ATV

Author: A.M.

  • Diant Ramaj kërkon largimin nga Dortmundi, synon të jetë portieri i parë në një klub të ri

    Diant Ramaj kërkon largimin nga Dortmundi, synon të jetë portieri i parë në një klub të ri

    Diant Ramaj është i vendosur të largohet nga Borussia Dortmundi gjatë kësaj vere, pasi synon të gjejë një skuadër ku do ta ketë rolin e portierit të parë.

    Sipas raportimit të Bild, portieri 24-vjeçar është rikthyer te Dortmundi pas një huazimi të suksesshëm te Heidenheimi, ku zhvilloi 31 nga 34 ndeshjet e mundshme në Bundesliga gjatë sezonit 2025/26. Megjithatë, ai nuk beson se mund ta fitojë vendin e titullarit te verdhezinjtë.

    Raporti shton se negociatat për largimin e tij kanë nisur, por deri më tani nuk ka oferta konkrete në tavolinë.

    Borussia Dortmundi është e gatshme ta lejojë largimin e Ramajt, pasi Gregor Kobel mbetet zgjedhja e padiskutueshme në portë. Ndërkohë, Alexander Meyer dhe Patrick Drewes pritet të jenë alternativat rezervë për sezonin e ardhshëm.

    Ramaj iu bashkua Dortmundit në shkurt të vitit 2025 për pesë milionë euro, me shpresën se një ditë do ta zëvendësonte Kobelin si portieri kryesor i skuadrës. Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve të mira te Copenhageni dhe Heidenheimi, ai e konsideron pothuajse të pamundur ta fitojë këtë rol.

    Portieri ka kontratë me Borussia Dortmundin deri në verën e vitit 2029, ndërsa klubi gjerman pritet të kërkojë një dëmshpërblim për kartonin e tij. Sipas Transfermarkt, vlera aktuale e Ramajt në treg vlerësohet rreth shtatë milionë euro.

  • Sonte dy ndeshje çerekfinale Norvegji-Angli dhe

    Sonte dy ndeshje çerekfinale Norvegji-Angli dhe

    Sonte dhe në mesnatë pritet të zhvillohen edhe dy ndeshjet të tjera cerekfinale të Kupës së Botës 2026,ku pritet të përcaktohen edhe dy gjysmëfinalistët e tjerë të këtij kompeticioni.

    Në ora 23:00 Anglia  e cila eliminoi Meksikën në 1/8 e finales do të takohet kundër Norvegjisë,e cila konsiderohet njëra nga ndeshjet kryesore të mbrëmjes ku tre luanët synojë kalimin në gjysmëfinale pas 8 vitesh kur për herë të fundit ishin në botëorin e vitit 2018.

    Në anën tjetër Norvegjia arriti në cerekfinale për herë të parë ku eliminoi Brazilin në 1/8 e finales do të synoj për herë të parë gjysmëfinalen,dhe kjo do të ishte një sukses i madh për “vikingët”të cilët u rikthyen në skenën botërore të futbollit pas 28 vitesh.

    Çerekfinalja tjetër interesante pritet të zhvillohet ndërmjet Zvicrës dhe kampionit aktual të botës Argjentinës e cila nis në ora 03:00 të mëngjesit.

    Granit Xhaka dhe Ardon Jashari arritën ta kualifikojnë kombëtaren helvetike në mesin e 8 ekipeve më të mira në botë pas penalltive kundër Kolumbisë,teksa do të synojnë që të eliminonjë kampionët aktual të botës nga Kupa e Botës.

    Ndërkohë Argjentina e cila eliminoj Egjiptin me rikthim do të synoj gjysmëfinalen e dytë me rradhë,dhe Lionel Messi me shokë të vazhdojnë objektivin e tyre për mbrojtjen e titullit.

    Kujtojmë që tashmë është kompletuar edhe gjysmëfinalja e parë e këtij botërori,ku Franca e cila eliminoi Marokun pritet të takohet kundër Spanjës që të premten mbrëma kishte eliminuar Belgjikën.

