

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me iniciale Xh.D., nga fshati Dubravë – komuna e Ferizajt, për shkak të dyshimit të veprës penale “Dhunimi” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 01 dhe 02 Maj të vitit 2024, saktësisht në motelin “XXL”, i pandehuri Xh.D., me dashje e detyron të dëmtuarën- si viktimë e ndjeshme për shkak të aftësive të kufizuara mendore, të kryej akt seksual dhe për ta bindur që të kryej akt seksual, i pandehuri ndaj saj ushtron edhe dhunë fizike dhe në fund pas dy dite, i pandehuri me të njëjtën veturë që kishte marr të dëmtuarën e dërgon në të njëjtin vend ku e kishte marr dhe e lë në rrugë, me çka ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.7 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    I pandehuri, me vendim të Prokurorit të Shtetit, që nga data 03 Maj 2024, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.

  • Policia: Kujdes nga mashtrimi përmes investimeve të dyshuara online

    Policia: Kujdes nga mashtrimi përmes investimeve të dyshuara online

    Çdo ditë keqbërësit kibernetikë tentojnë të kryejnë sulme kibernetike të llojeve të ndryshme, duke shpresuar apo duke synuar që të gjejnë një viktimë të radhës, që mund të jetë secili prej nesh. Viktima të krimit kibernetik mund të jenë të gjitha shtresat e shoqërisë, dhe pasojat në shumë raste mund të jenë mjaft të mëdha si në aspektin psikologjik, fizik por edhe në aspektin material.

    Policia e Kosovës ka kërkuar që të ngritet vigjilenca te popullata karshi këtyre fenomeneve.

    Së fundi, keqbërësit kibernetikë janë duke aplikuar një formë mashtrimi përmes së cilës i joshin përdoruesit e internetit që të investojnë në platforma të ndryshme online.

    Kjo formë e mashtrimit përfshin investimin në kinse kriptovaluta përmes platformave të ndryshme fiktive që dyshohen se janë skema piramidale.

    Me qëllim që të minimizojmë kërcënimet kibernetike dhe qytetarët të mos bien viktimë e tyre, Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes nga investime në platforma të panjohura të internetit.

    Në vijim janë disa metoda të cilat përdoren nga keqbërësit për të joshur viktimat të investojnë në skema mashtrimi përmes internetit:

    Fitim i shpejtë dhe i garantuar;Fitim në vlera joproporcionale dhe i pabazuar në trendin e kriptovalutave; Ftesa për regjistrime në platforma përmes linqeve të ndryshme, përfshirë një kod personal përmes të cilit ju jeni ftuar për t’u regjistruar në platformë dhe ju mund të ftoni persona tjerë të investojnë dhe për secilin person të regjistruar ju merrni një shumë nga investimi; Me qëllim të “bindjes” së përdoruesve se këto platforma janë gjoja të vërteta, në raste shumë të rralla disa persona shpërblehen duke iu kthyer mjetet;Prezantim i rrejshëm i certifikatave të ndryshme për t’u dukur kinse janë platforma investimi të vërteta; Platformat e investimeve janë të thjeshta, nuk kërkojnë shumë të dhëna për t’u regjistruar;Platformat nuk janë të regjistruara në institucione financiare;Njoftimi se e-mail adresa e juaj, numri i telefonit apo llogaria në rrjete sociale është përzgjedhur fituese;Investimi tingëllon shumë i mirë për të qenë i vërtetë (p.sh.: Investo 200 euro për të marrë 400 euro brenda tri ditëve);

    Si të mbroheni:

