ATV

Author: A.M.

  • Dy futbollistë shqiptarë në formacionin më të mirë të javës në Bundesligë

    Dy futbollistë shqiptarë në formacionin më të mirë të javës në Bundesligë

    Në fundjavë u zhvillua java e 33-të e Bundesligës së Gjermanisë, dhe në formacionin më të mirë të kësaj xhiroje nuk kanë munguar futbollistët shqiptarë.

    Sipas vlerësimeve të SofaScore, në “Ekipin e javës” u përzgjedhën Albian Hajdari dhe Arijon Ibrahimovic, të cilët spikaten me paraqitjet e tyre dhe u konsideruan ndër më meritorët për fitoret e skuadrave përkatëse.

    Albian Hajdari ishte një nga pikat më të forta të Hoffenheim në fitoren minimale 1-0 ndaj Werder Bremen. Mbrojtësi shqiptar u vlerësua me notën 8.7, falë paraqitjes së sigurt në prapavijë, dueleve të fituara dhe rolit kyç në ruajtjen e portës së paprekur në një ndeshje vendimtare në fundin e sezonit.

    Ndërkohë, Arijon Ibrahimovic spikati në fitoren e Heidenheim me rezultat 3-1. Ai u vlerësua me notën 8.5, duke qenë një nga lojtarët më të rrezikshëm në fazën ofensivë dhe duke ndihmuar skuadrën e tij të sigurojë tri pikë të rëndësishme.

    Përveç dyshes shqiptare, në formacionin më të mirë të javës 33 janë përfshirë edhe emra të njohur të Bundesligës, si Michael Olise (8.7), Joshua Kimmich (8.3), Willi Orbán (8.9) dhe Conrad Trimmel (8.8), të cilët gjithashtu patën paraqitje të nivelit të lartë.

    Paraqitjet e Hajdarit dhe Ibrahimovic janë një tjetër tregues i rritjes së futbollistëve shqiptarë në kampionatet më të forta të Evropës, veçanërisht në një fazë të sezonit ku çdo pikë dhe çdo performancë ka rëndësi të madhe.

  • Daniel Siebert do të drejtojë finalen PSG–Arsenal në Champions League

    Daniel Siebert do të drejtojë finalen PSG–Arsenal në Champions League

    UEFA ka caktuar arbitrin gjerman Daniel Siebert për të drejtuar finalen e UEFA Champions League mes Paris Saint-Germain dhe Arsenal. Për 42-vjeçarin, kjo do të jetë finalja e parë në karrierë në një kompeticion madhor të UEFA-s.

    Siebert kishte drejtuar edhe ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales në Emirates mes Arsenalit dhe Atletico Madrid, duke fituar besimin e shtëpisë europiane të futbollit për këtë supersfidë të sezonit.

    Asistentët e tij do të jenë bashkëkombësit Seidel dhe Foltyn, ndërsa arbitër i katërt është spanjolli Porras Ayuso.

    Në dhomën VAR do të jenë gjermanët Dankert dhe Schroder, me mbështetjen shtesë të VAR-it nga spanjolli Del Cerro Grande.

  • Barcelona rinovon kontratën me Hansi Flick deri në 2028

    Barcelona rinovon kontratën me Hansi Flick deri në 2028

    Barcelona ka bindur trajnerin Hansi Flick të rinovojë kontratën për dy vite, me opsion për një vit shtesë. Trajneri gjerman po arrin suksese të mëdha te gjiganti katalanas, duke fituar titullin e La Ligës për të dytin vit radhazi, përfshirë një fitore të veçantë kundër rivalit të përjetshëm, Real Madrid.

    Gazetari Fabrizio Romano raporton se gjithçka është mbyllur mes dy palëve. “Hansi Flick dhe Barcelona pajtohen për kontratën e re, gjithçka e aprovuar pas marrëveshjes në parim që ishte arritur javë më parë,” shkruan ai.

