ATV

Author: A.M.

  • Robert Lewandowski përshëndetet me lot nga tifozët e Barcelonës

    Robert Lewandowski përshëndetet me lot nga tifozët e Barcelonës

    Një moment shumë emocional u pa në stadium gjatë ndeshjes mes Barcelonës dhe Real Betisit, ku Robert Lewandowski luajti ndeshjen e tij të fundit me fanellën e klubit katalanas.

    Sulmuesi polak nuk arriti të shënojë në mbrëmjen e lamtumirës, por rezultati kaloi plotësisht në plan të dytë, pasi e gjithë vëmendja ishte te përshëndetja e tij me tifozët.

    Në momentin kur numri i Lewandowskit u shfaq në tabelë dhe u krye zëvendësimi, i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë për ta duartrokitur. Tifozët e Barcelonës e përshëndetën gjatë, duke vlerësuar kontributin e madh që dha gjatë katër viteve te klubi.

    Edhe bashkëlojtarët iu bashkuan momentit emocional, duke e përqafuar teksa ai largohej ngadalë nga fusha, dukshëm i prekur nga atmosfera në stadium.

    Kamerat kapën Lewandowskin pothuajse me lot në sy, ndërsa ai përshëndeti tribunat dhe shijoi për herë të fundit emocionet me fanellën blaugrane.

    Edhe pse nuk arriti të realizojë gol në ndeshjen e fundit, Robert Lewandowski largohet nga Barcelona duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë moderne të klubit.

  • Cleveland Cavaliers kualifikohen në finalen e Konferencës Lindore

    Cleveland Cavaliers kualifikohen në finalen e Konferencës Lindore

    Cleveland Cavaliers kanë siguruar kualifikimin në finalen e Konferencës Lindore në NBA, pasi mposhtën Detroit Pistons me rezultat bindës 125:94 në ndeshjen e shtatë të serisë së “play-off”-it.

    Ylli i Cavaliers, Donovan Mitchell, udhëhoqi ekipin me 26 pikë, ndërsa Jarrett Allen dhe Sam Merrill shtuan nga 23 pikë secili në fitoren e rëndësishme të Clevelandit.

    Një paraqitje të shkëlqyer pati edhe Evan Mobley, i cili e përfundoi ndeshjen me 21 pikë dhe 12 kërcime.

    Me këtë fitore, Cavaliers sigurojnë paraqitjen e parë në finalen e Konferencës Lindore që nga viti 2018 dhe të nëntën në historinë e klubit.

    Në fazën tjetër, Cleveland do të përballet me New York Knicks, ndërsa ndeshja e parë e serisë do të zhvillohet të martën në New York.

    Për Cavaliers, kjo është ecuria më e mirë në “play-off” që nga sezoni i fundit i LeBron James me klubin.

    Në anën tjetër, Detroit Pistons mbetën një fitore larg rikthimit në finalen e konferencës për herë të parë që nga viti 2008.

    Te Pistons, më efikasi ishte Daniss Jenkins me 17 pikë, ndërsa Cade Cunningham dhe Duncan Robinson realizuan nga 13 pikë secili.

  • Antonio Conte lë të hapur largimin nga Napoli në fund të sezonit

    Antonio Conte lë të hapur largimin nga Napoli në fund të sezonit

    Trajneri Antonio Conte ka lënë të kuptohet se mund të largohet nga Napoli në fund të këtij sezoni, pavarësisht suksesit që ka arritur me skuadrën italiane.

    Napoli siguroi kualifikimin në Ligën e Kampionëve pas fitores bindëse 3-0 në udhëtim ndaj Pisas. Ndeshja u vendos që në pjesën e parë me golat e hershëm, ndërsa Rasmus Hojlund vulosi triumfin në minutat shtesë.

    Pas ndeshjes, Conte foli për të ardhmen e tij dhe deklaratat e tij shtuan dyshimet për një largim të mundshëm nga klubi napolitan.

    “Kisha premtuar se, në momentin kur përvoja ime te Napoli të përfundonte, do të lija pas një grup solid dhe ambicioz”, deklaroi Conte.

    Tekniku italian theksoi edhe mentalitetin që ka tentuar t’ia transmetojë skuadrës gjatë periudhës së tij në krye të ekipit.

    “Mund të mos jemi ekipi më i fortë, por duhet të bëhemi më i vështiri. Napoli duhet t’u krijojë probleme çdo vit Juventusit, Milanit dhe Interit”, shtoi ai.

    Conte foli edhe për raportin me presidentin Aurelio De Laurentiis, duke lënë të kuptohet se vendimi për të ardhmen mund të merret së shpejti.

    “Presidenti i njeh mendimet e mia prej një muaji. Kemi folur për gjërat pozitive dhe për ato më pak pozitive”.

