ATV

Author: A.M.

  • Hansi Flick vazhdon kontratën me Barcelonën deri në vitin 2028

    Hansi Flick vazhdon kontratën me Barcelonën deri në vitin 2028

    Trajneri i FC Barcelona, Hansi Flick, ka konfirmuar se do të vazhdojë kontratën me klubin katalanas edhe për të paktën dy sezone të tjera.

    Tekniku gjerman po feston titullin e dytë radhazi në La Liga me Barcelonën, duke kurorëzuar dy sezone shumë të suksesshme në krye të skuadrës.

    Prej javësh, mediat spanjolle kanë raportuar se marrëveshja mes palëve ishte arritur, ndërsa agjenti i Flick, Pini Zahavi, ka qenë së fundmi në Barcelonë për të finalizuar detajet.

    Kontrata aktuale e trajnerit skadonte në vitin 2027, por marrëveshja e re do ta mbajë atë në “Camp Nou” deri në vitin 2028, me opsion për një sezon shtesë.

    Duke folur para ndeshjes ndaj Deportivo Alavés, Flick u shpreh i kënaqur me marrëveshjen e re dhe theksoi se kjo i jep stabilitet projektit të Barcelonës.

    “Është mirë për ekipin tim dhe për ne që të kemi besimin për të punuar edhe disa vite të tjera së bashku. Për shumë trajnerë një kontratë tre, katër apo pesëvjeçare është ideale, por mendoj se edhe për Barcelonën kjo formulë është e duhura. Do të qëndrojmë deri në vitin 2028 dhe më pas ekziston mundësia për një vit tjetër. Do të shohim nëse gjithçka do të vazhdojë në mënyrën e duhur”, deklaroi Flick.

    Ai shtoi se objektivi kryesor i klubit mbetet rikthimi në majën e futbollit evropian.

    “Kjo është një sfidë për të punuar edhe më fort në dy vitet e ardhshme. Ëndrra e madhe për të gjithë te Barcelona është Liga e Kampionëve”.

    Nën drejtimin e Flick, FC Barcelona ka fituar pesë nga gjashtë trofetë vendorë të mundshëm në dy sezonet e fundit, duke dështuar vetëm në Kupën e Mbretit këtë sezon, ku u eliminua në gjysmëfinale nga Atlético Madrid.

    Tashmë, fokusi i skuadrës katalanase mbetet triumfi në UEFA Champions League, një objektiv që lojtarët dhe stafi teknik e kanë përmendur vazhdimisht gjatë festimeve të fundit për titullin kampion.

  • Sergio Ramos blen Sevillan për 450 milionë euro

    Sergio Ramos blen Sevillan për 450 milionë euro

    Ish-kapiteni i Real Madrid dhe mbrojtësi spanjoll, Sergio Ramos, së bashku me fondin e tij të investimeve Five Eleven Capital, kanë arritur marrëveshje për blerjen e Sevilla FC.

    Lajmi u bë i ditur nga gazetari Victor Fernandez pas një takimi të zhvilluar të martën në mëngjes. Sipas raportimeve, marrëveshja përfshin blerjen e 80 për qind të aksioneve të klubit për rreth 450 milionë euro.

    Ramos synon që procesi i marrjes në pronësi të klubit të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që të marrë përsipër menaxhimin e Sevillas në një moment shumë delikat për klubin andaluzian.

    Që të hënën në mbrëmje, gazetari Fernandez kishte raportuar për optimizmin e madh mes palëve të përfshira, duke paralajmëruar se marrëveshja përfundimtare ishte vetëm çështje orësh, gjë që tashmë është konfirmuar.

    Shitja e klubit vjen në një periudhë të vështirë për Sevillan, e cila po lufton për mbijetesë në La Liga. Klubi beson se 40 pikët aktuale nuk janë të mjaftueshme për të garantuar qëndrimin në elitën e futbollit spanjoll dhe se skuadrës i duhet edhe të paktën një fitore për të siguruar mbijetesën.

    Me tri xhiro të mbetura deri në fund të sezonit, diferenca mes vendit të shtatë dhe vendit të tetëmbëdhjetë në tabelë është vetëm nëntë pikë, duke e bërë garën jashtëzakonisht të ngushtë.

    Sevilla FC do ta ketë mundësinë e parë për të bërë një hap të madh drejt mbijetesës këtë fundjavë në përballjen ndaj Villarreal CF.