    Kontrata e re do të jetë e vlefshme deri në qershor 2028, me opsion deri më 2029, dhe është negociuar nga agjenti i tij, Pini Zahavi. Nënshkrimi pritet të bëhet së shpejti.

    Ndërkohë, Flick – i cili humbi babanë në të njëjtën ditë kur festoi titullin – premtoi tifozëve se vitin e ardhshëm do të synojë fitimin e Ligës së Kampionëve, trofe që Barcelona nuk e ka fituar që nga viti 2015.

  • Trepça e luan edhe ndeshjen e dytë në “Minatori” ndaj Bashkimit

    Trepça e luan edhe ndeshjen e dytë në “Minatori” ndaj Bashkimit

    Kampionët në fuqi, KB Trepça, fituan finalen e parë ndaj Bashkimit me rezultat 94-79 në një atmosferë spektakolare në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Mitrovicasit nuk e lëshuan kontrollin deri në fund, duke treguar se trofeu nuk dorëzohet lehtë.

    Ndeshja e dytë do të zhvillohet po në këtë palestër, të mërkurën nga ora 19:30. Klubi ka njoftuar se biletat mund të blihen online që nga sot. Pas ballafaqimit të mesjavës, seria do të vazhdojë në Prizren me dy përballjet e radhës.

    Te Trepça u dalluan:Mustapha Amzil me 21 pikë e 13 kërcime,Kenneth Hasbrouck me 22 pikë dhe Dardan Kapiti me 16 pikë e 6 kërcime,kurse te Bashkimi, më efikasi ishte Shannon Shorter me 27 pikë.

    Kujtojmë se këta dy klube, dy emra të mëdhenj të basketbollit në Kosovë, u përballën edhe në finalen e edicionit të kaluar.

  • Fisnik Asllani ëndërron Ligën e Kampioneve me Hoffenheimin

    Fisnik Asllani ëndërron Ligën e Kampioneve me Hoffenheimin

    Hoffenheimi mori një fitore të rëndësishme ndaj Werder Bremenit në javën e 33-të të Bundesligës, duke e mposhtur me rezultatin 1-0 në “PreZero Arena”. Golin e vetëm e shënoi Bazoumana Toure në minutën e 26-të.

    Pas këtij triumfi, Hoffenheimi renditet në vendin e pestë me 61 pikë, po aq sa Stuttgart që ndodhet në pozitën e katërt. Me vetëm një ndeshje të mbetur, ekipi i Asllanit e mban ende gjallë shpresën për të arritur top 4, por duhet të presë një hap fals të Stuttgartit.

    Sulmuesi Fisnik Asllani, i cili po e përfundon sezonin e fundit te Hoffenheimi, shprehu optimizëm për kualifikimin në Ligën e Kampioneve, por kritikoi mënyrën si u menaxhua ndeshja. Ai tha se një gol i dytë do të kishte qetësuar ekipin dhe theksoi vështirësitë e lojës kundër një skuadre që mbyllet në mbrojtje.

    “Ëndrra për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve është ende aty,” tha Asllani. “Të luash kundër një ekipi me lojtar më pak nuk është aq e lehtë sa duket. Bremeni u mbrojt shumë, luajti me kundërsulme dhe ne nuk gjetëm hapësira.”

    Ai shtoi se fitorja ishte shumë e rëndësishme, por duhej të shënonin më shumë gola dhe paralajmëroi për ndeshjen e fundit jashtë ndaj Gladbachut: “Javën e ardhshme duam të përgatitemi mirë. Jemi të fokusuar te vetja.”

    Asllani është gjithashtu i lidhur me interesa nga klube si Barcelona, Bayern Munich dhe Borussia Dortmund, duke lënë të hapur mundësinë e largimit në verë.

  • Pavel Nedved: Kosova, test i mirë për Çekinë para Botërorit 2026

    Pavel Nedved: Kosova, test i mirë për Çekinë para Botërorit 2026

    Legjenda e Juventusit, Pavel Nedved, ka vlerësuar Kosovën si një test të mirë për Republikën Çeke para Kampionatit Botëror 2026.