    “Do t’i jem gjithmonë mirënjohës që më është dhënë mundësia të drejtoj një klub si Napoli”, përfundoi trajneri italian.

  • Jose Mourinho rikthehet te Real Madridi pas më shumë se një dekade

    Jose Mourinho rikthehet te Real Madridi pas më shumë se një dekade

    Jose Mourinho ka arritur marrëveshje me Real Madridin dhe shumë shpejt pritet të rikthehet në stolin e gjigantit spanjoll.

    Sipas raportimeve të gazetarit Fabrizio Romano, gjithçka është dakorduar në parim, ndërsa kanë mbetur vetëm edhe nënshkrimet zyrtare të kontratës. Trajneri portugez pritet të firmosë marrëveshje dyvjeçare me klubin madrilen.

    “Jose Mourinho te Real Madridi, marrëveshja është kryer. Të gjitha palët kanë arritur dakordim, ndërsa priten vetëm nënshkrimet”, ka raportuar Romano.

    Po ashtu bëhet e ditur se Mourinho do të udhëtojë drejt Madridit pas ndeshjes mes Real Madridit dhe Athletic Bilbaos.

    “Special One” rikthehet te Real Madridi pas më shumë se një dekade, pasi më parë kishte drejtuar klubin nga viti 2010 deri në vitin 2013.

    Ndërkohë, Real Madridi pritet të jetë shumë aktiv gjatë afatit kalimtar veror, ku synon rindërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

  • Ballkani fiton me rikthim ndaj Prishtinës së Re – Kryeqytetasit bien nga Albi Mall Superliga

    Ballkani fiton me rikthim ndaj Prishtinës së Re – Kryeqytetasit bien nga Albi Mall Superliga

    FC Ballkani ka shënuar fitore dramatike me rezultat 3-2 ndaj FC Prishtina e Re në kuadër të javës së 34-t të Albi Mall Superliga e Kosovës.

    Mysafirët e nisën më mirë takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e shtatë, kur Nedim Mekić realizoi për 1-0 në rastin e parë serioz të ndeshjes.

    Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Prishtinës së Re, ndërsa fraksioni i dytë solli pesë gola dhe shumë emocione.

    Giovanni barazoi rezultatin në 1-1 në minutën e 50-të, por vetëm pesë minuta më vonë Mekić realizoi sërish për 2-1, duke ia rikthyer epërsinë mysafirëve.

    Ballkani reagoi fuqishëm pas golit të pranuar dhe arriti të barazojë në 2-2 me anë të Anel Sabanadzović në minutën e 69-të.

    Tri pikët për skuadrën nga Suhareka i siguroi Almir Kryeziu, i cili realizoi golin e fitores në minutat e fundit për rezultatin përfundimtar 3-2.

    Pas kësaj fitoreje, Ballkani mbetet në pozitën e dytë në tabelë, ndërsa Prishtina e Re sezonin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë.

  • Prishtina siguron barazimin në fund të ndeshjes – Ferizaj bie nga Albi Mall Superliga

    Prishtina siguron barazimin në fund të ndeshjes – Ferizaj bie nga Albi Mall Superliga

    FC Prishtina ka barazuar 3-3 ndaj KF Ferizaj në ndeshjen e javës së 34-t të Albi Mall Superliga e Kosovës, rezultat që konfirmon rënien e ferizajasve nga elita e futbollit kosovar.

    Prishtina kaloi e para në epërsi në minutën e 14-të, kur Albin Krasniqi realizoi për 1-0.

    Megjithatë, Ferizaj reagoi shpejt dhe Ruben Silva-Richards barazoi shifrat nga pika e bardhë. Më pas, Rin Ahmeti riktheu epërsinë për prishtinasit, duke dribluar edhe portierin për golin e 2-1.

    Skuadra mysafire nuk u dorëzua dhe Betim Haxhimusa realizoi për 2-2 në minutën e 57-të.

    Përmbysja e Ferizajt u kompletua nga Ade Oguns, i cili shënoi për 3-2 në minutën e 66-të.

    Kur u mendua se Ferizaj do të merrte tri pikët, Prishtina arriti të shmangë humbjen në fund të takimit falë golit të dytë personal të Rin Ahmetit për rezultatin përfundimtar 3-3.

    Pas këtij barazimi, Prishtina mban pozitën e katërt me 46 pikë, vetëm tri më pak se Llapi që ndodhet në zonën e barazhit.

  • Dukagjini mposht kampionin aktual Drita para pulbikut vendas

    Dukagjini mposht kampionin aktual Drita para pulbikut vendas

    Dukagjini ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj FC Drita me rezultat 2-0, në kuadër të javës së 34-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

    Skuadra nga Klina e nisi ndeshjen me intensitet të lartë, duke qenë e vetëdijshme për rëndësinë e pikëve në fazën përfundimtare të kampionatit.

