ATV

Author: ATVLive

  • BQK-ja po punon që Kosova të anëtarësohet në SEPA

    BQK-ja po punon që Kosova të anëtarësohet në SEPA

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Banka Qendrore e Kosovës është duke punuar, por nuk e di se kur do të jetë pjesë e Zonës së Pagesave Vetëm me Euro, e njohur si SEPA, që aplikohet në Bashkimin Evropian.

    BQK-ja thotë se janë në proces të përmbushjes së kritereve ligjore dhe teknike, por më pas varet nga Këshilli Evropian i Pagesave për vendimin final.

    “Ky është proces shumë teknik ku vlerësohet përmbushja e secilit kriter ligjor e teknik me fokus të lartë për kapacitetin e vendit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit. Pra, kërkohen ndryshime në kornizën ligjore dhe rregullative në disa fusha, sikurse u përmendën më sipër, si dhe zhvillime të mëdha infrastrukturore (teknike) janë të nevojshme, të cilat Republika e Kosovës është duke i adresuar dhe përgatitur”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

    SEPA, që mund të aplikohet edhe në shtetet joanëtare të BE-së, lehtëson pagesat dhe transaksionet ndërkufitare, duke i plotësuar standardet e njëjta.

    BQK-ja thotë se Kosova përfiton nga kjo, sidomos në uljen e kostos së remitencave dhe shkëmbimit tregtar me vendet evropiane.

    Ky po konsiderohet hap shumë i rëndësishëm edhe nga ekonomistët.

    Pas problemeve që u shfaqën për çështjen e dinarit, si zgjidhje Zonën e Pagesave Vetëm me Euro e dha edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në fillim të shkurtit.

    Andaj Gerxhaliu ani pse e sheh problematike, shpreson që kriteret për aplikim në BE të plotësohen deri më 13 maj kur pritet të mbahet takimi mes kryenegociatorëve, pikërisht për dinarin.

    Jetësimi i SEPA-s, sipas ambasadores së BE-së në Mal të Zi, Oana Cristina Popa, brenda një viti do t’ia kursente tërë rajonit 500 milionë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • 700 mijë euro humbjet vjetore nga mospagesa e ujit në veri

    700 mijë euro humbjet vjetore nga mospagesa e ujit në veri

    Përgatiti: Haris Ademi

    Rreth 18 milionë euro llogaritet të jenë shpenzimet për prodhimin e ujit për komunat veriore të Kosovës, që nga paslufta. Për 25 vjet, faturat e ujit nuk janë paguar asnjëherë në zonën e banuar me shumicë serbe.

    Ujin për këtë pjesë të Republikës e prodhon Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”. Ndërsa, humbjet vjetore financiare, Autoriteti Rregullativ i Ujërave thotë se janë rreth 700 mijë euro.

    “Uji i cili dërgohet në veri, matet me ujëmatës dhe për këtë sasi të ujit kalkulohen shpenzimet e prodhimit, të cilat në baza vjetore janë rreth 700.000 euro. Këto shpenzime nuk përfshihen gjatë kalkulimit të tarifës për qytetarët e pjesës jugore të Mitrovicës dhe komunave tjera që KRU ‘Mitrovica’ ofron shërbimet e ujit”, thuhet në përgjigjen nga Autoriteti Rregullativ i Ujërave.

    Në planin strategjik 2021-2023 të ARRU-së, thuhet se në veri, por edhe në Shtërpcë dhe Kllokot, operojnë organizata pa licencë për ofrim të shërbimeve, si dhe pa leje ujore për shfrytëzim të burimeve të ujit.

    Prandaj, njohësi i këtij sektori, Sokol Xhafa, konsideron se, krahas humbjeve financiare, shteti nuk është në dijeni as për cilësinë e ujit që e pinë qytetarët e veriut.

    “Nuk është cilësia e kontrollueshme, nuk e dimë çfarë uji pihet… Dëmtohet ndërmarrja…”, tha Xhafa.

