ATV

Author: A.M.

  • Luka Modric pranë rinovimit me Milanin, pritet të vazhdojë edhe një sezon

    Luka Modric pranë rinovimit me Milanin, pritet të vazhdojë edhe një sezon

    Luka Modric është shumë pranë vazhdimit të aventurës së tij me AC Milanin, me mesfushorin kroat që pritet të nënshkruajë një kontratë të re për edhe një sezon.

    Sipas raportimit të La Gazzetta dello Sport, 40-vjeçari ka vendosur të qëndrojë në “San Siro”, pavarësisht se kontrata e tij me kuqezinjtë, e cila përfshinte edhe një opsion rinovimi, skadoi më 30 qershor.

    Në javët e fundit kishte pasur dyshime për të ardhmen e veteranit kroat, veçanërisht pas dështimit të Milanit për të siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

    Megjithatë, edhe pse u përfol për një rikthim te Real Madridi në një rol drejtues ose menaxherial, Modric ka vendosur të vazhdojë karrierën si futbollist aktiv në Serie A.

    Sipas të njëjtit burim, pronari i Milanit, Gerry Cardinale, dhe trajneri i ri, Ruben Amorim, kanë zhvilluar bisedime me fituesin e “Topit të Artë”, duke e bindur të vazhdojë pjesë e projektit edhe për një vit tjetër.

    Modric i dha fund së fundmi edhe karrierës së tij me Kombëtaren e Kroacisë, pas eliminimit nga Kupa e Botës 2026 në fazën e 1/16 së finales ndaj Portugalisë. Tashmë, mesfushori pritet të përqendrohet plotësisht te Milani, ku synon të vazhdojë të japë kontributin e tij

  • Vapa ekstreme rrezikon ndeshjen Francë–Paraguaj-Shtohen thirrjet që FIFA ta shtyjë ndeshjen

    Vapa ekstreme rrezikon ndeshjen Francë–Paraguaj-Shtohen thirrjet që FIFA ta shtyjë ndeshjen

    Përballja mes Francës dhe Paraguait në 1/16 e finales së Kupës së Botës 2026 mund të pësojë ndryshime të minutës së fundit, pasi temperaturat ekstreme në Shtetet e Bashkuara kanë ngritur shqetësime serioze për zhvillimin e ndeshjes.

    Takimi, i planifikuar të luhet të shtunën në Filadelfia, pritet të zhvillohet në temperatura që do të kalojnë 38 gradë Celsius. Për shkak të lagështisë së lartë, temperatura e ndjerë brenda stadiumit mund të arrijë deri në 46 gradë Celsius, duke rritur rrezikun për lojtarët, tifozët dhe stafin.

    Drejtori i Heat Lab në Universitetin e Kalifornisë, Bharat Venkat, paralajmëroi se aktiviteti fizik në kushte të tilla mund të ketë pasoja serioze.

    “Kur ushtrohesh fizikisht në një ditë me temperatura shumë të larta, rreziku për probleme shëndetësore të lidhura me nxehtësinë, madje edhe për pasoja fatale, rritet ndjeshëm”, deklaroi ai.

    Stadiumi në Filadelfia nuk disponon një sistem të kontrollit klimatik, ndaj FIFA pritet të zbatojë masa parandaluese si pushime për hidratim, zona ftohjeje dhe protokolle të tjera për përballimin e temperaturave të larta.

    Megjithatë, sindikata ndërkombëtare e futbollistëve FIFPRO dhe ekspertë të fushës kanë argumentuar se këto masa mund të mos jenë të mjaftueshme. Sipas tyre, ndeshjet duhet të shtyhen nëse kushtet atmosferike paraqesin rrezik për shëndetin e pjesëmarrësve.

    Futbollistët e Francës kishin hasur vështirësi edhe në ndeshjen ndaj Suedisë në New Jersey, ku temperaturat arritën në 32 gradë Celsius. Gjatë atij takimi, lojtarët përdorën spërkatëset e fushës për t’u freskuar.

