ATV

Author: ATVLive

  • “S’kemi nevojë për xhihad”, çka tha Trump për ndalimin e hyrjes të shtetasve nga disa vende myslimane

    “S’kemi nevojë për xhihad”, çka tha Trump për ndalimin e hyrjes të shtetasve nga disa vende myslimane

    Ish presidenti i SHBA-së, Donald Trump që po synon sërish këtë pozitë ka deklaruar se në rast se do të fitojë, do të rikthejë vendimin për t’u ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara shtetasve të disa vendeve me shumicë myslimane, që në ditën e parë që do të hyjnë në zyrë.

    Kur Trump garoi për president në 2016 ai u zotua të ndryshonte ligjin amerikan të emigracionit për të mos lejuar hyrjen në vend të terroristëve nga vendet islamike.

    “Do t’i mbajmë larg vendit tonë terroristët radikalë islamikë, 100 për qind. Nuk kemi zgjidhjet tjetër”, thoshte Trump në nëntor të vitit 2016.

    “Duhet të tregohemi të ashpër dhe të jemi të sigurt”, thoshte Trump në 25 qershor të vitit 2018.

    Në 2020, Joe Biden bëri fushatë kundër këtij vendimi të Trump. Ai e shfuqizoi vendimin pasi u bë President.

    Katër vjet më vonë, Trump u tha mbështetësve në Viskonsin këtë javë se ngjarjet që po ndodhin në Lindjen e Mesme e kanë bindur se ka ardhur koha për një vendim tjetër për ndalim udhëtimi.

    “Ne nuk kemi nevojë për xhihad në Shtetet e Bashkuara. Nuk kemi nevojë që qytetet tona të shndërrohen në vatra terrorizmi. Në ditën e parë të presidencës sime do të rikthej ndalimin e udhëtimit, duke pezulluar hyrjen e refugjatëve dhe mbajtur larg vendit tonë terrorristët, siç kam bërë më parë”.

  • Refuzoi të konsumonte drogë dhe të kryente marrëdhënie seksuale, një burrë e godet me thikë në kokë një burrë në Fushë-Kosovë

    Refuzoi të konsumonte drogë dhe të kryente marrëdhënie seksuale, një burrë e godet me thikë në kokë një burrë në Fushë-Kosovë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë për veprën “vrasje e rëndë në tentativë” në Fushë-Kosovës.

    Sipas raportit 24 orësh të PK-së, i dyshuari nën ndikim të narkotikëve e kishte joshur një burrë që të konsumojë substanca narkotike, por që ishte refuzuar, pas kësaj i dyshuari e kishte joshur që të kryejnë marrëdhënie seksual, por që ishte refuzuar përsëri.

    Si shkak i kësaj, i dyshuari e kishte goditur në kokë me një thikë të kuzhinës.

    I dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Raporti i plotë:

    VRASJE E RËNDË NË TENTATIVË

    Fushë Kosovë 05.05.2024-20:11. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti nën ndikim të substancave narkotike, fillimisht e kishte joshur viktimën mashkull kosovar, që të konsumoj substancë narkotike, e pasi viktima kishte refuzuar të konsumoj , i dyshuari e kishte joshur (cytur) që të kryejnë marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së tij, dhe pasi edhe kësaj here viktima kishte refuzuar, i dyshuari me një thikë kuzhine, e kishte goditur viktimën në kokë , me ç’rast i shkakton lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

  • Kurti: Zgjedhjet evropiane të 9 qershorit, janë vendimtare për të ardhmen e sigurinë

    Kurti: Zgjedhjet evropiane të 9 qershorit, janë vendimtare për të ardhmen e sigurinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet evropiane të 9 qershorit, janë vendimtare për të ardhmen, sigurinë dhe prosperitetin në Evropë.

    Kryeministri Kurti, gjatë vizitës së tij në Berlin, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se ka qenë pjesë e konferencës së nivelit të lartë të Partisë së Socialistëve Evropianë dhe nga aty ka shprehur mbështetjen për kandidatët socialdemokratë Katarina Barley dhe Nicolas Schmit.

    Ai ka vlerësuar se “vota për ta, është e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave e parimeve demokratike, të solidaritetit e të gjithëpërfshirjes, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, të drejtësisë sociale e të pluralizmit politik”.

    “Vota për ta, është e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave e parimeve demokratike, të solidaritetit e të gjithëpërfshirjes, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, të drejtësisë sociale e të pluralizmit politik”, ka shkruar Kurti mes tjerash.

    Sipas tij, këto vlera janë të kërcënuara çdo ditë e më shumë nga rrymat e djathta radikale.

