ATV

Author: A.M.

  • Alarm te Liverpooli, lëndohet Isak dhe rrezikon sfidën ndaj Manchester Cityt

    Alarm te Liverpooli, lëndohet Isak dhe rrezikon sfidën ndaj Manchester Cityt

    Liverpooli ka marrë një goditje të papritur gjatë pauzës së kombëtareve, pasi sulmuesi kryesor Aleksander Isak është dëmtuar gjatë grumbullimit me Suedinë.

    Klubi anglez ka konfirmuar se Isak është rikthyer në Liverpool për shkak të një dëmtimi të lehtë dhe nuk do të jetë në dispozicion të Kombëtares suedeze për ndeshjet e mbetura të kësaj periudhe ndërkombëtare.

    “Sulmuesi nuk do të marrë pjesë në tri ndeshjet e mbetura të Suedisë gjatë kësaj periudhe ndeshjesh ndërkombëtare dhe tani do t’i nënshtrohet vlerësimit nga stafi mjekësor i klubit në Qendrën Stërvitore AXA”, thuhet në njoftimin e Liverpoolit.

    Ende nuk dihet shkalla e saktë e dëmtimit dhe nëse Isak do të jetë i gatshëm për ndeshjen e rëndësishme ndaj Manchester Cityt, e cila është planifikuar të zhvillohet të dielën, më 11 tetor.

    Mungesa e suedezit do të ishte një shqetësim i madh për Liverpoolin, sidomos duke pasur parasysh situatën në repartin ofensiv. Edhe sulmuesi tjetër, Hugo Ekitike, është i dëmtuar dhe nuk pritet të rikthehet deri në pjesën e dytë të sezonit.

    Për këtë arsye, gjendja fizike e Isakut do të monitorohet me vëmendje të veçantë gjatë ditëve në vijim, ndërsa Liverpooli pret rezultatet e ekzaminimeve mjekësore për të mësuar nëse ylli suedez do të jetë në dispozicion për përballjen me Manchester Cityn.

  • Barcelona monitoron Haalandin, situata te Manchester City mund të ndryshojë gjithçka

    Barcelona monitoron Haalandin, situata te Manchester City mund të ndryshojë gjithçka

    Barcelona po e përcjell nga afër situatën e Erling Haalandit te Manchester City, në një kohë kur klubi anglez po përballet me pasiguri pas vendimit lidhur me akuzat për shkelje të rregullave financiare në Premier League.

    Sipas “El Nacional”, katalunasit po e monitorojnë me kujdes situatën pasi Manchester City është gjetur fajtor për 114 nga 115 akuzat e ngritura ndaj klubit. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar sanksioni përfundimtar, ndërsa City pritet ta apelojë vendimin.

    Pikërisht kjo situatë ka bërë që Barcelona të rikthejë vëmendjen te e ardhmja e Haalandit. Sipas raportimeve, nëse kampionët anglezë përballen me një dënim të rëndë, mundësia e largimit të sulmuesit norvegjez gjatë verës mund të bëhet më konkrete.

    Haaland ka kontratë me Manchester Cityn deri në vitin 2034, çka e bën një transferim të tij jashtë “Etihadit” një operacion të ndërlikuar. Megjithatë, zhvillimet rreth klubit anglez kanë bërë që skenarët për të ardhmen e 26-vjeçarit të rikthehen në qendër të vëmendjes.

    Një tjetër raportim i publikuar gjatë kësaj jave pretendon se Barcelona po planifikon të tentojë transferimin e Haalandit në verën e vitit 2027. Deri më tani, megjithatë, nuk ka ofertë zyrtare apo marrëveshje mes palëve.

    Haaland prej kohësh shihet si një prej objektivave madhorë të Barcelonës për repartin ofensiv. Nëse situata te Manchester City ndryshon, interesi i katalunasve mund të marrë një tjetër dimension.

