ATV

Author: A.M.

  • Pas largimit të Lewandowskit, Barcelona planifikon rindërtimin e repartit ofensiv

    Pas largimit të Lewandowskit, Barcelona planifikon rindërtimin e repartit ofensiv

    Pas largimit të Robert Lewandowskit, një epokë ka marrë fund te Barcelona, ndërsa klubi katalanas ka nisur menjëherë planet për rindërtimin e repartit ofensiv për sezonin e ardhshëm.

    Sipas gazetarit Sique Rodriguez, prioritetet e Barcelonës në afatin kalimtar janë të qarta: afrimi i një sulmuesi qendror, transferimi i një anësori ofensiv dhe, nëse situata financiare e lejon, përforcimi i repartit defensiv.

    Në këtë kuadër, drejtuesit sportivë të klubit kanë refuzuar disa mundësi të rëndësishme në tregun e transferimeve. Një prej tyre ishte edhe Bernardo Silva, i cili iu propozua Barcelonës pas largimit nga Manchester City. Megjithatë, katalanasit konsiderojnë se mesfusha është tashmë e kompletuar, ndaj burimet financiare do të fokusohen në repartet e tjera.

    Në listën e objektivave kryesorë për repartin ofensiv përfshihen emra si Joao Pedro, Julian Alvarez dhe Lautaro Martinez. Brendapër brenda klubit është diskutuar edhe emri i Mikel Oyarzabal. Realizimi i transferimeve të mëdha mbetet i lidhur ngushtë me gjendjen financiare të klubit dhe respektimin e rregullave “1:1” të fair-play financiar të La Liga. Barcelona besohet se ka përmirësuar marrëdhëniet me La Ligën dhe është optimiste se gjatë verës do të arrijë të regjistrojë normalisht lojtarët e rinj.

    Megjithatë, klubi mund të detyrohet të realizojë shitje të tjera përpara se të konkretizojë afrime të mëdha. Largimi i Lewandowskit pritet të ulë ndjeshëm presionin mbi fondin e pagave, edhe pse dalja e sulmuesit polak nuk mjafton për të zgjidhur plotësisht problemet financiare të klubit katalanas.

  • Xherdan Shaqiri konfirmon besnikërinë ndaj Baselit: “Do ta rikthejmë klubin ku i takon”

    Xherdan Shaqiri konfirmon besnikërinë ndaj Baselit: “Do ta rikthejmë klubin ku i takon”

    Sulmuesi Xherdan Shaqiri ka konfirmuar se nuk ka plan të largohet nga Baseli dhe dëshiron ta ndihmojë klubin të rikthehet në nivelet ku e meriton.

    Edhe pse Basel u shpall kampion para dy vitesh, këtë sezon nuk ishte në formën më të mirë, ndërsa skuadra e sapo promovuar Thun fitoi titullin. Shaqiri për “Blick” ka deklaruar se do t’i qëndrojë besnik kontratës, e cila skadon në qershor 2027.

    “Jam dikush që do ta drejtoj dhe mbështes Baselin për ta kthyer ku i takon, dhe kjo nënkupton të garojmë për tituj. Kam edhe një vit në kontratë, prandaj gjithçka është e qartë”, theksoi ai.

    Shaqiri kritikoi gjithashtu lojtarët më të rinj të skuadrës për paraqitjet e këtij sezoni. “Lojtarët tanë të rinj duhet të mësojnë të funksionojnë ndryshe. Shpresoj të shohim rezultate të njëjta, por performanca të përmirësuara sezonin tjetër”, shtoi ai.

    Ky sezon, Shaqiri ka zhvilluar 34 paraqitje për Baselin në elitën e futbollit zviceran, duke shënuar 11 gola dhe dhuruar 10 asistime, duke treguar se është ende një lojtar kyç për skuadrën.