  • Luis Enrique mungon në ceremoninë e UNFP-së për të analizuar Arsenalin

    Luis Enrique mungon në ceremoninë e UNFP-së për të analizuar Arsenalin

    Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka zbuluar se nuk mori pjesë në ceremoninë e çmimeve të UNFP-së të hënën, pasi preferoi të qëndronte në shtëpi për të analizuar Arsenal, në prag të fazës vendimtare të sezonit për PSG-në.

    Tekniku spanjoll foli për mungesën e tij gjatë konferencës për media para ndeshjes ndaj RC Lens, duke theksuar se fokusi i tij i plotë mbetet te përgatitja e skuadrës për sfidat e ardhshme.

    “Unë nuk shkoj kurrë në këso lloj ceremonish. Preferoj të qëndroj në shtëpi dhe të studioj Arsenalin”, deklaroi Luis Enrique.

    Megjithëse mungoi në ceremoninë prestigjioze, ai përgëzoi lojtarët e tij për çmimet e fituara dhe pati fjalë vlerësuese për trajnerin e Lensit, Pierre Sage, pas sezonit mbresëlënës që ka zhvilluar.

    “Ajo që ka bërë Pierre Sage është e jashtëzakonshme. Ai e meriton këtë çmim si trajneri më i mirë i sezonit”, shtoi ai.

    Paris Saint-Germain po përgatitet për finalen e Ligës së Kampionëve që do të zhvillohet më vonë këtë muaj, ndërsa është shumë pranë sigurimit të një tjetër titulli në Ligue 1.

  • José Mourinho pranë rikthimit te Real Madrid

    José Mourinho pranë rikthimit te Real Madrid

    José Mourinho pritet të rikthehet në stolin e Real Madrid, në një lëvizje që mund të zyrtarizohet gjatë javës së ardhshme.

     

    Sipas raportimeve të gazetarit Sacha Tavolieri, marrëveshja mes trajnerit portugez dhe klubit madrilen tashmë është arritur, ndërsa mungon vetëm njoftimi zyrtar nga palët.

     

    Mourinho aktualisht është pjesë e Benfica, ndërsa kontrata e tij përfshin një klauzolë largimi prej tre milionë eurosh.

     

    Rikthimi i “The Special One” shihet si një përpjekje e Real Madridit për të rikthyer stabilitetin pas një sezoni të vështirë dhe pa trofe, ku skuadra është përballur me probleme sportive dhe tensione të brendshme.

     

    Për Mourinhon, kjo do të ishte aventura e dytë në “Santiago Bernabéu”, pasi ai drejtoi madrilenët edhe në periudhën 2010–2013. Gjatë asaj kohe, portugezi fitoi La Liga dhe Copa del Rey, duke lënë gjurmë të rëndësishme në klub.

     

    Ai pritet të zëvendësojë Álvaro Arbeloa, i cili nuk arriti të fitojë trofe gjatë drejtimit të skuadrës.

     

    Sipas mediave spanjolle, rikthimi i Mourinhos konsiderohet si një tentativë për të rikthyer disiplinën, karakterin dhe konkurrueshmërinë në ekipin madrilen.

  • Brazili goditet rëndë para Botërorit- Estêvão humbet Kupën e Botës 2026

    Brazili goditet rëndë para Botërorit- Estêvão humbet Kupën e Botës 2026

    Kombëtarja e Brazilit ka marrë një tjetër goditje të rëndë para Kupës së Botës 2026 , pasi talenti brazilian Estêvão Willian nuk do të luajë në turne për shkak të një dëmtimi serioz.

    Sipas ESPN, sulmuesi i ri i Chelsea FC nuk është përfshirë as në listën paraprake prej 55 lojtarësh që trajneri Carlo Ancelotti ka dërguar në FIFA.

    19-vjeçari pësoi dëmtim në muskulin e kofshës së djathtë më 18 prill, gjatë humbjes së Chelseat ndaj Manchester United. Edhe pse fillimisht kishte shpresa për rikuperim, stafet mjekësore të Brazilit dhe klubit anglez nuk mund të garantonin se ai do të ishte gati në kohë për Botërorin.

    Para lëndimit, Estêvão konsiderohej si një nga emrat e sigurt për Kupën e Botës, sidomos pasi Ancelotti vlerësonte shumë cilësitë e tij.

    Problemet për Brazilin nuk ndalen me kaq. Për shkak të dëmtimeve serioze, Ancelotti nuk mund të llogarisë as në dyshen e Real Madrid, Éder Militão dhe Rodrygo, të cilët priteshin të kishin rol të rëndësishëm në ekip.