  • DASH njofton se Gabriel Escobar do të marrë një detyrë të re nga java e ardhshme

    DASH njofton se Gabriel Escobar do të marrë një detyrë të re nga java e ardhshme

    Departamenti Amerikan i Shtetit e ka konfirmuar se Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit dhe emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka shërbyer si diplomat karriere në Shërbimin e Jashtëm për tri vite, pritet të marrë detyrën e tij të ardhshme në javët në vijim.

    Nga DASH kanë demantuar pretendimet e publikuara në një web-faqe duke i kualifikuar si të rreme, dhe kanë konfirmuar se Escobar nuk është shkarkuar nga pozita e tij, por se thjeshtë si të gjithë zyrtarët e karrierës që janë pjesë e Shërbimit të Jashtëm do të ndërrojë detyrën e tij me rotacion, çdo katër vjet, si një praktikë e rregullt

    “Pretendimet e bëra nga Vudi Xhymshiti janë vërtet të rreme. Zëvendës Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar nuk është shkarkuar nga posti i tij. Të gjithë oficerët e Shërbimit të Jashtëm në karrierë i ndërrojnë detyrat me rotacion çdo një deri në katër vjet si një praktikë e rregullt. Si oficer karriere i Shërbimit të Jashtëm, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar ka shërbyer në rolin e tij aktual për tre vjet dhe pritet të kalojë gjatë në detyrën e tij të ardhshme në javët e ardhshme. Deri në tranzicionin e tij të planifikuar, ai mbetet në rolin e tij si Zëvendës Ndihmës Sekretari dhe i Dërguari Special në zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike si dhe i Dërguari Special për Çështjet e Ballkanit Perëndimor.”

    Nga DASH kanë thënë po ashtu se pronari i web-faqes “Frontliner”, Vudi Xhemshiti “ ka bërë një sërë qëndrimesh online për Escobar që janë gjithashtu vërtet të rreme”.

    Tutje ky zëdhënës i DASH ka demantuar pretendimet e publikuara në web-faqen që menaxhohet nga Xhymshiti rreth gruas së Gabriel Escobar duke konfirmuar “se gruaja e Escobarit asnjëherë s’ka marrë fonde nga Ministria e Jashtme e Serbisë”.

    Gjithashtu ky zëdhënës ka thënë se Gabriel Escobar s’ka asnjë lidhje familjare me “partnerin e supozuar të firmës ligjore nga Teksasi McGinis Lochridge LLP”.

    “Ne inkurajojmë gazetarët që të verifikojnë faktet përpara se të shpërndajnë thashetheme të pabaza dhe ofenduese”, ka thënë për Express zëdhënësi i DASH.

    “Në përgjithësi, ne e dimë se dezinformimi përbën një kërcënim të jashtëzakonshëm për shoqëritë demokratike. Ai helmon diskursin social, përkeqëson ndarjet dhe përfaqëson një kërcënim të sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët tanë”.

    Në fund, raportohet se zëdhënsi i DASH-it ka thënë se SHBA-ja përkrah fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE si rrugë për të arritur paqe dhe një raport produktiv në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi plotësisht të lidhur me partnerët tanë evropianë dhe do të vazhdojmë të luajmë një rol aktiv në mbështetje të Dialogut”.

  • Kandidatura për emisar e gatshme për në Bruksel, Pahor: Është koha që dialogu Kosovë-Serbi të ringjallet

    Kandidatura për emisar e gatshme për në Bruksel, Pahor: Është koha që dialogu Kosovë-Serbi të ringjallet

    Ish-kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, mund të marrë pozitën e të dërguarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, për çfarë vetë ai ka shprehur interesim.

    Për këtë ai ka marrë edhe mbështetjen e vendit të tij, gjë të cilën ai është shprehur se e vlerëson shumë.

    “I jam mirënjohës të gjithëve për mbështetjen, madje edhe atyre që mund të mos jenë përgjigjur që do të kishin komente kritikuese. Kështu që kam ndjenjën se e gëzoj këtë mbështetje në Slloveni dhe kjo do të thotë shumë për mua”.

    Duke folur për radiotelevizionin slloven, Pahor, ka konfirmuar se kandidatura e tij do të dorëzohet në Bashkimin Evropian.

    “Po përgatitem me shumë kujdes dhe përgjegjësi, ndoshta këtë javë kandidatura ime do të udhëtojë nga zyra ime dhe Ministria e Punëve të Jashtme për në Bruksel, në të cilën do të shpjegoj arsyet pse ndihem i përshtatshëm për ta zgjidhur këtë çështje”, ka thënë Pahor, transmeton KlanKosova.tv.