  • Zlatko Daliç publikon listën e Kroacisë për Kampionatin Botëror 2026

    Zlatko Daliç publikon listën e Kroacisë për Kampionatin Botëror 2026

    Trajneri i Kombëtares së Kroacisë, Zlatko Daliç, ka publikuar sot listën e lojtarëve të ftuar për Kampionatin Botëror, i cili do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

     

    Kroacia bën pjesë në Grupin L, së bashku me Kombëtaren e Anglisë, Panamasë dhe Ganës. Përgatitjet zyrtare do të nisin më 25 maj. Para fillimit të turneut, kroatët do të zhvillojnë dy ndeshje miqësore në vendlindje: më 2 qershor kundër Hungarisë në Rujevica dhe më 7 qershor kundër Sllovenisë në Varazhdin.

     

    Ndeshjen e parë në Kampionatin Botëror, Kroacia do ta zhvillojë më 17 qershor kundër Anglisë, më pas do të përballet me Panamanë më 24 qershor, dhe fazën e grupeve do ta mbyllë kundër Ganës më 27 qershor.

     

    Lista e Kroacisë:

     

    Portierë: Dominik Livakovic, Dominik Kotarski, Ivor Pandur.

     

    Mbrojtës: Josko Gvardiol, Duje Caleta-Car, Josip Sutalo, Josip Stanisic, Marin Pongracic, Martin Erlic, Luka Vuskovic.

     

    Mesfushorë: Luka Modric, Mateo Kovacic, Mario Pasalic, Nikola Vlasic, Luka Sucic, Martin Baturina, Kristijan Jakic, Petar Sucic, Nikola Moro, Toni Fruk.

     

    Sulmues: Ivan Perisic, Andrej Kramaric, Ante Budimir, Marco Pasalic, Petar Musa, Igor Matanovic.

     

    Në listën paraprake të ftesave janë përfshirë edhe Lovro Majer, Franjo Ivanovic, Dion Drena Beljo, Ivan Smolcic, Karlo Letica, Adrian Segecic dhe Luka Stojkovic.

  • Hansi Flick rinovon kontratën me Barcelonën deri në 2028

    Hansi Flick rinovon kontratën me Barcelonën deri në 2028

    Hansi Flick ka nënshkruar zyrtarisht kontratën e re me Barcelonën, e cila do të zgjasë deri në vitin 2028.

    Marrëveshja mes klubit katalanas dhe trajnerit gjerman ishte arritur prej javësh, por finalizimi i saj u bë vetëm tani, teksa sezoni po shkon drejt fundit. Barcelona ka përfshirë gjithashtu një opsion për të vazhduar kontratën edhe për një vit tjetër, deri në 2029, megjithëse Flick fillimisht kishte hezituar për një marrëveshje afatgjatë.

    Nën drejtimin e 61-vjeçarit, Barcelona fitoi edhe një tjetër titull në La Liga këtë sezon dhe ruajti një rekord perfekt në ndeshjet kampionale në shtëpi në “Camp Nou”.

    Flick kishte kontratë të vlefshme deri në vitin 2027 para se të pranonte zgjatjen e re me klubin katalanas.

  • Dani Carvajal largohet nga Real Madrid pas 23 sezoneve

    Dani Carvajal largohet nga Real Madrid pas 23 sezoneve

    Real Madridi ka konfirmuar se mbrojtësi Dani Carvajal nuk do të jetë pjesë e klubit për sezonin e ardhshëm.

    Kapitenit i skadon kontrata në fund të këtij sezoni dhe është arritur marrëveshja që të ndajnë rrugët me klubin madrilen. Përmes një komunikate zyrtare, Reali falënderoi gjashtë herë fituesin e Ligës së Kampionëve për kontributin e tij.

    “Real Madridi dhe kapiteni ynë Dani Carvajal janë pajtuar t’i japin fund kësaj epoke të mrekullueshme në fundin e sezonit. Reali dëshiron ta falënderojë një nga legjendat më të mëdha të klubit dhe të futbollit botëror”, thuhet në komunikatë.

    Carvajal ka qenë pjesë e Real Madridit që nga viti 2002, duke mbrojtur fanellën e “galaktikëve” për 23 sezone dhe duke fituar gjithsej 27 tituj. Gjatë karrierës së tij me klubin, ai zhvilloi 450 ndeshje zyrtare dhe shënoi 14 gola.