    Shkencëtarët kanë kritikuar gjithashtu udhëzimet aktuale të FIFA-s për mbrojtjen nga temperaturat e larta, duke i cilësuar ato si të pamjaftueshme për kushtet klimatike të verës në Amerikën e Veriut.

    Ndërkohë, problemet me motin nuk kufizohen vetëm te sfida Francë–Paraguai. Edhe ndeshja mes Anglisë dhe Meksikës ka qenë në qendër të diskutimeve për shkak të parashikimeve për stuhi në Mexico City.

    Sipas mediave meksikane, ishte shqyrtuar mundësia që takimi të zhvillohej gjashtë orë më herët, por FIFA vendosi ta ruajë orarin e planifikuar. Më herët, përballja mes Meksikës dhe Ekuadorit ishte shtyrë për shkak të reshjeve të dendura, ndërsa organizatorët vazhdojnë të monitorojnë nga afër kushtet atmosferike.

  • Arijon Ibrahimovic vendos të qëndrojë te Bayern Munichu, kontrata e re vjen javën e ardhshme

    Arijon Ibrahimovic vendos të qëndrojë te Bayern Munichu, kontrata e re vjen javën e ardhshme

    Arijon Ibrahimovic do të vazhdojë të jetë pjesë e Bayern Munichut, pasi talenti nga Kosova ka vendosur të rinovojë kontratën me kampionët e Bundesligës.

    Sipas raportimeve të Transfermarkt, 20-vjeçari ka refuzuar interesimin e disa klubeve nga Gjermania dhe jashtë saj, duke zgjedhur të vazhdojë karrierën në “Allianz Arena”. Kontrata e tij aktuale, e vlefshme deri në vitin 2027 me opsion për një sezon shtesë, pritet të zëvendësohet me një marrëveshje të re që do ta mbajë në Mynih deri në verën e vitit 2028.

    Një rol vendimtar në këtë zgjedhje ka pasur trajneri Vincent Kompany. Bisedimet pozitive mes palëve dhe plani i belgut për zhvillimin e futbollistit e kanë bindur Ibrahimovicin se do të ketë një rol të rëndësishëm në skuadrën e parë.

    Pas huazimit te Heidenheim, mesfushori ofensiv tërhoqi interesimin e klubeve si Werder Bremen, Hamburger SV, Freiburg, Augsburg, Villarreal, Brighton dhe Hull City. Megjithatë, ai vendosi t’i japë përparësi qëndrimit te Bayern Munichu.

    Ibrahimovic zhvilloi një sezon mbresëlënës me Heidenheimin, duke regjistruar gjashtë kontribute në gola në 34 paraqitje në Bundesligë. Performancat e tij bënë që vlera në treg të rritej ndjeshëm, ndërsa ai u shndërrua në një nga talentet më premtuese të futbollit gjerman.

    Një nga momentet më të spikatura të sezonit ishte paraqitja ndaj Bayern Munichut në barazimin 3-3 në “Allianz Arena”, ku shënoi një gol. Vetëm një javë më vonë, ai kontribuoi me dy gola të tjerë në përballjen ndaj Kolnit, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer.

    Sipas raportimeve, Kompany i ka paraqitur lojtarit një plan të qartë për sezonin e ardhshëm, duke i garantuar minuta të rregullta dhe një rol fleksibil në repartin ofensiv. Trajneri belg synon ta aktivizojë si në qendër të sulmit, ashtu edhe në krahë, ndërsa pritet të ketë më shumë hapësira në javët e para të sezonit, kur disa prej futbollistëve të Bayernit do të rikthehen gradualisht pas angazhimeve në Kupën e Botës.

    Për Bayern Munichun, rinovimi i Ibrahimovicit përfaqëson një sinjal të qartë besimi ndaj njërit prej talenteve më premtues të akademisë së klubit, pas huazimeve të tij te Frosinone, Lazio dhe Heidenheim.

    Ibrahimovic debutoi me ekipin e parë të Bayernit në Bundesligë në shkurt të vitit 2023, kur ishte vetëm 17 vjeç. Shkathtësia për të luajtur në disa pozicione të sulmit, teknika dhe instinkti për gol vazhdojnë ta bëjnë atë një nga lojtarët më interesantë të gjeneratës së tij.

  • Liverpooli e bën Barcolan objektivin kryesor të verës

    Liverpooli e bën Barcolan objektivin kryesor të verës

    Liverpooli e ka identifikuar Bradley Barcolan si objektivin kryesor për përforcimin e repartit ofensiv gjatë afatit kalimtar të verës.

    Anësori i Paris Saint-Germain vlerësohet si profili ideal për të shtuar cilësi dhe kreativitet në sulmin e skuadrës nga “Anfield”, ndërsa drejtuesit e klubit anglez janë të interesuar të nisin bisedimet për transferimin e tij.

    Megjithatë, Paris Saint-Germain nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej talenteve më premtues të skuadrës. Kampionët e Francës janë të gatshëm të shqyrtojnë largimin e reprezentuesit francez vetëm nëse marrin një ofertë shumë të lartë financiare.

    Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Barcola mbetet prioriteti kryesor i Liverpoolit për repartin ofensiv, por negociatat pritet të jenë të ndërlikuara, pasi PSG dëshiron ta mbajë lojtarin dhe nuk planifikon ta shesë pa një ofertë që e konsideron të parefuzueshme.

  • Erling Haaland: Përballja me Brazilin do të jetë një ndeshje e veçantë

    Erling Haaland: Përballja me Brazilin do të jetë një ndeshje e veçantë

    Erling Haaland ka shprehur admirimin e tij për Brazilin në prag të përballjes mes Norvegjisë dhe “Seleçaos” në 1/16 e finales së Kupës së Botës 2026.

    Sulmuesi i Norvegjisë dhe i Manchester Cityt nuk i kurseu fjalët e mira për pesë herë kampionët e botës, duke vlerësuar historinë e pasur të futbollit brazilian dhe lojtarët legjendarë që ka nxjerrë ky vend ndër vite.

    Norvegjia dhe Brazili do të përballen të dielën në stadiumin “New York New Jersey Stadium”, në një nga sfidat më tërheqëse të fazës me eliminim direkt të Botërorit. Haaland pranoi se kjo ndeshje ka një domethënie të veçantë për të.

    “Brazili është një kombëtare që e kam admiruar që nga fëmijëria. Që kur mbaj mend, ata kanë pasur gjithmonë lojtarë fantastikë. Të luaj kundër Brazilit do të jetë diçka e veçantë dhe një përvojë e pabesueshme”, u shpreh Haaland.

    “Unë e dua Brazilin!”, shtoi ai me entuziazëm, duke treguar edhe një herë respektin e madh që ka për historinë dhe traditën e futbollit brazilian.

    Tashmë mbetet për t’u parë nëse admirimi i sulmuesit norvegjez për “Seleçaon” do të mbetet i njëjtë edhe pas sfidës së së dielës, kur Norvegjia dhe Brazili do të luftojnë për një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026.

  • Jürgen Klopp konfirmon kontaktet me DFB-në: Jam i hapur për të drejtuar Gjermaninë

    Jürgen Klopp konfirmon kontaktet me DFB-në: Jam i hapur për të drejtuar Gjermaninë

    Jürgen Klopp ka konfirmuar se ka zhvilluar bisedime me Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) lidhur me mundësinë e marrjes së drejtimit të përfaqësueses së Gjermanisë, pas largimit të Julian Nagelsmann.

    Ish-trajneri i Liverpoolit, i cili aktualisht mban postin e drejtorit global të futbollit te Red Bull, pranoi se është kontaktuar nga DFB-ja dhe nuk e përjashtoi mundësinë e rikthimit në stol.

    “Po, mund t’i konfirmoj bisedimet. Pas dorëheqjes së Julianit, DFB-ja po punon për gjetjen e pasuesit dhe, në kuadër të këtij procesi, kanë kontaktuar edhe me mua”, deklaroi Klopp.

    Trajneri gjerman theksoi se momenti nuk është ideal për shkak të kontratës së tij aktuale me Red Bull, por shtoi se situata është më e favorshme sesa në të kaluarën.

    “Edhe tani koha nuk është perfekte, pasi jam nën kontratë me Red Bullin. Megjithatë, rrethanat janë më të mira se sa kanë qenë ndonjëherë më parë. Kur u largova nga Liverpooli, ndihesha i lodhur dhe nuk kisha energji për të vazhduar menjëherë si trajner. Tani ndihem plotësisht i rimbushur me energji”, u shpreh ai.

    Klopp nënvizoi gjithashtu se i respekton kontratat, por la të kuptohet se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me federatën gjermane.

    “Jam një njeri që i respekton kontratat dhe aktualisht kam një marrëveshje me Red Bullin. Megjithatë, jam i interesuar për këto diskutime. Ato duhet të jenë serioze dhe të thelluara, sepse problemet e Gjermanisë nuk ishin vetëm përgjegjësi e Julian Nagelsmannit.”

    Në fund, Klopp pati edhe fjalë vlerësuese për ish-përzgjedhësin e Gjermanisë.

    “Julian Nagelsmann është një trajner i jashtëzakonshëm dhe jam i bindur se do ta dëshmojë këtë edhe shumë herë gjatë karrierës së tij”, përfundoi Klopp.

  • Lionel Messi pranon se ishte ndeshje mjaft vështirë ndaj Kepit të Gjelbër

    Lionel Messi pranon se ishte ndeshje mjaft vështirë ndaj Kepit të Gjelbër

    Ylli argjentinas Lionel Messi ka folur pas ndeshjes të cilën kampioni i botës Argjentina e fitoi me mjaft vështirësi kundër Kepit të Gjelbër,ku Messi shënoi një gol dhe dhuroi një asistim.

    Messi e vlerësoi lartë lojën që tregoi Kepi i Gjelbërt,duke shtuar se jo rastësisht ka bërë paraqitje pozitive ndaj Spanjës dhe Uruguajit.

    “Ne e dinim se do të ishte një ndeshje shumë e vështirë; kjo skuadër nuk kishte marrë rezultate ndaj Spanjës dhe Uruguait pa arsye. Ne bëmë pjesën më të vështirë, që ishte gjetja e golit të parë”.

    “Menduam se nga ai moment do të gjenim lojën tonë dhe do të ishim më të qetë, por ndodhi e kundërta. Humbëm topin, u tërhoqëm prapa, nuk arritëm t’i bënim presion si duhet dhe ata na goditën me pikat e tyre të forta”.

    Përndryshe Messi në fund shtoi se të gjitha ndeshjet janë të vështira,teksa edhe përzgjedhësi Lionel Scaloni pranoi se ekipi i tij ka shumë gjëra për të përmirësuar në vazhdim të turneut.

    Kujtojmë që Argjentina fitoi 3;2 pas vazhdimeve,teksa në 1/8 e finales do të takohet kundër Egjiptit ku synon kalimin në çerekfinale.

  • Kroacia shpërthen pas eliminimit nga Kupa e Botës: Kritika për gjyqtarët

    Kroacia shpërthen pas eliminimit nga Kupa e Botës: Kritika për gjyqtarët

    Pas eliminimit dramatik nga Kupa e Botës, kombëtarja e Kroacisë nuk e fshehu zhgënjimin për vendimet e gjyqtarëve që ndikuan në ndeshje.

    Sulmuesi Igor Matanovic zbuloi bisedën që pati me gjyqtarin lidhur me golin e anuluar për pozitë jashtë loje, ndërsa përzgjedhësi Zlatko Dalić kritikoi ashpër referimin, duke pretenduar se skuadra e tij u dëmtua në momente vendimtare.

    Matanovic pranoi se mund të ketë pasur një kontakt minimal me topin në aksionin e golit të anuluar.

    “Sinqerisht, mendoj se ndjeva një kontakt të lehtë me flokët e mi. E pyeta gjyqtarin, sepse nuk isha 100 për qind i sigurt nëse e kisha prekur topin.

    Ai më tha se topi ka një çip, i cili tregoi se kishte një kontakt të vogël dhe për këtë arsye u sinjalizua pozita jashtë loje”, deklaroi ai për A Bola.

    Sulmuesi kroat tha se ishte e vështirë të pranonte eliminimin, duke theksuar se skuadra e tij meritonte më shumë.

    “Është e vështirë të gjej fjalët e duhura pas kësaj ndeshjeje. Luajtëm shumë mirë në pjesën e dytë dhe meritonim më shumë.

    Ende nuk e kam parë penalltinë, por nëse është akorduar një penallti e tillë… tre gola të anuluar, një pozicion jashtë loje, një shtyllë… nuk kam fjalë. Ishim shumë të pafat sot”, shtoi ai.

  • Bayern Munich zyrtarizon transferimin e Nathaniel Brown nga Eintracht Frankfurt

    Bayern Munich zyrtarizon transferimin e Nathaniel Brown nga Eintracht Frankfurt

    Bayern Munich ka kompletuar zyrtarisht transferimin e mbrojtësit 23-vjeçar Nathaniel Brown nga rivalët e Bundesligës, Eintracht Frankfurt.

    Mbrojtësi i majtë, i vlerësuar lart për potencialin e tij, ka nënshkruar një kontratë afatgjatë me kampionët gjermanë që do ta mbajë në klub deri më 30 qershor 2031.

    Lajmi për transferimin u konfirmua nga vetë klubi bavarez përmes kanaleve zyrtare në rrjetet sociale.

    “FC Bayern ka nënshkruar me lojtarin e kombëtares gjermane, Nathaniel Brown, 23 vjeç, nga Eintracht Frankfurt, me një kontratë deri më 30 qershor 2031”, thuhet në njoftim.

    Edhe pse detajet financiare nuk janë bërë zyrtare, raportimet e mëhershme sugjerojnë se tarifa e transferimit kap vlerën rreth 55 milionë euro.

    Brown zhvilloi një sezon mbresëlënës me Frankfurtin, duke luajtur në 33 ndeshje të Bundesligës, ku shënoi katër gola dhe regjistroi katër asistime.

  • Lamine Yamal: Spanja nuk i frikësohet askujt, sfida ndaj Portugalisë do të jetë speciale

    Lamine Yamal: Spanja nuk i frikësohet askujt, sfida ndaj Portugalisë do të jetë speciale

    Lamine Yamal ka deklaruar se Spanja nuk duhet t’i frikësohet asnjë kundërshtari, teksa përgatitet për përballjen e madhe me Portugalinë në fazën e 1/8-tës së finales të Kupës së Botës 2026.

    18-vjeçari u shpall “Lojtari i Ndeshjes” pas fitores bindëse 3-0 të Spanjës ndaj Austrisë, ndërsa pranoi se skuadra ka ende hapësirë për përmirësim, pavarësisht paraqitjeve mbresëlënëse në turne.

    “Duhet të vazhdojmë të përmirësohemi, si në lojën tonë ashtu edhe në intensitetin tonë. E dimë cilësinë që kemi dhe nuk kemi frikë nga asnjë skuadër – ne jemi Spanja. Duhet ta dëshmojmë këtë në fushë, por besojmë plotësisht në vetvete”, tha Yamal.

    Anësori i Barcelonës foli edhe për mundësinë e një dueli me Cristiano Ronaldon, pasi Portugalia siguroi kualifikimin në fazën eliminatore.

    “Do të ishte një nder të luaja kundër Cristianos, sigurisht, por unë jam i përqendruar vetëm te fitorja e ndeshjes dhe nuk më intereson se cili prej nesh avancon”, u shpreh Yamal.