ATV

Author: A.M.

  • Lojtarët e Kombëtares së Kosovës të pakënaqur me barazimin ndaj Izraelit

    Lojtarët e Kombëtares së Kosovës të pakënaqur me barazimin ndaj Izraelit

    Kombëtarja e Kosovës nuk ka arritur të nxjerrë më shumë se një barazim kundër Izraelit pa gola 0:0,ndeshje që i takoi grupit 3 të Ligës së Kombeve.

    Futbollistët dardanë u shprehën tejet të zhgënjyer me këtë rezultat,duke bërë me dije se fitorja ndaj izraelitëve ishte e domosdoshme për shanset e Kosovës për pozitën e parë në grup pas barazimit të Austrisë ndaj Irlandës 2:2.

    Kapiteni Mërgim Vojvoda ka deklaruar se ekipi duhet të jetë i kënaqur me pikën e marrë,dhe konsideron se gara për pozitën e parë është ende e hapur dhe të fokusohen të dielën në ndeshjen kundër Austrisë.

    Leon Avdullahu thotë se Kosova nuk e meritoi fitoren kundër Izraelit për mënyrën sesi luajti ,por thotë se mungesa e Vedat Muriqit ka bërë të veten ku ky i fundit u lëndua para fillimit të ndeshjes,teksa shton se ndaj Austrisë ekipi duhet të rikuperohet dhe se synimi duhet të jetë vendi i parë.

    Milot Rashica ka thënë se pritshmëritë për të marrë 3 pikë ishin shumë të mëdha,por në fund shtoi se Izraeli pati raste shënimi dhe se duhet marrur këtë pikë që ekipi të ec tutje.

    Në fund foli edhe Valmir Matoshi i cili ka deklaruar se ky barazim ndaj Izraelit është si humbje,teksa dha një premtim që do të jap maksimumin në fushë për Kosovën sa herë që i jipet rasti.

    Kujtojmë që Kosova ndeshjen e rradhës e zhvillon kundër Austrisë të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

  • Zyrtare: Foda befason me formacionin ndaj Austrisë, Zhegrova në stol

    Zyrtare: Foda befason me formacionin ndaj Austrisë, Zhegrova në stol

    Kosova do të kërkojë një rezultat pozitiv në transfertën ndaj Austrisë, në kuadër të xhiros së dytë të Ligës B të Ligës së Kombeve.

    “Dardanët” do të jenë pa qendërmbrojtësin Albian Hajdari, i cili mungon për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen e kaluar. Në vend të tij, trajneri Franco Foda ka vendosur t’i besojë Ron Raçit, i cili do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij në një përballje të rëndësishme.

    Një nga befasitë e formacionit të Kosovës është lënia në stol e Edon Zhegrovës. Foda ka zgjedhur Baton Zabërgjën dhe Ermal Krasniqin për ta mbështetur kapitenin Vedat Muriqi në fazën ofensive.

    Ndeshja mes Austrisë dhe Kosovës do të zhvillohet në Vjenë dhe do të nisë nga ora 18:00.

    Formacionet zyrtare:

    Austria: Zawieschitzky; Veratschnig, Affengruber, Danso, Wöber; Schlager, Seiwald; Wimmer, Wanner, Schmid; Adamu.

    Kosova: Muric; Raçi, Dellova, Krasniqi; Gallapeni, Avdullahu, Hoxha, Vojvoda; Krasniqi, Zabërgja; Muriqi.

    “Dardanët” synojnë të vazhdojnë me rezultate pozitive pas fitores 1-0 ndaj Irlandës në ndeshjen hapëse të këtij edicioni.

  • Trepça dhe Bashkimi përballen për trofeun e parë të sezonit

    Trepça dhe Bashkimi përballen për trofeun e parë të sezonit

    Trepça dhe Bashkimi do të përballen të martën në finalen e ProCredit Superkupës së Kosovës në basketboll, në një duel që pritet të sjellë spektakël si në parket, ashtu edhe në tribuna.

    Finalja do të zhvillohet më 29 shtator në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, me fillim nga ora 19:00.

    Të dyja skuadrat do të synojnë trofeun e parë të sezonit, ndërsa përballja pritet të zhvillohet para një numri të madh tifozësh.

    Interesimi për këtë duel është i madh, veçanërisht për shkak të rivalitetit mes dy skuadrave dhe ambicieve të tyre për ta nisur sezonin me një trofe.