  • Dy reprezentues të Kosovës në formacionin e sezonit në Superligën e Zvicrës

    Dy reprezentues të Kosovës në formacionin e sezonit në Superligën e Zvicrës

    Superliga e Zvicrës ka përfunduar me një sezon të jashtëzakonshëm, ku FC Thun ka shkruar histori duke u shpallur kampion për herë të parë në elitën e futbollit zviceran.

    Skuadra e rikthyer këtë sezon në Superligë arriti të kurorëzohet me titullin kampion, duke mbyllur një edicion të paharrueshëm.

    Ndërkohë, platforma “SofaScore” ka publikuar edhe formacionin më të mirë të sezonit në elitën zvicerane, ku janë përfshirë edhe dy futbollistë të Kombëtares së Kosovës.

    Në portë është përzgjedhur Amir Saipi, i cili ka zhvilluar një sezon fantastik me Luganon, duke e mbyllur kampionatin me notën mesatare 7.73.

    Në mbrojtje, pjesë e formacionit të sezonit është edhe Kreshnik Hajrizi, i cili ka qenë një nga shtyllat kryesore të Sionit. Hajrizi e mbylli sezonin me notën 7.19, duke u vlerësuar për paraqitjet e tij të qëndrueshme gjatë gjithë kampionatit.

  • Shai Gilgeous-Alexander shpallet MVP i NBA-së për të dytin vit radhazi

    Shai Gilgeous-Alexander shpallet MVP i NBA-së për të dytin vit radhazi

    Shai Gilgeous-Alexander është shpallur lojtari më i vlefshëm i sezonit në NBA për të dytin vit radhazi, duke hyrë në mesin e legjendave që e kanë fituar këtë çmim në sezone të njëpasnjëshme.

    Ylli i Oklahoma City Thunder vazhdoi dominimin në ligën më të fortë të basketbollit në botë, duke u bërë lojtari i 14-të në histori që fiton çmimin MVP dy vite me radhë.

    Kanadezi pati një sezon të jashtëzakonshëm, duke u bërë organizatori i parë në historinë e NBA-së që mesatarisht realizon mbi 30 pikë për ndeshje me më shumë se 55 për qind saktësi në gjuajtje.

    Gilgeous-Alexander e mbylli sezonin me mesatare prej 31.1 pikësh për ndeshje dhe ishte shënuesi i dytë më i mirë në ligë, menjëherë pas Luka Doncic.

    Në garën për çmimin MVP, ai la pas bindshëm Nikola Jokic, ndërsa në vendin e tretë u rendit Victor Wembanyama.

    Basketbollisti i Oklahoma City Thunder grumbulloi gjithsej 939 pikë në votim, plot 305 më shumë se Jokic dhe 370 më shumë se Wembanyama. Ai mori gjithashtu 83 nga 100 votat për vendin e parë.

    Ky çmim konfirmon edhe një herë dominimin e Shai Gilgeous-Alexander në NBA, pasi edhe sezonin e kaluar ishte shpallur lojtari më i vlefshëm i ligës

  • Michael Carrick rinovon kontratën me Manchester Unitedin

    Michael Carrick rinovon kontratën me Manchester Unitedin

    Michael Carrick ka nënshkruar kontratë të re me Manchester Unitedin, sipas raportimeve të gazetarit Fabrizio Romano.

    Sipas marrëveshjes së re, trajneri 44-vjeçar do të qëndrojë në “Old Trafford” deri në qershor të vitit 2028, me opsion për vazhdimin e kontratës edhe për një sezon tjetër, deri në vitin 2029.

    Po ashtu, edhe ndihmëstrajneri Steve Holland ka firmosur rinovimin me kushte të ngjashme dhe me të njëjtën kohëzgjatje.

    Carrick mori drejtimin e Manchester Unitedit në janar të vitit 2026, pas largimit të Ruben Amorim, dhe ka arritur të sjellë rezultate shumë pozitive në Ligën Premier.