    “E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Sllovenia, ashtu si unë, më duket mua, ka statusin e një ndërmjetësi të ndershëm, përvojë të pasur në këtë rajon dhe, natyrisht, gjithashtu një sërë idesh se si të rifreskohet ose ringjallet ky dialog i ngecur. Në përgjithësi, situata e sigurisë dhe ajo politike në rajon janë shumë shqetësuese”.

    Për cilësimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se shteti slloven është i neveritshëm, Pahor ka thënë se me të tilla deklarime “po vjen koha që duhet mësuar”.

  • 25-vjetori i vrasjes së Agani, Osmani: Sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë, përkushtim i yni i vazhdueshëm

    25-vjetori i vrasjes së Agani, Osmani: Sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë, përkushtim i yni i vazhdueshëm

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar akademik, Fehmi Aganin në 25-vjetorin e vrasjes nnga forcat serbe, raporton Ekonomia Online.

    Osmani ka deklaruar se sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë, është përkushtim i institucioneve ndërkaq thotë se kujtimi për akademik Aganin është i përhershëm.

    “Njëzet e pesë vjet më parë, Kosova humbi akademik Fehmi Aganin, mendjendriturin, vizionarin, filozofin dhe njeriun e devotshëm, i cili tërë jetën ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë. Forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, më 6 maj 1999 vranë mizorisht akademik Aganin, dorën e djathtë të Presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova. Ata nuk arritën ta vrasin idealin e tij jetësor, lirinë e popullit dhe pavarësinë e shtetit. Vizioni i përbashkuesit Agani do të na udhëheq përherë në rrugëtimin për forcimin e shtetit dhe synimin euroatlantik. Sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë përkushtim i yni i vazhdueshëm, ndërkaq kujtimi për akademik Aganin është i përhershëm”, ka shkruar Osmani.

  • Zjarret e në fabrika, kërkohet themelimi i një fondi rezervë

    Zjarret e në fabrika, kërkohet themelimi i një fondi rezervë

    Dy zjarre të mëdha kohët e fundit kanë përfshirë dy fabrika në Kosovë. Si pasojë, shumë punëtorë kanë mbetur pa vende pune dhe janë shkaktuar miliona euro humbje. E, përfaqësues të bizneseve dhe ata nga sektori privat, e shohin të domosdoshëm themelimin e fondit rezervë nga Qeveria, për t`iu dalë në ndihmë bizneseve në raste të tilla.

    Kohët e fundit në Kosovë, janë djegur dy biznese duke lënë shumë punëtorë pa punë dhe të ardhura. Shakatarët për këto ngjarje ende mbeten enigmë, ngase nuk ka një raport final se nga çka janë shkaktuar.

    Në një intervistë për RTK-në, duke folur për zjarrin që ndodhi në fabrikën e plastikës në Drenas, drejtori Arian Shabani ka theksuar se mbi 100 punëtorë kanë mbetur pa punë, derisa dëmet llogariten mbi 10 milionë euro.

    “Është një dëm shumë i madh që na është bërë, dhe në veçanti edhe për punëtorët, sepse është e pamundur që të gjithë ata punëtorë, një numër i madh i tyre, t’i sistemojmë diku tjetër. E tërë fabrika është e djegur”, ka thënë Shabani.

    Një ngjarje e tillë, duke lënë shumë punëtorë pa punë, ka ndodhur edhe në Kërpimeh të Podujevës. Barrën e rëndë të djegies së fabrikës për kultivimin e mjedrave, e bartin edhe 170 punëtorë që kanë mbetur pa punë.

    Ndërkohë, kryetari i Sektorit Privat, Jusuf Azemi, duke folur për Radio Kosovën, shtron nevojën për themelimin e një fondi rezervë për mbështetjen e bizneseve që pësojnë nga këto situata.

    “Nëse vetëm në dy fabrika kemi humbje të vendeve të punës, kjo është një humbje që rrezikon ekzistencën e atyre punëtorëve. Edhe nga kjo qeveri kemi kërkuar themelimin e një fondi rezervë me një shumë simbolike, por nuk e kanë bërë. Duhet të intervenohet te këto biznese në mënyrë që të mos e humbin traditën e punës”, ka deklaruar Azemi.

    Edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, e konsideron humbje të madhe për ekonominë e vendit djegien e bizneseve. Por, ai thotë se kompanitë biznesore duhet të jenë të siguruara në mënyrë që të kompensohet dëmi i tyre.

    “Secili afarist duhet të dijë që shumë kompani marrin përsipër sigurimin e dëmeve dhe kompanitë duhet të jenë të siguruara. Dhe, në rast të ndonjë aksidenti, bizneset marrin dëmshpërblim nga kompanitë”, ka thënë ndër të tjera Shahini.

