ATV

Author: A.M.

  • Juventus tronditet në shtëpi-humb 0-2 nga Fiorentina dhe vë në rrezik Ligën e Kampionëve

    Juventus tronditet në shtëpi-humb 0-2 nga Fiorentina dhe vë në rrezik Ligën e Kampionëve

    Juventusi ka pësuar një humbje të rëndë në “Allianz Stadium”, duke u mposhtur 0-2 nga Fiorentina në një ndeshje shumë të rëndësishme për garën drejt Ligës së Kampionëve.

    “Zonja e Vjetër” e nisi ndeshjen me presion dhe tentoi të dominojë lojën që në minutat e para, por ishte skuadra mysafire ajo që shfrytëzoi më mirë rastet.

    Fiorentina kaloi në epërsi në minutën e 34-të me golin e Cheick Ndour, duke e mbyllur pjesën e parë me avantazh minimal 0-1.

    Në pjesën e dytë, Juventusi u hodh i tëri në sulm në kërkim të barazimit, madje shënoi edhe me Dušan Vlahović pas një asistimi të Edon Zhegrova, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it.

    Kur pritej reagimi i vendasve, Fiorentina goditi sërish. Rolando Mandragora realizoi një gol spektakolar për ta dyfishuar epërsinë në 0-2.

    Deri në fund të takimit nuk pati ndryshim rezultati, duke e lënë Juventusin pa pikë në një ndeshje shumë të rëndësishme për objektivin e tyre sezonal.

    Me këtë humbje, Juventusi zbret në pozitën e gjashtë me 68 pikë, duke komplikuar seriozisht garën për një vend në Ligën e Kampionëve, ndërsa diferenca me rivalët direktë është ngushtuar ndjeshëm në javët e fundit të sezonit.

  • AC Milan rikthehet te fitorja-Mposhtë Genoan dhe i afrohet Ligës së Kampionëve

    AC Milan ka arkëtuar tri pikë shumë të rëndësishme në kuadër të javës së 37-të në Serie A, pasi triumfoi ndaj Genoas me rezultat 1-2.

    “Rossonerët”, që po kalonin një periudhë të vështirë rezultatesh, reaguan në momentin më të rëndësishëm të sezonit dhe mbetën në garë për sigurimin e një vendi në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm.

    Genoa ishte skuadra më e rrezikshme në pjesën e parë, duke krijuar disa raste të mira shënimi, por vendasit nuk arritën t’i konkretizonin ato para portës së Milanit.

    Skuadra mysafire kaloi në epërsi në minutën e 50-të falë Christopher Nkunku, i cili realizoi saktë nga pika e bardhë për rezultatin 0-1.

    Milani vazhdoi të kontrollonte lojën edhe në vazhdim, ndërsa goli i qetësisë erdhi në minutën e 81-të. Pas asistimit të Athekame, Christian Pulisic shënoi nga afërsia për ta dyfishuar epërsinë e “Rossonerëve”.

    Genoa arriti vetëm ta ngushtojë rezultatin në fund të takimit me golin e Johan Vásquez në minutën e 87-të, por pa arritur të shmangte humbjen.

    Me këtë fitore, Milani shkon në kuotën e 70 pikëve dhe mban gjallë shpresat për kualifikim në Ligën e Kampionëve, ndërsa vazhdon garën e ngushtë me skuadrat rivale në tabelë.

  • Amir Rrahmani shkëlqen me gol dhe paraqitje fantastike në fitoren e Napolit

    Amir Rrahmani shkëlqen me gol dhe paraqitje fantastike në fitoren e Napolit

    Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ishte një nga lojtarët më të dalluar në fitoren e Napolit ndaj Pisas, duke realizuar gol dhe duke zhvilluar një paraqitje të jashtëzakonshme në repartin defensiv.

    Mbrojtësi dardan shënoi me kokë në minutën e 27-të pas asistimit të Eljif Elmas, për ta dyfishuar epërsinë e Napolit në rezultatin 0-2.