     

    Ndryshe nga Dardanët, që nuk arritën të kualifikohen për Botëror, Çekia siguroi pjesëmarrjen pas fitores ndaj Danimarkës në penallti. Kosova do të jetë mysafir e Çekisë më 31 maj, dhe Nedved, në rolin e tij si menaxher i Federatës Çeke, e ka konsideruar këtë ndeshje si një përgatitje të rëndësishme për Botërorin.

     

    “Mezi presim të kthehemi në ‘Letna’, ku fituam finalen e play-offit ndaj Danimarkës në mars, falë përkrahjes së madhe nga tifozët tanë. Besojmë se atmosfera do të jetë e shkëlqyer edhe për ndeshjen ndaj Kosovës, që është e fundit para udhëtimit për në Kupën e Botës. E shohim si një test të mirë dhe mundësi për t’u thënë tifozëve ‘mirupafshim’ para Botërorit”, deklaroi Nedved.

     

    Përveç ndeshjes ndaj Çekisë, Kosova më 7 qershor do ta presë Andorrën në Prishtinë, si miqësoren e dytë dhe të fundit këtë muaj.

     

    Kosova do të nisë ciklin kualifikues për Ligën B të Ligës së Kombeve në shtator, ku ndodhet në grup me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën.

  • Kenan Haxhihamza shpallet më i miri i xhiros së 33-të në Albi Mall Superligë

    Portieri i Drenicës, Kenan Haxhihamza, është shpallur më i miri i xhiros së 33-të në Superligën e Kosovës në futboll.

    Sipas komisionit të FFK-së, Haxhihamza bëri pritje vendimtare në fitoren 2-1 të Drenicës ndaj Gjilanit, një triumf me shumë peshë për skuadrën kuqezi.

    “E kemi përgatitur ndeshjen shumë mirë, duke e ditur rëndësinë e saj dhe pozicionimin tonë në tabelë. Kishim për qëllim që pikët e plota të mbesin në Drenicë. Kundërshtari nuk ka qenë i lehtë, pasi SC Gjilani ka individë që mund ta vendosin ndeshjen, por e kemi analizuar mirë dhe arritëm këtë rezultat”, deklaroi Haxhihamza.

  • NBA: Knicks shkatërrojnë 76ers, Timberwolves rikthejnë ekuilibrin ndaj Spurs

    NBA: Knicks shkatërrojnë 76ers, Timberwolves rikthejnë ekuilibrin ndaj Spurs

    Mbrëmje spektakolare në playoff-et e NBA-së, ku New York Knicks dhe Minnesota Timberwolves dhuruan emocione dhe rezultate të rëndësishme në garën drejt finales.

    Në Konferencën e Lindjes, Knicks konfirmuan formën e jashtëzakonshme duke mposhtur Philadelphia 76ers me rezultatin 144-114, dhe duke mbyllur serinë 4-0. Skuadra nga Nju Jorku dominoi që në minutat e para, me një breshëri treshesh që vulosi fatin e sfidës që në çerekun e parë. 144 pikët e realizuara përbëjnë rekord të ri të klubit në playoff, ndërsa 25 treshet e shënuara barazojnë rekordin historik të NBA-së në postseason.

    Njeriu i ndeshjes ishte Miles McBride, autor i 25 pikëve dhe 7 treshave, në paraqitjen më të mirë të karrierës së tij në playoff. Mbështetje të rëndësishme dhanë edhe Jalen Brunson me 22 pikë, si dhe Josh Hart dhe Karl-Anthony Towns me nga 17 pikë secili. Për Philadelphia-n nuk mjaftuan 24 pikët e Joel Embiid dhe 17 të Tyrese Maxey.

    Në Konferencën e Perëndimit, Minnesota Timberwolves rikthyen ekuilibrin në seri pas fitores 114-109 ndaj San Antonio Spurs. Ndeshja u karakterizua nga tension i lartë, sidomos pas episodit të fillimit të periodës së dytë, kur Victor Wembanyama u përjashtua me faull flagrant pas goditjes me bërryl ndaj Naz Reid.