    Kërkoni në burime të hapura për platformën e caktuar dhe shikoni vlerësimet e bëra në internet; Hulumtoni nëpër forume online dhe informohuni për platformën apo për projektin; Nëse investimi është për kriptovaluta të reja shikoni dhe vlerësoni projektin e valutës; Kontrolloni nëse kriptovaluta dhe projekti janë të regjistruara dhe janë të rregulluara nga institucione përkatëse financiare; Analizoni dhe vlerësoni rrezikun e kthimit në fitim! Nëse fitimi është joproporcional dhe nuk është e qartë se si funksionon kthimi i fitimit konsideroni se kjo mund të jetë skemë piramidale; Skemat piramidale mbështeten në një fluks të vazhdueshëm investitorësh të rinj, për të paguar kthime për investitorët e mëparshëm. Ata mund të përdorin metoda të ndryshme referimi ose taktika marketingu, për të nxitur investitorët ekzistues për të rekrutuar të rinj. Konsultohuni me profesionistë që i njihni;Nëse jeni viktimë e këtyre mashtrimeve, i raportoni ato në stacionin më të afërt policor; Kujdes nga MASHTRIMET ME INVESTIME ONLINE!!! Mendoni dy herë para se të investoni online!

  • Avokati i Popullit dhe institucionet e vendit diskutojnë për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga CPT

    Avokati i Popullit dhe institucionet e vendit diskutojnë për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga CPT

    Avokati i Popullit në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, mbajti tryezën e rrumbullakët me qëllim të diskutimit për zotimet që kanë dhënë Institucionet e Republikës së Kosovës për përmbushjen e rekomandimeve të dhëna nga Komiteti për Parandalimin e Torturës (CPT) i Këshillit të Evropës, pas vizitës së realizuar në tetor të vitit 2020.

    Pas kësaj vizite, CPT-ja ka dhënë 100 rekomandime dhe 14 kërkesa për informata nga autoritetet relevante, si Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Ministria e Drejtësisë (MD), Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Ministria e Financave dhe Transfereve.

    Takimi u mirëprit nga pjesëmarrësit të cilët edhe ishin përgjigjur në rekomandimet dhe kërkesat e CPT-së, si dhe njoftuan se nga koha e dhënies se këtyre përgjigjeve, ka zhvillime të reja por edhe ngecje në disa rekomandime.

    Në takim morën pjesë përfaqësues nga MPB, MD, MSH, Policia e Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Institucionet e Shëndetit Mendor, Inspektorati Policor i Kosovës, Këshilli Prokurorial, Instituti i Mjekësisë Ligjore, si dhe nga zyra e zëvendës Kryeministres.

    Të pranishmit u pajtuan që informatat plotësuese do të përcillen tek Zyra për Qeverisje të Mirë deri më 20 maj, ndërsa më 28 maj planifikohet të mbahet takimi i radhës, ku do të jenë të ftuar edhe autoritetet mbikëqyrëse dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

    Avokati i Popullit tha se është e rëndësishme zbatimi i rekomandimeve sepse ndikon në imazhin e Kosovës dhe në vlerësim të progresit nga institucionet ndërkombëtare që vendi ka arritur në rrugën e integrimeve dhe synimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, e që ndërlidhen me përparimin e respektimit të të drejtave të njeriut.

  • Presidenca sllovene thotë se e mbështet Pahorin për pozitën e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

    Presidenca sllovene thotë se e mbështet Pahorin për pozitën e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

    Presidenca sllovene mbështet përpjekjet e Borut Pahor për t’u bërë i dërguari i ardhshëm i BE-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kështu është thënë për agjencinë e lajmeve STA nga kabineti i presidentes sllovene Natasha Pirc.

    Pirc së fundmi tha për mediat se Pahor është “i aftë të marrë këtë post” duke pasur parasysh përvojën e tij 17 vjeçare në poste të larta politike në Slloveni.

    Ajo e cilësoi atë si një kandidat ideal, pasi siç tha ajo, sllovenët e dinë mirë situatën në rajon dhe nuk kanë motive të fshehura.

    Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor së fundmi është përmendur si një nga personat që mund ta pasojë Miroslav Lajçakun në pozitën e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

    Tashmë është bërë e ditur se ai është duke përgatitur një draft-dokument lidhur me dialogun Kosovë–Serbi.