    Përveç golit, Rrahmani dominoi edhe në mbrojtje, duke qenë praktikisht i pakalueshëm gjatë gjithë takimit. Paraqitja e tij u vlerësua lart edhe nga platforma e statistikave “SofaScore”, e cila e notoi me 9.3 — nota më e lartë në ndeshje.

    Sipas statistikave, reprezentuesi kosovar rikuperoi topin gjashtë herë, fitoi dy duele të rëndësishme dhe tregoi saktësi të jashtëzakonshme në organizimin e lojës nga mbrojtja.

    Rrahmani kompletoi plot 141 pasime nga 144 tentativa, duke dëshmuar qetësi, siguri dhe nivel të lartë në ndërtimin e aksioneve të Napolit.

    Paraqitja e tij konfirmon edhe një herë rëndësinë që ka në skuadrën italiane, ku vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së kampionëve italianë.

  • Amir Rrahmani shënon me kokë për Napoli ndaj Pisas në Serie A

    Amir Rrahmani shënon me kokë për Napoli ndaj Pisas në Serie A

    Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka realizuar një gol të bukur me kokë në ndeshjen e Napolit ndaj Pisas.

    Mbrojtësi dardan shënoi në minutën e 27-të të takimit, pasi u shërbye me një harkim të saktë nga Eljif Elmas. Rrahmani reagoi mjaft mirë brenda zonës dhe me një goditje precize me kokë e dërgoi topin në rrjetë, duke e lënë pa asnjë mundësi reagimi portierin mysafir.

    Goli i mbrojtësit kosovar i dha Napolit epërsinë 0-2, me skuadrën italiane që po dominon ndeshjen ndaj Pisas.

    Paraqitja e Rrahmanit vazhdon të konfirmojë formën e mirë të reprezentuesit kosovar, i cili mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm në repartin defensiv të Napolit, por edhe një rrezik i vazhdueshëm në fazën ofensive gjatë ndërprerjeve.

  • Conor McGregor rikthehet në UFC-Përballet me Max Holloway pas shumë vitesh

    Conor McGregor rikthehet në UFC-Përballet me Max Holloway pas shumë vitesh

    Tashmë është zyrtarizuar data e rikthimit të Conor McGregor në oktagon. UFC ka bërë të ditur se ylli irlandez i MMA-së, i njohur me nofkën “Notorious”, do të përballet me Max Holloway më 11 korrik në eventin UFC 329, i cili zhvillohet në kuadër të “International Fight Week”.

    Për McGregorin, kjo do të jetë rikthimi i shumëpritur pas një periudhe të gjatë mungese nga sporti. Ish-kampioni irlandez nuk ka luftuar prej pesë vitesh, pas dëmtimit të rëndë që pësoi në duelin ndaj Dustin Poirier në vitin 2021.

    Luftëtari që konsiderohet si një nga figurat më të mëdha dhe më me ndikim në historinë e MMA-së do të rikthehet pikërisht ndaj një rivali të njohur. McGregor dhe Holloway kanë histori të gjatë mes tyre, pasi për herë të parë u përballën në vitin 2013, në një duel që shënoi fillimin e rrugëtimit të tyre drejt majës së UFC-së.

    Tani, pas më shumë se një dekade, dy legjendat do të ndajnë sërish oktagonin në një nga duelet më të shumëpritura të vitit në sportet luftarake.

    Për shumë tifozë dhe analistë, kjo përballje mund të jetë edhe një nga luftërat e fundit të McGregorit në UFC, duke marrë parasysh dëmtimin serioz që pësoi vite më parë, por edhe problemet personale dhe ligjore që kanë shoqëruar karrierën e tij në vitet e fundit.

    Megjithatë, rikthimi i “Notorious” pritet të sjellë interesim të jashtëzakonshëm në botën e MMA-së dhe ta kthejë edhe një herë vëmendjen globale te emri i Conor McGregor.