    Pavarësisht mungesës së yllit francez, Spurs luftuan deri në fund falë paraqitjeve të De’Aaron Fox dhe Dylan Harper. Megjithatë, në momentet vendimtare shkëlqeu Anthony Edwards, i cili realizoi 36 pikë, 16 prej tyre vetëm në periodën e fundit, duke udhëhequr Timberwolves drejt fitores dhe duke hyrë në historinë e NBA-së si lojtari i gjashtë që kalon 300 pikë në çerekët e katërt të playoff-it para moshës 25-vjeçare.

  • Alvaro Arbeloa në qendër të kritikave pas statistikave të dobëta te Real Madrid

    Alvaro Arbeloa në qendër të kritikave pas statistikave të dobëta te Real Madrid

    Trajneri Alvaro Arbeloa është vënë në qendër të vëmendjes pas një serie rezultatesh zhgënjyese në stolin e Real Madridit, duke ndezur debat te tifozët dhe analistët.

    Ish-mbrojtësi legjendar, tashmë trajner, ka regjistruar raportin më të lartë të humbjeve për çdo trajner të Real Madridit në shekullin 21, për sa kohë që ka drejtuar të paktën 20 ndeshje. Arbeloa ka humbur 8 ndeshje nga 25, ose 32% të takimeve zyrtare, një shifër që e vendos atë në një pozitë të vështirë krahasuar me paraardhësit e tij modernë.

    Edhe pse shumë trajnerë të tjerë kanë kaluar periudha të vështira nën presionin e madh të “Santiago Bernabeu”, askush nuk ka arritur këtë nivel humbjesh kaq shpejt në karrierën e tij si trajner i ekipit të parë. Për një klub që kërkon fitore të vazhdueshme, këto shifra kanë hapur diskutime të ashpra mbi qasjen taktike të Arbeloas dhe përshtatshmërinë e tij afatgjatë për këtë rol.

    Sipas raporteve, Arbeloa pritet të shkarkohet sapo të përfundojë sezoni, ndërsa rikthimi i Jose Mourinhos shihet si gjasa më e mundshme për stolin e Real Madridit.

  • Kosova zhvillon dy ndeshje miqësore përgatitore para Ligës së Kombeve kundër Çekisë dhe Andorrës

    Kosova zhvillon dy ndeshje miqësore përgatitore para Ligës së Kombeve kundër Çekisë dhe Andorrës

    Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, si përgatitje për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku do të garojë në Ligën B.

    Dardanët do të përballen fillimisht me Kombëtaren e Çekisë, më 31 maj, në stadiumin “Epet Arena” në Pragë. Kjo ndeshje pritet të jetë një test i rëndësishëm për ekipin e drejtuar nga përzgjedhësi Franco Foda, përballë një kundërshtari cilësor evropian. Çekia siguroi pjesëmarrjen në Botërorin 2026, duke mposhtur Danimarkën pas penalltive në play-off-in evropian, dhe aktualisht renditet e 41-ta në ranglistën e FIFA-s.

    Kosova dhe Çekia janë përballur dy herë më parë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020: më 7 shtator 2019, Kosova fitoi 2:1 në “Fadil Vokrri”, ndërsa më 14 nëntor 2019, në Plzen, humbi po 2:1.

    Ndeshja e dytë miqësore e Dardanëve do të zhvillohet më 7 qershor kundër Andorrës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kosova dhe Andorra janë përballur dy herë në kualifikimet për Euro 2024, duke barazuar 1:1 në Prishtinë dhe duke fituar 3:0 në Andorra La Vella.

    Këto dy ndeshje do t’i shërbejnë stafit teknik për të vazhduar ndërtimin e skuadrës për takimet garuese të Ligës B, ku Kosova bën pjesë në Grupin B3 me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën. Dardanët do të grumbullohen në hotel “Emerald” më 27 maj.