    Sidoqoftë, lidhur me zjarret, atë në fabrikën për riciklimin e qeseve të plastikës në Parkun e Biznesit në Drenas, dhe në Podujevë, në raportet policore theksohet se përveç dëmeve materiale të konsiderueshme, nuk ka të lënduar, derisa kanë theksuar se rasti vazhdon të jetë në hetime.

  • Deputeti finlandez: Serbia nuk mund të ndikojë te shumica e shteteve kundër Kosovës në KiE

    Deputeti finlandez: Serbia nuk mund të ndikojë te shumica e shteteve kundër Kosovës në KiE

    Finlanda po e mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Madje, Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Parlamentit të Finlandës, Kimmo Kiljunen, tregon se edhe në fazën e fundit Kosova do ta ketë mbështetjen e shtetit finlandez, por siç thotë ai qeveria duhet të bëjë disa hapa drejt respektimit të marrëveshjes për Asociacionin.

    Sipas tij është tejet e rëndësishme që 1.7 milionë qytetarë të Kosovës të kenë qasje në Gjykatën Evropiane të të drejtave të njeriut.

    “Që nga fillimi ne kemi qenë përkrahës të idesë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Për neve është shume e rëndësishme që 1.7 milionë qytetarë të Kosovës të kenë qasje në Gjykatën Evropiane të të drejtave të njeriut. Ne do të vazhdojmë t’iu mbështesim edhe në hapat e ardhshëm. Në këtë fazë institucionet e Kosovës duhet të kujdesen për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe të mos lejohen më tensione të panevojshme. Tani para mbledhjes së Komitetit të Ministrave do të ishte shumë mirë që Kosova t’i ndërmarr disa hapa konkret për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Kjo është një marrëveshje në kuadër të dialogut me Serbinë dhe është e rëndësishme të respektohet”, ka thënë ai për Tëvë 1.

    Kiljunen, thotë se Serbia nuk ka forcë që ta ndalë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Ai konsideron se shteti më i ri ne Evropë e gëzon mbështetjen e shumicës së vendeve anëtare të kësaj organizate.

    “Ne e kuptojmë qëndrimin e Serbisë por ata nuk mund t’ua imponojnë të tjerëve qëndrimin e tyre sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Pranimi i një i shteti të ri bëhet me 2/3 të shumicës dhe Serbia nuk mund ta diktoj këtë gjë. Nga delegacioni serb më kanë thënë se ata nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës, por edhe unë ia kam bërë të qartë atyre se nuk do jenë kurrë pjesë e BE-së nëse nuk e zgjidhin këtë çështje. Përgjigjja ime nuk iu pëlqeu por ata e kuptuan mesazhin” , ka thënë Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Parlamentit të Finlandës.

    Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe tani çështja ka kaluar në Komitetin e Ministrave.

    Hartuesja e raportit pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, ka deklaruar se asnjë kandidati nuk i janë kërkuar më shumë reforma se Kosovës para diskutimit për anëtarësim në këtë organizatë.

  • Tentim vrasja e Marko Jablanoviq në Leposaviq, Policia jep detaje

    Tentim vrasja e Marko Jablanoviq në Leposaviq, Policia jep detaje

    Përmes raportit 24 orësh, Policia e Kosovës ka dhënë detaje për tentim vrasjen e Marko Jablanoviqit, anëtarit të partisë së Nenad Rashiq.

    Siç ka raportuar në Polici, ai vërejtur se afër tij ishte një person i maskuar me armë në dorë, të cilën ia kishte drejtuar, por nuk kishte arritur të gjuante.

    “VRASJE NË TENTATIVË- Leposaviq 05.05.2024-00:01. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se deri sa ishte duke hyrë në një lokal kishte vërejtur afër tij një person të maskuar me një armë në dorë të cilën ia kishte drejtuar viktimës, por nuk kishte arritur të gjuante. Njësit policore kanë dal në vendin e ngjarjes, ndërsa me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.”

    Zëvendësministri për kthim në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviq, ka shkruar të dielën në Facebook se në Leposaviq ka pasur tentativë vrasjeje ndaj Marko Jablanoviqit, anëtarit të partisë së Nenad Rashiq.

    Ai ka thënë se sulmuesit i ka dështuar arma që kishte planifikuar ta kryente atentatin. Po ashtu ka akuzuar Beogradin që qëndron mbrapa kësaj.

    “Ngjarja tragjike nuk ka ndodhur pasi sulmuesit i ka dështuar arma automatike e tipit “Scorpion”. Nuk ka dyshim se pas atentatit qëndron regjimi i Beogradit, si dhe Radoiçiqi dhe kaubojët vendas Slavko Simiq dhe Zoran Todiq… Gjithashtu dua t’ju njoh me ngjarjet e ndodhura para zgjedhjes së Apos 2. Dihet gjerësisht se unë dhe Marko e mbështetëm Aleksandar Jabllanoviqin për të sjellë ndryshimet e nevojshme në Leposaviq”.

  • PDK e LDK: Qeveria e paaftë në përmirësimin e kushteve për punëtorët shëndetësor

    PDK e LDK: Qeveria e paaftë në përmirësimin e kushteve për punëtorët shëndetësor

    Investimet e fundit nga Ministria e Shëndetësisë në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, po konsiderohen të kryera sa për sy e faqe, nga partitë opozitare. PDK e LDK thonë për Ekonomia Online se Qeveria është treguar e paaftë në përmirësimin e kushteve për punëtorët shëndetësor.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, thotë për Ekonomia Online se në shëndetësi po ndodh një keqpërdorim i buxhetit dhe se investimet po bëhen vetëm sa të shpenzuar buxheti.

    Zemaj thotë se investimet e fundit nga Ministria e Shëndetësisë që po bëhen po i pengojnë pacientët për të marrë shërbime shëndetësore.

    Ai shtoi se profesionistët shëndetësor janë dëmtuar për shkak të bindjeve politike dhe janë detyruar të largohen nga sektori publik në atë privat po ashtu edhe jashtë vendit.

    “E mirëpresim çdo investim që bëhet nëpër klinikat tona por mënyra se si janë bërë dhe po vazhdohet të bëhet me një strategji po e pengon pacientin dhe ofrimin e shërbimeve sidomos që grumbullohen në vitin e fundit zgjedhor. Kjo është edhe si vërejtje por edhe si një keqpërdorim në gjithë buxhetin që ka qenë ndër vite tash po tentohet të shpenzohet kujtdo që i jepet mundësia. Trajtimi i mirë i brendshëm krijimi i një ambienti të mirë të punës, të eliminohen ndërhyrjet ashtu siç është parë në këto vit profesionistët janë atakuar për shkak të bindjeve politike dhe kanë ardh njerëz pa kompetencë në udhëheqjen menaxheriale, shumë janë detyruar të largohen nga institucionet private mbi të gjitha edhe jashtë vendit e që është shqetësimi më i madh”, u shpreh Zemaj.

    Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, thotë për Ekonomia Online se shëndetësia në qeverisjen e fundit është përkeqësuar.

    Haxhiu e konsideron një mangësi të madhe në mos-plotësimin e kushteve të punës ndaj profesionistëve shëndetësor, të cilët si pasojë e kësaj po largohen nga vendi e në sektorin privat.

    “Dështim total i kësaj qeverie në sektorin e shëndetësisë, jo që shëndetësia jonë ka qenë në një stad të lartë, mirëpo me këtë qeverisje gjendja në shëndetësinë tonë është përkeqësuar edhe më shumë në raport me vitet e kaluara. Ka qenë një paaftësi e qeverisë që me kohë të ndërmerr veprime për të parandaluar ikjen e profesionistëve shëndetësorë edhe nga sektori publik në sektorin privat, por edhe prej Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian. E kam propozuar para një viti që të ketë një strategji për të ndalur dhe përmirësuar kushtet e punëtorëve shëndetësor në sektorin publik. Derisa ne nuk arrijmë me ofru kushte të punës dhe paga të dinjitetshme për profesionistët shëndetësor në sektorin publik, sigurisht se kanë me na ikë në sektorin privat. I keni parë rastet e anesteziologëve të cilët shumica kanë braktis sektorin publik kanë kaluar në sektorin privat sepse sektori privat iu ka ofruar kushte më të mira”, thotë Haxhiu.

    Deputeti i PDK-së thotë se në një mënyrë apo tjetër, Qeveria është treguar e paaftë në ndërmarrjen e veprimeve për kushte më të mira të punëtoreve shëndetësor.

    “Ka qenë një paaftësi e qeverisë që me kohë të ndërmerr veprimet për të parandaluar ikjen e profesionistëve shëndetësor edhe nga sektori publik në sektorin privat por edhe prej Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian. Dështim total i kësaj qeverie në sektorin e shëndetësisë jo që shëndetësia jonë ka qenë një stad të lartë mirëpo me këtë qeverisje gjendja në shëndetësinë tonë është përkeqësuar edhe më shumë në raport me vitet e kaluara”, thotë Haxhiu.