    Sipas burimeve pranë kombëtares, vetë Estêvão e kishte kuptuar se shanset për të luajtur ishin shumë të vogla dhe mbeti i zhgënjyer kur u rikthye te Palmeiras për të vazhduar rehabilitimin.

    Ndërkohë, tifozët brazilianë kanë pritur mirë rikthimin e mundshëm të Neymar në listën e zgjeruar të ekipit kombëtar. Golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit me 79 gola është një nga emrat që Ancelotti po shqyrton për listën finale prej 26 lojtarësh.

    Megjithatë, mungesa e disa prej yjeve kryesorë mbetet një goditje e madhe për Brazilin në synimin për ta rikthyer titullin e botës, të cilin e pret që nga viti 2002.

  • FC Barcelona interesohet për João Pedro-Chelsea heziton ta vë në shitje

    FC Barcelona interesohet për João Pedro-Chelsea heziton ta vë në shitje

    FC Barcelona po shfaq interes gjithnjë e më të madh për sulmuesin brazilian João Pedro përpara afatit kalimtar të verës, sipas raportimeve të El Chiringuito TV.

    Sulmuesi i Chelsea FC vlerësohet shumë nga trajneri i ri i Barcelonës, Hansi Flick, i cili e konsideron atë një profil ideal për forcimin e repartit ofensiv të skuadrës katalanase.

    Sipas raportimeve, Barcelona mund të intensifikojë përpjekjet për transferimin e tij, veçanërisht në një situatë ku emra të tjerë për sulmin, përfshirë Julián Álvarez, janë lidhur me lëvizje të mundshme drejt Paris Saint-Germain.

    João Pedro shihet si një lojtar që përshtatet me kërkesat taktike të Barcelonës, falë lëvizshmërisë, teknikës dhe fleksibilitetit në fazën sulmuese.

    Megjithatë, qëndrimi i Chelseat mbetet i qartë. Klubi anglez nuk ka ndërmend të dëgjojë oferta për brazilianin gjatë kësaj vere, pavarësisht interesimit në rritje nga klubet evropiane.

    Gjithsesi, zhvillimet në merkato dhe interesimi i Barcelonës mund të ndikojnë në të ardhmen e lojtarit në muajt në vijim, sidomos nëse ai kërkon më shumë hapësira ose një sfidë të re në karrierë.

    24-vjeçari ka zhvilluar 48 ndeshje zyrtare në të gjitha garat këtë sezon, duke realizuar 20 gola dhe 9 asistime.

  • Real Madrid në krizë pavarësisht “galaktikëve”, projekti me Mbappenë shihet si zhgënjim

    Real Madrid në krizë pavarësisht “galaktikëve”, projekti me Mbappenë shihet si zhgënjim

    Projekti aktual i Real Madrid, i ndërtuar rreth Kylian Mbappé, Vinícius Júnior, Jude Bellingham dhe Federico Valverde, po konsiderohet si një dështim pas sezonit zhgënjyes 2025/26.

    Katërshja e yjeve ka një vlerë totale tregu prej rreth 610 milionë eurosh, sipas faqes së specializuar Transfermarkt. Mbappé vlerësohet me 200 milionë euro, Vinícius me 150 milionë euro, Bellingham me 140 milionë euro dhe Valverde me 120 milionë euro.

    Pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm, madrilenët kanë hasur vështirësi të mëdha kolektive gjatë gjithë sezonit. Mbappé ka realizuar 41 gola, por shumë tifozë besojnë se kontributi i tij nuk është reflektuar në sukses në momentet vendimtare.

    Raportimet flasin edhe për mungesë harmonie brenda dhomës së zhveshjes. Ndërkohë, situata e Viníciusit mbetet e paqartë, pasi braziliani ka edhe një vit kontratë dhe negociatat për rinovim ende nuk kanë përfunduar.

    Edhe Bellingham nuk ka kaluar një sezon të lehtë, pasi dëmtimet ndikuan ndjeshëm në formën e tij. Nga ana tjetër, Valverde raportohet se është i pakënaqur me ndryshimet e vazhdueshme të pozicionit në fushë.

    Shqetësimi më i madh te Real Madridi mbetet fakti se skuadra, megjithëse e mbushur me yje të mëdhenj, nuk ka arritur të krijojë mentalitetin dhe lidershipin e nevojshëm për të dominuar vazhdimisht gjatë sezonit.