  • Lamine Yamal sfidon Francën: Nëse dikush duhet të ketë frikë, janë ata

    Lamine Yamal ka dërguar një mesazh të fortë para gjysmëfinales së Kupës së Botës 2026 ndaj Francës, duke deklaruar se nuk është Spanja ajo që duhet të shqetësohet, por kundërshtari.

     

    Kampionët e Evropës siguruan kualifikimin në gjysmëfinale pas fitores 2-1 ndaj Belgjikës në Los Angeles, me Mikel Merinon që shënoi golin vendimtar pasi u inkuadrua nga stoli.

     

    Spanja ka arritur në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për herë të dytë në histori, pas suksesit të vitit 2010, kur fitoi trofeun në Afrikën e Jugut. Njëkohësisht, skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente ka vendosur një rekord historik, duke e çuar në 36 numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje, që nga disfata 1-0 ndaj Kolumbisë në mars të vitit 2024.

     

    Para përballjes me Francën për një vend në finale, Yamal u shfaq plot vetëbesim.

     

    “Nëse dikush duhet të ketë frikë, janë ata. Ne i kemi eliminuar në Euro 2024 dhe në Ligën e Kombeve 2024/25.

     

    Jemi dy skuadra të mëdha, sipas meje dy më të mirat, por ne nuk kemi frikë”, deklaroi ylli i ri i Spanjës.

     

    Të njëjtin qëndrim ndan edhe përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, i cili vazhdon të mbetet i pamposhtur në Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian, me 13 ndeshje të zhvilluara, prej të cilave 12 fitore dhe një barazim.

     

    “Është normale të mendojmë se do të punojmë për t’i mposhtur. Besoj se edhe ata janë po aq të shqetësuar.

     

    Ne jemi e vetmja skuadër që i ka mposhtur dy herë radhazi. Një ekip i madh do të përballet me një tjetër ekip të madh”, u shpreh De la Fuente.

     

    Gjysmëfinalja mes Spanjës dhe Francës do të zhvillohet të martën, duke nisur nga ora 21:00.

  • Moti ekstrem mund të shtyjë çerekfinalen Norvegji – Angli

    Moti ekstrem mund të shtyjë çerekfinalen Norvegji – Angli

    FIFA mund të detyrohet të marrë një tjetër vendim të rëndësishëm para çerekfinales së Kupës së Botës 2026 mes Anglisë dhe Norvegjisë, për shkak të kushteve ekstreme të motit në Miami.

    Kombëtarja angleze, e drejtuar nga Thomas Tuchel, siguroi kualifikimin në çerekfinale pas fitores dramatike 3-2 ndaj Meksikës, në një ndeshje ku luajti me dhjetë futbollistë pas kartonit të kuq të Jarell Quansah.

    Megjithatë, shqetësimet e Anglisë nuk lidhen vetëm me mungesat në skuadër. FIFA po monitoron nga afër situatën meteorologjike në Florida, pasi temperaturat e larta dhe rreziku për stuhi mund të ndikojnë në zhvillimin e ndeshjes.

    Shërbimi Kombëtar i Motit në Shtetet e Bashkuara ka lëshuar një paralajmërim për vapë ekstreme në jug të Floridës, ku temperatura e ndjerë mund të arrijë deri në 43 gradë Celsius, si pasojë e temperaturave të larta dhe lagështisë së madhe.

    Përveç vapës, meteorologët kanë parashikuar edhe stuhi me shkarkesa elektrike gjatë fundjavës. Sipas protokollit të FIFA-s, çdo ndeshje duhet të ndërpritet ose të shtyhet nëse konstatohet aktivitet i rrufeve brenda një rrezeje prej tetë miljesh (rreth 13 kilometrash) nga stadiumi.

    Ndeshja mes Anglisë dhe Norvegjisë është planifikuar të zhvillohet të shtunën, por nëse kushtet atmosferike nuk përmirësohen, FIFA mund të vendosë shtyrjen e fillimit të saj për arsye sigurie.

    Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në ndeshjen e Anglisë ndaj Meksikës në fazën e 1/8 së finales, kur takimi nisi me një orë vonesë për shkak të motit të pafavorshëm.

  • Malisheva – Vllaznia do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali

    Malisheva – Vllaznia do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali

    Ndeshja mes Malishevës dhe Vllaznisë, e vlefshme për kualifikimet e Ligës së Konferencës, do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali.

    Lajmi është konfirmuar nga UEFA, e cila në platformën zyrtare ka bërë të ditur se sfida e kthimit do të luhet më 15 korrik, me fillim nga ora 16:30.

    Malisheva do të kërkojë përmbysjen e rezultatit pas humbjes në ndeshjen e parë ndaj skuadrës shqiptare. Përballja e zhvilluar në Shqipëri u mbyll me fitoren e Vllaznisë me rezultat 2-1, duke i dhënë avantazh minimal ekipit shkodran para duelit të dytë.

    Skuadra kosovare tashmë do të tentojë të shfrytëzojë faktorin vendas për të siguruar kualifikimin në raundin tjetër të garës evropiane.

  • Sadio Mané tërhiqet nga kombëtarja e Senegalit, i jep fund një epoke historike

    Sadio Mané tërhiqet nga kombëtarja e Senegalit, i jep fund një epoke historike

    Sadio Mané ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar, duke mbyllur një kapitull të jashtëzakonshëm me Kombëtaren e Senegalit.

    Sulmuesi 34-vjeçar mori këtë vendim pas eliminimit të Senegalit nga Kupa e Botës 2026, ku “Luanët e Terangës” u mposhtën nga Belgjika pas kohës shtesë në fazën e 1/8 së finales.

    Në një mesazh emocionues drejtuar tifozëve, Mané falënderoi të gjithë për mbështetjen ndër vite dhe theksoi se gjithmonë ka dhënë maksimumin për fanellën e kombëtares.

    “Dijeni se kam sakrifikuar gjithçka për këtë flamur. Kam dhënë gjithçka nga vetja dhe kam luftuar gjithmonë për vendin tonë. Mbështetja juaj e vazhdueshme ishte forca që më shtyu drejt suksesit,” u shpreh Mané.

    Legjenda e futbollit senegalez bëri të ditur se, edhe pse largohet si futbollist, nuk do të shkëputet nga kombëtarja.

    “Në të ardhmen, me kënaqësi do ta përdor përvojën time për të mirën e vendit, qoftë si pjesë e stafit teknik, si trajner apo në strukturat drejtuese të futbollit,” shtoi ai.

    Mané debutoi me Kombëtaren e Senegalit në vitin 2012 dhe gjatë 14 viteve zhvilloi 130 ndeshje, duke realizuar 54 gola, rekord absolut në historinë e përfaqësueses.

    Si kapiten i gjeneratës më të suksesshme të Senegalit, ai udhëhoqi ekipin drejt triumfit historik në Kupën e Kombeve të Afrikës (AFCON) 2021, duke lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme dhe duke u renditur mes futbollistëve më të mëdhenj që ka nxjerrë ndonjëherë futbolli afrikan.

  • Zyrtare: Lumbardh Dellova transferohet te Amedspor

    Zyrtare: Lumbardh Dellova transferohet te Amedspor

    Lumbardh Dellova ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij, pasi është zyrtarizuar si futbollist i ri i Amedsporit.

    Klubi turk ka aktivizuar klauzolën e lirimit të mbrojtësit të Kombëtares së Kosovës, duke i paguar 950 mijë euro CSKA Sofias për kartonin e 27-vjeçarit. Me këtë transferim, Dellova i jep fund aventurës së tij në futbollin bullgar, ku u dallua me paraqitje të mira në radhët e klubit nga Sofja.

    Mbrojtësi kosovar ka firmosur një kontratë trevjeçare me Amedsporin dhe do të jetë pjesë e projektit të klubit për sezonin 2026/27, ku pritet të ketë një rol të rëndësishëm në repartin defensiv.

    Te skuadra turke, Dellova do të punojë nën drejtimin e trajnerit shqiptar Besnik Hasi, ndërsa do të ndajë zhveshtoren edhe me dy futbollistë të tjerë kosovarë, Ermal Krasniqin dhe Florent Hasanin.

    Në njoftimin zyrtar, Amedspori e mirëpriti mbrojtësin kosovar dhe konfirmoi marrëveshjen trevjeçare.”Klubi ynë ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me lojtarin e Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova, i cili së fundmi luajti për CSKA Sofia, si pjesë e planifikimit të skuadrës sonë për sezonin 2026/27.

    • 27-vjeçari Lumbardh Dellova, i cili mund të luajë si mbrojtës qendror, mbrojtës i djathtë dhe mbrojtës i majtë, do të japë kontribute të rëndësishme në ekipin tonë me stilin e tij të gjithanshëm të lojës.

    Ne e mirëpresim Lumbardh Dellovën në klubin tonë dhe i urojmë një karrierë të suksesshme me fanellën tonë jeshile dhe të kuqe.”

    Ky transferim përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e Dellovës, i cili do të synojë të konfirmojë vlerat e tij edhe në futbollin turk.

  • Finale historike në Wimbledon, Muchova dhe Noskova do të duelojnë për titullin

    Finale historike në Wimbledon, Muchova dhe Noskova do të duelojnë për titullin

    Wimbledoni do të ketë për herë të parë në histori një finale tërësisht çeke në turneun e femrave. Karolina Muchova dhe Linda Noskova siguruan kualifikimin për aktin e fundit, duke eliminuar kundërshtaret e tyre në gjysmëfinale dhe duke shkruar histori në turneun më prestigjioz të fushave me bar.

    Linda Noskova vazhdoi formën e shkëlqyer, teksa mposhti ukrainasen Marta Kostyuk me rezultatin 6-4, 6-4. Tenistja 21-vjeçare dominoi momentet vendimtare të takimit dhe siguroi biletën për në finale pa humbur asnjë set.

    Gjysmëfinalja tjetër ishte shumë më dramatike. Karolina Muchova triumfoi ndaj amerikanes Coco Gauff pas tre seteve, me rezultatin 6-1, 1-6, 7-6.

    Pas një seti të parë të dominuar nga Muchova dhe reagimit të fuqishëm të Gauff në të dytin, fituesja u vendos vetëm në setin e tretë. Dy tenistet zhvilluan një duel të barabartë, i cili shkoi në tie-break, ku çekja tregoi më shumë qetësi dhe përvojë për të siguruar kualifikimin.

    Finalja mes Muchovës dhe Noskovës do të shënojë një moment historik për Wimbledonin, pasi për herë të parë dy teniste nga Republika Çeke do të përballen për trofeun e kampiones. Kjo do të thotë se Republika Çeke do të ketë të garantuar fituesen e edicionit të sivjetshëm të turneut.

  • Milani synon Van Dijkun, Ibrahimoviçi shtyn përpara transferimin e bujshëm

    Milani synon Van Dijkun, Ibrahimoviçi shtyn përpara transferimin e bujshëm

    Milani po shqyrton mundësinë e transferimit të kapitenit të Liverpoolit, Virgil van Dijk, në një lëvizje që do të ishte ndër më të bujshmet e kësaj merkatoje.

    Sipas TuttoMercatoWeb, ideja për afrimin e mbrojtësit holandez është mbështetur nga Zlatan Ibrahimoviç, i cili e sheh Van Dijkun si liderin ideal për të forcuar repartin defensiv të kuqezinjve. Megjithatë, operacioni konsiderohet shumë i vështirë, edhe pse jo i pamundur.

    Drejtuesit e Milanit janë në kërkim të një mbrojtësi me përvojë, autoritet dhe mentalitet fitues, cilësi që Van Dijk i ka dëshmuar prej vitesh si te Liverpooli ashtu edhe te kombëtarja e Holandës.

    Pengesa më e madhe për realizimin e kësaj marrëveshjeje mbetet paga e lartë e 35-vjeçarit. Mbrojtësi përfiton rreth 15 milionë euro në sezon, një shifër që tejkalon ndjeshëm strukturën aktuale të pagave te Milani.

    Për këtë arsye, klubi italian do të duhet të gjejë një formulë të veçantë për ta bërë të mundur transferimin, qoftë përmes një kontrate të strukturuar ndryshe, uljes së pagës apo bonuseve të lidhura me performancën.

    Ndërkohë, raportimet bëjnë të ditur se Liverpooli është i gatshëm të dëgjojë oferta për mbrojtësin holandez, ndërsa çdo negociatë do të varet kryesisht nga mënyra se si do të zgjidhet çështja e pagës së tij.

    Nëse transferimi realizohet, ardhja e Virgil van Dijk te Milani do të përbënte një nga goditjet më të mëdha të merkatos verore, edhe pse për momentin mbetet një objektiv ambicioz për klubin italian.

  • Virusi shqetëson Anglinë dhe Norvegjinë para çerekfinales së Botërorit 2026

    Virusi shqetëson Anglinë dhe Norvegjinë para çerekfinales së Botërorit 2026

    Vetëm pak ditë para çerekfinales së Kupës së Botës 2026, që zhvillohet të shtunën në Miami, Anglia dhe Norvegjia po përballen me probleme shëndetësore që mund të ndikojnë në përgatitjet e tyre.

    Sipas Daily Mail, mesfushori i Anglisë, Declan Rice, është infektuar me një virus dhe është vendosur në izolim për të parandaluar përhapjen e tij te pjesa tjetër e skuadrës.

    Futbollisti i Arsenalit ka munguar në dy seanca stërvitore radhazi për shkak të gjendjes së tij, ndërsa Federata Angleze e Futbollit ka ndërmarrë masa të menjëhershme duke e mbajtur të veçuar nga grupi. Megjithatë, në kampin anglez besohet se situata është nën kontroll dhe se asnjë lojtar tjetër nuk është prekur.

    Rice kishte pasur më herët edhe shqetësime fizike në kofshë dhe në pjesën e poshtme të shpinës, ndaj mungesa e tij në sfidën ndaj Norvegjisë do të ishte një goditje e rëndësishme për Anglinë.

    Probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në kampin norvegjez. Portieri Orjan Nyland ka konfirmuar se disa futbollistë janë sëmurë, ndërsa stafi mjekësor po punon për ta mbajtur situatën nën kontroll.

    “Është e vërtetë, kemi pasur probleme. Po bëjmë gjithçka që mundemi dhe mjeku ynë është shumë i angazhuar për momentin. Shpresojmë që gjithçka të jetë mirë dhe të përballemi me Anglinë me një ekip plotësisht të gatshëm”, deklaroi Nyland.

    Dy futbollistë norvegjezë kanë munguar tashmë në ndeshje për shkak të sëmundjes. Sulmuesi Jørgen Strand Larsen nuk luajti në ndeshjen e parë të turneut, ndërsa Marcus Holmgren Pedersen mbeti jashtë përballjes ndaj Brazilit. Gjatë konferencës për shtyp është vënë re gjithashtu edhe trajneri Ståle Solbakken duke kollitur, çka ka shtuar shqetësimet në kampin norvegjez.

    Angli – Norvegji konsiderohet një nga përballjet më interesante të çerekfinaleve të Botërorit 2026, por përpara se të sfidojnë njëra-tjetrën në fushë, të dyja kombëtaret po përpiqen të fitojnë edhe betejën me virusin.