    Pahor, ka folur edhe vetë për mundësinë që të zëvendësojë Miroslav Lajçakun në pozitën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se do ta ofrojë planin e tij për vazhdimin e procesit.

    Pahor ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur dhe se nëse do ta zëvendësonte Miroslav Lajçakun në pozitën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, do ta ofrojë planin e tij për vazhdimin e procesit.

    Ish presidenti slloven theksuar se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur për shkak të mungesës së besimit.

    “Do të ofroj planin tim. Dialogu është në ngërç, ka mungesë besimi dhe ne duhet ta gjejmë mënyrën për të ecur përpara me besim më të madh”, ka thënë ai.

    Diplomatit sllovak Miroslav Lajçak i kanë mbetur edhe pak muaj si ndërmjetësues i Bashkimit Evropian në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Në kuadër të rotacionit të madh në postet diplomatike të Bashkimit Evropian nëpër botë, Mirosllav Lajçak, që aktualisht është i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër. Nominimi i tij për këtë post tashmë është bërë nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

    Lajçak shpesh u akuzua për qëndrim jo neutral. Vetë kryeministri Albin Kurti e akuzoi disa herë ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.

  • Shqipëria në vendin e fundit në Europë për lirinë e medias, Rama: Do ndëmarrim veprime për të përmirësuar mjedisin mediatik

    Shqipëria në vendin e fundit në Europë për lirinë e medias, Rama: Do ndëmarrim veprime për të përmirësuar mjedisin mediatik

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas raportit të Reporterëve pa Kufij në lidhje me lirinë e medias në Shqipëri.

    Sipas raportit për nga liria e medias dhe siguria e gazetarëve, Shqipëria ndodhet në vend të fundit. Ndërkohë që Rama me anë të një postimi në X, ka bërë hapa pas, duke theksuar se do të ndërmerren veprime për të përmirësuar mjedisin mediatik. Rama shkruan se raporti do të analizohet dhe dotë konslutohen me gjitha palët përkatëse për të ndërmarrë hapa konkretë.

    Postimi i Plotë:

    Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot dhe dua të falënderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre depërtues. Ne do ta analizojmë atë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët përkatëse dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve. Ne jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim globalisht. Qeveria shqiptare është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence.

    Sipas raportit të organizatës Reportërt Pa Kufij, Shqipëria mbetet në vend të fundit në Evropë për nga liria e Medias. Jo më larg se dje gazetarët janë mbledhur para hyrjes së Kuvendit, për të protestuar për të drejtat e tyre. Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, gazetarët kanë protetojnë me pankarta në duar, për të përçuar mesazhin se duan liri dhe siguri për raportimet e tyre.

  • “Reporterët pa kufij”: Shqipëria e fundit në Evropë

    “Reporterët pa kufij”: Shqipëria e fundit në Evropë

    Në një raportin e fundit të organizatës “Reporterët pa kufij”, Shqipëria shënon një rënie drastike në Indeksin e Lirisë së Shtypit, duke zënë vendin e 99-të në botë. Kosova ka rënë për 19 vende, duke zënë vendin e 75-të, ndërsa Serbia po qëndron në vendin e 98-të.

    Në raportin e publikuar më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, theksohet se mediat në Shqipëri ballafaqohen me presion politik, veçmas gjatë periudhave zgjedhore, ndërsa gazetarët kritikë shpesh janë subjekt i sulmeve dhe vështirësohet qasja në informacione publike.

    Në të njëjtën kohë, tensionet politike dhe sulmet ndaj gazetarëve po ndikojnë në lirinë e medias edhe në Kosovë, me një rënie prej 19 vende në indeks krahasuar me vitin e kaluar.