    Qeveria nuk ka kthyer përgjigje për ATV-në nëse ka në plan që faturimin e shërbimeve të ujit ta shtrojë si temë në proces të dialogut me Serbinë.

    Megjithatë, kryeministri Albin Kurti, para një viti e kishte fajësuar Serbinë që në veri të Kosovës nuk është paguar për ujin dhe energjinë elektrike. Për rrymën tashmë ka nisur implementimi i marrëveshjes, për çka është licencuar kompania Elektrosever.

    Njohësi i procesit të dialogut, Arben Fetoshi, thotë se qeveria nuk duhet të insistojë edhe në një çështje teknike në Bruksel, por në zbatim të marrëveshjes finale.

    “Do ta instalonim një kompani serbe, sikur për rrymën… Nuk duhet të lëshohemi në tema teknike…”, tha Fetoshi.

    Derisa kjo çështje të zgjidhet, KRU “Mitrovicës” i duhet që t’i mbulojë humbjet e veriut, përmes subvencionimit nga qeveria, apo formave të tjera alternative të financimit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Axhançiq kritikon procesin e regjistrimit të popullsisë

    Axhançiq kritikon procesin e regjistrimit të popullsisë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Axhançiq, ka kritika për Agjencinë e Statistikave të Kosovës, lidhur me fushatën e organizuar për regjistrimin e popullsisë.

    Ajo vlerëson se shumica serbe në veri të vendit nuk janë të informuar sa duhet për këtë proces. Megjithatë, thotë se komuniteti serb duhet të marrë pjesë në regjistrim.

    “Institucionet sikur nuk kanë punuar shumë për një fushatë të vërtetë për informimin e qytetarëve në terren. Unë vërtetë nuk kam vërejtur nga ana e Agjencionit të Statistikave të Kosovës, kërkoj falje nëse ndihen të ofenduar, që janë përkushtuar vërtetë për një kampanjë informative në rajonin e veriut. Nuk din secili të hap faqen zyrtare të ASK-së në kompjuter dhe të informohet”, tha Axhançiq.

    Axhançiq shpreson në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pasi kjo sipas saj, do të ofronte opsione ankese për vendimet e gjykatave vendore.

    “Unë para disa vitesh kam dashur të ankohem për shkak të disa parregullsive, në Gjykatën e Strasburgut, më patën thënë se nuk ka mundësi sepse Kosova nuk është anëtare e KiE-së, u pata ndjerë keq. Kjo është mënyra e drejtë e zgjidhjes së shumë vendimeve të padrejta”, tha Axhançiq.

    Anëtarësimi potencial i Kosovës në KiE, qe tema që kjo dhe dy homologet nga Zveçani dhe Leposaviqi, diskutuan të takimin me kryeministrin Albin Kurti.
    Për këtë të fundit, Axhançiq tha se nuk e ka fare problem ta takojë publikisht.

    “Mendoj se një prej arsyeve kryesore të takimit ishte se (Kurti) dëshiron të dëgjojë të vërtetën nga terreni. Është pra një komunikim ku nga dora e parë dëgjon nevojat e qytetarëve për të ardhmen, krijimin e kushteve më të mira për ata”, tha Axhançiq.

    Nënkryetaret veriore u takuan me Kurtin dy herë, në dy javët e fundit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Për ngecjet në diskutimet për të zhdukurit”, BE-ja bën përgjegjëse Kosovën

    “Për ngecjet në diskutimet për të zhdukurit”, BE-ja bën përgjegjëse Kosovën

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “Zbatimi i deklaratës së përbashkët nuk ka filluar ende”, është konstatimi zyrtar i Bashkimit Evropian për dokumentin e dakorduar në takimin e nivelit të lartë Kurti-Vucic, më 2 Maj 2023, për çështjen e të zhdukurve me dhunë.

    Edhe pse ishte cilësuar çështje humanitare, me nevojë urgjente për zgjidhje, një vit pas, ende nuk ka pajtim për finalizimin dokumenteve përcjellëse për të nisur jetësimin e deklaratës.

