Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, e ka vlerësuar si moment historik faktin që Kosova së fundmi ka marrë për herë të parë vlerësimin e saj kreditor që do të mundësojë tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë.
“Kosova së fundi siguroi një vlerësim sovran të kredisë nga Fitch Ratings për herë të parë me mbështetjen e USAID. Ky moment historik do të tërheqë investime të huaja, do të zvogëlojë kostot e huamarrjes, do të rrisë aksesin në tregjet globale të kapitalit dhe do të ndihmojë në përshpejtimin e rritjes ekonomike”, shkruan Power në platformën X.
Heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu u lind më 6 maj 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit.
Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri më 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë. Në vitin 1444 ai mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane.
Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën.
Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit. Ai do të njihej si besnik i mbretit të Napolit në traktatin e Gaetës, ku mbështeti mbretin Ferdinand të Napolit në luftën civile të viteve 1460–1461. Në vitin 1463 ishte komandant i forcave të kryqëzatës së Papa Piut II, ndërsa vdis më 17 janarin e 1468, në moshën 63-vjeçare.
Gjergj Kastriot Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë.
Në nderim të ditëlindjes së tij, sot mbahen një sërë aktivitetesh në sheshin që mban emrin e heroit në Prishtinë. /KP/
Sot mbushen 27 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj, në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj 1997, në kufirin shqiptaro -shqiptar.
Beteja disa orësh me forcat serbe, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.
Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë. Kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky që ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi bien në një pritë të ushtrisë jugosllave, në kufirin shqiptaro-shqiptar.
Në këtë pritë vritet Luan Haradinaj, plagoset Rafet Rama, e po ashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan të Rekës, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.
Luan Haradinaj u lind më 17 nëntor 1973 në Gllogjan të Rekës përkatësisht të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryejë duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.
Sot mbushen 25 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit.
Agani u vra me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe. Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Fehmi Agani, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, u vra afër Lipjanit nga serbë me uniforma dhe të armatosur.
Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.
Për nder të profesor Aganit vite më parë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.
Qe nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, argumentimit dhe realizimit të këtij qëllimi. /KosovaPress/
Lautaro Martinez ka folur për marrëdhënien e tij me “kafshën e konkurrencës” Lionel Messi ndërsa ka adresuar spekulimet për të ardhmen e tij në Inter.
Sulmuesi i Interit zbuloi se sa shumë punon Lionel Messi në stërvitje, ndërsa shpjegoi se mentaliteti fitues i yllit të Inter Miami e veçon atë nga bashkëmoshatarët e tij. Ai gjithashtu foli me krenari për miqësinë e tij dhe lidhjen e ngushtë që ndan me legjendën e Argjentinës.
Duke folur në programin televiziv italian Che Tempo Che Fa, Lautaro tha: “Unë jam shoku i skuadrës së Messit. Ne po flasim për një lojtar të rëndësishëm që ka bërë histori në futboll. Ndjehet sikur ai po luan një sport tjetër në seancat stërvitore. gjëra që nuk i kam parë kurrë më parë. Ai është një kafshë konkurrence dhe nuk dëshiron të humbasë kurrë.”
Kontrata aktuale e 26 -vjeçarit me Interin skadon në vitin 2026, dhe ai është lidhur me një transferim të verës mes interesimit të raportuar nga Barcelona, por sulmuesi pohoi se do të dëshironte të vazhdonte në Milano, ndërsa la të kuptohej se mund të nënshkruante një marrëveshje të re me klubin ziklatër pasi fitoi Scudetton 2023-24.
“Asnjëherë nuk e dini se çfarë mund të ndodhë në futboll, por sigurisht që jam i lumtur në Milano dhe dua të zgjas kontratën. Ne vuajtëm dy vjet më parë kur Milani fitoi titullin, kështu që [22 Prilli] ishte një ditë e veçantë për ne. Ka lojtarë me vlera të forta , por ne luajtëm ndeshje të shkëlqyera dhe arritëm atje”, theksoi ai.