  • Dy futbollistë shqiptarë në formacionin më të mirë të javës në Bundesligë

    Dy futbollistë shqiptarë në formacionin më të mirë të javës në Bundesligë

    Në fundjavë u zhvillua java e 33-të e Bundesligës së Gjermanisë, dhe në formacionin më të mirë të kësaj xhiroje nuk kanë munguar futbollistët shqiptarë.

    Sipas vlerësimeve të SofaScore, në “Ekipin e javës” u përzgjedhën Albian Hajdari dhe Arijon Ibrahimovic, të cilët spikaten me paraqitjet e tyre dhe u konsideruan ndër më meritorët për fitoret e skuadrave përkatëse.

    Albian Hajdari ishte një nga pikat më të forta të Hoffenheim në fitoren minimale 1-0 ndaj Werder Bremen. Mbrojtësi shqiptar u vlerësua me notën 8.7, falë paraqitjes së sigurt në prapavijë, dueleve të fituara dhe rolit kyç në ruajtjen e portës së paprekur në një ndeshje vendimtare në fundin e sezonit.

    Ndërkohë, Arijon Ibrahimovic spikati në fitoren e Heidenheim me rezultat 3-1. Ai u vlerësua me notën 8.5, duke qenë një nga lojtarët më të rrezikshëm në fazën ofensivë dhe duke ndihmuar skuadrën e tij të sigurojë tri pikë të rëndësishme.

    Përveç dyshes shqiptare, në formacionin më të mirë të javës 33 janë përfshirë edhe emra të njohur të Bundesligës, si Michael Olise (8.7), Joshua Kimmich (8.3), Willi Orbán (8.9) dhe Conrad Trimmel (8.8), të cilët gjithashtu patën paraqitje të nivelit të lartë.

    Paraqitjet e Hajdarit dhe Ibrahimovic janë një tjetër tregues i rritjes së futbollistëve shqiptarë në kampionatet më të forta të Evropës, veçanërisht në një fazë të sezonit ku çdo pikë dhe çdo performancë ka rëndësi të madhe.

  • Daniel Siebert do të drejtojë finalen PSG–Arsenal në Champions League

    Daniel Siebert do të drejtojë finalen PSG–Arsenal në Champions League

    UEFA ka caktuar arbitrin gjerman Daniel Siebert për të drejtuar finalen e UEFA Champions League mes Paris Saint-Germain dhe Arsenal. Për 42-vjeçarin, kjo do të jetë finalja e parë në karrierë në një kompeticion madhor të UEFA-s.

    Siebert kishte drejtuar edhe ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales në Emirates mes Arsenalit dhe Atletico Madrid, duke fituar besimin e shtëpisë europiane të futbollit për këtë supersfidë të sezonit.

    Asistentët e tij do të jenë bashkëkombësit Seidel dhe Foltyn, ndërsa arbitër i katërt është spanjolli Porras Ayuso.

    Në dhomën VAR do të jenë gjermanët Dankert dhe Schroder, me mbështetjen shtesë të VAR-it nga spanjolli Del Cerro Grande.

  • Barcelona rinovon kontratën me Hansi Flick deri në 2028

    Barcelona rinovon kontratën me Hansi Flick deri në 2028

    Barcelona ka bindur trajnerin Hansi Flick të rinovojë kontratën për dy vite, me opsion për një vit shtesë. Trajneri gjerman po arrin suksese të mëdha te gjiganti katalanas, duke fituar titullin e La Ligës për të dytin vit radhazi, përfshirë një fitore të veçantë kundër rivalit të përjetshëm, Real Madrid.

    Gazetari Fabrizio Romano raporton se gjithçka është mbyllur mes dy palëve. “Hansi Flick dhe Barcelona pajtohen për kontratën e re, gjithçka e aprovuar pas marrëveshjes në parim që ishte arritur javë më parë,” shkruan ai.

    Kontrata e re do të jetë e vlefshme deri në qershor 2028, me opsion deri më 2029, dhe është negociuar nga agjenti i tij, Pini Zahavi. Nënshkrimi pritet të bëhet së shpejti.

    Ndërkohë, Flick – i cili humbi babanë në të njëjtën ditë kur festoi titullin – premtoi tifozëve se vitin e ardhshëm do të synojë fitimin e Ligës së Kampionëve, trofe që Barcelona nuk e ka fituar që nga viti 2015.