    Në 16 ndeshje kampionale nën drejtimin e tij, Manchester United ka regjistruar 11 fitore, tri barazime dhe vetëm dy humbje.

    Aktualisht, “Djajtë e Kuq” ndodhen në vendin e tretë në tabelën e Ligës Premier dhe e kanë siguruar tashmë kualifikimin për sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve.

  • Arianit Hasani shpallet “Ylli i Javës” në Albi Mall Superligë

    Arianit Hasani shpallet “Ylli i Javës” në Albi Mall Superligë

    Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i takon futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.

    Për javën e 34-t të këtij edicioni, ky vlerësim i është ndarë futbollistit të Llapit, Arianit Hasani, pas paraqitjes së shkëlqyer dhe kontributit të madh në fitoren e skuadrës së tij ndaj SC Gjilanit.

    Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

    Pas marrjes së çmimit, Hasani u shpreh i lumtur për suksesin e arritur dhe rëndësinë e fitores për skuadrën e tij.

    “E kemi ditur që na pret një ndeshje shumë e vështirë. Jemi përgatitur gjatë gjithë javës për këtë përballje dhe presioni ka qenë shumë i madh, por jam i lumtur që morëm tri pikë dhe dolëm faqebardhë”.

    “Ssynimet tona kanë qenë të jemi në top 3. Normalisht, renditja aktuale nuk është ajo që e dëshirojmë dhe shpresojmë t’i shmangemi edhe barazhit”.

    “E dimë që kemi ekip të mirë dhe nuk e meritojmë pozitën ku ndodhemi aktualisht. I falënderoj bashkëlojtarët dhe trajnerin, sepse pa ta nuk do të mund ta fitoja këtë çmim. Shpresoj të vazhdojmë me rezultate pozitive edhe në ndeshjet e ardhshme. Gjithashtu, jam shumë i lumtur edhe në aspektin personal për këtë vlerësim”, deklaroi Hasani për faqen zyrtare të FFK-së.

  • Pep Guardiola: Duhet ta fitojmë ndeshjen ndaj Bournemouthit

    Pep Guardiola: Duhet ta fitojmë ndeshjen ndaj Bournemouthit

    Pas triumfit në FA Cup ndaj Chelseat, Pep Guardiola ka kthyer menjëherë fokusin te gara për titullin e Ligës Premier, ku Manchester City vazhdon ta ndjekë Arsenalin deri në javët e fundit të sezonit.

    City ndodhet dy pikë prapa Arsenalit me vetëm dy ndeshje të mbetura, ndërsa përballja e së martës ndaj Bournemouthit konsiderohet vendimtare në garën për titull.

    “Do të përpiqemi ta zgjasim sezonin. Do të përpiqemi ta fitojmë ndeshjen dhe të mbërrijmë kundër Aston Villës me një shans. Me letrat në tavolinë, ne e dimë saktësisht çfarë duhet të bëjmë”, deklaroi Guardiola.

    Trajneri spanjoll vlerësoi maksimalisht Bournemouthin, skuadër që po lufton për një vend në garat evropiane.

    “Ata po luajnë për Evropën dhe nuk e di herën e fundit kur kanë humbur. Është një ekip i jashtëzakonshëm. Mënyra si bëjnë presion është ndoshta më energjikja në Ligën Premier”, shtoi ai.

    Bournemouth aktualisht ndodhet në vendin e gjashtë dhe i mjafton vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit për ta siguruar pjesëmarrjen historike në garat evropiane.

    Guardiola foli edhe për lodhjen e skuadrës pas finales së FA Cup në Wembley, por theksoi se fitorja ndaj Chelseat ka ndikuar pozitivisht te ekipi.

    “Lodhja do të jetë e njëjtë, por energjia do të jetë ndryshe. Të shkoje në Bournemouth pas një humbjeje ndaj Chelseat do të ishte shumë më e vështirë”, u shpreh ai.

    Gara për titull mund të vendoset vetëm në javën e fundit, pasi diferenca në golavarazh është minimale. Manchester City ka +43, vetëm një gol më shumë se Arsenali që ka +42.