ATV

Author: A.M.

  • Kosova niset drejt Austrisë, “Dardanët” gati për sfidën e radhës

    Kosova niset drejt Austrisë, “Dardanët” gati për sfidën e radhës

    Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e fundit në vend para nisjes drejt Austrisë, ku të dielën do ta zhvillojë një tjetër përballje të rëndësishme në kuadër të Ligës së Kombeve.

    “Dardanët” do të përballen me Austrinë në stadiumin “Ernst Happel” në Vjenë, në ndeshjen e dytë të Grupit B3. Takimi nis në orën 18:00, ndërsa të dyja skuadrat e kanë nisur kampanjën me fitore.

    Kosova debutoi me triumf 1-0 ndaj Irlandës në Prishtinë, falë golit të Vedat Muriqit në minutën e 83-të. Kapiteni dhe sulmuesi i Kosovës ishte vendimtar në një ndeshje ku “Dardanët” krijuan disa raste për të shënuar.

    Në anën tjetër, Austria e nisi kampanjën me fitore 3-1 ndaj Izraelit. Skuadra e drejtuar nga Ralf Rangnick e siguroi triumfin në pjesën e dytë dhe tani synon një tjetër rezultat pozitiv, këtë herë përballë Kosovës.

    Për “Dardanët”, kjo sfidë ka një rëndësi të veçantë edhe për shkak të trajnerit Franco Foda. Përzgjedhësi i Kosovës e njeh mirë futbollin austriak, pasi ka drejtuar përfaqësuesen e Austrisë nga viti 2017 deri në vitin 2022.

    Foda do të rikthehet kështu në stadiumin “Ernst Happel”, por këtë herë në rolin e trajnerit të Kosovës.

    Pas përballjes në Vjenë, Kosova dhe Austria do të takohen sërish më 4 tetor, kur “Dardanët” do ta presin përfaqësuesen austriake në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

  • Peja në qendër të xhudos ballkanike, nis Kampionati Ballkanik

    Peja në qendër të xhudos ballkanike, nis Kampionati Ballkanik

    Në Palestrën e Sporteve “Karagaç” në Pejë po zhvillohet Kampionati Ballkanik i Xhudos për Seniorë dhe U23, si dhe gara ekipore të përziera.

    Në këtë ngjarje sportive po marrin pjesë xhudistë nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Greqia, Moldavia, Turqia dhe Bullgaria.

    Luftat preliminare tashmë kanë nisur, ndërsa ceremonia zyrtare e hapjes do të mbahet në orën 15:30. Menjëherë pas ceremonisë, në orën 16:00, do të nisë edhe blloku final i garave.

    Palestra “Karagaç” është kthyer kështu në qendër të xhudos ballkanike, me garuesit që po synojnë medaljet dhe titujt e kampionatit.

    Kampionati pritet të sjellë përballje interesante mes disa prej xhudistëve më të mirë të rajonit, ndërsa publiku pejan do të ketë mundësinë t’i ndjekë nga afër garat dhe luftërat për medalje.

  • Erblin Osmani shkruan historinë me Kosovën, debutimi i tij bën jehonë në Gjermani

    Erblin Osmani shkruan historinë me Kosovën, debutimi i tij bën jehonë në Gjermani

    Talenti i Bayern Munichut, Erblin Osmani, ka shkruar historinë me Kombëtaren e Kosovës, duke u bërë debutuesi më i ri në historinë e përfaqësueses A.

    Debutimi i 17-vjeçarit në Ligën e Kombeve ka marrë jehonë edhe në mediat gjermane. Mediumi i njohur “SPORT1” i ka kushtuar një artikull të veçantë paraqitjes së Osmanit, duke e cilësuar atë si historike.

    “Osmani është bërë futbollisti më i ri që ka luajtur ndonjëherë për Kombëtaren A të Kosovës”, shkruan mediumi gjerman.

    Osmani u aktivizua në minutën e 87-të të fitores 1-0 ndaj Irlandës, duke marrë për herë të parë minuta me fanellën e Kosovës.

    Mesfushori priti deri në fund të ndeshjes për momentin e tij, para se përzgjedhësi Franco Foda ta thërriste dhe t’i jepte udhëzimet e fundit para hyrjes në fushë.

    Me moshën 17 vjeç, katër muaj e pesë ditë, Osmani vendosi rekordin si debutuesi më i ri në historinë e Kosovës.

    Pas ndeshjes, talenti i Bayern Munichut e përshkroi debutimin si një ëndërr të realizuar, duke theksuar se gjithmonë kishte dëshiruar të luante për Kosovën.