    Goli i parë erdhi në minutën e 20-të, kur Besir Iseni realizoi pas asistimit të Erlis Xhemajli për epërsinë 1-0.

    Pak para përfundimit të pjesës së parë, Altin Merlaku shënoi edhe golin e dytë për Dukagjinin, pasi u asistua nga Hekuran Berisha.

    Në pjesën e dytë, Drita arriti ta dërgojë topin në rrjetë, por goli u anulua pas rishikimit në VAR.

    Pas kësaj fitoreje, Dukagjini ngjitet në pjesën e epërme të tabelës me 45 pikë, ndërsa Drita, e cila tashmë është shpallur kampione, mbetet me 66 pikë.

  • Llapi triumfon ndaj Gjilanit dhe siguron së paku barazhin në Albi Mall Superligën e Kosovës

    Llapi triumfon ndaj Gjilanit dhe siguron së paku barazhin në Albi Mall Superligën e Kosovës

    KF Llapi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në udhëtim ndaj SC Gjilani me rezultat 2-1, në kuadër të xhiros së 34-t të Albi Mall Superliga e Kosovës.

    Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, kur Arianit Hasani realizoi një gol të bukur për epërsinë 0-1 pas vetëm tetë minutash lojë.

    Megjithatë, vendasit reaguan shpejt dhe barazuan rezultatin në minutën e 16-të falë një supergoli nga gjuajtja e lirë të Armend Thaqi.

    Pavarësisht përpjekjeve të të dy skuadrave, ishte sërish Hasani ai që doli në skenë, duke realizuar golin e dytë personal dhe të fitores për Llapin vetëm gjashtë minuta më vonë.

    Me këtë triumf, Llapi siguron së paku pozitën që dërgon në barazh dhe renditet i teti me 43 pikë, ndërsa Gjilani mbetet në vendin e gjashtë me 45 pikë.

  • Malisheva mposht bindshëm Drenicën 4:1 në shtëpi

    Malisheva mposht bindshëm Drenicën 4:1 në shtëpi

    FC Malisheva ka shënuar fitore të thellë në shtëpi ndaj KF Drenica me rezultat 4-1, në kuadër të xhiros së 34-të të Albi Mall Superliga e Kosovës.

    Pas një pjese të parë pa gola, vendasit dominuan plotësisht në fraksionin e dytë të lojës. Golin e epërsisë për Malishevën e realizoi Assane Diatta në minutën e 55-të, me një goditje të bukur.

    Vështirësitë për Drenicën u shtuan pasi Indrit Prodani u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.

    Me një lojtar më shumë në fushë, Malisheva vazhdoi dominimin. Arlind Veliu realizoi golin e dytë në minutën e 78-të, ndërsa vetëm tri minuta më vonë Diatta shënoi edhe golin e tij të dytë personal për 3-0.

    Në minutën e 82-të, Xhemail Ibishi vulosi fitoren me golin e katërt për vendasit. Drenica arriti të shënojë vetëm golin e nderit në minutat shtesë të takimit.

    Pas kësaj fitoreje, Malisheva mbetet në vendin e tretë me 56 pikë, ndërsa Drenica renditet në pozitën e shtatë me 44 pikë.

  • Roma fiton derbin ndaj Lazio dhe rikthehet në top katërshe

    Roma fiton derbin ndaj Lazio dhe rikthehet në top katërshe

    Roma ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në derbin e kryeqytetit, duke mposhtur Lazion me rezultat 2-0 në një ndeshje vendimtare për garën në Serie A.

    “Gjallorosët” e nisën ndeshjen më kërkues dhe më të organizuar, duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit, por goli i parë erdhi vetëm në minutën e 40-të. Pas një krosimi të saktë nga këndi i Niccolò Pisilli, Gianluca Mancini u ngrit më së larti dhe realizoi me kokë për 1-0.

    Me epërsinë minimale të Romës u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.

    Në pjesën e dytë, skuadra e Gian Piero Gasperini vazhdoi dominimin dhe në minutën e 66-të dyfishoi rezultatin. Sërish protagonist ishte Mancini, i cili këtë herë shënoi pas një asistimi të Paulo Dybala, duke kompletuar dopietën personale.

    Pak minuta më vonë, ndeshja u tensionua pas një përplasjeje mes lojtarëve të të dy skuadrave, ku Wesley nga Roma dhe Nicolo Rovella nga Lazio u ndëshkuan me kartonë të kuq.

    Deri në fund të takimit, Roma krijoi edhe disa raste të tjera, por pa arritur të thellojë rezultatin.

    Me këtë fitore, Roma ngjitet sërish në zonën e top katërshe me 70 pikë dhe vazhdon luftën për një vend në Ligën e Kampionëve, ndërsa në ndeshjen e radhës përballet me Veronën.