Abdullah Haradinaj del shpesh në parkun e Gërmisë.
Gjatë ecjes këndej, i ka rënë të shohë edhe gjarpërinj, por nuk është ndier i rrezikuar. Thotë se kohëve të fundit është rralluar prezenca e tyre.
“Parkun e Gërmisë e frekuentoj 3 herë në javë. Para dy vjete kam pa me shumicë në këtë pjesë. Dal natën e ditën po nuk ndihem i rrezikuar”, thotë Abdullah Haradinaj, qytetar.
Qytetarë të tjerë thonë se nuk kanë hasur asnjëherë në ta, deri tash.
‘’Çdo ditë dal për të ecë, mirëpo nuk kam pa gjarpërinj”, thotë një qytetar.
Sipas fotografit të botës së egër, Arian Mavriqi, në Gërmi ka vetëm një lloj gjarpri helmues. Mirëpo, deri tash nuk është shënuar ndonjë rast kafshimi nga ta.
“Në Gërmi si shumë vende tjera të Kosovës ka gjarpërinj. Prej tyre është vetëm një helmues, është Vipera Ammodytes. Nëse ndonjëherë ndodhë ndonjë kafshim, atëherë mos keni panik dhe duhet automatikisht të kontaktoni mjekësinë familjare më të afërt që mund të na ndihmojnë derisa të marrim serumin e duhur”, tha Arian Mavriqi, fotograf i botës së egër.
Se ky lloj i zvarranikëve është prezent në Parkun Kombëtar të Gërmisë, e konfirmon edhe drejtori për Siguri dhe Emergjencë në komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica. Megjithatë, ky thotë se autoritetet nuk guxojnë të ndërhyjnë në largimin e tyre.
‘’Është habitat i tyre i mbrojtur dhe si i tillë nuk ka askush të drejtë të intervenojë dhe t’i largojë nga ambienti i tyre natyror, nuk ka të drejtë askush të prishë disbalancin apo ekuilibrin e Florës dhe Faunës në parkun e qytetit”, tha Fushtica.
Në Parkun e Gërmisë ka edhe disa lloje të tjera të kafshëve të egra, të cilat janë të mbrojtura me ligj. /ATV
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Nuk janë hiq të rralla rastet kur për produktin e njëjtë, qytetarët paguajnë dyfishin e çmimit nga një barnatore në tjetrën.
Farmacitë kanë mundësinë që t’i shesin barnat me çmimin që e caktojnë vetë ata por, jo edhe për shumë kohë.
“Vitin e kaluar në parlamentin e Republikës së Kosovës ka kaluar Ligji për nivelizimin e çmimit të barnave. Ky Ligj është në fazën e implementimit. Deri më datën 16 maj do të bëhen paraqitjet e të gjitha çmimeve ashtu siç e parasheh ligji por në këtë drejtim, kemi formuar dy mekanizma të filtrit që mos të abuzohet me çmimin”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kritik ndaj afatit kohor të përcaktuar nga vetë ministri, shprehet njohësi i shëndetësisë, Bujar Vitija.
Duke thënë se tavani i këtyre çmimeve është dashur të caktohej kohë më parë, ai nuk mendon se ka përgatitje sa duhet meqë edhe mbledhjet e komisionit përgjegjës ishin të pakta.
“Kam dyshimet e mia, kjo nuk është një çështje e freskët, është miratuar kohë më parë por nuk ka filluar të zbatohet, edhe nuk ka pasur diskutime mjaftueshëm…”, tha Bujar Vitija.
Por nëse gjithçka shkon sipas planit të ministrit, Vitija përmend benefitet që do të kenë qytetarët nga kjo.
Sipas ligjit për çmimin e produkteve medicinale, kostoja e tyre do të vendoset në banderolë të secilit produkt, dhe do të jetë e njëjtë në të gjitha barnatoret.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Shitësit në Tregun e Gjelbër me pakicë në kryeqytet po ankohen se kohëve të fundit po kanë më pak punë. Këta vlerësojnë se ka rënë fuqia blerëse, madje edhe për produkte bazike.