    Organizatorët kanë bërë të ditur se të gjitha biletat e blera më herët do të mbeten të vlefshme edhe për finalen e 29 shtatorit.

    Tashmë gjithçka është gati për duelin Trepça–Bashkimi, ku dy skuadrat do të kërkojnë të shkruajnë emrin e tyre në historinë e edicionit të ri të basketbollit kosovar.

  • “Plisat” tubohen në Prishtinë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së

    “Plisat” tubohen në Prishtinë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së

    Tifo-grupi “Plisat” është tubuar sot në Prishtinë, në kuadër të protestës së paralajmëruar nga grupet e tifozëve në Kosovë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

    Tifozët janë mbledhur prapa Pallatit të Rinisë, prej nga pritet të vazhdojnë drejt sheshit “Skënderbeu”, ku prej disa ditësh po zhvillohen protesta.

    Ndërkohë, në qendër të Prishtinës është shtuar prania e Policisë së Kosovës. Pjesëtarë të policisë janë vendosur në pika të ndryshme të zonës, ndërsa janë marrë masa shtesë të sigurisë, përfshirë vendosjen e barrierave metalike.

    Në protestë pritet të marrin pjesë edhe tifo-grupe të tjera nga qytete të ndryshme të Kosovës.

    Tubimi është organizuar si shprehje mbështetjeje për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për të garantuar rendin gjatë protestës.

  • Moldavia triumfon në ditën e dytë të Kampionatit Ballkanik të Xhudos në Pejë

    Moldavia triumfon në ditën e dytë të Kampionatit Ballkanik të Xhudos në Pejë

    Kampionati Ballkanik i Xhudos për Senior U23 dhe Ekipore ka dhuruar emocione të shumta në palestrën “Karagaç” të Pejës, ku sot u zhvillua dita e dytë e garave me konkurrencën ekipore.

    Në këtë turne morën pjesë ekipet përfaqësuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, Moldavisë dhe Turqisë, të cilat u përballën mes tyre në një atmosferë sportive dhe me duele të forta.

    Në fund të garave, titulli i kampionit në konkurrencën ekipore i takoi Moldavisë, e cila siguroi vendin e parë dhe trofeun e Kampionatit Ballkanik.

    Turqia u rendit në vendin e dytë, duke fituar medaljen e argjendtë, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina përfundoi në vendet e treta.

    Kampionati Ballkanik i Xhudos në Pejë ka sjellë një fundjavë të mbushur me gara cilësore dhe ka mbledhur sportistë të rinj nga rajoni, duke promovuar nivelin dhe zhvillimin e këtij sporti në Ballkan.

  • Nicholas Walsh gjyqtar i ndeshjes Austri–Kosovë

    Nicholas Walsh gjyqtar i ndeshjes Austri–Kosovë

    Skocezi Nicholas Walsh do të jetë arbitri kryesor i përballjes ndërmjet Austrisë dhe Kosovës në Ligën e Kombeve.

    “Dardanët” do të zbresin sot në fushë në Vjenë, ku nga ora 18:00 do të përballen me Austrinë në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.

    Walsh do të ketë në krah bashkëkombësit Francis Connor dhe Daniel McFarlane, të cilët do të jenë ndihmësit e tij. Arbitër i katërt do të jetë Donald Robertson.

    Në sistemin VAR do të jenë po ashtu dy gjyqtarë nga Skocia, Steven McLean dhe John Beaton.

    Të dyja skuadrat e kanë nisur me fitore këtë edicion dhe aktualisht kanë nga tri pikë. Kosova të enjten triumfoi 1-0 ndaj Irlandës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa Austria regjistroi fitore 3-1 ndaj Izraelit.

    Përballja e sotme në Vjenë pritet të jetë një test i rëndësishëm për “Dardanët”, të cilët do të kërkojnë të marrin një rezultat pozitiv ndaj një prej kundërshtarëve kryesorë në grup.

    Kosova do të jetë pa mbrojtësin Albian Hajdari, i cili nuk mund të luajë për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen ndaj Irlandës.

  • Luis De la Fuente pas fitores ndaj Anglisë: “Ky është sekreti i kësaj skuadre”

    Luis De la Fuente pas fitores ndaj Anglisë: “Ky është sekreti i kësaj skuadre”

    Spanja vazhdon të shkruajë histori. “La Roja” mposhti Anglinë me rezultat 3-2 në “Wembley”, në një përballje spektakolare të karakterizuar nga përmbysjet, duke regjistruar ndeshjen e 39-të radhazi pa humbje.