    “Fatkeqësisht jo, nuk ka risi, nuk ka progres për të raportuar në këtë fazë. Ende po presim, si Bashkim Evropian, nëse do të mund të shohim palët të lëvizin përpara. Kjo është për dialogun në përgjithësi dhe këtë çështje në veçanti. Marrëveshjet e dakorduara duhet të përcillen me veprime konkrete, dhe nuk është BE-ja ajo që ka mungesë vullneti për veprime, janë palët”, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Në një përgjigje plotësuese, krahas thirrjes që palët të merren vesh sa më shpejtë për Termat e Referencës së Grupit Punues, zëdhënësi i bllokut 27-antarësh për bllokadën përgjegjëse e bëri Kosovën.

    “Negociatat për Termat Referencës filluan në Maj 2023. Aktualisht, ato kanë ngecur si pasojë e përgjigjes së pazakontë ndaj draftit të fundit të propozuar (i katërti që nga fillimi i negociatave), të cili lehtësuesi i BE-së e ndau me palët në Dhjetor 2023… Deklarata, është një dokument i rëndësishëm i cili saktëson zotimin e palëve për të mos e politizuar çështjen e personave të zhdukur, për të avancuar bashkëpunimin përfshirë ndarjen e informacioneve, identifikimin e përbashkët të zonave të varrezave dhe përcjelljen efektive të gërmimeve”, ka thënë Stano.

    Në Qeverinë e Kosovës nuk dhanë përgjigje të re.

    Më 21 Mars, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se pas prezantimit të draftit final të Termave të Referencës, Serbia kishte sjellë një propozim të ri – të cilin ai e pati cilësuar “ndërhyrje me qëllim të zvarritjes së procesit”.

    “Ka një kërkesë për ndryshimin e një prej neneve të dokumentit apo termave të referencës, ku tregon se çka ndodhë në rastet kur ka mosmarrëveshje në Grupin Punues. Kjo bie ndesh me idenë se pse e kemi fut atë nen në plotni, dhe mendoj se Serbia dëshiron të ndryshon substancën e marrëveshjes”, ka thënë Bislimi.

    Nëpërmjet rishikimit dhe përditësimit të Termave të Referencës të Grupit Punues, gjë që parashihet në pikën e fundit të Deklaratës së 2 Majit, Kosova synon të largojë UNMIK-un nga dokumenti.

    Afër 25 vjet nga përfundimi i luftës, rreth 1600 persona mbesin ende të zhdukur.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Qëndrimi i Borrellit, “tregues i politikës së pabalancuar dhe çorientuar”

    Qëndrimi i Borrellit, “tregues i politikës së pabalancuar dhe çorientuar”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Me kritika u përcoll reagimi i Përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, për zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë – pjesë e së cilës janë të sanksionuarit nga SHBA-ja, Aleksandar Vulin dhe Nenad Popovic.

    Në vlerësimin e profesorit Dritëro Arifi, i cili problemin e sheh përtej dy anëtarëve të kabinetit qeveritar, qëndrimi i Borrellit është tregues i humbjes së kredibilitetit të politikës së jashtme të unionit evropian.

    “Problemi është tek ideologjia politike dhe filozofike e Serbisë. Pra, një serbi që ka një qëndrim anti-perëndimor, në njëfarë mënyre këtu BE-ja po dështon të prodhojë politika pozitive për Ballkanin Perëndimor dhe kjo do të jetë edhe një lloj kurthe për vetë BE-në, për shkak se mos-vendosmëria e tyre për të shtyrë procese përpara do ta penalizojë Ballkanin dhe vetë BE-në në një të ardhme të afërt”, tha Arifi.

    Me qeverinë e re në Beograd ai nuk pret që Milan Radoicic dhe përgjegjësit tjerë të vihen para drejtësisë për sulmin terrorist të 24 Shtatorit, teksa vë në dyshim qasjen e BE-së në raport me ndëshkimin eventual të Serbisë.