    Për momentin, megjithatë, Haaland vazhdon të jetë pjesë e Manchester Cityt. E ardhmja e tij do të varet nga zhvillimet ligjore, sanksioni përfundimtar ndaj klubit dhe rezultati i procesit të apelimit.

  • Zyrtare: Albian Hajdari mungon ndaj Austrisë, pritet ndryshimi në mbrojtje

    Zyrtare: Albian Hajdari mungon ndaj Austrisë, pritet ndryshimi në mbrojtje

    Federata e Futbollit e Kosovës ka konfirmuar se Albian Hajdari nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e sotme ndaj Austrisë.

    Mbrojtësi pësoi lëndim në sfidën e fundit të Kosovës kundër Irlandës dhe, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor dhe punës intensive gjatë ditëve të fundit, nuk ka arritur të rikuperohet në kohë për përballjen në Vjenë.

    Sipas njoftimit të FFK-së, edhe vetë Hajdari ka shprehur dëshirë të madhe për të qenë në dispozicion dhe për ta ndihmuar ekipin në këtë duel të rëndësishëm. Megjithatë, ekzaminimet e fundit mjekësore kanë konfirmuar se ai nuk mund të aktivizohet.

    Hajdari do të vazhdojë të qëndrojë nën përkujdesjen e stafit mjekësor të Kombëtares së Kosovës, me synim rikuperimin e plotë nga lëndimi.

    Mungesa e tij pritet të sjellë ndryshim në formacionin defensiv të “Dardanëve”. Ron Raçi shihet si kandidati kryesor për ta zëvendësuar Hajdarin në qendër të mbrojtjes, ku pritet të luajë përkrah Lumbardh Dellovës dhe Ilir Krasniqit.

    Kosova përballet me Austrinë sot në Vjenë, në një sfidë me rëndësi të veçantë për vazhdimin e garës në grup.

  • Lautaro ishte i gatshëm për Barcelonën, por Interi bllokoi transferimin

    Lautaro ishte i gatshëm për Barcelonën, por Interi bllokoi transferimin

    Lautaro Martinez ishte i gatshëm të transferohej te Barcelona gjatë kësaj vere, nëse klubi katalanas do të arrinte një marrëveshje me Interin, raporton “Diario SPORT”.

    Barcelona e shqyrtoi seriozisht mundësinë e transferimit të sulmuesit argjentinas gjatë muajit gusht, pasi kishte marrë sinjale se 28-vjeçari ishte i hapur për një aventurë të re në La Liga.

    Megjithatë, Martinez nuk dëshironte të prishte marrëdhëniet me Interin, klub ku është shndërruar në një prej figurave kryesore. Sulmuesi ishte i gatshëm të largohej vetëm nëse të dyja klubet do të gjenin një marrëveshje që do të ishte e pranueshme për të gjitha palët.

    Interesimi i Barcelonës për Lautaron nuk është diçka e re. Emri i tij kishte qenë në listën e klubit edhe në vitin 2021, kur ish-sekretari teknik Ramon Planes kishte nisur kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit. Në atë periudhë, megjithatë, vështirësitë financiare të Barcelonës e bënë të pamundur realizimin e transferimit.

    Këtë verë, Lautaro u rikthye fuqishëm në planet e Barcelonës pasi drejtuesit katalanas kuptuan se Atletico Madridi nuk kishte ndërmend të lejonte largimin e Julian Alvarez.

    Sulmuesi i Interit u konsiderua si një alternativë e rëndësishme nga drejtuesit sportivë të Barcelonës dhe trajneri Hansi Flick, ndonëse Alvarez mbeti objektivi kryesor i klubit deri në fund të afatit kalimtar.

    Drejtori sportiv Deco kontaktoi përfaqësuesit e Lautaros, ndërsa presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, zhvilloi bisedime direkte me presidentin e Interit, Giuseppe Marotta.

    Por Interi nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga ylli i skuadrës. Klubi italian e konsideronte Martinez të pazëvendësueshëm dhe nuk kishte interes ta shiste në një fazë kaq të avancuar të merkatos.