  • Bayern Munich thyen rekordin historik të Real Madridit të sezonit 2011/12

    Bayern Munich thyen rekordin historik të Real Madridit të sezonit 2011/12

    Bayern Munich ka hyrë në histori pasi e mbylli sezonin në Bundesliga me plot 122 gola të shënuar, duke thyer rekordin legjendar të Real Madridit të Jose Mourinhos, që kishte realizuar 121 gola në sezonin 2011/12.

    Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany vulosi rekordin në javën e fundit të kampionatit, ku triumfoi bindshëm me rezultat 5-1 ndaj FC Köln.

    Në qendër të këtij suksesi ishte padyshim Harry Kane, i cili realizoi het-trik dhe e mbylli sezonin me statistika mbresëlënëse. Sulmuesi anglez shënoi 58 gola në 50 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa vetëm në Bundesliga realizoi 36 gola, duke lënë pas rivalë si Erling Haaland dhe Kylian Mbappé në garën për “Këpucën e Artë”.

    Kane e hapi serinë e golave në minutën e 10-të pas asistimit të Joshua Kimmich, ndërsa pak minuta më vonë realizoi sërish me kokë për ta dyfishuar epërsinë e bavarezëve.

    Kolni reagoi përkohësisht me golin e Said El Malas, por Bayerni ruajti kontrollin e takimit. Tom Bischof realizoi golin e tretë me një goditje të fuqishme nga distanca, ndërsa Kane kompletoi het-trikun në minutën e 69-të për rezultatin 4-1.

    Në fund, Nico Jackson vulosi fitoren 5-1 në minutën e 83-të, duke i dhënë Bayernit një mbyllje perfekte të sezonit.

    Ky rekord historik konfirmon dominimin ofensiv të Bayernit nën drejtimin e Vincent Kompanyt dhe i jep këtij sezoni një rëndësi të veçantë në historinë e futbollit evropian, përtej fitimit të titullit kampion.

  • Hansi Flick nuk e preferon Alessandro Bastonin si mbrojtës ideal te Barcelona

    Hansi Flick nuk e preferon Alessandro Bastonin si mbrojtës ideal te Barcelona

    Barcelona po vazhdon punën për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm, me drejtuesit katalanas që kanë vendosur si prioritete kryesore afrimin e një sulmuesi dhe një qendërmbrojtësi të ri gjatë afatit kalimtar veror.

    Klubi fillimisht synon të finalizojë transferimin e një sulmuesi, ku emri kryesor në listën e dëshirave vazhdon të jetë Joao Pedro. Pas kësaj, fokusi i Barcelonës do të zhvendoset plotësisht te përforcimi i repartit defensiv.

    Një nga objektivat kryesorë për mbrojtjen është Alessandro Bastoni i Inter Milan. Sipas raportimeve, Barcelona ka muaj që mban kontakte me mbrojtësin italian, ndërsa klubi zikaltër pret ofertën e parë zyrtare nga katalanasit.

    Interi raportohet se kërkon rreth 60 milionë euro për kartonin e 27-vjeçarit dhe dëshiron ta zgjidhë situatën sa më shpejt për të planifikuar merkaton verore.

    Megjithatë, sipas gazetarit Matteo Moretto, trajneri Hansi Flick nuk është plotësisht i bindur nga profili i Bastonit. Tekniku gjerman thuhet se ka rezerva për përshtatjen e italianit me stilin e lojës që dëshiron të implementojë te Barcelona.

    Për këtë arsye, Flick i ka kërkuar klubit të shqyrtojë edhe alternativa të tjera për qendrën e mbrojtjes. Një nga emrat që po monitorohet është Cristian Romero i Tottenham Hotspur, i cili shihet si opsion rezervë në rast se transferimi i Bastonit nuk realizohet.

    Javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Bastonit dhe planet e Barcelonës për repartin defensiv në sezonin e ri.