    “Cili kriminel e dënon vetveten?! Pra, nuk ka sens të presim diçka të tillë. E dyta, BE-ja po bie në kontradiktë tash kur Kosova ka masa… Ndërsa nga ana tjetër Serbia mbetet një vend kandidat për BE dhe i ka hapur negociatat. Prandaj po them, politika e BE-së është e pa balancuar dhe e çorientuar, mos të themi që mund të ketë gabime të njëpasnjëshme, sidomos në politikën e jashtme nëse vazhdohet me këtë ritëm”, tha Arifi.

    Pasi theksoi nevojën që BE-ja dhe SHBA-ja të aplikojnë politikë më rigoroze ndaj Serbisë, politologu Fidan Ukaj tha përbërja e qeverisë së re e shtetit fqinj është mesazh i qartë kundër perëndimit.

    “Kjo përbërje e Qeverisë është jo-shpresëdhënëse se do të ketë normalizim të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se Ballkani mund t’i bashkohet BE-së. Për arsye se pjesë e Qeverisë janë persona të sanksionuar nga ana e SHBA-së, e po ashtu, dëshmon se Qeveria e Serbisë nuk është e interesuar që t’i plotësojë kushtet dhe kriteret e BE-së, e po ashtu t’i dorëzojë akterët ose kryerësit e aktit terrorit në veri të Kosovës”, tha Ukaj.

    Ndryshe nga blloku evropian, duke rikujtuar se Vulin dhe Popovic mbesin në listën e të sanksionuarave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të zhgënjyera me përfshirjen e tyre në Qeverinë e re të Serbisë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ky është super formacioni i vitit në Evropë sipas komentatorit Artor Shala

    Ky është super formacioni i vitit në Evropë sipas komentatorit Artor Shala

    Komentatori i SuperSport Kosova, Artor Shala ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ në ATV.

    Shala ka thënë që Real Madrid dhe PSG, janë favorit për të kaluar në finalen e Ligës së Kampionëve.

    Po ashtu ai e ka zgjedhur edhe formacionin më të mirë në Evropë, ku në mesin e 11 lojtarëve më të mirë ka lënë jashtë disa nga yjet e mëdha të futbollit botëror.

    Në linkun e më poshtëm mund të shihni formacionin e Artor Shalës.

  • Deputeti i Bundestagut: Komiteti i Ministrave i ka dy zgjedhje, anëtarësimi i Kosovës në KiE këtë muaj, e vetmja rrugë përpara

    Deputeti i Bundestagut: Komiteti i Ministrave i ka dy zgjedhje, anëtarësimi i Kosovës në KiE këtë muaj, e vetmja rrugë përpara

    Këshilli i Europës feston sot 75 vjetorin e themelimit dhe deputeti i Bundestagut, Knut Abraham ka gjetur rastin të kujtojë sot se Asambleja Parlamentare e kësaj organizate të rëndësishme muajin e kaluar konkludoi me shumicë të madhe votash se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për t’u bërë anëtare e saj.

    Tash, Abraham shkruan se Komiteti i Ministrave i ka dy zgjedhje dhe se nëse respektohen standardet dhe vlerat, atëherë Kosova do të duhej të anëtarësohej në KiE këtë muaj.

    “Komiteti i Ministrave ka dy zgjedhje: 1) Të veprojë në përputhje me vlerat dhe standardet tona duke e pranuar Kosovën këtë maj. 2) Ose, ta injorojë vlerësimin e detajuar të juristëve të shquar, tri raportuesve, tri komisioneve dhe PACE… duke mos marrë asnjë vendim”, shkroi deputeti gjerman në “X”.

    Kjo e dyta, thotë ai, do të dërgonte sinjal të dëmshëm te deputetët dhe qytetarët.

  • Daçiq: Ndërkombëtarët do të dalin me ndonjë zgjidhje për Asociacionin, në mënyrë që Kosova të pranohet në Këshillin e Europës

    Daçiq: Ndërkombëtarët do të dalin me ndonjë zgjidhje për Asociacionin, në mënyrë që Kosova të pranohet në Këshillin e Europës

    Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq ka shprehur frikën se komuniteti ndërkombëtar do të dalë me “ndonjë zgjidhje kompromisi” në mënyrë që Kosova përfundimisht të pranohet në Këshillin e Europës edhe pa e themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Daçiq megjithatë tha se ndërkombëtarët aktualisht po i bëjnë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për Asociacionin.