    Barcelona, ndërkohë, e kishte mbajtur të hapur mundësinë e transferimit përmes një shitjeje të mundshme, e cila do t’i krijonte hapësirën e nevojshme financiare për të ndërhyrë në merkato. Në fund, një lëvizje e tillë nuk rezultoi e nevojshme.

    Klubi katalanas vendosi të transferojë Gabriel Jesus, duke i dhënë fund kërkimit për një tjetër numër 9.

    Më pas, Raphinha u përdor edhe në rolin e qendërsulmuesit, ndërsa transferimi i Lautaro Martinez në Barcelonë mbeti vetëm një mundësi që nuk u konkretizua.

  • Kosovë–Austri, përballje e rëndësishme në Vjenë për kreun e grupit

    Kosovë–Austri, përballje e rëndësishme në Vjenë për kreun e grupit

    Kosova zbret sot në fushë për një nga sfidat më të rëndësishme të këtij cikli në Ligën e Kombeve, teksa përballet me Austrinë në stadiumin Ernst Happel në Vjenë.

    Dueli i shumëpritur do të nisë në orën 18:00, në arenën me kapacitet prej 50,865 ulësesh, ku “Dardanët” do të kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv pas fitores në ndeshjen hapëse ndaj Irlandës.

    Kosova e nisi aventurën në këtë garë me një triumf minimal 1-0 ndaj Irlandës, duke siguruar tri pikë të vlefshme dhe duke marrë një dozë të madhe besimi para përballjes me një kundërshtar të nivelit të lartë. Në anën tjetër, Austria gjithashtu e hapi ciklin me fitore, pasi mposhti Izraelin me rezultat 3-1.

    Përballja në Vjenë pritet të jetë një test i vështirë për skuadrën e drejtuar nga Franco Foda, e cila do të përballet me një Austri të fortë në aspektin fizik dhe taktik. Megjithatë, fitorja ndaj Irlandës ka rritur optimizmin te Kosova, e cila synon të dëshmojë se mund të konkurrojë edhe ndaj ekipeve të rangut më të lartë.

    Austria, nën drejtimin e trajnerit Ralf Rangnick, njihet për një stil loje me ritëm të lartë, presion agresiv dhe organizim të mirë në fazën sulmuese. Kombëtarja austriake pritet të kërkojë kontrollin e lojës që nga fillimi, duke u mbështetur në intensitetin dhe energjinë e saj.

    Stadiumi Ernst Happel pritet të jetë skena e një përballjeje me shumë rëndësi për objektivat e të dyja skuadrave. Një rezultat pozitiv në Vjenë do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën në garën për pozitat e para në grup, ndërsa Austria synon të konfirmojë ambiciet e saj pas startit të suksesshëm.

  • Kosova ngjitet në renditjen e FIFA-së pas fitores ndaj Irlandës

    Kosova ngjitet në renditjen e FIFA-së pas fitores ndaj Irlandës

    Kombëtarja e Kosovës ka regjistruar ngritje në renditjen e FIFA-së pas fitores 1-0 ndaj Irlandës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    “Dardanët” morën tri pikë të rëndësishme në Prishtinë, në një ndeshje të cilën e dominuan në pjesën më të madhe të saj, ndërsa goli i Vedat Muriqit në minutat e fundit mjaftoi për t’i dhënë Kosovës fitoren.

    Falë këtij triumfi, Kosova ka kaluar Bolivinë në renditjen botërore dhe tani pozicionohet në vendin e 77-të.

    “Dardanët” kanë mundësi të fitojnë edhe më shumë pikë në rast të një rezultati pozitiv ndaj Austrisë, e cila aktualisht renditet në pozitën e 23-të në botë.

    Edhe Shqipëria ka shënuar ngritje në renditjen e FIFA-s. Humbja e Hondurasit në shtëpi ndaj Surinamit ka ndikuar që kuqezinjtë të ngjiten në vendin e 66-të.