    Në këtë raport, rënie të lirisë së shtypit ka edhe në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

    Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi gjithashtu kanë shënuar rënie, tregues ky që vendet e rajonit po ballafaqohen me sfida të përbashkëta në ruajtjen e lirisë së medias. /atvlive.tv

  • Kosova vazhdon lobimin për anëtarësim në KiE, MPJD optimiste

    Kosova vazhdon lobimin për anëtarësim në KiE, MPJD optimiste

    Kosova po vazhdon të lobojë me intensitet të lartë për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës. Kështu bëri të ditur për Radio Kosovën zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, i cili tha se nuk sheh arsye që kjo çështje të mos jetë në agjendën e 16 dhe 17 majit. E njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se përfaqësuesit shtetërorë duhet të lobojnë çdo ditë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Muaji maj është i rëndësishëm për Kosovën, pasi pritet që të votohet për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha për Radio Kosovën se Kosova i ka plotësuar të gjitha standardet dhe parakushtet për të qenë anëtare e kësaj organizate, derisa theksoi se po vazhdojnë të lobojnë me intensitet të madh te vendet anëtare të BE-së.

    “Pra, mbetet vetëm edhe votimi përfundimtar, ku me këtë rast do të duhej të dërgohej ftesa prej Komitetit të Ministrave te Republika e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Edhe në Asamblenë Parlamentare kemi bërë një lobim intensiv ku rezultuam me një opinion jashtëzakonisht pozitiv që bënë thirrje që Kosova të anëtarësohet pa parakushte dhe ky opinion u mbështet nga 82 për qind e votave, të cilat u hodhën atë ditë. I njëjti intensitet i lobimit është duke vazhduar edhe më tutje. Nga vizita që kisha e para së bashku me delegacionin e kryeministrit në Berlin, po ashtu edhe në Stazburg, ku takova një numër të ambasadorëve të vendeve anëtare dhe mund të them që mbështetja është aty që procesi të ecë përpara”, deklaroi Ahmeti.

    Zëvendësministri Ahmeti theksoi se nuk sheh asnjë arsye që votimi të shtyhet apo të ketë ndonjë lloj hezitimi.

    “Është e vërtetë që ka disa zëra, por jo zyrtarë, që paraqesin një lloj ideje që të përzihen proceset, pra, procesi i dialogut në Bruksel me këtë të anëtarësimit në KiE, por kjo nuk është kredibile si ide. KiE është një organizatë e veçantë, ku përfituesit kryesorë janë qytetarët e Republikës së Kosovës, e veçanërisht minoritetet brenda shtetit tonë. Për më tepër, në dialogun në Bruksel jemi jashtëzakonisht konstruktiv, por kemi një qasje jo konstruktive nga Serbia. Prandaj, nëse këto procese ndërlidhen, atëherë e tëra çfarë ndodh është që i jepet e drejta e vetos Serbisë që të vendosë në një farë forme nëse Kosova do të anëtarësohet apo jo në Këshillin e Evropës. Unë jam optimist se të gjitha këto do të sqarohen para ministerialit dhe nuk shoh arsye që Kosova të mos jetë pjesë e agjendës me 17 maj”, tha Ahmeti.

    E njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, tha për Radio Kosovën se përfaqësuesit shtetërorë duhet çdo ditë të lobojnë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    “Të lobojnë në mënyrë që të fitohet vullneti politik edhe i atyre shteteve që mund të kenë mëdyshje rreth votimit të tyre. Prandaj, në këtë kuptim unë mendoj që institucionet përkatëse janë duke e bërë punën e tyre, por mbetet për t’u parë në rezultatet që do të kemi edhe pak ditë nga takimi i Komitetit të Ministrave”, tha Pula.

    Këshilli ndërqeveritar i Evropës këtë muaj do të marrë një vendim përfundimtar nëse do ta pranojë Kosovën në këtë organizatë. Asambleja Parlamentare e Këshillit votoi me një shumicë dërmuese më 16 prill për të mbështetur kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Por, ditët e fundit, Franca dhe Italia kanë dërguar sinjale se po e kushtëzojnë mbështetjen e tyre për Kosovën me zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.