ATV

Author: ATVLive

  • Antidroga arreston tre persona në Fushë-Kosovë

    Antidroga arreston tre persona në Fushë-Kosovë

    Ditën e djeshme hetuesit e antidrogës së Policisë së Kosovës në Regjionin e Prishtinës, gjatë punës operative në terren në funksion të parandalimit dhe luftimit të dukurisë së abuzimit dhe shitblerjes së substancave narkotike edhe në nivel rruge kanë pranuar informata relevante se rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë, personi i dyshuar me iniciale (R.H.) është duke u marr me shitblerje të substancave narkotike të llojit Kokainë.

    Pas një pune hetimore dhe me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me datën 04.05.2024 hetuesit policor të antidrogës kanë implementuar një plan taktik, ku fillimisht rreth orës 19:20 në Rr. “Dardania” Fushë Kosovë është ndaluar i dyshuari me iniciale (G.B; viti i lindje 1993) dhe gjatë kontrollimit të tij është gjetur një qese e vogël e mbushur me pluhur ngjyrë të bardhë substancë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë me peshë 0.5 gram. Në vazhdimësi të operacionit rreth orës 20:40 është ndaluar vetura e tipit Fiat ngjyrë hiri, të cilën e drejtonte personi me inicialet (R.F; viti i lindjes 1996) dhe pasagjer në veturë ishin edhe personat me iniciale (E.F; dhe F.K;), ku gjatë kontrollimit të tyre tek i dyshuari (R.F:) janë gjetur tri (3) qese të vogla të mbushura me pluhur ngjyrë e bardh substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë me peshë 1.6 gram .

    Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Renda në Prishtinë dhe operacioni ka vazhduar në Rr.”Dardania ” në Fushë Kosovë, tek banesa e të dyshuarit me iniciale R.H; viti i lindjes 1965), ku gjatë bastisjes apo kontrollit në banesë janë gjetur provat dëshmitë tjera si në vijim:

    (46) dyzet e gjashtë paketime të vogla të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, të gatshme për shitje me peshë të përgjithshme 23.3 gram.

    (1) Një peshore e vogël digjitale që shërben për matje në sasi të vogla .

    Para të gatshme në valuta te ndryshme me vlerë prej (730 euro) që dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikeve .

    (2) dy telefona celular.

    Në vend të ngjarjes kanë dalë njësia K-9 dhe njësia e Forenzikes Regjionale-Prishtinë, e cila ka bërë fotografimin dhe konfiskimin e të gjithave dëshmive/provave të gjetura materiale.

    Të dyshuarit janë arrestuar dhe në konsultim me Prokurorin Kujdestar pas intervistimit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48-orë, për proceduar të mëtejme ligjore.

    Vlen të potencohet se i dyshuari me iniciale F.K;(1991) pas verifikimit në data bazën e Policisë figuronte se ka urdhër arrest me vuajtje të dënimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Hetime të tjera lidhur me rastin janë duke vazhduar nga antidroga e Policisë në bashkërendim me prokurorinë.

  • Kritikët e artit me një sërë vërejtjesh për shtatoren e Skënderbeut në Gjakovë

    Kritikët e artit me një sërë vërejtjesh për shtatoren e Skënderbeut në Gjakovë

    “Art Crtic” ka krikituar punimin e shtatores së Skënderbeut, që u u zbulua dje në qytetin e Gjakovës.

    Sipas “Art Critic”, ana estetike e shtatores lë hapësirë për tu krikituar.

    “Trupi i heroit i cili qëndron i ulur në kalë. Nga beli e sipër proporcionalisht trupi i tij është shumë i madh në raport me pjesën e poshtme të trupit. Nëse do fokusohej skulptori në përmasat e vogla trupore të tij duke filluar nga koka, qafa, gjoksi, krahët, gjunjët, pulpat e këmbëve dhe shputat. Të jenë në harmoni pjesët njëra me tjetrën jo sikur në këtë rast pjesa sipër e trupit duket si e pavarur(krahët, gjoksi i madh, gjunjët e shkurtër në tërësi këmbët)”, thuhet në reagim.

    “Nëse analizohet ngjashmëria e heroit, ngjashmëritë bazohen në fakte të ndryshme historike. Në këtë rast më shumë skulptori fokusohet te punimi i muskujve të kalit, dhe në plan më në rregull e vë strukturën e kalit se të heroit. Këllëfi i shpatës shumë i madh në raport me trupin e heroit. Nëse analizojmë këmbët e kalit para dhe ato prapa nuk janë në harmoni me lëvizjen (janë të pa koordinuara) pra ecje e kalit dhe të bërit hapin para me këmbë përpara nuk ndërlidhet sepse të paktën njëra nga këmbët prapa duhet të jetë paksa e lakuar tek gjuri derisa ecja e kalit mbas ligjit të vepruarit duhej ta bënte një gjë të tillë. Duhet të ngritët pyetja se figurat e shquara si në ketë rast heroi jonë madhështor Skënderbeu a duhet të punohet me profesional? A duhet të filtrohen bucetat nga komisionet profesionale? Duhet shumë kujdes për shtatoret në hapësirat publike veçanërisht për figurat historike, sepse çdo gjeneratë mbas këtij imazhi krijon një pasqyrë në mendje”.

    Zbulimi i monumentit u bë në platon e madhe të parkut të qytetit të Gjakovës, dhe pikërisht në 25-vjetorin e çlirimit të këtij qyteti.

    Në ceremoni kanë marrë pjesë kryetari i komunës së Gjakovës, politikanë dhe shumë qytetarë.

  • Aliu zotohet se punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë do të përfundojnë brenda afateve

    Aliu zotohet se punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë do të përfundojnë brenda afateve

    Për më shumë se 10 vite, ekskavatorë e kamionë gjenden në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.

    Punimet në këtë rrugë, shpesh herë janë ndërprerë, ndërsa ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, thotë për Ekonomia Online se punimet po vazhdojnë me intensitet të lartë.

    “Aktualisht jemi në proces të mirë të punimeve. Punimet po vazhdojnë me një intensitet të lartë, pra pasi është nënshkruar kontrata e re punët po ecin mirë”, thotë Aliu.

    Tutje ai bëri të ditur se rezultatet e punimeve do të shihen shumë shpejt.

    “Shpronësimet janë kryer të gjitha. Të gjitha problemet teknike janë eliminuar, nuk ka ndonjë pengesë që do mund të bënte që të ngecin punët. Kështu që presim edhe rezultate të shpejta por besoj që brenda një kohe shumë të shpejtë pjesën e segmentit që e lidhë pjesën e Vushtrrisë me Prishtinën do ti kemi të përfunduara e pastaj edhe pjesën tjetër deri në Gojbulë e që gjithçka do realizohet brenda afateve”, thotë Aliu.

    Afati kohor që i është dhënë kompanisë ndërtuese për këtë magjistrale është 25 muaj ndërkaq projekti i saj ka kosto në vlerë prej 25 milionë euro, si fond i siguruar me huamarrje nga fondi ndërkombëtar OPEC për zhvillim ndërkombëtar dhe Fondi Saudit për Zhvillim.

  • Konjufca: Gëzuar Pashkën të gjithë bashkëqytetarëve të besimit ortodoks

    Konjufca: Gëzuar Pashkën të gjithë bashkëqytetarëve të besimit ortodoks

    Kryekuvendari, Glauk Konjufca i ka uruar Pashkët të gjithë bashkëqytetarëve të besimit ortodoks.

    “Kjo festë që vjen në frymën e ripërtëritjes dhe rikthimit të shpresës, që kërkon reflektimin për rëndësinë dhe domethënien e sakrificës, që kërkon të forcojë vlerësimin, respektin dhe përkujdesin ndaj njëri-tjetrit, le ta gjejë gjithkënd përreth vlerave të solidaritetit dhe mirësisë”, shkroi ai.

    “Ajo na tregon për efektin e madh ndriçues mbi errësirën, tregon se e mira triumfon edhe kur mund të duket e pafuqishme, se drejtësia nuk është vetëm çështje force, por më së pari, çështje besimi dhe insistimi tek ajo. Këto mësime të vyera i shërbejnë përnaltësimit të jetës shpirtërore, teksa pasqyrohen në jetën shoqërore. Mbarësi, gëzim, shëndet e harmoni në familjet tuaja, sot e gjithmonë!”, shtoi Konjufca në Facebook.

  • Pashkët ortodokse, Kurti: Në ditë si kjo, festojmë edhe bashkëjetesën kulturore e fetare të shoqërisë sonë

    Pashkët ortodokse, Kurti: Në ditë si kjo, festojmë edhe bashkëjetesën kulturore e fetare të shoqërisë sonë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve.

    Kurti ka uruar që fryma e Pashkës të dhurojë mirëqenie, shëndet, lumturi e begati.

    “Fryma e Pashkës ju dhuroftë mirëqenie, shëndet, lumturi dhe begati, që t’i gëzoni dhe ndani me familjet, miqtë dhe fqinjët tua”.

    Më tutje i pari i vendit ka thënë se në këtë ditë kujtojmë bashkëjetesën kulturore e fetare të shoqërisë në Kosovë.

    Postimi i plotë:

    Pashkë të bekuar!

    Besimtarëve ortodoks dhe bashkëqytetarëve tanë, ju uroj Pashkën për shumë mot. Le të na përcjellë kjo festë me urime për fillim të ri, shpresë të ringjallur, e besim të forcuar.

    Fryma e Pashkës ju dhuroftë mirëqenie, shëndet, lumturi dhe begati, që t’i gëzoni dhe ndani me familjet, miqtë dhe fqinjët tuaj.

    Në ditë si kjo, festojmë edhe bashkëjetesën kulturore e fetare të shoqërisë sonë. Aty ku të gjithë qytetarët e të gjitha besimeve, pa dallim, mund të jetojnë së bashku në paqe dhe prosperitet.

  • IKSHPK bën thirrje: Pastroni duart, shpëtoni jetë

    IKSHPK bën thirrje: Pastroni duart, shpëtoni jetë

    Sot më 5 maj shënohet Dita Botërore e Higjienës së Duarve.

    Me këtë rast, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, bën thirrje që t’i kushtohet rëndësi kësaj.

    IKSHPK i fton sidomos punëtorët shëndetësor për ta rritur sigurinë e pacientëve.

    “A e dini? Shumë objekteve të kujdesit shëndetësor u mungojnë shërbimet elementare të higjienës së duarve. Këtë #DitëBotëroretëHigjienëssëDuarve, le të angazhohemi të përshpejtojmë veprimet duke investuar në shërbimet e ujit, kanalizimeve dhe higjienës”, thekson Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

  • Axhanqiq: Unë takohem me Kurtin hapur, të tjerët fshihen

    Axhanqiq: Unë takohem me Kurtin hapur, të tjerët fshihen

    Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës Veriore, Katarina Axhanqiq, ka thënë se gjatë 15 ditëve të fundit është takuar dy herë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa për dallim nga shumë politikanë serbë të veriut dhe pjesëve tjera të vendit, të cilët siç u shpreh, takohen fshehurazi me të, ajo tha se një gjë të tillë e bënë hapur dhe publikisht.

    Ajo gjatë një interviste për KosovaPress, bëri të ditur se me kryeministrin Kurti përveç anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KE), kanë biseduar edhe për tema të ndryshme të cilat ndikojnë në përmirësimin e standardit jetësorë të qytetarëve të veriut.

    Axhanqiq peticionin e suksesshëm për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore dhe pastaj dështimin e referendumit në veri, i quajti politika të larta.

    Sipas saj, komunikimi në mes të institucioneve lokale dhe atyre qendrore është i pashmangshëm dhe duhet të ekzistojë për të mirën e qytetarëve.

    Në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në KE, ajo tha se është një gjë e duhur që duhet të kryhet sa më parë.

    Nënkryetarja e Mitrovicës Veriore, theksoi se deri tani nuk është sulmuar asnjëherë nga askush për shkak të bashkëpunimit të saj me institucionet e Republikës së Kosovës, ndonëse nuk e përjashton një gjë të tillë në të ardhmen.

    Duke folur për procesin e regjistrimit të popullsisë, ajo tha se statistika është shkencë e pamëshirshme dhe se numrat tregojnë gjithçka, andaj ka ftuar qytetarët serbë të veriut t’i përgjigjen pozitivisht këtij procesi.

  • Osmani uron Pashkët ortodokse: Të mbizotërojë paqja dhe respekti në mbarë botën

    Osmani uron Pashkët ortodokse: Të mbizotërojë paqja dhe respekti në mbarë botën

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u ka uruar festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve ortodoksë.

    Osmani ka thënë se kjo festë le të sjellë gëzim te besimtarët ortodoksë dhe shpresë për paqe e harmoni mes njerëzve në mbarë botën.

    “Sot besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët. Kjo festë le të sjellë gëzim te besimtarët ortodoksë dhe shpresë për paqe e harmoni mes njerëzve në mbarë botën. Pashkët ortodokse janë pjesë e traditës së Kosovës për kremtimin e festave në frymën e mirëkuptimit, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë. Shpresa, besimi dhe optimizmi për paqe, harmoni dhe shëndet e përcjellshin këtë festë në secilën familje të besimtarëve ortodoksë. Për shumë mote, gëzuar Pashkët ortodokse”, citohet Osmani në urimin e Zyrës së Presidentes.

    Besimtarët ortodoksë sot kremtojnë ngjalljen e Jezu Krishtit në meshën e pashkëve, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq. Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve.

  • Nderohen dëshmorët, Ramosaj: Deçani dha djem e vajza të devotshëm për lirinë e Kosovës

    Nderohen dëshmorët, Ramosaj: Deçani dha djem e vajza të devotshëm për lirinë e Kosovës

    Nderohen dëshmorët, Ramosaj: Deçani dha djem e vajza të devotshëm për lirinë e Kosovës

    Në kuadër të Ditës së dëshmorëve dhe martirëve të kombit në Komunën e Deçanit, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë kjo komunë dha njerëz të devotshëm për lirinë e Kosovës, prandaj sipas tij, është obligim i yni për një zhvillim ekonomik të Deçanit dhe Kosovës.

    Në seancën solemne në përkujtim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit nga kjo komunë, kryetari Ramosaj, është shprehur se pa sakrificën e dëshmorëve, Kosova nuk do ta kishte lirinë dhe nuk do të ishte shtet.

    “Ne na bënë shumë nder, sepse jemi të kësaj komune, e kjo komunë ka pasur shumë njerëz të devotshëm në këtë përkushtim, dhe ka pasur njerëz të gatshëm për të vdekur për këtë vend. Pa këto rënie heroike, pa këtë çmim, nuk kishim ardhur deri tek liria, nuk kishim mundur as me e pas shtetin. Nderi për neve është edhe obligim, edhe krenaria duhet të jetë obligim. Obligimi më i madh që ne sot e kemi brezi jonë, që dikur i kemi pasur bashkëluftëtarë që i kujtojmë sot, është obligimi për një zhvillim ekonomik të këtij qyteti e shteti. Unë jam i sigurt, që kjo trashëgimi, përpos brezit tonë, do të respektohet dhe nderohet përjetësisht nga të gjithë pasardhësit derisa kjo botë të ekzistojë”, ka thënë Ramosaj.

    Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se e vetmja mënyrë që të garantojmë ekzistencën tonë të paprekshme është që Kosova të hyjë në NATO.