    Shqipëria do të përballet të shtunën me Bjellorusinë, në një ndeshje ku synon pikët e plota, ndërsa Kosova ka udhëtuar drejt Austrisë, ku do të përballet me përfaqësuesen austriake.

    Ndeshja Austri–Kosovë zhvillohet të dielën, me fillim nga ora 18:00.

  • Siguri e shtuar në Vjenë para ndeshjes Austri-Kosovë, policia vendos masa të rrepta

    Siguri e shtuar në Vjenë para ndeshjes Austri-Kosovë, policia vendos masa të rrepta

    Masa të shtuara sigurie do të zbatohen të dielën në Vjenë, në prag të ndeshjes mes Austrisë dhe Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve.

    Sipas mediumit austriak “5 Minuten”, Drejtoria e Policisë së Vjenës ka vendosur një zonë të gjerë sigurie përreth stadiumit “Ernst Happel”. Masa do të jetë në fuqi nga ora 10:00 deri në 22:00, ndërsa tifozët pritet t’i nënshtrohen kontrolleve të rrepta.

    Për këtë arsye, autoritetet u kanë bërë thirrje tifozëve që të planifikojnë kohë shtesë për hyrjen në stadium.

    Zona e sigurisë nuk do të përfshijë vetëm hapësirat pranë stadiumit, por edhe pjesë të Krieau, Olympiaplatz, Stadioncenter, Stadionbad dhe Hauptallee.

    Brenda kësaj zone, policia do të ketë kompetenca të veçanta për të larguar persona ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime se mund të kryejnë akte dhune, si dhe për t’u ndaluar hyrjen në zonën e përcaktuar.

    Personat që shkelin ndalimin e hyrjes mund të gjobiten deri në 1,000 euro. Në rast përsëritjeje, gjoba mund të shkojë deri në 4,600 euro, ndërsa nëse gjoba nuk mund të paguhet, parashihet edhe dënim zëvendësues me burgim deri në katër javë.

    Kontrolle të rrepta do të ketë edhe në hyrje të stadiumit. Tifozët do t’i nënshtrohen kontrollit të rrobave dhe çantave, ndërsa refuzimi i kontrollit nënkupton ndalimin e hyrjes në stadium. Nëse është e nevojshme, ky përjashtim mund të zbatohet edhe me forcë.

    Një tjetër detaj i rëndësishëm është se tifozët të cilëve u refuzohet hyrja për shkak të mospranimit të kontrollit nuk do të kenë të drejtë të kërkojnë kompensim për çmimin e biletës nga qeveria federale.

    Austria dhe Kosova do të përballen të dielën, më 27 shtator, në stadiumin “Ernst Happel”, me fillim nga ora 19:00.

  • Tyson Fury trondit fansat: “Joshua dhe Hearn po tentojnë të tërhiqen nga dueli”

    Tyson Fury trondit fansat: “Joshua dhe Hearn po tentojnë të tërhiqen nga dueli”

    Tyson Fury ka bërë një deklaratë të bujshme lidhur me duelin e shumëpritur ndaj Anthony Joshuas, duke pretenduar se përballja mes dy yjeve britanikë është në rrezik të anulohet.

    Vetëm të enjten u konfirmua zyrtarisht se Fury dhe Joshua do të përballen më 11 dhjetor në stadiumin “Principality” në Cardiff, në një prej dueleve më të mëdha të peshave të rënda.

    Turki Alalshikh, një prej figurave kryesore të boksit në Arabinë Saudite, kishte bërë të ditur se të gjitha detajet për përballjen ishin finalizuar. Megjithatë, Fury tani ka ngritur dyshime serioze mbi zhvillimin e saj.

    “Lajm i fundit: Anthony Joshua dhe Eddie Hearn po përpiqen të tërhiqen nga ndeshja”, deklaroi Fury.

    Britaniku vazhdoi me akuza të drejtpërdrejta ndaj promotorit të Joshuas, Eddie Hearn.