  • KB Trepça synon titullin-KB Bashkimi kërkon rikthimin në finale

    KB Trepça synon titullin-KB Bashkimi kërkon rikthimin në finale

    Sonte zhvillohet ndeshja e tretë finale e “ProCredit Superliga”, ku Bashkimi do të jetë nikoqir i kampionit aktual, Trepçës, në një përballje shumë të rëndësishme për fatin e serisë finale.

    Skuadra mitrovicase vjen në këtë duel me epërsi 2-0 në seri, pasi triumfoi në dy ndeshjet e para të finales. Në takimin e parë, Trepça fitoi me rezultat 93:83, ndërsa në ndeshjen e dytë tregoi edhe një herë forcën e saj duke triumfuar bindshëm me rezultat 94:79.

    Për Bashkimin, situata është bërë edhe më e vështirë pas mungesës së lojtarit amerikan Kyan Anderson, i cili nuk do të paraqitet në ndeshjet e mbetura të finales për shkak të një lëndimi. Mungesa e tij konsiderohet goditje e madhe për prizrenasit, pasi Anderson ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës gjatë këtij sezoni.

    Në anën tjetër, Trepça synon ta mbyllë serinë sonte dhe të festojë titullin kampion, ndërsa Bashkimi do të kërkojë reagimin para tifozëve vendas për të mbetur në garë për trofeun.

    Ndeshja zhvillohet nga ora 19:30 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ku pritet atmosferë e zjarrtë dhe interesim i madh i tifozëve për finalen e tretë të elitës së basketbollit kosovar.

  • Chelsea FC zyrtarizon Xabi Alonso si trajnerin e ri

    Chelsea FC zyrtarizon Xabi Alonso si trajnerin e ri

    Chelsea ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Xabi Alonsos si trajnerin e ri të përhershëm të klubit. Strategu spanjoll ka firmosur një kontratë katërvjeçare me klubin londinez dhe do ta nisë zyrtarisht punën në Stamford Bridge më 1 korrik, përpara fillimit të fazës përgatitore për sezonin e ri.

    42-vjeçari vjen në krye të Chelseat pas shkarkimit të Liam Rosenior në muajin prill. Deri në ardhjen e Alonsos, skuadra do të drejtohet përkohësisht nga Calum McFarlane.

    Ish-mesfushori spanjoll ishte objektivi kryesor i drejtuesve të Chelseat për postin e trajnerit dhe pritet të udhëheqë një projekt afatgjatë, që synon rindërtimin e skuadrës dhe rikthimin e stabilitetit në Stamford Bridge.

    Njoftimi për emërimin e Alonsos vjen në një moment të vështirë për klubin londinez, i cili aktualisht renditet në vendin e nëntë në Premier League dhe po lufton për të siguruar një vend në garat evropiane për sezonin e ardhshëm.

  • Manchester City fiton FA Cup pas triumfit ndaj Chelseat në finale

    Manchester City fiton FA Cup pas triumfit ndaj Chelseat në finale

    Manchester City e ka fituar trofeun e FA Cup pasi mposhti Chelsea FC në finale me rezultat minimal 1-0.

    “Qytetarët” triumfuan falë një supergoli të Antoine Semenyo.

    City e nisi shumë më mirë takimin dhe arriti të shënojë përmes Erling Haaland, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

    Edhe Semenyo pati një rast ideal në pjesën e parë, por goditja e tij nga afërsia përfundoi mbi portë.

    Megjithatë, sulmuesi ganez korrigjoi gabimin në minutën e 72-të, duke realizuar me thembër pas asistimit të Haalandit për t’i dhënë Cityt trofeun e FA Cup.

    Chelsea kërkoi dy herë penallti pas rrëzimit të João Pedro brenda zonës, por gjyqtari nuk vendosi ta rishikojë asnjërin rast në VAR, duke i qëndruar besnik vendimit të tij fillestar.

    Kësisoj, Manchester City e fiton FA Cup, ndërsa tani do të synojë t’i fitojë edhe dy ndeshjet e mbetura në Premier League, me shpresën që Arsenal FC të lëshojë pikë në garën për titull.