    “SPORT1” rikujton gjithashtu se Osmani kishte mundësinë ta përfaqësonte Gjermaninë, pasi kishte luajtur për përfaqësueset e grupmoshave të këtij shteti. Megjithatë, 17-vjeçari zgjodhi Kosovën.

    Talenti kosovar kishte bërë histori edhe më herët me Bayern Munichun. Në mars, ai debutoi në Bundesliga ndaj Union Berlinit në moshën 16-vjeçare, duke u bërë një prej debutuesve më të rinj në historinë e klubit bavarez.

    Në korrik, Bayerni i ofroi Osmanit kontratën e parë afatgjatë, ndërsa aktualisht ai aktivizohet me ekipin U19 dhe skuadrën e dytë të klubit.

    Me këtë debutim, Osmani ka hyrë në historinë e Kosovës dhe tashmë shihet si një prej talenteve që mund të kenë rol të rëndësishëm në të ardhmen e “Dardanëve”.

  • Vesel Demaku rrëfen pse zgjodhi Kosovën: “Ishte shumë më tepër se futboll”

    Vesel Demaku rrëfen pse zgjodhi Kosovën: “Ishte shumë më tepër se futboll”

    Vesel Demaku ka lindur dhe është rritur në Austri, por kur erdhi momenti për të zgjedhur kombëtaren që do ta përfaqësonte, mesfushori vendosi të refuzojë Austrinë dhe të veshë fanellën e Kosovës.

    Në një intervistë për mediumin austriak “Der Standard”, Demaku ka rrëfyer për rëndësinë që kishte kjo zgjedhje për të, duke theksuar se nuk bëhej fjalë vetëm për futboll, por edhe për historinë e familjes dhe identitetin e tij.

    “Absolutisht. Mendoj se pasi të kesh qenë atje dhe të kesh njohur njerëzit, kupton se është shumë më tepër se kaq. Jam bërë edhe më i vetëdijshëm për këtë që kur luajta ndeshjet e mia të para ndërkombëtare. Është shumë më tepër sesa thjesht sport”, ka thënë Demaku.

    Mesfushori ka treguar edhe historinë e gjyshit të tij, Veselit, emrin e të cilit e mban. Ai humbi jetën si ushtar gjatë Luftës së Kosovës dhe për Demakun, mundësia për ta përfaqësuar Kosovën 25 vjet më vonë kishte një domethënie të veçantë.

    “Ai vdiq si ushtar në Luftën e Kosovës dhe mua më dhanë emrin e tij. Për njerëzit atje dhe për mua, është padyshim një gjë e madhe të jem në gjendje të luaj për ekipin kombëtar 25 vjet më vonë”, ka deklaruar ai.

    Demaku ka theksuar se, pavarësisht zgjedhjes së Kosovës, ai vazhdon ta ketë një lidhje të fortë me Austrinë, vendin ku është lindur dhe rritur.

    “E dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën. Jam jashtëzakonisht mirënjohës që familja ime arriti të gjejë strehim këtu dhe besoj se e gjithë familja ime është një shembull i suksesshëm i integrimit”, është shprehur ai.

    Me kalimin e viteve, teksa kuptoi më shumë për historinë e Kosovës dhe u angazhua më shumë me historinë dhe politikën, vendimi i tij për të përfaqësuar “Dardanët” u bë gjithnjë e më i qartë.

    “Kur u rrita, kur i kupton gjërat më mirë dhe angazhohesh më shumë me politikën dhe historinë, atëherë thashë se doja ta bëja me bindje 100 për qind”, ka rrëfyer futbollisti.

    Zgjedhja e tij solli edhe reagime negative në Austri, për të cilat Demaku thotë se ishte i përgatitur. Megjithatë, ai pranon se ishte i lënduar nga mënyra se si u portretizua.

    “Po, shumë. Por isha i përgatitur për këtë. Më dhemb vërtet, sepse e dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën”, ka thënë Demaku.

    Për të, fanella e Kosovës ka një peshë që shkon përtej futbollit. Ai ka përshkruar emocionet e veçanta të debutimit, himnit dhe atmosferës para ndeshjeve të Kosovës.

    “Herën e parë, je jashtëzakonisht krenar. Kur sheh sa krenar mund ta bësh familjen tënde me profesionin tënd, është jashtëzakonisht përmbushëse. Ishte gjithashtu një histori e madhe për babanë tim, babai i të cilit vdiq në luftë”, ka treguar ai.

    Demaku ka folur edhe për atmosferën që krijohet në Kosovë gjatë ndeshjeve të rëndësishme, duke theksuar se ëndrra e tij dhe e bashkëlojtarëve është që një ditë ta dërgojnë Kosovën në një Kampionat Evropian ose Kupë Bote.