    Në fund, skuadra e Luis de la Fuentes doli fituese nga Londra, ndërsa trajneri spanjoll pas ndeshjes vlerësoi paraqitjen dhe mentalitetin e futbollistëve të tij.

    “Patëm 6-7 minuta ku një superfuqi na bëri dëme. Në përgjithësi, besoj se ndeshja ishte nën kontroll. Në disa raste na kushtoi fakti që vrapuam pas shpinës së kundërshtarit”, deklaroi De la Fuente.

    Trajneri i Spanjës u ndal veçanërisht te mentaliteti dhe ambicia e grupit që drejton, duke theksuar se rezultatet e fundit janë edhe pasojë e karakterit të futbollistëve.

    “E gjithë kjo uri është meritë e futbollistëve. Janë ambiciozë dhe kanë dëshirë të përmirësohen. Kjo është meritë e këtij grupi, i cili ka treguar vlera përtej aspektit futbollistik. Janë vlera jetësore që i bashkohen talentit të madh futbollistik”, u shpreh ai.

    Me fitoren ndaj Anglisë, Spanja e çoi në 39 numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje. Për De la Fuentes, kjo seri është dëshmi e punës së bërë nga ky brez.

    “Shifrat janë aty. Është shumë e vështirë të bësh atë që po bën kjo skuadër. Ndeshja e radhës do të jetë sikur të jetë e fundit. Ky është sekreti”, theksoi trajneri spanjoll.

    De la Fuente analizoi edhe momentin kur Anglia arriti të rikthehej në lojë, duke veçuar rastet e humbura nga skuadra e tij.

    “Përmbysja nisi kur patëm tri raste të pastra dhe nuk i shënuam. E shihja skuadrën të aftë për të reaguar në çdo rrethanë. Jam i sigurt se edhe me rezultatin 3-1 do të kishim reaguar njësoj”, deklaroi ai.

    Trajneri spanjoll pati gjithashtu fjalë të mira për Ferran Torres, duke vlerësuar kontributin e sulmuesit në suksesin e “La Rojas”.

    “Hugo Sanchez ishte shënuesi më i mirë me golat e shënuar me prekjen e parë. Ferran është një goleador shumë i mirë. Jam i kënaqur me punën e tij dhe prej saj përfitoi më pas edhe Mikel Oyarzabal. Kjo është punë skuadre dhe kjo është forca që kemi”, tha De la Fuente.

    Në fund, ai u pyet edhe për Lamine Yamal dhe rolin që talenti i Barcelonës ka në kombëtare.

    “Nuk e di se çfarë i kërkon Barcelona. Ne i kërkojmë të bëjë atë që i përshtatet më mirë stilit tonë të lojës. Është një mrekulli që është me ne”, përfundoi trajneri i Spanjës.

  • Bayern mendon për pasuesin e Kane, Brobbey në listën e bavarezëve

    Bayern mendon për pasuesin e Kane, Brobbey në listën e bavarezëve

    Bayern Munich ka nisur të planifikojë të ardhmen e repartit ofensiv, pavarësisht se negociatat për rinovimin e kontratës me Harry Kane po ecin në drejtimin e duhur.

    Sulmuesi anglez, 33 vjeç, ka një kontratë që skadon në fund të këtij sezoni dhe aktualisht është në bisedime me klubin bavarez për zgjatjen e saj. Të dyja palët kanë shfaqur qetësi dhe optimizëm, pasi dëshira e përbashkët është që Kane të vazhdojë të jetë pjesë e Bayern Munichut edhe për disa vite.

    Megjithatë, drejtuesit në Mynih e dinë se një ditë do të duhet të gjejnë pasuesin e sulmuesit anglez. Për këtë arsye, klubi ka nisur prej kohësh të monitorojë disa alternativa, me synimin për të qenë një hap përpara konkurrencës në merkato.

    Sipas gazetarit Ekrem Konur, një prej emrave që Bayern Munich po ndjek prej kohësh është Brian Brobbey.

    Sulmuesi holandez, 24 vjeç, ka qenë edhe më herët në radarët e klubit bavarez. Bayern e kishte konsideruar Brobbeyn si një alternativë të mundshme për Kane gjatë dy sezoneve të fundit, por në atë periudhë nuk vendosi të bëjë një ofertë konkrete.