    “Ka presion ndaj Kurtit që të bëjë, siç thonë ata figurativisht duke përdorur një term që nuk do të thotë asgjë, ‘një hap të pakthyeshëm drejt formimit të Asociacionit’. Dhe cili do të ishte një hap i pakthyeshëm? Epo, kjo është tani pyetja miliona dollarëshe”, tha Daçiq për TV Prva.

    Ai tha se Kosova në këtë rast mund t’ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit.

    “As nuk e di se çfarë është hapi i madh në këtë, sepse Gjykata Kushtetuese mund të thotë kur të ketë mbaruar gjithçka që nuk e pranon. Pra këtu nuk ka asnjë garanci që dikush do të thotë ‘mirë, ne e kemi pranuar statutin. Pra, le të vazhdojmë’”, tha Daçiq.

    Ai kujtoi se vota e 31 vendeve europiane është e nevojshme që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Europës dhe se nëse Italia, Franca dhe Gjermania kanë disa rezerva para votimit, Kosova s’do të kishte asnjë shans.

  • Policia zbardh vrasjen e dy të moshuarve në Gjirokastër

    Policia zbardh vrasjen e dy të moshuarve në Gjirokastër

    Policia tha të dielën se zbardhi vrasjen e dy të moshuarve në Bodrishtë të Gjirokastrës, tre ditë më parë, duke arrestuar personin e dyshuar dhe sekuestruar mjetet e dyshuara me të cilat u krye krimi.

    Sipas policisë Thoma Mastora, 69 vjeç, banues në Bodrishtë , i dënuar më parë për vjedhje, akuzohet “për vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “mbajtje pa leje të armëve shpërthyese dhe municionit”.

    Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa tha se 69-vjeçarit, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale sendi i dyshuar i krimit, një sasi municioni luftarak, një mjet prerës dhe prova të tjera që janë dërguar për egzaminim në Institutin e Policisë Shkencore.

    Ende nuk është i qartë motivi i vrasjes pasi në banesën e të moshuarve policia gjeti të paprekura rreth 5 milionë lekë dhe nuk konstatoi shenja të vjedhjes.

    Dy të moshuarit Kosta e Kleoniqi Ilia, 80 dhe 84 vjeç u gjetën të pajetë nga fqinjët në banesë mëngjesin e së enjtes me shenja të forta dhune në trup dhe në kokë.

    Shumë zona në Jug të Shqipërisë banohen vetëm nga të moshuar, pasi fëmijët e tyre kanë emigruar jashtë vendit dhe krimi i rëndë ngjalli reagime të forta në opinion.

  • Dy klube Italiane janë gati të shpenzojnë deri në 35 milionë euro për Edon Zhegrovën

    Dy klube Italiane janë gati të shpenzojnë deri në 35 milionë euro për Edon Zhegrovën

    Menaxheri i futbollit Serxhio Mezi në një lidhje direkte për emisionin ‘A PLAY’ në ATV ka bërë të ditur se dy klubet italiane Milan dhe Napoli janë të interesuara për Edon Zhegrovën.

    Sipas Mezi, Milan dhe Napoli mund të ofrojnë deri në 35 milionë euro për lojtarin që aktivizohet te Lille.

    “Vlera është shumë e lartë, Milani dhe Napoli mund të shkojnë me ofertë deri në 35 milionë euro për Zhegrovën, ai mund të luajë pa problem në skuadrën e Napolit”, ka thënë Mezi.

    Kujtojmë se Zhegrova po shkëlqen te Lille dhe falë paraqitjeve fantastike me skuadrën e tij, 25-vjeçari është në garë edhe për çmimin e lojtarit më të mirë në Ligue 1.

    Emisioni i plotë më poshtë.