    “Kualifikimi për një Kupë Bote ose Kampionat Evropian për Kosovën do të ishte i pabesueshëm. Kemi kaq të rinj, duam t’u tregojmë atyre: Po, është e mundur, mund të jesh shqiptar nga Kosova dhe të arrish diçka në jetë”, ka përfunduar Demaku.

  • Michael Gregoritsch në dyshim për Kosovën, Austria merr lajmin e fundit

    Austria mund të jetë pa një prej lojtarëve kryesorë në përballjen e së dielës ndaj Kosovës.

    Michael Gregoritsch, i cili në ndeshjen e fundit kishte bartur shiritin e kapitenit, është në dyshim për sfidën që zhvillohet nga ora 18:00 në Vjenë.

    Sulmuesi 32-vjeçar u dëmtua në nyjën e këmbës gjatë fitores 3-1 të Austrisë ndaj Izraelit në Linz. Gregoritsch u detyrua të largohej nga fusha në pjesën e parë, ndërsa në vend të tij u aktivizua Sasha Kalajdzic.

    Megjithatë, lajmi nga kampi austriak nuk është alarmues. Federata Austriake e Futbollit ka bërë të ditur për agjencinë APA se dëmtimi nuk është serioz. Gregoritsch iu nënshtrua edhe rezonancës magnetike të premten për të përcaktuar gjendjen e tij.

    Pavarësisht kësaj, koha e shkurtër deri në ndeshjen me Kosovën e bën të pasigurt paraqitjen e tij.

    Përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, ka lënë të kuptohet se nuk do të rrezikojë me sulmuesin nëse ai nuk është plotësisht i gatshëm.

    “Ai e zuri keq nyjën dhe u përpoq ta lidhte, por kishte probleme dhe u desh të ndalej. Nuk duket të jetë lëndim serioz, por ndeshja ndaj Kosovës është shumë shpejt. Ndoshta do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e tjera”, deklaroi Rangnick.

    Kështu, mbetet për t’u parë nëse Gregoritsch do të jetë në dispozicion për sfidën ndaj “Dardanëve”, apo do ta ndjekë ndeshjen nga bankina.

  • Shqipëria nis aventurën në Ligën e Kombeve ndaj Bjellorusisë

    Shqipëria nis aventurën në Ligën e Kombeve ndaj Bjellorusisë

    Kombëtarja shqiptare sonte do të nis aventurën në Ligën e Kombeve,ku në stadiumin “Air Albania”në Tiranë do e pret kombëtaren e Bjelllorusië,dhe njëherësh do të jetë edhe ndeshja e parë zyrtare për trajnerin italian Roland Maran.

    Kuqezinjët hyjnë në këtë ndeshje pas një periudhe të veshtirë ku në pesë ndeshjet e fundit kanë po aq humbje,duke përfshirë këtu edhe dy humbje në miqësoret ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.

    Në anën tjetër kombëtarja bjelloruse është duke kaluar në një ecuri pozitive nën drejtimin e trajnerit Viktor Goncharenko,ku në 6 ndeshjet e fundit ka 3 fitore e po aq barazime.

    Por sa i përket ndeshjeve të fundit Shqipëria nuk ka humbur në katër ndeshje kundër bjellorusëve,ku në dy ndeshjet e fundit kuqezinjët i fituan të dyja përballjet në edicionin 2020-21 të Ligës së Kombeve.

    Kujtojmë që ndeshja Shqipëri-Bjellorusi pritet të nis nga ora 20:45,e më pas kuqezinjët do të kenë tre ndeshje të tjera me rradhë ku do të takohen dy herë kundër San Marinos dhe njëherë ndaj Finlandës.

  • Ralf Rangnick kërkon fitore ndaj Kosovës: “Duam ta vazhdojmë serinë”

    Ralf Rangnick kërkon fitore ndaj Kosovës: “Duam ta vazhdojmë serinë”

    Pas fitores 3:1 ndaj Izraelit, përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, synon një tjetër triumf në përballjen ndaj Kosovës të dielën në Vjenë.

    Kosova vjen në këtë sfidë pas fitores 1:0 ndaj Irlandës në Ligën e Kombeve, ndërsa Rangnick e pret një duel të vështirë.

    “Duam që fitores ndaj Izraelit t’ia bashkojmë edhe fitoren ndaj Kosovës”, ka deklaruar trajneri austriak.

    Rangnick ka folur edhe për marrëdhënien e mirë me përzgjedhësin e Kosovës, Franco Foda, të cilin e zëvendësoi në stolin e Austrisë.

    “Jam takuar disa herë me të në vitet e fundit. Kaloj shumë mirë me të. Ai është një person humë i këndshëm, jashtëzakonisht kolegë i këndshëm”

    Kosova do të takohet kundër Austrisë në stadiumin “Ernst Hapel Stadion”në Vjenë të dielën me fillim nga ora 18:00.