Mirëpo e pranojnë se u është dashur t’i ngritin çmimet.
“Janë rritur çmimet, nuk ka shitje , nuk ka njerëz, rrugët janë shpraz. Është shqetësuese sepse njerëzit kanë shku jasht. Nuk ka punë as 20% qysh ka pas viteve te kalume”, thotë Bajram Ramadani, shitës.
Në anën tjetër, ankesa kanë edhe blerësit. Sidomos pensionistët, që thonë se çmimet janë bërë të papërballueshme për ta.
“Shumë shqetësuese duke e dit gjendjen ekonomike të popullatës, kryesisht unë si pensionist që nuk ka rritje të pensioneve me vite. Është shumë e vështirë me i përballu këto çmime, inflacioni e bën të veten”, tha Agim Vushtica, blerës.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacionin për muajin mars ishte 2.3%.
Ekonomisti Medain Hashani konsideron se trendi i shtrenjtimit të produkteve po i dëmton qytetarët. Ndërsa ka kritika për qeverinë që, sipas tij, nuk ka punuar në adresimin e këtij shqetësimi.
“Nëse i analizojmë punën qeverisë prej momentit kur e ka marrë mandatin si qeveri dhe deri tani, inflacioni mundemi me thanë që në shportën familjare është 60%. Nëse analizojmë në aspektin e kostos së lartë që janë rrit çmimet në përgjithësi tregon që nuk është vetëm 2.3%, po është më i lartë. Kjo është ai sinjali që i ka ndezur qytetarët të kenë ankesa në këtë aspekt sepse asnjë masë nuk është ndërmarrë nga ana e qeverisë”, tha Hashani.
Megjithatë, ka qytetarë që çmimet në treg u duken të arsyeshme.
“Rritja është e lartë dhe nuk është shumë e lartë, pak gjera ka që janë mbi një euro. Ai që punon ka, ai që nuk punon i duket shtrenjta”, tha Gani Berisha, blerës.
Sipas të dhënave të fundit të ASK-së, nga produktet bazike ushqimore, më së shumti janë shtrenjtuar pemët, me 9.8%, krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Ndërmarrja Trepça është dënuar me rreth 14 mijë euro nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, për eksploatim të jashtëligjshëm në Majdevë të Leposaviqit.
Në muajin shkurt, në këtë zonë veriore, ishte mihur toka private për argjilë. Njësia veriore e ndërmarrjes nuk ishte pajisur me licencë nga KPMM-ja për këtë aktivitet.
“Trepça Sh.a. ka bërë shkelje duke kryer aktivitet të jashtëligjshëm minerar-shfrytëzim i mineralit: Argjilë. Në pajtim me ligjin 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet nenin 79 nënparagrafi 2.2 për zhvillimin e aktivitetit ilegal minerar të bërë me datën e lartshënuar, ndërmarrja ngarkohet me Gjobë Administrative 10,000.00 euro”, thuhet në njoftimin nga KPMM-ja.
Ndërmarrja, pa leje, shfrytëzoi mbi nëntë mijë e 600 tonë argjilë.
“Nga operimi i paligjshëm ka shfrytëzuar 9,607.43 ton e cila do të llogaritet me trefishin e vlerës së rentave minerare”, thuhet më tej në njoftimin nga KPMM-ja.
Gjobës administrative 10 mijë euroshe, iu shtuan edhe 3700 euro tjera i janë shtuar në bazë të kësaj llogaritjeje.
Raporti për veprën penale i është përcjellë edhe Policisë.
Prona ku u bë eksploatimi ilegal, iu dha në shfrytëzim ndërmarrjes me vendim Qeverie në janar të vitit aktual. Mirëpo, ky vendim u anulua meqë toka doli të jetë pronë private, e jo e shtetit siç thuhej në vendimin e janarit.
Sipas informatave që posedon ATV, këtë vendim të ekzekutivit është duke e trajtuar departamenti i krimeve ekonomike i Policisë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: