ATV

Author: A.M.

  • Media argjentinase i kushton reportazh Granit Xhakës: Kapiten me histori, karakter dhe shpirt luftarak

    Media argjentinase i kushton reportazh Granit Xhakës: Kapiten me histori, karakter dhe shpirt luftarak

    Në prag të çerekfinales së Kupës së Botës 2026 mes Zvicrës dhe Argjentinës, mediumi argjentinas Canal26 i ka kushtuar një reportazh të gjatë kapitenit të Zvicrës, Granit Xhakës, duke e cilësuar atë si liderin e padiskutueshëm të kombëtares helvetike dhe një futbollist, historia e të cilit shkon përtej fushës së blertë.

    Në artikullin me titull “Granit Xhaka, kapiteni i Zvicrës që do të përballet me Argjentinën: historia e mërgimit, karakterit dhe një rivaliteti të nxehtë me Serbinë”, mediumi ndalet te rrënjët shqiptare të mesfushorit, historia e familjes së tij dhe rrugëtimi që e shndërroi në një nga futbollistët më të rëndësishëm të Evropës.

    “Pas shiritit të kapitenit të Zvicrës fshihet një histori që përfshin mërgimin, përndjekjen politike, identitetin dhe karakterin e fortë. Xhaka nuk është vetëm një lider në fushë, por edhe simbol i një familjeje që u detyrua të largohej nga vendlindja”, shkruan Canal26.

    Artikulli rikujton se babai i Granitit, Ragip Xhaka, kaloi disa vite në burg në ish-Jugosllavi për shkak të aktivitetit të tij politik në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Më pas, familja emigroi në Zvicër, ku lindi dhe u rrit Graniti. Sipas mediumit argjentinas, kjo histori ka ndikuar në formimin e karakterit të tij luftarak dhe mentalitetit fitues.

    Canal26 ndalet edhe te rivaliteti i Xhakës me Serbinë, duke kujtuar ndeshjen e Botërorit 2018 dhe festimin me shqiponjën dykrenare, një moment që, sipas artikullit, e bëri mesfushorin një nga figurat më të komentuara të futbollit botëror. Gjithashtu përmendet edhe përballja mes dy kombëtareve në Botërorin 2022, ku tensionet u rikthyen sërish në qendër të vëmendjes.

    Në analizën e saj, media argjentinase vlerëson edhe karrierën e Xhakës në futbollin evropian, duke përmendur sukseset me Borussia Mönchengladbach, Arsenalin dhe Bayer Leverkusen, ku është shndërruar në një nga mesfushorët më të kompletuar të kontinentit.

    Në përfundim, Canal26 thekson se Argjentina nuk do të ketë përballë vetëm një skuadër të organizuar, por edhe një kapiten me histori, karakter dhe personalitet të jashtëzakonshëm.

    “Kur Argjentina të zbresë në fushë për të mbrojtur titullin botëror, përballë Lionel Messit nuk do të jetë vetëm një ekip i fortë, por edhe një lider si Granit Xhaka, motori i Zvicrës dhe një nga kundërshtarët që ‘Albiceleste’ duhet ta neutralizojë”, përfundon artikulli i mediumit argjentinas.

  • Spanja dhe Belgjika përballen sonte për një vend në gjysmëfinalen e Botërorit 2026

    Spanja dhe Belgjika përballen sonte për një vend në gjysmëfinalen e Botërorit 2026

    Një nga ndeshjet më të shumëpritura të Kupës së Botës 2026 zhvillohet sonte në Los Angeles, ku Spanja dhe Belgjika do të duelojnë në çerekfinale për një vend mes katër kombëtareve më të mira të turneut.

    Takimi nis në orën 21:00 sipas kohës sonë dhe pritet të sjellë futboll të nivelit më të lartë, me dy përfaqësuese që kanë treguar formë të shkëlqyer gjatë këtij Botërori.

    Pesha e kësaj sfide është e madhe, pasi fituesi do të sigurojë kualifikimin në gjysmëfinale, ku e pret Franca, ndërsa humbësi do t’i japë fund rrugëtimit në Kupën e Botës 2026.

    Spanja mbështetet te loja e saj karakteristike, e bazuar në posedimin e topit, qarkullimin e shpejtë të pasimeve dhe cilësinë teknike. Mesfusha spanjolle ka qenë një nga repartet më të forta të turneut, duke diktuar ritmin e ndeshjeve, ndërsa lojtarët e krahëve kanë krijuar vazhdimisht rrezik për mbrojtjet kundërshtare.

    Në anën tjetër, Belgjika është paraqitur me një skuadër të rifreskuar dhe dinamike, duke treguar fleksibilitet taktik dhe tranzicione të shpejta nga mbrojtja në sulm. “Djajtë e Kuq” kanë mjaft cilësi në repartin ofensiv për të ndëshkuar çdo gabim, por do të përballen me një mbrojtje spanjolle që deri tani ka qenë ndër më të mirat e turneut.

    Me një biletë për në gjysmëfinale dhe një përballje ndaj Francës që pret fituesin, gjithçka është gati për një tjetër mbrëmje spektakolare në Botërorin 2026.

    Spanjë – Belgjikë luhet sonte në stadiumin e Los Angeles, me fillim nga ora 21:00.

  • Vedat Muriqi pranë rikthimit, pritet të luajë në miqësoren e Fenerbahçes

    Vedat Muriqi pranë rikthimit, pritet të luajë në miqësoren e Fenerbahçes

    Vedat Muriqi ka bërë përparim të madh në procesin e rikuperimit dhe pritet të rikthehet shumë shpejt në fushë me fanellën e Fenerbahçes.

    Sipas raportimeve të beIN Sports, trajtimi i sulmuesit kosovar po ecën sipas planit, ndërsa ai tashmë është gati të jetë pjesë e ndeshjes së parë të skuadrës turke në fazën përgatitore.

    Muriqi pritet të aktivizohet për rreth 15-20 minuta në rikthimin e tij, me synimin që të rifitojë gradualisht ritmin e garës dhe formën optimale fizike pas lëndimit.

    Rikthimi i 31-vjeçarit konsiderohet një lajm shumë i rëndësishëm për Fenerbahçen, pasi trajneri do të ketë sërish në dispozicion një nga pikat kryesore të repartit ofensiv për sezonin e ri.

    Ndeshja e radhës e Fenerbahçes në kuadër të përgatitjeve verore do të zhvillohet më 11 korrik ndaj skuadrës polake Pogon Szczecin, sfidë në të cilën pritet edhe rikthimi gradual i Vedat Muriqit në aksion.

  • Kylian Mbappé vazhdon të shkruajë histori, thyen rekorde të reja në Kupën e Botës

    Kylian Mbappé vazhdon të shkruajë histori, thyen rekorde të reja në Kupën e Botës

    Kylian Mbappé po vazhdon të lërë gjurmë në historinë e futbollit botëror, duke vendosur rekorde të reja me paraqitjet e tij në Kupën e Botës 2026.

    Sipas të dhënave të Opta, sulmuesi francez është lojtari i vetëm në 60 vitet e fundit që ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në të paktën 10 gola në dy edicione të ndryshme të Kupës së Botës. Në Botërorin e vitit 2022 ai regjistroi 10 kontribute në gola, me tetë gola dhe dy asistime, ndërsa në edicionin e vitit 2026 ka arritur në 11 përfshirje direkte, falë tetë golave dhe tre asistimeve.

    Ylli i Real Madridit ka vendosur edhe një rekord tjetër historik, duke u bërë futbollisti me më shumë gola që i kanë dhënë epërsinë kombëtares së tij në Kupën e Botës. Deri tani, tetë nga golat e tij në këtë turne kanë kaluar Francën në avantazh, më shumë se çdo lojtar tjetër në historinë e kompeticionit.

    Mbappé është gjithashtu pranë një rekordi tjetër të madh. Me 11 përfshirje direkte në gola në Botërorin 2026, ai po i afrohet arritjes legjendare të Gerd Müller, i cili në Kupën e Botës 1970 ishte përgjegjës për 13 gola, duke shënuar 10 dhe asistuar në tre të tjerë.

    Rekordet e francezit nuk ndalen vetëm në Kupën e Botës. Në moshën 27-vjeçare, ai është bërë lojtari i parë në historinë e kombëtares së Francës që ka kaluar shifrën e 100 përfshirjeve direkte në gola, me 64 gola dhe 37 asistime.

    Me ritmin që po mban, Mbappé po forcon gjithnjë e më shumë statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.

  • KF Llapi përforcohet në mbrojtje, transferon Agon Xhakën

    KF Llapi përforcohet në mbrojtje, transferon Agon Xhakën

    KF Llapi ka arritur marrëveshje me qendërmbrojtësin Agon Xhaka, i cili nga sot është zyrtarisht pjesë e skuadrës bardhekaltër.

    29-vjeçari ka nënshkruar kontratë me klubin nga Podujeva deri në verën e vitit 2028, duke iu bashkuar projektit të ekipit për dy sezonet e ardhshme.

    Futbollisti vjen te Llapi pas një periudhe pesëvjeçare të suksesshme me FC Malishevën, ku ka qenë një nga lojtarët kyç të skuadrës. Gjatë kësaj kohe, ai ka regjistruar 129 paraqitje zyrtare dhe ka kontribuar në sukseset e klubit, përfshirë edhe kualifikimet në garat evropiane për tri sezone radhazi.

    KF Llapi ka bërë të ditur se vazhdon të forcojë skuadrën me futbollistë të dëshmuar, në funksion të objektivave për sezonin e ri. Klubi i ka uruar mirëseardhje Agon Xhakës dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër.

    I njohur për sigurinë në mbrojtje, lojën në ajër dhe karakterin luftarak, Xhaka pritet të sjellë stabilitet dhe lidership në repartin defensiv të Llapit në sezonin e ri.

  • Real Madridi monitoron Doue, e ardhmja e Viniciusit mund të përcaktojë gjithçka

    Real Madridi monitoron Doue, e ardhmja e Viniciusit mund të përcaktojë gjithçka

    E ardhmja e Vinicius Junior vazhdon të mbetet e paqartë te Real Madridi, ndërsa drejtuesit e klubit po shqyrtojnë alternativa në rast se braziliani nuk rinovon kontratën dhe largohet nga “Santiago Bernabeu”.

    Një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen e presidentit Florentino Perez është talenti i Paris Saint-Germain, Desire Doue, i cili konsiderohet një nga futbollistët më premtues të futbollit evropian.

    Sipas raportimeve, Real Madridi e vlerëson shumë profilin e 21-vjeçarit, por PSG nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga shërbimet e tij. Trajneri Luis Enrique e konsideron Douen një lojtar kyç në projektin e tij, ndërsa klubi francez pritet të kërkojë rreth 150 milionë euro për të nisur negociatat.

    Doue spikat për aftësinë e tij për të luajtur në disa pozicione të repartit ofensiv. Ai mund të aktivizohet në krahë, si mesfushor ofensiv ose pas sulmuesit, cilësi që vlerësohen shumë nga stafi teknik i Real Madridit.

    Që prej transferimit nga Rennes, zhvillimi i tij ka qenë i shpejtë dhe i qëndrueshëm. Sipas Transfermarkt, vlera e tij në treg është rreth 120 milionë euro, ndërsa kontrata me PSG-në është e vlefshme deri në vitin 2029, duke i dhënë klubit francez një pozicion të fortë në çdo negociatë.

    Në moshën 21-vjeçare, Doue ka dëshmuar cilësi të larta në driblim, pasin vendimtar dhe finalizim, ndërsa paraqitjet me Kombëtaren e Francës kanë rritur edhe më shumë vlerësimin për të.

    Megjithatë, gjithçka lidhet me të ardhmen e Vinicius Junior. Nëse braziliani rinovon kontratën me Real Madridin, interesi për Douen pritet të zbehet ndjeshëm.

    Në rast se nuk arrihet marrëveshje me Viniciusin, klubi madrilen mund të shqyrtojë shitjen e tij për të financuar transferimin e një zëvendësuesi të nivelit të lartë në krahun e majtë. Për momentin, situata mbetet e hapur. Desire Doue vazhdon të jetë një nga emrat më të pëlqyer në Madrid, ndërsa PSG mbetet e vendosur të mos e lëshojë lehtë yllin e saj.

  • Jürgen Klopp rikthehet në stol, pranon të marrë drejtimin e Gjermanisë

    Jürgen Klopp rikthehet në stol, pranon të marrë drejtimin e Gjermanisë

    Jürgen Klopp është shumë pranë rikthimit në stol, pasi ka pranuar të marrë drejtimin e Kombëtares së Gjermanisë.

    Sipas raportimeve të fundit, tekniku gjerman ka dhënë miratimin për projektin e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), ndërsa palët po finalizojnë detajet e kontratës afatgjatë dhe kushtet e bashkëpunimit. Gjithashtu, po diskutohen edhe termat e largimit të tij nga posti i Drejtuesit Global të Futbollit te Red Bull Group.

    Klopp rikthehet në rolin e trajnerit pas largimit nga Liverpooli, ku shkroi historinë gjatë nëntë viteve në krye të klubit anglez, duke fituar trofe të shumtë dhe duke u shndërruar në një nga trajnerët më të vlerësuar në botë.

    Ndërkohë, Red Bull kishte identifikuar Oliver Glasner si një nga kandidatët për ta zëvendësuar Kloppin në strukturat e grupit, por ky plan nuk u realizua pasi trajneri austriak ka arritur marrëveshje me Nottingham Forest.

    Edhe pse mbeten për t’u zgjidhur disa detaje burokratike dhe financiare, rikthimi i Kloppit në stol konsiderohet çështje kohe, me trajnerin gjerman që pritet të nisë një epokë të re në krye të “Panzerëve”.

  • Carlo Ancelotti konfirmon rikthimin e Raphinhas, por Brazili humb Paquetan para sfidës me Norvegjinë

    Carlo Ancelotti konfirmon rikthimin e Raphinhas, por Brazili humb Paquetan para sfidës me Norvegjinë

    Brazili pritet të bëjë disa ndryshime në formacion për ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Botës kundër Norvegjisë, krahasuar me ekipin që mposhti Japoninë në fazën e 1/16 së finales.

    Arsyeja kryesore është mungesa e mesfushorit Lucas Paqueta, i cili ka pësuar një dëmtim dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Carlo Ancelotti.

    Ndërkohë, lajme pozitive vijnë për Raphinhan, i cili është rikthyer në stërvitje pas dy javësh mungesë për shkak të një dëmtimi në tendinën e gjurit, të pësuar gjatë ndeshjes së fazës së grupeve ndaj Haitit.

    Trajneri Carlo Ancelotti konfirmoi se sulmuesi është rikuperuar, por ende nuk ndodhet në formën e tij optimale.

    “Raphinha po rikuperohet shumë mirë. Nuk është ende plotësisht i gatshëm, por është në dispozicion për të qenë në stol dhe për të marrë disa minuta ose për të ndihmuar në momente të caktuara”, deklaroi Ancelotti.

  • Sunderland refuzon Chelsean-Granit Xhaka mbetet i paprekshëm

    Sunderland refuzon Chelsean-Granit Xhaka mbetet i paprekshëm

    Sunderland ka refuzuar çdo mundësi për transferimin e kapitenit të skuadrës, Granit Xhakës, duke i bërë të qartë Chelseat se mesfushori nuk është në shitje.

     

    Klubi londinez ka shfaqur interes serioz për reprezentuesin zviceran me prejardhje nga Kosova dhe ka paraqitur dy oferta gjatë këtij afati kalimtar. Megjithatë, Sunderland i ka refuzuar të dyja, pa hyrë në negociata për një shumë të mundshme transferimi.

     

    Qëndrimi i klubit është i qartë: Xhaka konsiderohet i paprekshëm dhe pjesë kyçe e projektit për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e Sunderland besojnë se përvoja, lidershipi dhe cilësitë e tij në mesfushë janë të pazëvendësueshme, sidomos në prag të pjesëmarrjes së skuadrës në garat evropiane.

     

    Nga ana tjetër, Chelsea synonte të përforconte mesfushën me një futbollist me përvojë dhe profil lideri, por tentativa për transferimin e Xhakës ka dështuar për shkak të vendosmërisë së Sunderland.

     

    Sipas raportimeve, kontaktet mes dy klubeve janë ndërprerë dhe Sunderland nuk ka ndërmend të shqyrtojë oferta të tjera për kapitenin e tij.

     

    Granit Xhaka pritet të mbetet një nga figurat kryesore të Sunderland edhe për sezonin e ardhshëm, ndërsa klubi anglez po ndërton projektin afatgjatë rreth mesfushorit me përvojë.

  • Alireza Faghani gjyqtar i Angli–Meksikë-FIFA konfirmon vendimin mes polemikave

    Alireza Faghani gjyqtar i Angli–Meksikë-FIFA konfirmon vendimin mes polemikave

    FIFA ka konfirmuar se gjyqtari australian Alireza Faghani do të ndajë drejtësinë në ndeshjen e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026 mes Anglisë dhe Meksikës, një vendim që ka ngjallur debat në opinionin sportiv.

    Sfida e shumëpritur mes Anglisë dhe njërit prej vendeve organizatore është shoqëruar me zhvillime të shumta edhe jashtë fushës së lojës.

    Fillimisht, FIFA kishte planifikuar zhvendosjen e ndeshjes gjashtë orë më herët për shkak të parashikimeve për reshje të dendura dhe stuhi në Mexico City. Ky ndryshim u prit me reagim të ashpër nga përzgjedhësi i Meksikës, Javier Aguirre, i cili argumentoi se skuadra e tij do të kishte më pak kohë për përgatitje në një ndeshje me rëndësi të madhe.

    Megjithatë, organizmi botëror i futbollit ndryshoi sërish qëndrim, duke konfirmuar të shtunën në mbrëmje se ndeshja do të zhvillohet në orarin fillestar. Sipas raportimeve, ky vendim erdhi pas shqetësimeve të Federatës Angleze të Futbollit për tifozët që kishin planifikuar udhëtimin drejt Mexico City.

    Ndërkohë, FIFA ka bërë të ditur se Alireza Faghani do të jetë gjyqtari kryesor i takimit që do të luhet në “Estadio Azteca”. 48-vjeçari do të gjykojë në Kupën e Botës për herë të tretë, pasi më parë ka qenë pjesë e turneve të vitit 2014 në Brazil dhe 2018 në Rusi.