    “Ata thonë se nuk do të ndeshen më. Kjo ka të bëjë kryesisht me egon e Eddie Hearn. Ai po shpik gjëra të ndryshme dhe po kërcënon se nuk do të ndeshemi”, tha Fury.

    I njohur për deklaratat e tij provokuese, Fury e rriti edhe më shumë tensionin duke iu drejtuar drejtpërdrejt rivalit të tij.

    “Gypsy King po kthehet në Mbretërinë e Bashkuar për të të shkatërruar para të gjithë fansave të mi në Uells, ndërsa ti po gjen një milion justifikime”, u shpreh ai.

    Fury shtoi se Turki Alalshikh tashmë mund të jetë duke shqyrtuar alternativa të tjera nëse dueli me Joshuan nuk realizohet.

    “Turki Alalshikh po gjen alternativa të tjera, burra të vërtetë që janë gati të ndeshen sa hap e mbyll sytë. Shpresoj që jeni të lumtur”, përfundoi Fury.

    Pavarësisht deklaratave të Furyt, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar se përballja është anuluar. Dueli mes dy britanikëve mbetet i planifikuar për 11 dhjetor në Cardiff.

  • Manchester City tronditet nga vendimi: 114 akuza për shkelje financiare

    Manchester City tronditet nga vendimi: 114 akuza për shkelje financiare

    Manchester City është shpallur fajtor për 114 nga 115 akuzat për shkelje të rregullave financiare të Premier League, në një vendim që mund të ketë pasoja të mëdha për klubin anglez.

    Sipas raportimeve të “BBC Sport”, paneli i pavarur që ka shqyrtuar çështjen ka pranuar pjesën dërrmuese të akuzave të ngritura ndaj kampionit anglez.

    Manchester City ka mohuar vazhdimisht shkeljet dhe pritet ta apelojë vendimin. Kështu, çështja nuk konsiderohet ende e përfunduar dhe beteja ligjore mund të vazhdojë për një periudhë të gjatë.

    Në të njëjtën kohë, situata ka tërhequr vëmendjen edhe të klubeve të tjera të Premier League. Sipas raportimeve, disa prej tyre kanë kërkuar këshillim ligjor për mundësinë e kërkimit të kompensimeve nga Manchester City, nëse vendimi mbetet në fuqi.

    City mund të përballet me sanksione të rënda, duke përfshirë zbritje pikësh, gjoba të konsiderueshme financiare apo edhe përjashtim nga Premier League. Megjithatë, deri më tani nuk është marrë një vendim përfundimtar për masën e dënimit.

    Procesi i përcaktimit të sanksioneve dhe apelimit pritet të zgjasë disa muaj. Për rrjedhojë, mbetet e hapur se çfarë pasojash do të ketë vendimi për Manchester Cityn dhe të ardhmen e klubit në futbollin anglez.

  • Manchester City në telashe, shpallet fajtor për shumicën e akuzave financiare

    Manchester City në telashe, shpallet fajtor për shumicën e akuzave financiare

    Manchester City është shpallur fajtor për shumicën e akuzave për shkelje të rregullave financiare të Premier League.

    Sipas raportimeve të “BBC Sport”, paneli i pavarur ka pranuar 114 nga 115 akuzat e ngritura ndaj klubit anglez.

    Manchester City i ka mohuar shkeljet dhe pritet të apelojë vendimin e marrë nga paneli. Ndërkohë, klubet e tjera të Premier League kanë nisur të kërkojnë këshillim ligjor për mundësinë e kërkimit të kompensimeve nga kampioni anglez.

    Klubi mund të përballet me një sërë masash ndëshkuese, përfshirë zbritje pikësh, gjoba të mëdha financiare apo edhe përjashtim nga Premier League. Megjithatë, vendimi përfundimtar mbi sanksionet ende nuk është marrë.

    Procesi i apelimit dhe përcaktimit të dënimit pritet të zgjasë disa muaj, duke lënë të hapura pikëpyetjet rreth të ardhmes së Manchester Cityt në elitën e futbollit anglez.