    “Në hartën e lirisë së kombit tonë, për fat të mirë ne e zëmë një vend të ndritur si Deçan, si qytetarë të kësaj pjese të hartës së kombit. Ne duhet të dimë se cilat do të jenë fitoret tona të ardhshme, duhet të kemi një qëllim apo fitore që synojmë. E vetmja mënyrë që të garantojmë ekzistencën tonë të paprekshme është të hymë në NATO, nuk ka të bëjë vetëm me i servuar dikujt, nuk ka të bëjë me fitua ndonjë vend politik dhe me kundërshtuar dikë por ka të bëjë të sigurojë sakrificën, gjakun e gjithë atyre brezave. Duhet të hymë në NATO, të gjitha të tjerat janë gënjeshtra, mashtrime, na marrin në qafë”, është shprehur Haradinaj.

    Po ashtu, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Deçanit, Hajdar Sutaj ka shtuar se shtimi i dhunës mbi shqiptarët gjatë viteve 80-ta dhe 90-ta, nxjerrin në pah një brez i cili ishte i bindur që mënyra e vetme që do ta dërgonte vendin tonë tek liria dhe pavarësia është lufta e armatosur, e cila njihet si Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

    “Sot dhe asnjëherë, nuk harrojmë dhe nderojmë me respekt familjet e të zhdukurve, të cilët edhe 24 vjet pas lufte ende nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre. Pas shumë përpjekjeve të rezistencës në forma të ndryshme të popullit tonë, shtimi i dhunës mbi shqiptarët gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta nxjerrin në pah një brez i cili me të drejtë ishte i bindur që vetëm lufta e armatosur do ta dërgonte vendin tonë tek liria dhe pavarësia e që më vonë do të njihej si Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka shtuar ai.

    Pas përfundimit të seancës së Kuvendit, drejtues të komunës kanë bërë homazhe tek shtatoret e dëshmorëve, Luan Haradinaj, Mentor Tolaj, Sali Çeku e Beg Rizaj.

  • Serwer: Zyrtarët në ShBA dhe Evropë janë të përgatitur ta tolerojnë dhe ta shpërblejnë Vuçiqin

    Serwer: Zyrtarët në ShBA dhe Evropë janë të përgatitur ta tolerojnë dhe ta shpërblejnë Vuçiqin

    Analisti i njohur amerikan, Daniel Serwer ka akuzuar qeverinë e re të Serbisë për përfshirje në radhët e saj të ministrave të sanksionuar nga ShBA për korrupsion dhe pro-rus, teksa për kryeministrin e ri rikujtoi se udhëhoqi ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë kur ajo ishte bashkëpunëtore në sulmin terrorist në Banjskë.

    Serwer në një shkrim autorial në ‘Peacefare’ ka thënë se Qeveria e re e Serbisë përfaqëson një kthesë të mëtejshme drejt së djathtës etno-nacionaliste, anti BE.

    Megjithatë, sipas tij zyrtarët në SHBA dhe Evropë janë të përgatitur ta tolerojnë dhe madje ta shpërblejnë Vuçiqin.

    “Disa kanë frikë se çdo alternativë mund të jetë më e keqe. Të tjerët nuk duan të pranojnë dështimin e tre viteve të ecjes së lehtë ndaj Vuçiqit. Të tjerë ende imagjinojnë se thërrimet që ai shpërndan në drejtimin perëndimor, serbët që përdorin targa dhe dokumente identiteti të Kosovës – mund të parashikojnë përmirësim për çështje më të mëdha. Predhat dhe plumbat që Serbia lejon për të arritur në Ukrainë mund të ndikojnë në disa, ndonëse me siguri sasi të ngjashme – nëse jo më shumë – arrijnë në Rusi”, tha ai. Profesori amerikan Daniel Server, thotë se vetëmashtrimi është një pjesë e madhe e kësaj historie. “Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk do të zbatojë marrëveshjet që SHBA dhe BE i konsiderojnë si ligjërisht të detyrueshme. Beogradi e ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo përkundër kualifikimeve të tij dhe përfitimeve që mund të kenë prej tyre serbët e Kosovës. Me siguri amerikanët dhe evropianët inteligjentë e kuptojnë se pjesëmarrja serbe në stërvitjet e NATO-s gjeneron një rrjedhë të konsiderueshme të inteligjencës në Rusi”, tha ai.