    Megjithatë, emri i tij vazhdon të jetë në listën e kandidatëve për të ardhmen. Brobbey është aktivizuar së fundmi me Sunderlandin dhe paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha.

    Në fillim të sezonit, holandezi shënoi një tripletë ndaj Manchester Cityt, ndërsa më herët kishte lënë përshtypje edhe me fanellën e kombëtares së Holandës në Kupën e Botës.

    Brobbey ka kontratë me Sunderlandin deri në qershor të vitit 2029 dhe tashmë është futur në radarët e disa prej klubeve të mëdha të Premier League.

    Në merkatot e ardhshme, emri i tij pritet të jetë ndër më të përfolurit, veçanërisht për shkak të profilit si qendërsulmues klasik, një tipologji që po bëhet gjithnjë e më e rrallë në futbollin modern.

    Për Bayern Munichun, Brobbey mund të jetë një prej alternativave për periudhën pas Harry Kane, edhe pse drejtuesit bavarezë pritet të shqyrtojnë disa kandidatura përpara se të marrin një vendim përfundimtar.

  • Kylian Mbappé dëmtohet me Francën, por synon rikthimin për El Clásicon

    Kylian Mbappé dëmtohet me Francën, por synon rikthimin për El Clásicon

    Kylian Mbappé e ka mbyllur para kohe aventurën e tij në Ligën e Kombeve, pasi pësoi një dëmtim gjatë ndeshjes së Francës ndaj Turqisë.

    Pas ekzaminimeve mjekësore, Real Madridi ka konfirmuar se sulmuesi francez ka pësuar një problem në gjurin e majtë dhe do të mungojë për të paktën dhjetë ditë.

    Kjo do të thotë se rikthimi i Mbappés në fushë nuk pritet para datës 10 tetor, kur Real Madridi do të përballet me Villarrealin në kuadër të La Ligës.

    Nëse rikuperimi nuk ecën sipas planit, francezi rrezikon të mungojë edhe në ndeshjen e Champions League kundër Romës, e cila do të zhvillohet më 14 tetor në stadiumin “Olimpico”.

    Megjithatë, në Madrid ka edhe arsye për optimizëm. Sipas pritshmërive aktuale, Mbappé pritet të jetë në dispozicion për një prej ndeshjeve më të shumëpritura të sezonit – “El Clásicon” ndaj Barcelonës, që është planifikuar për 25 tetor.

    Sulmuesi tashmë është rikthyer në Madrid dhe ka tentuar të qetësojë tifozët e Realit. Mbappé publikoi një fotografi në rrjetet sociale ku shfaqet i buzëqeshur së bashku me shokët e skuadrës, Eduardo Camavingan dhe Arda Güler.

    Tashmë, fokusi i tij është te rikuperimi i plotë, me synimin për t’u rikthyer në fushë sa më shpejt dhe për të qenë gati për përballjen e madhe ndaj Barcelonës.

  • Santiago Bernabéu synohet për finalen e Ligës së Kombeve, Ronaldo mund të rikthehet në shtëpinë e tij të vjetër

    Santiago Bernabéu synohet për finalen e Ligës së Kombeve, Ronaldo mund të rikthehet në shtëpinë e tij të vjetër

    Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Rafael Louzán, po punon që stadiumi “Santiago Bernabéu” të jetë nikoqir i finales së madhe të Ligës së Kombeve.

    Nëse Portugalia arrin të përfundojë në vendin e parë në Grupin 4 të Ligës A dhe siguron kualifikimin për fazën e mëtejshme të garës, mbetet e hapur mundësia që skuadra portugeze të avancojë deri në finalen e madhe.

    Një skenar i tillë do t’i jepte Cristiano Ronaldos mundësinë për t’u rikthyer në një prej stadiumeve më të veçanta të karrierës së tij, “Santiago Bernabéu”.

    Ronaldo ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme gjatë periudhës së tij te Real Madridi, ku u shndërrua në një prej figurave më të rëndësishme në historinë e klubit.

    Me fanellën e “Los Blancos”, portugezi fitoi trofe të shumtë dhe vendosi rekorde që e bënë një prej legjendave më të mëdha të klubit madrilen.

    Nëse Portugalia arrin deri në finalen e Ligës së Kombeve dhe “Bernabéu” zgjidhet si stadiumi pritës, Ronaldo do të kishte mundësinë të rikthehej në një ambient që për vite me radhë e konsideroi shtëpinë e tij futbollistike.