  • Kosova nis përgatitjet për përballjen ndaj Austrisë

    Kosova nis përgatitjet për përballjen ndaj Austrisë

    Futbollistët e Kosovës janë rikthyer menjëherë në stërvitje pas ndeshjes së fundit, me fokusin tashmë te sfida e radhës ndaj Austrisë.

    “Dardanët” do të përballen me Austrinë të dielën nga ora 18:00 në Vjenë, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda në stërvitjen e së premtes kishte në dispozicion 16 futbollistë. Lojtarët që startuan në ndeshjen e fundit zhvilluan seancë rigjeneruese në hotel.

    Sipas FFK-së, atmosfera në kampin e Kosovës është pozitive dhe skuadra është e përqendruar maksimalisht në përgatitjet për duelin e rëndësishëm në Vjenë.

  • Raphinha: “Lamine Yamal duhet ta fitojë Topin e Artë”

    Raphinha: “Lamine Yamal duhet ta fitojë Topin e Artë”

    Sulmuesi i Barcelonës, Raphinha, ka deklaruar se bashkëlojtari i tij, Lamine Yamal, është kandidati kryesor për ta fituar “Topin e Artë”.

    Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, braziliani ka lavdëruar talentin e 18-vjeçarit, duke theksuar golat, asistimet, titujt dhe ndikimin e tij te Barcelona dhe Kombëtarja e Spanjës.

    “Për mua nuk ka asnjë dyshim. Lamine Yamal është kandidati kryesor për Topin e Artë. Ai krijon magji në fushë, ka karizëm dhe personalitet”, ka deklaruar Raphinha.

    Braziliani ka folur edhe për objektivat e Barcelonës, duke theksuar se triumfi në Ligën e Kampionëve mbetet një prej synimeve kryesore të skuadrës.

    Ndërkohë, Raphinha ka shprehur besim të plotë te Carlo Ancelotti dhe puna e tij me Kombëtaren e Brazilit, duke theksuar se sheh me optimizëm drejt Botërorit të vitit 2030.

  • Benjamin Huggel del në mbrojtje të Granit Xhakës: “Duhet të vazhdojë të jetë kapiten”

    Benjamin Huggel del në mbrojtje të Granit Xhakës: “Duhet të vazhdojë të jetë kapiten”

    Ish-futbollisti i Kombëtares së Zvicrës, Benjamin Huggel, ka dalë në mbrojtje të Granit Xhakës pas deklaratës së kapitenit shqiptar se kishte përdorur një certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19.

    Në një intervistë për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, Huggel, i cili aktualisht punon si trajner dhe komentator i Kombëtares së Zvicrës në televizionin publik SRF, ka thënë se Xhaka duhet të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit, nëse çështja nuk sjell pasoja të tjera juridike apo sportive.

    “Kapiteni caktohet nga skuadra dhe nga trajneri, jo nga opinioni publik”, ka deklaruar Huggel, duke shtuar se nëse trajneri Murat Yakin dhe këshilli i skuadrës, pas një bisede të sinqertë, vlerësojnë se Xhaka duhet të vazhdojë të jetë kapiten, ai nuk sheh arsye që kjo të ndryshojë.

    Huggel ka theksuar se çështja e certifikatës së vaksinimit nuk duhet të lidhet me paraqitjet dhe sjelljen e Xhakës në fushën e futbollit. Sipas tij, veprimi i pretenduar nuk është arsye për të humbur besimin te mesfushori si kapiten.

    “Falsifikimi i pretenduar i dokumentit nuk ka asnjë lidhje me sjelljen e Xhakës në fushë”, është shprehur ish-lojtari zviceran.

    Ai ka vlerësuar lart kontributin e Xhakës për Kombëtaren e Zvicrës, duke e përshkruar atë si një lojtar që ka marrë vazhdimisht përgjegjësi dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në ekip.

    Huggel është ndalur edhe te disa episode të tjera të së kaluarës së Xhakës, përfshirë tatuazhin e bërë në vitin 2021 gjatë periudhës së kufizimeve nga pandemia, si dhe festimin me simbolin e shqiponjës së bashku me Xherdan Shaqirin në ndeshjen ndaj Serbisë në Kupën e Botës 2018.

    Sipas Huggel, në rastin e ndeshjes ndaj Serbisë duhet të merret parasysh edhe fakti se dy futbollistët ishin provokuar gjatë gjithë takimit nga tifozët serbë.

    Në fund, ish-futbollisti zviceran ka dhënë një vlerësim shumë të lartë për Xhakën, duke e konsideruar atë si futbollistin më të suksesshëm në historinë e Kombëtares së Zvicrës.